AKPA: 19% e nxënësve të regjistruar në arsim profesional
TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Arsimi profesional në Shqipëri ka arritur një nivel rekord me numrin e nxënësve të regjistruar për vitin akademik 2024-2025.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bën të ditur se për këtë periudhë, 19% e nxënësve të arsimit të mesëm janë regjistruar në arsimin profesional, duke shënuar kështu nivelin më të lartë në 25 vitet e fundit.
Sipas AKPA-së, kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt objektivit strategjik të qeverisë që 1 në 3 nxënës të ndjekë arsimin profesional deri në vitin 2030.
AKPA thekson se, ky progres është rezultat i reformave të qëndrueshme të ndërmarra nga qeveria, të cilat përfshijnë investime në infrastrukturë moderne dhe laboratorë të pajisur, rritje të cilësisë përmes stafit të kualifikuar pedagogjik, zgjerim të profileve të studimit sipas nevojave të tregut dhe zhvillim të mëtejshëm të arsimit dual, në bashkëpunim me bizneset.
Nxënësit po përfitojnë më shumë mundësi konkrete për përgatitje profesionale dhe punësim, duke e bërë arsimin profesional një zgjedhje të parë dhe të vlerësuar gjithnjë e më shumë nga të rinjtë në mbarë vendin.
Arsimi profesional vlerësohet si zgjedhje për të ardhmen dhe integrimin më të shpejtë të të rinjve në tregun e punës. /e.xh/
The post AKPA: 19% e nxënësve të regjistruar në arsim profesional appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.