BIRMINGHAM, 30 korrik /ATSH/- Mijëra fansa mbushën sot rrugët e Birminghamit për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për të nderuar Ozzy Osbourne, vokalistin legjendar të “Black Sabbath”, sipas “The Guardian”.
Familja Osbourne, Sharon, Kelly, Jack dhe Aimee bënë homazhet e tyre në funeral përpara se të shkonin në një ceremoni private.
E veja e Ozzy Osbourne, Sharon Osbourne, ishte në lot ndërsa iu bashkua fëmijëve të saj për t’i dhënë lamtumirën e fundit legjendës së muzikës, në Birmingham.
Ylli i heavy metal, i cili vdiq në moshën 76-vjeçare, u përkujtua me një ceremoni të veçantë në Black Sabbath Bridge, në Birmingham, qyteti ku ai u lind.
Dhjetëra mijëra fansa ishin atje për t’i dhënë lamturmirën e fundit, Ozzy Osbourne.
E gjithë familja ishte e veshur me të zeza ndërsa i bënin nderimet e tyre, bashkëshortit dhe babait të tyre të ndjerë, Ozzy Osbourne.
Familja Osbourne, përfshirë fëmijët Jack, Kelly dhe Aimee vendosen lule në Urën Black Sabbath.
Djali i Ozzy nga martesa e tij e parë me Thelma Riley, Louis, iu bashkua gjithashtu familjes.
Makina e varrimit të Ozzy ishte zbukuruar me lule vjollcë ku shkruhej emri i tij.
Kortezhi funeral përbëhej nga makina funerale “Jaguar” dhe gjashtë makina funerale “Mercedes”, të shoqëruara nga një motoçikletë dhe makinë policie.
Makina e varrimit të Osbourne u nis përgjatë Broad Street në qendër të qytetit në orën 13:00, duke u drejtuar drejt Urës së Black Sabbath.
Ishte vendi ku shumë fansa të “Black Sabbath” i bënë homazhe muzikantit me lule dhe fotografi të legjendës.
Fansat – shumë prej tyre të veshur me bluza të Ozzy Osbourne – mbërritën më herët, pranë stolit të Urës Black Sabbath në Broad Street në Birmingham, për t’i bërë homazhe këngëtarit.
Gjithashtu u ngritën postera në kujtim të muzikantit. U luajt muzika e “Black Sabbath” dhe njerëzit që mbushën rrugët thërrisnin, “Ozzy Ozzy Ozzy”.
Ozzy Osbourne vdiq tre javë pas koncertit të tij të lamtumirës, “Back to the Beginning”, në Villa Park në Birmingham – së bashku me shokët e tij të grupit Tony Iommi, Bill Ward dhe Geezer Butler.
Ai vdiq në moshën 76-vjeçare në shtëpinë e tij në Buckinghamshire, i rrethuar nga familja e tij.
Osbourne ishte babai i gjashtë fëmijëve dhe gjysh i 10 fëmijëve.
Ai kishte tre fëmijë nga martesa e tij e parë me Thelma Riley – Jessica, Louis dhe Elliot (ai adoptoi Elliot, djalin e Thelmës nga një marrëdhënie e mëparshme) – dhe tre të tjerë me bashkëshorten e tij Sharon: Aimee, Kelly dhe Jack.
Ceremonia e varrimit ishte një festë e jetës së Osbourne. Muzikantët vendas Bostin’ Brass performuan për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit. Eventi u zhvillua përpara një funerali privat.
Në Muzeun dhe Galerinë e Artit të Birminghamit është hapur një libër ngushëllimesh, ku ndodhet ekspozita “Heroi i Klasës Punëtore” e Ozzy Osbourne. //a.i/
The post Mijëra fansa i japin lamtumirën e fundit Ozzy Osbourne në rrugët e Birminghamit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.