TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Situata nga zjarret në vend paraqitet e stabilizuar në shumë prej zonave që ishin më parë problematike, pas një angazhimi të gjerë të forcave të emergjencës.
Aktualisht janë raportuar 23 vatra aktive zjarri në gjithë territorin, ndërsa puna për shuarjen e tyre vijon pa ndërprerje në terren dhe nga ajri.
Në lartësitë e Malit të Sopotit, pranë Syrit të Kaltër në Delvinë, operacionet për shuarjen e flakëve po vazhdojnë me një angazhim të gjerë forcash. Në këtë zonë janë vendosur 67 forca zjarrfikëse me 11 automjete, 30 punonjës të bashkisë, 80 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 automjete, si dhe 30 forca mbështetëse.
Për të ndihmuar në përballimin e flakëve, është angazhuar edhe avioni italian “Canadair”, ndërkohë që në vendngjarje ndodhen edhe 6 autoambulanca për çdo rast emergjent.
Edhe në zonat e Pecës, Sirikatit dhe Kardhikaqit në bashkinë e Finiqit, vatrat e përhapura në shkurre dhe pyje po mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm nga strukturat vendore.
Në Kuç të Himarës dhe Brataj të Selenicës, forcat zjarrfikëse janë aktive në terren duke ndërhyrë në zona me bimësi të dendur dhe të thata.
Në veri të vendit, dy vatra janë regjistruar në zonën e mbrojtur Mali me Gropa – Val në Bulqizë. Për shkak të terrenit të thyer, ndërhyrja është më e vështirë, por situata po monitorohet nga punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe forca vullnetare.
Në Tërnovë, gjithashtu në Bulqizë, zjarri në pyjet e dendura ka kërkuar ndërhyrjen e 8 zjarrfikësve, përveç forcave pyjore dhe ushtarake, me ndihmën e një helikopteri.
Një situatë e rënduar është regjistruar në Zhapokikë, Plashnik dhe në Rezervatin Balloll të Poliçanit, ku për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve u bë e domosdoshme evakuimi i 20 banorëve. Në këtë zonë po operojnë tre helikopterë, dy prej të cilëve janë nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një nga Çekia, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë.
Në Velçan të Beratit, ndërhyrja nga toka dhe ajri që prej mesditës ka bërë të mundur shmangien e rrezikut për banesat. Situata po monitorohet nga afër nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërkohë që 20 efektivë shtesë të FA dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore do të vijojnë operacionin derisa vatra të neutralizohet plotësisht.
Në Orizaj të Skraparit dhe në Vokopolë të Poliçanit, zjarret në shkurre po mbahen nën kontroll dhe nuk paraqesin rrezik për banesat.
E njëjta situatë raportohet edhe në Mbrakull të Poliçanit dhe në zonën e Ibës në Tiranë, ku është shmangur rreziku për komunitetin.
Vatra të tjera që janë vënë nën kontroll janë ato në Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, si dhe ato në Ferraj dhe Zall-Herr, ku ndërhyrja është bërë e vështirë për shkak të terrenit.
Në zonën e Rrogozhinës, vatrat në Spanesh dhe Kazie janë të izoluara dhe nën vëzhgim.
Në Dhuvjan, Lugar dhe Frashtan të Dropullit, situata paraqitet e qetë pas shuarjes së flakëve. Ndërkohë, në lartësitë e Majës së Golikut në Hormovë të Tepelenës, si dhe pranë antenave të RTSH, zjarret janë ende aktive por po mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Në Gramsh, përhapja e zjarrit në fshatin Nartë është ndalur falë punës së forcave zjarrfikëse, bashkiake dhe ushtarake, të mbështetur nga vullnetarë. Ndërhyrja po vijon edhe në Mukaj e Sojnik, ku vatrat nuk paraqesin rrezik për banesat.
Situatë më e rënduar paraqitet në zonën Kunorë Dardhë – Laku Klyz dhe Rrafshi i Sakatit në Fushë-Arrëz, ku flakët po përparojnë në terren të vështirë malor dhe po përballohen nga mbi 150 forca të përbëra nga punonjës bashkiakë, pyjorë, vullnetarë dhe efektivë të FA.
Në Gërmenj të Kolonjës dhe në Velës të Mirditës, zjarret në pyje pishe po luftohen nga forcat zjarrfikëse dhe forca të tjera mbështetëse, megjithë vështirësitë që sjell dendësia e bimësisë.
Ministria e Mbrojtjes bën të ditur se në gjithë vendin, strukturat e emergjencës po punojnë për të vënë plotësisht nën kontroll vatrat e mbetura dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për jetën e qytetarëve dhe pronat e tyre.
/a.f//r.e/
The post Situata nga zjarret në vend, MM: 23 vatra aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.