THETH- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka reaguar sërish mbi aksionin e ndërmarrë në pikën turistike të Thethit për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Ai theksoi se forcat e xhenios do vijojnë të qëndrojnë në Theth deri në largimin e mbeturinës së fundit.
Sipas Ramës, mbetet edhe një godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj “marrëzie kriminale”.
Shefi i qeverisë pohon se ka nisur “Rilindja Urbane 2.0”, të cilën e shikon si një domosdoshmëri jetike për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Ka nisur sot në Theth me mbështetjen e forcave të xhenios, pastrimi i mbetjeve inerte të ekzekutimit të vendimeve në ngarkim të 40 subjekteve që kishin mbjellë mbi 100 ngrehina pa leje – nga ato me mure tek ato me kontruksion metalik e me dru – në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone dhe të turizmit që kanë kultivuar në vite ata që kanë sakrifikuar për ta bërë Thethin destinacionin që është sot.
Forcat e xhenios nuk do të largohen nga Thethi deri kur të jetë hequr edhe mbeturina e fundit, ndërkohë që mbetet edhe nje godinë masive për t’u shembur, që të përmbyllet ekzekutimi i plotë i vendimeve të IKMT dhe rikthimi i Thethit në normalitetin e para kësaj marrëzie kriminale.
Ka filluar Rilindja Urbane 2.0 si domosdoshmëri jetike për Shqipërinë 2030 në BE”, tha ai./abcnews.al