Kosovë/ Haxhiu: Dyshohet se gjyqtari Llaban është bashkëpunëtor i BIA-s serbe
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dielën se gjyqtari i pakicës serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Radomir Llaban, dyshohet se është “bashkëpunëtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, BIA”.
Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Haxhiu tha se dyshimet bazohen në informacionet që ajo ka nga institucionet e sigurisë së Kosovës.
Ajo tha se BIA serbe e “komprementoi dhe ia organizoi zhvendosjen në Kosovë Llabanit” pasi ai ishte dënuar me gjashtë vjetë burgim në Serbi në vitin 2011.
“Mënyra se si ai u largua nga Serbia është enigmë, por dihet se Serbia e ka ende aktiv fletarrestimin për Llabanin”, tha Haxhiu.
Ajo tha se Llabani “ka raporte shumë të afërta me kryeterroristin, Millan Radoiçiq”, ish-nënkryetarin e Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin e një grup serbësh të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një rreshter policor dhe tre sulmues.
“Falë këtyre marrëdhënieve, ai ka përfituar në prona të paluajtshme e punësim të familjarëve”, tha ajo.
“Me mjetet financiare dhe pasurinë e patundshme që merr edhe sot nga Serbia, Llaban paraqet kërcënim për sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës”, tha ajo.
Kush është Radomir Llaban?
Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Ai ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.
Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.
Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.
Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.
Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.
Mandati i gjyqtarit Llaban në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës është nëntë vjet.
Llaban është person i kërkuar në Serbi, pasi ka shmangur vuajtjen e një dënimi prej gjashtë vjetësh burgim, të shqiptuar si pjesë e të ashtuquajturës “mafia doganore” – një grup i përbërë nga persona të akuzuar për marrje dhe dhënie të ryshfetit, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh.
Emri i tij ndodhet në listën e të kërkuarve në Serbi që nga viti 2012 dhe në atë të Interpolit që nga viti 2014.
Llaban mori vëmendje pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani – për shkak të Llabanit – e tërhoqi edhe kërkesën që në korrik ia kishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për të kërkuar sqarim lidhur me hapat e mëtejmë në rast se Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afat i caktuar më herët nga kjo gjykatë.
Si arsye për tërheqjen e kërkesës së saj, Osmani përmendi emërimin e gjyqtarit Llaban si gjyqtar raportues në këtë rast, duke e cilësuar një veprim të tillë si “shqetësues dhe të rrezikshëm”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha ditë më parë se Llaban u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës.
Kushtetuesja tha se Llaban ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018.
Një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund të shkarkohen nga presidenti i Kosovës vetëm me propozimin e dy të tretave të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, dhe vetëm për kryerjen e krimeve të rënda ose për mospërfillje të rëndë të detyrave.
Haxhiu tha Prokuroria duhet “të nxjerrë aktvendim për fillim të hetimeve” ndaj Llabanit.
“Sot i bëjmë thirrje Prokurorisë që menjëherë t’i trajtojnë lëndët që ndërlidhen me Radomir Llabanin, që menjëherë të nxjerrin aktvendim për fillim të hetimeve nëse nuk e kanë bërë deri tash”, tha ajo.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.
Në qershor, gjykata në Prishtinë dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).
Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.
Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.
Haxhiu: Kushtetuesja i kaloi kompetencat e veta
Ministrja Haxhiu e komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila të enjten urdhëroi deputetët e Kuvendit të Kosovës ta zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur dhe ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditëve.
“Për mua njoftimi i Gjykatës Kushtetuese përbën shqetësim serioz, sepse është tejkalim flagrant i kompetencave që ka Gjykata Kushtetuese”, tha Haxhiu.
E pyetur nëse partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, do ta respektojë vendimin, Haxhiu tha: “Se cili do të jetë veprimi jonë pas këtij njoftimi, pas aktvendimit, do ta kuptoni kur të vijë koha. Në fakt unë nuk e di cilin ta respektoj tani, atë të vitit 2014, atë të para një muaji”.
“Natyrisht se vendimet e Kushtetues duhet të respektohen, por ato duhet të komentohen dhe të kundërshtohen siç po bëjmë sot këtu, pra nuk duhet të heshtim përballë të këtij tejkalimi flagrantë të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.
Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.
Haxhiu është kandidate e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, por ajo ka dështuar të emërohet në votim të hapur, ndërsa edhe votimi i fshehtë për të është kundërshtuar nga deputetët prej se u thirr seanca konstituive më 15 prill, pas zgjedhjeve të shkurtit./REL