Shteti i kontinentit afrikan, Kenia ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, është ai që e ka arritur njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një postim në Facebook, Pacolli ka pohuar se që nga viti 2009 ka lobuar dhe ka biseduar me autoritetet keniane për ta arritur njohjen.
“Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet. Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016”.
“Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia!”, ka thënë Pacolli.
Lajmin e njohjes së pasaportave e kishte dhënë vet Pacolli sërish më 23 mars të vitit 2023.
“Sot, vizitova në Nairobi Presidentin e Republikës së Kenias, mikun tim, Ëilliam Ruto, për ta falënderuar për miqësinë e tij ndër vite. Gjatë takimit ai më njoftoi se ka marre vendim me të cilin Republika e Kenias ka zyrtarizuar fillimin e bashkëpunimit me Republikën e Kosovës në të gjitha fushat e interesit të përbashkët. Njohja e pasaportes së Republikës së Kosovës është hapi i parë i konkretizimit. Ky është një moment historik për raportet diplomatike të Kosovës me Kenian”, ka thënë Pacolli.
Shteti i kontinentit afrikan, Kenia e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Kështu ka njoftuar, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, duke thënë se Kosova shkruan histori, transmeton Telegrafi.
“17 vjet pas Pavarësisë, në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme, Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran! Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të”, ka shkruar Pacolli.
Ai tutje ka shkruar se kjo fitore nuk erdhi rastësisht, duke shtuar se ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë.
“Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, tha ai.
Pacolli pohon se presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016.
“Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia! Kjo është diplomaci me rezultat. Kjo është Kosova që e respektojnë! Kjo është fitorja e dinjitetit tonë kombëtar në arenën ndërkombëtare”, theksoi ai.
Tutje, ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Repbulikën e Shqipërisë në Nairobi.
“Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore. Dua te shpreh falënderimin për bashkëpunëtorin tim të ngushtë, Jetlir Zyberaj i cili ka qenë në mënyrë permanente syri dhe veshi im jo vetëm në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën.Një falënderim të veçantë dua t’i shpreh edhe Shqipërisë, presidentit Begaj dhe kryeministrit Edi Rama të cilët më kanë dhënë mbështetje shtetërore”, theksoi ai.
Mes tjerash, ai shton se “Kjo është dita kur Kosova u pa, u dëgjua dhe u pranua. Kjo është dita kur populli ynë duhet të ndiejë krenarinë e një fitoreje që nuk ka çmim – njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë”.
“Faleminderit Kenia! Faleminderit President Ruto! Lavdi Kosovës dhe qytetarëve të saj krenarë”./Telegrafi/
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Kosova e pavarur është një realitet që nuk kthehet asnjëherë më prapa.
Këto komente Begaj i bëri me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në një ceremoni të veçantë, ku nën patronatin e presidentes Vjosa Osmani, u ndan Dekorata Presidenciale, për personalitete të shquara vendore dhe ndërkombëtare.
“Ne duhet të qëndrojmë bashkë krah për krah në çdo sferë”, tha ai, raporton kp.
Ai tha se ndihma e Shqipërisë ndaj Kosovës është ndihmë për shqiptarinë.
Ish-Presidenti, Fatmir Sejdiu ka thënë se me 17 shkurt të 2008-së, ish kryeministri atë botë Hashim Thaçi e ka lexuar deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ku kjo e fundit është dokument i rëndësishëm i kuvendit të Kosovës, por që nuk e ka shpallur atë.
“Deklarata e Pavarësisë është dokument I Kuvendit. Kemi biseduar, Thaçi e ka lexuar atë deklaratë. Nuk e ka shpallur ai, është autorësi e Kuvendit të Kosovës. Ne jemi nënshkrues të pare, sipas pozitave të shtetit. E kanë nënshkruar një dokument I cili është dokument historic. E kanë nënshkruar edhe disa deputetë të komuniteteve”, tha Sejdiu.
Sejdiu në “Debat Plus” u shpreh se me ish-kryeministrin, Hashim Thaçi ka pasur çështje që nuk është pajtuar por që punët e rëndësishme për shtetin e Kosovës është bërë me mirëkuptim.
Bashkëpunimi me Thaçin e Krasniqin
“Ka pasur çështje që nuk jemi pajtuar por ka pasur raste edhe kur jemi pajtuar me rrugën e bashkëpunimit institucional të nevojshëm. Kemi pasur koncepte të ndryshme, është e natyrshme. Por në temat e rrugës së Kosovës dhe zhvillimit të saj ka pasur ujdi institucionale. Ka qenë productive.
Në takimet tete a tete të së hënave, 99% janë zhvilluar në zyrën time. Nga pozita si shef I shtetit, ka shkuar në këso rrafsha. Takimet me kryetarin e Kuvendit të rralla por kanë qenë konstruktive ato që janë.
biseduar.
Temat kanë qenë aktuale, ditore Një nga mospajtimet me kryeministrin Thaçi kanë qenë për shkak të kryetari të Rahovecit. Arsyejet kanë qenë të thjeshta dhe shumë të qarta se ministria e Pushtetit Lokal kishte marrë vendim për dorëheqjen e tij dhe rikthimin e tij në pozicion. Kemi shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe është marrë ashtu siç mendoja unë”, shtoi Sejdiu.
Sejdiu kujtoi se datën e Pavarësisë e kanë ditur afërsisht dy javë para shpalljes por që informacionet e tilla janë ruajtur me konfidencialitet.
“Afër dy javë para shpalljes e kemi ditur datën. Janë çasje motive që secili nga ne kemi pasur. Por është e vërtetë se nuk kemi dalur jashtë disiplinës institucionale. Kemi pasur konsulta të thella me partnerët ndërkombëtare, sidomos me SHBA duke filluar me sekretaren e shtetit dhe personalitet e tjera të vendeve aleate. Kemi dashur të ruajmë në konfidenciale edhe pjesën e kuvendimeve pozitive. Kam dashur të mbetem një mënyre pajtimtar I një ujdije të përgjithshme të heshtur derisa të vijë momente. Ka pasur nxitime të shumë dhe llojllojshme dhe janë lidhur njerëzit me kushte. Ka pasur presion e se nuk po guxoni ta bëni 28 a jo. Ka pasur edhe përgjegje për 28 apo presioni që ka pasur. Porn a bëri të kuptojmë një reagim; Lehtë është të lavdëroheni me sene të huaja. Keni kujdes”, shtoi ai.
Ish-emisari amerikan, Richard Grenell, u përball me një valë reagimesh negative në rrjetin social “X” pasi uroi 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, ai shprehu shqetësimin për atë që e quajti “padrejtësi të madhe” ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili vijon të qëndrojë në paraburgim në Hagë.
Grenell e cilësoi Thaçin si “Atin themelues të shtetësisë së Kosovës” dhe shtoi se ai “duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo prapa grilave.”
Megjithatë, ky qëndrim ngjalli zemërim tek një pjesë e madhe e ndjekësve të tij serbë.
Ata reaguan me një sërë komentesh të ashpra, duke përfshirë edhe gjuhë ofenduese e fyerje të rënda ndaj tij dhe administratës amerikane.
Në disa prej mesazheve u përdorën shprehje si “Kosova është Serbi” dhe komente të tjera me përmbajtje denigruese.
“Shkoni në ferr me gjithë administratën amerikane”, “Largohu, pe*er”, “Kosova është Serbi”…
Komuna e Gjilanit ka festuar 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me një sërë aktivitetesh.
Ky përvjetor u nis me hapjen e seancës solemne në Kuvendin Komunal në Gjilan, ku pos përfaqësuesve institucional, morën pjesë edhe përfaqësues nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e familjarë të dëshmorëve.
Në këtë seancë, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se 17 shkurti është një pikë reflektimi mbi sakrificën, vlerën e lirisë dhe rrugën që na pret, duke shtuar se pavarësia është një rrugëtim i gdhendur në qenien e popullit tonë me mund, gjak dhe qëndresë.
Pastaj janë bërë homazhe tek kompleksi i varrezave të dëshmorëve në Gjilan, me çrast Hyseni tha se gjaku i dëshmorëve, sakrifica e popullit dhe ëndrra e brezave bënë që sot të festojmë Kosovën, shtetin e lirë, të pavarur dhe krenar.
Në orën 11:00 është mbajtur koncerti festiv për fëmijë në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, të organizuar nga kolegji Don Bosko.
Për nderë të kësaj feste, është zhvilluar edhe një turne futbolli i Veteranëve të Futbollit, në të cilin kanë marrë pjesë ekipe nga trevat shqiptare, si Drenica nga Skenderaj, Kumanova, Drita dhe Gjilani.
Gjatë kësaj ndeshje, kryetari Hyseni tha se këta futbollistë të njohur të dikurshëm po takohen në një ditë shumë të rëndësishme siç është 17 – vjetori i Pavarësisë së Kosovës, duke nderuar sakrificën e të gjitha atyre që kanë kontribuar ndër vite për këtë ditë të shënuar.
Për nderë të 17 vjetorit të pavarësisë, nga ora 17:00, është mbajtur edhe një koncert festiv i organizuar nga Ansambli i Këngës dhe Valleve në Gjilan.
Dhe, u përmbyll me ekspozitën personale të artistit Ramadani Arifi në Galerinë e Arteve në Gjilan. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka përshëndetur veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ceremoninë kryesore të festimit të shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kryetarja e shtetit në fjalën para parakalimit të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ku përshëndeti të pranishmit, familjet e dëshmorëve të UÇK-së, por jo veteranët.
“I nderuar kryeministër, të nderuar ish presidentë, të nderuar kabinet qeveritar, oficerë, nënoficer dhe ushtarë të Forcës dhe Sigurisë, të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të nderuar familje të dëshmorëve të UÇK-së, të nderuar ambasadorë nga shtetet mike dhe shumë të dashur të pranishëm”, tha Osmani.
Por të kundërtën e bëri kryeministri Albin Kurti, i cili mes tjerash përshëndeti familjet e dëshmorëve, invalidët dhe veteranët e UÇK-së.
“E nderuar zonja Vjosa Osmani-Sadriu, presidente e Republikës. Të nderuar presidentë, zotëri Fatmir Sejdiu dhe zonja Atifete Jahjaga. Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra. I nderuari komandant i Forcës, Bekim Jashari, të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës çlirimtare. Të nderuar familje të dëshmorëve, ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë. Të nderuar ushtarak të FSK-së dhe oficerë të Policisë së Kosovës”, tha Kurti.
Në 17-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, veteranët e UÇK-së të vetëm kanë bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ndërsa kritikuan kryeministrin Albin Kurti. Sipas tyre kreu I qeverise nuk ka bashkëpunuar në asnjë moment me veteranët./abcnews.al
Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq u takua sot në Moskë me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Vizita e tij erdhi në ditën kur Kosova shënon 17-vjetorin e pavarësisë. E për këtë, Gjuriq nuk e la pa u ankuar.
Gjuriq përsëriti pretendimet e tij se gjoja Kosova ka shkelur Kushtetutën duke shpallur pavarësinë e saj.
“I jemi mirënjohëse Rusisë për qëndrimin e saj të prerë dhe parimor për çështjen e Kosovës dhe shpresojmë që me ndryshimet tektonike në bashkësinë ndërkombëtare të hapet më shumë hapësirë që kjo çështje të zgjidhet në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe në mënyrë të civilizuar”, tha ai, shkruajnë mediat serbe.
Përkundër faktit që Rusia vazhdon të kritikohet nga Perëndimi për luftën pushtuese në Ukrainë, Serbia vazhdon t’i qëndrojë besnike.
“Ky do të jetë një vit i mirë për bashkëpunimin ruso-serb”, ka thënë ai.
Në këtë takim u tha se Rusia vlerëson marrëdhëniet me Serbinë që i kanë rezistuar kohës.
“Ne i vlerësojmë marrëdhëniet tona që i kanë qëndruar provës së kohës, ndonjëherë shumë të vështira. Ato bazohen në marrëdhëniet miqësore mes popujve tanë dhe vendosmërinë për të ruajtur kujtesën e historisë së miqësisë sonë dhe kujtimin e ngjarjeve që e shtynë Evropën në luftën më të tmerrshme botërore në të cilën vdiqën shumë serbë dhe shumë popuj të Bashkimit Sovjetik, dhe një nga detyrat është bashkimi i përpjekjeve për të parandaluar një tragjedi të tillë”, tha Lavrov në fillim të takimit.
Siç raportojnë mediat ruse, në fillim të takimit, Gjuriq i ka përcjellë Lavrovit mirënjohjen e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mbështetjen e tij për “integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë” kur bëhet fjalë për Kosovën.
Para takimit me Lavrovin, Gjuriq në rrjetin social X ka njoftuar se vizitën në Rusi e ka nisur duke vizituar Katedralen e Krishtit Shpëtimtar dhe Muzeun e Fitores në Moskë.
“Për tetë dekada, Serbia ka kultivuar parimisht dhe me krenari një politikë të ruajtjes së kujtesës së luftës historike kundër fashizmit dhe nazizmit dhe faktit se goditja vendimtare ndaj ideologjive të urrejtjes në Luftën e Dytë Botërore u dha në Frontin Lindor”, tha ministri.
Në Kommunën e Malishevës janë zhvilluar sot aktivitetet zyrtare për shënimin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Këto aktivitete, të cilat kishin nisur disa ditë më parë nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, kulmuan me mbajtjen e një mbledhjeje solemne të Kuvendit të Komunës dhe me homazhe në nderim të dëshmorëve të kombit.
Në mbledhjen solemne, përveç anëtarëve të Kuvendit, morën pjesë edhe familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë. Fjalimet e rastit u mbajtën nga kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, kryesuesi i Kuvendit, Argjend Thaçi, dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Feriz Krasniqi.
Në fjalën e tij, kryetari Kastrati vlerësoi lart sakrificën e popullit shqiptar për liri, e cila kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008. Ai theksoi se dëshmorët janë më meritorët për këtë arritje dhe shtoi se angazhimi për realizimin e aspiratave kombëtare, përfshirë anëtarësimin në BE dhe NATO, do të vazhdojë.
Kryesuesi i Kuvendit, Argjend Thaçi, foli për sakrificën e brezave të tërë për liri, duke nënvizuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për pavarësinë. Ai theksoi se rruga e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike mbetet synim kryesor.
Në emër të OVL të UÇK-së në Malishevë, Feriz Krasniqi uroi popullin shqiptar për Ditën e Pavarësisë dhe rikujtoi përpjekjet e vazhdueshme për liri, të cilat kulmuan me luftën e UÇK-së.
Të gjithë folësit shprehën edhe njëherë pakënaqësinë e tyre për faktin që, tash e disa vite, Dita e Pavarësisë po shënohet pa praninë e krerëve të luftës, të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë.
Pas mbledhjes solemne, vijuan homazhet dhe nderimet te varrezat e dëshmorëve në Malishevë, Kleçkë dhe në kompleksin memorial në Prekaz.
Sot shënohet 17 vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe KultPlus ju sjell disa fakte rreth ditës historike të 17 shkurtit të vitit 2008.
-Pavarësia e Kosovës është shpallur me datën 17 shkurt 2008, në orën 15:39 minuta
-Dizajnues i flamurit dhe i stemës së Kosovës: Muhamer Ibrahimi
-Të parët që nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës, ishin: presidenti Fatmir Sejdiu, kryetari i kuvendit, Jakup Krasniqi, si dhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
-Shtetet e para që njohën Kosovën si shtet pas shpalljes së pavarësisë ishin: Kosta Rika, SHBA, Franca, Afganistani, Shqipëria, Turqia, Britania e Madhe etj.
-Pergamena e vjetër 200 vjeçare në të cilën është nënshkruar deklarata e pavarësisë së Kosovës, gjendet në zyrën e kryetarit të Kuvendit.
-Përveç pergamenës, aty gjenden edhe lapsi me të cilin vënë nënshkrimet, listat e nënshkrimeve të deputetëve pjesmarrës ë seancë, si dhe flamuri i vendosur në seancën e shpalljes së pavarësisë.
-Muzeu i Londrës ishte ai që ia fali Kosovës pergamenën për shpalljen e pavarësisë
-Flamujt e parë të Republikës së Kosovës ishin shtypur në Turqi.
-Himni i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, për herë të parë ishte intonuar në seancën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
-Yjet e bardhë në flamurin e Kosovës simbolizojnë komunitetet e ndryshme që jetojnë në Kosovë, harta e verdhë simbolizon pasurinë e Kosovës, ndërsa ngjyyra e kaltër simbolizon Evropën.
-Prezente gjatë seancës së shpalljes së pavarësisë të Kosovës, me transmetime direkte, kishin qenë edhe mediat më të njohura botërore si: CNN, BBC etj. /KultPlus.com
Shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj ndërkombëtare, në Prishtinë konsiderohen si datat më të rëndësishme të historisë së deritashme të Kosovës. Përpjekjet e kosovarëve dhe popullatës shumicë për liri datojnë për një shekull, përderisa përpjekjet për krijimin e një shteti të pavarur datojnë për një kohë të gjatë, por ato kanë marrë forma më konkrete të organizimit nga fundi i viteve të 80-ta dhe fillimi i viteve të 90-ta. Atëherë, kur edhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë.
Madje, edhe vetë shpërbërja e ish-Jugosllavisë vlerësohet se filloi në Kosovë dhe mbase me Kosovën edhe po përmbyllet. Vitet 1988-89 shënuan protesta masive të shqiptarëve kundër politikës represive të Serbisë ndaj Kosovës, që kulmoi me suprimimin e autonomisë, që Kosova gëzonte në ish-Jugosllavi.
Muaji shkurt i vitit 1989 u karakterizua me grevën e minatorëve të kompleksit Trepça, në mbrojtje të pozitës kushtetuese të Kosovës. Greva e minatorëve besohet se lëkundi themelet e ish-Jugosllavisë.
Më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave, duke e lënë Kosovën si një pjesë përbërëse të Serbisë. Suprimimi i autonomisë pasoi pushtimin e Kosovës me mijëra policë e ushtarë serbë, duke e vënë popullatën shumicë nën masa represive dhe aparteidi.
Pavarësisht represionit, më 2 korrik të vitit 1990, Kuvendi i Kosovës shpalli deklaratën kushtetuese që e definonte Kosovën Republikë. Nënkryetari i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Iljaz Ramajli, thotë se deklarata e pavarësisë u pasua edhe me nxjerrjen e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik.
“Ne ishim të vetëdijshëm se do të ketë një kundër-reaksion të Serbisë, pasi që ajo nuk zgjedhte mjete për t’i realizuar qëllimet e veta. Shumë shpejt, më 5 korrik, Kuvendi i Serbisë, me një ligj anti-kushtetues dhe pa të drejtë, pa bazë kushtetuese, suspendoi Kuvendin dhe e ndali punën e Qeverisë së Kosovës”, tha Ramajli.
Me fillimin e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova organizoi edhe referendumin për pavarësi e sovranitet, të mbajtur në shtatorin e vitit 1991. Nga ky moment, në Kosovë instalohet sistemi i organizimit paralel, që pasoi zgjedhjet e mbajtura jashtë sistemit juridik serb, në të cilat Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës dhe formon qeverinë në ekzil, të udhëhequr nga kryeministri Bujar Bukoshi. Por, kjo Republikë dhe kjo qeveri nuk gëzuan njohje ndërkombëtare, sado që në Kosovë kishin një përkrahje masive.
Rugova udhëhoqi rezistencën paqësore të shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit serb dhe punuan në sensibilizimin e opinionit botëror dhe qeverive më me ndikim në botë për problemin e Kosovës. Atë kohë, Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës pasive e me mjete paqësore.
“Ne jemi parti politike dhe njëherë më shumë punojmë me fjalë, sepse ende nuk kemi pushtet. E natyrisht, po të ishim në pushtet, këto çështje do t’i zgjidhnim në mënyrën më pozitive, më të mirë, do të kishim mundësi edhe fizikisht t’i ndalim forcat e tjera, edhe presionin që bëhet këtu në Kosovë”, tha Ibrahim Rugova, në fillimvitet e 90-ta.
Politika paqësore e Rugovës dhe LDK-së filloi të kritikohet nga vitet 1995 e tutje. Sidomos, pas Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, kur u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosova u la anash, në Kosovë filluan të formohen grupe ushtarake guerile, që në vitin 1997 do të rezultojnë me paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Që nga themelimi i UÇK-së, kemi pasur si objektivë kryesore çlirimin e vendit dhe në kuadër të kësaj, përpos angazhimeve tona operative, mbi të gjitha ka qenë që ne të shënojmë një triumf politik, diplomatik dhe ushtarak ndaj Serbisë”, thotë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, atëherë shef i Drejtorisë Politike të UÇK-së.
Ndonëse në raste, politika pacifiste e Rugovës dhe ajo militare e UÇK-së nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, synimi ishte i njëjtë – çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe ndërtimi i Kosovës – shtet të pavarur e sovran. Me intensifikimin e luftimeve në Kosovë, shtohet edhe numri i vrasjeve e masakrave, që forcat ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë kryeninin mbi popullatën civile shqiptare.
Më 1 tetor të vitit 1997, Lëvizja Studentore organizon një protestë masive, e cila i dha një dimension të ri politik zhvillimeve në Kosovë.
Më 5 mars të vitit 1998, forcat serbe sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku vrasin Adem Jasharin, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin legjendar të UÇK-së.
Vrasjet dhe masakrat e shumta kulmojnë më 15 janar të vitit 1999, kur forcat serbe ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha se ajo ishte një masakër. Nga ky moment, Uashingtoni kërkoi nga NATO-ja dhe evropianët të përgatiten për organizimin e një konference paqësore për Kosovën. Dhe ajo ndodhi, në Rambuje, afër Parisit.
Për herë të parë, LDK dhe Rugova në njërën anë dhe UÇK-ja dhe udhëheqësit e saj në anën tjetër, bashkohen në një delegacion kosovar. Më 6 shkurt fillon Konferenca e Rambujesë dhe ajo mbaron më 23 shkurt pa rezultate përfundimtare. Kështu që thirret vazhdimi i saj për datën 15 mars në Paris. Ndërkohë, delegacioni politik e ushtarak i Kosovës nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë, pala serbe refuzon ta nënshkruajë. Me këtë veprim, hapet rruga për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë.
Hashim Thaçi e vlerëson si kthesë Konferencën e Rambujesë.
“Ishte një konferencë shumë e rëndësishme, shumë vështirë për ata që morën pjesë në të dhe ata që zhvilluan kontakte me diplomatë gjatë kësaj konference”, rikujton Thaçi.
Nga 24 marsi deri më 10, përkatësisht 12 qershor të vitit 1999, fillon historia e re e Kosovës. NATO vihet në luftë duke bombarduar caqet ushtarake serbe deri në çlirimin e Kosovës. Por, gjatë kësaj kohe, popullata shqiptare përjetoi një prej etapave më të vështira, duke u përballur me një dhunë brutale të forcave serbe.
Sidoqoftë, më 10 qershor të vitit 1999, Millosheviqi nënshkruan kapitullimin dhe NATO fund në Kosovë. Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit, në bazë të një kompromisi ndërmjet perëndimit e Rusisë, miraton Rezolutën 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Nga kjo periudhë, në Kosovë fillon të ndërtohet gjithçka nga fillimi.
Nën administrimin ndërkombëtar, në Kosovë mbahen tri palë zgjedhje në të dyja nivelet. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit të vitit 2001, më 4 mars të vitit 2002, Kosova formon qeverinë e parë dhe zgjedh presidentin dhe kryeministrin. Por, ndonëse shumë kush ka pritur që Kosova për 3 vjet të UNMIK-ut do të pavarësohet, kjo nuk ndodhi. Kosovës iu deshën afër nëntë vjet për të marrë mbështetjen e plotë ndërkombëtare, duke përjashtuar këtu Rusinë, që të kthehet dhe të formojë një shtet të pavarur, por të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.
Më 28 shtator të vitit 2005, me kërkesën e ndërkombëtarëve dhe me miratimin e presidentit Rugova, Kuvendi i Kosovës formoi Ekipin Negociator për statusin. Ishte presidenti Rugova, ai i cili në vazhdimësi kërkonte që Kosova të njihet si shtet i pavarur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet tjera evropiane, duke besuar se Kosova dhe Serbia nuk mund të gjejnë kurrë marrëveshje mes vete.
Gjithsesi, një dëshirë që sa më shpejt Kosova të jetë një vend i pavarur dhe sa më shpejt të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike. Pra, sa më shpejt të bëhet njohja formale e pavarësisë së Kosovës”, ishte fraza aq shumë e përsëritur nga presidenti Rugova.
Pas një sëmundjeje të rëndë, presidenti Rugova ndërron jetë më 21 janar të vitit 2006.
Pasardhës i tij në këtë post, vjen Fatmir Sejdiu, po nga LDK-ja. Negociatat Prishtinë – Beograd, nën ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare vazhdojnë, por ato nuk sjellin marrëveshje.
I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedime, presidenti Martti Ahtisaari, propozon një plan gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, duke rekomanduar pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën, me prani civile e ushtarake ndërkombëtare. Prishtina e pranoi, ndërkaq Beogradi e refuzoi këtë plan. Si konsensus ndërkombëtar, procesi negociues fitoi edhe katër muaj kohë për një zgjidhje kompromisi, nën ndërmjetësimin e Treshes, SHBA-të, BE-ja dhe Rusia. Por, as kësaj radhe nuk u arrit marrëveshja.
Kosova kërkon pavarësi, kurse Serbia ofron autonomi. Përpjekjet ndërkombëtare nuk rezultojnë as me zëvendësimin e Rezolutës 1244 për t’i hapur rrugën pavarësisë së Kosovës përmes Kombeve të Bashkuara, për shkak se Rusia kërcënoi me veto në Këshillin e Sigurimit. Por, pas një interpretimi nga ekspertët evropianë, doli se Rezoluta 1244 ka bazë juridike për shpalljen e pavarësisë dhe largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara dhe vendosjen e një misioni civil të Bashkimit Evropian.
I gjithë procesi u dakordua me Prishtinën dhe u miratua shpallja e koordinuar e pavarësisë ndërmjet Uashingtonit, Brukselit dhe Prishtinës, sipas planit të Ahtisaarit. Kështu, Bashkimi Evropian miraton dërgimin e misionit civil në Kosovë për të mbikëqyrur zbatimin e pakos së Ahtisaarit dhe për të siguruar sundimin e ligjit në shtetin më të ri të familjes evropiane.
Pas këtij hapi, Kosova shpall pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. / KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka ururar Kosovën në 17-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë.
“Mirëmëngjes Kosovë. Gëzuar pavarësinë dhe mbarësi gjithmonë”, shprehet Rama në një postim në rrjetet sociale.
Më 17 shkurt të vitit 2008, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë qytetarët e Kosovës vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (1997-99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë./atsh/KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar sot Kosovën në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Në një mesazh urimi në rrjetet sociale, Begaj shprehu nderimin për mijëra burra dhe gra që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!”, shkruan Presidenti Begaj në mesazhin e tij./KultPlus.com
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj uroi sot Kosovën në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Në një mesazh urimi në rrjetet sociale, Kreu i Shtetit shprehu nderimin për mijëra burra dhe gra që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!”, shkruan Presidenti Begaj në mesazhin e tij.
Procesi për statusin përfundimtar të Kosovës nisi zyrtarisht në nëntor të vitit 2005. Pas konsultimeve gjithëpërfshirëse, më 2 shkurt të vitit 2007 i dërguari special ndërkombëtar për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur.
Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik, më 17 shkurt të vitit 2008.
Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,
Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,
Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,
Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,
Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,
Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,
Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,
Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,
Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,
Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,
Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,
Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,
Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,
Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,
Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.
Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.
Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.
Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.
Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.
Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.
Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.
Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.
Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.
Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.
Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.
Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. / KultPlus.com
Si sot, më 17 shkurt 2008 është shpallur Pavarësia e Kosovës. Ky ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullin kosovar.
Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.
Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.
Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008./ KultPlus.com
Kosova shënon 17-vjetorin e shpalljes së pavarësisë me një sërë aktivitetesh zyrtare dhe ceremoniale.
Më poshtë është agjenda e aktiviteteve të planifikuara për këtë ditë të rëndësishme:
Aktivitetet:
08:00 – Mbledhja Festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të shënuar 17-vjetorin e Pavarësisë.
08:20 – Ceremonia e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës.
08:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë.
09:00 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova.
09:10 – Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
10:15 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.
11:45 – Nderime te Monumenti “Heroinat”.
12:00 – Parakalimi i Trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
16:00 – 16:20 – Konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e cila do të mbahet në amfiteatrin e Institutit të Historisë.
Përvjetori i Pavarësisë së Kosovës do të shënohet me këto aktivitete që simbolizojnë sakrificën dhe historinë e vendit në rrugëtimin e tij drejt shtetësisë.
Me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten Vjosa Osmani, duke rikonfirmuar mbështetjen e Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e Macron.
Më tej, në urim shfaqi shpresën që të dy shtetet të mund të vazhdojnë të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.
“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë”, thuhet në urim.
Në këtë urim, Presidenti Macron ka falënderuar Presidenten Osmani për pjesëmarrjen në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame.
“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera në urimin e tij, Macron.
Në prag të 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Tirana është veshur me ngjyrat simbolike të shtetit më të ri në Evropë.
Në shenjë solidariteti dhe vëllazërie mes dy vendeve, në qendër të kryeqytetit shqiptar është shpalosur një flamur gjigant i Kosovës, duke krijuar një atmosferë festive dhe emocionuese për këtë ditë të rëndësishme.
Flamuri me ngjyrën e kaltër dhe hartën e artë të Kosovës, i zbukuruar me gjashtë yjet që përfaqësojnë komunitetet e saj, është vendosur në një nga hapësirat më të frekuentuara të Tiranës, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe vizitorëve.
Përveç flamurit të Kosovës, në qendër të kryeqytetit shqiptar valon edhe flamuri kuqezi, si një simbol i përbashkët i historisë, kulturës dhe lidhjeve të pandashme mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit.
Tirana, e cila gjithmonë ka qenë pranë Kosovës në momentet kyçe të historisë së saj, ka organizuar edhe këtë vit aktivitete të ndryshme për të shënuar përvjetorin e pavarësisë.
Qytetarë të shumtë kanë ndarë imazhe dhe video nga ky moment domethënës, duke e përjetuar këtë ngjarje me emocione të veçanta.
Për shumë prej tyre, ky akt simbolik përforcon ndjenjën e unitetit mes shqiptarëve dhe nënvizon rëndësinë e 17 Shkurtit si një datë historike për kombin.
Pritet që festimet të kulmojnë më 17 shkurt, kur në të dyja kryeqytetet shqiptare, Prishtinë dhe Tiranë, të mbahen aktivitete madhështore për të nderuar këtë ditë të shënuar./Telegrafi/
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj ishte i pranishëm në pritjen e zhvilluar nga ambasada e Prishtinës në Tiranë, me rastin e 17 shkurtit, ditës së Pavarësisë.
Ndërsa vlerëson rolin e Ibrahim Rugovës, si lider dhe President historik i Kosovës, Adem Demaçit dhe luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballje me një regjim kriminal tëi ish- Jugosllavisë, presidenti Begaj i bën apel dhe Bashkimit Evropian që të lehtësojë raportet me Kosovën, gjithashtu dhe vendeve anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën, të mos vonojnë që ta njohin atë.
Fjalimi i plotë:
Urime ditën e Pavarësisë!
Kosova e fitoi pavarësinë e saj përmes rezistencës paqësore të burrave të mençur, si Ibrahim Rugova lider dhe President historik i Kosovës, Adem Demaçit dhe luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përballje me një regjim kriminal të ish- Jugosllavisë.
Ajo u ndërtua mbi sakrificat e mijëra burrave dhe grave që guxuan të ëndërrojnë një të ardhme në liri dhe më të mirë për fëmijët e tyre.
Ajo u pagua me gjakun e dëshmorëve, me lotët e nënave, me dhimbjen e të shpërngulurve dhe ende të pagjeturve dhe me qëndresën e një populli që nuk u përkul kurrë para padrejtësisë dhe gjenocidit.
Kauza e Kosovës bashkoi shtete e kombe.
Ndërhyrja e NATO-s është shembulli unik i reagimit dhe suksesi në mbrojtje të humanizmit dhe jetëve njerëzore.
Kjo pavarësi e Kosovës e arritur me gjak e sakrifica, duke patur në krah aleatët tanë dhe të duhurit, bëhet edhe më madhështore.
Pavarësia e Kosovës është pjesë e themelit të paqes në rajonin tonë dhe, si e tillë, mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë evropiane.
Pavarësia nuk mund të përkthehet vetëm në të drejta dhe liri, por edhe në përgjegjësi. Përgjegjësi para qytetarëve dhe para komunitetit ndërkombëtar, përgjegjësi të cilat Kosova i ka mbajtur me shumë maturi.
Brenda një kohe të shkurtër, Republika e Kosovës, shteti më i ri në Evropë, ka hedhur hapa gjigandë për të konsoliduar një shtet demokratik dhe funksional, që garanton të drejtat, një shtet që zhvillon procese të lira dhe demokratike zgjedhore.
Institucionet janë forcuar, ekonomia e saj po rritet dhe shoqëria është aktive e kërkon përparim e mirëqenie.
Shqipëria dhe Kosova, kombi shqiptar është aleati i përbetuar i vlerave Euroatlantike dhe ka mbështetjen më të madhe të këtyre vlerave në rajon e kontinent, një tregues tjetër ky i mençurisë për të projektuar të ardhmen dhe për të bërë zgjedhjen e duhur në kohë kaq të turbullta.
Tregues të tillë meritojnë më shumë mbështetje dhe vëmendje.
Dëshiroj të apeloj Bashkimin Evropian për tëlehtësuar raportet me Kosovën, si dhe vendet anëtare, të cilët ende nuk e kanë njohur, të rishikojnë vendimet e tyre.
Në aspektin strategjik, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vende të reja dhe roli i tij në sigurimin e paqes, zhvillimit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin nuk mund të përmbushet nëse ka vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetin më pro tij, Kosovën.
Të gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, i gjithë kombi shqiptar i gëzohen Pavarësisë së Republikës së Kosovës, rrugëtimit së saj dhe sukseseve që ajo ka arritur.
Shqipëria e Kosova janë dy shtete të një kombi, kombit shqiptar.
Dëshiroj të nxis bashkëpunimin më aktiv dhe konkret, sidomos në fushën ekonomikemidis dy qeverive dhe institucioneve tona, bashkëpunim që duhet të tejkalojë politikat e ditës dhe pengesat burokratike dhe që sjell më shumë shkëmbime dhe përfitime për qytetarët e dy vendeve tona.
Ne duhet të fitojmë kohën e humbur në të mirë të interesit të qytetarëve tanë dhe objektivave tona të përbashkëta për integrim, stabilitet e mirëqenie.
Nëse 26 vjet më parë diskutohej mbijetesa dhe çlirimi, nëse 17 vjet më parë pavarësia realizoi ëndrrën historike, gjenerata e sotme është përballësfidave të reja.
Sot kërkohet një qasje e re mjë qasje e re se si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, Kosovën më të mirë, hapësirën shqiptare më të mirë, më të zhvilluar, më të begatë e më evropiane.
Gëzuar Ditën e Pavarësisë!
Gëzuar të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës!