Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 August 2025Main stream

Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër

20 August 2025 at 11:21

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë me një projekt modern që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me mësuesit e kësaj shkolle.

“Në prag të çeljes së vitit të ri shkollor, me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër ndamë lajmin e mirë se kjo shkollë shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me një projekt modern, që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore të kësaj shkolle me traditë në kryeqendrën e veriut”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Shkolla “Ismali Qemali” është një nga shkollat 9-vjeçare më të mëdha të bashkisë Shkodër me një numër të lartë nxënësish, rreth 850, ndërsa në ambientet e saj është edhe kopshti me mbi 20 fëmijë.

Ndërtesa aktualisht është e amortizuar dhe jashtë standardeve për efikasitet e siguri, me ndriçim te papërshtatshëm e kushte jo të mira të infrastrukturës në katër katet e saj.

Rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali” synon krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.

Përmes zbatimit të këtij projekti do të ketë ndërhyrje në të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme të shkollës, përmirësim të kushteve infrastrukturore, që do të ndikojnë pozitivisht në procesin mësimor dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë.

Projekti i rikonstruksionit të shkollës ka për qëllim krijimin e një hapësire funksionale dhe tërheqëse që jo vetëm përmirëson mjedisin arsimor, por edhe kontribuon në forcimin e lidhjeve sociale dhe komunitare përmes krijimit të hapësirave të përshtatshme për edukim dhe aktivitete arsimore, krijimin e klasave moderne ku mund të përshtaten për metoda mësimdhënieje të ndryshme, hapësira për takime komunitare dhe integrim social, etj.

Në kuadër të thirrjes së hapur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 bashkia Shkodër ka aplikuar me tetë projekte, prej të cilave është shpallur fituese e katër propozimeve në vlerën rreth 4 milionë euro.

/m.m/

The post Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare

20 August 2025 at 11:04

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot shembujt e suksesit në skenën ndërkombëtare të disa prej tyre.

“Fotografët shqiptarë në skenën ndërkombëtare! Nga Roland Tasho me karrierë të gjatë e çmime prestigjioze, te Ilir Tsouko me tregime vizuale bashkëkohore; nga Burim Myftiu me festivalin ndërkombëtar FOTOIST, te Jetmir Idrizi me vepra të publikuara e vlerësuara në mbarë botën”, tha Gonxhja.

Ndërsa ndau informacion mbi eksperiencën profesionale të këtyre fotografëve, ministri Gonxhja vlerësoi se “artistët shqiptarë na nderojnë ndërkombëtarisht”.

“Ndiqni CulturAlb për të njohur më nga afër fotografët shqiptarë që po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme”, u shpreh ministri Gonxhja.

“Culturalb” është projekti më i ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare përmes këtij projekti bëhen pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar.

“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon ta bëjë këtë realitet, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime dhe ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të botës. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron pa kufij.

/m.m//a.f/

The post Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies

20 August 2025 at 10:46

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hapur procesin e konsultimit publik për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, si pjesë e Reformës në Administratën Publike.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i organizimit, funksionimit dhe llogaridhënies në administratën publike shqiptare.

Në relacionin shoqërues të këtij projektligji bëhet e ditur se objektiv është krijimi i një kuadri efektiv dhe modern të llogaridhënies për institucionet e varësisë.

Po ashtu synohet mirëpërcaktimi i tipologjisë së institucioneve të varësisë bazuar në tipologjinë e funksioneve që ato kryejnë, si dhe kufizimi i shkëputjes së strukturave të brendshme ministrore të vogla (drejtori/drejtori të përgjithshme) dhe organizimit të tyre si institucione varësie me vete.

Kjo nismë ligjore synon lehtësimin e Qendrës së qeverisjes nga institucionet në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit që duhet ose mund të kalojnë në varësi të ministrive përgjegjëse.

Po ashtu synohet transferimi i vendimmarrjes në nivelin menaxherial të mesëm të institucionit, shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë menaxherie dhe lehtësimin e barrës së shtuar mbi pozicionet e ministrit apo sekretarit të përgjithshëm.

Sipas projektligjit, numri i tipologjive të institucioneve joministrore do të reduktohet nga 3 në 2, në funksion të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të tyre.

Në këtë drejtim, propozohet bashkimi i Institucioneve të Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme, ndërsa Autoritetet Rregullatore do të rikonceptohen si një lloj i veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.

Legjislacioni në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).

“Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”, citohet në relacion.

Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët.

Në projektligj gjithashtu sillet në vëmendje edhe situata problematike me institucionet e vogla në varësi të ministrive, duke nënvizuar nevojën për rregullimin e funksionimit të tyre.

“Nga një analizë e situatës, rezulton se për shkak të mungesave në ligjin 90, ka një tendence të shkëputjes së njësive të brendshme administrative të ministrive (drejtorive/drejtorive të përgjithshme) nga aparati i ministrive duke u krijuar si institucione vartësie më vete. Kjo mungesë ka pas sjellë në disa raste krijimin e trupave/institucioneve të varësisë shumë të vogla, që nuk kanë realisht kapacitete për funksionimin e tyre ndarazi jashtë ministrisë mëmë. Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie, dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit”, thuhet në relacion.

Po ashtu edhe sistemi i mbikëqyrjes apo llogaridhënies së institucioneve për trupat jo ministrore rezulton se nuk është i uniformizuar. Projektligji, propozon gjithashtu krijimin e një sistemi të detyrueshëm, të uniformizuar të mbikëqyrjes/llogaridhënies së trupave joministrore bazuar në rezultatet e institucionit.

Ndërsa për institucionet në varësi të Kryeministrit legjislacioni aktual nuk ka dispozita apo kufizime për to, duke i trajtuar ato njësoj si institucionet në varësi të ministrive. Në relacion theksohet se me kalimin e viteve kjo ka krijuar një mbingarkesë në funksionimin normal të qendrës së qeverisjes si pasojë e një numri të konsiderueshëm institucionesh në varësi të kryeministrit.

Projektligji propozon shtimin e disa dispozitave për krijimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit. Dispozitat parashikojnë kritere pozitive dhe negative.

Projektligji propozon edhe dy ndërhyrje specifike sipas të cilave: i) “Drejtoria” bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes ekskluzive në një ministri dhe titullari i drejtorisë (drejtori) është ekskluzivisht përgjegjës për të gjithë vendimmarrjen brenda fushës së kompetencave të drejtorisë përkatëse, me përjashtim, sigurisht, të asaj vendimmarrjeje që i ngarkohet në mënyrë eksplicite me legjislacion menaxherëve të tjerë më të lartë (nëpunësve civilë të kategorisë të lartë drejtuese) ose vetë ministrit, dhe ii) përcaktohen një set rregullash të thjeshta që lejojnë delegimin brenda varësisë së një tipologjie vendimmarrjeje apo një vendimmarrjeje konkrete.

Ndër të tjera në draft propozohen rregulla të reja për kontroll më të fortë të ndryshimeve institucionale, duke kërkuar analiza të detajuara nga ministritë para krijimit të institucioneve të reja dhe duke i besuar Departamentit të Administratës Publike rolin kryesor në këtë proces.

/m.m//a.f/

The post Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

‘Rrezik për deformim të tregut dhe pastrim parash’/ Profesionistët e lirë kërkojnë rishikim të çmimeve të referencës

20 August 2025 at 11:05

Nga Gazeta ‘SI’ – Profesonistët e lirë i kanë dërguar një letër ministrisë së Financave, duke shprehur shqetësimet për çmimet e reja të referencës, shpallur nga qeveria.

Aleanca e Profesionsitëve, APL, thotë se drafti ka nëj metodologji jo transparente dhe nuk pranon transaksionet poshtë vlerës së caktuar, duke nxitur rritje artificiale të të çmimeve të apartamenteve.

Në letrën drejtuar ministrit të Financave theksohet se projektvendimi nuk garanton filtrimin e transaksioneve të fryra apo të lidhura me veprimtari të dyshimta, si pastrimi i parave, të cilat mund të shtrembërojnë më tej çmimet mesatare të tregut. Sipas APL, përdorimi i projekteve të ardhshme të zhvillimit urban si indikatorë për rritjen e çmimeve referuese, pa u bazuar në të dhëna reale të tregut të sotëm, përbën një tjetër rrezik për deformimin e tregut.

Një tjetër problematikë e ngritur lidhet me përfshirjen e ndërtimeve pa leje ose në proces legalizimi në bazën e vlerësimit fiskal, çka sipas profesionistëve krijon precedent të rrezikshëm dhe cenon përpjekjet për formalizimin e sektorit të ndërtimit.

APL thekson se metodologjia aktuale e propozuar i hap rrugë arbitraritetit administrativ dhe rrezikon të përfundojë si një instrument për rritjen e të ardhurave fiskale, dhe jo si një mekanizëm për pasqyrimin real të ofertës dhe kërkesës në tregun e banesave.

Profesionistët kërkojnë rishikim të këtij drafti për të garantuar siguri juridike, transparencë dhe neutralitet fiskal, për të mos e bërë tregun imobiliar një viktimë të ndërhyrjeve administrative.  

Në reagimin e saj, Aleanca rikujton se i është drejtuar më herët ministrit të Financave me kërkesën që banesa e parë e qytetarëve të përjashtohet nga taksa e ndërtesës, pasi ndryshime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt shtresat e mesme dhe familjet që zotërojnë vetëm një pronë për banim.

The post ‘Rrezik për deformim të tregut dhe pastrim parash’/ Profesionistët e lirë kërkojnë rishikim të çmimeve të referencës appeared first on Gazeta Si.

Kriza e punonjësve të kualifikuar, bizneset shqiptare përqafojnë Inteligjencën Artificiale

20 August 2025 at 10:54

Nga Gazeta ‘SI’ – Midis kritikave dhe skepticizmit, bizneset shqiptare duket se e kanë përqafuar shpejt Inteligjencën Artificiale. Të dhënat tregojnë se bizneset vendase e përdorin AI-në më shumë se në rajon, madje edhe në BE.

Informacionet nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, RCC, tregojnë se në vitin 2023, 12% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin Inteligjencën, dy herë më shumë se rajoni 5% dhe Europa, 7%.

Bizneset kanë përvetësuar edhe teknologji të tjera si analiza e të dhënave, 33%, ndërsa mesatarja e BE-së 32%. Shërbiminn e-faturim e përdorin 54% e bizneseve në Shqipëri, krahasuar me 41% në rajon dhe 38% në BE. Shqipëria kryeson gjithashtu me përqindjen të lartë të kompanive që përdorin rrjetet sociale dhe mjete të tjera të komunikimit digjital sesa vendet fqinje.

Shqipëria ia kalon Ballkanit dhe Europës edhe në qeverisjen elektronike, me një rritje prej 79 të njerëzve që përdorin shërbimet publike digjitale.

Por përdorimi i gjerë i teknologjisë në Shqipëri, nuk është përkthyer në fuqi punëtore të kualifikuar. Shqipëria vijon të ketë numrin më të ulët të specialistëve të teknologjisë, 1% të tregut të punës, nga 3% që e ka rajoni. Vetëm 40% e individëve posedojnë aftësitë bazë për krijimin e përmbajtjeve online, nga 57% në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

The post Kriza e punonjësve të kualifikuar, bizneset shqiptare përqafojnë Inteligjencën Artificiale appeared first on Gazeta Si.

Pedonale e re brenda Parkut të Karavastasë, AKZM shpall fituesin për hartimin e projektit

20 August 2025 at 11:00

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, pritet të ketë një pedonale të re. Kjo e fundit do të jetë zgjatim i asaj ekzistuese që përfundon pranë kullës 360 gradë që ndodhet në zemër të këtij parku. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura njoftoi se ka shpallur fituesin për kantatën “ Hartim Projekti- Ndërtimi i pedonales në Divjakë Karavasta”, kompaninë “INFRATECH”.  Sipas AKZM kjo pedonale është shumë e domosdoshme, pasi u vjen në ndihmë të gjithë vizitorëve të cilët zhvillojnë ecje pasi janë komplet të ‘përjashtuar’’ nga rruga automobilistike dhe ndihen akoma edhe më të sigurt gjatë vizitës në park.

“Duke qenë se rruga automobilistike është i vetmi akses i futjes në zonën e parkut për të vazhduar me tej deri në bregdetin e plazhit të Divjakës, lind nevoja për një zgjatje të kësaj pedonaleje ekzistuese. Duke filluar nga përfundimi i pedonales ekzistuese në Kullën 360o ose pranë Zyrave të AdZM Fier dhe për të vazhduar paralel me rrugën automobilistike në të djathtën e saj, duke gjarpëruar midis drurëve të pishës mesdhetare pa i dëmtuar dhe pa prerë asnjë dru deri në zonën që njihet ndryshe edhe si Qendra e Parkut pranë Divjaka Resort” thuhet në dokumentet e procedurës.

Pedonalja do të jetë me punim druri duke e bërë atë të përshtatshme për një park kombëtar dhe duke eliminuar kështu ndikimet negative në mjedis.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një ndër pikat e rëndësishme turistike që vizitohet përgjatë vitit. Në vitin që lamë pas ajo u vizitua nga 274 mijë vizitorë vendas dhe 105 mijë të huaj.

Sipas AKZM Zona e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta konsiderohet si një zonë me vlera të veçanta për natyrën dhe biodiversitetin. Ky park shquhet për popullatë të shumëllojshme floristike e faunistike, endemike, subendemike, të rralla, të kërcënuara e të rrezikuara në zhdukje./ N.Maho

The post Pedonale e re brenda Parkut të Karavastasë, AKZM shpall fituesin për hartimin e projektit appeared first on Revista Monitor.

Profesionistët për referencat: Nuk përjashtojnë pastrimin e parave, do shtrenjtojnë apartamentet

20 August 2025 at 10:05

Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) me një letër drejtuar Ministrisë të Financave ngre shqetësimin se projektvendimi i propozuar për përcaktimin e çmimit të referencës për shitblerjen e apartamenteve në rrethe, nuk pasqyron realitetin e tregut të pasurive të paluajtshme dhe rrezikon të deformojë tregun dhe të shtrembërojë çmimet mesatare të apartamenteve.

Ndër problematikat kryesore për të cilën ngrihet shqetësimi lidhet me transparencën e metodologjisë së çmimeve referencë dhe vendosjen e një vlere dysheme.

Në analizën e detajuar për projektvendimin “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj” profesionistët e lirë theksojnë se në formën aktuale, drafti për përcaktimin e çmimeve të referencës nuk jep asnjë garanci se janë filtruar transaksionet e fryra apo të lidhura me fenomene të paligjshme, si p.sh. pastrimi i parave, çka mund të shtrembërojë më tej çmimet mesatare.

APL paralajmëron se çmimet e referencës nuk ndjekin tendencën  e tregut, për rrjedhojë politika të tilla do të nxisin tendencën rritëse të çmimeve të shitjes së apartamenteve.

“Legjislacioni aktual mbi tatimin e të ardhurave ka vendosur tashmë një vlerë minimale nën të cilën transaksionet e shitblerjes nuk pranohen. Projektvendimi ndjek të njëjtën qasje duke mos reflektuar rastet e rënies së çmimeve, edhe kur këto përfaqësojnë prirje reale tregu.

Një politikë e tillë nxit vetëm prirjet rritëse të çmimeve, duke penguar funksionimin natyral të ofertës dhe kërkesës. Si rrjedhojë, çmimet referencë rrezikojnë të përdoren më shumë si instrument fiskal për rritjen e të ardhurave, sesa si tregues real i tregut”, theksohet në letrën e APL.

Profesionistët rekomandojnë rishikimin e dispozitave problematike duke vendosur kritere objektive, të matshme dhe të verifikueshme, si dhe kufizime të qarta për të shmangur arbitraritetin dhe deformimet në treg.

Po ashtu APL thekson se përdorimi i metodave alternative për llogaritjen e taksës pa kritere të qarta mund të ngarkojë tatimpaguesit për shkak të boshllëqeve e mosharmonizimit institucional.

Pas publikimit për konsultim publik të projektvendimit të metodologjisë së llogaritjes së taksës së ndërtesës ku propozohet rritje e çmimeve të referencës në rrethe, Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL) i është drejtuar edhe me një letër të mëparshme ministrit të Financave Petrit Malaj ku rekomandonin që banesa e parë e qytetarëve të përjashtohej nga taksa e ndërtesës. Sipas tyre, një ndryshim i tillë ndikon drejtpërdrejt në shtresat e mesme dhe në familjet që zotërojnë vetëm një pronë për banim.

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

MINISTRIA E FINANCAVE, KRYEMINISTRIA, MEDIA

Drejtuar: Ministrit të Financave

Për Dijeni: Zyra e Kryeministrit, Media

Nga: Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL)

Lënda: Objeksione dhe rekomandime mbi Projektvendimin: “Për miratimin e metodologjisë, rregullave dhe procedurave për përcaktimin e vlerës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme ‘ndërtesa’, llogaritjen e taksës mbi ndërtesën dhe pagesën e saj”

 

Të nderuar,

 

Në kuadër të konsultimit publik mbi projektvendimin në fjalë, paraqiten më poshtë disa vërejtje dhe problematika me karakter ekonomik, juridik dhe administrativ:

 

  1. Mungesa e transparencës metodologjike dhe vështirësia për të reflektuar realitetin e tregut

 

Në relacionin shoqërues parashikohet se çmimet e referencës janë përllogaritur mbi bazën e transaksioneve të viteve 2022–2024, duke përjashtuar ato që “nuk kanë logjikë ekonomike” ose që janë nën nivelin e referencës.

 

Termi “mungesë logjike ekonomike” nuk shoqërohet me ndonjë kriter të qartë, objektiv apo teknik, gjë që krijon pasiguri ligjore dhe rrezik për subjektivitet në përzgjedhjen e të dhënave. Përjashtimi selektiv i transaksioneve që shënojnë çmime më të ulëta nga referenca, pa një argumentim të qartë, priret të krijojë një pasqyrë të njëanshme të tregut dhe të prodhojë një efekt rritës artificial të çmimeve, duke cenuar parimin e neutralitetit fiskal. Nuk jepet asnjë garanci se janë filtruar transaksionet e fryra apo të lidhura me fenomene të paligjshme, si p.sh. pastrimi i parave, çka mund të shtrembërojë më tej çmimet mesatare.

 

  1. Kufizimi i mekanizmave të tregut përmes vendosjes së vlerës dysheme

 

Legjislacioni aktual mbi tatimin e të ardhurave ka vendosur tashmë një vlerë minimale nën të cilën transaksionet e shitblerjes nuk pranohen. Projektvendimi ndjek të njëjtën qasje duke mos reflektuar rastet e rënies së çmimeve, edhe kur këto përfaqësojnë prirje reale tregu.

 

Një politikë e tillë nxit vetëm prirjet rritëse të çmimeve, duke penguar funksionimin natyral të ofertës dhe kërkesës. Si rrjedhojë, çmimet referencë rrezikojnë të përdoren më shumë si instrument fiskal për rritjen e të ardhurave, sesa si tregues real i tregut.

 

  1. Përdorimi i projekteve të ardhshme si faktor përcaktues çmimi

 

Projektvendimi parashikon që çmimi të ndikohet nga projekte të ardhshme zhvillimore apo plane strategjike urbane. Kjo qasje mbart rrezik, pasi përdor projeksione ende të pasigurta dhe jo të realizuara për të justifikuar çmime më të larta, ndërkohë që të dhënat reale të tregut përjashtohen si të papërshtatshme. Përdorimi i pritshmërive të pasigurta si faktorë çmim-formues është i pabazuar në logjikën ekonomike dhe mund të çojë në deformim të tregut.

 

  1. Neni 2, pika 12(c) – Njohja fiskale e poseduesve pa dokumentacion ligjor

 

Dispozita e cila e konsideron “përdorues” edhe individin që mban në posedim një njësi pa leje ndërtimi apo dokument pronësie, pa aplikuar për legalizim, krijon precedent të diskutueshëm. Kjo përbën një formë njohjeje fiskale të një situate të paligjshme, duke rrezikuar të perceptohet si nxitje indirekte e ndërtimit informal. Një dispozitë e tillë dobëson përpjekjet për uljen e informalitetit në sektorin e ndërtimit dhe krijon perceptim për legjitimim të faktit të kryer.

 

  1. Neni 4 – Hierarkia e burimeve të të dhënave dhe pasojat juridike

Jepet përparësi të dhënave të verifikuara nga bashkia në terren kur këto rezultojnë më të mëdha se sipërfaqja e regjistruar në ASHK. Kjo qasje mund të përfshijë edhe ndërtime informale ose zgjerime të paligjshme, të cilat në këtë mënyrë trajtohen si fakte të kryera për qëllime fiskale. Mungesa e kufizimeve të qarta për zbatimin e kësaj dispozite krijon pasiguri juridike dhe hap rrugë për arbitraritet administrativ.

 

  1. Neni 5 – Klasifikimi i njësive të ndërtimit

 

Dispozitat e nenit 5 lejojnë klasifikimin fiskal të njësive ndërtimore në mënyrë të pavarur nga destinacioni i përdorimit të përcaktuar në dokumentet ligjore (leje ndërtimi, certifikata përdorimi, certifikata pronësie etj.). Ky rregullim rrezikon të relativizojë aktet juridike të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, duke krijuar mospërputhje mes dokumentacionit ligjor dhe trajtimit fiskal. Kjo bie ndesh me parimin e ligjshmërisë dhe krijon standard të dyfishtë mes subjekteve që respektojnë legjislacionin dhe atyre që veprojnë në mënyrë informale.

 

  1. Neni 16 – Vlerësimi alternativ i detyrimit tatimor

 

Projektvendimi parashikon përdorimin e metodave alternative për përcaktimin e vlerës së taksueshme në mungesë të të dhënave zyrtare. Kjo dispozitë rrezikon të transferojë barrën e pasojave të mungesës së administrimit apo koordinimit institucional mbi tatimpaguesin, edhe kur ai nuk ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

 

Përdorimi i metodës alternative duhet të kufizohet vetëm në raste të identifikuara të shmangies së qëllimshme tatimore, jo si mekanizëm i përgjithshëm për të mbuluar boshllëqet administrative. Në të kundërt, kjo bie ndesh me parimin e mirëbesimit, barazisë tatimore dhe sigurisë juridike.

 

Përfundim

 

Projektvendimi, në formën aktuale, paraqet disa pasiguri dhe situata te diskutueshme për funksionimin e tregut të pasurive të paluajtshme, për sigurinë juridike dhe për parimin e barazisë tatimore. Rekomandohet rishikimi i dispozitave problematike duke vendosur kritere objektive, të matshme dhe të verifikueshme, si dhe kufizime të qarta për të shmangur arbitraritetin dhe deformimet në treg.

 

Aleanca e Profesionistëve të Lirë  – APL

 

 

The post Profesionistët për referencat: Nuk përjashtojnë pastrimin e parave, do shtrenjtojnë apartamentet appeared first on Revista Monitor.

Ndërhyrje e suksesshme në Spitalin e Vlorës, Koçiu: 59-vjeçari diabetik rifiton ndjeshëm shikimin

20 August 2025 at 09:30

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në Spitalin Rajonal të Vlorës u realizua me sukses një ndërhyrje delikate tek një pacient 59-vjeçar, i cili kishte humbur shikimin nga komplikacionet e diabetit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot rastin e ndërhyrjes së suksesshme, ndërsa e konsideroi Spitalin Rajonal të Vlorës një qendër ekselence rajonale për shërbimet e okulistikës.

Pas trajtimit, pacienti 59-vjeçar rifitoi ndjeshëm pamjen dhe shpresën për një jetë më të pavarur.

“Ky rezultat behet me domethënës falë investimeve në kabinetin e ri të okulistikës, të pajisur me teknologji moderne dhe paketat e rimbursuara të vitrektomisë, që garantojnë trajtime falas, pa nevojë për referim në spitale të tjera”, u shpreh Koçiu, ndërsa shprehu mirënjohjen për ekipin mjekësor: Dr. Kemal Ylsek, Dr. Edmond Isufaj, Dr. Dilaver Haskaj, Dr. Ëngjëll Lazaj, Dr. Odela Risilia dhe infermiere Kleoniqi Mustafaraj.

Spitali Rajonal i Vlorës, me një ekip të përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, ofron shërbim dhe kujdes mjekësor jo vetëm për qytetarët vlonjatë, por edhe për pushuesit vendas dhe turistët e huaj që zgjedhin këtë qytet për të kaluar pushimet verore.

/m.m//a.f/

The post Ndërhyrje e suksesshme në Spitalin e Vlorës, Koçiu: 59-vjeçari diabetik rifiton ndjeshëm shikimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ikin të rinjtë, rritet punësimi tek të moshuarit

19 August 2025 at 23:02

Personat në pension janë duke u angazhuar gjithnjë  më shumë në tregun e punës dike plotësuar hendekun që po lënë të rinjtë e ikur në emigracion.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti në vit grup-mosha mbi 65  po rrit pjesëmarrjen në tregun e punës dhe shkallën e punësimit.

Në vitin 2024, shkalla e punësimit për personat mbi 65 vjeç arriti në 25.0%, nga vetëm 17.6% në vitin 2023. Kjo përfaqëson një rritje të konsiderueshme prej 7.4 pikë përqindjeje vetëm në një vit.

Një pjesë e kësaj rritjeje shpjegohet me jetëgjatësinë, por edhe me nevojën ekonomike për të qëndruar më gjatë në tregun e punës për shkak të pensioneve të ulëta dhe mungesës së kursimeve të mjaftueshme për pleqërinë.

Rritja e shkalles së punësimit për pensionistët nga 2023 në 2024 është më e madhe se në të gjitha kategoritë e tjera të grup-moshave.

Psh  me grup moshën aktive 15-64 vjeç, që në vitin 2024 ka një shkallë punësimi prej 68.6%  me rritje vetëm 1.7 pikë %.

Gjithashtu shkalla e punësimit tek të rinjtë 25-29 vjeç u rrit 5% ndërmjet 2023 dhe 2024.

Rritja e vazhdueshme e këtij treguesi për moshën +65 mund të sinjalizojë edhe një tendencë që do të thellohet në të ardhmen, për shkak të ndryshimeve demografike ku strukturave e popullsisë po zhvendoset me shpejtësi në favor të moshave të vjetra.

Rritja e punësimit në moshën e tretë nisi të forcohej pas pandemisë, kur flukset e emigrimit filluan të shtohen sërish, duke lënë mangësi në tregun e punës.

Në njërën anë, hapësirat e lëna bosh nga të rinjtë në tregun e punës dhe në tjetrën pensionet e ulëta, po shtyjnë gjithnjë e më shumë pensionistët të punojnë.

Puna pas pensionit është e pranishme në të gjithë sektorët, madje edhe në sektorin publik.

Në qarqet e vendit, ende shumë pensionistë punojnë në sektorët e arsimit, shëndetësisë, etj., për shkak se nuk ka të rinj për t’i zëvendësuar. Në të njëjtën periudhë, tregu i punës është bërë më pak tërheqës për të rinjtë.

Gjatë periudhës tetor-dhjetor të vitit 2024, sipas të dhënave nga Anketa e Forcës së Punës, papunësia tek të rinjtë më arsim të lartë ishte rritur në krahasim me 2023.

Zhvillimet në tregun e punës po tregojnë se Shqipëria po përballet me sfidën e re të integrimit te të moshuarve në tregun e punës./B.Hoxha

Burimi: INSTAT

 

The post Ikin të rinjtë, rritet punësimi tek të moshuarit appeared first on Revista Monitor.

Bizneset shqiptare përdorin Inteligjencën Artificiale më shumë se Rajoni dhe BE-ja

19 August 2025 at 23:01

Megjithëse Shqipëria ka hendek teknologjik në krahasim me Rajonin dhe vendet BE, bizneset tona janë duke e përdorur inteligjencën Artificiale (IA) me shumë se ato të rajonit në Ballkanin Perëndimor, madje më shumë se BE-ja.

Sipas raportit të fundit “Western Balkans Digital Economy and Society index 2024” nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, bizneset shqiptare kryesojnë Ballkanin Perëndimor për përdorimin e Inteligjencës Artificiale (IA) dhe teknologjive të avancuara. Të dhënat tregojnë se në vitin 2023, 12% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin përdoren IA-në, nivel ky mbi dyfishin e mesatares rajonale prej vetëm 5% dhe mbi nivelin mesatar të Bashkimit Europian, që arrin në 7%.

Përveç IA-së, bizneset shqiptare përdoren gjerësisht teknologji të tjera. Psh përdorimi i analizës së të dhënave përfshiu 33% të ndërmarrjeve, duke e vendosur Shqipërinë mbi mesataren e rajonit 31% dhe në nivel të krahasueshëm me BE-në, 32%. Edhe e-faturimi është i konsoliduar, me 54% të bizneseve që e përdorin, krahasuar me 41% në rajon dhe 38% në BE.

Shqipëria kryeson gjithashtu me përqindjen të lartë të kompanive që përdorin rrjetet sociale dhe mjete të tjera të komunikimit digjital sesa vendet fqinje.

Megjithatë, raporti i KBR-së thekson se rritja e përdorimit të teknologjive të avancuara nuk po shoqërohet gjithmonë me aftësi të mjaftueshme digjitale të fuqisë punëtore, çka mund të kufizojë përfitimet afatgjata.

Bizneset shqiptare janë më të prirura të përdorin teknologjinë për të shmangur kostot që po vijnë nga mungesa e fuqisë punëtore në vend. Anketat rajonale kanë treguar se bizneset shqiptare janë më të shqetësuarat për mungesën stafeve në të gjitha nivelet.

Në vitin 2023, vetëm 43% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-të) në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor arritën një nivel bazik të intensitetit digjital, krahasuar me 58% në BE.

Angazhimi online përmes mediave sociale po përmirësohet gradualisht. Në vitin 2023, 26% e ndërmarrjeve në Rajon përdorën dy ose më shumë lloje platformash të mediave sociale, pak më poshtë mesatares së BE-së prej 31%. Përdorimi i teknologjive të avancuara digjitale gjithashtu tregon përparim në vitin 2023.

Përdorimi i cloud computing u rrit në 26%, megjithatë mbetet pas mesatares së BE-së prej 38%.

Adoptimi i analizës së të dhënave u rrit ndjeshëm në 31%, duke ngushtuar pothuajse diferencën me BE-në, nga vetëm 6% në vitin 2020.

 

Burimi: RCC, Shqiperia dhe Serbia të dhena 2023, të tjera 2025

Rreth 5% e ndërmarrjeve të Rajon raportuan përdorimin e inteligjencës artificiale në 2023, krahasuar me 7% në BE./ B.Hoxha

The post Bizneset shqiptare përdorin Inteligjencën Artificiale më shumë se Rajoni dhe BE-ja appeared first on Revista Monitor.

91% e tregut të sigurimit të pronës është e përqendruar në Tiranë

19 August 2025 at 23:00

Pothuajse 91% e primeve të sigurimit nga katastrofat natyrore janë të përqendruara në qarkun e Tiranës.

Të dhënat nga raporti i Gjeografisë së Sigurimeve, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), tregojnë se sigurimi i pronave vazhdon të ketë një shkallë shumë të lartë përqendrimi në kryeqytet, ndërsa pjesa tjetër e vendit ka një mbulim të papërfillshëm kundrejt fatkeqësive natyrore, zjarrit apo dëmtimeve të tjera në pronë.

Vitin e kaluar, primet e sigurimit nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmeve të tjera në pronë arritën vlerën e 2.61 miliardë lekëve ose rreth 26.5 milionë eurove.

Kjo shumë përkthehet në vetëm 11 euro prime sigurimi në vit për frymë ose rreth 35 euro për familje.

Veç diferencave në zhvillimin ekonomik mes Tiranës dhe pjesës tjetër të vendit, përqendrimi i këtij produkti në kryeqytet lidhet shumë edhe me tregun e pasurive të paluajtshme dhe me ecurinë e kredisë bankare.

Ndërgjegjësimi për sigurimin vullnetar të pronës nga fatkeqësitë natyrore është shumë i ulët dhe ky produkt dominohet nga sigurimi, faktikisht i detyrueshëm nga ana e bankave, për pronat që janë lënë si kolateral për kreditë bankare.

Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e blerjeve të pasurive të paluajtshme financohen me kredi dhe duke qenë se tregu i pronave dominohet nga Tirana, edhe primet e sigurimit nga katastrofat janë tejet të përqendruara në Tiranë. Një arsye që e rrit edhe më shumë përqendrimin e primeve në Tiranë është vlera e pronave të siguruara. Duke qenë se në Tiranë vlera e pronës apo e përgjegjësisë së siguruar është më e lartë, atëherë edhe primet e sigurimit janë në vlera më të mëdha.

I matur si numër kontratash, përqendrimi i këtij produkti në Tiranë është disi më i ulët, me rreth 80% të totalit të kontratave të sigurimit.

Vitin e kaluar, në Shqipëri u shitën rreth 58 mijë polica për sigurimin e pronës nga katastrofat, nga të cilat më shumë se 46 mijë i takonin Qarkut të Tiranës.

Nëse të gjitha policat e sigurimit të pronës do t’i llogarisnim a priori si sigurime banesash, do të rezultonte se në Shqipëri, në rastin më të mirë, janë të siguruara jo më shumë se 5.4% e numrit të përgjithshëm të banesave (duke iu referuar Censit 2023).

Në muajin korrik, qeveria shqiptare riktheu për konsultim publik projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet. Ai përcakton detyrimin për sigurimin e të gjitha banesave në vend, me pak përjashtime (psh. shtëpitë e ndërtuara prej argjile, qerpiçi, kallami apo ndërtesat me vendndodhje të lëvizshme apo të përkohshme).

Skema e sigurimit do të administrohet nga një ent i posaçëm me kapital shtetëror që do të ngrihet për këtë qëllim, Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet.

Shuma e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa primi i sigurimit që do të paguajnë pronarët e banesave do të përcaktohet nga Fondi për tërmetet, pas marrjes së pëlqimit nga ministri përgjegjës për Financat. Për shtresat nevojë, primi i sigurimit do të financohet nga buxheti i shtetit. / E.Shehu

The post 91% e tregut të sigurimit të pronës është e përqendruar në Tiranë appeared first on Revista Monitor.

Yesterday — 19 August 2025Main stream

Ndriçohet kalaja e Himarës, Gonxhja: Investim që rrit vlerën turistike

19 August 2025 at 22:55

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka investuar në projektin e ndriçimit dekorativ të kalasë së Himarës, duke i dhënë jo vetëm dritë, por edhe ngjyra që e bëjnë më madhështore këtë monument mbi 3500-vjeçar.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kalaja e Himarës, Monument Kulture i Kategorisë I.

Gonxhja vlerësoi se ky investim, i realizuar në një ansambël ku bashkëjetojnë banesa dhe objekte fetare, vjen si angazhim i bashkisë së Himarës, duke rritur kushtet për banorët dhe vlerën turistike të kalasë, e cila tashmë, falë këtij bashkëpunimi, vizitohet edhe në orët e mbrëmjes.

“Kalaja, Monument Kulture i Kategorisë I, në administrimin e DRTK Vlorë, ka qenë qendër e rëndësishme historike dhe kishtare që nga shekulli VIII. Sot, ajo është një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë së Himarës dhe një ftesë për ta vizituar jo vetëm për bregdetin”, theksoi ministri.

Kalaja e Himarës e cila të ofron një pamje të mrekullueshme nga zemra e Rivierës Shqiptare, vizitohet nga pushues të shumtë gjatë sezonit veror.

Turistë nga vende të ndryshme shprehen të mahnitur nga panorama që ofrohet teksa vizitojnë Kalanë e ndërtuar nga kaonët, një fortesë e fuqishme nëpër shekuj.

/m.m/r.e/

The post Ndriçohet kalaja e Himarës, Gonxhja: Investim që rrit vlerën turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria në kujtesën fotografike të DPA-së me 135 mijë fotografi origjinale

19 August 2025 at 22:32


TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Në Ditën Botërore të Fotografisë, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ndau një ansambël imazhesh nga Fototeka e saj, që rrëfejnë historikun e vendit.

E dyta në rang republike për nga madhësia, pas Fototekës “Marubi” (për fotot para ‘44-s), fototeka.arkiva.gov.al është tërësisht e digjitalizuar, duke garantuar akses të menjëhershëm të qytetarëve, blerjen e imazheve të riprodhuara me rezolucion të lartë, si edhe ruajtjen e tyre afatgjatë në trajtën autentike.

Fototeka e DPA-së përllogarit rreth 135 mijë fotografi origjinale, prej të cilave afro 41 mijë ilustrojnë jetën politike nga Pavarësia deri në shtetndërtim.

Përmes imazheve paraqitet edhe jeta shoqërore nëpërmjet aktivitetit ekonomik, kulturor, arsimor dhe fetar.

Fondi prej rreth 43 mijë fotografish të Institutit “Luce” kryen një retrospeksion në Shqipërinë nën Italinë fashiste. Mes tyre, rreth 13 mijë fotografi që gjenden në negativë, u përkasin fotografëve të njohur korçarë Vani Burda dhe Thimi Raci.

/m.m/r.e/

The post Shqipëria në kujtesën fotografike të DPA-së me 135 mijë fotografi origjinale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vendimi për pallatin ku do të vendosej ASHK, Bardhi: Gjyqtarët zbatojnë rregullat që miraton qeveria

19 August 2025 at 21:12

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot se “gjyqtarët e prokurorët e Republikës nuk miratojnë rregulla, por janë të detyruar të zbatojnë rregullat që miraton qeveria e Kuvendi”.

Bardhi reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

“Edi Rama paska pyetur sot ‘se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut’. Dikush duhet t’i kujtojë që vetë ai s’ka akses në trurin e tij, sa kohë nuk kujton që ka firmosur vetë vendimin e qeverisë nr. 589, datë 7.9.2022, që favorizon ndërtuesit e paligjshëm dhe ligjëron antishtetin”, u shpreh Bardhi.

Më herët sot, kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me vendimin e gjyqtarit Hazbi Balliu, për një pallat të ndërtuar pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku ishte vendosur Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Rama e konsideroi vendimin “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

/m.m/r.e/

The post Vendimi për pallatin ku do të vendosej ASHK, Bardhi: Gjyqtarët zbatojnë rregullat që miraton qeveria appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizte në kundërvajtje, gjobitet dhe i pezullohet patenta policit në Pogradec

19 August 2025 at 20:51

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Korçë reagoi sot pas një videoje të postuar në rrjetet sociale, ku shfaqet një automjet policie duke lëvizur në kah të kundërt të drejtimit të lëvizjes, në qytetin e Pogradecit.

Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Korçës bëri të ditur se për shkeljen e kryer, bazuar në Kodin Rrugor, drejtuesi i automjetit, shtetasi Th. K., punonjës policie i DVP Korçë, është ndëshkuar me masën administrative 10 000 lekë, i është pezulluar leja e drejtimit për 3 muaj dhe janë zbritur 6 pikë nga leja e drejtimit.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit.

/m.m/r.e/

The post Lëvizte në kundërvajtje, gjobitet dhe i pezullohet patenta policit në Pogradec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Kthim në identitet i rrugëve me kalldrëm të Gjirokastrës

19 August 2025 at 20:30

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Në qytetin e Gjirokastrës vijon puna për kthimin në identitet të rrugëve me kalldrëm, një ndër vlerat përfaqësuese të qytetit të gurtë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur sot se edhe në këto ditë gushti, kur të gjithë pushojnë, mjeshtrat e gurit në Gjirokastër po restaurojnë kalldrëmet mes lagjeve Granicë e Palorto.

“Ky projekt i mbështetur nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit forcon identitetin dhe lehtëson lëvizjen për banorët e lagjeve dhe turistët që gjithnjë e më shumë po e zbulojnë Gjirokastrën përtej zonës tradicionale historike”, u shpreh Kumbaro.

Gjatë punimeve, mjeshtrat gurskalitës respektojnë traditën ndërtimore të kalldrëmeve, duke i dhënë vlera edhe për turizmin.

Ndërkohë, bashkia e Gjirokastrës po investon gjithnjë e më shumë për rijetësimin e resurseve të traditës.

/m.m/r.e/

The post Kumbaro: Kthim në identitet i rrugëve me kalldrëm të Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama: I hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE

19 August 2025 at 19:37

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret që janë për kalimin e këmbësorëve apo dhe ambientet që u shërbejnë komunitetit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, nga subjektet që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Vazhdojmë çdo ditë t’i hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE”, shkruan Rama, krahas pamjeve.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama: I hapim rrugë Rilindjes Urbane 2.0, për Shqipërinë 2030 në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima

19 August 2025 at 18:41

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj vendimit të gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili një pallat të konfiskuar e kaloi në favor të ndërtuesit të paligjshëm.

Pas zbardhjes së vendimit të arsyetuar, Rama e konsideroi atë “skandaloz”, ndërsa u shpreh se gjyqtari merr në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxori arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri ndau edhe fotografi nga godina e vjetër e ASHK-së, e cila sipas tij, “për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”.

“Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi”, shtoi Rama.

“Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatësit Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima”, shtoi ai.

Në arsyetimin e vendimit, Gjykata vlerëson se “ASHK ka funksionuar edhe pas vitit 2021 për 4 vite rresht në të njëjtën godinë dhe nuk ka prova që ky shërbim nuk mund të vazhdojë në kushtet ekzistuese”.

“Pavarësisht se punonjësit e ASHK-së mund të mos jenë në hapësira komode në ushtrimin e detyrave të tyre, kjo situatë nuk mund të vlerësohet se përbën cenim të rëndë të interesit publik që paralizon veprimtarinë e ASHK-së nëse pezullohet zbatimi i vendimit të datës 18 qershor 2025 të Komisionit të Objekteve të Konfiskuara. Sakaq, ASHK nuk është një institucion i ri, i sapokrijuar dhe mosakomodimi i menjëhershëm në objektin e konfiskuar të kërkuesit do ta cenonte menjëherë ushtrimin e funksioneve të tij në dhënien e shërbimit për publikun”, thuhet në vendimin e gjykatës.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Godinës së ASHK-së i bien tavanet e muret, Rama: Gjykatësi Balliu e konsideron vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret

19 August 2025 at 18:23

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi sot Spitalin Ditor “Ismet Shushi”, në Delvinë, ku vlerësoi profesionalizmin që tregoi stafi i këtij spitali për përballimin e situatës së shkaktuar nga zjarret.

E shoqëruar nga kryetari i bashkisë Delvinë, Besmir Veli, Koçiu zhvilloi një takim me stafin e spitalit, të cilëve u shprehu mirënjohjen për përkushtimin dhe gatishmërinë e treguar në punë, gjatë ditëve të vështira të zjarreve masive që përfshinë zonën e Delvinës.

“Në ditët e vështira të javës që lamë pas, ku rrethinat e qytetit u përfshinë nga zjarret, ata trajtuan rastet urgjente, përfshirë pacientë me probleme respiratore dhe tronditje psikologjike”, vlerësoi ministrja.

Koçiu shprehu respekt për çdo mjek, infermier e punonjës të sistemit tonë shëndetësor që shërben pranë komunitetit me profesionalizëm dhe humanizëm.

Zona e Delvinës u përball pak ditë më parë me vatra zjarresh të cilat shkaktuan dëme në banesa, ullishte dhe bagëti, ndërsa për shkak të rrezikshmërisë u urdhërua edhe evakuimi i përkohshëm i banorëve.

/m.m/r.e/

The post Koçiu në spitalin e Delvinës: Trajtuan me profesionalizëm rastet urgjente nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura

19 August 2025 at 17:22

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë.

“E trishtë dita sot me ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut tonë, inxhinierit të pyjeve Shpëtim Iseberi, pjesë e stafit të Administratës së Zonave të Mbrojtura Tiranë. Me mbi 30 vite në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura, Shpëtimi la gjurmë jo vetëm me profesionalizmin e tij, por edhe me dashurinë dhe kujdesin e pashtershëm për çdo pemë, pyll e ekosistem natyror ku punoi”, vlerësoi ministrja.

Kumbaro vlerësoi kontributin e tij prej 30 vitesh në shërbim të natyrës dhe zonave të mbrojtura.

“Mirënjohje dhe respekt të thellë për kontributin e tij të vyer, i cili do të mbetet i gjallë tek kolegët, tek natyra që mbrojti me gjithë zemër dhe tek brezat që do të ndjekin rrugën e tij”, u shpreh Kumbaro.

/m.m/r.e

The post Ndahet nga jeta inxhinieri i pyjeve Shpëtim Iseberi, Kumbaro: Kontribut të vyer në ruajtjen e zonave të mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌