Nga Gazeta ‘SI’ – Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë ka kundërshtuar ndryshimet në Kodin Penal dhe ka njoftuar kontestim në Gjykatën Kushtetuese.
Kryetari i Dhomës, Maks Haxhia e ka cilësuar si “represiv” Kodin e ri Penal dhe duke shprehur se na rikthen në kohën e komunizmit.
“Kodi që lamë pas në kohën e diktaturës po ta krahasojmë me dënimet ka dënime represive… Nuk ka logjikë që ta pranojë që një kod i tillë i cili është inkuizitor, me dispozita marramendëse, me dënime marramendëse, me teknikë juridike që s’e pranon asnjë mendje profesionale që të jetë ky një draft që do ta pranojë Europa. Ky në të gjithë aspektin e vet është në diskordancë me legjislacionin penal europian”, tha avokati.
Haxhia u shpreh se Kodi i propozuar ka “dispozita konfuze, të paargumentuara dhe të paorientuara”.
“Janë bërë nene që nuk i pranojnë dhe janë tepër diskriminuese siç është neni 537 që bien ndesh me parimet e Dhomave të Avokatisë. Ata që kanë bërë këtë ligj nuk e njohin avokatinë. Nëse e njohin do jetë turp për ata që e kanë bërë, që nuk dinë një gjë që avokatia është një profesion i lirë, i vetëdrejtuar, i vetëadministruara dhe i pavarur. janë katër shtylla që nuk i ka ligji shqiptar si shpikje, por i ka sjellë eksperienca legjislacioni ndërkombëtar”, tha Haxhia.
Haxhia bie dakord se për momentin nuk ka qenë nevoja për krijimin e një kodi të ri. Problem është procedura penale dhe burimet njerëzore.
Ndër të tjera Haxhia kërkoi të mos kalojë drafti në Kuvend. Ai theksoi se Kodi i ri duhet t’i nënshtrohet jo vetëm një diskutimi në opinion, por mbi të gjitha me aktorët në fushën e drejtësisë.
“Gushtin do punoj për të argumentuar teknikisht qëndrimin e Dhomës për të dalë në përfundim në një material që do ua bëjmë prezent të gjithë forcave politike në parlament duke kundërshtuar me forcë të mos kalojë ky draft, komisionit të ligjeve, organizatës sonë ku Shqipëria bën pjesë në ÇBE që është organizata e Dhomave të Avokatisë së BE-së ku Shqipëria është me status të veçantë”, tha Haxhia, i cili theksoi se mjeti i fundit do të jetë Gjykata Kushtetuese, por shpreson që çështja të mos shkojë deri aty.
Një ditë më parë, rezerva për Kodin e ri shprehu edhe kryeprokurori Olsian Çela, i cili tha se masat e ashpëra që parashikohen, rrisin potencialin për kriminalizimin e individëve.
“Fryma e përgjithshme në draft për të zgjeruar rrethin e veprimeve që kategorizohen si të rrezikshme në një masë të tillë sa të klasifikohen si vepra penale e të dënohen me burgim, tregon një tendencë represive që rrit potencialin e kriminalizimit të individit në shoqëri e që sjell pasoja të rëndësishme në jetën e qytetarëve“.
Në reagimin e tij Çela thekson se përpara çdo diskutimi mbi një draft të ri, do të ishte e domosdoshme një reflektim i gjerë shoqëror mbi vetë nevojën për ndryshim. Sipas tij, drafti i ri nuk i ka paraprirë një proces reflektimi mbi vlerat që duhet të përfaqësojë një kod penal në një shoqëri demokratike. Ai thekson se ndryshimi i kodit duhet të burojë nga një nevojë e thellë historike dhe jo si veprim i nxituar institucional, që rrezikon të minojë funksionimin e drejtësisë.
The post Dhoma e Avokatëve kundërshton Kodin e ri Penal: Represiv! Do e çojmë në Kushtetuese! appeared first on Gazeta Si.