Inspektorati Sanitar mbyll pishinën e Gërmisë pasi IKSHPK njoftoi se uji nuk i plotëson standardet
Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka mbyllur Pishinën e Gërmisë në Prishtinë, pasi Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë njoftoi se uji nuk plotëson standartet për pishinë.
Inspektorët tashmë kanë vendosur shenjën ku tregohet për mbylljen e pishinës, pikërisht në dyert e kësaj pishine.
Telegrafi ka dërguar pyetje në Inspektoratin Sanitar të Shëndetësisë, por deri në publikimin e lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.
Më herët, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se monitoruar cilësinë e ujit në pishinën e Gërmisë, dhe rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës.
Kështu ka njoftuar IKSHPK përmes një njoftimi për media, transmeton Telegrafi.
“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të mandatit të tij për mbrojtjen e shëndetit publik, dhe bazuar në kontratën që ka me ndërmarrjen publike “Sport Marketing” SH.A, që bën menaxhimin e pishinës së Gërmisë në Prishtinë, po bën monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit ne këtë pishinë publike. Ekspertët e Ekologjisë Humane nga IKSHPK kanë marrë mostra për analizë laboratorike nga uji i kësaj pishine, të premten më 19 korrik 2025. Rezultatet e këtyre mostrave te lëshuara me 22 korrik 2025, treguan se parametrat mikrobiologjikë nuk plotësuan standardet për ujin e pishinës. Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka bërë vizitë në këtë pishinë, në të njëjtën ditë. Më 23 korrik 2025, janë marrë mostra të përsëritura dhe rezultatet përfundimtare pritet të jenë të gatshme ditën e premte, me 25 korrik 2025″, thuhet në njoftim.
Tutje, thuhet se në momentin që rezultatet e reja do të jenë të disponueshme, qytetarët do të njoftohen përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të IKSHPK-së./Telegrafi/
The post Inspektorati Sanitar mbyll pishinën e Gërmisë pasi IKSHPK njoftoi se uji nuk i plotëson standardet appeared first on Telegrafi.