Paga reale në ekonomi u rrit me ritme dyshifrore për të dytin vit radhazi në 2024, me 10%, por me ngadalësim të lehtë në raport me vitin 2023 ku ndryshimi ishte 11.7%.
Paga reale (Rritja nominale duke zbritur inflacionin) në dy vitet e fundit shënoi ritmet më të larta që nga viti 2007.
Pas qëndrimit në vendnumëro gjatë dekadës së kaluar, pagat u rimëkëmbën dy vitet e fundit, ndërkohë që në sektorin shtetëror u rrit me ritme më të larta 16.9% në 2023 dhe 12.4% në 2024.
Dy ishin shtysat për ndryshimin e pagave.
E para lidhet me reformën e qeverisë për pagën mesatare sektorin publik 900 euro ndërmjet 2023-2025, dhe e dyta mungesa e punonjësve në sektorin privat ka ndikuar tek kompanitë që të rrisin fondet për personelin, si një mjet për mbajtjen e stafeve.
Në fillim të viteve 2000, rritja e pagave reale ishte e fortë. Në vitin 2001 arriti në 17.7%, duke reflektuar një periudhë rigjallërimi ekonomik pas krizave të tranzicionit.
Kjo rritje u shoqërua me një lëvizje të ngjashme edhe në pagat në sektorin shtetëror, që po atë vit shënuan një rritje prej 17.7%.
Në vitet që pasuan ritmet e rritjes u zbutën ndjeshëm, duke zbritur nën 10% në mesin e dekadës.
Në vitin 2007, si pagat reale në sektorin privat, ashtu edhe ato në sektorin shtetëror patën një ringritje, me rritje përkatësisht 13.8% dhe 17.1%, duke reflektuar rritjen ekonomike përpara se të fillonte krizës globale.
Vitet e krizës 2008–2010 sollën ulje të ritmeve, ku paga reale mbeti në nivele modeste prej 6.0% në 2008 dhe vetëm 3.0% në 2010, ndërkohë që në sektorin shtetëror ritmet ishin pak më të larta, por sërish në rënie krahasuar me vitet e mëparshme.
Periudha 2011–2016 përfaqëson një fazë qëndrimi në vendnumëro, ku ndryshimi i pagës reale zbriti në vlera minimale, madje edhe negative, si në vitin 2016, kur paga reale ra me 0.4%. Në të njëjtën kohë, rritja e pagës në sektorin shtetëror luhatej në nivele shumë të ulëta, shpesh midis 0–3%, duke reflektuar politikat shtrënguese buxhetore.
Një kthesë më e dukshme vërehet pas vitit 2017. Në atë vit, paga reale u rrit me 7.8%, ndërsa pagat në sektorin shtetëror me 9.8%, duke sinjalizuar një rigjallërim të të ardhurave si në sektorin privat dhe atë shtetëror.
Ndryshimi i pagës reale qëndroi pranë zeros dhe madje ra ndjeshëm në vitin 2022 me -4.3%, çka tregon se inflacioni i lartë pas pandemisë ka “ngrënë” rritjen e pagës nominale.
Përkundrazi, paga në sektorin shtetëror u rrit me ritme të konsiderueshme gjatë kësaj periudhe, sidomos në vitin 2021 (+6.4%) dhe 2023 (+16.9%), duke reflektuar ndërhyrjet e qeverisë për të amortizuar ndikimin e krizave te punonjësit e administratës.

Burimi: INSTAT
The post Pagat reale në 2023-2024 u rritën me ritmet më të larta që nga 2007-a appeared first on Revista Monitor.