Partia Republikane në Teksas ka votuar për lëshimin e urdhrave të arrestit ndaj dhjetëra ligjvënësve demokratë, të cilët janë larguar nga shteti për të penguar një projektligj që synon rishikimin e kufijve të zonave elektorale.
Guvernatori republikan i Teksasit, Greg Abbott, ka urdhëruar trupat e policisë shtetërore “të gjejnë, arrestojnë dhe të rikthejnë në sallën e Dhomës çdo anëtar që ka braktisur detyrën ndaj qytetarëve të Teksasit”.
Abbott ka kërcënuar gjithashtu se do të ngrejë akuza për ryshfet ndaj ligjvënësve demokratë që mund të kërkojnë fonde publike për të mbuluar gjobën ditore që u vendoset për bojkotimin e Dhomës. Çdo ligjvënës i munguar gjobitet me 500 dollarë në ditë.
Plani për të rishkruar hartën elektorale pritet të shtojë pesë zona të reja me prirje republikane në Dhomën e Përfaqësuesve në Uashington DC, ku republikanët aktualisht kanë një shumicë të ngushtë.
Për të zhvilluar një votim, në Dhomën me 150 anëtarë të legjislaturës së Teksasit kërkohet prania e dy të tretave të anëtarëve. Ky kuorum u bë i pamundur pasi më shumë se 50 ligjvënës demokratë u larguan nga shteti.
Shumica e demokratëve janë zhvendosur në Illinois, ku guvernatori i këtij shteti, JB Pritzker, deklaroi se “do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur secilin prej tyre”, duke iu referuar kërcënimeve për arrest nga guvernatori Abbott.
Demokratët janë shprehur se synojnë të qëndrojnë jashtë Teksasit për dy javë, deri në përfundimin e seancës së posaçme legjislative. Megjithatë, votimi për lëshimin e urdhrave të arrestit ka qenë kryesisht simbolik, pasi urdhrat vlejnë vetëm brenda territorit të Teksasit.
Ky vendim i jep kompetenca zyrtarit të sigurisë së Dhomës dhe policisë shtetërore për të arrestuar ligjvënësit mungesë dhe për t’i sjellë në ndërtesën e Kuvendit në Austin. Ligjvënësit nuk përballen me ndonjë akuzë civile apo penale për shkak të këtyre urdhrave.
Ligjvënësi demokrat nga Teksasi, Ron Reynolds, deklaroi për BBC nga Çikago se kërcënimi për arrestim është “asgjë më shumë se një taktikë frikësuese”.
Guvernatori Abbott ka paralajmëruar se ligjvënësit që refuzojnë të kthehen mund të përballen me akuza penale. “Do të konsiderohej ryshfet nëse ndonjë ligjvënës do të merrte para për të vepruar ose për të mos vepruar në kuadër të legjislaturës”, deklaroi ai për Fox News.
Abbott shtoi se sipas disa raportimeve, ligjvënësit demokratë kanë kërkuar dhe ofruar para për të shmangur votimin dhe për të ndërmarrë veprime politike, gjë që, sipas tij, përbën ryshfet.
Ligjvënësi republikan i Teksasit, Brian Harrison, kritikoi demokratët për pretendimet se rishikimi i hartës po bëhet mbi baza racore. “E pabesueshme, cinike, e pandershme, një marrëzi e plotë,” u shpreh ai për BBC.
Sipas Harrison, “këta demokratë duhet të arrestohen” dhe të përballen me “masa të tjera ndëshkuese”./abcnews.al