Pasuri me origjinë kriminale, sekuestrohet 1052 m2 truall në Durrës
TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dije se është sekuestruar në Durrës, një pasuri e dyshuar se është përfituar nga veprimtaritë kriminale.
Në një njoftim, Policia bën me dije se seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bëri ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, për konfiskimin e pasurisë në përdorim të shtetasit L. K.
Policia thekson se këtij shtetasi iu sekuestruan 1050 m2 truall, si dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë.
“Pasuria iu dorëzua Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prezencë të familjarëve të shtetasit L. K”, thuhet në njoftim.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi L. K. i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaria kriminale e 2 djemve të tij, të cilat janë të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Dy vëllezërit janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
/e.i/j.p/
The post Pasuri me origjinë kriminale, sekuestrohet 1052 m2 truall në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.