Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Main stream

FOKUS – BM më shumë ndihma për Gazën, ndërsa Izraeli propozon zgjerimin e luftës

LONDËR, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar një tjetër ndihmë prej 8,5 milionë paund (11,4 milionë dollarë) të OKB-së për Gazën, pasi Izraeli zbuloi planet për të zgjeruar operacionet e tij ushtarake në territor.

Ministrja e Zhvillimit, Jenny Chapman tha se paratë do të “ndihmonin në adresimin e nevojës urgjente” në Gaza, por vetëm nëse Izraeli lejonte që rajoni të “furnizohej bollshëm me  ndihma”.

Ajo tha se ”është e papranueshme që kaq shumë ndihmë të presë në kufi. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ofrojë më shumë përmes partnerëve tanë, dhe ne kërkojmë që qeveria e Izraelit të lejojë që më shumë ndihmë të kalojë në mënyrë të sigurt”.

“Sasia e pamjaftueshme e furnizimeve që kalojnë po shkakton skena të tmerrshme dhe kaotike, ndërsa civilët e dëshpëruar përpiqen të kenë akses në sasi të vogla ndihme”, shtoi ajo.

Paratë, që do të dorëzohen përmes Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), janë pjesë e një angazhimi prej 101 milionë paund të Mbretërisë së Bashkuar për Territoret e Pushtuara Palestineze këtë vit.

OCHA ka paralajmëruar për uri të përhapur midis 2,1 milionë banorëve të Gazës, së bashku me vështirësi në aksesin në ujë për shkak të një vale të fortë të nxehtësisë dhe “pengesa të konsiderueshme dhe vonesa të tjera” në përpjekjet e OKB-së për të ofruar ndihmë.

Njoftimi i Mbretërisë së Bashkuar vjen pasi sekretari i Jashtëm, David Lammy iu bashkua homologëve të tij nga Australia, Italia, Gjermania dhe Zelanda e Re për të dënuar planet izraelite për të përshkallëzuar konfliktin duke marrë kontrollin e Qytetit të Gazës./ a.jor.

The post FOKUS – BM më shumë ndihma për Gazën, ndërsa Izraeli propozon zgjerimin e luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Një viktimë dhe një ditë tjetër rreziku ekstrem nga zjarret

KERATEA (Greqi), 9 gusht /ATSH-ANA/ – Vendi ballkanik po përballet me një ditë tjetër rreziku ekstrem nga zjarret, edhe pse zjarret e mëdha dhe shkatërruese që filluan në Keratea, Atikë dhe Helidoni, Ilia u zbutën sot në mëngjes, pasi forcat e zjarrfikësve luftuan gjatë gjithë natës për të kontrolluar flakët.

Operacioni i shuarjes së zjarrit vazhdoi sot, me zjarrfikësit që u detyruan të përballeshin kryesisht me flakë të shpërndarë në vend të një fronti të vetëm të madh.

Zjarri që filloi në Keratea në orën 14:00 të premten ishte veçanërisht i vështirë, duke u përhapur shpejt në shumë pjesë të Atikës juglindore dhe kishte shkaktuar të paktën një të vdekur dhe dëme të mëdha në shtëpi, prona, toka bujqësore dhe pyje.

Sipas departamentit të zjarrfikësve, përpjekjet për të shuar flakët vazhduan në të gjithë perimetrin, ndërsa ka pasur dëme të mëdha si në pasuri të paluajtshme ashtu edhe në prona të tjera, megjithëse shkalla e plotë e tyre do të regjistrohet pasi zjarri të jetë shuar.

Më herët sot në mëngjes, një zjarr i ri shpërtheu në bimësinë e ulët në Agios Nikolaos në Anavyssos, Atikë dhe një paralajmërim për evakuim në numrin 112 iu dërgua banorëve të Agios Nikolaos dhe Mavro Lithari, duke i udhëzuar ata të shkonin në drejtim të Athinës.

Mbështetja nga ajri filloi në agim, me dy avionë dhe pesë helikopterë.

Forca të shumta tokësore janë gjithashtu në vendngjarje, me 264 zjarrfikës dhe 79 automjete, përveç një numri të madh vullnetarësh me cisterna uji dhe makineri gërmimi, si dhe cisterna uji të rajonit të Atikës, të koordinuar në vend nga qendra e operacioneve mobile ”Olympos”.

Një njoftim i departamentit të zjarrfikësve tha se një burrë 76-vjeçar vdiq nga zjarri. Trupi i tij i karbonizuar u gjet nga zjarrfikësit në një strukturë të ndërtuar me tulla, pranë vendit ku filloi zjarri në Togani.

Dita e sotme pritet të jetë një ditë tjetër e vështirë, duke pasur parasysh se parashikohet gjendje alarmi për zjarre të kategorisë V për Atikën, Viotinë, Evian, Akainë, Ilia, Argolidën, Korinthin, Arkadinë, Lakoninë dhe Kytherën dhe rrezik zjarri i kategorisë IV në shumë pjesë të tjera të vendit./  a.jor.

The post GREQI – Një viktimë dhe një ditë tjetër rreziku ekstrem nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Petunia fiton konkursin e qenit më të shëmtuar në botë

KALIFRONI, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Petunia, një qen i racës bulldog francez, dy vjeç dhe pa qime, është shpallur fituese e konkursit të qenit më të shëmtuar në botë, të mbajtur në panairin e Sonomas, në qytetin Santa Rosa të Kalifornisë.

Pronarja Shannon Nyman nga shteti i Oregonit mori çmimin prej 5 000 dollarësh në emër të Petunias, e cila ka këmbë të shkurtra, të çrregullta dhe një fytyrë të rrudhur.

Ky konkurs zhvillohet që nga vitet 1970.

Vendi i dytë u zuri nga Jinny Lu, një qen pug pesëvjeçar, i cili garoi pa sukses edhe në konkursin e vitit 2023.

Këtë herë, pronarja Michelle Grady mori në shtëpi një çmim prej 3 000 dollarësh.

Poppy, një qen shtatëvjeçar, me pak qime dhe lëkurë të zhveshur, fitoi çmimin e tretë prej 2 000 dollarësh.

Qentë u shfaqën në një skenë para një publiku që duartrokiste, me një juri që votonte për pamjen, personalitetin dhe reagimin e publikut.

Petunia dhe Nyman kanë fituar gjithashtu një fluturim për në Nju Jork për t’u shfaqur në ”Today Show” të NBC të hënën.

Fituesi i vitit të kaluar ishte Wild Thang, një pekinez.

Organizatorët e konkursit këmbëngulin se shëmtia nuk është karakteristika e vetme që kërkohet dhe se anët më tërheqëse të qenve vlerësohen gjithashtu.

Shumë prej tyre vijnë nga strehimore kafshësh dhe konkursi synon të inkurajojë adoptimin në vend të talljes./ a.jor.

The post SOFT NEWS – Petunia fiton konkursin e qenit më të shëmtuar në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes

KIEV, 9 gusht /ATSH-AFP-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi sot  kundër çdo vendimi të marrë pa Ukrainën, duke riafirmuar se ukrainasit “nuk do t’ua japin tokën e tyre pushtuesve”.

“Çdo vendim i marrë kundër nesh, çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes”, paralajmëroi ai në median sociale, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin kanë planifikuar të takohen në Alaska më 15 gusht për të provuar t’i japin fund luftës në Ukrainë të nisur nga Rusia.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të takohet me udhëheqësin rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht.

“Takimi shumë i pritur midis meje, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe presidentit Vladimir Putin të Rusisë, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht 2025, në shtetin e madh të Alaskës. Detajet e mëtejshme do të vijojnë”, tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Putin konfirmoi të enjten takimin e planifikuar me Trumpin mbi luftën në Ukrainë, duke sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si një vend të mundshëm për samitin.

Rusia ka zhvilluar një luftë shkatërruese kundër Ukrainës për më shumë se tre vjet.

Edhe Trump ka deklaruar vazhdimisht dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës shpejt.

Samiti do të jetë i pari midis një presidenti në detyrë të SHBA-së dhe Putinit që nga viti 2021, kur Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë./  a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – BE-ja mirëpret marrëveshjen armeno-azere të paqes

BRUKSEL, 9 gusht /ATSH-AZERTAC/ – BE-ja mirëpret ngrohtësisht takimin mes presidentit Ilham Aliyev të Azerbajxhanit dhe kryeministrit Nikol Pashinyan të Armenisë, të organizuar nga presidenti amerikan Donald Trump si edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Paqen dhe Vendosjen e Marrëdhënieve Ndërshtetërore midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, thanë në një deklaratë të përbashkët presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

”Nënshkrimi i deklaratës nga kryeministri Pashinyan dhe presidenti Aliyev, në prani të presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, është një zhvillim i madh si për Armeninë ashtu edhe për Azerbajxhanin duke hapur rrugën për një paqe të qëndrueshme për të dy vendet dhe për të gjithë rajonin, duke kulmuar gjithashtu vite të tëra përpjekjesh të BE-së”, shtuan ata.

”Tani do të jetë e rëndësishme të sigurohet zbatimi në kohë i hapave të dakordësuar për të garantuar përparim të qëndrueshëm dhe të pandërprerë drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit”, theksuan Costa dhe Von der Leyen.

”Siç u është thënë në disa raste të dy udhëheqësve, përfshirë së fundmi samitin e Tiranës në maj 2025, presidenti Costa dhe presidentja von der Leyen janë inkurajuar sinqerisht nga hapat vendimtarë të ndërmarrë nga udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë”, theksuan ata.

”BE mbështet fuqimisht procesin e normalizimit Armeni-Azerbajxhan dhe është e gatshme të investojë në lidhshmërinë rajonale dhe hapjen e plotë, për të përfituar para së gjithash popullatat e ndara nga trashëgimia e konfliktit, dhe për ta sjellë rajonin më afër paqes, stabilitetit dhe prosperitetit të qëndrueshëm”, thuhet në deklaratën e dy liderëve të BE-së./ a.jor.

The post BRUKSEL – BE-ja mirëpret marrëveshjen armeno-azere të paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

JAPONI – Nagasaki përkujton 80-vjetorin e bombës bërthamore

TOKIO, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Qyteti japonez i Nagasakit përkujtoi sot viktimat e bombardimit atomik, 80 vjet më parë, ndërsa shqetësimet globale mbi kërcënimin e konfliktit bërthamor vazhdojnë të rriten.

Në një ceremoni që shënoi përvjetorin e bombardimit atomik amerikan të Nagasakit, kryebashkiaku Shiro Suzuki paralajmëroi për rrezikun në rritje të luftës bërthamore.

“Kjo krizë ekzistenciale e njerëzimit është bërë e pashmangshme për secilin prej nesh që jeton në Tokë”, tha Suzuki në një deklaratë paqeje të dhënë në ceremoninë vjetore përkujtimore.

Kryebashkiaku i bëri thirrje botës ”të mësojë nga historia dhe të sigurojë që Nagasaki të mbetet qyteti i fundit që pësoi një sulm bërthamor”.

Një moment heshtjeje u mbajt në ceremoni në orën 11:02 (02:02 GMT) për të shënuar kohën më 9 gusht 1945, kur bomba atomike “Fat Man” e hedhur nga SHBA-të shpërtheu mbi Nagasaki.

Vetëm në Nagasaki, rreth 70 000 njerëz u vranë nga ndikimi i drejtpërdrejtë, ndërsa 75 000 të tjerë u plagosën.

Tre ditë më parë, në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore, SHBA-të kishin shkatërruar Hiroshimën me një tjetër bombë atomike, duke shënuar përdorimin e parë të armëve bërthamore kundër qenieve njerëzore.

Japonia u dorëzua më 15 gusht 1945./  a.jor.

The post JAPONI – Nagasaki përkujton 80-vjetorin e bombës bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Policia indiane arreston ”ambasadorin” që përfaqësonte vendin e rremë

NJU DELHI, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Policia indiane ka mbyllur një ambasadë të rreme në shtetin verior të Uttar Pradeshit, që ka vepruar për vite me radhë, sipas kreut të njësisë përgjegjëse të policisë.

Policia ndërhyri në “ambasadën” në Ghaziabad, një qytet në perëndim të shtetit duke arrestuar operatorin e saj 47-vjeçar për pretendimin se përfaqësonte katër “mikroshtete” – Westarctican, Landonian, Seborgan dhe Poulo Wain.

Ai akuzohet se ka marrë para nga njerëzit në këmbim të premtimeve për t’u gjetur atyre punë jashtë vendit.

Ai thuhet gjithashtu se ka përdorur ambasadën e tij të rreme për të transferuar para në mënyrë të paligjshme përmes një sistemi bankar informal.

Gazeta ”India Today” e quajti operacionin një “Disneyland diplomatik”.

Seborga është një fshat në Italinë veriore që e konsideron veten si një principatë.

Ladonia në Suedinë jugore shpalli veten të pavarur në vitin 1996 si një strehë për lirinë artistike.

Ajo ka një sipërfaqe totale prej një kilometër katror plazhi dhe origjinën e saj e ka nga një mosmarrëveshje ligjore mbi skulpturat e bëra nga druri i nxjerrë nga deti.

”Poulo Wai është një entitet i sajuar”, raportoi ”India Today”.

Ambasada e rreme u krijua në një zonë luksoze të Ghaziabad, ku policia gjeti katër makina luksoze me targa diplomatike të rreme.

Oficerët gjithashtu sekuestruan pasaporta të rreme, dokumente tatimore dhe shuma të mëdha parash si në rupi’ ashtu edhe në valuta të huaja.

Transmetuesi indian NDTV raportoi se raportet për konsullatën e përgjithshme të Westarctica kishin qarkulluar në mediat sociale disa ditë para se policia të ndërhynte.

Në to, ambasadori i rremë e prezantonte veten si baroni HV Jain duke pretenduar se e kishte drejtuar konsullatën për tetë vjet./  a.jor.

The post SOFT NEWS – Policia indiane arreston ”ambasadorin” që përfaqësonte vendin e rremë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruajnë marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë

UASHINGTON, 9 gusht /ATSH/ – Udhëheqësit e Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një marrëveshje që synon t’i japë fund konfliktit dekadash, ndërsa u pritën nga presidenti Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, sipas BBC.

Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, shtrënguan duart pasi presidenti amerikan e përshkroi ngjarjen si “historike”.

“Kjo po pritej prej shumë kohësh”, tha Trump për marrëveshjen, e cila do të rihapë disa rrugë kryesore transporti midis vendeve dhe do të rrisë ndikimin e SHBA-së në rajon.

Gjatë viteve 1980 dhe 1990, Azerbajxhani dhe Armenia luftuan për kontrollin e Nagorni-Karabahut, një enklavë etnikisht armene në Azerbajxhan.

Dje, Trump tha se Armenia dhe Azerbajxhani kishin premtuar të ndalonin të gjitha luftimet “përgjithmonë”, si dhe të hapnin udhëtimet, biznesin dhe marrëdhëniet diplomatike.

“Ne sot po vendosim paqen në Kaukaz”, tha Aliyev.

“Ne humbëm shumë vite duke qenë të preokupuar me luftëra, pushtim dhe gjakderdhje”, shtoi ai.

Pashinyan e quajti nënshkrimin një “moment të rëndësishëm historik” në marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Tridhjetë e pesë vjet ata luftuan, por tani janë miq dhe do të jenë miq për një kohë të gjatë”, tha Trump.

Shtëpia e Bardhë tha se, si pjesë e marrëveshjes, SHBA-të do të ndihmojnë gjithashtu në ndërtimin e një korridori të madh tranziti që do të quhet Rruga ”Trump” për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar.

Rruga do të lidhë Azerbajxhanin dhe enklavën e tij autonome Nahçivan, të cilat ndahen nga territori armen.

Në të kaluarën, Aliyev ka kërkuar që Armenia t’i japë vendit të tij një korridor hekurudhor për në Nahçivan.

Armenia donte të kishte kontrollin e rrugës dhe udhëheqësi i Azerbajxhanit në të kaluarën ka kërcënuar se do ta merrte korridorin me forcë.

Çështja ka ndaluar dhe bllokuar negociatat e mëparshme të paqes.

Të dy udhëheqësit vlerësuan Trumpin dhe ekipin e tij gjatë gjithë takimit.

“Presidenti Trump, në gjashtë muaj, bëri një mrekulli”, tha Aliyev.

Trump tha se kishte nënshkruar gjithashtu një marrëveshje dypalëshe me të dy vendet për të zgjeruar tregtinë e energjisë dhe teknologjisë./ a.jor.

The post SHBA – Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruajnë marrëveshje paqeje në Shtëpinë e Bardhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Takimi me Putinin më 15 gusht në Alaska

UASHINGTON, 9 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të takohet me udhëheqësin rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht.

“Takimi shumë i pritur midis meje, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe presidentit Vladimir Putin të Rusisë, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht 2025, në shtetin e madh të Alaskës. Detajet e mëtejshme do të vijojnë”, tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Putin konfirmoi të enjten takimin e planifikuar me Trumpin mbi luftën në Ukrainë, duke sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si një vend të mundshëm për samitin.

Rusia ka zhvilluar një luftë shkatërruese kundër Ukrainës për më shumë se tre vjet.

Edhe Trump ka deklaruar vazhdimisht dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës shpejt.

Samiti do të jetë i pari midis një presidenti në detyrë të SHBA-së dhe Putinit që nga viti 2021, kur Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë.

Më herët dje, Trump tha se Ukraina dhe Rusia ka të ngjarë të “shkëmbejnë” pjesë të territorit si pjesë e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, duke i quajtur planet “shumë të komplikuara”.

Trump ka thënë se planifikon të takohet së pari me Putinin dhe më pas t’i zgjerojë bisedimet në një takim trepalësh me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

Megjithatë, Kremlini ka qenë i rezervuar në lidhje me një takim midis Putinit dhe Zelenskyt.

Të enjten, Putin tha se e konsideron një takim me Zelenskyn si të mundshëm, por kushtet për negociata të tilla duhet të jenë të duhura dhe parakushtet për këtë janë ende larg përmbushjes./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Takimi me Putinin më 15 gusht në Alaska appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 09/8/2025

NAGASAKI (Japoni) – 80-vjetori i bombës atomike në Nagasaki.

MESINA (Itali) – Demonstratë kundër Urës së Ngushticës së Mesinës.

VARSHAVË (Poloni) – Konferencë mbi të ardhmen e Bjellorusisë, me pjesëmarrjen e Svetlana Tikhanovskaya dhe bashkëshortit të saj, Sergei.

ABIXHAN (Bregu i Fildishtë) – Marshimi i opozitës për të kërkuar zgjedhje gjithëpërfshirëse.

GUADALAHARA (Meksikë) – Demonstratë nga pacientët me kancer dhe familjet e tyre për të kërkuar ilaçe.

DUBLIN (Irlandë) – Futboll – Ndeshje miqësore para sezonit – Leeds-AC Milan./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 09/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 August 2025Main stream

SHBA – Trump pret Armeninë dhe Azerbajxhanin për një samit paqeje në Shtëpinë e Bardhë

UASHINGTON, 8 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka njoftuar planet për të organizuar një samit paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë.

Trump njoftoi takimin në platformën e tij Truth Social duke thënë se presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan do të marrin pjesë.

“Presidenti Aliyev dhe kryeministri Pashinyan do të bashkohen me mua në Shtëpinë e Bardhë për një ceremoni zyrtare të nënshkrimit të paqes”, shkroi Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Tensionet mbeten të larta midis dy vendeve.

Në vitin 2023, Armenia humbi kontrollin e rajonit të diskutueshëm të Nagorni-Karabahut gjatë një ofensive të rrufeshme nga Azerbajxhani, i cili drejtohet nga Aliyev në një mënyrë autoritare dhe zotëron pasuri të konsiderueshme nafte.

Që atëherë, Erevani është përballur me një krizë serioze politike, me më shumë se 100 000 armenë etnikë të zhvendosur nga Nagorni-Karabahu në Armeni.

Baku gjithashtu ka vazhduar të ushtrojë presion ushtarak mbi Erevanin.

Trump tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe me të dy vendet për të ndjekur mundësitë ekonomike dhe për të “zhbllokuar plotësisht potencialin e rajonit të Kaukazit të Jugut”./ a.jor.

The post SHBA – Trump pret Armeninë dhe Azerbajxhanin për një samit paqeje në Shtëpinë e Bardhë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – 8 gushti Dita Ndërkombëtare e Maceve

TIRANË, 8 gusht /ATSH/ – 8 gushti është Dita Ndërkombëtare e Maceve, një ditë për të festuar një nga kafshët shtëpiake më të zakonshme dhe të lashta të njeriut, sipas nationaltoday.com.

Ato madje janë adhuruar si perëndi në Egjipt.

Dhe nuk është për t’u habitur.

Macet janë një nga qeniet më të bukura në planet: ato janë të pavarura, kurioze, aventureske, kanë një fizionomi të mahnitshme dhe fuqinë për t’u shëruar vetë — të paktën shumicën e kohës.

Njerëzit i kanë zbutur si kafshë shtëpiake që nga kohërat e lashta, edhe pse ato kanë prejardhjen nga macja e egër afrikane.

Rekordi i parë historik njerëzor për macet mund të gjendet në kulturën e qytetërimit antik egjiptian.

Ne të gjithë duket se i lidhim macet me egjiptianët, për shkak të adhurimit dhe konsiderimit të tyre të maceve si perëndi.

Mafdeti ishte hyjnia e parë e njohur e maceve dhe konsiderohej si mbrojtëse kundër gjarpërinjve, akrepave dhe së keqes gjatë Dinastisë së Parë, kështu që për ta, macet nuk ishin vetëm hyjni, por edhe mbrojtëse.

Më vonë, pas rënies së dinastisë egjiptiane, macet u bënë të njohura kudo!

Grekët dhe romakët i përdornin ato si kontroll të dëmtuesve, dhe në Lindje, macet fillimisht ishin në pronësi të njerëzve të pasur.

Por, gjatë Mesjetës, në Evropë, macet u shoqëruan me supersticion dhe dyshoheshin se mbartnin sëmundjen gjatë Murtajës së Zezë të vitit 1348, kjo është arsyeja pse shumë mace u vranë në atë epokë dhe vetëm në vitet 1600 reputacioni i maceve filloi të rikuperohej.

Në Amerikë, macet ishin pjesë e ngarkesës në anijet e kolonizimit për të minimizuar parazitët dhe sëmundjet, kështu që ato mace zbritën në breg dhe lulëzuan.

Në ditët e sotme, macet duket se janë një nga ikonat e njohura në shoqërinë moderne – kemi rreth gjysmë miliardi midis nesh.

Dhe, që nga viti 2002, falë “Fondit Ndërkombëtar për Mirëqenien e Kafshëve”, macet kanë festën e tyre!

Duke filluar që nga 3 gushti 2020, organizata kryesore bamirëse për mirëqenien e maceve, ”International Cat Care”, u bë kujdestarja e Ditës Ndërkombëtare të Maceve.

Që nga viti 1958, ata kanë sfiduar mizorinë, injorancën dhe keqkuptimin për të ndikuar në ndryshime pozitive në jetën e maceve.

Popullsia globale e maceve vlerësohet në 600 milionë./ a.jor.

The post SOFT NEWS – 8 gushti Dita Ndërkombëtare e Maceve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

LONDËR – BM: Izraeli të rishqyrtojë menjëherë planin për Gazën

LONDËR, 8 gusht /ATSH-AFP-DPA/ – Kryeministri britanik Keir Starmer e quajti sot planin e shpallur të Izraelit për të “mposhtur” Hamasin në Gaza një “gabim” dhe i kërkoi qeverisë së Benjamin Netanyahut ta “rishqyrtojë menjëherë” atë.

“Vendimi i qeverisë izraelite për të përshkallëzuar ofensivën e saj në Gaza është një gabim dhe ne i kërkojmë asaj ta rishqyrtojë menjëherë”, tha Starmer.

”Ky veprim nuk do të bëjë asgjë për t’i dhënë fund konfliktit ose për të siguruar lirimin e pengjeve. Ai vetëm do të çojë në më shumë vrasje”, theksoi Starmer në një deklaratë.

Kabineti izraelit i sigurisë miratoi sot herët në mëngjes një propozim nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të marrë kontrollin ushtarak të qytetit të Gazës dhe për të çarmatosur organizatën militante palestineze Hamas, sipas një deklarate nga zyra e Netanyahut.

Deklarata tha se qeveria miratoi një pushtim nga ushtria izraelite të qytetit të Gazës, në veri të territorit, duke ofruar ndihmë humanitare për popullsinë civile jashtë zonave të luftimit.

Zyra e Netanyahut tha se qeveria miratoi një plan nga kryeministri i cili do të shihte çarmatimin e Hamasit, kthimin e pengjeve në Izrael, demilitarizimin e Rripit të Gazës dhe kontrollin e sigurisë izraelite mbi territorin në këmbim të përfundimit të luftës, e cila ka vazhduar për më shumë se 22 muaj.

Plani gjithashtu kërkon që territori të qeveriset nga një “qeveri alternative civile që nuk është Hamasi ose Autoriteti Palestinez”./ a.jor.

The post LONDËR – BM: Izraeli të rishqyrtojë menjëherë planin për Gazën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 08/8/2025

MOSKË (Rusia) – Skadon ultimatumi i Donald Trump ndaj Rusisë për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë.

PEKIN (Kina) – Konferenca Botërore e Robotëve.

KIEV (Ukrainë) – Funerali i gazetares ukrainase Viktoria Roshchina, e cila vdiq në robëri në Rusi.

ULKEN (Kazakistani) – Ceremonia për të shënuar fillimin e shpimeve në vendin e centralit të parë bërthamor të ndërtuar nga Rusia në Kazakistan.

MBRETËRIA E BASHKUAR – Grupet e ekstremit të djathtë organizojnë protesta përpara hoteleve që strehojnë emigrantë.

PARIS (Francë) – FAO publikon indeksin mujor të çmimeve të ushqimeve.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Paraqitja e Elias Rodriguez, i akuzuar për vrasjen e punonjësve të ambasadës izraelite pranë një muzeu hebre në Uashington.

EL XHADIDA (Marok) – Edicioni 2025 i ”Moussem”, një nga ngjarjet më të rëndësishme të hipizmit në botën arabo-myslimane./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 08/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

TEL AVIV – Policia në alarm në prag të takimit qeveritar ku do të vendoset pushtimi i Gazës

TEL AVIV, 7 gusht /ATSH-ANSA/ – Policia e Tel Avivit po përgatitet për një nga mbrëmjet më komplekse të kohëve të fundit, me demonstrata të mëdha dhe koncerte të planifikuara në të njëjtën kohë me mbledhjen e kabinetit të sigurisë në Jerusalem, ku do të vendoset pushtimi i Gazës.

Qindra oficerë, njësi speciale dhe përforcime nga pjesë të tjera të vendit janë mobilizuar për të ruajtur rendin publik.

“Është një nga ditët më të ndjeshme që prej një kohë të gjatë”, tha një zyrtar policie, duke theksuar mungesën e personelit dhe rrezikun e incidenteve.

Një nga demonstratat kryesore do të jetë nga familjet e pengjeve që ende mbahen në Rrip.

Gjithashtu, protestës do t’i bashkohen edhe veteranët e traumatizuar nga lufta, duke rritur
ndjeshmërinë e ngjarjes.

Në të njëjtën kohë, pritet pjesëmarrja e grupeve ultraortodokse pas arrestimit të një dezertori të ri.

Paralelisht, janë planifikuar ngjarje kulturore dhe sportive, të cilat do të tërheqin dhjetëra mijëra njerëz në zonën metropolitane.

Për të menaxhuar situatën, komandanti i distriktit të Tel Avivit ka urdhëruar ndërrime 12-orëshe për të gjithë oficerët dhe ka vendosur një forcë të madhe.

Policia ka publikuar një listë rrugësh që do të mbyllen midis orës 17:00 dhe mesnatës, duke rekomanduar shmangien e përdorimit të automjeteve private për shkak të trafikut të rënduar që pritet.

Mesazhi i policisë është i qartë: mbroni lirinë për të protestuar dhe për të marrë pjesë në ngjarje, pa kompromentuar sigurinë e qytetarëve dhe rrjedhën normale të jetës publike./ a.jor.

The post TEL AVIV – Policia në alarm në prag të takimit qeveritar ku do të vendoset pushtimi i Gazës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Me hyrjen e tarifave në fuqi miliarda dollarë drejt Amerikës

UASHINGTON, 7 gusht /ATSH-ANSA-AFP/ – Tarifat e reja amerikane për produktet nga dhjetëra ekonomi globale hynë në fuqi në mesnatë (06:00 AM CET) duke respektuar rendin e ri tregtar të mbështetur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

“Miliarda dollarë, kryesisht nga vendet që kanë përfituar me padurim nga Shtetet e Bashkuara, do të fillojnë të rrjedhin në SHBA”, deklaroi Trump në Truth Social, disa minuta para hyrjes në fuqi.

Këto tarifa zëvendësojnë, për ekonomitë e prekura, tarifat prej 10% të aplikuara që nga prilli praktikisht në të gjitha produktet që hyjnë në Shtetet e Bashkuara.

Sipas presidentit amerikan, qëllimi është të ribalancohet tregtia midis SHBA-së dhe partnerëve të saj, të cilët, thotë ai, “përfitojnë” nga fuqia kryesore ekonomike në botë.

Tarifat e vendosura sot bien brenda një diapazoni të gjerë, midis 15% dhe 41%. BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilat janë ndër partnerët kryesorë tregtarë të SHBA-së, tani i nënshtrohen një norme prej të paktën 15%./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Me hyrjen e tarifave në fuqi miliarda dollarë drejt Amerikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 07/8/2025

PARIS (Francë) – Klima – Raporti global i motit për korrikun nga ”Copernicus”.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Tarifa më të larta në Shtetet e Bashkuara për dhjetëra vende, përfshirë BE-në.

KUALA LUMPUR (Malajzi) – Takim i komitetit kufitar tajlandezo-kamboxhian.

HAGË (Holandë) – Debat i jashtëzakonshëm parlamentar mbi Gazën.

BUDAPEST (Hungari) – Ambientalistët nga lëvizja ”Guerilet e gjelbra” organizojnë një protestë kundër ndryshimeve klimatike.

BOUAKÉ (Bregu i Fildishtë) – Paradë ushtarake me rastin e 65-vjetorit të pavarësisë.

BOGOTA (Kolumbi) – Marsh për liri dhe demokraci në mbështetje të ish-presidentit Alvaro Uribe./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 07/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Franceinfo: Shqipëria, El Doradoja e re e turizmit evropian

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ – Rubrika “Ne, evropianët” na çoi këtë të martë, më 5 gusht, në Shqipëri apo El Doradon e re për pushuesit, sipas stacionit të njohur informativ francez, Franceinfo.

”Ky vend i ish-Bllokut Lindor ishte për një kohë të gjatë një nga regjimet më të mbyllura në Evropë. Tani po hapet për turizëm, me rezultate spektakolare.

Një rritje prej 80% e turistëve në pesë vjet.

Ujëra bruz dhe ishuj të shkretë. Kjo nuk është as Karaibet dhe as Maldivet, por Shqipëria, e vendosur midis Greqisë dhe Italisë, e cila tani është gjithashtu e njohur për turistë nga e gjithë bota.

Shqipëria, ku qytetërimet mesdhetare kanë pasuar njëra-tjetrën, secila duke lënë gjurmë sublime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

Dhe kohët e fundit, përgjatë gjithë vijës bregdetare, bunkerë po aq të shëmtuar sa periudha në të cilën u ndërtuan.

Dhe gjithashtu në Tiranë, kryeqytet, një mbetje e një regjimi komunist paranojak që kishte frikë nga pushtimet.

Njëri prej tyre tani është shndërruar në një muze për turistët mosbesues.

“Ky bunker nuk u përdor kurrë për luftë, sepse nuk patëm kurrë luftë. Pas Luftës së Dytë Botërore, u përdor shumë për të marrë në pyetje njerëzit”, shpjegon Sokol Selami, një guidë në ”Bunk’Art”.

12 milionë turistë në vitin 2024

Kështu veproi regjimi i terrorit i Enver Hoxhës, i fundit i admiruesve të Stalinit. Për më shumë se 40 vjet, Shqipëria mbeti një nga vendet më të mbyllura në botë.

Në vitin 1991, regjimi ra.

Shqiptarët zbuluan lirinë.

Gati 35 vjet më vonë, ndërtesa ultramoderne po shfaqen në sheshin kryesor të Tiranës.

Toka e shqiponjave është hapur ndaj botës së jashtme. Dhe turistët po vërshojnë.

12 milionë u numëruan vitin e kaluar.

Ky është një efekt pas Covid-19 dhe medieve sociale që po e popullarizojnë destinacionin.

“Ne erdhëm të filmojmë Shqipërinë për të inkurajuar njerëzit të vizitojnë këtë vend, sepse në Poloni nuk është ende një destinacion kaq popullor”, thotë Adrianna Skon, një influencere polake.

Dhe profesionistët e turizmit kanë gjetur mënyrën se si ta shesin atë.

“Jam këtu me ftesë të një agjencie udhëtimesh polake që shet udhëtime në Shqipëri. Ne donim vetëm të kontrollonim nëse është vërtet mjaftueshëm interesante për ta rekomanduar, dhe që nga dita jonë e parë, menduam se ishte vërtet e shkëlqyer”, shpjegon gruaja e re në hyrje të videos së saj.

Këto video janë krijuar nga influencerë dhe marka, por edhe nga udhëtarë të zakonshëm.

Në mediat sociale, Shqipëria po shpërthen si destinacion.

“Ne pamë video në TikTok dhe pastaj bëmë disa kërkime dhe kjo na çoi këtu”, rrëfyen turistët.

Një tjetër avantazh për një audiencë shpesh shumë të re janë çmimet janë shumë të ulëta./  a.jor.

The post Franceinfo: Shqipëria, El Doradoja e re e turizmit evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FRANCË – Zjarre të fuqishme përfshijnë jugperëndimin e vendit

PARIS, 6 gusht /ATSH-ANSA/ – Të paktën 1 250 zjarrfikës dhe nëntë avionë ”Canadair” u mobilizuan për të luftuar flakët në rajonin Aude, në Francën jugperëndimore, i cili aktualisht është vendi i zjarrit më të fuqishëm në Francë që nga fillimi i verës, sipas gazetës ”Le Figaro”, që specifikon se afërsisht 10 000 hektarë tokë janë djegur plotësisht.

Autostrada A9 që lidh Francën dhe Spanjën dhe autostrada A61 janë mbyllur për trafik.

Sipas gazetës, zjarri ka plagosur shtatë zjarrfikës dhe dy civilë, njëri prej të cilëve është djegur rëndë, siç është raportuar më parë.

Dy helikopterë zjarrfikës dhe pesë avionë ”Dash” janë gjithashtu të mobilizuar.

Rreth 2 500 shtëpi janë pa energji elektrike, ndërsa dy kampe po evakuohen në zonën La Palme.

Ndërkohë, një zjarr i dytë është raportuar në komunën e Montagnac, në parkun Bessulles.

Sipas raportit në X të prefekturës, tetë ekipe reagimi ndaj emergjencave po punojnë në vendngjarje për të shuar flakët, së bashku me një helikopter zjarrfikës./  a.jor.

The post FRANCË – Zjarre të fuqishme përfshijnë jugperëndimin e vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA shkurton 500 milionë dollarë fonde për vaksinat e mRNA-së për sistemin respirator

UASHINGTON, 6 gusht /ATSH-DPA/ – Sekretari i Shëndetësisë i SHBA-së, Robert F. Kennedy Jr., planifikon të shkurtojë rreth 500 milionë dollarë fonde për zhvillimin e disa vaksinave të mRNA-së, njoftoi të martën Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore i SHBA-së.

“Të dhënat tregojnë se këto vaksina nuk arrijnë të mbrojnë në mënyrë efektive kundër infeksioneve të sipërme të frymëmarrjes si COVID dhe gripi”, tha Kennedy në një deklaratë.

“Ne po e zhvendosim këtë financim drejt platformave më të sigurta dhe më të gjera të vaksinave që mbeten efektive edhe kur viruset pësojnë mutacione”, shtoi ai, pa dhënë detaje.

Përdorimet e tjera të teknologjisë së mRNA-së nuk ndikohen nga vendimi.

Teknologjia, e cila bazohet në planet e proteinave të vetë trupit, fitoi rëndësi gjatë pandemisë Covid-19.

Kennedy është përballur me kritika për promovimin e skepticizmit ndaj vaksinave dhe për minimin e besimit të publikut në fushatat e imunizimit, veçanërisht kundër fruthit.

Më parë ai ka pohuar një lidhje midis vaksinave dhe autizmit, një teori që është diskredituar gjerësisht nga shkencëtarët.

Ky veprim vjen mes një padie të ngritur në korrik nga disa shoqata mjekësore amerikane kundër administratës Trump.

Padia kërkon të rivendosë rekomandimet për vaksinën kundër Covid-19 për gratë shtatzëna dhe fëmijët, të cilat u hoqën në maj nën drejtimin e Kennedyt./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA shkurton 500 milionë dollarë fonde për vaksinat e mRNA-së për sistemin respirator appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌