Në procesin e dosjes “5D” ka dëshmuar Jona Bejko, punonjësaj e kompanisë që zbulohet në komunikime tek flet për një hotel në Durrës, ku sipas saj është pronar kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, apo siç e quan ajo “Lali Eri”.
Jona Bejko: Jam inxhiniere. Kam qenë e punësuar tek subjekti “5D”. Llogarisja kostot e objekteve. Kam aplikuar online, jam marrë në telefon, pastaj intervistë nga administratori, i takon periudhës 2020. Paga mujore ka qenë 60 mijë lekë të reja. I merrja në bankë, merrja edhe lekë në dorë për orët shtesë.
Redi Mollën nuk e njoh personalisht, nuk e kam parë asnjëherë. Mariglen Qaton nuk e njoh dhe as nuk e kam parë.
Kam pasur marrëdhënie me Jonida Hoxhajn, e cila ka qenë shefe finance në kompani. E kam pasur shumë shoqe. Gjatë komunikimeve që kisha me Jonidën ne i referoheshim Redit me emrin “R”, dhe sa i takon Mariglen Qatos, i thonin “M”.
Prokurori: Në lidhje me hotelin që thua që është pronar “Lali Eri” për kë e keni?
Jona Bejko: Janë në lidhje me faktin që isha e pakënaqur me punën. Në lidhje me hotelin po ndërtohej në Durrës. Në lidhje me fjalën që them është pronari jonë, i referohem Redi Mollës, duke qenë se ishte pronar trualli.
Prokurori: Tek fjalia që thoni “Lali Eri pronari”, kujt i referoheni?
Jona Bejko: Është e shëmtuar që keni nxjerrë këto biseda, nuk kam asnjë lloj interesi të dëshmoj. Kjo fjalë më ka përndjekur. Bëhet fjalë për Erjon Veliajn. Duke qenë se Redi Molla dhe Mariglen Qato kishin njohje në bashki, kam dashur të them që kjo që mund të ketë ardhur nga influenca e kryetarit të bashkisë. Nuk mendoj se Veliaj kishte interesa në këtë hotel.
Nuk kam dijeni që kompania të ketë hotel në Dhërmi apo më gjerë. Sa i takon hotelit në Durrës, kam dëgjuar se Redi Molla ishte pronar trualli dhe kam dëgjuar se në atë pronë po ndërtohej hoteli.
Në hotelin në Durrës, me vlerë disa miliona euro dyshohet se drejtorët e Veliajt po pastronin paratë që kishin përfituar nga tenderat e bashkisë.
Nga hetimet doli se punonjësja e kompanisë “5D”, e quajtur Jona Bejko shkruante në Whatssap se hotelin në Durrës po e ndërtonin drejtorët e Veliajt, duke shtuar se “është aks. pronari jon… Lali eri… e kta” duke iu referuar kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erjon Veliajt. (faximile më poshtë)
Për bisedën më sipër, të nxjerrë nga celulari i Jona Bejkos, gjykatësi Apelit të GJKKO, Florian Kalaja i kërkoi prokurorëve të SPAK të interesohen dhe të ndjekin gjurmët që të çojnë tek e vërteta për investimin luksoz.
“Gjykata vlerëson se është e nevojshme dhe e domosdoshme për ecurinë e mbarëvajtjen e hetimit që Jona Bejko të pyetet dhe të hetohet lidhur me të dhënat e përmbajtjes së këtij komunikimi apo të kësaj dijenie të saj, duke e verifikuar gjithashtu edhe ekzistencën e këtij projekti në Durrës, natyrën e investimit të tij dhe kontributin apo përfshirjen e subjektit tregtar 5D KONSTRUKSION në këtë investim dhe gjithashtu edhe identifikimin e plotë të subjekteve që hasen apo që kanë interesa nga kjo shoqëri tregtare, qofshin ato persona fizikë, zyrtarë apo jo dhe qoftë edhe persona juridikë të tjerë të lidhur me të”.
Versioni se në krye të bandës së drejtorëve të bashkisë qëndron Erjon Veliaj përforcohet duke ditur se të arrestuarit kanë qenë miqtë e tij të afërt. Po ashtu kompania “5D” kishte përfituar një numër të madh tenderash në bashki dhe për këtë ishin investuar thuajse të gjithë drejtorët e bashkisë së Tiranës.
Por prova më e dukshme për implikimin e Veliajt në këtë aferë hajdutërie është qëndrimi që ai mbajti pas skandalit, kur mbrojti miqtë e tij të arrestuar nga SPAK për vjedhjen e taksave të qytetarëve.
Vendimi i Apelit/ Të hetohet punonjësja e 5D që përmend Erjon Veliajn
Maringlen Qato, Redi Molla dhe Taulant Tusha u arrestuan në 28 Mars të vitit të kaluar për vjedhjen e tenderave të bashkisë me kompaninë “5D”. Tusha ishte i arrestuar më parë për procedurat e manipuluara të inceneratorit të Tiranës.
Vendimi i Apelit të GJKKO kërkonte që prokurorët e SPAK të mos lënë asnjë detaj pa hetuar, pa u druajtur se gjurmët mund t’i çojnë tek Erjon Veliaj, por dëshmia e sotme e Jona Bejkos tregon se prokurorët nuk shkuan më tej në hetimin e aferës 5D dhe se u mjaftuan me një përgënjeshtrim të saj publik për të justifikuar cektësinë e hetimeve.
The post “Hotelin e ka Lali Eri…” punonjësja e “5D” tregon pse përmendi Veliajn me sms appeared first on Lapsi.al.