Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Klubi i Serie A ofron 20 milion euro për Mirlind Dakun

✇Albeu
By: V K

Sulmuesi i Kombëtares  Mirlind Daku, po shkëlqen në nisjen e sezonit me Rubin Kazanin dhe kjo nuk ka kaluar pa u vënë re nga klubet e mëdha europiane.

Daku ka shënuar pesë gola dhe ka dhuruar një asist në pesë ndeshjet e para mes kampionatit dhe Kupës së Rusisë.

Sipas Telegrafi, Fiorentina ka nisur kontaktet me Rubin Kazanin për transferimin e 26-vjeçarit.

‘Vjollcët’ po përgatiten për largimin e Moise Kean drejt Arabisë Saudite dhe e shohin Dakun si zëvendësuesin ideal.

Drejtori sportiv Daniele Prade ka zhvilluar biseda edhe me agjentin e lojtarit, Shkumbin Qorrmemeti.

Edhe pse Daku ka rinovuar së fundmi deri në vitin 2029 dhe është lojtari më i paguar i klubit rus (2 milionë euro në sezon pa bonuse), një ofertë prej rreth 20 milionë euro mund të bindë Rubin Kazanin për ta lënë të lirë.

Interesimi i Fiorentinës mbetet i hapur, ndërsa tri javët e fundit të merkatos pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.

Në të kaluarën, Dakun e ka kërkuar edhe Zenit St. Petersburg, ndërsa ka pasur oferta nga Turqia, të cilat i refuzoi për të qëndruar te Rubin Kazan.

The post Klubi i Serie A ofron 20 milion euro për Mirlind Dakun appeared first on Albeu.com.

Zjarr i përmasave të mëdha afër fshatit Sojnik në Gramsh

✇Albeu
By: V K

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, një vatër zjarri me përmasa të mëdha është shfaqur në afërsi të fshatit Sojnik, pjesë e bashkisë Gramsh.

Sipas banorëve të zonës, zjarri ka përfshirë një masiv pyjor të dendur.

Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse është pothuajse e pamundur, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së aksesit rrugor.

Zjarri vijon të përhapet me shpejtësi, për shkak të erërave dhe thatësirës që ka përfshirë rajonin në ditët e fundit.

Autoritetet lokale janë në dijeni të situatës dhe kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar nga banorët.

Ende pritet ndërhyrja nga ajri.

The post Zjarr i përmasave të mëdha afër fshatit Sojnik në Gramsh appeared first on Albeu.com.

Shembet me tritol një objekt tre katësh pa leje në Vlorë

✇Albeu
By: V K

Ky është momenti i shpërthimit të një objekti trekatësh në zonën e Radhimës. Prej më shumë se 4 javësh, në mbarë vendin ka nisur aksioni për objektet e ndërtuara në kundërshtim me ligjin.

IKMT në vijim të punës së saj, ndërhyri pak ditë më parë në një objekt tre katësh në zonën e Radhimës, i cili u shemb me tritol.

Për demolimin e këtij objekti janë hapur 410 furnela, janë shtrirë 1,100 metra linearë fitil detonant dhe është planifikuar vendosja e 32 kilogramëve lëndë plasëse.

Ndërkohë që për mbarëvajtjen e procesit në kulmin e sezonit turistik, shpërthimi u krye në orët e para të mëngjesit ku në aksin Vlorë-Orikum qarkullimi u ndërpre, si dhe furnizimi me energji elektrike u ndërpre 15 minuta përpara shpërthimit.

Sipas IKMT, ky objekt buzë detit rezulton pa lejen përkatëse.

The post Shembet me tritol një objekt tre katësh pa leje në Vlorë appeared first on Albeu.com.

Aksident me vdekje në Dimal, shoferi largohet nga vendngjarja (EMRI)

✇Albeu
By: V K

Mbrëmjen e djeshme, një aksident ka ndodhur në Dimal, në urën e re mbi lum. Sipas informacioneve, një 57-vjeçare, e cila po kalonte rrugën me delet, është përplasur për vdekje nga një automjet, i cili e ka lënë të shtrirë në rrugë dhe është larguar nga vendngjarja.

Thëllëza Caushi, banore e Dimalit, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, që kanë kryer kqyrjen e vendngjarjes, pas identifikimit të kufomës.

Policia konfirmon se janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth vendit të aksidentit, për të identifikuar mjetin që e shtypi dhe shoferin që ndodhej në drejtimin e automjetit.

The post Aksident me vdekje në Dimal, shoferi largohet nga vendngjarja (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

✇Albeu
By: V K

Sot, më 11 gusht 2025, dollari amerikan, blihet me 82.4 lekë dhe shitet me 83.8 lekë.

Euro, blihet me 96.4 lekë dhe shitet 97.5 lekë.

Franga zvicerane, këmbehet në blerje me 102 lekë, ndërsa në shitje me 103.5 lekë.

Sot, më 11 gusht 2025, dollari amerikan, blihet me 82.4 lekë dhe shitet me 83.8 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Temperatura përvëluese/ Parashikimi i motit 11 Gusht 2025, ja sa do të shënojë termometri

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët dhe me kohëzgjatje të orëve me diell në të gjithë territorin.

Temperaturat maksimale pritet të regjistrohen në Shkodër dhe Lezhë, prej 42 gradë celcius.

Era do të fryjë me drejtim Veriperëndim-Verilindje me shpejtësi mesatare 6 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës do të fitojë shpejtësi 8-12m/s

Deti pritet të ketë valëzim të forcës 1-2 ballë.

The post Temperatura përvëluese/ Parashikimi i motit 11 Gusht 2025, ja sa do të shënojë termometri appeared first on Albeu.com.

Barcelona, sezoni nis me probleme/ Tetë lojtarë nuk janë regjistruar ende për kampionatin

✇Albeu
By: V K

Nga jashtë duket se gjithçka po shkon në mënyrën më të mirë të mundshme, por Barcelona u kthye nga turneu i suksesshëm veror në Azi, ndërsa ka nisur përgatitjet për sezonin e ri të La Liga në kompleksin e saj sportiv.

Por kur mbeten vetëm pak ditë nga ndeshja e parë në kampionat kundër Mallorca më 16 gusht, mediat spanjolle nxjerrin në dritë problemet emergjente që klubi blaugrana duhet të zgjidhë.

Dhe bëhet fjalë për probleme të mëdha, siç është regjistrimi i të gjithë futbollistëve për sezonin e ardhshëm, përfshirë transferimet e verës, Marcus Rashford, Rony dhe Joan Garcia.

Po ashtu, duhet marrë një vendim edhe për Ter Stegen, me portierin dhe kapitenin në një konflikt të hapur me klubin gjatë javëve të fundit.

Të gjitha këto lidhen me problemet financiare që shoqërojnë Barcelonën. Gjatë vitit të fundit ato janë përmirësuar, por jo mjaftueshëm, ndërsa trajneri Hansi Flick ende nuk është i sigurt se cilët lojtarë do të ketë në dispozicion për ndeshjen e parë në La Liga.

Trajnerit gjerman i është shtuar edhe një problem tjetër. Robert Leëandoëski, është dëmtuar në seancën e parë stërvitore në shtëpi dhe është e sigurtë që do të mungojë në transfertën kundër Mallorca.

Ndërkohë, një tjetër çështje pa zgjidhje ka të bëjë me stadiumin “Camp Nou”. Rikonstruksioni i impiantit ka kaluar afatet.

Ai ishte parashikuar të inagurohej më 10 gusht, por në të vërtetë do të hapet vetëm për ndeshjen e dytë të kampionatit dhe me një kapacitet të reduktuar në vetëm 30 mijë tifozë.

Në këtë mënyrë, atmosfera që rrethon kampionët spanjollë në prag të sezonit të ri nuk është aq “rozë” sa duket nga jashtë.

The post Barcelona, sezoni nis me probleme/ Tetë lojtarë nuk janë regjistruar ende për kampionatin appeared first on Albeu.com.

Sulmi ndaj News24/ Reagon Ilir Meta: Akt kriminal i regjimit të “Ramaduros”

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme, policia rrethoi godinën e televizionit News24, duke ndaluar hyrjen e gazetarëve, pasi godina rezulton pronë shtetërore dhe do të përdoret për prodhimin e armëve.

Lidhur me këtë ngjarje, ka reaguar nga qelia Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, i cili e quan “një akt kriminal të regjimit të “Ramaduros”.

“Akti i sotëm kriminal ndaj fjalës së lirë dhe ndërprerja e dhunshme e sinjalit të televizionit “News 24” është një tjetër veprim tepër i rrezikshëm i regjimit represiv të “Ramaduros”, armik i egër i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Duke dënuar me vendosmëri këtë akt terrori të paralajmëruar ndaj medias së pavarur shpreh solidaritetin tim të plotë dhe të vendosur me gazetarët, të cilët sot janë të rrezikuar më shumë se kurrë për vendin e tyre të punës dhe për lirinë profesionale të ushtrimit me ndershmëri të misionit të tyre për informim të vërtetë dhe të paanshëm.

U bëj thirrje organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes të reagojnë fuqimisht për të dënuar këtë akt shumë të rëndë që na largon gjithmonë e më shumë nga Europa për ta kthyer vendin dekada pas në kohërat e errëta të diktatures totalitare dhe të izolimit të eger nga bota e qytetëruar”, shkruan Meta.

The post Sulmi ndaj News24/ Reagon Ilir Meta: Akt kriminal i regjimit të “Ramaduros” appeared first on Albeu.com.

Zbardhet ngjarja e plagosjes së 27-vjeçarit në Tiranë/ Policia arreston 3 persona, një në kërkim

✇Albeu
By: V K

Policia e Tiranës, ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në “Zonën e Treshit”, ku 27-vjeçari R. Ç, mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë.

Sipas burimeve policore, konflikti ka nisur për shkak të një borxhi të pashlyer.

Në vijim të hetimeve, janë arrestuar tre persona: B. N., 47-vjeç, A. L., 42-vjeç, dhe I. K., 51-vjeç. Njëri tjetër, me inicialet S. N., 35-vjeç, është shpallur në kërkim.

Tre të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Vrasje me dashje në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”. Ndërsa një prej tyre akuzohet edhe për “Moskallëzim krimi”.

Gjatë ngjarjes, gjatë një konflikti të çastit dhe për motive të dobëta, shtetasit B. N., A. L. dhe S. N. plagosën R. Ç., i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital. Një person tjetër, G. Sh., 42- vjeç, u dëmtua lehtë me sende të forta.

Policia ka sekuestruar një automjet dhe sende të tjera të kundërligjshme, që dyshohet janë përdorur nga autorët për të ikur nga vendi i ngjarjes.

Puna për kapjen e personit në kërkim dhe gjetjen e armës vazhdon nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Materialet procedurale janë referuar për veprime të mëtejshme ligjore.

The post Zbardhet ngjarja e plagosjes së 27-vjeçarit në Tiranë/ Policia arreston 3 persona, një në kërkim appeared first on Albeu.com.

Sulmi ndaj News24/ Gazetari “shpërthen” ndaj Ardi Veliut: Shok i ‘Escobarit’

✇Albeu
By: V K

Gazetari Armand Maho, ka reaguar ashpër pas agresionit policor ndaj News24, Balkanweb dhe Panorama, mëngjesin e kësaj të shtune.

Sipas tij, ky sulm është goditje ndaj lirisë së medias.

“Kjo është një goditje ndaj lirisë së medias. Mora vesh që në vend të News24 do ndërtojnë një fabrikë armësh. Si nuk gjeti një vend tjetër për tia dhënë Ardi Veliut, atij shokut të Escobarit”, tha ndër të tjera gazetari.

Nën drejtimin e shefit të “KAYO”, Ardi Veliu, policia mësyu godinën e “Focus Media Neës” dhe nxori me dhunë gazetarët jashtë.

Veprimet arbitrare vijuan edhe më tej, duke stakuar energjinë elektrike çka si rrjedhojë ndërpreu sinjalin e transmetimit.

The post Sulmi ndaj News24/ Gazetari “shpërthen” ndaj Ardi Veliut: Shok i ‘Escobarit’ appeared first on Albeu.com.

Fundi i një hakmarrjeje personale

✇Albeu
By: V K

Nga; Andi Bushati

Rreth shtatë vite më parë, pikërisht në të njëjtat mjedise ku sot u turrën forcat e policisë, për të mbyllur televizionin News 24, dhe për të penguar gazetarët të shkonin në punë, Edi Rama hyri si i ftuar i Ylli Rakipit. Ishte koha e kanabizimit të vendit dhe e shpërthimit të skandaleve të para korruptive, që kishin filluar ta gërvishtnin portretin e prijësit të 1 milionë shuplakave.

Me zakonin e tij të përhershëm, për të mohuar realitetin duke sulmuar ata që e vizatojnë atë, ai kishte hedhur në treg termin “kazan”, për të përshkruar ato media dhe gazetarë që nuk i shkonin pas fijes.

Në stilin e tij karakteristik, Rakipi e pyeti nëse edhe pronarët e mediave i konsideronte si të tillë. Shefi i qeverisë përdridhej dhe shmangej për të thënë nëse Sandri apo Vjollca duheshin quajtur kazan.

Radha i erdhi emrit të Irfan Hysenbelliut, pronarit të News 24, Panorama dhe Balkan Web. “Faji i vetëm i këtyre pronarëve është se mbajnë në punë gazetarë si ju” i’u përgjigj ai Rakipit, duke bërë një zgjedhje të qartë mes tij dhe Fanes.

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Për një kohë të gjatë që pas ndryshimit të fundit demokratik të pushtetit, mediat e Hysenbelliut e kishin marrë kthesën nga mbështetja për Berishën, në atë për zotin e ri të vendit.

Madje ato kishin përkrahur edhe aksionin e mbylljes së Agon Channel, që ishte një riprodhim mot a mot i skenave të tanishme.

Për këtë shërbim pronari i televizionit dhe mediave të shkruara kishte marrë në këmbim privilegje që nuk mund ti gëzonin të gjithë. Debitor i madh në disa prej bankave të rëndësishme të vendit, flitej se ai riskonte falimentimin.

Me porosi të shefit, disa ministra të qeverisë u angazhuan pranë bankave duke ushtruar fuqinë që jep pushteti për negocimin e peshës së kredive të tij. Lehtësimi për Irfan Hysenbelliun shkoi në miliona euro.

Por ky nuk qe privilegji i vetëm. Me firmën e vet, Edi Rama, lëshoi në plazhin e Golemit, njësoj siç pati bërë për kështjellën e Aleksandër Frangajt, leje abuzive për një hotel të ri tek ish Mak Albania.

Projekti i Prestige Resort, me bekimin e kryeministrit parashikonte zaptimin e rërës së plazhit, ndalimin e qytatarëve të kalonin lirisht përmes saj dhe prishjen e një kondicioni të ruajtur që nga kryeministrat Meksi, Nano, Meta e Berisha që betoni të mos ngrihej mbi nivelin e lartësisë së pishave karakteristike të zonës.

Flitet për të njëjtin vend ku, fotot e bëra publike demostrojnë një orgji ushqimoro-alkoolike mes Edi Ramës dhe Fanes.

Ajo drekë, imazhet e së cilës janë botuar me qindra herë, zhvillohej në të njëjtin vend, ku më pas u pretendua se ishin shkelur kondicionet e lejes së ndërtimit dhe ishin shmangur taksat.

Por, në kohën e dashurisë me botuesin kryeministrit nuk mund ti interesonin detaje të tilla. Ato ishin krejt të pa rëndësishme për sa kohë mediat i shërbenin qeverisë.

Askush nuk di të thotë me saktësi se çfarë ngjau mes tyre që nga koha e lehtësimit të kredive, lejes në Golem dhe fotos së famshme e deri kur ruspat ia behën tek hoteli luksoz, Prestige Resort, për të hequr mbeturinat e shpërthimit me dinamit, gjoja në emër të aksionit për çlirimin e hapsirave publike (çfarë ironie!).

Të vërtetën e dinë vetëm ata të dy, ndonëse disa hamendësojnë se hakmarrja e kryeministrit u nxit nga mbështetja pa leje që mediat e Fokus Grup i jepnin disa prej pjestarëve të skuadrës së tij, në dëm të rivalëve të tyre.

Të tjerë, që pretendojnë se dinë më shumë, flasin për inatin proverbial të Zeusit që në një përplasje telefonike me Hysenbelliun ka lëshuar fjalën “do të shkrij”, pasi ky i fundit me aventurizmin proverbial për të vënë baste me risk, kishte vendosur të mbështeste Lulzim Bashën në zgjedhjet e vitin 2021.

Asnjë nga këto versione nuk është i konfirmuar, me përjashtim të faktit se që nga ajo kohë i gjithë shteti i është vërsulur Irfan Hysenbelliut si një “armiku të popullit”.

Edhe për invadimin e sotëm të bashibozukëve me uniforme, njësoj për hedhjen në erë Prestige Resort para tre vitesh, sërish do të sërviren të njëjtat alibi.

Nga ata që duan, me çdo kusht, ta shohin Edi Ramën si një një diktator liberal, ngjarja nuk do të shihet si një raport i pushtetit me mediat, por si një çështje mospagimi taksash, apo nevoje shtetërore për të marrë një mjedis që i duhet për të prodhuar armë.

Pak rëndësi ka se qeveria Rama ka nxjerrë VKM që i fali me 1 euro pronarëve të mediave pasuri publike, pavarësisht se ajo u ka dhënë atyre godina shkollash për t`u shndërruar në altoporlantë të qeverisë, drama e ndëshkimit të trajektores aventureske të Irfanit, nuk duhet të figurojë askund si problem i shtetit të së drejtës dhe lirisë së fjalës.

Po ashtu sikur vetë Hysenbelliu bëri për rastin Bechetti, shumë gazetarë dhe media të mëdha do të mbyllin sot sytë për goditjen ndaj tij, pa e trajtuar atë ashtu siç është vërtetë, si një hakmarrje personale që buron nga pasionet e njeriu që ka kapur shtetin. Dhe historia do të vijojë të zhvillohet kështu deri sa të pastohet i gjithë ai që pothuajse një dekadë më parë u shpall me bujë si kazan.

The post Fundi i një hakmarrjeje personale appeared first on Albeu.com.

Trump njofton se do të takohet me Putinin më 15 gusht në Alaska

✇Albeu
By: V K

Ditën e djeshme, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi nëpërmjet Truth Social, se “takimi i tij i shumëpritur” me homologun e tij rus, Vladimir Putin, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht, në Alaska, duke shtuar se detajet rreth kësaj do të bëhen publike më vonë.

Zyrtarët amerikanë, përfshirë Trumpin, kanë informuar udhëheqësit evropianë dhe zyrtarët ukrainas rreth një plani të ofruar nga Putini, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë në këmbim të lëshimeve të rëndësishme territoriale nga Kievi, sipas zyrtarëve perëndimorë të informuar për këtë çështje.

Plani, të cilin Putini ia paraqiti të dërguarit të politikës së jashtme të Trumpit, Steve Witkoff, në një takim në Moskë të mërkurën, do të kërkonte që Ukraina të lëshonte rajonin lindor të Donbasit – pjesa më e madhe e të cilit është aktualisht nën pushtimin rus – si dhe Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014.

Trump foli dje, të premten, për një “shkëmbim territoresh” të mundshëm midis Ukrainës dhe Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të ardhshme midis dy vendeve ndërluftuese, pa sqaruar se sa larg kanë përparuar negociatat deri në këtë fazë.

“Do të ketë një shkëmbim territoresh në dobi të të dyve, por do të flasim për këtë më vonë”, tha presidenti amerikan në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se çështja “është e ndërlikuar, nuk është vërtet e lehtë”.Po flasim për një zonë që ka luftuar për tre vjet e gjysmë… një pjesë e saj do të rikuperohet”, tha ai, duke shmangur të jetë më specifik.

Trump, i cili kishte pranuar zhgënjimin e tij me presidentin rus në muajt e fundit për shkak të përshpejtimit të konfliktit, dukej më optimist për perspektivën e një marrëveshjeje paqeje të premten.

Dhe ai sugjeroi që fokusi i tij kryesor ishte negociimi i një fundi të armiqësive sa më shpejt të jetë e mundur.

“Udhëheqësit evropianë duan të shohin paqe”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Mendoj se Presidenti Putin dëshiron të shohë paqe dhe Zelensky dëshiron të shohë paqe”.

Ai më vonë shtoi: “Instinkti im më thotë vërtet se kemi një shans për paqe”.

The post Trump njofton se do të takohet me Putinin më 15 gusht në Alaska appeared first on Albeu.com.

Qëlloi me armë gjahu 22 kuaj në Parkun e Llogarasë/ Policia identifikon autorin, nisin hetimet

✇Albeu
By: V K

Ditën e djeshme, një ngjarje e rëndë është rregjistruar në zonën e Llogarasë, ku një tufë me kuaj dhe mushka që i përkisin fshatarëve të zonës së Dukatit, janë sulmuar me armë gjahu, (çifte), duke sjellë vrasjen e 7 prej tyre dhe plagosjen e 3 kafsheve te tjera.

Policia e Orikumit ka identifikuar dhe proceduar penalisht S. M., 55-vjeç, banues në Orikum, i dyshuar për plagosjen me armë gjahu të një kali në territorin e Parkut të Llogarasë.

Fillimisht, dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të një 46-vjeçari, por verifikimet zbuluan se ishte plagosur vetëm njëri prej tyre.

“Në vijim të dokumentimit të plotë për rastin e referuar në Prokurori, për veprën penale ‘Keqtrajtimi i kafshëve’, ku në territorin e parkut të Llogarasë, fillimisht dyshohej se ishin dëmtuar dy kuaj të shtetasit K. K., 46-vjeç, por nga verifikimet rezultoi se ishte dëmtuar njëri prej tyre, të cilit i ishin shkaktuar disa dëmtime nga armë gjahu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe nisjen e procedimit penal në ngarkim të tij, konkretisht ndaj shtetasit S. M., 55-vjeç, banues në Orikum”, njoftoi policia.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua, për ekzaminime të mëtejshme, edhe një armë gjahu në pronësi të shtetasit S. M.

The post Qëlloi me armë gjahu 22 kuaj në Parkun e Llogarasë/ Policia identifikon autorin, nisin hetimet appeared first on Albeu.com.

Rrethimi nga Policia/ Reagon “Panorama Group”: Ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare, kemi kontratë qiraje deri në vitin 2033

✇Albeu
By: V K

Pas bllokimit dhe ndërprerjes së aktivitetit mediatik, ka reaguar  shoqëria “Panorama Group” sh.a.        Në reagim thuhet se “Panorama Group” sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033.

Në reagim gjithashtu, theksohet se çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Shoqëria “Panorama Group” sh.a. shton se; ambientet janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga Ardi Veliu-shoqëria “Kayo” sh.a dhe policia, duke shkelur, sipas tyre, të drejtat kontraktuale dhe ligjore.

Sipas deklaratës, vendimi i Këshillit të Ministrave nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin “Panorama Group” sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo” sh.a.

Gjithashtu, “Panorama Group” sh.a. thotë se ky akt përbën ndërhyrje të paprecedentë në lirinë e medias, duke bllokuar transmetimin e Panorama TV, Gazetës Panorama dhe Panorama Sport, si dhe duke penguar gazetarët të hyjnë në ambientet e tyre të punës.

““Panorama Group” sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias”, thuhet në reagim.

Deklarata e plotë:

Sot, në orët e para të mëngjesit, ambientet e Shoqërisë “Panorama Group” sh.a. (Panorama TV, Gazeta Panorama, Panorama Sport dhe Panorama) janë bllokuar dhe i është ndërprerë furnizimi me energji elektrike, në shkelje flagrante të ligjit.

“Panorama Group” sh.a. ka respektuar në mënyrë të përpiktë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj Bashkisë së Tiranës dhe zotëron një kontratë qiraje të nënshkruar me ish-Ministrinë e Ekonomisë, e vlefshme deri në vitin 2033. Çdo veprim për prishjen e kësaj kontrate pa vendim gjykate është i paligjshëm.

Megjithatë, ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare nga z. Ardi Veliu- shoqëria “Kayo” sh.a dhe policia, duke shkelur të drejtat kontraktuale dhe ligjore të “Panorama Group” sh.a. Vendimi i Këshillit të Ministrave, ku z. Veliu pretendon të mbështetet, nuk përfshin godinën ku ushtron aktivitetin “Panorama Group” sh.a. dhe kjo pronë nuk ka kaluar kurrë në pronësi të “Kayo” sh.a.

Ky akt përbën ndërhyrje të paprecedentë në lirinë e medias, duke bllokuar transmetimin e Panorama TV, Gazetës Panorama dhe Panorama Sport, si dhe duke penguar gazetarët tanë të hyjnë në ambientet e tyre të punës. Si pasojë, pasqyrimi i lajmeve penguar dhe pajisjet tona teknike rrezikohen nga mungesa e energjise elektrike.

“Panorama Group” sh.a. dënon ashpër këtë veprim arbitrar dhe i bën thirrje autoriteteve shtetërore të ndërpresin menjëherë çdo veprim të paligjshëm, të rivendosin të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë sonë mediatike dhe të garantojnë respektimin e Kushtetutës së Shqipërisë, e cila garanton lirinë e medias.

The post Rrethimi nga Policia/ Reagon “Panorama Group”: Ambientet tona janë zaptuar në mënyrë arbitrare, kemi kontratë qiraje deri në vitin 2033 appeared first on Albeu.com.

Intervista/ Genard Hajdini rrëfen si u dhunua: Më goditi disa herë për… (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Në orët e para të mëngjesit të 3 gushtit, personazhi i njohur i rrjeteve sociale, Genard Hajdini, është dhunuar së bashku me babanë e tij, në ambientet e një lokali në kryeqytet.

Në një intervistë për Top Channel, pesë ditë pas ngjarjes, me hematoma ende në fytyrë, Genardi rrëfen sesi nisi konflikti ku fillimisht u dhunua babai i tij nga një klient në lokalin ku ndodhej, e më pas u dhunua edhe ai.

Genardi, i njohur për historinë e trishtë të jetës së tij, tregon se nuk ka konflikte me askënd dhe se rastin do e ndjekë deri në instancat më të larta të drejtësisë.

 

The post Intervista/ Genard Hajdini rrëfen si u dhunua: Më goditi disa herë për… (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Vrau fqinjin pasi e ngatërroi me derrin në arën me misra, arrestohet 53-vjeçari në Berat (EMRAT)

✇Albeu
By: V K

Policia e Beratit, ka arrestuar 53-vjeçarin Dhimitër Kuqi, i cili mbrëmjen e djeshme vrau aksidentalisht me armë gjahu fqinjin e tij në fshatin Bogdan, shtetasin Adriatik Toska, 57-vjeç.

Uniformat blu në Berati, raportojnë se mbi 53-vjeçarin rëndon akuza për kryerjen e veprës penale “Vrasje nga pakujdesia ”.

Dhimitër Kuqi, dyshohet se qëlloi me armë gjahu me qëllim për të vrarë një kafshë të egër, por nga pakujdesia plagosi shtetasin Adriatik Toska, i cili si pasojë e plagës së marrë ndërroi jetë në spital.

Burime bëjnë me dije se si autori edhe viktima, kanë qenë duke ruajtur prej disa netësh parcelat me misër, që i dëmtonin derrat e egër, kur në përpjekje për të gjuajtur derrin, 53-vjeçari Dhimitër Kuqi, ka gjuajtur aksidentalisht bashkëfshatarin e tij Adriatik Toska.

Materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.

The post Vrau fqinjin pasi e ngatërroi me derrin në arën me misra, arrestohet 53-vjeçari në Berat (EMRAT) appeared first on Albeu.com.

Aksident i rëndë në Zvërnec/ Përplasen tre makina, dy të plagosur, mes tyre një fëmijë

✇Albeu
By: V K

Këtë të shtunë, një aksident rrugor është regjistruar në aksin që të çon drejt fshatit Zvernec, ku janë përfshirë tre automjete në një përplasje.

Si pasojë, dy persona, mes tyre edhe një fëmijë, që udhëtonin në automjetin e parë me targa italiane, janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore.

Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet, për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Sipas informacionit të parë, dy prej të plagosurve ndodhen nën kujdesin e mjekëve, ndërsa në të tre automjetet e përfshira janë shkaktuar dëme materiale.

Hetimet për vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

The post Aksident i rëndë në Zvërnec/ Përplasen tre makina, dy të plagosur, mes tyre një fëmijë appeared first on Albeu.com.

Sali Berisha reagon ashpër pas ndërprerjes së sinjalit të News24: Sulm ndaj lirisë së medias!

✇Albeu
By: V K

Këtë të shtunë, përmes një reagimi në llogarinë e tij personale në “Facebook”, ish-kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar lidhur me sulmin ndaj medias News24.

Pas ndërprerjes së sinjalit të televizionit News24 nga autoritetet, lideri demokrat Berisha, ka reaguar ashpër duke u shprehur; “Regjimi ndërpret sinjalin e News24, sulm ndaj lirisë së medias”.

 

 

The post Sali Berisha reagon ashpër pas ndërprerjes së sinjalit të News24: Sulm ndaj lirisë së medias! appeared first on Albeu.com.

Sulmi ndaj News24/ Përplotet Drejtoresha e Përgjithshme Anila Jole: I paprecedentë, 230 punonjës u hodhën në rrugë, u trajtuam si kriminelë, jo gazetarë (VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Mëngjesin e sotëm 9 gusht 2025, Policia ka rrethuar godinën e News24, duke ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit, në një akt të paprecedent ndaj medias së lirë.

Punonjësit janë penguar të hyjnë në vendet e tyre të punës, ndërsa qytetarët janë privuar nga kanali më i madh dhe më i besueshëm informativ në vend.

Tashmë News24, ka nisur transmetimin maratonë në Youtube, nga ku qytetarët do të ndjekin gjithçka po ndodh në kohë reale, pavarësisht përpjekjeve që zëri i të vërtetës të mos mbërrijë tek qytetarët, duke ndërprerë energjinë elektrike, e për pasojë edhe trensmetimin e medias më të rëndësishme informative në vend.

 

 

Drejtoresha e News24, Anila Jola, është përlotur nga situata në të cilën ndodhet News24 nën terrorin e policisë.

“Ështe një situatë qe nuk mund ta përshkruaj, jam zgjuar me telefonatën që që në orën 6 këtu kishte ardhur policia. Erdhëm bashkë me kolegët por nuk u lejuam të hynim brenda dhe të vijonte transmetimi. News24 është rrethuar nga policia dhe gjithçka ndodhi pa një njoftim paraprak, si të ishim një kioskë e thjeshtë. Ishte vendim arbitrar abuziv i papritur dhe nuk u lejuam të hynim në vendin e punës si të ishim kriminelë jo punonjës kaq vjeçarë të News24.

Nuk e përfytyroj dot këtë që po ndodh me median më të besueshme për shqiptarët. Lokalet kishin lënë ekranin e bardhë, me shpresën se ka ndonjë difekt. Shikuesit shpresojnë që ne do të rikthehemi. Ndoshta duhet të presim të hënën që të nisin punën gjykatat dhe të japë një vendim shpresojmë në favorin tonë. Ngjarja më e dhimbshme që ndodh në këto vite punë. 230 punonjës që në lëtë moment janë në rrugë. 230 familjeve u janë prerë të ardhurat”, shprehet ajo.

The post Sulmi ndaj News24/ Përplotet Drejtoresha e Përgjithshme Anila Jole: I paprecedentë, 230 punonjës u hodhën në rrugë, u trajtuam si kriminelë, jo gazetarë (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Rita Ora në konflikt me fqinjët, ankesa për rinovimet e shtëpisë së saj në Londër

✇Albeu
By: V K

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, bleu rezidencën në fjalë në vitin 2021 një pronë historike me vlerë 7.5 milionë paund (8.6 milionë euro) në veri të Londrës, e klasifikuar si ndërtesë e mbrojtur (Grade II).

Por, duket se ajo nuk e dinte se ishte zhvendosur pranë një grupi fqinjësh NIMBY (“Not In My Back Yard”), të cilët më herët ishin ankuar edhe për renovimet e shtëpisë së saj.

Tani, pas paraqitjes së projektit nga arkitekti i Ritës, për një palestër të vendosur në oborrin e ulët të pronës, fqinjët janë sërish në alarm.

Një grup banorësh nga një bllok apartamentesh aty pranë, kanë dorëzuar një ankesë të përbashkët.

Në dokumentin e tyre thuhet:Banorët që zgjodhën këtë zonë për qetësinë e saj, nuk duhet të detyrohen të jetojnë me ndriçim artificial, zhurma të amplifikuara apo humbje të privatësisë”.

Ata shtuan gjithashtu se, pavarësisht se projekti përmend izolim akustik, dyert e mëdha rrëshqitëse sugjerojnë se mund të ketë muzikë dhe zëra me volum të lartë në çdo orë.

Fqinjët përmendën se në një pronë ngjitur ekziston një rregull strikt që ndalon grumbullimet e mëdha apo festat, pikërisht për të ruajtur qetësinë dhe respektin mes banorëve.

Ankesa vijon:Ky propozim minon marrëveshjen e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe rrezikon të shkaktojë konflikte, ankesa apo edhe procese gjyqësore”.

Një tjetër banor, kagritur madje shqetësimin nëse ndërtimi i palestrës do të pengojë ketra dhe dhelpra që jetojnë aty pranë.

Pavarësisht gjithë kësaj polemike, palestra e planifikuar nga Rita do të jetë e izoluar plotësisht nga zhurma.

Megjithatë, tensionet me fqinjët mbeten të larta.

Siç thotë autori i artikullit origjinal në The Sun me ironi, “Nëse do të isha Rita, do të shkoja në një palestër si Virgin Active dhe me paratë do të vendosja në fund të kopshtit një skulpturë gjigante, që ndriçon në errësirë… vetëm për t’i acaruar edhe më shumë”.

The post Rita Ora në konflikt me fqinjët, ankesa për rinovimet e shtëpisë së saj në Londër appeared first on Albeu.com.

❌