Roma dhe Manchester City në bisedime për yllin e madh argjentinas
Claudio Echeverri po pret ende shansin e madh në Evropë dhe ai mund të vijë larg Anglisë. Talenti argjentinas, në pronësi të Manchester City, nuk është në planet e menjëhershme të Pep Guardiolës.
Skuadra e Cityt është e mbushur me lojtarë të gatshëm dhe Guardiola nuk pritet t’i ofrojë 18-vjeçarit minutat e nevojshme për t’u zhvilluar.
Duke përfituar nga kjo situatë, Roma ka lëvizur për të siguruar shërbimet e tij. Klubi italian ka kërkuar zyrtarisht huazimin e Echeverrit për sezonin e ardhshëm.
Sipas Tuttosport, propozimi i Romës përfshin edhe një opsion blerjeje, çka mund të hapte rrugën që ai të qëndrojë më gjatë në kryeqytetin italian.
Ky transferim do të ishte i dobishëm si për lojtarin ashtu edhe për Romën. Echeverri ka nevojë për minuta në ekipin e parë për të ruajtur vendin e tij në orbitën e kombëtares argjentinase.
Në më pak se një vit do të zhvillohet Kupa e Botës dhe mesfushori ofensivë dëshiron të jetë i pranishëm me Kombëtaren e Argjentinës.
Nëse marrëveshja realizohet, Echeverri do të kishte mundësinë të tregojë vlerat e tij në një kampionat kërkues si Serie A, duke fituar përvojë që nuk mund ta marrë te Manchester City.
Mediumi italian raporton se dy klubet janë në negociata të avancuara dhe se transferimi mund të kompletohet në ditët e ardhshme. /Telegrafi/
The post Roma dhe Manchester City në bisedime për yllin e madh argjentinas appeared first on Telegrafi.