Opozita e copëzuar e Berishës/ Gjikondi: Ka njerëz për të shpërblyer, grupet parlamentare kanë staf dhe buxhet të veçantë
TIRANË- Partia Demokratike ka nisur pazarin ende pa nisur sesioni i ri parlamentar. Sali Berisha ka hapur “thesin e plaçkës së tregut” dhe po gostit me deputetë aleatët politikë të tij, me qëllimin që në Kuvend të formohen tre grupe parlamentare.
Në narrativen e tij, Berisha beson se kjo është forma me të cilën do t’i bëjë ballë mazhorancës aktuale, e cila në fakt sa i përket numrave në Kuvend nuk duket aspak e kushtëzuar nga PD për të miratuar ligje.
Analistja Brizida Gjikondi e ftuar në “Tirana Live”, u shpreh se krijimi i tre grupeve parlamentare është një hipokrizi e pastër e Sali Berishës.
Ajo shtoi se shqiptarët janë lodhur me pazaret e Berishës, të cilat shkojnë në favorin e tij dhe në kurriz të qytetarëve.
“Mendoj se Berisha është i vetëdijshëm se është një i “vdekur i pakallur” dhe çdo ditë në opozitë është një ditë e lumtur për të. Sa për grupet, ai e di shumë mirë se marrëdhëniet me Parlamentin dhe për Shqipërinë, i ka vetëm për interesa personale. Janë grupe false dhe janë grupe hipokrite. Më shumë duket si treg se sa mund të jetë një marrëdhënie parlamentare e ndershme. Ai thotë se nuk do njohë zgjedhjet, por do hyjë në Kuvend. Hipokrizi, shqiptarët janë lodhur dhe nuk duan ta ndjekin. Gjëja me e çuditshme në këtë histori janë ato që e ndjekin, deputetët e Partisë Demokratike. Ai ka njerëz për të shpërblyer dhe këto tre grupe kanë staf dhe buxhet të veçantë. Mediu dhe Meta më vetë nuk bëjnë dot grup parlamentar, por Shqipëri është mësuar me antiligjin dhe të bëjnë sajime për marrëdhënie të tilla”, tha ajo.
Ajo u ndal dhe tek fakti se kush pritet të drejtojë grupin parlamentar të PD në Kuvend.
Gjikondi theksoi se Berishës nuk i duhet më Gazment Bardhi, dhe në krye të grupit do të vendosë një kamikaz politik, i cili do t’i bindet qorrazi urdhrave të tij.
“Gaz Bardhi është një limon i shtrydhur dhe Berishës i duhej aq sa mori partinë nga Basha. Ai do një person një kamikaz të tij, që t’i bindet dhe ta urdhërojë për kaosin dhe rrëmujën që është mësuar të bëjë ai në Kuvendin e Shqipërisë”, tha ai./abcnews.al