Nga Gazeta ‘SI’- Autoritetet shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar kanë konfirmuar një shpërthim të rrezikshëm të një sëmundjeje që lidhet me injeksione kozmetike të palicencuara që imitojnë efektin e botoksit.
UKHSA (Shërbimi Shëndetësor Ekzekutiv i Mbretërisë së Bashkuar) raportoi 38 raste të konfirmuara, ndërsa sipas burimeve të Sky News, numri real i të prekurve mund të jetë shumë më i lartë.
Trajtim kozmetik që përfundoi në urgjencë
Një nga rastet më të rënda është ai i Nicola Fairley, e cila mori një trajtim “kundër rrudhave” të fituar në një konkurs në rrjetet sociale. Brenda disa orësh pas injektimit, ajo nisi të përjetonte mpirje të fytyrës dhe më pas përfundoi në urgjencën e spitalit në Durham.
Fillimisht dyshohej për goditje në tru, por më vonë u konstatua se ishte një rast i pastër i ‘botulizmit’ – një gjendje serioze që mund të shkaktojë paralizë dhe vështirësi në frymëmarrje.
Në të njëjtin spital u identifikuan disa gra të tjera me simptoma të ngjashme, të gjitha të lidhura me injeksione të dhëna jashtë praktikave të autorizuara mjekësore.
Ekspertët shpjegojnë se këto raste lidhen me përdorimin e produkteve të pasigurta, të importuara në mënyrë të paligjshme, të cilat përmbajnë toksinë– substanca aktive që përdoret në botoks, por në këtë rast pa kontroll farmaceutik.
Sipas Dr. Steven Land, mjek dhe pronar i një klinike estetike në Newcastle, situata është alarmante:
“Industria është kthyer në një Perëndim të Egër. Kushdo mund të japë injeksione, pa asnjë trajnim mjekësor. Produktet e paligjshme shiten pa pengesa dhe askush nuk e di saktësisht çfarë përmbajnë.”
Ai paralajmëron se shumë prej këtyre substancave mund të jenë të rrezikshme për jetën, ndërsa ka marrë vetë dhjetëra mesazhe nga shitës që ofrojnë produkte të dyshimta.
The post Alarm në Britani, injektimet e botoksit kanë përhapur një sëmundje të rrezikshme appeared first on Gazeta Si.