Ndërsa reshje të rrëmbyeshme godasin Kinën, Pakistanin dhe pjesë të Indisë, një valë përvëluese e të nxehtit ka përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut, duke shkaktuar qindra viktima në të gjithë rajonin e Azisë.
Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po e bëjnë motin gjithnjë e më ekstrem, më të shpeshtë dhe të paparashikueshëm. Ky trend është veçanërisht i theksuar në Azi, e cila, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, po ngrohet gati dyfish më shpejt se mesatarja globale.
Sipas raportit vjetor Climate Risk Index, rajoni ka humbur mbi 2 trilionë dollarë amerikanë (rreth 1.5 trilionë paund britanikë) në tre dekadat e fundit për shkak të fatkeqësive klimatike si përmbytje, valë të të nxehtit dhe thatësira.
Rekorde të të nxehtit në Japoni dhe Korenë e Jugut
Japonia regjistroi ditën më të nxehtë ndonjëherë të martën, kur temperaturat në qytetin Isesaki, në prefekturën Gunma, arritën në 41.8°C. Ky vit ka shënuar gjithashtu qershorin dhe korrikun më të nxehtë në historinë e vendit.
Sipas zyrës së mjekësisë ligjore në Tokio, nga mesi i qershorit deri në fund të korrikut, 56 persona kanë humbur jetën si pasojë e goditjes nga të nxehtit. Disa linja hekurudhore janë pezulluar përkohësisht nga autoritetet për shkak të frikës se nxehtësia mund të dëmtojë shinat e trenit.
“Ndihem e shqetësuar për ngrohjen globale, por në jetën e përditshme nuk mund të rri pa kondicioner,” tha për AFP një punonjëse zyre në Japoni. “Nuk di çfarë të bëj, thjesht po mundohem të kaloj ditët.”
Parashikimet flasin për një lehtësim të përkohshëm të të nxehtit në ditët në vijim, me reshje deri në 200 mm në disa rajone të Japonisë.
Në Korenë e Jugut, korriku solli një rekord prej 22 netësh radhazi me temperatura mbi 25°C të ashtuquajturat “netë tropikale”. Autoritetet kanë raportuar një rritje të ndjeshme të rasteve të sëmundjeve të lidhura me nxehtësinë. Institucionet dhe kompanitë kanë zbutur kodet e veshjes për të lehtësuar punën dhe për të reduktuar përdorimin e kondicionerëve.
Ndërkohë, kryeqyteti i Vietnamit, Hanoi, përjetoi për herë të parë në muajin gusht një ditë me temperatura mbi 40°C. “Qyteti është kthyer në një tigan të zjarrtë,” tha për AFP Nam, një punëtor ndërtimi.
Përmbytje shkatërruese në Kinë, Indi dhe Pakistan
Në kontrast me të nxehtin përvëlues në verilindje të Azisë, pjesë të mëdha të Kinës janë përballur me përmbytje të mëdha nga Shangai deri në Pekin ku dhjetëra persona kanë humbur jetën javët e fundit.
Jugu i vendit është goditur nga reshje të dendura dhe ekipet e emergjencës po punojnë për të pastruar rrënojat, ndërsa rajoni përgatitet për rrëshqitje të mëtejshme dherash dhe përmbytje. Vetëm në qytetin Guangzhou, kryeqendra e provincës Guangdong, qindra fluturime janë anuluar ose vonuar. Përmbytjet po rrezikojnë të përkeqësojnë edhe përhapjen e virusit chikungunya, që transmetohet nga mushkonjat.
Ndërsa reshje të dendura janë të zakonshme në Kinën jugore gjatë kësaj periudhe të vitit, këtë herë ato janë shtuar nga aktiviteti i shtuar i stuhive tropikale sidomos gjatë muajit të fundit. Vetëm javën e kaluar, tre stuhi tropikale ishin aktive në Paqësorin perëndimor, ndërsa para qershorit aktiviteti ishte thuajse i papërfillshëm.
Rajone malore në rrethinat e Pekinit u goditën nga përmbytje vdekjeprurëse muajin e kaluar, ku humbën jetën dhjetëra persona, përfshirë 31 banorë të një shtëpie për të moshuar. Zonat malore dhe ato të populluara mbeten më të rrezikuarat nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave.
Tragjedi edhe në Indi dhe Pakistan
Në shtetin verior indian të Uttarakhand-it, mbi 100 persona rezultojnë të zhdukur pas një “cloudburst” një reshje ekstreme dhe e papritur mbi një zonë të kufizuar që shkaktoi përmbytje të menjëhershme.
Në Pakistan, që nga qershori, gati 300 persona kanë vdekur nga incidente të lidhura me shirat, përfshirë më shumë se 100 fëmijë. Reshjet e dendura kanë shkatërruar qindra shtëpi dhe ndërtesa. Sipas organizatës Save the Children, të paktën një e katërta e shkollave në provincën Punjab janë dëmtuar pjesërisht ose plotësisht.
Të martën, mbi 350 mm reshje ranë në Hong Kong dita më e lagësht e gushtit në qytet që nga viti 1884. Për krahasim, qyteti merr mesatarisht rreth 2400 mm reshje në vit, shumica e të cilave bien gjatë verës./abcnews.al