TIRANË, 8 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot shembullin e Taulant Pupës, i cili është kthyer nga emigrimi dhe ka hapur në Shqipëri fabrikën e qumështit “Vita”.
Kryeministri u shpreh se, “Taulanti e la Shqipërinë në moshën 14-vjeçare për të studiuar në Itali, por kur erdhi momenti për të zgjedhur, nuk qëndroi atje – vendosi të kthehej dhe të investonte në vendin e tij”.
“Sot, falë përkushtimit dhe vizionit, ai ka ndërtuar një histori suksesi me standarde evropiane dhe beson se edhe i biri mund të rritet e të arsimohet në një Shqipëri që ofron mundësi”, shkruan Rama.
Taulanti thekson se, “vitet e para ishin tmerrësisht të vështira. Fillimi, viti i parë njëherë nuk e imagjinoja dot dhe kur jam kthyer semestrin e parë të shkollës së mesme nuk doja të kthehesha vetëm qaja, më vinte keq, si do iki sepse nuk e kisha ndjerë asnjëherë çfarë do të thotë të largohesh nga familja jote. Dhe isha dhe i vogël dhe nuk e dija”.
“Babai im duke parë që tregu në Shqipëri në vitin 2002 kishte nevojë për inovacion dhe për informacion, pa dijeninë time fare, duke luajtur futboll në arë më ka thënë do shkosh në shkollë në Itali”, thotë ai.
“Kam mbaruar institutin agrar “Giusepe Garibaldi” në Romë për specialist agrar, më pas kam vazhduar studimet në Universitetin “Sapienza”, aty kam mbaruar bachelorin për Ekonomi-Financë dhe masterin e kam për Inovacion, Menaxhim dhe Ndërkombëtarizim ndërmarrjesh”, thotë Taulanti.
Ai tregon se është kthyer në vitin 2014 në Shqipëri. “Gjëja e parë që bëra investova në makineri. Në momentin kur ishin duke u vendosur makineritë, normalisht po ndryshohej nga një proces pune artizanal i vjetër, në një proces të automatizuar”, shprehet ai.
Taulanti tregon se në fillim pati debate me babanë lidhur me makineritë e reja, por shton ai, “kur u vu procesi i punës në punë u pa që produkti që po dilte ishte shumë më cilësor, i pastër dhe dolën produkte të reja, nga një investim që ne nuk e prisnim. Por nga ky investim që u duk shumë i tmerrshëm që do të falimentonim, sot ja ku jemi në treg me standardet evropiane”.
Ai tregon se vendosi të kthehej pasi pa sakrificën e prindërve të tij dhe i vinte keq ta linte drejt zhdukjes
“Shqipëria në fushën e biznesit po ecën me hapa të mëdha. Në ushqim shohim që AKU-ja është shumë përpara me sa ka qenë në vitet e kaluara, flas për këtë 10 vjeçar që jam unë në tregun shqiptar”, thotë ai, teksa shtoi se, “sot mund të themi sesi fillon cikli dhe si mbyllet i një produkti”.
“Më përpara nuk flitej fare çfarë bëhet me mbetjet, si përpunohen ujerat. Sot nëse shohim edhe këtu kemi një trajtim të ujërave bashkëkohorë dhe shumë të mirë që i përshtatet Ministrisë së Mjedisit”, thekson Taulanti.
Për tatimet, thotë ai, “kemi një ndryshim rrënjësor. Përpara shumë vitesh nuk pritej kuponi sot nuk bëhet fjalë të mos pritet kuponi dhe sistemi i fiskalizimit është një nga sistemet më të mira që ne kemi sot që na e lehtëson punën maksimalisht”.
Taulanti gjithashtu tregon se ka një djalë të vogël 3 -vjeçar që ka lindur në Shqipëri.
“Do të doja që ai të studionte në Shqipëri, pasi edhe Shqipëria mund t’i ofrojë ato standarde në të cilat kam studiuar edhe unë. Do mundohem që të bëhet një djalë i mirë, të studiojë dhe të ketë pasion po këtë punë si gjyshi dhe i ati”, përfundon Taulanti. /j.p/
The post Taulanti la Italinë ku studioi, ngriti sipërmarrje në vendlindje, Rama: Histori suksesi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.