Kosto marramendëse/ Spiunazhi i kushton Australisë 8 miliardë dollarë në vit
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Australiane të Inteligjencës së Sigurisë (ASIO), Mike Burgess, ka zbuluar se spiunazhi i kushtoi vendit 12.5 miliardë dollarë australian (rreth 8 miliardë dollarë amerikan) në vitin fiskal 2023-2024.
Duke folur në një aktivitetet në Adelaide, Burgess tha se spiunët e huaj kibernetikë vodhën gati 2 miliardë dollarë australian (rreth 1.2 miliardë dollarë amerikan) në sekrete tregtare dhe pronë intelektuale nga kompanitë dhe bizneset australiane midis viteve 2023 dhe 2024.
“Spiunazhi i kushtoi ekonomisë australiane 12 miliardë e gjysmë dollarë në vitet 2023-2024. Kjo përfshin kostot direkte të incidenteve të njohura të spiunazhit, siç është vjedhja e pronës intelektuale e sponsorizuar nga shteti, si dhe kostot indirekte të kundërveprimit dhe reagimit”, tha Burgess në një transkript të publikuar nga ASIO.
Shifrat e fundit, sipas tij, vijnë nga një raport i Institutit Australian të Kriminologjisë, i prodhuar në partneritet me ASIO-n.
“Spiunazhi i heq zgjedhjet dhe mundësitë sovrane australiane. Ai gërryen vendimmarrjen tonë. Ai dëmton ekonominë tonë”, theksoi ai.
Vendet e përmendura në raport përfshijnë Rusinë, Kinën, Iranin dhe një numër shtetesh të paemërtuara.
Ai zbuloi se Moska mbetet një kërcënim i vazhdueshëm, me oficerë të padeklaruar të inteligjencës nga Rusia të larguar në vitin 2022 dhe dy australianë të lindur në Rusi të akuzuar për spiunazh vitin e kaluar.
Sipas tij, spiunazhi ndikon në të gjitha sektorët, nga infrastruktura kritike te industritë e mbrojtjes dhe universitetet.
Burgess pretendoi se shërbimet e huaja të inteligjencës po tregojnë një interes shumë “të pa shëndetshëm” për partneritetin AUKUS dhe aftësitë e lidhura me të.
“Dhe me AUKUS-in, ne nuk po mbrojmë vetëm aftësinë tonë sovrane. Ne po mbrojmë edhe aftësinë kritike të përbashkët nga dhe me partnerët tanë”, tha ai.
Shefi i spiunazhit australian paralajmëroi se aktualisht tre persona janë para gjykatave me akuza të lidhura me spiunazhin dhe mund të ketë më shumë nëse dikush përpiqet të kompromentojë AUKUS-in.
Në shtator të vitit 2021, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia nënshkruan paktin AUKUS, sipas të cilit Canberra do të merret nëndetëse me energji bërthamore për Marinën Mbretërore Australiane.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në qershor nisi një shqyrtim të paktit AUKUS prej 368 miliardë dollarësh australian (rreth 247 miliardë dollarë amerikan) për të vlerësuar nëse ai përputhet me prioritetet e tij të politikës “Amerika e Para”.
Megjithatë, Australia javën e kaluar njoftoi se ka nënshkruar një traktat afatgjatë me Mbretërinë e Bashkuar për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të partneritetit të nëndetëseve bërthamore AUKUS, duke vendosur kornizën për 50 vjet bashkëpunim.