Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Shpërndante kokainë në Vlorë, arrestohet 22-vjeçari

Një i ri është arrestuar nga policia e Vlorës, pasi shpërndante lëndë narkotike në lagje të ndryshme në qytet.

22-vjeçari u arrestua në lagjen “Hajro Çakëri” në Vlorë, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjetën edhe 12 doza kokainë gati për shitje.

Sakaq materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

“Berisha përmes korrupsionit mund të arrijë gjithçka”/ Demalia: PD-në e ka si “biznes” të vetin

Analisti Ilir Demalia është shprehur me kritika ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Demalia theksoi se Berisha sipas tij, njihet për dëmet e mëdha që i ka shkaktuar vendit, duke rikujtuar edhe ngjarjet e 21 janarit, si edhe Gërdecin.

Sa i përket ndikimit të Berishës tek opozita, në intervistën në “News Line” në ABC News, Demalia tha se Partinë Demokratike e ka kthyer në biznes të vetin.

“Asnjë pritje më të mirë. Fakti që një njeri që ka qenë 13 vite në pushtet dhe ka bëma të mëdha gjakësore, duke nisur me vrasjet në Bulevard, Gërdecin, drejtësia për mendimin tim le të bërtasë “Duman Duman”, por duhet t’i japë përgjigje pyetjeve, çfarë bëhet me dosjen 21 janari dhe Gërdeci? Si ka mundësi një Fatmir Mediut “rrotullon” gjithë hallkat. Janë 27 vetë të vrarë. Si lejohet kjo dosje, Sali Berisha? Si lejohet Shkëlzen Berisha? Si? Këto tolerohet. Atëherë kam të drejtë të dyshoj që me fuqinë e parasë që ka Berisha, bën tollovi? Ku keni parë në botë që ai që është i akuzuar të vendosë si do bëhet procesi gjyqësor? Ka ardhur një kohë që duhet t’i thuhet mjaft dhe të merren masa emergjente”, tha ai.

/abcnews.al/

Lirimi i hapësirave publike/ “Aksioni, shembull i shtetit ligjor”, Demalia: Kushdo që shkel ligjin të dënohet

Analisti Ilir Demalia e ka cilësuar aksionin për lirimin e hapësirave publike si të domosdoshëm.

Gjatë një intervistë në “News Line” në ABC News, Demalia kritikoi ashpër “zaptimin” që është bërë ndër vite në shumë zona në kryeqytet. Ai theksoi se duhet të veprojë forca e ligjit në raste të tilla, pasi vendi është kthyer në një katrahurë. Por gjithashtu vuri edhe “gishtin” e përgjegjësisë edhe tek qytetarët, duke theksuar se në shumë raste kanë abuzuar duke mos mbrojtur vendin.

“Kjo katastrofë nuk është bërë këto dy vite por ka qenë 35-vjeçare. Nëse ne do të marrim një masë për të rregulluar një gjë, duhet bërë me parapërgatitje. Mirë drejtorët janë të korruptuar, por po qytetari vetë a ka ndërgjegje? Ne kemi masakruar gjithë bregdetin, tani ka nisur me Thethin. Thonë që ka pronën e vet, ku ka pronë në oborr të Kishës? Ne kemi probleme si popull që nuk reagojmë për të ruajtur komunitetin tonë. Problemi është që ne jemi në një moment kritik. Duhet të nisë urgjentisht nga Vermoshi deri në Konispol. Kështu nuk mund të vazhdojë më. Tani kemi një media dhe një opozitë që ka dalë kundër. Këto njerëz që kanë bërë këto ndërtime kanë paguar dhe ndoshta jemi dakord që mosfunksionimi i administratës ka sjellë këtë. Kryeministri Rama po bënë gjënë më të mirë, e ka këtë të drejtë të veprojë me pushtetin lokal. Kjo besoj është pesha e mandatit të 4 dhe mandateve që ka. Ne jemi vetëshkatërrues, është fakt. Hajde të lëvizim, edhe në vende jashtë, ka ndërtime, por nuk abuzohet”, tha ai.

/abcnews.al/

EMRI/ Sherr gjatë natës në Tiranë, 23-vjeçari përfundoi me plagë në spital

TIRANË- Një sherr është regjistruar gjatë natës, në kryeqytet. Sipas policisë, një 23-vjeçar rreth orës 00:50 është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore.

Dyshohet se gjatë konfliktit 23-vjeçari Arben Ujka është dëmtuar me mjet prerës dhe pasi ka marrë trajtimin mjekësor është transportuar në banesë. Ndërkohë hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Sakaq materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

Aksident me vdekje në Dibër

Dibër- Një aksident ka ndodhur në dalje të qytetit të Peshkopisë.

Shoferi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka rënë disa metra poshtë rrugës.

Si pasojë e dëmtimeve të marra, drejtuesi i automjetit ka humbur jetën, gjatë transportimit për në spitalin e Traumës Tiranë.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

/abcnews.al/

“Universiteti s’mund të ketë drejtime të ndryshme”/ Rama të rinjve: UBT, kategoria më e nevojshme

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të rinjve që të bëhen pjesë e Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Rama nënvizoi se programet e UBT, janë kategoria më e domosdoshme sidomos përballë ndryshime klimatike dhe jo vetëm me të cilat po përballet bota dhe gjithashtu që kanë prekur edhe Shqipërinë.

“Universiteti ka një kokë ka një drejtim, s’mund të ketë 17 koka dhe vizione të ndryshme. Duhet ta kthejmë në një rregull për të gjithë, vizionar në këtë katër anët ka vetëm në çmendinë. Në jetën reale, ka vizion, mision dhe përgjegjësi, kjo do jetë temë e reformës së arsimit të lartë. Të gjithë maturantët që janë ambicioz dhe me rezultate të lartë ju them që juristë ka plot Shqipëria, por profesioni për tema që sot janë më të nxehta, nuk ka mjaftueshëm janë shumë pak dhe ata pak që janë pedagog në UBT. Pra mund të bëhen pjesë e kategorisë që do të jetë më e nevojshme për Shqipërinë që më pas i ke të hapura dyert qoftë në Shqipëri ose në Austri. Jurist? Harrojeni, në rastin më të mirë do të përfundosh në një sekser gjykatash”, tha mes të tjerash Rama.

/abcnews.al/

“Në 2030 UBT do të jetë antena e BOKU-t”/ Rama: Shqipëria në BE ka nevojë për atë që përgatit Universiteti Bujqësor i Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në aktivitetin për Universitetin Bujqësor të Tiranës me synimin që “UBT2030”, të bëhet antena rajonale e BOKU-t.

Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama ka vlerësuar UBT dhe punën e deritanishme të stafit, ndërsa theksoi domodoshmërinë që të rinjtë të bëhet pjesë e programeve të këtij universiteti.

“Kemi jo një konsulent por një bashkëudhëtar që i di të gjitha ato për të cilat ne kemi nevojë, falë Bardhi Sallakut që mos ngatërrohemi, se këta Bardhët e djathtë janë lloj-lloj, ky është Bardh i ndriçuar. Ne arritëm të kemi një reformë që ka bërë diçka radikale, ka spostuar procesin e bërjes së kurrikulave nga duart e shefave të Departamenteve në duart e një komisioni të brendshëm dhe të vetë studentëve. Mua më bind që në 2030 UBT dhe Bokut do jenë një dhe UBT do të jetë antenat e BOKU-t. Shqipëria që së shpejti anëtarësohet në BE ka nevojë për ata që përgatit Universiteti Bujqësor i Tiranës sepse Shqipëria njësoj si Europa dhe gjithë bota përballet me ndryshime klimaterike”, tha mes të tjerash Rama.

/abcnews.al/

Veliaj zyrtarisht i pandehur nga SPAK/ Të mërkurën kryebashkiakut do t’i komunikohen akuzat

TIRANË- Erion Veliaj është tashmë zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Gazetari Ermal Vija tha për “ABC News” se kryebashkiakut Veliaj do t’i komunikohet akuzat të mërkurën, ora 11:00.

Ndërkohë këtë të martë në SPAK është paraqitur edhe biznesmeni Elman Abule i shoqëruar nga avokatja e tij Romina Zano.

Abule dyshohet nga SPAK se ka kryer veprën penale “pastrim parash”./abcnews.al

Tiranë/ Shërbime dentare me preparate të skaduara, në pranga administratori dhe një stomatolog

Një aksion i policisë së Tiranës ka vënë në pranga administratorin e një klinike dentare dhe një stomatolog, pasi është zbuluar se kryenin shërbime dentare, duke përdorur preparate të skaduara. Gjithashtu janë proceduar 12 punonjës klinikë, ndërsa janë sekuestruar preparate dhe materiale që përdoreshin për këto shërbime që ishin të skaduara.

Në pranga kanë rënë Ervin Zeka 40 vjeç, dhe shtetasi Kejdi Myzyri 26 vjeç.

Ambientet e subjektit ndodheshin në rrugën e Kavajës në Tiranë, dhe ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

/abcnews.al/

“OSHEEGroup” miraton skemat lehtësuese për shlyerjen e faturave të papaguara deri në 31 dhjetor 2023

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group) ka miratuar skema të reja lehtësuese (aktmarrëveshje) për shlyerjen me këste të detyrimeve të prapambetura nga faturat e energjisë elektrike.

Përmes aktmarrëveshjeve, OSHEE Group ofron mundësinë e pagesës së detyrimeve të akumuluara deri në 31 dhjetor 2023, duke mbështetur shtresat më të ndjeshme dhe biznesin e vogël. Skemat lehtësuese janë hartuar me kujdes të veçantë për t’u ardhur në ndihmë atyre familjeve dhe bizneseve që ndodhen në kushte më të vështira ekonomike, duke mundësuar një rrugë të drejtë dhe të realizueshme drejt shlyerjes së detyrimeve.

Kush janë përfituesit?

Aktmarrëveshjet përfshijnë: klientët familjarë me ndihmë ekonomike, pensionistët kryefamiljarë dhe personat me status të veçantë, të cilët mund t’i shlyejnë detyrimet me këste fikse mujore që nisin nga 1,200 lekë. Klientët e tjerë familjarë do të përfitojnë këste fikse mujore që nisin  nga 2,800 lekë.

Për të ruajtur një standard të përballueshëm aq sa dhe të drejtë, numri maksimal i kësteve do të jetë jo më shumë se 240 këste. Në çdo rast klienti ka të drejtë të zgjedhë një këst pagese, me vlerë më të lartë se vlera minimale, duke iu përmbajtur kushtit prej maksimumi 240 këstesh.

Klientët jofamiljarë (privat, buxhetorë dhe jobuxhetorë), do të paguajnë me këste të përcaktuara në bazë të shumës së detyrimit, si me poshtë.

 

Skema për Klientët Jofamiljarë, 2025

Numri i kësteve Vlera e detyrimit
24 këste 100,000 – 500,000 lekë
48 këste 500,001 – 1,000,000 lekë
60 këste 1,000,001 – 5,000,000 lekë
84 këste 5,000,001 – 10,000,000 lekë
120 këste mbi 10,000,000 lekë

 

Reduktimi i kamatëvonesave

OSHEE Group ka miratuar gjithashtu reduktime të kamatëvonesave për klientët që zgjedhin shlyerjen e të gjithë detyrimit me një këst të vetëm:

  • Klientët familjarë përfitojnë reduktim në masën 70% të kamatëvonesës.
  • Klientët jofamiljarë (buxhetorë dhe jobuxhetorë), përfitojnë reduktim në masën 50%.
  • Biznesi i vogël, përfiton falje të plotë (100%) të kamatëvonesës, nëse likuidon të gjithë detyrimin menjëherë.

Kushtet për Pjesëmarrje në Skemat Lehtësuese dhe Rregullat e Zbatimit

Për të përfituar nga skemat lehtësuese të miratuara nga OSHEE Group, klientët debitorë duhet t’i kenë shlyer detyrimet e vitit 2024 dhe në vijim, përpara nënshkrimit të marrëveshjes për detyrimet e prapambetura deri më 31 dhjetor 2023.

Me nënshkrimin e marrëveshjes, klienti duhet të kryejë pagesën e këstit të parë brenda 7 ditëve kalendarike dhe më pas të vijojë me pagesa mujore të rregullta deri në shlyerjen e plotë të detyrimit.

Këto masa përfaqësojnë një shprehje konkrete të angazhimit social të OSHEE Group për të mbështetur qytetarët në përballimin e vështirësive financiare dhe për të krijuar një marrëdhënie më të drejtë dhe të qëndrueshme me klientët.

Njëkohësisht, përmes zbatimit të këtyre skemave, synohet të forcohet edhe qëndrueshmëria financiare e kompanisë, si një parakusht për ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe cilësore në të ardhmen.

Vendimi për këto skema u miratua nga Këshilli Mbikëqyrës i OSHEE Group, pas shqyrtimit të propozimit të paraqitur nga administratori Enea Karakaçi, në zbatim të vendimit nr. 4876/4, datë 16.07.2025, të Asamblesë së Përgjithshme të Aksionarit, “Mbi miratimin e Skemave të Marrëveshjeve për pagesën me këste (ose një këst) të detyrimeve të prapambetura të klientëve debitorë për kategorinë familjare/jofamiljare gjatë vitit 2025”.

OSHEE Group fton të gjithë klientët debitorë të përfitojnë nga skemat lehtësuese, duke u paraqitur pranë qendrave të Kujdesit ndaj Klientit të FSHU-së, pjesë e OSHEE Group, për të lidhur aktmarrëveshjen përkatëse sipas kategorisë së tyre.

EMRAT/ Përndiqnin ish-të dashurat, dy të arrestuar në Tiranë, një prej tyre kanos edhe familjarët, i lë fishekë në banesë

Dy shtetas janë arrestuar nga policia e Tiranës për përndjekje.

Sipas policisë, një 34-vjeçar dyshohet se ka përndjekur ish-të dashurën e tij në rrjete sociale. Klauden Muçogllava 34-vjeçari  gjithashtu ka kanosur familjarë të saj duke iu lënë dy fishekë arme gjahu në oborrin e banesës.

Në pranga ka rënë  28-vjeçari Egzon Poka pasi Gjykata e Tiranës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përndjekja”, sepse akuzohet se ka përndjekur në rrjete sociale, ish të dashurën e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/abcnews.al/

VIDEO/ Zjarri në malin e Shkopetit ende aktiv, zjarrfikësit ndërhyjnë për neutralizimin e vatrave

Zjarri që ka përfshirë malet në Shkopet vijon të mbetet ende aktiv. Flakët janë përhapur edhe gjatë natës në një perimetër të konsiderueshëm.

Ndërkohë ekipet zjarrfikëse, forcat Ushtarake si edhe disa njësi nga bashkia Kurbin kanë punuar gjatë gjatës, por pa mundur të shuajnë zjarrin.

Në këtë zonë është ndërhyrë edhe me helikopter, por flakët janë ndihmuar edhe nga era e forta në zonë. Zjarri gjatë natës ka përfshirë edhe zonën e Lurthit dhe atë të Ulzës.

Ndërsa mëngjesin e sotëm sërish ka nisur operacioni për neutralizimin e vatrave të zjarrit që janë aktive prej disa ditësh, pranë Parkut Natyror.

/abcnews.al/

Aksident në Shkodër, makina del nga rruga dhe përplaset me një dyqan, 4 të plagosur

Një aksident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në aksin rrugor “Shëngjin-Velipojë”, në fshatin Rrjoll.

Një shtetas ka humbur dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një dyqan.

Nga aksidenti janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, dhe 3 pasagjerë (familjarë të tij), të cilët janë dërguar për mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

/abcnews.al/

Të mërkurën mbahet raundi tjetër i bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës

Bisedimet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, të para pas shtatë javësh, janë planifikuar për të mërkurën në Turqi

Zelensky kërkoi më herët gjatë ditës për një impuls më të madh në negociata. Agjencia ruse e lajmeve TASS citoi një burim në Turqi duke thënë se bisedimet do të zhvillohen të mërkurën. Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve RIA, gjithashtu duke cituar një burim, njoftoi se bisedimet do të zgjasin dy ditë, të enjten dhe të premten.

Kremlini tha se po priste konfirmimin e datës për bisedimet, por shtoi se të dy palët ishin “totalisht të kundërta” në pozitat e tyre për mënyrën e përfundimit të luftës.

Zelensky theksoi në fjalimin e tij të natës se kishte biseduar me Rustem Umerov, sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare të Ukrainës, të hënën, për të përgatitur një shkëmbim të të burgosurve dhe një takim tjetër me Rusinë në Turqi.

Zjarri në malin e Dukatit, asfiksohen tre zjarrfikës, transportohen në spital

Tre zjarrfikës në Vlorë janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore. Kjo për shkak se kanë pasur probleme me frymëmarrjen, asfiksi për shkak të tymit që ka përfshirë zonën si pasojë e zjarrit të rënë në malin e  Dukatit.

Tre zjarrfikësit pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, raportohet se janë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Zjarri në Dukat vijon prej tri ditësh dhe në vend janë të angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura si edhe 17 efektivë të zjarrfikësve por edhe punonjës të emergjencave civile Vlorë dhe të pyjores.

/abcnews.al/

GJKKO përgënjeshtron Berishën/ Gjykata: Nuk kemi asnjë përplasje me SPAK

Gjykata e Posaçme ka përgënjeshtruar çdo pretendim apo aludim për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përgënjeshtruar në këtë mënyrë deklaratat e ish-kryeministrit Sali Berisha.

Në një reagim zyrtar, sqaron se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale.

Po ashtu sqarohet se marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Reagimi i plotë:

Në përgjigje të interesit publik/mediatik mbi dosjen “Partizani”, në ngarkim të të pandehurve Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja, Andia Pustina, “Studio Pustina”, “Studio Homeplan” dhe “Shoqëria Kontakt”, si dhe raportimeve të ditës së sotme në disa media lidhur me një konflikt institucional të supozuar, ndërmjet Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar z. Altin Dumani dhe një prej gjyqtareve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kjo gjykatë sqaron me vendosmëri dhe qartësi se një konflikt i tillë nuk ekziston dhe as nuk ka ekzistuar.

Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës.

Gjykata e Posaçme thekson se nuk ekziston asnjë konflikt institucional apo personal me ndonjërën prej palëve në çështjen penale të sipërcituar, përfshirë Prokurorinë e Posaçme. Marrëdhënia midis gjykatës dhe të gjitha palëve është e bazuar në respektimin e rolit dhe kompetencave përkatëse të secilit subjekt procedural, në funksion të zhvillimit të një procesi të rregullt dhe të drejtë gjyqësor.

Kjo gjykatë funksionon si një organ gjyqësor tërësisht i pavarur dhe i paanshëm, në përputhje me parimet themelore kushtetuese dhe ligjore të shtetit të së drejtës. Pavarësia e gjyqtarëve është e sanksionuar në nenin 145 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe në legjislacionin organik për sistemin e drejtësisë, përfshirë ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Gjyqtarët e kësaj gjykate gjykojnë mbi bazën e provave, duke interpretuar ligjin me paanësi, profesionalizëm dhe integritet të lartë, të udhëhequr vetëm nga bindja e tyre e brendshme dhe nga ligji, të lirë nga çdo ndikim i jashtëm apo trysni politike dhe mediatike. Theksojmë se çdo ndërhyrje e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në punën e gjykatës përbën jo vetëm cenim të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve, por edhe shkelje të rendit kushtetues dhe ligjor në vend.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar një drejtësi të drejtë, të barabartë dhe të pavarur për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Ne do të vijojmë me vendosmëri punën tonë në respekt të plotë të Kushtetutës dhe ligjit, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie ndaj publikut, por pa lejuar në asnjë rast që kjo transparencë të kthehet në mjet presioni apo cënimi të integritetit të vendimmarrjes gjyqësore.

❌