Me 50 gola dhe 60 asistime në 42 ndeshje – sensacioni i Chelseat po i çmend të gjithë
Le të flasim për Ibrahim Rabbaj – talentin 16-vjeçar të akademisë së Chelseat, i cili po tërheq vëmendje të madhe për performancat e tij mbresëlënëse dhe po krahasohet me legjendën Lionel Messi.
Raportime të shumta kanë qarkulluar në rrjet rreth statistikave të tij, duke përmendur 50 gola dhe 60 asistime në 42 ndeshje në nivele të ndryshme të akademisë. Megjithatë, këto të dhëna janë të vështira për t’u verifikuar, pasi nuk është e qartë nëse përfshijnë ndeshje jozyrtare, të zakonshme për moshat e reja, dhe statistikat zyrtare nën moshën 18-vjeçare nuk janë të publikuara.
Ajo që është e sigurt, është se Rabbaj i kalon të gjitha testet “me sy”. Ai tashmë luan përtej grupmoshës së tij dhe është pjesë e kombëtares së të rinjve. Në debutimin e tij si titullar në Ligën Premier muajin e kaluar, ai shënoi dy gola brenda 23 minutave kundër Leicesterit.
Ndërkohë, Anglia dhe Maroku kanë qenë në garë për përfaqësimin e tij ndërkombëtar. Së fundmi, ai ka vendosur të përfaqësojë Marokun, pas disa vizitave në qendrën moderne stërvitore të vendit në Casablanca, ndërsa përflitet si një potencial për Kupën e Botës 2030.
Chelsea do të duhet të presë deri në janar të vitit 2026 për të nënshkruar kontratën e tij të parë profesionale, kur Rabbaj të mbushë 17 vjeç.
Prejardhja dhe rrugëtimi
I lindur në Spanjë, Rabbaj është djali i Mohammed Rabbaj, i cili ishte pjesë e akademisë së klubit të njohur maroken Raja Casablanca. Familja ka jetuar për një kohë të shkurtër në Leicester, para se të kthehej në Marok me gjashtë fëmijët.
Megjithatë, talenti i hershëm i Ibrahim Rabbajt, i cili luante me top në moshën dyvjeçare, e bindi familjen të zhvendosej përfundimisht në Angli – në Ashford të Kentit – për t’i ofruar atij mundësinë për të hyrë në sistemin e akademive elitare.
Ai nisi me prova te Arsenali, për të kaluar më pas te paraakademia e Charlton Athletic dhe më vonë te Crystal Palace, ku qëndroi deri në moshën 11-vjeçare. Më pas, Chelsea e nënshkroi dhe i ofroi platformën për t’u zhvilluar më tej.
Një vit pauzë për shkak të çështjeve të regjistrimit dhe shtati i tij i shkurtër ishin sfida për Rabbajn, por cilësitë e tij teknike të jashtëzakonshme shquheshin gjithsesi. Ai është përfaqësuar në nivele të ndryshme nga të dyja kombëtaret – Anglia dhe Maroku – por tashmë ka zgjedhur zyrtarisht këtë të fundit.
Rabbaj flet arabisht me dialekt maroken dhe shpesh përmendet fjala “maktub” – që do të thotë “është shkruar” – për të përshkruar rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm që mund ta çojë në majat e futbollit botëror. /Telegrafi/
The post Me 50 gola dhe 60 asistime në 42 ndeshje – sensacioni i Chelseat po i çmend të gjithë appeared first on Telegrafi.