Zyrtare: Jasir Asani transferohet te Esteghlal në Iran
Jasir Asani do të vazhdojë karrierën në elitën e futbollit iranian, pasi ka firmosur me skuadrën e njohur Esteghlal FC.
Zërat për një transferim të mundshëm kishin qarkulluar prej ditësh, por tashmë marrëveshja është zyrtarizuar: Asani ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit 2026/27.
Konfirmimi erdhi nga vetë klubi iranian, i cili përmes një njoftimi zyrtar bëri të ditur se ka arritur marrëveshje me sulmuesin shqiptar, i cili ndodhet në muajt e fundit të kontratës me klubin korean, Gwangju FC. Kjo i jep atij të drejtën të negociojë lirshëm me çdo skuadër.
“Pas negociatave mes Esteghlal dhe anësorit të sulmit shqiptar Jasir Asani, lojtari firmosi një kontratë me klubin për një sezon e gjysmë dhe do të bashkohet me ne sapo të përfundojë kontrata e tij me Gwangju,” thuhet në deklaratën e klubit iranian.
Asani ka kontratë me Gwangju deri në janar 2026, por Esteghlal po punon për të arritur një marrëveshje me klubin korean në mënyrë që lojtari t’u bashkohet më herët.
Iranezët shpresojnë që të mbyllin transferimin brenda muajve të verës, në mënyrë që Asani të jetë i gatshëm për ndeshjet e para të sezonit të ri.
Kujtojmë se Asani ka qenë një nga lojtarët kyç të Kombëtares së Shqipërisë në kualifikueset e fundit dhe transferimi në Iran shihet si një hap i rëndësishëm në karrierën e tij, si në aspektin sportiv ashtu edhe financiar. /Telegrafi/
The post Zyrtare: Jasir Asani transferohet te Esteghlal në Iran appeared first on Telegrafi.