Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 August 2025Main stream

Goddard tregon si mori rrugën për në Drenicë ku takoi e fotografoi Adem Jasharin, një muaj para vrasjes së tij

16 August 2025 at 22:55

Në emisionin KallxoPërnime po transmetohet intervista me Wade Goddard, fotografin e luftës në Kosovë, i cili punoi në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Ai rrëfen ardhjen e tij në këtë vend për herë të parë, me ç’rast takoi Adem Jasharin dhe ia realizoi një fotografi.

Më 11 shkurt 1998, ai së bashku me Kris Hegjes, një gazetar i gazetës New York Times, morën rrugën për në Drenicë ku hasën shumë peripeti.

“Ai e kishte parapërgatitur takimin e fshehtë përmes kontakteve të tij në Zvicër të cilët ishin në kontakt me ushtrinë e re sekrete të quajtur UÇK, për të cilën askush nuk dinte asgjë. Mbërritëm në Prishtinë, kishim udhëzime”- rrëfeu ai se si bashkë me kolegun gazetar erdhën në Prishtinë.

Para se të shkonin tek një ‘burrë me mjekërr’, siç thoshte ai, iu kontrolluan çantat e fotografive për t’u siguruar se mos kishte ndonjë armë.

“Një veturë u ndal para nesh dhe nga drunjtë anash rrugës u shfaqën guerilë të uniformuar dhe të maskuar, të armatosur me kallashnikovë”- u shpreh fotografi.

Goddard tha se Adem Jashari gjatë bisedës pretendonte se ishte Hamza, teksa shpjegonte atmosferën e këtij takimi i cili ndodhi një muaj para se të vritej Adem Jashari.

“Më kujtohet kur më pas fola me Krisin dhe diskutuam se ata dukeshin pak më të organizuar se që mendonim. Në fund të intervistës, i kërkova një foto, dhe ai tha me vendosmëri: “Nuk ka mundësi”. Me të vërtetë iu përgjërova për foto. Më duhej diçka. Na duhej një fotografi që ta shoqëronte lajmin”- përfundoi ai./Kallxo.com

The post Goddard tregon si mori rrugën për në Drenicë ku takoi e fotografoi Adem Jasharin, një muaj para vrasjes së tij appeared first on Telegrafi.

Sot në Kosovë u shfaqën 57 vatra zjarri, 11 janë ende aktive

16 August 2025 at 22:45

Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka njoftuar se gjatë ditës së sotme në gjithë vendin janë regjistruar gjithsej 57 vatra zjarri, prej të cilave 11 vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa 46 të tjera janë lokalizuar.

Sipas raportit, menaxhimi i situatës po bëhet në koordinim të plotë me Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, të cilat janë angazhuar në terren për shuarjen e flakëve.

AME u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr dhe të raportojnë menjëherë çdo rast në numrat emergjentë 112, 193 dhe 192.

Institucioni ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e zjarrfikësve, mbështetjen e Policisë së Kosovës si dhe bashkëpunimin e qytetarëve./Telegrafi/

The post Sot në Kosovë u shfaqën 57 vatra zjarri, 11 janë ende aktive appeared first on Telegrafi.

Aksident tragjik në Gjakovë, një person humb jetën pas përplasjes mes veturës dhe motoçikletës

16 August 2025 at 22:35

Një aksident me fatalitet ka ndodhur sot rreth orës 13:40 në fshatin Devë të Gjakovës, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka konfirmuar se si pasojë e përplasjes, një person i gjinisë mashkull, i moshës madhore, ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor në vendngjarje.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij rasti tragjik.

The post Aksident tragjik në Gjakovë, një person humb jetën pas përplasjes mes veturës dhe motoçikletës appeared first on Telegrafi.

Maqedonci: Ushtria e Kosovës tashmë ka 207% më shumë autoblinda sesa ishte planifikuar deri më 2028

16 August 2025 at 22:25

Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka dhënë detaje të reja për kontigjentin e dytë të automjeteve të blinduara ASV të blera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha se ky kontigjent është kontraktuar në prill 2024, ndërsa pagesa është kryer në qershor të po atij viti.

Sipas tij, sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit (PGJT), i miratuar më 2019, FSK-ja deri në vitin 2028 do të duhej të kishte vetëm disa dhjetëra autoblinda, ndërsa tashmë, më 2025, ajo është pajisur me disa qindra, duke tejkaluar objektivin me 207% më shumë se plani fillestar.

Maqedonci theksoi edhe rritjen e ndjeshme të buxhetit për mbrojtje: nga 67 milionë euro në vitin 2021 në 208 milionë euro këtë vit, pa përfshirë alokimet shtesë.

“Me investimet në blerje ushtarake, me fushata rekrutimi, trajnime dhe edukim, Kosova po fuqizon ushtrinë e saj, duke e bërë më profesionale dhe më të ndërveprueshme me aleatët, në rrugën drejt NATO-s”, u shpreh Maqedonci.

Ai shtoi se Forca e Sigurisë së Kosovës po bëhet garanci e fuqishme për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, duke kontribuar edhe në stabilitetin rajonal./Telegrafi/

The post Maqedonci: Ushtria e Kosovës tashmë ka 207% më shumë autoblinda sesa ishte planifikuar deri më 2028 appeared first on Telegrafi.

Kosova aktive në ekstradimin e të arrestuarve, 39 raste më 2025

16 August 2025 at 22:17

Gjithsej 39 ekstradime nga Kosova dhe vende të tjera janë kryer nga janari deri në qershor të këtij viti. Njohësit e sigurisë vlerësojnë punën e institucioneve në këtë drejtim, dhe thonë se shtetin tonë e pengon shumë mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare

Bashkëpunimi mes institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë shpesh ka sjellë rezultate pozitive.

Dy shtetet kanë përmbyllur me sukses një tjetër proces ekstradimi.

“Raportohet se nga Shqipëria është ekstraduar një mashkull kosovar i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare. I njëjti, pas kryerjes së procedurave, është marrë nga Njësia e Mbrojtjes së Afërt për procedura të mëtejshme”, thuhet në njoftimin nga Policia e Kosovës.

Nga ky institucion këtë të enjte treguan për televizionin Dukagjini edhe numrin në total të ekstradimeve.

Brenda gjashtë muajve të parë këtij viti janë realizuar 39 ekstradime, prej tyre 15 ekstradime nga Kosova për në shtete të tjera, ndërsa 24 ekstradime nga shtete të tjera në Kosovë.

Punën e institucioneve të Kosovës në këtë drejtim po e konsideron të mirë njohësi i çështjeve të sigurisë, Refki Morina.

“Kjo shkon përmes Ministrisë së Drejtësisë, në koordinim me gjykatat, edhe bëhet ekstradimi i personave nëse edhe tek ne është parë me Kod Penal si vepër penale. Gjithashtu, ekstradimi ndodh me shtete që kemi marrëveshje bilaterale me ta”, ka thënë Refki Morina, njohësi i çështjeve të sigurisë.

Ndërkaq, Valdet Hoxha tregon se çka e pengon Kosovën në këtë fushë.

“Natyrshëm, që pengesat janë të mëdha për shkak të mos anëtarësimit të Kosovës në Interpol dhe Europol, pastaj edhe mos anëtarësimi në Këshillin e Evropës, mos pasja me të gjitha vendet marrëveshje bilaterale për ekstradim. Megjithatë, Kosova është mjaft aktive edhe duke lëshuar fletarrestë përmes mekanizmave ndërkombëtarë apo vendeve mike”, ka thënë Valdet Hoxha, ekspert i sigurisë.

Gjatë vitit 2024, 77 persona janë ekstraduar nga Kosova në shtetet tjera dhe anasjelltas. Ndërsa, janë realizuar tri ekstradime transit përmes territorit të Kosovës, që e çon numrin e përgjithshëm në 80./Tv Dukagjini/

The post Kosova aktive në ekstradimin e të arrestuarve, 39 raste më 2025 appeared first on Telegrafi.

Gratë nga Prizreni po interesohen për kurse profesionale pa pagesë

16 August 2025 at 22:12

Në Prizren kurset profesionale dita-ditës po preferohen shumë nga gratë.

Një bashkëpunim ndërmjet komunës së Prizrenit dhe komunës së Konjas nga Turqia, ka bërë që shumë gra të aftësohen profesionalisht në disa degë, të cilat mendohet se do të mund t`u sjellin të ardhura.

46 gra nga komuna e Prizrenit u janë nënshtruar kurseve profesionale, me qëllim që ato të jenë të afta të punojnë në kompani të ndryshme ose të vetëpunësohen.

“Unë kam fillua e kam hap një faqe onlin, punoj me çanta, punoj me rruaza, punoj disa punë sepse jam shtëpiake, ndërsa po ka filluar interesimi”, tha për RTK, Dëshire Dapku, kursiste.

Trajnerët e kurseve të ndryshme thonë se interesimi i kursisteve është i madh. Të aftësuarat në fillim nisin prezantimin e punës së tyre në panaire.

“Një nga një fillojnë të shesin, më pastaj edhe në panaire, dikur edhe fillojnë e hapin ndonjë biznes, por është fillimi njëherë”, tha Shpresa Makasqi, trajnere.

“I kemi pas tash 24 kursiste, shumica i kanë hap vetë, dhe i bëjnë vetë punim”, tha Hyrmete Celina, dizajnere.

Kurse të tilla janë mundësuar falë bashkëpunimit të komunës së Prizrenit me atë të Konjës, ku trajnerët financiarisht mbështeten nga Konja.

“Ne do të vazhdojmë jo vetëm tre muaj, por këta që janë të interesuar me vazhdu edhe gjashtë muaj me vazhdu kurset të forcojnë njohuritë, pse jo edhe të qelin ndonjë biznes e të jenë të përgatitur për çdo punë të veten që është me rëndësi”, tha Ramadan Tarashaj, drejtor i turizmit në Prizren.

Përmes kurseve profesionale, u mundësohet femrave që t’i qasen tregut në të gjitha mënyrat duke përfshirë edhe punën nga shtëpia, duke ndikuar direkt në zhvillimin e ekonomisë familjare.

The post Gratë nga Prizreni po interesohen për kurse profesionale pa pagesë appeared first on Telegrafi.

Lidhja e Bizneseve thirrje Presidentes dhe Qeverisë të veprojnë: ZRRE po shkatërron prodhimin dhe ekonominë

16 August 2025 at 20:38

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike për bizneset, duke e cilësuar si të jashtëligjshëm, arbitrar dhe shkatërrues për ekonominë e vendit.

Sipas LBK-së, këto masa godasin rëndë prodhimin vendor, minojnë besimin e investitorëve të huaj, dëmtojnë imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe cenojnë mirëqenien e qytetarëve.

“Bizneset që përbëjnë 56% të ekonomisë dhe punësojnë mbi 140 mijë persona nuk duhet të përballen me masa të padrejta dhe të paarsyeshme. Ky vendim i sotëm nuk i shërben Kosovës – përkundrazi, i shërben interesave të individëve të caktuar dhe shteteve fqinje”, thuhet në reagimin e LBK-së.

Organizata i ka bërë thirrje spektrit politik, Presidentes dhe Kryeministrit në detyrë që të ndërhyjnë menjëherë, duke kërkuar: Formimin e institucioneve sa më shpejt, shkarkimin e bordit të ZRRE-së dhe ndalimin e menjëhershëm të ndërprerjes së energjisë për bizneset.

LBK apelon për rikthim në dialog me komunitetin e biznesit, në mënyrë që tranzicioni drejt tregut të lirë të energjisë të bëhet i drejtë, i planifikuar dhe në funksion të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm.

“ZRRE me vendime arbitrare po shkatërron prodhimin dhe ekonominë e Kosovës. Kërkojmë ndaljen e menjëhershme të këtyre veprimeve dhe dialog me bizneset”, përfundon reagimi./Telegrafi/

The post Lidhja e Bizneseve thirrje Presidentes dhe Qeverisë të veprojnë: ZRRE po shkatërron prodhimin dhe ekonominë appeared first on Telegrafi.

Thethi i rikthehet normalitetit, turistët nga e gjithë bota zgjedhin zemrën e Alpeve shqiptare

16 August 2025 at 20:10

Panorama e disa ditëve më parë, kur IKMT ndërhyri në Theth në mes të sezonit turistik duke shembur bujtina të ndërtuara pa leje dhe banorët u përplasën me policinë tashmë ja ka lënë vendin një tjetër  panorama…atë të turistëve që vijnë nga e gjithë bota për të vizituar zonë në zemër të Alpeve shqiptare.

“Shiko ku jam: të zgjohesh në një ditë me diell, me qiell të kaltër, i rrethuar nga malet, në një fshat të bukur si Thethi, si mund të mos jetë një ditë e mirë. Jam nga Australia, e dua Thethin aq shumë sa kam ardhur në Shqipëri 8 javë më parë dhe, në total, kam kaluar gati një muaj këtu në Theth, duke u larguar dhe kthyer përsëri, sepse e dua aq shumë. E rekomandoj shumë Thethin sepse shtëpitë dhe shtëpitë e pritjes këtu janë thjesht të bukura dhe atmosfera, ndjesia është magjike, mistike dhe të jep ngrohtësi. Ti vjen në Theth, eksploron ujëvarën, del për ecje tek Syri i Kaltër, noton në ujin e ftohtë, shkon në male, ha ushqim të mirë tradicional, pi me miqtë e tu, pi kafe me miqtë e tu, të vendos ty një lloj të vet të magjisë dhe të përfshin brenda saj. Nuk njoh ndonjë që s’do të vijë sërish apo nuk dëshiron të rrijë më gjatë”, shprehet një turist.

Turistë nga çdo cep i globit e kanë vendosur Thethin  në listën e tyre të vendeve më të dashura,  dhe arsyet janë të pafundme.

“Vij nga Austria, përshtypja jonë e parë për Thethin ishte e mrekullueshme sepse nuk e prisnim këtë lloj lëndine në mes të maleve. Është më thjeshtë, më relaksuese këtu sesa në Austri”, shton ai.

“Është e mrekullueshme, ne po e shijuam shumë të vinim këtu me motoçikleta dhe u ndjemë shumë të relaksuar”, rrëfen një tjetër.

Të apasionuarit pas hiking-ut e gjejnë Thethin si një strehë të përsosur për të eksploruar shtigjet malore. Thethi është një kombinim perfekt i natyrës së paprekur, traditës dhe mikpritjes shqiptare.

Paulin Polia, pronar i një prej bujtinave të njohura të zonës, shprehet se është koha për një vizion më të qartë.

Thethi ofron edhe mundësi të reja për aventurierët. Një zip line spektakolar i jep mundësinë vizitorëve të shohin nga lart panoramën e fshatit dhe të ndiejnë adrenalinën mes maleve, duke e bërë përvojën edhe më të paharrueshme.

Me bukuritë natyrore që mahnisin dhe aventurat që të ngjitin adrenalinën, Thethi vazhdon të fitojë zemrat e turistëve./A2 CNN

The post Thethi i rikthehet normalitetit, turistët nga e gjithë bota zgjedhin zemrën e Alpeve shqiptare appeared first on Telegrafi.

Haradinaj akuzon Qeverinë për “dorëzim të bizneseve te mafia energjetike”: Ky veprim nuk do të kalojë pa përgjegjësi

16 August 2025 at 18:24

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar pas shkyçjeve masive të bizneseve nga rrjeti elektrik nga kompania KEDS.

Në një deklaratë në Facebook, Haradinaj e ka quajtur “shkatërrues dhe të qëllimshëm” vendimin, duke akuzuar drejtuesit e Zyrës së Kryeministrit se “i kanë lënë bizneset e Kosovës në mëshirë të mafias energjetike, për të trashur xhepat e të dëgjueshmëve të tyre”.

Ai paralajmëroi se ky veprim nuk do të kalojë pa përgjegjësi.

“Rrethi po ju ngushtohet çdo ditë, dhe ky fund nuk do të jetë i mirë për ta, pashmangshëm do të përballen me ligjin. Kosova ka me u liru nga këta gangsterë me agjenda të dyshimta”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkohë, KEDS njoftoi të shtunën se ka nisur shkyçjen e rreth 450 bizneseve nga rrjeti elektrik, pasi ka përfunduar afati i përcaktuar që ato të lidhin marrëveshje me furnizues të licencuar të energjisë.

The post Haradinaj akuzon Qeverinë për “dorëzim të bizneseve te mafia energjetike”: Ky veprim nuk do të kalojë pa përgjegjësi appeared first on Telegrafi.

Kosova kryeson në matjet globale për përmirësim të mirëqenies: Çka tregojnë të dhënat?

16 August 2025 at 18:14

Vitin e kaluar, mbi gjysma e qytetarëve të Kosovës u tha se besojnë që jeta e tyre po ecën shumë mirë. Një dekadë më parë, këtë vlerësim e jepnin vetëm pak më shumë se 10 për qind e popullsisë.

Atëherë, çfarë e ka shkaktuar këtë përmirësim, që sipas Qendrës amerikane të Kërkimeve Gallup nuk e ka arritur asnjë shtet tjetër në botë?

Gjatë dekadës së fundit, përqindja e qytetarëve që thonë se jeta e tyre po ecën shumë mirë është përmirësuar për 20 pikë përqindjeje (ose më shumë) në 12 shtete të botës, përfshirë disa të rajonit, si Serbia e Bosnje e Hercegovina. Ndryshim të ngjashëm, por negativ, ka përjetuar edhe Zvicra.

Megjithatë, asnjë shtet në botë nuk ka shënuar ndryshim më të madh sesa Kosova, ku përqindja e qytetarëve të kënaqur është rritur nga 11 në 51 për qind.

Për autorët e këtij hulumtimi, të publikuar në fund të korrikut të këtij viti, “ta kuptosh se si njerëzit e vlerësojnë jetën e tyre është një matës i rëndësishëm i progresit njerëzor” pasi, sipas tyre, format e tjera të matjes së progresit – si përmes Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) – “nuk arrijnë të tregojnë nëse njerëzit po jetojnë mirë”.

Sipas tyre, tani raportohet një nivel më i lartë i kënaqshmërisë me mirëqenien për shkak se ka më shumë optimizëm për standardin e jetës, për liritë personale dhe mirëqenien e fëmijëve.

Përpos ndjenjës së respondentëve, qendra Gallup i bazon matjet e tyre në disa indikatorë.

Kur raportuan se jeta e tyre po ecën shumë mirë, qytetarët e Kosovës thanë se kanë më pak probleme shëndetësore; më pak ditë kur kanë qenë të sëmurë; më pak shqetësim, stres, mërzi e zemërim; dhe më shumë lumturi, kënaqësi, interesim dhe respekt.

Ky trend pozitiv vërehet edhe kur merret parasysh mesatarja në botë. Numri i atyre që e vlerësojnë jetën e tyre pozitivisht po rritet me kalimin e viteve, ndërsa i atyre që thonë se po vuajnë po zvogëlohet.

Sipas Qendrës Gallup, përmirësimi vërehet te të rinjtë e të vjetrit, te burrat e te gratë, por jo në të gjitha rajonet njësoj.

Mënyra se si Gallup i bën këto matje është e thjeshtë. Qytetarëve u shtrohet kjo pyetje:

Mendojeni një shkallë me nivele nga 0 deri në 10. Niveli i dhjetë simbolizon jetën më të mirë të mundshme për juve dhe niveli zero simbolizon jetën më të keqe të mundshme për juve. Në cilin nivel do ta vendosnit veten sot? Po pas pesë vjetësh?

Përgjigjet nga 0 deri në 4 llogaritet si i përkojnë kategorisë “në gjendje të rëndë”, nga 4 deri në 7 “në vështirësi”, dhe mbi 7 “në gjendje të mbarë”.

Edhe rezultati është i thjeshtë. Në botë, mesatarja e përgjigjeve për vitin e kaluar ishte 5.9, ndërsa pritshmëritë për të ardhmen arritën nivel më të lartë, me përgjigje mesatare prej 7.2./Radio Evropa e Lirë/

The post Kosova kryeson në matjet globale për përmirësim të mirëqenies: Çka tregojnë të dhënat? appeared first on Telegrafi.

Shqiptari në Greqi që shpëtoi delet nga flakët, shpallet “hero”

16 August 2025 at 18:07

Një shqiptar 33-vjeçar ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Greqi, pasi një video e tij duke shpëtuar një dele nga një zjarr masiv në Patra u bë virale.

Olsien Muçobega, i cili ishte mbi motor, mbante kafshën në krah duke e larguar me shpejtësi nga zona e rrezikut. Ky akt i guximshëm dhe njerëzor i të riut nga Tepelena u përjetua me emocion nga publiku grek, duke e kthyer atë në simbol të solidaritetit dhe humanizmit në një ditë të mbushur me tragjedi.

Sipas raportimeve nga mediat vendase, ky nuk ishte rasti i vetëm kur Muçobega ndërhyri për të shpëtuar jetë. Ai rrëfeu se gjatë të njëjtës ditë arriti të nxjerrë nga rreziku edhe disa qen, të cilët ishin lënë të lidhur dhe të braktisur nga pronarët e tyre.

“A e keni idenë sa qen shpëtuam? Shumë prej tyre ishin të lidhur. Më thyhet zemra kur mendoj se njerëzit i lënë kafshët në atë gjendje. Kjo është më shumë se neglizhencë, është kriminale”, tha ai me indinjatë.

Olsien, i cili ka ardhur në Greqi në moshën 3-vjeçare, ka kaluar jetën duke punuar në profesione të ndryshme, si bojaxhi, shpërndarës dhe punëtor në restorante. Ai është i martuar me një grua greke dhe ka dy fëmijë, Georgianna dhe Jasona.

Pavarësisht se jeton në Greqi që fëmijë, ai vazhdon të hasë vështirësi me dokumentacionin, duke theksuar me zhgënjim:

“Nuk arrij të marr lejen që më takon, edhe pse duhet të kisha pasaportën greke prej kohësh”.

Në ditën e zjarrit, Olsieni ndodhej në vendngjarje së bashku me anëtarë të një shoqate lokale, duke ndihmuar zjarrfikësit në përpjekjet për të frenuar flakët. Ai e përshkruan veten si një njeri me pasion të madh për kafshët dhe dëshirën për të ndihmuar çdo qenie të gjallë në rrezik. Kafshët që shpëtoi i përkisnin një fermeri të moshuar që përpiqej me të gjitha forcat të mbronte pronën e tij.

Edhe pse shumëkush e cilëson si hero, Olsien vetë nuk i jep këtij veprimi një ngjyrë të tillë. Për të, ishte thjesht një reagim i natyrshëm për të bërë atë që duhej, në një moment kur jeta dhe natyra ishin nën kërcënimin e shkatërrimit./Euronews Albania

The post Shqiptari në Greqi që shpëtoi delet nga flakët, shpallet “hero” appeared first on Telegrafi.

Promovimi i turizmit malor, fillon festivali Via Dinarica Kosovo në Pejë

16 August 2025 at 00:02

Në qytetin e Pejës ka filluar sot edicioni i parë i festivalit Via Dinarica Kosovo, një ngjarje që synon të promovojë turizmin malor, prodhimet vendore dhe trashëgiminë kulturore të rajonit.

Aktiviteti po organizohet nga Fondacioni Utalaya me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim në Zhvillim dhe do të zgjasë deri më 17 gusht, raporton KosovaPress.

Festivali u hap me Panairin e Produkteve Vendore dhe turin virtual të “Via Dinarica Kosovo”, ku vizitorët patën mundësinë të njihen me ofertat gastronomike e artizanale të zonës.

Ceremonia zyrtare e hapjes, e mbajtur në mbrëmje, përfshiu fjalime nga përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, mes tyre ambasadori i Italisë në Kosovë, zyrtarë të komunave të Pejës dhe Junikut, si dhe përfaqësues të federatave sportive.

Gjatë ceremonisë u bë edhe prezantimi i markës Via Dinarica Kosovo, një hap i rëndësishëm për promovimin e kësaj rruge malore si destinacion turistik.

Kryetarja e fondacionit “Utalaya”, Uta Ibrahimi, tha se ky projekt do t’i bëjë njerëzit nga gjithë bota të bien zë dashuri me malet tona.

“Kemi sjellë blogerë, gazetarë nga e gjithë bota, që të ecim së bashku me ne në shtegun e Via Dinarica, Kemi prodhuar një dokumentar, të cilin ju ftoj ta shohim bashkë nesër si premierë dhe sot, gjersa e hapëm këtë festival, po e mbyllim edhe një projekt shumë fantastik, sepse Via Dinarica Kosova nuk është më vetëm një projekt tjetër po me shumë siguri mund të them që Via Dinarica për herë të parë është një shtet që rri, që frymon që pret hapat e ardhshëm. Është ftesë për të ardhur për të parë, për t’i dashuruar malet tonë, ashtu sikurse ju duam edhe ne,” tha Ibrahimi.

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Maurizio Antonini, tha se ky projekt është hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të trashëgimisë natyrore në Kosovë.

“Ky event është një festim i trashëgimisë së pasur natyrore të Kosovës dhe një testament i vlerave të përbashkëta të bashkëpunimit dhe këmbimit kulturor që na bashkojnë të gjithëve. ia Dinarica është më shumë se një shteg, është një urë që bashkon komunitete dhe kalon kufij, nxit dialog mes kulturave dhe sjell njerëz së bashku me shpirtin e zbulimit, respektit dhe kuptimit të përbashkët. Nga projekti Natur Kosova e mbështetur nga Agjencia Italiane për zhvillim dhe bashkëpunim, e implementuar nga organizata italiane Voluntari nel mondo dhe partneri lokal Utalaya foundation, po bëjmë hapa të rëndësishëm për të nxjerrë në pah trashëgiminë unike natyrore dhe kulturore të Kosovës”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari tha se hapja e shtegut Via Dinarica paraqet një hap të madh drejt integrimit të vendit drejt familjes së madhe evropiane.

“Ndjehem e lumtur që hapim sot festivalin Via Dinarica Kosova, duke filluar në Pejë, për të vazhduar edhe në Junik e Deçan, të vendit tonë, Kosovë, me natyrë të jashtëzakonshme, me një trashëgimi kulturore e historike të pasur e të larmishme me malin Mahnicë dhe resurset natyrore dhe më e rëndësishmja me një rini dinamike, me shumë talent e shpirt, ndërmarrësie dhe kulturë moderne, me vlerat tona kombëtare drejtë integrimit në familje

tonë evropiane. Më vjen mirë që ky festival, po e shënon edhe fazën përmbyllëse të një projekti shumë të suksesshëm të turizmit në Kosovë, projekti Naturë Kosova, që ka kontribuar në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm përmes aktiviteteve lidhur me trashëgiminë natyrore e kulturore në Kosovë dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm të shtetit, Via Dinarica, me rëndësi strategjike për vendin tonë”, tha Hajdari.

Ditët në vijim do të sjellin aktivitete të ndryshme, përfshirë garën malore “Podi i Jakupit-Pepaj”, diskutime me blogerë e udhëtarë, premierën e dokumentarit “Via Dinarica Kosovo” dhe koncerte nga artistë vendorë. Festivali synon të krijojë një platformë bashkëpunimi mes komuniteteve vendore, operatorëve turistikë dhe institucioneve, duke nxitur zhvillimin e turizmit në Kosovë.

The post Promovimi i turizmit malor, fillon festivali Via Dinarica Kosovo në Pejë appeared first on Telegrafi.

“1 milionë euro dëm në blegtori”/ Ekspertët: U dogjën mijëra bagëti e koshere bletë, shifrat pritet të rriten!

15 August 2025 at 23:56

Flakët e zjarrit që dogjën fshatrat e Shqipërisë kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomike në familjet që zjarri u dogji shtëpinë apo gjënë e gjallë.

Demi më tani, vetëm në sektorin e blegtorisë, dëmi përllogaritet te 1 milion euro, pasi sipas të dhënave janë djegur 1000 koshere bletë dhe 4000 krerë bagëti, por kjo shifër në ditët e ardhshme mund të jetë shumë herë më lartë, pasi trupa inspektuese e veterinerëve ende nuk ka rritur të shkojë të gjithë fshatrat e djegur.

“Për të bërë një përllogaritje të thjeshtë, duke pasur parasysh që një koshere bletësh shkon 250-300 euro, nga 1000 bletë të dëmtuar 300 mijë euro dëm kemi vetëm tek bletët. Nëse llogarisim më pas numrin e blegtorisë së djegur që shkon diku tek 4000 dhe një kokë kushton 150-200 euro vlera e dëmit shkon tek 900 mijë euro”, thotë eksperti i ekonomisë, Klodian Muço.

Teksa dimë që do të subvencionohen fermerët për kafshët e djegura, nga ana tjetër ende nuk ka një vendim nëse do të veprohet me të njëjtën formë me ato ferma, ku sëmundja e murtajës u shfarosi delet dhe dhitë. si pasojë e këtij infeksioni, deri më tani janë groposur 2164 të imta.

Por zjarri nuk dogji vetëm shtëpi dhe kafshë, por edhe mijëra hektarë tokë me të mbjella si ullishta apo pemë drufrutore, për këto të fundit ende nuk ka asnjë statike se sa është sipërfaqja e djegur dhe a do të do dëmshpërblehet bujku shqiptar

“Duhet të keni parasysh që 1 hektarë pyll kushton 15-25 mijë euro çdo gjë ka kosto pa llogaritur shtëpitë e djegura”, shpjegon Muço.

Por, zjarret e qëllimshme apo jo, nuk janë një ngjarje e re për Shqipërinë, pasi për çdo verë, mijëra hektarë tokë në vendin tonë pushtohet nga flakët, dhe për këtë sipas ekspertit të ekonomisë, qeveria duhet të jetë gati edhe financiarisht.

” Jo më kot në një raport të Bankës Botërore citohej që Shqipëria duhet të stacionojë 6-8 mld euro që t’i shpenzojë për mbrojtjen ndaj ndryshimeve klimaterike”.

Reshjet e shiut ndihmuan në fikjen e zjarrit, edhe në ato zona ku ndërhyrja me zjarrfikëse ishte e vështirë./Top Channel

The post “1 milionë euro dëm në blegtori”/ Ekspertët: U dogjën mijëra bagëti e koshere bletë, shifrat pritet të rriten! appeared first on Telegrafi.

Parku Natyror “Syri i Kaltër” i hapur dhe i sigurt për vizitorët

15 August 2025 at 23:38

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) njoftoi sot se Parku Natyror “Syri i Kaltër” në Sarandë tashmë është i hapur për vizita dhe i sigurt për turistët. AKZM apelon që vizitorët të tregojnë kujdes, të jenë vigjilentë dhe të njoftojnë strukturat shtetërore për çdo situatë të pazakontë.

Një ditë më parë, punonjës të AKZM kryen një inspektim në terren, ku në vlerësimin paraprak u evidentua se 30.66 hektarë të sipërfaqes së parkut janë përshkruar ose dëmtuar nga zjarri. Struktura e AKZM, në bashkëpunim me AdZM Vlorë dhe institucionet e tjera shtetërore, janë angazhuar për rikthimin e plotë të sigurisë për komunitetin, bizneset në zonë dhe vizitorët.

“Analiza e dëmeve dhe humbjeve nga zjarret në pyje dhe kullota është pjesë e masave për fazën e rimëkëmbjes. Solidariteti, bashkimi i përpjekjeve dhe rikuperimi psikologjik e emocional janë parimet që na udhëheqin”, thekson AKZM.

Zjarri që nisi në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam, kaloi në fshatin Pecë, shumë pranë Syrit të Kaltër. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave zjarrfikëse dhe strukturave shtetërore, flakët u shuan duke parandaluar dëmtimin e monumentit natyror. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në lartësitë e Malit të Sopotit vijoi puna për shuarjen e zjarrit me 67 forca zjarrfikëse, 30 forca bashkiake, 80 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 autoambulanca, 30 forca mbështetëse dhe 11 automjete zjarrfikëse. Në ndihmë u angazhua edhe avioni italian “Canadair”.

The post Parku Natyror “Syri i Kaltër” i hapur dhe i sigurt për vizitorët appeared first on Telegrafi.

Operacioni “Lavazhi”, arrestohen tre persona për trafikim të drogës në Mitrovicë

15 August 2025 at 23:20

Zyrtarët policorë nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësia Mitrovicë, kanë zhvilluar sot një aksion të koduar “Lavazhi”, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar për përfshirje në trafikim me lëndë narkotike.

Aksioni është realizuar pas urdhrit për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, ku policia ka bastisur disa lokacione në Mitrovicë, me asistimin e Njësisë Speciale Operative dhe Forenzikës.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar: 19 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë (184.8 gr), 25 qese me substancë të dyshuar kokainë (85 gr), 1,080 euro para të gatshme, 2 peshore digjitale, 3 automjete, 3 telefona celularë, si dhe prova tjera relevante.

Si të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”, janë arrestuar tre persona – njëri prej tyre i mitur.

Me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i mituri për 24 orë./Telegrafi/

The post Operacioni “Lavazhi”, arrestohen tre persona për trafikim të drogës në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 15 August 2025Main stream

AME: 78 vatra zjarri regjistrohen sot në Kosovë, zjarrfikësit dhe FSK në terren

15 August 2025 at 22:55

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) bën të ditur se sot janë regjistruar gjithsej 78 vatra zjarri në vend, prej të cilave 17 vazhdojnë të jenë ende aktive, ndërsa 61 janë lokalizuar falë ndërhyrjes së Njësive të Zjarrfikësve dhe strukturave mbështetëse.

Situata më e rënduar paraqitet në komunën e Vushtrrisë, në fshatrat Tërllabuq, Gojbulë, Sllatinë dhe Miraxhë, ku zjarri mbetet aktiv, por nën kontroll. Këto zona sot i ka vizituar Drejtori Ekzekutiv i AME-së, z. Metaj, i cili është njohur nga afër me veprimet e ndërmarra në terren.

AME shpreh mirënjohje për përkushtimin e Zjarrfikësve, Policisë së Kosovës, KFOR-it, Forcës së Sigurisë së Kosovës, komunave dhe qytetarëve që kanë kontribuar në menaxhimin e situatës.

;

The post AME: 78 vatra zjarri regjistrohen sot në Kosovë, zjarrfikësit dhe FSK në terren appeared first on Telegrafi.

“Qindra kompani po luftojnë padrejtësinë e ZRRE-së”, Ajvazi: Nuk jemi kundër tregut të lirë

15 August 2025 at 22:41

Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, në emisionin Debat Plus në RTV Dukagjini, ka deklaruar se sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), bizneset kosovare kanë dalë në tregun e lirë që nga 1 qershori.

Ai theksoi se tashmë kanë kaluar 75 ditë ku kompanitë po përballen me këtë që e konsideron padrejtësi.

“Kemi pas vendime nga Gjykata, ku biznese ka të cilat e kanë fituar masën e sigurisë dhe janë kthyer nga ZRRE në tregun e rregulluar, në FSHU, sepse ajo që e kemi thënë nga dita e parë janë 1000 biznese të cilat jashtëligjshëm janë nxjerrë në treg dhe ne i kemi thënë ZRRE-së: nuk jemi kundër tregut të lirë, ne jemi pro tregut të lirë, por kur ka konkurrencë dhe kur ligji e parasheh,” ka deklaruar Ajvazi.

Ai shtoi se ka qindra lëndë në gjykatë dhe se çdo ditë ka biznese që plotësojnë kriterin ligjor për të dalë në tregun e lirë, të cilat, sipas tij, duhet të trajtohen ndryshe.

“ZRRE i ka nxjerrë në tregun e lirë në mënyrë ‘shabllon’ 1.300 kompani, duke e ditur që po e shkel ligjin”, tha ai.

The post “Qindra kompani po luftojnë padrejtësinë e ZRRE-së”, Ajvazi: Nuk jemi kundër tregut të lirë appeared first on Telegrafi.

Vrasja e trefishtë, protestohet në Gjilan

15 August 2025 at 20:05

Ngjarja e rëndë e kësaj jave në të cilën mbetën tre persona të vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë, ka shkaktuar reagim në vendin tonë.

Më 10 gusht në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan ndodhi një vrasje e trefishtë. Tre persona të dyshuar lidhur me ngjarjen e rëndë, Mefail Shkodra, Edonis Shkodra dhe Engjëll Shkodra vazhdojnë të jenë në arrati.

Një protestë është mbajtur sonte para objektit të Gjykatës Themelore në Gjilan, e organizuar nga Qendra sociale “Përpjekja” me moton “Kundër sistemit të kalbur të drejtësisë”.

Protestuesit me këtë rast bënë thirrje që institucionet e drejtësisë që të jenë transparente dhe të ndalojnë dorëzaninë për personat e përfshirë në krim të organizuar.

Gjykata ta vendosë drejtësinë, Sistemi i drejtësisë në shërbim të fajdexhinjve, Drejtësi, jo dorëzani, Kriminelë me çekiç, Pa drejtësi nuk ka demokraci, Gjykata i ka duart me gjak, Ndalim me ligj të dorëzanisë për personat e përfshirë në krim të organizuar, ishin disa nga kërkesat e protestuesve.

Gjyqtarët e prokurorët të mbahen përgjegjës, drejtësia nuk shitet. Nuk pranojmë të shkelemi nga të fortët. I bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë ose reformohu, ose të reformojmë ne, thanë aktivistë të Qendrës sociale “Përpjekja”.

Protesta ka kaluar e qetë dhe pa incidente, ndërsa të pranishëm në mbarëvajtjen e saj ishin edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Organizatorët e protestës paralajmëruan se do të mbahet një tjetër protestë para gjykatës dhe prokurorisë në Prishtinë, dhe se për këtë publiku do të informohet me kohë.

Kujtojmë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka thënë për KosovaPress se Mefail Shkodra dhe djali i tij, me propozimin e PSRK-së ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.

Ndërsa, Prokuroria Speciale e Kosovës tha për KosovaPress se është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës.

Autoritetet ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me motivet e vrasjes së trefishtë në Gjilan, më 10 gusht.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se nga viti 2000 për Mefail Shkodrën janë pranuar 5 raste penale, kurse për 4 raste është ngritur aktakuzë. Sa i përket Edonis Shkodrës dhe Engjëll Shkodrës, Prokuroria Themelore ka njoftuar se nuk kanë pasur asnjë rast të proceduar në cilësinë e të dyshuarve.

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet kompetente që sa më parë t’i kapin autorët dhe t’i nxjerrin para drejtësisë.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të angazhohet në hetimin e çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës.

The post Vrasja e trefishtë, protestohet në Gjilan appeared first on Telegrafi.

FSK-ja pranon autoblinda të reja nga SHBA, Kurti: Ushtria jonë zhvillohet krah për krah me atë amerikane

15 August 2025 at 18:46

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe atasheu ushtarak i SHBA-ve në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw.

Kurti e cilësoi furnizimin si dëshmi të partneritetit të palëkundur me SHBA-të.

“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krah për krah me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës, e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-ve”, theksoi Kurti./Telegrafi/

The post FSK-ja pranon autoblinda të reja nga SHBA, Kurti: Ushtria jonë zhvillohet krah për krah me atë amerikane appeared first on Telegrafi.

Ndërron jetë asamblisti i Kuvendit Komunal të Podujevës, Gazmend Islami

15 August 2025 at 18:41

Ish-kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, ka ndërruar jetë.Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka shprehur ngushëllimet familjes Islami, miqve dhe kolegëve të tij.

”Gazi njihej për veprimtarinë e tij të vazhdueshme patriotike, përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe angazhimin e palodhshëm në shërbim të qytetarëve.Në këto momente të dhimbjes, shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Islami, miqtë dhe kolegët e tij”, ka shkruar Bulliqi.

The post Ndërron jetë asamblisti i Kuvendit Komunal të Podujevës, Gazmend Islami appeared first on Telegrafi.

❌
❌