XHAKARTË, 21 gusht /ATSH – DPA/ – Gjermania duhet të jetë më mikpritëse ndaj punëtorëve të huaj, duke pasur parasysh mungesën e stafit të kualifikuar, tha sot ministri i Jashtëm Johann Wadephul gjatë një vizite në Indonezi.
“Ne nuk kemi nevojë vetëm për mënyra teknike për të sjellë njerëz në Gjermani, por gjithashtu duhet të tregojmë një kulturë mikpritëse për punëtorët e huaj të kualifikuar”, tha politikani konservator pas vizitës së tij në një universitet për profesionet shëndetësore në Jakarta.
Ai shtoi se për një shoqëri kaq të re sa ajo e Indonezisë, ku gjysma e popullsisë është nën 30 vjeç, punësimi jashtë vendit paraqet një mundësi të konsiderueshme.
Megjithatë, ai paralajmëroi se Gjermania përballet me konkurrencë nga destinacione të tjera tërheqëse, veçanërisht në fusha shumë të kërkuara.
“Dhe shumë nuk na preferojnë ne pjesërisht sepse gjuha gjermane nuk është nga më të lehtat”, vuri në dukje ai. “Prandaj, na takon neve të bëjmë kushtet sa më tërheqëse për punëtorët e ardhshëm të kualifikuar.”
“Gjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar nga jashtë, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, si dhe në IT dhe hotelieri”, tha Wadephul.
Ai theksoi rëndësinë e integrimit të mësimit të gjuhës në edukimin profesional, duke lavdëruar bashkëpunimin midis Goethe-Institut dhe ministrisë së Shëndetësisë së Indonezisë si një projekt model.
Wadephul gjithashtu vizitoi një kurs për gjuhên gjermane dhe diskutoi planet e karrierës me studentët, duke vëzhguar një ushtrim infermierije të kryer në gjermanisht.
Aktualisht, migracioni i punëtorëve të kualifikuar në Gjermani mbetet i ulët, me rreth 1 000 viza të lëshuara çdo vit. Berlini citon nivelet e ulëta të trajnimit, kërkesat për gjuhë dhe njohjen e kualifikimeve profesionale si sfida./Ad.Ab./
XHAKARTË, 21 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i ka bërë thirrje Kinës të ushtrojë më shumë presion ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, për të pranuar një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë.
“Kina duhet të kuptojë më në fund se duhet të luajë një rol aktiv në përfundimin e këtij konflikti”, tha sot Wadephul pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të ASEAN-it, grupit prej 10 shtetesh të Azisë Juglindore.
“Për fat të keq, Kina nuk e ka bërë këtë deri tani, edhe pse i është kërkuar në disa raste”, shtoi ministri i Jashtëm gjerman,
Ai i bëri thirrje Pekinit të “marrë një rol aktiv për t’i dhënë fund këtij konflikti dhe të ushtrojë presion politik, por edhe ekonomik mbi Rusinë që të ulet në tryezën e negociatave”.
“Deri tani kemi parë që Rusia shmanget, nëse i hedh një sy deklaratave të fundit të ministrit të Jashtëm Sergei Lavrov”, tha Wadephul. “Por nëse Kina e ndryshon këtë strategji – dhe siç e dimë, kurrë nuk është vonë për këtë – atëherë mund ta imagjinoj një rol konstruktiv të saj në të ardhmen”, theksoi ai. /Ad.Ab./
XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul kritikoi sot Izraelin për miratimin e ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor.
“Plane të tilla, nëse zbatohen, do të ishin në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe do ta bënin të pamundur një zgjidhje me dy shtete”, u tha Wadephul gazetarëve, përpara vizitës së tij në Xhakarta.
Një zgjidhje me dy shtete i referohet një shteti të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore përkrah Izraelit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka refuzuar një zgjidhje me dy shtete – ashtu si edhe organizata islamiste palestineze “Hamas” në Rripin e Gazës.
“Gjermania favorizon një zgjidhje me dy shtete”, tha Wadephul.
“Kjo është arsyeja pse ne këshillojmë fuqimisht që mos të ndiqet kjo rrugë”, shtoi ai.
Komiteti izraelit i Planifikimi miratoi sot planin për të ndërtuar rreth 3,400 njësi banimi në të ashtuquajturën zona E1 – një shtrirje toke midis Jerusalemit Lindor dhe vendbanimit Maale Adumim.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Gjermane tha se plani do të ndante de facto pjesën veriore të Bregut Perëndimor nga pjesa jugore.
Lëvizshmëria e palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe palestinezëve në Jerusalemin Lindor do të kufizohej ndjeshëm.
Kritikët kanë paralajmëruar prej kohësh kundër këtij veprimi të kontestuar, duke thënë se ai mund të dëmtojë rëndë perspektivat për një shtet të ardhshëm palestinez. //a.i/
XHAKARTA, 20 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul vlerësoi sot marrëveshjen e tregtisë së lirë të BE-së me Indonezinë, ndërsa ndodhet në vizitën e tij të parë në Azi.
“Në një botë krizash dhe konfliktesh, kufizimesh dhe barrierash tregtare është jetike të krijohet një rrjet partneritetesh të forta globale”, tha Wadephul në një takim me homologun e tij indonezian Sugiono, në Xhakartë.
Marrëveshja Gjithëpërfshirëse e Partneritetit Ekonomik (CEPA) e BE-së me Indonezinë, e arritur në korrik, pritet të finalizohet në shtator.
“Marrëveshja mund të shërbejë si një model për tregtinë evropiane me rajone të tjera”, tha Wadephul.
“Për kompanitë gjermane dhe indoneziane, ajo ofron një mundësi të madhe për bashkëpunim, për shembull në energjitë e rinovueshme”, shtoi ai.
Demokracia e tretë më e madhe në botë dhe vendi me popullsinë më të madhe myslimane në botë, Indonezia është shfaqur si një lojtare globale gjithnjë e më e rëndësishme vitet e fundit.
Ashtu si Gjermania, kombi i Azisë Juglindore është anëtar i grupit G20 të ekonomive kryesore.
Indonezia është gjithashtu pjesë e aleancës BRICS që përfshin Brazilin, Rusinë, Indinë, Kinën dhe Afrikën e Jugut.
Partnerët më të rëndësishëm tregtarë të vendit përfshijnë Kinën, Japoninë, Indinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, si dhe tregun e Azisë Juglindore.
Sugiono, i cili si shumë indonezianë përdor një emër të vetëm – tha se Indonezia dhe Gjermania ishin partnerë strategjikë dhe se ishte i bindur se ky partneritet do të bëhej më i fortë në vitet e ardhshme.
“Vendi është i hapur për më shumë investime gjermane në fusha kyçe si energjia e rinovueshme, inteligjenca artificiale, infrastruktura dhe siguria ushqimore”, tha ministri i Jashtëm indonezian.
Duke pasur parasysh mungesën e punonjësve të kualifikuar në Gjermani, të dy ministrat theksuan potencialin për bashkëpunim në tregun e punës.
Sugiono e përshkroi vizitën e ardhshme shtetërore të presidentit indonezian Prabowo Subianto, në Gjermani – me ftesë të presidentit gjerman Frank-Walter Steinmeier – si një formë të veçantë njohjeje që pasqyron rëndësinë e partneritetit të të dy vendeve. //a.i/
OSAKA, 19 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul akuzoi sot Kinën dhe Korenë e Veriut se po kërcënojnë stabilitetin ndërkombëtar përmes veprimeve agresive në rajonin Indo-Paqësor.
“Rregulli është gjithmonë që kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë. As në Europë, as në Indo-Paqësor, e askund tjetër në botë”, tha Wadephul gjatë një vizite në “Flotën e 7”-të amerikane dhe një bazë detare japoneze në Jokosuka, në jug të Tokios.
Duke folur për gazetarët, Wadephul theksoi rolin jetik që kanë partneritetet e forta për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Ai e përshkroi bazën si strategjikisht të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit në Indo-Paqësor dhe vuri në dukje se, së bashku me partnerët e ngushtë të G7-s, Japoninë dhe Shtetet e Bashkuara, Gjermania ndan shqetësimet mbi tensionet në rritje në rajon.
“Flota e 7”-të amerikane është vendosur në Japoni nën një pakt sigurie dypalësh të nënshkruar në vitin 1960 për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit.
Më shumë se 26 000 ushtarë amerikanë jetojnë dhe punojnë në bazën e Jokosukës. Zona e saj e veprimit mbulon 36 vende, dhe deri në 70 anije luftarake, përfshirë një aeroplanmbajtëse dhe nëndetëse, janë të dislokuara aty në mënyrë të përhershme.
Wadephul paralajmëroi se fuqizimi ushtarak i Kinës dhe përpjekja e saj për t’u bërë lideri botëror teknologjik përmes “big data” dhe inteligjencës artificiale përbëjnë një sfidë për rajonin.
Ai i bëri thirrje Pekinit që të mos ndryshojë status quo-në në ngushticën e Tajvanit, duke theksuar se ndalimi i përdorimit të forcës, i parashikuar nga Karta e Kombeve të Bashkuara, vlen për ngushticën e Tajvanit, Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore.
Ministri i Jashtëm kritikoi gjithashtu ashpër retorikën dhe manovrat e Koresë së Veriut, të cilat sipas tij po rrisin tensionet.
“Pheniani vazhdon të zgjerojë arsenalin e tij bërthamor, të kryejë testime të raketave balistike në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe të mbështesë luftën e Rusisë në Ukrainë me personel ushtarak, duke minuar paqen si në Indo-Paqësor ashtu edhe në Europë”, tha Wadephul.
Ai i quajti aktivitetet e Koresë së Veriut si shkelje të disa rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. /Ad.Ab./
BERLIN, 18 gusht /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul ka shprehur skepticizëm në lidhje me idenë e dërgimit të ushtarëve gjermanë në Ukrainë – si pjesë e garancive perëndimore të sigurisë kundër sulmeve ruse.
“Një veprim i tillë ka shumë të ngjarë ta mbingarkojë Gjermaninë”, tha sot politikani konservator – duke e përshkruar këtë perspektivë si një çështje të largët.
Ai tha se Gjermania po përqendrohej në mbrojtjen e territorit të NATO-s, duke theksuar se ishte i vetmi vend evropian që kishte stacionuar një brigadë të gatshme për luftë në Lituani.
“Kjo nuk do të thotë që ne nuk mund ta mbështesim Ukrainën në mënyra të tjera ushtarakisht dhe teknikisht”, shtoi Wadephul.
Wadephul rikonfirmoi qëndrimin e Gjermanisë se vetëm Ukraina mund të vendoste nëse dhe në çfarë kushtesh mund të lëshonte territor.
“Ajo mund ta pranojë një hap të tillë vetëm nëse mund të jetë e sigurt se sulmet ruse me të cilat është përballur nuk do të ndodhin sërish- dhe kjo do të thotë garanci sigurie”, tha ai.
Wadephul theksoi gjithashtu se roli udhëheqës i Gjermanisë në konflikt ishte kryesisht politik.
“Kancelari Friedrich Merz ka arritur të bashkojë evropianët për luftën në Ukrainë – pavarësisht interesave të ndryshme kombëtare. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu”, theksoi Wadephul. //a.i/
KABUL, 16 gusht /ATSH/ – Katër vjet pas rikthimit të talibanëve në pushtet në Afganistan, Kombet e Bashkuara kanë thënë se grupi ultra-konservator është “më gati se kurrë në arritjen e vizionit për një shoqëri që i ka zhdukur gratë nga jeta publike”.
Talibanët janë rikthyer në pushtet më 15 gusht 2021 dhe prej atëherë kanë zbatuar rregulla drakonike, duke ua shkelur të gjitha të drejtat grave dhe vajzave afgane, sipas Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Gratë.
Qeveria e udhëhequr nga talibanët ua ka ndaluar vajzave shkollimin pas klasës së gjashtë, derisa grave shumicën e vendeve të punës. Ato, as nuk mund të marrin pjesë në jetën politike.
Gratë duhet ta respektojnë edhe kodin e ashpër islamik sapo të dalin jashtë shtëpive të tyre.
Një raport i ri i Misionit të OKB-së për Ndihmë në Afganistan, është në linjë me paralajmërimet e Agjencisë së OKB-së për Gratë, duke thënë se ka dokumentuar raste të grave që janë ndaluar prej inspektorëve të Ministrisë për Përhapje të Virtytit dhe Parandalim të Vesit, nën arsyetimet se i kanë shkelur rregullat e kodit të veshjes.
“Dekretet që i kanë miratuar talibanët i kufizojnë të drejtat e vajzave dhe grave dhe bashkëveprojnë me njëra-tjetrën duke krijuar një cikël, i cili i detyron gratë që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre, sepse secilën herë bëhen më të cenueshme”, ka thënë Agjencia e OKB-së për Gratë.
Sipas OKB-së, mbi 78 për qind e grave afgane e kanë humbur qasjen në edukim, punësim dhe trajnim prej kthimit të talibanëve në pushtet.
Shembull, në qytetin e Heratit, agjencitë e OKB-së kanë vërejtur që dhjetëra gra që e kanë respektuar rregullin e hixhabit, nuk janë lejuar që të hyjnë nëpër dyqane apo ta përdorin transportin publik. Sipas raportit, disa gra janë ndaluar derisa familjarët e tyre u kanë blerë rroba për t’u mbuluar tërësisht.
Talibanët ua kanë ndaluar grave që të udhëtojnë pa një përcjellës burrë, vendim që ua ka pamundësuar qasjen në kujdes shëndetësor dhe shërbime tjera të domosdoshme.
Sipas trupave të OKB-së, policia e talibanëve për çështje morali i ka udhëzuar klinikat shëndetësore, zyrat qeveritare, dyqanet dhe shoferët e taksive që të mos kenë kontakt me gratë që nuk e kanë një përcjellës burrë.
Policia e Kandaharit u ka kërkuar grave që punojnë në sistemin shëndetësor që të jenë në shoqërinë e një familjari të gjinisë mashkullore dhe t’i posedojnë gjithmonë dokumentet që i vërtetojnë lidhjet e tyre familjare.
Secilën herë e më të zakonshme janë bërë edhe martesat mes të miturve, dhe sipas OKB-së, “gratë çdo herë e më shumë janë subjekte të dhunës, brenda dhe jashtë shtëpisë”.
Sipas organizatës, pengesat në qasjen në kujdes shëndetësor për gratë do ta rrisin për 50 për qind shkallën e vdekshmërisë së grave në Afganistan deri më 2026.
Në periudhën e fundit është raportuar për plot vdekje për shkak të komplikimeve gjatë shtatzënisë, të cilat janë të parandalueshme.
Mungesa e specialisteve pritet të vërehet edhe më shumë në të ardhmen e afërt, pasi talibanët ua kanë ndaluar grave shkuarjen në universitet dhe i kanë mbyllur shkollat private që kanë ofruar profilizime në infermieri dhe punë në laboratorë.
Agjencia e OKB-së për gratë ka paralajmëruar se rezultati i politikave shtypëse të talibanëve ndaj grave në Afganistan është “shkatërrues”.
“Gratë po jetojnë më pak dhe kanë më tepër probleme shëndetësore”, ka thënë ajo.
Situata e grave dhe vajzave në Afganistan po bëhet “gjithnjë më e papërshtatshme” nën talibanët, ka thënë OKB-ja, duke paralajmëruar që nëse nuk merren veprime urgjente, ky realitet i rëndë do të normalizohet, dhe si përfundim gratë dhe vajzat do të përjashtohen tërësisht nga jeta publike, shkruan REL. /os/
YouTuber-i dhe modelja u martuan në liqenin Como, Itali.
Midis të ftuarve në dasmë ishte vajza 10-muajshe e çiftit, Esmé, si dhe vëllai i vogël i Paulit, Jake dhe e fejuara e tij, Jutta Leerdam. Jake ndau disa klipe nga dita e madhe në Instagram Stories, duke shkruar: “Kam qarë vërtet shumë”.
Bazuar në klipet, ceremonia dukej se drejtohej nga bashkë-prezantuesi i podkastit Impaulsive të Paul, Mike Majlak, 40 vjeç, ndërsa qëndronte pranë nuses dhe dhëndrit sipër një platforme rrethore të rrethuar nga lule të bardha.
Paul mbante veshur një xhaketë të bardhë kostumi me një kravatë të zezë dhe pantallona të zeza, ndërsa Agdal mbante veshur një fustan nusërie pa rripa dhe me korse dhe dantellë.
Lidhja e martesës në Itali ishte veçanërisht domethënëse për Paulin dhe Agdalin, sepse aty u fejuan dy vjet më parë. Çifti njoftoi nëpërmjet një postimi të përbashkët në Instagram më 9 korrik 2023, se Paul i bëri propozimin për martesë gjatë pushimeve në liqenin e Comos.
Pak para zgjedhjeve parlamentare në Republikën e përçarë të Moldavisë u dënua me shtatë vjet burg një politikane e njohur pro-ruse. Evghenia Gutul, guvernatore e rajonit të Gagauzisë, u gjet fajtore nga trupi gjykues për financim ilegal të partisë.
Në proces bëhej fjalë për financimin e partisë përkohësisht të ndaluar Sor, parti që mban emrin e themeluesit të saj, oligarkut moskovit Ilan Sor. Gutul në vitet 2019 dhe 2022 nuk i ka deklaruar financimet ruse që janë lëvruar në Moldavi. Guvernatorja i hedh poshtë akuzat. Avokati i saj deklaroi, ankimimin e vendimit.
Moska: Vendimi i motivuar politikisht
Rusia vendimin ndaj governatores Gutul e konsideron si politik dhe se qeveria pro-europiane me qëllim do të nxisë frymën kundër forcave pro-ruse. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov e quajti vendimin të motivuar politikisht. Opozita në Moldavi po shtypet, tha ai për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, Tass.
38-vjeçarja Gutul që nga viti 2023 ndodhet në krye të Gaugazisë, ku popullsia turkofone e Gaugazisë vetëadministrohet. Kjo krahinë tradicionalisht konsiderohet e afërt me Rusinë. Pas marrjes së detyrës Gutul disa herë ka udhëtuar për në Moskë, për t’u takuar me kreun e Kremlinit, Vladimir Putin.
Zgjedhjet parlamentare në fund të shtatorit
Në Moldavi më 28 shtator zhvillohen zgjedhjet për parlamentin e ri. Ish-republika e vogël sovjetike, që shtrihet ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë prej dekadash luhatet mes afrimit me Perëndimin dhe nga ana tjetër edhe me Rusinë. Presidente e Moldavisë është Maia Sandu, aktualisht në pushtet janë forcat politike që përkrahin BE-në.
Sandu javën e kaluar u shpreh për një influencim masiv rus ndaj zugjedhjeve parlamentare. Presidentja prej vitesh angazhohet për avancimin e procesit të afrimit me BE-në. Moldavia në vitin 2024 filloi negocitat e antarësimit me BE-në./DW
RAMALLAH, 2 gusht /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul e quajti situatën në Rripin e Gazës si të padurueshme, ndërsa premtoi pesë milionë euro të tjera (5,7 milionë dollarë) ndihmë dhe dënoi sjelljen e Izraelit atje, duke thënë se kjo mund të çojë në izolimin e tij të mëtejshëm diplomatik.
“Ajo që do të jetë vendimtare është se sa shpejt do të përmirësohet situata në Gaza”, tha Johann Wadephul për transmetuesin publik gjerman ARD në programin e tij të lajmeve të natës.
“Situata duhet të përmirësohet në thelb për njerëzit në Rripin e Gazës. E gjithë bota po shikon dhe kjo kërcënon ta vendosë Izraelin në një pozicion gjithnjë e më të vështirë”, tha diplomati më i lartë gjerman.
Gjatë vizitës së tij në Izrael, Wadephul theksoi presionin e madh mbi situatën.
“Ne kemi nevojë urgjente për një armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve”, tha ai.
Wadephul tha se situata ndërkombëtare ishte përshkallëzuar deri në atë pikë sa Izraeli, për fat të keq, po e gjen veten gjithnjë e më të izoluar në skenën globale.
“Kjo nuk mund ta lërë Gjermaninë indiferente”, shtoi ai./ /Ad.Ab./
JERUZALEM, 1 gusht /ATSH-DPA/ – Gjermania do të ofrojë pesë milionë euro të tjera në ndihmë për popullsinë civile në Rripin e Gazës, tha sot ministri i Jashtëm Johann Wadephul, në ditën e dytë të vizitës së tij në Izrael dhe Territoret Palestineze.
Wadephul tha se paratë do të shkojnë në Programin Botëror të Ushqimit të OKB-së për t’u përdorur kryesisht për “furra buke dhe mensa për t’u siguruar popullit të Gazës bukë dhe vakte të ngrohta në afat të mesëm”.
”Berlini gjithashtu planifikon të financojë një spital fushor të drejtuar nga Urdhri i Maltës për të ofruar kujdes shëndetësor bazë të nevojshëm urgjentisht në qytetin e Gazës”, shtoi ministri.
Wadephul i bëri thirrje qeverisë izraelite që të rifillojë shpejt bashkëpunimin e ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe organizatat e saj në terren për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës .
Stafi i OKB-së kishte “treguar qartë se është në gjendje të sigurojë furnizime të mjaftueshme për të gjithë njerëzit në Gaza nëse u lejohet ta bëjnë këtë dhe nëse mund të punojnë në siguri”, tha ai.
Ndërsa diplomati më i lartë i Gjermanisë pranoi se një pjesë e ndihmës mund të përfundojë në duart e grupit ekstremist palestinez Hamas, ai theksoi se “katastrofa humanitare në Rripin e Gazës tani është aq e madhe sa nuk është e justifikuar të krijohen pengesa të mëtejshme këtu”.
”Për më tepër, mënyra më e mirë për të parandaluar abuzimin është të lejohet sa më shumë ushqim dhe ndihmë të jetë e mundur në Rripin e Gazës”, shtoi ai.
Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, ndihma humanitare gjermane për Territoret Palestineze ka arritur në total mbi 330 milionë euro që nga fillimi i luftimeve në Gaza në tetor 2023./ /Ad.Ab./
“Jul Cezari” si reflektim i tiranisë moderne në vizionin e Rijanit
Teatri Kombëtar i Splitit dhe Festivali “Vera e Splitit” i kanë besuar regjisorit Qëndrim Rijani një ndër tri shfaqjet më të rëndësishme të vitit në Kroaci. “Jul Cezari” do të pushtojë skenën në Pallatin e Dioklecianit më 8 gusht, derisa do të përmbyll edhe edicionin e 71-të të Festivalit Veror të Splitit, shkruan Alsat.
“Jul Cezari” nën direktivat e regjisorit shqiptar Qëndrim Rijani do të jetësohet nga Ansambli i Dramës Split .
Në një intervistë të dhënë për Festivalin e Verës në Split, bëhet me dije se Rijani do të sjellë në Split një inskenim të ri të “Jul Cezarit” të Shekspirit, një dramë politike aktualiteti i së cilës nuk shuhet kurrë.
Në dramën e Shekspirit “Jul Cezari”, vritet që në gjysmën e dramës, por prania e tij vazhdon të përndjekë pjesën tjetër të shfaqjes.
Derisa Rijani, në këtë intervistë tregon se ideja e tij ishte për të ndërtuar dy “jetë paralele” – jetën e të gjallëve dhe jetën e të vdekurve.
“Shekspiri e shkroi këtë vepër për publikun anglez të shekullit XVI, duke përdorur një episod historik të shekullit I para Krishtit për të transmetuar mesazhe politike për kohën e vet dhe për popullin e tij. Kjo pikë ishte baza e rëndësishme si për mua ashtu edhe për dramaturgen tonë të shkëlqyer, Karla Leko. Në adaptimin tonë ne udhëtojmë nëpër kohë: drama nis në shekullin I para Krishtit dhe përfundon në shekullin XX. Nga ky udhëtim lindi edhe ideja ime për të ndërtuar dy “jeta paralele”: jetën e të gjallëve dhe jetën e të vdekurve. Pra, jo vetëm shpirti i Cezarit, por edhe të gjithë personazhet që vriten gjatë shfaqjes nuk e lënë skenën. Ata mbeten të pranishëm, vazhdojnë veprimin artistik dhe krijojnë një botë paralele brenda veprës. Shekspiri e mbajti të “gjallë” shpirtin e Cezarit për të na kujtuar se krijesa e tij ideologjike – tirania – vazhdon të jetojë”, tha Rijani.
Rijani, po ashtu tregoi se në shfaqjen “Jul Cezari”, trupat e aktorëve janë si gurë shahu në një lojë politike, duke theksuar kështu që lëvizjet e tyre nuk janë të rastësishme.
“Në “Jul Cezari”, trupat e aktorëve janë si gurë shahu në një lojë politike. Lëvizjet e tyre nuk janë të rastësishme – ato janë të koduara, rituale, siç janë edhe maskat që përdorim për të shprehur transformimin e tyre të brendshëm. Kori është një entitet i gjallë që merr forma të ndryshme dhe i jep publikut ndjesinë e presionit kolektiv, të opinionit publik që lëviz si një masë e verbër, por e rrezikshme”, u shpreh regjisori Rijani.
Kjo shfaqje ngjashëm si shfaqjet e tjera që Rijani, ka inskenuar ndonëse ka një tekst të shkruar në shekullin XVI, flet mjaft qartë edhe për të tashmen, për shekullin XXI. Kjo sipas asaj që e thotë edhe vet regjisori Qëndrim Rijani, se “në këtë shfaqje nuk ka kostume historike, nuk ka ndarje të qartë kohore – sepse e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë njësoj kur bëhet fjalë për tiraninë”.
Kujtojmë sërish se premiera vjen më 8 gusht me fillim nga ora 21:00 në skenën e re në Portën e Argjendtë, derisa reprizat do të vazhdojnë nga 9 gusht e tutje./ Alsat.mk/ KultPlus.com
Aktori izraelit Alon Aboutboul, i njohur për rolet e tij në filma si “The Dark Knight Rises” dhe “Rambo III”, ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare.
Trupi i tij u gjet në plazhin HaBonim në Izraelin verior, pasi ai u rrëzua pak pasi doli nga deti. Paramedikët mbërritën menjëherë, por nuk mundën ta shpëtonin, pavarësisht përpjekjeve për më shumë se një orë.
Shkaku i vdekjes mbetet ende i paqartë. Aktori la pas bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij.
Në karrierën e tij ndërkombëtare, Aboutboul u shfaq edhe në serialet “Snowfall”, “FBI: International”, “NCIS: Los Angeles” dhe “Hawaii Five-0”. Roli i tij i fundit ishte në serialin “The German”, ku luante për tetë episode.
Aktori izraelit, Alon Aboutboul, ka ndërruar jetë në moshën 60-vjeçare dhe trupi i tij i pajetë u gjet në plazhin HaBonim në Izraelin verior.
Alon luajti rolin e Dr. Pavel në “The Dark Knight Rises”, filmi i fundit i Christopher Nolan për Batmanin.
Të martën në mëngjes, ai po notonte në plazhin HaBonim në Tel Aviv kur doli nga deti. Më pas u rrëzua.
Foto: EPA-EFE
Paramedikët mbërritën shpejt në vendngjarje, por nuk arritën ta ringjallnin, pavarësisht përpjekjeve për një orë.
Shkaku i vdekjes është aktualisht i panjohur dhe ai la pas gruan dhe katër fëmijët e tij.
Përveç filmit për Batmanin, luajti edhe në disa filma izraelitë dhe në “Rambo III”. U shfaq edhe në serialin e njohur televiziv “Snowfall”, ku luan edhe aktori Damson Idris.
Kohët e fundit, Alon u shfaq në serialin “The German” si Amos Shapira për tetë episode dhe ia huazoi zërin serialit “Pantheon”.
U shfaq gjithashtu në serialin “FBI: International” si dhe në role të ftuar në “Hawaii Five-0”, “NCIS: Los Angeles” dhe “Lost and Found”. /Telegrafi/
NJU JORK, 29 korrik /ATSH/- Aktori i “The Dark Knight Rises”, Alon Aboutboul ka vdekur sot në moshën 60-vjeçare, sipas “New York post”.
Aboutboul vdiq sot në mëngjes – pasi humbi ndjenjat në plazhin HaBonim, në Tel Aviv.
Kalimtarët pretenduan se aktori izraelit po notonte në ujë dhe kur doli, u tha njerëzve se nuk ndihej mirë përpara se të rrëzohej dhe të humbiste ndjenja.
Paramedikët nxituan në vendngjarje dhe kaluan një orë duke u përpjekur ta ringjallnin Aboutboul, por nuk patën sukses.
Shkaku i vdekjes aktualisht mbetet i panjohur.
Aktori i ndjerë thuhet se ka lënë pas bashkëshorten e tij, Shir Bilia, dhe katër fëmijët e tyre.
Aboutboul luajti rolin e fizikantit bërthamor rus, Dr. Leonid Pavel, në filmin “The Dark Knight Rises” të vitit 2012, filmi i tretë dhe i fundit në trilogjinë “Batman” të Christopher Nolan.
I lindur më 28 maj 1965, në Kiryat Ata, Izrael, Aboutboul pati rolin e tij të famshëm në filmin “Two Fingers from Sidon” në vitin 1986.
Dy vjet më vonë, ai u shfaq në filmin “Rambo III” përkrah Sylvester Stallone.
Aboutboul vazhdoi të luante në filmin thriller aksion të Ridley Scott në vitin 2008 “Body of Lies” dhe në filmin thriller politik të vitit 2016 “London Has Fallen”.
Ai luajti gjithashtu në filmin dramatik “Septembers of Shiraz” me protagonistë Adrien Brody dhe Salma Hayek, premiera e të cilit u shfaq në Festivalin e Filmit në Toronto në vitin 2015.
Në televizion, Aboutboul u shfaq në episodet e “Snowfall”, “Homeland”, “Fringe”, “NCIS”, “The Mentalist”, “Castle”, “The Leftovers”, “Twin Peaks”, “Madam Secretary” dhe “Hawaii Five-0”.
Sipas IMDb-së së tij, Aboutboul do të luante në filmin e ardhshëm “Jacob’s Dream”, i cili është në fazën e para-prodhimit.
Gjatë karrierës së tij, ai fitoi çmimin si Aktori më o Mirë në filmin “Out of the Blue” në Festivalin e Filmit në Jerusalem dhe çmimin si Aktori më i Mirë Mbështetës në Çmimet e Akademisë Izraelite të Filmit (Çmimet Ophir) në vitin 2003. //a.i/
Achille Claude Debussy (1862 – 1918), kompozitor francez. Njëri ndër më të rëndësishmit e fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX; po ashtu nganjëherë është parë edhe si kompozitori i parë impresionist, megjithëse ai vetë e ka përjashtuar këtë fuqishëm.
Për Raoul Bardac
E shtunë, 24 shkurt 1906
dhe të dielën, më 25
I dashur Rara,
Do të falësh për datën e kësaj letre dhe… dembelinë time!
Tash, “Le të shkapërdahemi në kujtimet e dimrit edhe njëherë,” siç Fauna e Mallarmes kishte thënë sikur Willy ta kishte botuar.
Dhe çfarë dimri! Po bie shi, pemët janë si vejusha të pangushëllueshme, lulet janë brenda dhe “shpendët shtëpiake janë jashtë” – sa për ndryshim – dhe disa nga mendjemëdhenjtë po mundohen ta kompensojnë këtë mungesë me përshkrime simfonike. Kështu edhe provat tona me Sheherzadenë1… që nuk është përmirësuar me kalimin e viteve, duke u bërë më shumë pazar se sa orientale. Për më tepër, jemi të detyruar të pranojmë se Chevillardi në asnjë mënyrë nuk i ngjan princeshës Boudour… Ai i lëviz duart si një demonstrues politik, shpina e tij vepron si ajo e një polici në biçikletë, e gjithë kjo pra krijon një efekt krejt të kundërt me të bukurën.
Dëgjuam po ashtu Un jour d’été à la montagne të Vincent d’Indy. Është d’Indy përtej Cevennes. Derisa nuk kam të dhëna të sakta rreth klimës së asaj zone, nuk mund të të them ndonjë gjë. Më duket se përdorin fagotin në një shkallë të pamoderuar dhe është bukur befasuese të dëgjosh një piano në atë regjion. Mendoja se pianot gjenden vetëm në bjeshkët zvicerane.
Ti nuk ke pasur shumë fat me Société Nationale2. Nuk duhet ta lejosh këtë ndodhi të të mërzisë më shumë se sa duhet. Së pari, ti nuk e kishe mbështetjen e duhur, pastaj ti nuk i përket asnjërës prej klikave të kanë leje zyrtare t’i përkushtohen muzikës.
Lejomë të mos më vij shumë keq që Colonne nuk po luan asgjë tënden këtë vit… Ti ke kohë të planifikosh strategjinë tënde, të përfitosh prej saj, ashtu që të mos rrezikosh të luash një dorë që, sado që mund të mos jetë e keqe, shumë lehtë mund të mos ia vlejë.
Ti ke talent dhe dhunti, por ti nuk i beson kurrë mjaftueshëm shtegut nëpër të cilin të çojnë idetë e tua. Nganjëherë, kjo të drejton kah diçka që është disi e palidhur dhe madje e ngutshme, duke krijuar përshtypjen hutuese se po mundoheshe ta përfundoje me çdo kusht. Ti e se sa pak i shijoj llojet parazitë të zhvillimeve rraskapitëse ku Mjeshtërit janë lavdëruar tepër shpesh dhe ne duhet të përpiqemi të zëvendësojmë atë një zgjedhje më rigoroze të ideve, një varg normalisht më të kujdesshëm ndaj vlerave që nocione të tilla mund të përfshijnë në horizontin ornamental orkestral dhe të shoh te kjo mbi të gjitha se idetë mund të marrin frymë, në vend se ngulfaten siç ndodh zakonisht me të gjitha, deri në banalizimin e rrethanave të tyre. Mirë pra, ki durim! Është një virtyt më i lartë, madje shtëpiak, që na e bën të mundur të nxjerrim më të mirën tonë në punën tonë.
Gjithsesi nuk dua të ta prish ditën tënde të shkëlqyeshme me një dush shqyrtimesh estetike a morale. Është fare pak e dobishme… Shkurt, estetika nuk është veçse një vlerë që ndryshon çelës sipas periudhave dhe kam frikë se edhe moraliteti është një rast i ngjashëm.
Përshkrimi yt se si e kalon kohën tënde është i këndshëm, gjithë ato orë të kaluara duke mos bërë asgjë më duket një orar i vërtetë provash.
Ke të drejtë… më mirë të marinosh trurin tënd në një banjë dielli. Shikoji lulet dhe fotografitë e çastit – derisa indi yt nervor është ende në gjendje të reagojë ndaj tyre.
Kthehu me përshtypjet që ke marrë. Mos u ngut t’i flakësh tutje. Ngase muzika është superiore ndaj pikturës në atë se bën bashkë në një njësi të vetme ngjyrën dhe variacionet e dritës së një shikimi të vetëm.
Kjo është e vërtetë që përgjithësisht harrohet, pavarësisht thjeshtësisë së saj… madje ti edhe mund të braktisësh muzikën, herë pas here… Opinioni sipas të cilit një person mund të shkruajë shumë duke mësuar se si të shkruajë është budallallëk me brirë… Dhe nuk ka shije e mirë të ngacmojë njerëzit dikush që supozohet të jetë i dhënë më së shumti pas tyre duke u parashtruar kërkesa të vazhdueshme.
Nëna jote ka një rast të jashtëzakonshëm të rrufës… ti e di se si ajo është kundër çdo lloj ilaçi, çka nuk i lehtëson gjërat fare.
Claude i vogël edhe njëherë do të një ndryshim dadoje. E fundmja, thotë ajo, ishte mashtruar nga i shoqi! Kështu që ka marrë pushim që të verifikojë fatkeqësinë e saj – psikologji e dyshimtë dhe shkencë e përçmueshme shtëpiake.
S’do të flas për atë që kam qenë duke bërë… se sado që jam duke shkruar muzikë paksa, ajo pakëz gjë më trazon bukur fort. Në mungesë të ndonjë shpjegimi tjetër, ia atribuoj këtë gjendjes së qiellit.
Lamtumirë, i dashur Rara
me miqësinë time të sinqertë
Claude Debussy
Shënime:
Loja e fjalëve me të cilën e hap letrën është referencë në vargun 66 të ekologes së Mallarmes L’Aprés-midi d’un Faune:“O nymphes, regonflons des souvenirs divers.” (O nimfa, le të mbufatemi nga kujtimet e shumta.) Debussy kishte qenë në vitet e hershme cak i komenteve të përzgjedhura të Willyt, njëri prej tyre i referohet pjesës Cinq Poémes de Charles Baudelaire. (Poezia ishte marrë nga Les Fleurs du mal) ‘Debussy qui jette l’engrais de sa musique sur les Fleurs de Baudelaire.” (Debussy që shtron komposto të muzikës së tij përreth Luleve të baudelairet.)
Ndërsa kur përdor frazën “la volaille à l’extérieur,” (“shpendët shtëpiake janë jashtë”). Debussy mund të ketë qenë duke kujtuar një pasazh nga kapitulli XI i Mon Amie Nane, roman i shokut të tij P.-J. Toulet, i botuar më 1905 dhe i cili i kishte pëlqyer shumë.
1) Nga Rimsky-Korsakov.
2) I referohet këngëve të kompozuara nga Raoul Bardac që ishin kënduar keq në një koncert të Société Nationale de Musique.
3) Bija e Debussyt.
/Marrë nga ‘De Poetic Debussy A Collection of His Song Texts and Selected Letters’, Northeastern University Press, 1982
Kur dielli ngrihet mbi malet e thata të Kabulit, fillon lufta e përditshme e një familjeje për të gjetur ujë, dhe për ta bërë atë të zgjasë. Zhurma e cisternave të ujit në një lagje, në kryeqytetin afgan e shtyn nënën 42-vjeçare të katër fëmijëve, të nxitojë jashtë për të mbushur kovat dhe bidonët e […]
VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, shprehu sot kundërshtimin e tij ndaj rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me liderët talebanë të Afganistanit edhe pse qeveria e re gjermane ka përmendur mundësinë e bashkëpunimit me regjimin – për të lehtësuar dëbimet.
Kjo vjen pasi ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha se po kërkon të zhvillojë bisedime me talebanët, të cilët morën sërish pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021 – për t’i dhënë Gjermanisë mundësinë të kthejë mbrapsht personat e dënuar për krime.
Por ministri i Jashtëm Wadephul, gjatë një takimi me homologët e tij austriak dhe izraelit në Vjenë, theksoi se kontaktet e Gjermanisë me talebanët ishin vetëm të natyrës teknike dhe se Berlini vazhdonte të refuzonte të njihte liderët talebanë si drejtues zyrtarë të qeverise në Afganistan.
Ai shtoi se kjo vlen edhe për Ministrinë e Brendshme.
Ndërkohë, Wadephul shprehu shqetësim për situatën humanitare në Afganistan nën sundimin e talebanëve, veçanërisht për gratë dhe vajzat.
Gjermania e pezulloi dëbimin e qytetarëve afganë pas marrjes së pushtetit nga talebanët, por pas një serie sulmesh të përgjakshme të kryera nga migrantë gjatë dy viteve të fundit, përfshirë nga shtetas afganë, disa kanë kërkuar që dëbimet të rifillojnë. /Ad.Ab./ /a.i/
VJENË, 10 korrik /ATSH-DPA/- Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul beson se shanset po përmirësohen për një armëpushim në Gazë, pas një bisede telefonike me homologun e tij amerikan, Marco Rubio.
Duke folur sot në Vjenë, Wadephul, pas bisedimeve me homologët e tij austriakë dhe izraelitë, tha se ishte optimist se mund të arrihej një “rezultat i mirë”.
Ai bëri thirrje që të ushtrohet presion mbi organizatën ekstremiste palestineze Hamas.
“Hamasi nuk duhet të ketë një të ardhme”, tha Wadephul.
Ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar, i cili më parë zhvilloi bisedime me Wadephul dhe diplomaten e lartë austriake, Beate Meinl-Reisinger, ra dakord se armëpushimi në Gazë ishte i arritshëm.
Meinl-Reisinger e përshkroi momentin aktual si një “mundësi historike” – për të stabilizuar të gjithë rajonin, duke theksuar se pas 642 ditësh lufte në Gazë, marrëveshja ishte vonuar shumë.
Ministrat gjermanë dhe austriakë i kërkuan sërish Izraelit të mundësonte një përmirësim të shpejtë të situatës humanitare në Rripin e Gazës.
Wadephul dhe Meinl-Reisinger theksuan se pezullimi i Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut në Gazë, siç po diskutohet aktualisht në nivelin e BE-së, duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë. //a.i/
PRAGË, 7 korrik /ATSH –DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul mbështeti kontrollet kufitare të vendit të tij me Poloninë dhe Republikën Çeke – ndërsa bëri thirrje për veprime të koordinuara për migracionin nga ana e BE-së, gjatë një vizite sot në Pragë.
“Unë besoj se migrimi i parregullt na prek të gjithëve dhe për këtë arsye kemi nevojë për më shumë rend, duke përfshirë brenda dhe me Evropën”, tha Wadephul pas një takimi me homologun e tij çek, Jan Lipavsky.
Polonia filloi sot kontrolle të rastësishme në kufirin me Gjermaninë në përgjigje të kontrolleve të rrepta gjermane në kufijtë e saj.
Të dy vendet janë pjesë e zonës pa viza, Shengen, e cila hoqi kontrollet kufitare midis anëtarëve të saj.
Republika Çeke, gjithashtu një anëtare e Shengenit, nuk ka njoftuar ende masa të ngjashme.
Wadephul foli për një fazë “tranzicioni” derisa vendimet për një sistem të përbashkët evropian të azilit – të zbatoheshin në mënyrë të vazhdueshme dhe kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian të kishin një mbrojtje më efektive.
Ai tha se ishte e rëndësishme për Gjermaninë që masat e përkohshme të mos preknin udhëtarët ndërkufitarë – ndërsa shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin e pakomplikuar dhe pragmatik me Republikën Çeke në këtë fushë.
Të dy ministrat ranë dakord të vazhdojnë dialogun strategjik çeko-gjerman, të nisur në korrik 2015 – deri në vitin 2027.
Iniciativa synon të forcojë bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme dhe të ruajë dialogun mbi çështje afatgjata, duke përfshirë krimin ndërkufitar, kërkimin dhe inovacionin, si dhe politikën e energjisë dhe sigurisë. /Ad.Ab./ /a.i/