Ngannou nuk ndalet me meçe ndaj emrave të njohur të boksit – tani merr përgjigje nga ‘Bombarduesi i Bronztë’
Ekipi i boksierit amerikan Deontay Wilder ka thyer heshtjen pas thirrjeve të vazhdueshme nga rivali i tij në sportet luftarake, Francis Ngannou, ish-kampion i peshave të rënda në UFC.
Wilder mbetet një nga emrat më të njohur në boksin amerikan falë fuqisë së tij nokautuese, trilogjisë së paharruar me Tyson Fury dhe përpjekjes për t’u rikthyer edhe në moshën 39-vjeçare pas disa humbjeve radhazi.
Në periudhën 2023–2024, ai u mund nga Joseph Parker me vendim gjyqtarësh dhe më pas pësoi nokaut nga Zhilei Zhang në raundin e pestë, çka bëri të dukej sikur karriera e tij po shkonte drejt fundit.
Megjithatë, më 27 qershor Wilder u rikthye në ring dhe mposhti me nokaut në raundin e shtatë Tyrrell Herndon, duke treguar se ende ka përpara ndeshje të mëdha. Njëra prej tyre mund të jetë pikërisht përballja me Ngannou.
Gjithçka nisi kur Ngannou shtoi presionin publik ndaj Wilder, duke shkruar në rrjetet sociale: “Është koha që më në fund ta zgjidhim debatin, ‘Bombarduesi i Bronztë’”.
Dy sportistët janë krahasuar prej vitesh për fuqinë e jashtëzakonshme të goditjes: Ngannou u bë i famshëm në MMA duke rrëzuar emra si Alistair Overeem, Cain Velasquez dhe Stipe Miocic, ndërsa Wilder ka mposhtur me nokaut shumicën dërrmuese të kundërshtarëve në ringun e boksit.
Përfaqësuesi i Wilder, Shelly Finkel, konfirmoi për “Sky Sports” se një përballje është e mundshme: “Deontay do të ishte i hapur për atë ndeshje vitin e ardhshëm”.
Nuk dihet nëse Wilder do të zhvillojë një tjetër përballje këtë vit përpara se të sfidojë Ngannou, apo nëse do të pushojë derisa të përballet direkt me ish-kampionin e UFC-së.
Ngannou aktualisht është më aktiv në sportin e tij, pasi vitin e kaluar mposhti Renan Ferreiran në një event të PFL Super Fights brenda një raundi të vetëm.
Megjithatë, në ringun e boksit ai ende nuk ka shënuar fitore: në dy ndeshjet e zhvilluara humbi ndaj Tyson Furyt me vendim pas 10 raundesh dhe më pas pësoi nokaut nga Anthony Joshua në raundin e dytë.
Tani, ai shpreson ta ndryshojë këtë ecuri pikërisht kundër Wilder. /Telegrafi/
The post Ngannou nuk ndalet me meçe ndaj emrave të njohur të boksit – tani merr përgjigje nga ‘Bombarduesi i Bronztë’ appeared first on Telegrafi.