Dyshohet se përdori forcë të tepruar gjatë arrestimit të disa personave, IPK rekomandon suspendimin e një polici në Ferizaj
Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve kanë pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës për një incident në Ferizaj.
Në njoftim thuhet se ngjarja ka ndodhur mbrëmë para mesnatës kur disa zyrtarë policorë edhe pse e kishin sinjalizuar ndaljen e një veture e njëjta nuk ishte ndaluar.
Sipas informacioneve të para raportohet se pas disa minutave të përcjelljes nga policia e njëjta veturë është ndaluar dhe se në këtë veturë ndodheshin tre qytetarë.
“Hetuesit e IPK-së kanë dale në vendin e ngjarjes dhe kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore lidhur me këtë rast pasi që dyshohet se gjatë arrestimit të personave të dyshuar ka tejkalime të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor ndaj njërit të dyshuar (drejtuesit të automjetit) i cili ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Më tej, theksohet se hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor” kurse pas konsultave me prokurorinë rasti do të trajtohet në procedurë të rregullte.
Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së dhe në interes të hetimit IPK ka rekomanduar suspendimin e këtij zyrtari policor.
Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti./Telegrafi/
The post Dyshohet se përdori forcë të tepruar gjatë arrestimit të disa personave, IPK rekomandon suspendimin e një polici në Ferizaj appeared first on Telegrafi.