Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 August 2025Main stream

Policia: Bllokohen 35 mjete lundruese, shpëtohen 19 pushues në det

17 August 2025 at 13:57


TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Vijon monitorimi intensiv nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në det.

Gjatë javës së fundit, nga Koman në Ksamil, janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme. Konkretisht janë ndaluar 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.

Në 14 raste, mjetet lundruese janë konstatuar duke lëvizur brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masa administrative prej 100 mijë lekësh secili.

Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare ka bërë të mundur shpëtimin e 19 shtetasve, shqiptarë dhe të huaj, si dhe të 6 mjeteve lundruese që kishin rënë në rrezik.

Gjithashtu, nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar në zonën e plazhit të Pemës së Thatë, Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese, duke theksuar se nuk lejohet shkelja e perimetrit të sigurisë dhe lundrimi duhet të kryhet vetëm në zonat e përcaktuara, të pajisur me mjetet e nevojshme të shpëtimit.

Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të lundrimit apo të perimetrit të sigurisë në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete ndaj çdo shkelësi.

/a.f/

The post Policia: Bllokohen 35 mjete lundruese, shpëtohen 19 pushues në det appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan vlerësimin e pushuesve në Shëngjin: Kushte optimale, plazhet publike të zgjeruara

17 August 2025 at 11:45

 

Visualizza questo post su Instagram

 

Un post condiviso da Agjencia Telegrafike Shqiptare (@ata.gov.al)

TIRANË, 17 gusht /ATSH/ Pushuesit vendas dhe të huaj, që kanë zgjedhur këtë vit bregdetin e Lezhës, gëzojnë jo vetëm plazhet e pastra dhe natyrën e bukur, por edhe hapësirat publike të shtuara dhe të menaxhuara sipas standardeve bashkëkohore.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga plazhi i Shëngjinit, duke theksuar se ky sezon turistik ofron më shumë lehtësira dhe kushte optimale për pushuesit.

“Pushuesit e bregdetit të Lezhës këtë vit, përveç plazheve të bukura e të pastra, vlerësojnë edhe hapësirat publike të shtuara në sipërfaqe, por edhe të menaxhuara me standarde optimale, për të ofruar eksperienca të bukura për të gjithë”, thekson Rama.

Në videon e publikuar nga Rama, pushuesit shprehen të kënaqur me kushtet që ofron Shëngjini, i cili gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një nga destinacionet më të pëlqyera nga vendas e të huaj.  “Janë zgjeruar shumë plazhet publike. Është bërë mjaft mirë. Nuk po shohim dallim cilësie të çadrave mes plazhit privat dhe atij publik, jemi të kënaqur që po ofrohen kushte kaq të mira”, theksoi një prej pushuesve.

Ndërkohë, të tjerë pushues vlerësojnë pastërtinë dhe sigurinë në plazh. “Mblidhen mbeturinat dhe mbahet pastër çdo pjesë e plazhit”, tha një zonjë, ndërsa një tjetër shtoi: “Ka roje plazhi dhe polici që monitorojnë gjatë gjithë kohës”.

Në Shëngjin është investuar edhe në infrastrukturë, me segmentin e ri rrugor Shëngjin–Velipojë që lehtëson lëvizjen e pushuesve. Po ashtu, është hapur qendra shëndetësore verore, e cila ofron shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, duke u ardhur në ndihmë vizitorëve gjatë gjithë sezonit turistik.

Bregdeti i Shëngjinit çdo vit frekuentohet nga mijëra pushues vendas e të huaj. Plazhet e tij janë të njohura për rërën e artë dhe ujin e ngrohtë, ku spikat “Rana e Hedhun”, por edhe plazhet e Kunes dhe Tales. Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror, si dhe kulinaria e pasur, e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

Me rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe trashëgimi kulturore, Lezha ofron një paketë të plotë për vizitorët. Shëngjini dhe Lezha vitet e fundit janë shndërruar në destinacione turistike shumë të kërkuara, ku pushuesit gjejnë plazhin, natyrën, historinë, kulturën, gastronominë, traditën dhe shpirtin mikpritës të banorëve.

/a.f/

The post Rama ndan vlerësimin e pushuesve në Shëngjin: Kushte optimale, plazhet publike të zgjeruara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë – Shkaktoi zjarr duke hedhur cigaren e ndezur, arrestohet

17 August 2025 at 11:13

PRISHTINË, 17 gusht/ATSH/ Një person është arrestuar në fshatin Tuneli i Parë në Mitrovicën e Jugut, pasi dyshohet se ka shkaktuar zjarr duke hedhur një cigare të ndezur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e zjarrfikësve për ta lokalizuar zjarrin.

Sipas policisë, i dyshuari është një mashkull kosovar dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Shkaktoi zjarr duke hedhur cigaren e ndezur, arrestohet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akti heroik i dy personave, shpëtojnë të miturën pasi rrëmbehet nga një i dyshuar

17 August 2025 at 10:20

PRISHTINË, 17 gusht/ATSH/ Një tentativë rrëmbimi është raportuar mbrëmë rreth orës 23:30 në rrugën “Arben Hajdaraj – Shaptej” në Deçan.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia e Kosovës, ankuesi dhe një dëshmitar kanë njoftuar se një person i panjohur ka rrëmbyer me veturë një të mitur me të meta mendore, e cila ndodhej në rrugë pranë shtëpisë së saj.

Pas rrëmbimit, ankuesi dhe dëshmitari i janë vënë pas veturës, kanë arritur ta ndalin atë dhe ta nxjerrin viktimën, të cilën më pas e kanë kthyer në shtëpi.

I dyshuari është arratisur në drejtim të panjohur, ndërsa rreth 3 kilometra nga vendi i ngjarjes, njësitet policore kanë gjetur dhe sekuestruar veturën e braktisur.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor, ku sipas raportit të mjekut nuk ka pasur lëndime fizike, por ka shfaqur shenja shqetësimi emocional.

Policia ka nisur hetimet intensive për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Rasti është duke u trajtuar nga njësitet përkatëse hetimore./Kosovapress/

The post Akti heroik i dy personave, shpëtojnë të miturën pasi rrëmbehet nga një i dyshuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Seminari ndërkombëtar për Gjuhën mbledh 150 pjesëmarrës nga e gjithë bota

17 August 2025 at 09:51

PRISHTINË, 17 gusht/ATSH/Seminari ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili mbahet që nga viti 1974, po rritet çdo vit me numrin e pjesëmarrësve të huaj nga mbarë bota, përfshirë SHBA-të, Kinën, Rusinë, Turqinë, Sirinë dhe shumë shtete evropiane.

Në edicionin e 43-të, këtë vit do të marrin pjesë 150 pjesëmarrës aktivë me punime, referime dhe ligjërata shkencore. Përveç aktiviteteve akademike, gjatë 12 ditëve të seminarit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të vizitojnë bukuritë natyrore të Kosovës, qytetin e Pejës, si dhe të marrin pjesë në koncerte, ku do të përformojë edhe një grup arbëresh nga Kalabria.

Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, ka theksuar rëndësinë e këtij aktiviteti për studimet albanologjike dhe për shtetin e Kosovës.

Sejdiu ka thënë për KosovaPress, se seminari ka rëndësi edhe pedagogjike, për arsye se do të ofrohen kurse të gjuhës shqipe për studentët nga e mbarë bota për ta mësuar shqipen dhe kulturën e saj.

“Seminari ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka një rëndësi të veçantë për studimet albanologjike në përgjithësi, por edhe për vetë shtetin e Kosovës.. Në kohën kur Shqipëria ka qenë e izoluar, seminari ka qenë ajo ura lidhëse ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe, për shembull, arbëreshëve në Itali ose në diasporën historike. Seminari ka edhe rëndësi pedagogjike, jo vetëm shkencore, për arsye se ofrohen kurse të gjuhës shqipe, në disa nivele vijnë studiues, studentë edhe të tjerë nga mbarë bota për ta mësuar shqipen, për t’u njohur për së afërmi me shqiptarët dhe është një lloj promovimi i shqipes dhe albanologjisë përgjithësisht”, ka thënë Sejdiu.

Ajo kujtoi traditën e gjatë të këtij aktiviteti dhe suksesin e tij.
Sejdiu është shprehur se është dashur t’i refuzojnë disa aplikacione nga interesimi shumë i madh i njerëzve, pasi që nuk kanë pasur mundësi financiare t’i mbulojnë të gjitha.

Drejtoresha e seminarit, Lindita Sejdiu, ka theksuar gjithashtu rolin e seminarit në forcimin e institucioneve dhe lidhjeve ndërkombëtare.

Ajo ka shtuar se përveç temave nga gjuhësia dhe letërsia, do të ketë edhe fusha tjera nga historia dhe antropologjia.

Hapja solemne do të mbahet më 18 gusht, në Institutin Historik në Prishtinë “Ali Hadri”, ndërsa ligjërata e parë do të mbahet në ora 18:00 dhe do të përfundojë më 29 gusht të këtij viti.

/Kosovapress/

The post Seminari ndërkombëtar për Gjuhën mbledh 150 pjesëmarrës nga e gjithë bota appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 16 August 2025Main stream

Kapet me 181 km/h në Levan–Tepelenë, apeli i Policisë: Mos luani me jetën, kontrolle me radar 24 orë

15 August 2025 at 23:33

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Policia e Shtetit ka apeluar sot për respektimin e kufijve të shpejtësisë, pas konstatimit të një drejtuesi automjeti që udhëtonte me 181 km/h në aksin Levan–Tepelenë, ku kufiri i lejuar është 80 km/h.

Sipas Policisë, një shpejtësi mbi dyfishin e normës së lejuar nuk është shenjë guximi, por një rrezik serioz për jetën e drejtuesit dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës.

Mjetet e monitorimit elektronik “Poliscan” vijojnë të jenë aktive 24 orë në ditë, duke skanuar automjete që qarkullojnë me shpejtësi nga dy deri në 2.5 herë mbi normën e lejuar.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të udhëtojnë me kujdes, të respektojnë kufijtë e shpejtësisë dhe të mbrojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve.

The post Kapet me 181 km/h në Levan–Tepelenë, apeli i Policisë: Mos luani me jetën, kontrolle me radar 24 orë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pikturë simbolike për lirinë, dhurata e të dënuarit francez para lirimit nga IEVP Shkodër

15 August 2025 at 23:14

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Klevis Qose, ka ndarë sot në rrjetet sociale historinë e një të dënuari francez, i cili, dy ditë para përfundimit të dënimit në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Shkodër, dhuroi një pikturë me mesazhe të forta simbolike për drejtësinë, shpresën dhe jetën.

“Nga qelia, drejt lirisë… me një pikturë që flet më shumë se mijëra fjalë”, shkruan Qose.

“Vetëm dy ditë para se të mbyllte dënimin, një shtetas francez në IEVP Shkodër dorëzoi “çelësat e burgut” dhe la pas një dhuratë që do të mbetet përgjithmonë: një pikturë e mbushur me simbole të forta për drejtësinë, shpresën dhe jetën,”, bën të ditur Qose përmes rrjeteve sociale.

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve më tej shkruan se, “ai zgjodhi të pikturonte ambientin ku takohen shtetasit në konflikt me ligjin me avokatin — një “hartë mendore” ku retë, peshoret, ndërtesat, minaret, zemrat dhe yjet flasin për rrugëtimin e tij mes kulturave, ndjesinë e afërsisë me botën jashtë dhe ëndrrën për një fillim të ri.

“Ky moment nuk është thjesht mbyllja e një dënimi, por hapja e një faqeje të re — me më shumë dashuri për jetën dhe lirinë”, vijon Qose.

Ai mbylli statusin me një urim: “I urojmë S.B. të kthehet pranë familjes dhe shoqërisë së tij me paqe në zemër dhe dritë në sy”.

/a.f/

The post Pikturë simbolike për lirinë, dhurata e të dënuarit francez para lirimit nga IEVP Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti përkujton Arbër Xhaferin në përvjetorin e ndarjes nga jeta

15 August 2025 at 23:02

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës ka përkujtuar sot nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale figurën e Arbër Xhaferit, në 13-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

“Sot, në përvjetorin e ndarjes fizike të Arbër Xhaferit nga kjo botë, nuk përkujtojmë thjesht një emër, përkujtojmë një vizion, një mënyrë të të menduarit, një etikë të angazhimit politik dhe kulturor”, u shpreh ai.

Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë në detyrë theksoi se Xhaferi nuk bëri politikë për pushtet, por për të zgjuar vetëdijen e shoqërisë, duke artikuluar qartë në kohë të mjegullta dhe duke dhënë orientim në kohë pasigurie.

Sipas tij, Arbër Xhaferi kuptoi thellë peshën e të qenit shqiptar në Ballkan, me historinë, plagët dhe përgjegjësinë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur.

“Le të mos e kujtojmë vetëm sot. Le të mësojmë nga ai dhe ta çojmë përpara fjalën e tij jo si citat, por si udhërrëfim”, përfundoi Kryeministri në detyrë i Kosovës.

/a.f/

The post Kurti përkujton Arbër Xhaferin në përvjetorin e ndarjes nga jeta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

FSK merr autoblinda të reja nga Amerika, Kurti: Dëshmi e partneritetit të palëkundur me SHBA

15 August 2025 at 19:28

PRISHTINË, 15 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se sot është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të autoblindave të reja për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat janë blerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, si dhe atasheu ushtarak amerikan në Kosovë, nënkolonel Jonathan Shau.

Kurti e cilësoi këtë furnizim si dëshmi të qartë të lidhjes së fortë me SHBA-të.

“Sot isha i nderuar që së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe atasheun e Ushtrisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw, morëm pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara në ShBA për FSK-në.

“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”, thekson Kurti.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së ShBA-ve”, tha ai.

“Këto autoblinda moderne përforcojnë mbrojtjen e vendit dhe janë dëshmi e qartë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me aleatin tonë më të madh, SHBA-në,” deklaroi Kurti.

Ai shtoi gjithashtu se zhvillimi i ushtrisë së Kosovës do të vazhdojë përkrah ushtrisë amerikane, jo vetëm përmes pajisjeve, por edhe përmes trajnimeve, arsimit ushtarak dhe ndërtimit të doktrinës mbrojtëse të bazuar në modelin amerikan.

The post FSK merr autoblinda të reja nga Amerika, Kurti: Dëshmi e partneritetit të palëkundur me SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë – Qeveria në detyrë miraton kërkesën për huamarrje nga RTK-ja

15 August 2025 at 18:48

PRISHTINË, 15 gusht/ATSH/  Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar në parim kërkesën për huamarrje deri në 2,540,000 euro të Radio Televizionit të Kosovës për qëllime të likuiditetit të transmetuesit publik.

Qeveria po ashtu ka miratuar kërkesën e Komunës së Mitrovicës së veriut për ndarje të mjeteve financiare në shumë prej 24,236.29 euro dhe shtim të dhjetë pozitave të reja në Komunën e Mitrovicës së veriut.

“Miratuar kërkesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për transfer të mjeteve buxhetore në shumë prej 2,300,000 euro, deri nën 25% të ndarjes së ndikuar negativisht në total të kategorisë së shpenzimeve “Investime Kapitale”, për përkrahjen financiare të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese; Miratuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për kthimin e fondeve në shumë prej 489,932.72 euro të transferuara në Buxhetin e Republikës së Kosovës, për Ndërmarrjen Shoqërore PRN046 “FAN Zahir Pajaziti””, thuhet në njoftim.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Qeveria në detyrë miraton kërkesën për huamarrje nga RTK-ja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë – Sot nis aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore në e-Kosova

15 August 2025 at 18:27

PRISHTINË, 15 gusht/ATSH/ Qytetarët e Kosovës nga sot mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore në platformën e-Kosova.

Sikurse dy vitet e kaluara, mjetet do të dalin në xhirollogaritë e qytetarëve aplikues, ka njoftuar ministrja në detyrë e MASHTI-t Arbërie Nagavci.

MASHTI do të ndajë nga 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, 80 euro për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore, raporton KosovaPress.

Tekstet do të përdoren nga gjenerata e kaluar sipas udhëzimit administrativ pajisja e nxënësve me tekste shkollore, përdorimi dhe ruajtja e tyre.

Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar me kohë se çdo aplikim do të verifikohet nga shkollat përkatëse dhe pas verifikimit do të bëhet transferi i mjeteve.

/Kosovapress/

The post Kosovë – Sot nis aplikimi për subvencionimin e teksteve shkollore në e-Kosova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Parashikimi i motit për sot, ulje e temperaturave dhe reshje lokale në relievet malore

15 August 2025 at 07:30

TIRANË, 15 gusht /ATSH/ Ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti pritet të jetë me kthjellime, ndërsa nga orët e mesditës deri në pasditen e vonë do të ketë alternime vranësirash mesatare deri në të dendura. Në zonat kodrinore e malore, këto vranësira do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët dhe karakter lokal.

Era do të fryjë nga veriperëndimi dhe verilindja me shpejtësi mesatare 4 m/sek, ndërsa në lugina dhe përgjatë bregdetit do të arrijë deri në 5-7 m/sek. Valëzimi në det pritet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla

Shkodër 23/37 Diell pak re

Kukës 17/33 Diell re shi

Lezhë 24/36 Diell pak re

Dibër 17/34 Diell re

Durrës 21/34 Diell pak re

Tiranë 24/35 Diell re shi

Elbasan 23/37 Diell re shi

Berat 19/36 Diell re shi

Vlorë 22/33 Diell re shi

Korçë 17/28 Diell re

Gjirokastër 17/36 Diell re shi

Sarandë 20/33 Diell pak re

 

 

The post Parashikimi i motit për sot, ulje e temperaturave dhe reshje lokale në relievet malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Egnatia eliminohet nga Europa Conference League

15 August 2025 at 00:02

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Skuadra e Egnatias e ka mbyllur rrugëtimin e saj në kupat e Europës, pasi u mund sot përballë Olimpija Ljubljana, në sfidën e zhvilluar në “Arena Egnatia”. Rrogozhinati u mundën me rezultatin 4-2 pas 120 minutave lojë.

Koha e rregullt përfundoi 2-2, por dy golat e shënuar nga Regi Lushkja nuk mjaftuan për skuadrën e Egli Tetovës, të cilët pësuan dy gola në shtesë.

Pas rezultatit 0-0 në sfidën e parë në Slloveni, Egnatia e nisi sfidën me vetëbesim dhe shënoi mjaft shpejt. Vendasit kaluan të parët në avantazh me golin e Regi Lushkjas në minutën e 6-të, ndërsa Veljko Jelenković barazoi shifrat në minutën e 32-të.

Pjesa e dytë solli edhe më shumë emocione. Antonio Marin shënoi për miqtë në minutën e 78-të, ndërsa një minutë më vonë Egnatia mbeti me 10 lojtarë, pasi Mohammed Yahaya u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la fushën me karton të kuq. Megjithatë, skuadra e Edlir Tetovës nuk u dorëzua dhe barazoi përsëri në minutën e 86-të, me golin e dytë personal të Lushkjas.

Koha shtesë rezultoi fatale për vendasit, që pësuan dy gola. Fillimisht shënoi Ivan Durdov në minutën e 99-të dhe më pas Álex Blanco në minutën e 107-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-2 dhe eliminimin e kampionëve të Shqipërisë nga Europa Conference League.

/a.f/

The post Egnatia eliminohet nga Europa Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dinamo City kualifikohet në play off-et e Europa Conference League

14 August 2025 at 23:30

TIRANË, 14 gusht /ATSH/ Dinamo City është kualifikuar në play off-et e Europa Conference League, pasi eliminoi Hajduk Splitin.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Arenën Kombëtare” përfundoi me rezultatin 3-1 për blutë pas 120 minutave lojë. Koha e rregullt mbaroi 1-0 për vendasit, rezultat që barazoi humbjen 2-1 të ndeshjes së parë të luajtur në Kroaci. Goli i vetëm në kohën e rregullt u shënua nga Baton Zabërgja në minutën e 14-të.

Në minutën e 78-të, lojtari i Hajduk Split, Abdoulie Sanyang Bamba, u ndëshkua me karton të kuq pas dy ndërhyrjeve të rrezikshme.

Koha shtesë nisi mirë për kroatët, të cilët barazuan rezultatin në minutën e 99-të me golin e Fran Karačić, duke u afruar më shumë se kurrë me kualifikimin. Por Dinamo City reagoi fuqishëm në shtesën e dytë, duke përmbysur gjithçka. Në minutën e 109-të, Eridon Qardaku shënoi një supergol nga jashtë zone, ndërsa dy minuta më pas Hekuran Berisha e dërgoi për herë të tretë topin në rrjetë, duke vulosur fitoren.

Takimi u mbyll me rezultatin 3-1, ndërsa në totalin e dy sfidave Dinamo City triumfoi 4-3, duke siguruar kalimin në fazën play off të Europa Conference League, aty ku do të ndeshet me polakët e Jagiellonia.

Dinamo City-Hajduk Split, Foto: Agim Dobi
1 nga 6

/a.f/

The post Dinamo City kualifikohet në play off-et e Europa Conference League appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria kërkon që Thaçit t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, përfshirë 3 vëllezërit

14 August 2025 at 21:34

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Për mbi 1 vit e gjysmë, Hashim Thaçi është nën regjim vizitash në paraburgim.

Kufizimi i takimeve me familjen e ngushtë, apo lejimi i vetëm 5 takime në muaj me miq e të afërm tjerë, nuk po i mjafton Prokurorisë. Madje as përgjimi 24/7 me përkthyes shqiptar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish presidentit t’i ndalohen krejtësisht vizitat me tre vëllezërit, Gani, Nazmi dhe Blerim Thaçi.

Siç mëson Klan Kosova, këta janë përfshirë në një listë me 14 emra që po synohen t’i zhduken përkohësisht nga jeta e Thaçit, deri në përfundim të gjykimeve, edhe për krime lufte edhe për pengim të drejtësisë.

“Edhe pse janë vendosur masa të caktuara për ta minimizuar rrezikun e pengimit, ZPS ka mësuar përmes burimeve publike se disa vizitorë që përbëjnë shqetësim, vazhdojnë ta vizitojnë Thaçin në Qendrën e Paraburgimit. Për të qenë të sigurt, rreziku që Thaçi të përcjellë mesazhe të palejuara dhe udhëzime gjatë vizitave jo të privilegjuara nuk mund të eliminohet kurrë krejtësisht, as në Qendrën e Paraburgimit. Kjo është vërtetuar përmes shfaqjes së Hashim Thaçit në një thirrje me video te një i akuzuar tjetër, në shkurt 2025” – thuhet në kërkesën e ZPS që e ka parë Klan Kosova.

Fakti që prokurorisë i ka rënë në mend tek tash për videolidhjen ku Thaçi shihet me Haxhi Shalën, dhe nuk ka kërkuar më herët masa, sipas mbrojtjes, është krejt e paarsyeshme.

Avokatja Sophie Menegon, nuk ka gjetur në kërkesën e prokurorisë asnjë fakt të ri apo shkelje të klientit të saj ndryshe nga masat e vendosura në nëntor 2023. E veçon faktin se vetëm 5 nga 14 emrat e listës, përfshirë vëllezërit, e kanë vizituar Thaçin pas vendosjes së këtyre masave.

Njëri nga dy tjerët, në Sheveningen diskuton gjëra të përgjithshme.

“[E redaktuar] është mik i familjes. Ai e ka vizituar Z. Thaçi pas nëntorit 2023. Meqë Z. Thaçi lejohet t’i ketë vetëm 5 vizita jo të privilegjuara në muaj, takimet me miq të ngushtë si [E redaktuar] ia mundësojnë atij mbështetjen dhe përditësimin me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë.”

Emri i pestë ndërkaq që ka zhvilluar vizita në Qendrën e Paraburgimit që kur është në fuqi regjimi, është anëtar i ekipit mbrojtës.

“[E redaktaur] është konsulent në ekipin mbrojtës të Z. Thaçi në rastin për krime lufte. Në këtë cilësi, ai është i autorizuar që të shkëmbejë informacione konfidenciale me Z. Thaçi. Që nga nëntori 2023, ai e ka vizituar Z. Thaçi si pjesë e vizitave të privilegjuara të Mbrojtjes dhe nuk ka zhvilluar asnjë vizitë jo të priviliegjuar. Pra nuk ka asnjë bazë që të vendosen kufizime tjera në vizitat e tij.”, transmeton Klankosova.tv

Gjyqtarja e procedurës paraprake, po e konfirmon këtë individ, për të cilin ka kërkuar të dhëna shtesë nga Mbrojtja, para se të merr vendim për kërkesën e ZPS me 14 emra.

Në listë janë edhe Artan Behrami e Vllaznim Kryeziu që përmenden në aktakuzën e dytë të Hashim Thaçit për tentim-pengimi të drejtësisë./Klankosova.tv/

The post Prokuroria kërkon që Thaçit t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, përfshirë 3 vëllezërit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mallrat amerikane pa tarifë në Kosovë, Dogana tregon kushtet që duhet të plotësohen

14 August 2025 at 18:42

PRISHTINË, 14 gusht/ATSH/Kosova ka hequr tarifat doganore për produktet e importuara nga SHBA.

Dogana e Kosovës përmes një postimi në Facebook ka njoftuar për procedurat që duhet ndjekur për mallrat amerikane, transmeton KosovaPress.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbështetje të kompetencave të saja kushtetuese dhe ligjore, përmes vendimit Nr. 13/265 të datës 01.08.2025 ka vendosur heqjen e tarifës doganore për mallrat me origjinë preferenciale nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).Ky vendim ndonëse përfaqëson një masë të njëanshme nga ana e Republikës së Kosovës, i cili qëllim primar ka lehtësimin e tregtisë me përfitime konkrete si për bizneset ashtu dhe për konsumatorët e vendit, është i një rëndësie të veçantë edhe sa i përket forcimit dhe avancimit të marrëdhënieve në sferën tregtare dhe ekonomike në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Vendimi për aplikimin e tatimit doganor me normë zero për mallrat e importuara me origjinë nga SHBA është i bazuar në Ligjin Nr. 04/L-163 dhe në Kodin Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, andaj mbi këtë bazë, mallrat të cilat importohen nga SHBA e të cilat plotësojnë kriteret e origjinës preferenciale, që nga data e hyrjes në fuqi të vendimit dhe publikimit të tij në gazetën zyrtare 01.08.2025, mund të importohen në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa pagesë të tarifës doganore”, thuhet në postimin e Doganës së Kosovës.

Në mënyrë që këto mallra të përfitojnë nga ky trajtim favorizues, të njëjtat me rastin e importit duhet të shoqërohen me:

-Certifikatë të vlefshme të origjinës preferenciale të lëshuar nga autoritetet amerikane

– Deklarata për origjinën në faturë, në përputhje me ligjin në fuqi të të dyja vendeve.

/kosovapress/

The post Mallrat amerikane pa tarifë në Kosovë, Dogana tregon kushtet që duhet të plotësohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KQZ: Verifikimi i kandidatëve për zgjedhjet lokale do të zgjasë më shumë se zakonisht

14 August 2025 at 18:36

PRISHTINË, 14 gusht/ATSH/ Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Besnik Buzhala, ka deklaruar se verifikimi i kandidatëve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit do të marr më shumë kohë se zakonisht për shkak të pushimeve vjetore në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Ai ka shtuar se pas dorëzimit të listave përfundimtare të kandidatëve, Zyra e Sekretariatit është duke i përgatitur ato për procedurat e verifikimit.

Pasi është pyetur nga një anëtar i KQZ-së se sa do të merr kohë, Buzhala është përgjigjur se do të vonohen, raporton KosovaPress.

Kujtojmë, KQZ sot mori vendime të veçanta për certifikimin grupit të dytë me 9 subjekte politike, prej të cilave 4 iniciativa qytetare dhe 5 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike është 66, prej të cilëve katër kandidatë për kryetar të komunave dhe 62 për anëtarë të kuvendeve komunale.

Në mbledhjen e kaluar 12 gusht 2025, KQZ certifikoi grupin e parë prej 10 subjekteve politike dy iniciativa qytetare dhe tetë kandidatë të pavarur me gjithsej 64 kandidatë, 5 kandidatë për kryetar komune dhe 59 kandidatë për anëtarë të kuvendeve komunale.

Numri i përgjithshëm i subjekteve politike të certifikuara nga KQZ deri më 14 gusht 2025 është 19 subjekte politike, prej të cilave 6 iniciativa qytetare dhe 13 kandidatë të pavarur, me gjithsej 130 kandidatë, 9 kandidatë për kryetar komune dhe 121 për anëtarë të kuvendeve komunale.

/kosovapress/

The post KQZ: Verifikimi i kandidatëve për zgjedhjet lokale do të zgjasë më shumë se zakonisht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turistët e huaj sfidojnë vapën, shijojnë Tiranën: Mahnitëse, bashkëjeton tradita me modernen

14 August 2025 at 08:02

TIRANË, 14 gusht/ATSH-Arbi Fortuzi/ Qindra turistë të huaj kanë mbushur arteriet kryesore të Tiranës, duke vizituar dhe shijuar nga afër atraksionet kulturore, artistike, historike dhe arkitekturore të saj.

Temperaturat e larta deri në 43 gradë Celsius nuk i kanë penguar turistët e huaj që këtë gusht kanë zgjedhur ta kalojnë në kryeqytet.

Në sheshin “Skënderbej”, dy turistë francezë kishin mbërritur me biçikletë. Ata treguan se kjo është një nga mënyrat e tyre të preferuara për të udhëtuar dhe për të shijuar vendet që vizitojnë.

“Është shumë bukur këtu. Sot është goxha vapë, por pamja është mbresëlënëse. Do të vazhdojmë me vizitën te ‘Shtëpia me Gjethe’ dhe në disa site të tjera kulturore. Na pëlqen të njohim dhe prekim nga afër vendet historike e kulturore. Ne udhëtojmë gjithnjë me biçikletë. Pasi të mbarojmë vizitën në Tiranë, do të shkojmë drejt plazhit, në Durrës. Më pas, do të vizitojmë edhe vende të tjera historike”, tha njëri prej tyre.

Një grup turistësh nga Spanja pohuan se temperaturat e larta nuk janë problem për ta, pasi janë mësuar edhe në Gadishullin Iberik me nxehtësi të tillë. Ata fillimisht u ndalën të bëjnë foto pranë monumentit të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, e më pas u drejtuan te Kulla e Sahatit. Udhërrëfyesi i tyre u tregoi se Tirana është themeluar pikërisht pranë Sahatit, aty ku dikur ndodhej pazari i qytetit, ndërsa simboli i kryeqytetit mbetet vetë Kulla e Sahatit.

Sipas tij, itinerari ishte i ndarë në dy pjesë: fetar, që përfshin vizita në xhaminë e re të Tiranës dhe katedralet, si dhe historik, me ndalesa tek Piramida, “Shtëpia me Gjethe”, Kalaja e Tiranës, Bunk’Art dhe mozaiku i Tiranës.

Një prej turistëve spanjollë tha se e ka tërhequr fakti se në Tiranë bashkëjetojnë tradita dhe modernja. “Unë vi për herë të tretë në Shqipëri dhe më ka tërhequr shumë edhe arkitektura këtu, pasi është një ndërthurje mes stilit ottoman, atij tradicional shqiptar, por tashmë shoh edhe një bum ndërtimesh modern dhe futuriste. Është sikur e shkuara dhe e ardhmja të jetojnë së bashku”, theksoi ai.

Në sheshin “Skënderbej” ndodheshin edhe disa zonja nga Egjipti. “Është hera e parë që vijmë këtu dhe na duket shumë bukur. Ushqimi është i shijshëm. Sot do të vizitojmë Tiranën dhe nesër do të shkojmë në Berat, e më pas në Gjirokastër”, u shprehën ato.

Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit. Vetëm në muajin korrik të këtij viti kanë hyrë në vendin tonë rreth 38 mijë shtetas më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë për Media dhe Informim, gjatë korrikut janë regjistruar 1.825.490 shtetas të huaj që kanë hyrë në vendin tonë, ndërkohë që ka pasur 1.793.493 dalje të tyre.
Ndërkohë, kanë hyrë 837 mijë shtetas shqiptarë dhe kanë dalë jashtë vendit 782 mijë të tjerë. Në total, vetëm gjatë muajit korrik kanë hyrë në Shqipëri rreth 2.663.010 persona, ndërsa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar ky numër ishte 2.624.207.

Muaji gusht ka nisur me një fluks të shtuar udhëtarësh, si në Aeroportin e Tiranës, ashtu edhe në portet e Durrësit dhe Vlorës, por edhe në pikat kufitare turistike, ku përveç turistëve të huaj, një numër i madh janë emigrantë që zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri.

Turistët në TIranë, foto: Arbi Fortuzi
1 nga 12

The post Turistët e huaj sfidojnë vapën, shijojnë Tiranën: Mahnitëse, bashkëjeton tradita me modernen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të enjten ulen temperaturat, reshje lokale në zonat malore

14 August 2025 at 07:30

TIRANË, 14 gusht/ATSH/ Ditën e enjte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushatarak njoftoi sot se, moti parashikohet me kthjellime, ndërsa nga mesdita deri në orët e vona të pasdites do të ketë alternime vranësirash kalimtare mesatare dhe hera-herës deri të dendura. Përgjatë zonave kodrinore e malore, vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa në relievet e larta malore priten edhe shtrëngata të izoluara dhe afatshkurtra.

Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi-jugperëndimi me shpejtësi mesatare 4 m/sek, ndërsa në lugina dhe përgjatë bregdetit do të arrijë 5-7 m/sek. Në det parashikohet valëzim i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 22/39 Diell re
Kukës 17/35 Diell re
Lezhë 24/37 Diell re
Dibër 18/36 Diell re shi
Durrës 19/37 Diell re
Tiranë 24/37 Diell re
Elbasan 21/38 Diell re shi
Berat 18/38 Diell re shi
Vlorë 20/34 Diell re
Korçë 18/31 Diell re shi
Gjirokastër 17/37 Diell re
Sarandë 20/36 Diell re

/a.f/

 

The post Të enjten ulen temperaturat, reshje lokale në zonat malore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosovë – Sistem i ri i licencimit dhe certifikimit të profesioneve të lira

13 August 2025 at 17:21

PRISHTINË, 13 gusht/ATSH/ Ministria e Drejtësisë në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, GIZ-in dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Gjermanisë, ndau sot modulet e certifikimit dhe licencimit për ndërmjetësuesit, administratorët e falimentues, noterët dhe përmbaruesit privat.

Në hapje të aktivitetit, Ministrja e Drejtësisë,  Albulena Haxhiu, theksoi se ky projekt paraqet një hap të madh drejt modernizimit të shërbimeve dhe forcimit të profesionalizmit, integritetit dhe transparencës në këto profesione. “Ky sistem është një premtim i mbajtur ndaj qytetarëve – për një drejtësi më efikase, më të qasshme dhe të bazuar në standarde të larta profesionale. Sot vendosim themelet e një procesi të ri, ku licencimi nuk është vetëm një procedurë, por një garanci për shërbime të sigurta dhe cilësore,” tha Ministrja Haxhiu.

Ky sistem i digjitalizuar i licencimit do të sigurojë procedura të thjeshtuara, verifikim të shpejtë dhe ruajtje të standardeve të kërkuara nga ligji. Përmes moduleve të reja, profesionistët do të kenë mundësinë të certifikohen mbi bazën e meritës dhe aftësive të dëshmuara, duke forcuar llogaridhënien dhe besimin e qytetarëve.
Ngjarja u përshëndet edhe nga Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, Këshilltari i Kryeministrit, z. Lulëzon Jagxhiu, dhe udhëheqësja e projektit nga GIZ, znj. Vanessa Sabelski, të cilët vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë institucional dhe mbështetjen për reformat në sektorin e drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar të zbatojë politika dhe masa që forcojnë shtetin e së drejtës, rrisin cilësinë e shërbimeve dhe afron Kosovën me standardet evropiane të qeverisjes dhe drejtësisë.

1 nga 4

/a.f/

The post Kosovë – Sistem i ri i licencimit dhe certifikimit të profesioneve të lira appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌