Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Detaje nga samiti në Alaskë/ Putin kërkoi rajone kyçe të Ukrainës në këmbim të paqes

✇Albeu
By: V K

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar kontrollin e rajoneve lindore të Ukrainës si pjesë e një marrëveshjeje paqeje, gjatë një takimi të mbajtur me presidentin amerikan Donald Trump në Alaska, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Mësohet se Putin ka shprehur gatishmërinë për të hequr dorë nga territore të tjera të pushtuara nga trupat ruse në Ukrainë, në këmbim të njohjes ndërkombëtare të kontrollit mbi Donetskun dhe Luhanskun – dy provinca lindore që ndodhen pjesërisht nën kontrollin e forcave ruse që nga viti 2014.

Në vijim të bisedimeve, Trump ka planifikuar një takim me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Uashington, të hënën. Ai ka lënë të hapur mundësinë për një samit trepalësh midis tij, Putin-it dhe Zelenskyy-t, për të avancuar drejt një marrëveshjeje paqeje.

Ndërkohë që disa media sugjerojnë se Trump mbështet një marrëveshje të tillë, Zelensky ka deklaruar më parë se nuk do të pranojë asnjë dorëzim formal territori ndaj Moskës. Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të provincës Donetsk.

Takimi në Alaska, megjithëse i profilit të lartë, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete ose shpallje për një armëpushim.

The post Detaje nga samiti në Alaskë/ Putin kërkoi rajone kyçe të Ukrainës në këmbim të paqes appeared first on Albeu.com.

Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro

✇Albeu
By: V K

Sot, më 17 gusht 2025, dollari amerikan. blihet me 82 lekë dhe shitet me 83.5 lekë.

Euro. blihet me 96.2 lekë dhe shitet 97.4 lekë.

Franga zvicerane. këmbehet në blerje me 101.5 lekë, ndërsa në shitje me 103 lekë.

Paundi britanik, blihet me 111 lekë dhe shitet me 112.5 lekë.

Dollari kanadez, sot në blerje këmbehet me 59.3 lekë, ndërsa në shitje me 61 lekë.

Më poshtë, po sjellim të dhënat e këmbimin valutor, për të gjitha monedhat e huaja:

 

The post Këmbimi valutor/ Çfarë po ndodh me monedhat e huaja? Me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro appeared first on Albeu.com.

Parashikimi i motit për ditën e sotme, 17 Gusht 2025/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu

✇Albeu
By: V K

Ditën e sotme vendi ynë, do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshme. Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti do të jetë me kthjellime dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, të cilat do të shfaqen nga mesdita deri në orët e vona të pasdites.

Vranësirat pritet të shoqërohen me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit, kryesisht në zonat kodrinore-malore.

Në intervale të shkurtra kohore, në mënyrë të izoluar, mund të shfaqen shtrëngata dhe reshje breshëri në zonat malore.

Era do të fryjë kryesisht nga verilindja dhe veriperëndimi, me shpejtësi mesatare rreth 5 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit dhe zonave luginore era do të arrijë deri në 8 m/s.

Deti parashikohet i qetë, me valëzim që varion nga 1 deri në 2 ballë.

 

The post Parashikimi i motit për ditën e sotme, 17 Gusht 2025/ Kthjellime, vranësira dhe reshje shiu appeared first on Albeu.com.

Skandal i përsëritur në Onkologjik/ Albana Vokshi: Pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën

✇Albeu
By: V K

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar në SPAK atë që ajo e quan skandal në Onkologjik, ku pacientët që po luftojnë me jetën nuk u jepet terapia e nevojshme.

Sipas Vokshit, aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik.

 

 

Denoncimi i Vokshit:

Skandal i përsëritur në Onkologjik!

Aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur = rrezik për jetën!

❌ Nuk është hera e parë.
❌ Nuk është rast i izoluar.

📌 Prej një viti kam kallëzuar në SPAK Ramën, ministrat e Shëndetësisë, drejtuesit e QSUT e Onkologjikut për vrasje me dashje, shpërdorim detyre, neglizhencë mjekësore. Sot janë të njëjtët drejtuea në Qeveri, e në Onkologjik. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë nuk mban përgjegjësi për shëndetin apo jetët e humbura.

⚖️ Sot, ndërsa qindra milionë euro shkojnë për koncesione abuzive (Check-up, sterilizim, laboratorë), pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën.

👉 Ky është krim shtetëror. Dhe SPAK, duke heshtur, është bërë bashkëfajtor.

 

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Albana Vokshi (@vokshialbana)

The post Skandal i përsëritur në Onkologjik/ Albana Vokshi: Pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën appeared first on Albeu.com.

Biseda me Donald Trump, presidenti Zelensky zbardh detaje: Duhet të arrihet një paqe e qëndrueshme

✇Albeu
By: V K

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, është shprehur se gjatë bisedës me udhëheqësin amerikan Donald Trump, i ka thënë se sanksionet duhet të forcohen ndaj Rusisë “nëse nuk ka takim trepalësh ose nëse Moska përpiqet t’i shmanget një përfundimi të ndershëm të luftës”.

“Sanksionet janë një mjet efektiv”, shton ai në një deklaratë. Zelensky përsëriti se të gjitha çështjet e rëndësishme duhet të diskutohen me pjesëmarrjen e Ukrainës dhe asnjë çështje, veçanërisht ato territoriale, nuk mund të vendoset pa Kievin.

Pas bisedimeve me Trump dhe koordinimit me udhëheqësit evropianë, Zelensky theksoi se qëndrimet janë të qarta: “Duhet të arrihet një paqe e vërtetë, një paqe që do të jetë e qëndrueshme, jo vetëm një pauzë tjetër midis pushtimeve ruse”.

Ai bëri thirrje për t’i dhënë fund vrasjeve, për një armëpushim në tokë dhe në qiell, për lirimin e të burgosurve të luftës ukrainas si edhe për të ushtruar presion mbi Rusinë ndërsa vazhdojnë luftimet.

“Siguria duhet të garantohet në mënyrë të besueshme dhe afatgjatë, me përfshirjen si të Evropës ashtu edhe të SHBA-së”, shton ai.

The post Biseda me Donald Trump, presidenti Zelensky zbardh detaje: Duhet të arrihet një paqe e qëndrueshme appeared first on Albeu.com.

Edi Rama: Thethi, perla e Alpeve që magjeps vizitorët nga e gjithë bota

✇Albeu
By: V K

Kryeministri Edi Rama, e ka kthyer edhe një herë vëmendjen nga Thethi, por këtë rradhë jo për shembjet e ndërtimeve të paligjshme

Në një postim në facebook, ai thekson se perla e Alpeve Shqiptare, po mirëpret vizitorë nga e gjithë bota.

Më tej, shton se tashmë me hapësirat e rikthyera publike në identitet e në harmoni me peizazhin, ata mahniten me pamjet përrallore, mikpritjen tradicionale, me ujin e kristaltë e me ajrin e pastër që të falin qetësi dhe energji pozitive

Në reportazhin e publikuar në facebokk paraqet përshtypjene vizitorëve nga Australia, zelanda e re dhe jo vetëm

“Jam nga Australia e dua aq shumë thethin sa kam ardhur në shqipëri 8 javë më parë. Kam kaluar gati një muaj këtu duke u larguar dhe kthyer përsëri. Sepse e dua aq shumë”.

Nuk mungojnë as momentet kur vizitorët ngrenë dolli me raki

Theksojnë se miqve të tyre i rekomandojnë ta vizitojnë jo vetëm për magjinë e natyrës por dhe mikpritjen

“E rekomandoj shumë thethin sepse shtëpitë këtu janë thjeshtë të bukura dhe atmosfera, ndjesia këtu është thjesht magjike, është mistike të jep ngrotësi”.

Në përshtypjet e tyre për atë çfarë të ofrohet i konsiderojnë magji.

Ti vjen në theth eksploron ujvarën, del për ecje tek syri i kaltër, noton në ujin e ftohtë, shkon në male, ha ushqim të mirë tradicional, pi me miqtë e tu, shijon kafen me miqtë e tu, të vendos ty një lloj të vet të magjisë dhe të përfshin brenda saj.

Nuk njoh ndonjë që nuk do të vijë sërish apo nuk dëshiron të rrijë më gjatë”.

Tashmë në Theth numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm duke bërë që bujtinat të jenë të prenotuar thuajse në çdo ditë.

The post Edi Rama: Thethi, perla e Alpeve që magjeps vizitorët nga e gjithë bota appeared first on Albeu.com.

Tentoi të vriste me makinë komshiun, arrestohet 32-vjeçari në Durrës (EMRI)

✇Albeu
By: V K

Policia e Durrësit, ka arrestuar një të ri, i cili akuzohet se ka tentuar të vrasë komshiun e tij, duke e përplasur qëllimisht me makinë, pas një konflikti mes tyre.

Në pranga është vënë shtetasi Benard Shkajoti, 32 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

“Në fshatin Perlat, Sukth, pas një konflikti për motive të dobëta (fyerje dhe ofendime), ky shtetas tentoi të vriste me automjetin që drejtonte, komshiun e tij, shtetasin L. D., 40 vjeç, banues në Sukth. Ky i fundit, si pasojë e goditjes me automjet, pësoi dëmtime dhe u transportua në Spitalin Rajonal Durrës, ku po merr ndihmë mjekësore”, – thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Policia e Durrësit, bën me dije se Benard Shkajoti, pas testit të alkoolit ka rezultuar se ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur, me masën 0.92 mg/l. Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

The post Tentoi të vriste me makinë komshiun, arrestohet 32-vjeçari në Durrës (EMRI) appeared first on Albeu.com.

Shqiptari ekstradohet nga Franca në Angli, ja për çfarë akuzohet (EMRI)

✇Albeu
By: V K

Një shqiptar i akuzuar për vrasjen e një të riu në fund të vitit 2023 në Londër, është ekstraduar nga Franca në Angli.

Sipas Policisë Metropolitane të cilës i referohet Top Channel, Arlind Hashani, 22-vjeç , banues në Bray Fellows Road NW3, u paraqit të premten, më 15 gusht, në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, ku u akuzua zyrtarisht për vrasje, pas ekstradimit të tij nga Franca.

Arrestimi i tij ndodhi në Paris më 30 korrik. Hashani u la në paraburgim dhe pritet të dalë para Gjykatës së Lartë në Wood Green të martën, më 19 gusht.

Ai akuzohet se vrau Ahmed Ali Jama, 29-vjeç, i cili u gjet me plagë të marra nga thika pranë zonës Gaymead, në Abbey Estate, në Abbey Road, rreth orës 19:32 të mbrëmjes së 29 dhjetorit 2023.

Pavarësisht ndihmës së dhënë në vendngjarje, Ahmed ndërroi jetë më vonë në spital./TCH

The post Shqiptari ekstradohet nga Franca në Angli, ja për çfarë akuzohet (EMRI) appeared first on Albeu.com.

U bë viral teksa shpëtonte delen nga flakët/ 33-vjeçari shqiptar flet për mediat greke: Çmendem me njerëzit që ikin dhe i lënë kafshët të lidhur

✇Albeu
By: V K

Olsien Muçobega, e mori kafshën në krah dhe po e largonte me shpejtësi nga flakët, teksa ndodhej mbi motor. I riu nga Tepelena, u bë viral dhe preku të gjithë kombin grek dhe nxori në pah anën më njerëzore të një dite katastrofe.

Një 33-vjeçar shqiptar u bë simbol i humanizmit në Greqi, kur kamerat e filmuan ateksa shpëtonte një dele nga zjarri që kishte rënë në Patra.

Olsien Muçobega, e mori kafshën në krah dhe po e largonte me shpejtësi nga flakët, teksa ndodhej mbi motor.

I riu nga Tepelena u bë viral dhe preku të gjithë kombin grek dhe nxori në pah anën më njerëzore të një dite katastrofe.

Sipas mediave greke, shqiptari ka treguar se ky nuk ishte akti i tij i vetëm. Siç ka zbuluar për median greke, në të njëjtën ditë ai shpëtoi edhe kafshë të tjera midis tyre qen të lidhur që i kishin braktisur.

“A e dini sa kafshë shpëtuam? Dhe qen, shumë qen të lidhur. Po çmendem me atë që bëjnë njerëzit, ata ikin dhe i lënë qentë të lidhur. Kjo nuk është neglizhencë, është krim”, është shprehur shqiptari.

Nga Tepelena në Patra

Olsien erdhi në Greqi në moshën vetëm 3-vjeç, nga Tepelena e Shqipërisë. Babai i tij ishte ndërtues, nëna e tij shtëpiake dhe ai u rrit duke punuar që në moshë të vogël.

Gjatë jetës së tij, ai punoi si piktor, shpërndarës dhe mbështjellës në një restorant fast food. Ai është i martuar me greken Maria-Eleni, me të cilën ka dy fëmijë, Georgianna dhe Jasona.

Pavarësisht rrënjëve të tij dhe shumë viteve të pranisë në Greqi, ai vazhdon të përballet me pengesa burokratike: “Kam një problem me Rajonin, nuk më japin leje, ndërsa normalisht duhet të kisha marrë një pasaportë greke“, thotë ai me hidhërim.

I çmendur pas kafshëve

Ditën e zjarrit, ai ishte në vendngjarje me miq nga shoqata AEK në zonë, për të ndihmuar zjarrfikësit. Gatishmëria për të dhënë, dashuria e tij për kafshët dhe ankthi për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej ishin motivet pas aktit të tij.

“Jam i çmendur pas kafshëve”, thotë ai, duke theksuar se gjithçka që ata shpëtuan i përkiste një fermeri të moshuar, i cili po luftonte për të mbrojtur pronën e tij nga flakët.

Olsien Muçobega nuk e sheh veten si hero, megjithëse për shumë njerëz ai është pikërisht ky. Ai sheh një njeri që bëri të dukshmen: të qëndronte pranë gjithçkaje që është e gjallë, në një kohë kur gjithçka ishte e kërcënuar nga flakët.

The post U bë viral teksa shpëtonte delen nga flakët/ 33-vjeçari shqiptar flet për mediat greke: Çmendem me njerëzit që ikin dhe i lënë kafshët të lidhur appeared first on Albeu.com.

E rëndë në Tiranë, 41-vjeçari plagos bashkëjetuesen e tij

✇Albeu
By: V K

Mmbrëmjen e djeshme, një ngjarje e rëndë është regjistruatr në Tiranë, ku një 41-vjeçar ka plagosur me thikë partneren e tij, me të cilën bashkëjetonte.

Ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit në rrugën “Besim Alla”, në zonën e “Misto Mames”.

Autori është arrestuar nga Policia dhe bëhet fjalë për shtetasin me inicialet F. C., ndërsa partnerja e tij është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Sipas Policisë së Tiranës, krimi ka ndodhur pas një konflikti mes tyre për motive të dobëta.

“41-vjeçari F. C. pas një konflikti për motive të dobëta, mbrëmjen e djeshme, në banesë, në rrugën “Besim Alla” ka goditur me mjet prerës (thikë) bashkëjetuesen e tij, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, – thuhet në njoftim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post E rëndë në Tiranë, 41-vjeçari plagos bashkëjetuesen e tij appeared first on Albeu.com.

Banorët denoncojnë ndërtimin pa leje tek “5 Maji”/ PD: Policia nuk ndërhyn pasi pronarët paguajnë nën dorë

✇Albeu
By: V K

Përmes një deklarate për mediat, Partia Demokratike, ka denoncuar indiferencën e policisë së shtetit ndaj ndërtimeve pa leje që po kryhen në Tiranë.

Zëdhënësja antikorrupsion në PD, Genta Vangjeli, tha se një prej këtyre rasteve është objekti në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’.

Vangjeli tha se ky rast u denoncua nga qytetarët pranë PD-së, përmes fotove që tregojnë mungesën e reagimit të policisë së shtetit, megjithëse janë njoftuar nga qytetarët.

Deklarata e plotë:

Partia Demokratike ka marrë një tjetër denoncim nga qytetarë për ndërtim pa leje në Tiranë. Sipas informacioneve të tyre, objekti ndodhet në rrugën ‘Dervish Luzha’, pranë mbikalimit që të nxjerr në rrugën ‘5 Maji’.

Këto pamje të siguruara nga banorët tregojnë qartë ndërtimin e paligjshëm.

Ata shprehen se kanë njoftuar disa herë Policinë e Shtetit, por nuk ka pasur asnjë reagim.

E njëjta situatë përsëritet edhe me strukturat kryesore inspektuese në nivel kombëtar për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, të cilave u është bërë me dije shkelja, por pa asnjë ndërhyrje nga ana e tyre.

Sipas qytetarëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit.

 

 

Sipas qytetarëve, zyrtarë të shtetit marrin pagesa të përsëritura nga pronarët e biznesit që ushtron aktivitet në këtë objekt, dhe në këmbim, shkelja e ligjit injorohet.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë dhe të gjitha organeve ligjzbatuese që të verifikojnë situatën dhe veprojnë menjëherë, në mënyrë që të ndalohen abuzimet dhe ligji të zbatohet njësoj për të gjithë, pa mbrojtje për shkelësit.

The post Banorët denoncojnë ndërtimin pa leje tek “5 Maji”/ PD: Policia nuk ndërhyn pasi pronarët paguajnë nën dorë appeared first on Albeu.com.

Zbardhen detaje tronditëse nga vrasja në Maliq, 14-vjeçari u godit me pasi tentoi të vetëmbrohej me karrige

✇Albeu
By: V K

Pasditen e 14 gushtit, një ngjarje tragjike është regjistruar në fshatin Pirg në Maliq, ku një konflikt ka agravuar në perdorimin e thikave, e për pasojë është plagosur një 14-vjeçar ku ka humbur jetën në spital.

Nga dosja hetimore mësohet se disa ditë para se të ndodhte krimi, autori ka shkuar me një mjet në fshatin Zvirinë dhe para lokalit të xhaxhait të viktimës, ka xhiruar gomat dhe është larguar.

Detaje të reja janë zbardhur lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit në fshatin Pirg, Erald Xhejo. Pas dëshmive dhe pamjeve të siguruara nga kamerat e lokalit, policia ka arritur të ndërtojë dinamikën e ngjarjes së rëndë.

Ndërsa ditën që ndodhi krimi, viktima Erald Xhejo, së bashku me një shok kanë shkuar në fshatin Pirg për t`u qethur në afërsi të lokalit ku ndodhi vrasja.

Ata kanë parë autorin duke kaluar me makinë dhe i kanë fishkëllyer me qëllim për t`u sqaruar.

Ai ka ndaluar ka dalë nga makina dhe kanë nisur në debatojnë ndërkohë që ka nxjerrë thikën.

Në këtë moment, Xhejo ka marë një karrige nga oborri i lokalit për t`u vetëmbrojtur, duke e vendosur përpara trupit, por teksa bënte hapa pas është penguar dhe autori në atë moment e ka goditur me thikë.

Për vrasjen e të miturit u vunë në pranga tetë persona, mes tyre autori i ngjarjes, babai dhe xhaxhai i autorit si dhe katër të mitur dëshmitar të ngjarjes.

Sipas policisë, autori Enedio Guri, pas kryerjes së krimit ka tentuar të largohej nga vendngjarja, me automjet së bashku me një 34-vjeçar që ishte i pranishëm gjatë sherrit mes të miturve.

Ndërsa babai dhe xhaxhai i autorit kanë fshehur mjetin prerës (thikë), me të cilin u krye krimi.

Konkretisht, babai ka tentuar të fshehë të birin pas krimit dhe xhaxhi ka larë thikën në mënyrë që të fshehë njollat e gjakut.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja tragjike ka ndodhur pasditen e 14 gushtit në ambientet e jashtme të lokalit në fshatin Pirg të Maliqit. Erald Xhejo 14-vjeç është vrarë nga bashkëmoshatari i tij gjatë një sherri në një lokal. I mituri nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra nga thika dhe fatkeqësisht ndërroi jetë në spital. Dy të miturit, autori Enedio Guri dhe viktima Erald Xhejo, kanë qenë duke folur fillimisht e më pas kanë nisur të debatojnë, duke vijuar më tej me përdorimin e armëve të ftohta, përkatësisht thikë. Lidhur me ngjarjen janë arrestuar tetë persona mes tyre autori i ngjarjes, babai dhe xhaxhai i autorit si dhe katër të mitur dëshmitar të ngjarjes.

The post Zbardhen detaje tronditëse nga vrasja në Maliq, 14-vjeçari u godit me pasi tentoi të vetëmbrohej me karrige appeared first on Albeu.com.

Një vit nga vrasja e Egli Progës/ Prokuroria shtyn me 3 muaj hetimet për Denis Meçen, zbulohet arsyeja

✇Albeu
By: V K

Prokuroria e Korcës, ka shtyrë me tre muaj hetimer për Denis Meçen, i cili akuzohet për dhunimin deri në vdekje të Egli Progës, ngjarje e ndodhur më 10 Gusht të vitit 2024 në Pogradec.

Sipas vendimit të firmosur nga prokurorja e çështjes, afati i hetimeve është zgjatur deri më 11 nëntor 2025, për shkak se ende nuk ka ardhur përgjigja nga një laborator në Itali për analizimin e pamjeve filmike të disa kamerave që mund të zbardhin dinamikën e krimit të rëndë.

Organi i akuzës ka konkluduar se ka patur ndërhyrje në kamerat e brendeshme të sigurisë të lokalit “Stropçka”, ku u dhunua duke gjetur më pas vdekjen Egli Proga. Pamjet filmike janë fshirë qëllimisht me virus.

Laboratorët dhe ekspertët brenda vendit, nuk mundën dot të rikthejnë pamjet filmike të lokalit në pronësi të Leonidha Guçes, ndaj e vetmja zgjidhje ishte dërgimi në një laborator të specializuar jashtë vendit.

Rikthimi i pamjeve filmike do të zbardhte tej çdo dyshimi ngjarjen dhe dinamikën e saj. Denis Meçe, ka deklaruar se Egli Proga është goditur brenda lokalit edhe nga Leonidha Guçe, ndërsa ky i fundit e kundërshton këtë fakt.

Dëshmitari kryesor Andi Shkulaku, në çdo rast ballafaqimi mes të dy të dyshuarit ndryshon qëndrim. E vetmja mundësi që Prokuroria të kuptojë çfarë ndodhi me Egli Progën, është rikthimi i pamjeve.

Të vetmen pamje që ka deri më tani në duar organi i akuzës, janë ato jashtë lokalit ku ai bie dhe përplaset pas një automjeti dhe humbet më pas dhe jetën.

Pasditen e 10 gushtit në lagjen 1 të Pogradecit, 42-vjeçari Egli Proga, baba i dy fëmijëve, u dhunua për vdekje nga Denis Meçe, ndërsa autori u largua nga vendngjarja.

Ai u vetëdorëzua disa orë më vonë, ndërsa në pranga përfunduan edhe 3 personat të cilët deklaruan se nuk kishin parë asgjë nga ngjarja e rëndë.

Vlen të theksohet fakti se fillimisht, autoritetet policore e referuan dosjen ndaj Denis Meçes në Prokurori nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Vrasje me dashje”, akuzë e cila sipas Kodit Penal të Shqipërisë dënohet nga 10 deri në 20 vjet burgim.

Por, pas 40 orësh Prokuroria e Korçës zbuti akuzën 29-vjeçarit, pasi depozitoi dosjen në Gjykatë për rivlerësimin e masave të sigurisë për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”. Kjo vepër penale dënohet me gjobë ose maksimumi me burgim deri në 5 vjet.

Kjo ngjarje e rëndë bëri bujë mediatike, për shkak se familjarët akuzuan institucionet për mosveprim në kohë dhe tentativë për të fshehur ngjarjen, pasi Denis Meçe njihet si një person problematik në zonë. Më pas, pati dhe një “ping pong” mes Prokurorisë së Korçës dhe Policisë së Shtetit se kujt do t’i ngecte faji.

The post Një vit nga vrasja e Egli Progës/ Prokuroria shtyn me 3 muaj hetimet për Denis Meçen, zbulohet arsyeja appeared first on Albeu.com.

Britma, koreografi në “Anfield” në kujtim të Diogo Jotës, Salah shpërthen në lot (FOTO+VIDEO)

✇Albeu
By: V K

Mbrëmë e djeshme, një atmosferë e veçantë dhe unike, mbretëroi në Anfield në ndeshjen Liverpul-Bërnmuth.

Ndeshja hapëse e sezonit 2025-26 të kampionëve të Premier Ligës,  pati një homazh rrëqethës nga të gjithë të pranishmit për Diogo Jootën dhe vëllain e tij Andre Silva, të cilët vdiqën më 3 korrik në një aksident me makinë në Spanjën veriore.

Homazhe emocionale u bënë para, gjatë dhe pas fitores 4-2 të të kuqve në Anfield, me Mohamed Salah në lot ndërsa duartrokiste tifozët pas ndeshjes, duke reflektuar mbi mendimet e tyre për shokun e tij të ndjerë të skuadrës.

Me familjen e Jotës të pranishme, një interpretim marramendës i këngës “You’ll Never Walk Alone” para fillimit të ndeshjes u pasua nga një moment heshtjeje, gjatë së cilës tifozët mbajtën pankarta shumëngjyrëshe në Kop dhe në tribunën Sir Kenny Dalglish ku shkruhej “DJ20” dhe “AS30”.

 

 

Tifozët brohoritën “Oh, ai mban numrin 20 ” në nder të ish-sulmuesit portugez, ndërsa lojtarët hynë në fushë dhe përsëri në minutën e 20-të, ndërsa një banderolë në Kop shkruante: “Anfield do të jetë gjithmonë shtëpia juaj”.

 

The most amazing You’ll Never Walk Alone rendition at Anfield by the Liverpool fans for Diogo Jota and his brother #LIVBOU #PremierLeague

pic.twitter.com/0TZQPU5SmW

— Cricketism (@MidnightMusinng) August 15, 2025

Mohamed Salah was the last player to leave the pitch, joining in with a tearful rendition of Diogo Jota’s chant in front of the Kop ❤️ pic.twitter.com/c5Vj4Rfr8C

— Premier League (@premierleague) August 15, 2025

The post Britma, koreografi në “Anfield” në kujtim të Diogo Jotës, Salah shpërthen në lot (FOTO+VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Ndezi zjarr në tokën e tij dhe rrezikoi banesat e fshatit, arrestohet 65-vjeçari në Berat

✇Albeu
By: V K

Policia e Beratit ka arrestuar një 65 vjeçar, i cili akuzohet se i kishte vënë zjarrin tokës së tij, por flakët i kanë dalë jashtë kontrollit duke rrezikuar banesat e fshatit Rabijak dhe sipërfaqe me pemë frutore.

Në pranga është vënë shtetasi V. R., 65-vjeç, banues në fshatin Rabijak, Berat.

“Ky shtetas dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në tokën e tij. Zjarri i ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rrezikuar banesa dhe sipërfaqe toke të mbjella me pemë frutore”, – thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Beratit për veprime të mëtejshme.

The post Ndezi zjarr në tokën e tij dhe rrezikoi banesat e fshatit, arrestohet 65-vjeçari në Berat appeared first on Albeu.com.

Diogo Jota më ndihmoi nga lart që të shënoja gol/ Kieza sulmon hapur Juventusin: Më penalizoi, arrita te Liverpuli në rrethana të vështira

✇Albeu
By: V K

Sulmuesi Federiko Kieza, shënoi për Liverpulin 6 minuta pasi u aktivizua në lojë, në ndeshjen hapëse për sezonin 2025-26 të Premier Ligës.

Pas fitores, italiani foli për “Sky Sport”, ku u shpreh se Diogo Jota e ndihmoi nga lart që të shënonte gol.

“Pas golit, mendimet e mia të para shkuan te Diogo (Zhota), vëllai i tij dhe familja e tij. Dua të besoj se që nga atje lart ai më ndihmoi të shënoja gol”, tha ai.

Pas kësaj, Kieza mori një moment për t’u çliruar nga barra, duke pasur parasysh dështimin e sezonit të kaluar me të kuqtë, dhe për të shijuar rikthimin e tij me stil.

“Goli më shpërblen për punën që kam bërë. Arrita në kushte të vështira sepse nuk u stërvita me Juven dhe kjo më penalizoi. Pas një viti, po marr njëfarë kënaqësie”, sulmoi ai bardhezinjtë.

“Falenderoj mjekët dhe trajnerin (Arne Slot) që më dhanë këtë shans dhe që kanë qenë gjithmonë të shkëlqyer me mua. Goli është edhe për të”.

Në fund ai u ndal edhe te e ardhmja e tij duke pasur parasysh Kupën e Botës 2026 verën e ardhshme dhe nevojën e tij për minuta në këmbë: “Do të flasim me Liverpulin, por jam i lumtur këtu. Jam në një nga ekipet më të mira në botë. Jam i lumtur që e vesh këtë fanellë. Duhet të jem gjithmonë gati dhe të provoj se mund të luaj për këtë ekip”.

The post Diogo Jota më ndihmoi nga lart që të shënoja gol/ Kieza sulmon hapur Juventusin: Më penalizoi, arrita te Liverpuli në rrethana të vështira appeared first on Albeu.com.

Daily Mail publikon historinë e Elvis Zotos në Angli, nga gomonia duke shitur…

✇Albeu
By: V K

Një emigrant shqiptar, i cili kishte mbërritur me gomone në Britani, filloi të shiste kokainë , pasi u arratis nga hoteli luksoz i azilit.

Bëhet fjalë për 22-vjeçarin Elvis Zoto, i cili u mburr në mediat sociale për hyrjen e tij të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar dhe madje postoi një foto të formularit të tij të regjistrimit në Ministrinë e Brendshme që tregonte mbërritjen e tij në Dover në vitin 2022.

 

 

I kontaktuar pak më vonë nga një gazetar i Mail on Sunday që paraqitej si emigrant ende në Francë, ai tha se udhëtimi për në Mbretërinë e Bashkuar kishte qenë i lehtë dhe zbuloi se ai tashmë ishte larguar nga hoteli i tij i azilit duke dalë nga një dritare.

Detaje të reja tronditëse rreth rastit të tij kanë dalë tani në një vendim të Gjykatës së Lartë që më në fund i dha dritën jeshile deportimit të tij – tre vjet pasi ai mbërriti për herë të parë në Britani.

The post Daily Mail publikon historinë e Elvis Zotos në Angli, nga gomonia duke shitur… appeared first on Albeu.com.

Afera e Eco Parkut në Durrës/ SPAK merr në pyetje ish-deputetin socialist Alqi Bllako

✇Albeu
By: V K

Dhjetë ditë më parë, SPAK ka marrë dëshminë e ish- deputetit socialist Alqi Bllako, lidhur me hetimet që po kryen për aferen e Eco Parkut në Durrës.

Bllako është pyetur në cilësinë e drejtorit të AKUM. Sipas burimeve, ai është marrë në pyetje për më shumë se 3 orë.

Në 2019 qeveria vendosi të mbyllë Landfillin e Porto-Romanos dhe të ndërtojë Eko Parkun.

Në tetor 2019, AKUMshpalli tenderin dhe e anuloi më vonë.

Qeveria mori vendim që tenderi të bëhej me negocim të drejtpërdrejtë.

Tenderi me vlerë 18.5 mln euro iu dha kompanive ‘De Mare’ dhe ‘Victoria Invest’.

Bllako ndërkohë ndodhet në paraburgimin e Durrësit.

Ai është akuzuar për korrupsion e vepra të tjera penale lidhur me inceneratorin e Tiranës, Elbasanit e Fierit.

The post Afera e Eco Parkut në Durrës/ SPAK merr në pyetje ish-deputetin socialist Alqi Bllako appeared first on Albeu.com.

Plagosja e 28-vjeçarit në Korçë/ Zbardhet dinamika, 4 persona dhunuan autorin

✇Albeu
By: V K

Policia ka zbardhur dinamikën e ngjarjes në fshatin Mollaj të Korçës, ku u plagos me thikë 28-vjeçari A. Kodra.

Blutë informojnë se i riu u godit me thikë, pas një konflikti për motive të dobëta dhe u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Pas ngjarjes, u arrestua autori i dyshuar, 41-vjeçari Aleks Qiqi, si edhe 4 persona të tjerë.

Këta të fundit akuzohen se pasi autori plagosi me thikë 28-vjeçarin, kanë goditur me grushta Aleks Qiqin duke i shkaktuar plagë në pjesën e kokës e të trupit.

41-vjeçari aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Të arrestuarit:

Aleks Qiqi, 41 vjeç, banues në fshatin Mollaj, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

dhe 4 shtetasit e tjerë me iniciale, I. D., 45 vjeç, Th. P., 47 vjeç, Dh. K., 47 vjeç, dhe B. S., 33 vjeç, banues në fshatin Mollaj, të dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Njoftimi:

Korçë/ Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, u zbardh dinamika e plagosjes së 28-vjeçarit, të ndodhur dje, në fshatin Mollaj, nga një 41-vjeçar.

Vihet në pranga 41-vjeçari, autori i dyshuar i ngjarjes, i cili ka mbetur i dëmtuar gjatë konfliktit. Ai ka marrë dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Vihen në pranga edhe 4 shtetas të tjerë, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndërhyrë për të ndihmuar 28-vjeçarin dhe kanë dhunuar autorin e ngjarjes.

Sekuestrohet mjeti prerës (thikë).

Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Korçës, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes, të ndodhur më datë 15.08.2025, në fshatin Mollaj, Korçë.

Shërbimet e Policisë, menjëherë pas njoftimit të marrë, se në fshatin Mollaj kishte pasur një konflikt për motive të dobëta, ku kishte mbetur i dëmtuar një 28-vjeçar me mjet prerës (thikë), i cili u transportua në spital në gjendje të rëndë për jetën, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e 41-vjeçarit, si autor i dyshuar i ngjarjes, konkretisht shtetasin:

A. Q., 41 vjeç, banues në fshatin Mollaj, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, bazuar dhe në pamjet filmike, u bë zbardhja e plotë e ngjarjes, ku u vendosën në pranga edhe 4 shtetas të tjerë, I. D., 45 vjeç, Th. P., 47 vjeç, Dh. K., 47 vjeç, dhe B. S., 33 vjeç, banues në fshatin Mollaj, të dyshuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndërhyrë menjëherë pasi 41-vjeçari plagosi shtetasin A. K., duke e goditur me grushta autorin e plagosjes dhe duke i shkaktuar plagë në pjesën e kokës dhe të trupit.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan mjeti prerës (thikë), 1 aparat celular dhe pamjet filmike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme

The post Plagosja e 28-vjeçarit në Korçë/ Zbardhet dinamika, 4 persona dhunuan autorin appeared first on Albeu.com.

Të (de)kodosh mendjen, si ChatGPT po kthehet në varësi për shqiptarët, sidomos të rinjtë

✇Albeu
By: V K

Nëse konsumatori i shekullit XX formohej nga reklamat, ai i shekullit XXI po formohet nga bisedat me algoritme. Në heshtje dhe me efikasitet, ChatGPT po kthehet në një partner të padukshëm në vendimmarrjen personale dhe ekonomike të përdoruesve, nga mënyra si organizojnë ditën, te vendimet për karrierën, shpenzimet dhe financat.

Ajo që nisi si një mjet për të gjeneruar tekst, sot po ndikon në mënyrën si njerëzit ndihen, mendojnë dhe konsumojnë…

Nëse dikur e nisnim ditën me një filxhan kafeje dhe një faqe gazetë, sot gjithnjë e më shumë e fillojmë me një mesazh me një Inteligjencë Artificiale. Quhet ChatGPT.

Nuk është mik, nuk është terapist, nuk është koleg, por për miliona përdorues është pak nga të gjitha këto. Në vend të pyetjeve filozofike mbi qenien dhe ekzistencën, bota dixhitale e sotme ngre pyetje më të drejtpërdrejta:

“A më kupton AI-ja”? A më paragjykon”? “A më bën të ndihem mirë me veten”? Këto pyetje dikur i rezervonim për njerëzit. Tani ia drejtojmë një “makine”.

Një studim i fundit me 732 individë i botuar në “Springer Nature” zbulon një fije të hollë, por të fortë, që lidh mënyrën se si e perceptojmë ChatGPT-në me shëndetin tonë mendor.

Njerëzit që kanë më shumë besim te ky mjet dixhital raportojnë vetëvlerësim më të lartë. Ndërkohë, ata që ndiejnë se chatbot-i u përgjigjet me paragjykime apo stereotipa, përjetojnë pasiguri dhe shqetësim.

Teknologjia nuk është më thjesht mjet. Është bërë pasqyrë. Dhe ndonjëherë, pasqyra kthen mbrapsht më shumë se sa kemi pritur.

Këto marrëdhënie të reja, mes njeriut dhe algoritmit, po zënë rrënjë në mënyrë të heshtur, por të qëndrueshme.

Bisedat me ChatGPT nuk janë më veç kërkesa për informacione, janë ndërveprime me ndikim emocional.

Në thelb të këtyre ndryshimeve është një fenomen i ri: brendia e marrëdhënies me një entitet johuman. Çfarë ndodh kur një makinë bëhet pjesë e mekanizmave tanë të ndërtimit të vetëbesimit, të përballimit të ankthit apo të kërkimit të miratimit?

Kjo është pyetja e shekullit. Dhe për herë të parë, përgjigjja nuk vjen nga psikologjia klasike, por nga një algoritëm që mëson çdo ditë nga miliarda ndërveprime.

Për zhvilluesit e Inteligjencës Artificiale, këto gjetje janë thirrje për përgjegjësi. Tonet, nuancat, mënyra si një chatbot përgjigjet ndaj një shqetësimi emocional apo pyetje personale, nuk janë më çështje stili, janë çështje ndikimi psikologjik.

Sepse, për përdoruesin e sotëm, një bisedë me AI-në nuk është më thjesht një kërkim i shpejtë. Është një moment reflektimi. Dhe siç duket, një faktor i mirëqenies mendore.

Në një epokë ku kufijtë mes njeriut dhe teknologjisë bëhen gjithnjë e më të mjegullt, një gjë është e sigurt: mënyra se si flasim me makinat po i jep formë mënyrës se si flasim me veten.

Dhe ndoshta, për herë të parë në histori, duhet të pyesim jo vetëm çfarë thotë teknologjia, por si na bën të ndihemi.

Çfarë po ndodh?

Në sipërfaqe, një bisedë me Inteligjencën Artificiale mund të duket e thjeshtë: një pyetje, një përgjigje. Por në prapaskenë, ndodh diçka më delikate: njerëzit fillojnë të projektojnë ndjenja, të krijojnë varësi emocionale, të kërkojnë qetësi në tonin neutral të makinës.

ChatGPT nuk i njeh përdoruesit e tij, por ata ndihen gjithnjë e më të kuptuar prej tij.

Fenomeni po zgjon interes në qarqet akademike dhe psikologjike. Disa studiues po e quajnë “efekti i pasqyrës së butë”: kur AI nuk reagon si njeri, nuk ndërpret, nuk kundërshton, por thjesht të kthen një reflektim të përpunuar dhe të saktë të asaj që ti ke thënë. Dhe kjo, në një kohë kur komunikimi me njerëzit shpesh është i ngarkuar me tension, po rezulton çuditërisht çliruese.

Ka dhe një anë tjetër të medaljes: një chatbot që të jep gjithmonë të drejtë, që të përgjigjet sipas mënyrës tënde të të menduarit, mund të forcojë një ndjesi të rreme sigurie.

Mund të lërë njerëzit pa sfidë, pa debat, pa përballje me të kundërtën. Dhe për dikë që vuan nga ankthi ose vetmia, kjo mund të jetë më shumë strehë sesa zgjidhje.

Ndërkohë, zhvilluesit e Inteligjencës Artificiale janë përballë një dileme të re: kur krijon një chatbot që tingëllon empatik, ku mbaron ndihma dhe ku fillon ndërhyrja në psikikë?

A duhet që një mjet teknologjik të jetë i kujdesshëm në mënyrën si ndërvepron emocionalisht? Dhe nëse po, si matet kjo etikë në gjuhën e algoritmeve?

 

Të dëgjohesh më shumë nga AI

Përdorimi i shpeshtë i ChatGPT ka filluar të ndikojë ndjeshëm në mënyrën se si individët marrin vendime në jetën e tyre, që nga ato më të thjeshtat, si zgjedhja e një veshjeje deri te vendimet më të rëndësishme.

Psikologia Ermela Shllaku, vëren se ky ndikim lidhet me mënyrën se si Inteligjenca Artificiale ofron mbështetje të menjëhershme dhe të qasshme.

ChatGPT funksionon si një lloj mbështetjeje e jashtme. Ti futesh në çdo moment dhe merr informacion për atë që kërkon, por ndryshe nga Google apo Wikipedia, informacioni këtu është më i konkretizuar dhe më i kuptueshëm”, – shpjegon ajo.

Kjo qartësi dhe afrim emocional me përmbajtjen mund të krijojë një ndjesi sigurie për përdoruesit.

“Individët ndihen më të sigurt për atë që lexojnë, sepse marrin pikërisht atë që kërkojnë, në një gjuhë të thjeshtë dhe jo gjykuese”, – thekson psikologia Shllaku.

Megjithatë, ajo ngre alarmin se përdorimi i tepruar mund të ketë pasoja të rënda për zhvillimin mendor dhe autonominë e individit.

“Kur gjithçka të vjen gati, nuk je më i detyruar të përdorësh funksionet e tua njohëse, inteligjencën, përpunimin e informacionit apo arsyetimin. Dhe kjo sjell dobësim të kapaciteteve mendore”, – thotë ajo.

Psikologia e sheh këtë si një formë të re varësie dixhitale, të krahasueshme me rrjetet sociale si Instagram apo TikTok, por që ndryshon në thelb.

“Në këtë rast nuk kemi varësi krahasuese, ku ti ndjek të tjerët, por një marrëdhënie të brendshme, më intime, me një entitet dixhital që të përgjigjet vetëm ty”, – shpjegon ajo.

Kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë me një mjet që nuk të gjykon, nuk të refuzon dhe të dëgjon gjithmonë, bëhet edhe më e fortë në moshat e adoleshencës.

Sipas saj, adoleshentët janë veçanërisht të rrezikuar, pasi shpesh ndihen më të pranuar dhe më të lirë për të shprehur veten nëpërmjet ChatGPT.

“Adoleshentët ndihen të dëgjuar. Aty nuk i gjykon askush, nuk i ndërpret dhe nuk i refuzon. Kjo është diçka që shumë prej tyre ndiejnë se u mungon në botën reale”, – shton znj. Shllaku.

Por çfarë ndodh kur kjo marrëdhënie me një mjet dixhital bëhet intensive dhe e shpeshtë?

“Nëse një adoleshent komunikon vazhdimisht me një chatbot, rrezikon të zëvendësojë marrëdhëniet e vërteta njerëzore me një formë artificiale sigurie dhe dashurie”, – paralajmëron psikologia.

Ajo e quan këtë “një marrëdhënie me një pajisje robotike”, që në raste ekstreme mund të çojë në vetizolim apo izolim social, duke krijuar ndjesinë e rreme se po plotësohen nevojat emocionale.

Ndikimi shkon edhe më tej, duke ndikuar në vetëbesimin dhe ndjenjën e vetërealizimit.

“Kur çdo gjë u ofrohet gati, adoleshentët nuk kanë më hapësirë për të provuar veten, për të bërë gabime apo për të mësuar nga to. Kjo i bën të ndihen të paaftë për të marrë vendime të pavarura”, – thekson znj. Shllaku.

Ajo shton se edhe sjellja konsumatore ndikohet, pasi “AI ka aftësinë të sugjerojë produkte që ndoshta nuk i duhen përdoruesit, por që i blejnë vetëm sepse ‘Chat i tha’”.

Pavarësisht sfidave, psikologia thekson se teknologjia nuk duhet parë si armik.

“Nuk mund ta sulmojmë teknologjinë vetëm sepse sjell rreziqe. Ajo ka edhe anë pozitive, ndihmon në shumë situata, por sfida është të mësojmë si ta përdorim me vetëdije”, – nënvizon Shllaku.

Sipas saj, ky edukim duhet të fillojë në familje:Ne si prindër kemi përgjegjësinë të flasim për ChatGPT me fëmijët tanë çdo ditë, jo vetëm për anët pozitive, por edhe për ato negative. Kjo është mënyra për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme me Inteligjencën Artificiale”.

Për të shmangur varësinë, ajo sugjeron që fëmijët të shtyhen drejt krijimit të marrëdhënieve reale dhe të pasura me ndjenja.

“Duhet t’i ndihmojmë të kuptojnë se AI nuk mund të zëvendësojë njeriun, me të gjitha ngjyrat e tij, dashurinë, empatinë, frikërat dhe tolerancën”, – thotë ajo.

Dhe mbi të gjitha, prindërit duhet të tregojnë mirëkuptim: “Adoleshentët po kalojnë një fazë shumë delikate dhe është e natyrshme që të gabojnë. Le t’i lëmë të gabojnë, që të mësojnë dhe të ndërtojnë vetëbesimin e tyre”.

Varësia

Psikologia Ermela Shllaku e sheh këtë si një formë të re varësie dixhitale, të krahasueshme me rrjetet sociale si Instagram apo TikTok, por që ndryshon në thelb.

“Në këtë rast nuk kemi varësi krahasuese, ku ti ndjek të tjerët, por një marrëdhënie të brendshme, më intime, me një entitet dixhital që të përgjigjet vetëm ty”, – shpjegon ajo.

Kjo marrëdhënie e drejtpërdrejtë me një mjet që nuk të gjykon, nuk të refuzon dhe të dëgjon gjithmonë, bëhet edhe më e fortë në moshat e adoleshencës.

Ana ekonomike

Për herë të parë, një Inteligjencë Artificiale po ndërhyn jo në prodhim apo në analizë të dhënash, por në një terren delikat: psikologjinë e konsumatorit.

Bisedat me ChatGPT po zëvendësojnë kërkimet e lodhshme në Google, këshillat spontane me miqtë, madje shpesh edhe konsultimet me profesionistë.

Dhe kjo nuk është pa pasoja. Kur përdoruesit ndihen të kuptuar apo të përforcuar emocionalisht nga një chatbot, ata janë priren të marrin vendime më të shpejta sipas studimeve të fundit, ndonjëherë më impulsive në sfera që variojnë nga blerjet online te zgjedhjet e karrierës apo marrëdhëniet me financat.

Për shembull, psikologët pohojnë se, një punonjës që ndien stres të vazhdueshëm në vendin e punës mund të përdorë ChatGPT si një formë të shpejtë “ventilimi”, por në mungesë të ndërveprimit njerëzor, përkrahja virtuale mund të përkthehet në vendime drastike: dorëheqje të nxituara, ndryshime profesioni, ose orientim drejt punëve të pavarura.

E gjithë kjo ndodh pa një analizë të thellë ekonomike, por si rezultat i një ndjesie subjektive që chatbot-i e ushqen pa dashje.

Nga ana tjetër, ka dhe efekte pozitive. Përdoruesit që ndihen më të sigurt dhe të mbështetur pas ndërveprimeve me AI-në kanë më shumë gjasa të marrin nisma ekonomike, të hapin një biznes, të kërkojnë rritje page, apo të menaxhojnë më mirë buxhetin personal.

Në këtë kontekst, ChatGPT nuk është thjesht një mjet komunikimi, por një katalizator psikologjik për sjellje të reja ekonomike.

Kjo ngre një pyetje të re për kohët moderne: nëse Inteligjenca Artificiale ndikon në mënyrën si mendojmë dhe ndiejmë, a duhet të fillojmë ta llogarisim atë si një aktor të ri në modelet e sjelljes së konsumatorit dhe të tregut të punës?

Përdorimi i ChatGPT nga studentët, sfidat dhe pasojat në tregun e punës

Përdorimi i ChatGPT nga studentët shihet me shqetësim, jo vetëm në përfundimin e detyrave të tyre apo përgjegjësive akademike, por edhe kur përballen me tregun e punës. Kështu shprehet Fatjona Murati, drejtuese e “Cancri Marketing”.

Sipas saj, po krijohet një brez i ri, një “armatë” njerëzish që në të ardhmen mund të kenë probleme serioze me mendimin kritik, logjikën, zgjidhjen e problemeve dhe procesin e krijimit të ideve, “brainstorming”-un, që është thelbësor në shumë vende pune.

“ChatGPT përdoret për nxitjen e ideve, por ka kaluar në një përdorim të gabuar: për çdo gjë, çdo tezë, çdo provim, studentët ia lënë platformës. Mjafton të japësh një prompt të strukturuar mirë dhe t’i thuash që je student në një fushë të caktuar dhe AI të jep gjithë përmbajtjen.

Në këtë mënyrë, mësuesit dhe sistemi arsimor nuk janë më në gjendje të kuptojnë realisht cilat janë aftësitë e vërteta të një studenti. Kjo krijon boshllëk të madh mes njohurive reale dhe asaj që paraqitet në letër”, – thotë znj. Murati.

Në tregun e punës, sipas saj, ka një rrezik të dukshëm për profesionet e teknologjisë së informacionit.

“Shumë mendojnë se IT nuk është i rrezikuar, por në fakt, janë pozicionet junior, veçanërisht ato që përfshijnë punë rutinë si data entry apo kodime të thjeshta, që mund të zëvendësohen lehtësisht nga Inteligjenca Artificiale.

Për kompanitë që rekrutojnë, nuk ka më shumë nevojë për studentë që të bëjnë internship-e për punë të thjeshta.

Këto detyra mund të kryhen nga një punonjës me përvojë, që menaxhon dhe prodhon më shumë në më pak kohë. Studentët përballen me vështirësi për t’u integruar në tregun e punës, sepse nuk kanë më “hyrjen” e parë pra praktikën.

Kjo është një sfidë e madhe. Nga njëra anë kemi profesione që po zhduken, nga ana tjetër po hapen profesione të reja për të cilat nuk ka as shkollim, as trajnime të strukturuara. Gjithçka po bëhet në mënyrë autodidakte”, – thotë marketerja.

Rreziku tek të rinjtë

Fatjona Murati, drejtuese e “Cancri Marketing” pohon se po krijohet një brez i ri, një “armatë” njerëzish që në të ardhmen mund të kenë probleme serioze me mendimin kritik, logjikën, zgjidhjen e problemeve dhe procesin e krijimit të ideve, “brainstorming”-un, që është thelbësor në shumë vende pune.

“ChatGPT përdoret për nxitjen e ideve, por ka kaluar në një përdorim të gabuar: për çdo gjë, çdo tezë, çdo provim, studentët ia lënë platformës. Mjafton të japësh një prompt të strukturuar mirë dhe t’i thuash që je student në një fushë të caktuar dhe AI të jep gjithë përmbajtjen. Në këtë mënyrë, mësuesit dhe sistemi arsimor nuk janë më në gjendje të kuptojnë realisht cilat janë aftësitë e vërteta të një studenti. Kjo krijon boshllëk të madh mes njohurive reale dhe asaj që paraqitet në letër”, – thotë znj. Murati./MONITOR

The post Të (de)kodosh mendjen, si ChatGPT po kthehet në varësi për shqiptarët, sidomos të rinjtë appeared first on Albeu.com.

❌