Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 27 August 2025Main stream

Lokalet i kishin kthyer në “fole” të lojërave të fatit/ Procedohen penalisht 4 persona, në kërkim 2 të tjerë

By: Rovena
27 August 2025 at 12:49

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Policia sekuestroi 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë. Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

“Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Jackpot”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë Ë. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Ndikim në statusin e Groenlandës, Danimarka thërret diplomatin më të lartë amerikan

By: Rovena
27 August 2025 at 12:35

Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka thirrur diplomatin më të lartë amerikan në Kopenhagë, pas një raporti se qytetarë amerikanë kanë kryer operacione të fshehta në Groenlandë.

Sipas transmetuesit publik danez DR, burime të cituara kanë thënë se qëllimi ishte të depërtohej në shoqërinë atje dhe të promovohej shkëputja e saj nga Danimarka për t’iu bashkuar SHBA-ve, megjithëse nuk është sqaruar për kë punonin këta persona.

Shërbimi i inteligjencës daneze ka paralajmëruar se Groenlanda po bëhet objektiv i “llojeve të ndryshme të fushatave të ndikimit”.

Ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen deklaroi se “çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë [së Danimarkës] do të jetë, sigurisht, e papranueshme” dhe se, për këtë arsye, është thirrur i ngarkuari me punë i SHBA-ve”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur disa herë dëshirën për të aneksuar Groenlandën, një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka akuzuar Kopenhagën për mosinvestim të mjaftueshëm në territor.

Gjatë një vizite në Groenlandë disa muaj më parë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi SHBA-në se “nuk mund të aneksoni një vend tjetër”.

Në një deklaratë për BBC-në, Rasmussen tha se qeveria është “në dijeni që aktorë të huaj vazhdojnë të tregojnë interes për Groenlandën dhe pozitën e saj në Mbretërinë e Danimarkës” dhe se “nuk do të ishte befasuese nëse do të përjetonim përpjekje të jashtme për të ndikuar në të ardhmen e Mbretërisë në të ardhmen e afërt”.

Danimarka është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe i ka konsideruar prej kohësh SHBA-të si një nga aleatët më të ngushtë, ndërsa danezët janë tronditur nga vendosmëria e Trump-it për të kontrolluar territorin gjysmë-autonom. Presidenti amerikan ka thënë këtë vit se nuk e përjashton mundësinë e marrjes së tij me forcë.

Shërbimi danez i sigurisë dhe inteligjencës PET ka vlerësuar se fushatat e ndikimit synojnë të “krijojnë përçarje në marrëdhëniet mes Danimarkës dhe Groenlandën”, duke shfrytëzuar “mosmarrëveshje ekzistuese ose të sajuara”, qoftë përmes “agjentëve tradicionalë të ndikimit fizik apo përmes dezinformimit”. PET ka shtuar se ka forcuar praninë e tij në Groenlandë dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase.

Aktualisht, SHBA-të nuk kanë ambasador në Kopenhagë, ndaj Rasmussen ka thirrur Mark Stroh, i cili si i ngarkuar me punë është diplomati më i lartë në kryeqytetin danez.

Rasmussen e ka thirrur tashmë ambasadorin amerikan në Danimarkë edhe më herët këtë vit, pas një raporti të veçantë në maj që sugjeronte se agjencitë amerikane të spiunazhit ishin udhëzuar të përqendronin përpjekjet e tyre në Groenlandë.

Raporti i DR-së të mërkurën dha detaje për një vizitë të një amerikani në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ku ai kërkonte të hartonte një listë të groenlandezëve që mbështesnin përpjekjet amerikane për të marrë ishullin. Qëllimi, sipas DR-së, ishte rekrutimi i tyre për një lëvizje shkëputjeje.

Raporti i mëparshëm i majit nga Wall Street Journal përmendte gjithashtu mbledhjen e informacionit mbi lëvizjen për pavarësinë e Groenlandës, si dhe qëndrimet ndaj shfrytëzimit të mineraleve nga amerikanët.

Në atë kohë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, nuk e mohoi raportin, por akuzoi Wall Street Journal për “shkelje të ligjit dhe minimin e sigurisë dhe demokracisë së vendit tonë”.

VIDEO/ Riaktivizohet vatra e zjarrit në pyllin e Poros

By: Rovena
27 August 2025 at 11:56

Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim, rreth orës 11:30 të kësaj të mërkure flakët janë riaktivizuar sërish.

Gazetari i ABC News, Elton Nika raporton se në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit.

Deri më tani, flakët kanë qëndruar të ndezura për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha. Shefi i zjarrfikësve Luan Kapaj shprehet  për situatën dhe monitorimin, pasi nga momenti në moment mund të ketë riaktivizim të vatrave për shkak të erës.

Ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është e dendur dhe e vështirë për ndërhyrje./abcnews.al

Beteja me zjarret/ Rama: Së shpejti do të kemi flotën tonë, me dy avionë zjarrfikës

By: Rovena
27 August 2025 at 11:36

Në një ceremoni të zhvilluar me rastin e Mirënjohjes Kombëtare për forcat e angazhuara në përballimin e zjarreve masive gjatë verës, kryeministri Edi Rama vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e shërbimeve emergjente shqiptare.

Ai theksoi se, ndërkohë që vendet e Mesdheut si Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe Turqia u përballën me dëme të mëdha dhe viktima për shkak të flakëve, Shqipëria arriti të reagojë me efikasitet falë angazhimit të forcave në terren dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.

Rama nënvizoi se avionët zjarrfikës janë ndihmës të rëndësishëm, por se forca kryesore mbetet ajo në tokë. Më tej kreu i qeverisë tha se së shpejti Shqipëria do të disponojë flotën e saj ajrore për përballimin e emergjencave natyrore.

“Ndërkohë që i gjithë Mesdheu ishte në flakë si asnjëherë më parë, në Francë, Portugali, Greqi e Itali. U dogjën qindra mijëra hektarë tokë, kurse Turqia numëroi dhe viktima. Parafytyroni që BE del nga kjo verë me mijëra hektarë tokë të bëra shkrumb e hi. Prandaj kur dëgjojmë që shajnë Shqipërinë, duhet të kenë parasysh që avionët nuk janë magjistarë, por ndihmës të cilët nuk na kanë munguar nga mbështetja e BE, ku Shqipëria bën pjesë me të drejta të plota. Avionët janë një krah i fuqishëm, ku ne do të kemi së shpejti flotën tonë, e cila do të jetë me dy avionë zjarrfikës. Por, kryesorja jonë është forca në tokë”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

Vetoja e presidentit polak kundër ndihmave për refugjatët ukrainas shkakton stuhi politike

By: Rovena
27 August 2025 at 10:41

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, e ka përdorur veton kundër një projektligji për ndihma për refugjatët ukrainas, duke shkaktuar stuhi politike në këtë vend të Evropës Qendrore, i cili është një nga aleatët më të afërt të Kievit në luftën kundër pushtuesit rus.

Nawrocki, i cili shpesh ka ngritur çështje të ndërlikuara historike midis Varshavës dhe Kievit, e përdori të martën veton ndaj një projektligji që, duke filluar nga 1 tetori, do t’ua mohonte refugjatëve ukrainas në Poloni të drejtën për të punuar.

Sipas kritikëve, ky veprim i tij do të bëjë që refugjatët të bëjnë punë të padeklaruar dhe Qeveria polake do të humbë të ardhura nga taksat si pasojë. Të hënën, Nawrocki paraqiti gjithashtu plane për ta kufizuar qasjen e refugjatëve ukrainas në përfitimet për fëmijë dhe kujdesin shëndetësor.

I zgjedhur pas një fushate që pasqyronte disa prej politikave të presidentit amerikan, Donald Trump, Nawrocki ka premtuar një politikë “Polonia e Para”, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve për të drejtat e të huajve në vendin që është anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Politikani konservator u zgjodh pasi mposhti ngushtësisht në rundin e dytë kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, në zgjedhjet e 1 qershorit.

Rezultati i zgjedhjeve përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin Donald Tusk, i cili është aleat i ngushtë i Trzaskowskit dhe mbështetës i zëshëm i Ukrainës.

Edhe vetë Nawrocki ka shprehur mbështetje për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Por, ai ka thënë se i është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një qëndrim që duket se polakë po e ndajnë gjithnjë e më shumë.

Megjithëse në përgjithësi e mbështesin betejën e Kievit kundër Rusisë, shumë polakëve u ka humbur durimi me fluksin e rreth 1.5 milionë refugjatëve të luftës nga Ukraina dhe kostot e lidhura me ta.

Vendimet e Nawrockit kanë nxitur kritika nga mbështetësit e Ukrainës brenda Qeverisë polake.

“Vendimi i tij minon stabilitetin e ekonomisë, kohezionin social, detyrimet ndërkombëtare të Polonisë dhe sigurinë e të gjithë vendit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Polonisë.

Ministria shtoi se vendimi për të vënë veton ndaj projektligjit për ndihmën për refugjatët ukrainas mund të krijojë shpenzime shtesë prej 2.18 miliardë dollarësh, duke ushtruar trysni shtesë mbi një buxhet tashmë të tendosur.

“Askujt nuk do t’i sjellë përfitim kjo veto. Të ardhurat e buxhetit do të jenë më të ulëta dhe shpenzimet më të larta se tani”, thuhet më tej në deklaratë.

Zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski shkroi në X se “në Rusi janë të lumtur me përpjekjet e presidentit Nawrocki për ta bllokuar mbështetjen për Ukrainën!”

“Nuk na është dashur të presim gjatë për veprimet e presidentit të ri që mbështesin imperializmin rus”, shtoi ai.

VIDEO/ IKMT “zbarkon” në Dhërmi, në fokus shembja e një objekti që kishte dalë nga leja e ndërtimit

By: Rovena
27 August 2025 at 10:17

IKMT ka “zbarkuar” mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e Drimadhës në Dhërmi. Në fokus të këtij aksioni është shembja e një objekti me konstruksion metalik.

Objekti sipas IKMT ka dale jashtë lejes së ndërtimit . Shembja e objektit do të kryhet me mjetet e IKMT dhe jo me shpërthim.

Aksioni i IKMT vijon prej disa ditësh ndërsa në fokus shembja e objekteve që nuk janë klasifikuar nga legalizimi ose nuk kane leje ndërtimi./abcnews.al

Qëlluan me armë zjarri në drejtim të policisë/ Gjykata e Durrësit lë në burg Ardit Domin dhe Leonard Çalin

By: Rovena
27 August 2025 at 10:04

U përfshinë në një përplasje të dhunshme me policinë, lihen në burg, Ardit Domi dhe Leonard Çali. Gjykata e Durrësit ka vendosur si masë sigurie “arrest në burg” për dy të rinjtë, të cilët qëlluan me armë zjarri në drejtim të forcave te policisë, teksa këta të fundit u ishin vënë në ndjekje.

Kur policia tentoi të ndalonte mjetin, Domi dhe Çali refuzuan t’i bindeshin urdhrit duke u larguar me shpejtësi. Në Vorë, automjeti doli nga rruga, por dy të rinjtë vijuan rezistencën, duke hapur zjarr, dyshohet me kallashnikov në drejtim të efektivëve.

Përballë kësaj situate, policia u kundërpërgjigj me armë. Si rezultat, Ardit Domi mbeti i plagosur, ndërsa Çali u neutralizua dhe përfundoi në pranga.

Ata u paraqitën të dy para togave te zeza në gjykatën e Durrësit, edhe pse Ardit Domi me plagë të rënda që pësoi gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Ai ka marrë një plumb në qafë./abcnews.al

Situata e zjarreve në vend/ Gjatë orëve të fundit 14 vatra zjarri, 2 ende aktive

By: Rovena
27 August 2025 at 09:58

Strukturat e Mbrojtjes Civile, të ndihmuar edhe nga Forcat e Armatosura po vijojnë intensivisht punën në terren për përballimin e situatës së zjarreve në disa qarqe të vendit.

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 14 vatra zjarri, nga të cilat: 11 vatra janë shuar plotësisht, 2 vatra janë ende aktive dhe 1 vatër është nën monitorim të vazhdueshëm

Vatrat aktive janë në zonat:  Zona e Akërnisë (Delisuf, Novoselë), Bashkia Vlorë. Aktualisht, situata në zonën e Akërnisë është nën kontroll dhe e qetë. Operacionet në terren po vijojnë që në orët e para të mëngjesit me angazhimin e 2 automjeteve zjarrfikëse me 10 efektivë nga MZSH Vlorë, 21 forca bashkiake, 3 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 përfaqësues nga AdZM, 3 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë dhe 40 trupa nga FA. Helikopteri i Emirateve të Bashkuara Arabe është aktualisht në operim.

Momentalisht nuk vlerësohet i nevojshëm ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe pjesërisht në zonën e ish- fazanerisë. Vatra ka tym të shtuar për shkak të djegies së trungjeve dhe pishave në terren.

Zona e Bogovës, Bashkia Skrapar. Edhe pse intensiteti i zjarrit ka qenë më i ulët, nuk është arritur izolimi i plotë gjatë natës së kaluar. Sot vatra është në monitorim të punonjësve zjarrfikës Skrapar dhe Shërbimit Pyjor. Deri tani janë djegur rreth 18 hektarë pyll. Nuk ka rrezik për banesa.

Zona e Pezë Helmësit, Bashkia Tiranë. Vatrat janë të izoluara dhe të minimizuara, pa përbërë aktualisht rrezik të shtuar.

Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim./abcnews.al

 

Yesterday — 26 August 2025Main stream

KE i përgjigjet kërcënimeve të Trump për tarifa doganore: BE ka “të drejtën sovrane” për sektorin e teknologjisë

By: Rovena
26 August 2025 at 15:27

Komisioni Evropian deklaroi këtë të martë, 26 gusht, se Bashkimi Evropian ka “të drejtën sovrane” për të rregulluar sektorin e teknologjisë, pas kërcënimeve të Donald Trump për vendosjen e tarifave doganore ndaj vendeve që, sipas tij, synojnë kompanitë amerikane të teknologjisë.

Presidenti amerikan sulmoi një ditë më parë vendet dhe organizatat që rregullojnë sektorin e teknologjisë, duke i kërcënuar me tarifa dhe kufizime eksporti. Edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt BE-në, kjo e fundit ka arsenal juridik më të fuqishëm në botë për rregullimin e tregut digjital.

“Është e drejtë sovrane e BE-së dhe e shteteve anëtare që të rregullojnë aktivitetet ekonomike në territorin tonë, në përputhje me vlerat tona demokratike”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho.

Komisioni gjithashtu hodhi poshtë akuzat e administratës Trump dhe gjigantëve të teknologjisë për “censurë”, duke i quajtur ato “plotësisht të pabazuara”.

 

Rusia sulmon një minierë ukrainase, 150 minatorë të bllokuar nën tokë

By: Rovena
26 August 2025 at 15:00

Një sulm rus në një minierë ukrainase raportohet se ka vrarë një punëtor, ka plagosur tre të tjerë dhe ka bllokuar  rreth 150 minatorë nën tokë.

“Sulmi dëmtoi ndërtesat dhe pajisjet e ndërmarrjes, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike”, u citua të thoshte DTEK, investitori më i madh privat i energjisë në Ukrainë, nga media lajmesh Kyiv Independent.

“Në atë kohë, 146 minatorë ishin nën tokë; ngjitja e tyre në sipërfaqe është duke vazhduar”, shtoi DTEK në lidhje me grevën kundër objekteve të saj.

Firma e energjisë nuk specifikoi vendndodhjen e saktë të minierës së prekur, megjithëse kreu i sindikatës Mykhailo Volynets tha më parë se 148 minatorë mbetën të bllokuar nën tokë pas një sulmi rus në Dobropillia, Donetsk./abcnews.al

Ministria e Mbrojtjes: Është vënë në kontroll vatra e zjarrit në segmentin Laç-Lezhë

By: Rovena
26 August 2025 at 14:43

Vatra e zjarrit e rënë në një objekt biznesi në krahë të segmentit Laç-Lezhë është vene nën kontroll.

Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet një njoftimi zyrtar informon se po punohet për fikjen e plotë të saj.

Forcat zjarrfikëse mbeten të angazhuara në terren. Kujtojmë se zjarri i rënë në segmentin Laç-Lezhë u përhap me shpejtësi i favorizuar edhe nga era, duke rrezikuar kështu edhe disa banesa që ndodheshin aty pranë./abcnews.al

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar/ Kapen në Itali me qëllim ekstradimin dy vëllezër shqiptarë

By: Rovena
26 August 2025 at 14:23

Në kuadër të operacionit “The Wanted”, kapen në Itali dhe arrestohen me qëllim ekstradimin në Shqipëri, dy vëllezër, të cilët ishin shpallur në kërkimn ndërkombëtar. H. alias E. L., 35 vjeç. Gjykata e Durrësit, në muajin janar 2022, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Ai akuzohet se në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, më datë 07.02.2021, ka vjedhur me dhunë, një automjet, një shumë parash dhe një celular, në ambientet e një fabrike qumështi. Gjithashtu, ka ndihmuar të fshihej shtetasin H.H, i shpallur në kërkim për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”;

H., 31 vjeç. Gjykata e Dibrës, në muajin korrik 2020, e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2019, shtetasi K. H. është kapur në flagrancë brenda një sere në Martanesh, ku kishte kultivuar fidanë narkotikë në 1324 gota plastike. Nga dënimi, këtij shtetasi i kanë mbetur për të vuajtur dhe 1 vit, 6 muaj e 15 ditë.

Interpol Tirana dhe Interpol Roma po kryejnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri.

Australia akuzon Iranin për dy sulme të vitit të shkuar

By: Rovena
26 August 2025 at 14:11

Australia ka njoftuar se do ta dëbojë ambasadorin e Iranit nga shteti, pas dyshimeve për përfshirjen direkte të qeverisë iraniane në sulmet antisemitike në Sydney dhe Melbourne.

Kryeministri Anthony Albanese ka thënë se sulmet ishin “akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme të agresionit, të orkestruara nga një shtet i huaj”. Askush nuk ishte lënduar në sulmet që ndodhën vitin e kaluar.

Shefi i organizatës së Inteligjencës së Sigurisë në Australi, Mike Burgess, ka thënë se informatat që posedon agjencia e tij janë se Irani ka shumë gjasa të ketë qenë prapa sulmeve ndaj komunitetit hebre në incidentet në Australi.

Ambasadori Ahmad Sadeghi dhe tre zyrtarë të tjerë iranianë janë urdhëruar të largohen nga Australia brenda shtatë ditësh. Irani nuk ka komentuar akuzat.

Është hera e parë që Australia ka dëbuar një ambasador që prej Luftës së Dytë Botërore. Albanese po ashtu ka thënë se qeveria e tij do t’i shpallë Trupat e Gardës Revolucionare Iraniane si organizatë terroriste.

VIDEO/ Zjarri në afërsi të superstradës Lezhë-Milot, raportohet për dëme të shumta materiale

By: Rovena
26 August 2025 at 13:51

Flakët që kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe me shkurre dhe ferra pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë-Milot, janë përhapur me shpejtësi duke kërcënuar edhe disa banesa e një restorant që ndodhet aty afër.

Në vendin e ngjarjes ndodhet forcat zjarrfikëse të cilat po luftojnë me flakët për të bërë të mundur neutralizimin e flakëve. Siç shihet dhe nga pamjet e siguruara nga gazetari i ABC News, Gjergj Figuri, dëmet materiale janë të konsiderueshme. Ndërkohë që fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar./abcnews.al

Rama, gati qeveria e re/ Meçe: Misioni i tij është të përgatisë ndryshime të reja

By: Rovena
26 August 2025 at 13:43

Analisti Arben Meçe i ftuar në “News Line” në ABC News, komentoi të reja e fundit sa i takon ndryshimeve që pritet të bëjë kryeministri i vendit Edi Rama, për nisjen e legjislaturës së re parlamentare.

Meçe tha se kryeministri në një mënyrë apo në një tjetër ka paralajmëruar ndryshime. Analisti shtoi se pritet të shohim një qeveri me një natyrë të panjohur më parë për ne, ku do të lartësohet të gjitha figurat politikë që kanë spikatur. Sipas Meçes, kësaj here jo si zgjatime të Ramës, por si figura individuale.

“Pjesën tjetër e vë në dyshim nëse kanë një forcë të pavarur. Rama duhet të përgatisë një strukturë të re evidente. Ministrat nuk duhet të jenë teknikë, duhet që të jenë edhe politikë. Ky është misioni i Ramës. Unë mendoj se Rama në kuadrin e gjithë kësaj skeme që ndërton, qeveria do të jetë e një natyre të panjohur që ne jemi mësuar të shikojmë. I ka dhënë shenjat, por mendoj të mos e vazhdojë këtë skemë në qeveri, sepse ministrat duhet që të jenë ikonat. Rama në kuadër të këtij plani, do të bëjë që këto figura që kanë arritur të evidentohet, do i ngrejë në nivele të larta, por jo si zgjatimi i Ramës, por si individë më vete. Në parim jo më qeveri teknike”, tha analisti./abcnews.al

“Beteja e Berishës, justifikimi i humbjes”, Meçe: Në Parlament do të hyjë me strategjinë e zhurmës

By: Rovena
26 August 2025 at 13:36

Në një intervistë për “News Line” në ABC News, analisti Arben Meçe ka komentuar zhvillimet më të fundit në opozitë, duke theksuar se strategjia politike e Sali Berishës është e përqendruar tek justifikimi i humbjes dhe prodhimi i zhurmës.

Sipas tij, Berisha nuk synon më fitoren, por ruajtjen e një ndikimi të vetëm personal në të djathtën shqiptare. Meçe thekson se opozita ka dështuar të paraqitet si një alternativë reale për qytetarët dhe se veprimet aktuale nuk i shërbejnë ndërtimit të një opozite funksionale, por vetëm tensionimit të qëllimshëm të skenës politike.

“Justifikimi i humbjes është e gjithë beteja e Berishës. Doktorit i intereson që të justifikojë humbjen. Ajo që është më kryesorja është e nesërmja se çfarë parlamenti do të kemi. Strategjia e Berishës është që të prodhojë sa më shumë gjëra për të prodhuar një opozitë që nuk vjen vetëm nga Berisha. Situata politike është ‘pro-Rama’, ‘anti-Rama’, nuk ka anë tjetër. Pritshmëria më pozitive është që t’u jepet hapësirë këtyre partive që t’u jepet terren. Por, pse Berisha po krijon këto grupe?!

Berisha edhe kur nuk është në Parlament dhe e ke në televizor për gati 6 orë. Berisha e ka pasur gjithmonë të njëjtën strategji. Berisha e ka pasur gjithmonë të njëjtën strategji, çdo opozitë të re e ka neutralizuar për të qenë e vetmja frymë e djathtë në Shqipëri. Por, cila do të jetë strategjia e Berishës në parlament?! Unë mendoj se Berisha nuk di të bëjë gjë tjetër vetëm se të bëjë rrëmujë në Parlament. Do të vazhdojnë që të kërkojnë komisione nga më absurdet.

Asnjëherë opozita nuk u ngrit në një perceptim që qytetari ta shihte si zgjidhjen e probleme të tij, ky ishte dhe shkaku që opozita nuk fitoi kurrë. PD asnjëherë nuk u prodhua si një alternativë zgjidhje. Kërkojnë të marrin fitoren në tavolinë, por nuk funksionon kështu. Duan të fitojnë nëpërmjet zhurmës. Farsa e Berishës ra dhe nuk ka qytetar në Shqipëri që ta besojë atë”, tha analisti Meçe./abcnews.al

VIDEO/ Zjarr pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë–Milot, flakët rrezikojnë banesat përreth

By: Rovena
26 August 2025 at 13:15

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ferra pranë një biznesi në afërsi të superstradës Lezhë–Milot.

Për shkak të përhapjes së flakëve nga era, në rrezik janë edhe disa banesa përreth, si dhe një restorant i madh dasmash që ndodhet pranë zonës së përfshirë nga zjarri.

Forca të shumta zjarrfikëse janë angazhuar në terren për të penguar përhapjen e flakëve dhe për t’i vendosur ato nën kontroll.

Deri më tani nuk raportohet për dëme në njerëz, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për të vënë nën kontroll flakët./abcnews.al

xAI e Elon Musk padit Apple dhe OpenAI për shkelje të ligjeve të konkurrencës

By: Rovena
26 August 2025 at 10:27

Kompania xAI e Elon Musk ka ngritur padi ndaj Apple dhe OpenAI, duke i akuzuar se kanë shkelur ligjet amerikane të konkurrencës përmes një marrëveshjeje që, sipas saj, pengon konkurrencën në fushën e inteligjencës artificiale. Kjo padi hap një kapitull të ri në përplasjen mes miliarderit dhe dy prej kompanive më të fuqishme në teknologji.

Në qendër të padisë është marrëveshja që Apple ka lidhur me OpenAI për të integruar chatbot-in ChatGPT në asistentin zanor Siri, si dhe në veçori të tjera të pajisjeve të saj, përfshirë ato të shkrimit dhe kamerës. Sipas padisë së paraqitur të hënën në një gjykatë federale në SHBA, ChatGPT është bërë jo vetëm zgjedhja e paracaktuar, por edhe e vetmja teknologji AI e këtij lloji me integrim të drejtpërdrejtë në iPhone.

“Kjo marrëveshje i ka dhënë OpenAI akses ekskluziv në miliarda kërkesa të mundshme nga përdoruesit,” thuhet në dokumentin ligjor të firmosur nga xAI dhe kompania tjetër e Musk, X (ish-Twitter).

Padia përforcon përplasjen në rritje mes Musk dhe Sam Altman, drejtuesi ekzekutiv i OpenAI dhe një ish-bashkëpunëtor i tij. Ajo përfshin edhe Apple në këtë përballje të gjatë mes miliarderëve rivalë.

Sipas padisë, marrëveshja mes Apple dhe OpenAI është “e paligjshme” dhe u mohon rivalëve aksesin e njëjtë te përdoruesit. Ajo gjithashtu pretendon se Apple nuk ka qenë inovative në fushën e inteligjencës artificiale, duke përmendur edhe vështirësitë në lançimin e platformës së saj “Apple Intelligence”.

Gjithashtu, Apple akuzohet për manipulim të renditjes së aplikacioneve në App Store dhe për vonesa të qëllimshme në përditësimin e aplikacionit Grok të zhvilluar nga xAI, për të dëmtuar konkurrencën.

Megjithëse Apple ka deklaruar më herët se planifikon të bashkëpunojë edhe me kompani të tjera të AI, përveç OpenAI, deri tani nuk është bërë publike asnjë marrëveshje e re pas integrimit të ChatGPT në dhjetor 2024. Apple ka zhvilluar bisedime me Google për të integruar Gemini, por pa rezultate konkrete.

Zëdhënësi i OpenAI, duke reaguar ndaj padisë, tha: “Kjo është në vazhdën e një sjelljeje të vazhdueshme ngacmuese nga z. Musk.”

Ndër të tjera, padi akuzon OpenAI për mbajtje të një monopoli në tregun e chatbot-ëve me inteligjencë artificiale.

Apple nuk ka komentuar menjëherë mbi çështjen. Kur Musk paralajmëroi padinë më herët këtë muaj, Apple deklaroi se App Store është “i ndërtuar për të qenë i drejtë dhe paanshëm”.

Padia e së hënës shkon më tej, duke akuzuar Apple për mbrojtje të pozitës së saj monopoliste në tregun e telefonëve inteligjentë, përmes pengimit të zhvillimit të “super-aplikacioneve” të fuqizuara nga AI aplikacione që mund të konkurrojnë me grupin tradicional të aplikacioneve që gjenerojnë të ardhura të mëdha për kompaninë.

Kjo padi pason një tjetër proces gjyqësor të ngritur nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë ndaj Apple vitin e kaluar, që e akuzon gjithashtu kompaninë për frenimin e inovacionit të aplikacioneve të avancuara.

Musk ka reaguar ashpër edhe kur u njoftua marrëveshja Apple-OpenAI në qershor 2024, duke e cilësuar atë si një “shkelje të papranueshme të sigurisë”, që do t’i jepte OpenAI akses në të dhënat e përdoruesve të iPhone. Ai madje kërcënoi se do të ndalonte pajisjet Apple në ambientet e kompanive të tij.

Marrëdhëniet mes Musk dhe Apple janë tensionuar më parë. Pas blerjes së Twitter në nëntor 2022, Musk akuzoi Apple se kishte kërcënuar të hiqte aplikacionin nga App Store. Më vonë, ai kritikoi edhe komisionin 30% që Apple merr nga blerjet dixhitale.

Përplasja u zbut pas një takimi me shefin ekzekutiv të Apple, Tim Cook. Megjithatë, në nëntor 2023, tensionet u rindezën kur Apple ishte mes kompanive që tërhoqën reklamat nga platforma X. Reklamimi është rikthyer që prej atëherë.

Padia përbën gjithashtu një sulm tjetër të Musk ndaj OpenAI, një kompani të cilën ai ndihmoi në themelimin e saj në vitin 2015, por që e la në vitin 2018 pas një përplasjeje me Altman. Musk themeloi xAI në vitin 2023 dhe e bashkoi këtë vit me platformën X.

Në një tjetër proces gjyqësor në Kaliforni, Musk e akuzon OpenAI se ka tradhtuar misionin e saj jofitimprurës në ndjekje të përfitimeve financiare. Më herët këtë vit, ai bëri një ofertë për të blerë asetet kryesore të OpenAI, që u refuzua. Një dokument i fundit gjyqësor zbuloi se ai kishte tentuar të përfshinte në këtë ofertë edhe shefin ekzekutiv të Meta-s, Mark Zuckerberg.

Po këtë muaj, Musk e ka quajtur Altman “gënjeshtar” për pretendimet se ai ka manipuluar platformën X për të promovuar postimet e tij. Musk i është përgjigjur duke thënë: “Postimi yt pati më shumë shikime se shumë prej të miave, megjithëse unë kam 50 herë më shumë ndjekës se ti!”

Në padi theksohet gjithashtu se OpenAI dhe Apple kanë përdorur platformën X për të përhapur dezinformata mbi skemën e tyre të dyshuar anti-konkurruese.

❌
❌