Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Lokalet i kishin kthyer në “fole” të lojërave të fatit/ Procedohen penalisht 4 persona, në kërkim 2 të tjerë

Zbulohen 2 ambiente të përshtatura për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit. Policia sekuestroi 34 njësi kompjuterike, 10 laptopë dhe 2 celularë. Ndërkohë janë proceduar penalisht 4 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë.

“Strukturat e DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Jackpot”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Gjatë kontrolleve, u konstatua se 2 ambiente, në Mjull Bathore dhe në Vaqarr, ishin përshtatur për organizimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Në vijim të veprimeve për këto dy raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit B. D., 65 vjeç, R. L., 33 vjeç, L. M., 63 vjeç dhe G. Ch., 43 vjeç (shtetas kinez), si dhe u shpallën në kërkim 2 shtetas kinezë Ë. Zh dhe Y. L. Punohet për kapjen e tyre”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Rusët avancojnë në lindje të Ukrainës/ Ushtria ruse hyn në Dnipropetrovsk, ndërsa priten negociata Kiev-Moskë

Rusët kanë hyrë në Dnipropetrovsk dhe po përpiqen të avancojnë më tej. Ushtria Ukrainase ka pranuar për here të parë se forcat ushtarake të Vladimir Putin kanë avancuar në Rajonine e Donetskut duke hyrë tashmë në rajonin lindor industrial.

Moska ka pretenduar disa herë përgjatë muajve të verës se forcat e saj ushtarake kanë nisur pushtimin e kësaj zone. Deepstate, një projekt ukrainas që monitoron në kohë reale përparimin ushtarak në front tha se dy fshatra të Dnipro petrovsk ishin nën kontrollin Rus. Megjithatë Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Ukrainase mohoi këtë pretendim duke thënë se luftimet po vijojnë në mënyrë intensive dhe se njëri prej fshatrave është ende nën kontrollin e tyre.

Rajoni i Dnipropetrovskut, me më shumë se tre milionë banorë para luftës, është qendra e dytë më e madhe industriale e Ukrainës pas Donbasit. Edhe pse Rusia nuk ka shpallur aneksimin e tij, qyteti kryesor Dnipro dhe zona përreth janë goditur disa herë nga sulmet.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po dobësohen, pavarësisht takimeve të presidentit amerikan Donald Trump me Vladimir Putinin në Alaska dhe më pas me Volodymyr Zelenskyn në Washington. Shpresa për një samit mes dy liderëve ka rënë, meqë Moska thotë se “asnjë agjendë nuk është gati”. Steve Witkoff, I derguari I SHBA për Lindjen e Mesme  tha këtë të martë për Fox News se përgjatë kësaj jave do të takohej me zyrtarë Ukrainas në Nju Jork ndërsa shtoi se Washingtoni flet me zyrtarët ruse çdo ditë.

Ndërsa Rusia vijon avancimin në frontin e betejës Ukraina njoftoi një lehtësim të rregullave të udhëtimit për meshkujt, pavarësisht problemeve të Kievit për shkak të mungesës së ushtarëve. Meshkujt nga mosha 18 deri në 22 vjeç do të lejohet të dalin nga vendi dhe të ritkthehen në mënyrë të lire, pasi nuk janë subjekt I mobilizimit ushtarak i cili nis nga mosha 25 vjec.Kryeministrja Yulia Svyrydenko tha se ky ndryshim synon të forcojë lidhjet e të rinjve me vendin e tyre, ndërkohë që 5.6 miliona burra Ukrainas kane zgjedhur te largohen nga vendi per tiu shmangur keshtu shkuarjes ne lufte. / abcnews.al /

Ndikim në statusin e Groenlandës, Danimarka thërret diplomatin më të lartë amerikan

Ministri i Jashtëm i Danimarkës ka thirrur diplomatin më të lartë amerikan në Kopenhagë, pas një raporti se qytetarë amerikanë kanë kryer operacione të fshehta në Groenlandë.

Sipas transmetuesit publik danez DR, burime të cituara kanë thënë se qëllimi ishte të depërtohej në shoqërinë atje dhe të promovohej shkëputja e saj nga Danimarka për t’iu bashkuar SHBA-ve, megjithëse nuk është sqaruar për kë punonin këta persona.

Shërbimi i inteligjencës daneze ka paralajmëruar se Groenlanda po bëhet objektiv i “llojeve të ndryshme të fushatave të ndikimit”.

Ministri i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen deklaroi se “çdo përpjekje për të ndërhyrë në punët e brendshme të Mbretërisë [së Danimarkës] do të jetë, sigurisht, e papranueshme” dhe se, për këtë arsye, është thirrur i ngarkuari me punë i SHBA-ve”.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur disa herë dëshirën për të aneksuar Groenlandën, një pjesë autonome e Mbretërisë së Danimarkës, ndërsa zëvendëspresidenti JD Vance ka akuzuar Kopenhagën për mosinvestim të mjaftueshëm në territor.

Gjatë një vizite në Groenlandë disa muaj më parë, kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi SHBA-në se “nuk mund të aneksoni një vend tjetër”.

Në një deklaratë për BBC-në, Rasmussen tha se qeveria është “në dijeni që aktorë të huaj vazhdojnë të tregojnë interes për Groenlandën dhe pozitën e saj në Mbretërinë e Danimarkës” dhe se “nuk do të ishte befasuese nëse do të përjetonim përpjekje të jashtme për të ndikuar në të ardhmen e Mbretërisë në të ardhmen e afërt”.

Danimarka është anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe i ka konsideruar prej kohësh SHBA-të si një nga aleatët më të ngushtë, ndërsa danezët janë tronditur nga vendosmëria e Trump-it për të kontrolluar territorin gjysmë-autonom. Presidenti amerikan ka thënë këtë vit se nuk e përjashton mundësinë e marrjes së tij me forcë.

Shërbimi danez i sigurisë dhe inteligjencës PET ka vlerësuar se fushatat e ndikimit synojnë të “krijojnë përçarje në marrëdhëniet mes Danimarkës dhe Groenlandën”, duke shfrytëzuar “mosmarrëveshje ekzistuese ose të sajuara”, qoftë përmes “agjentëve tradicionalë të ndikimit fizik apo përmes dezinformimit”. PET ka shtuar se ka forcuar praninë e tij në Groenlandë dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase.

Aktualisht, SHBA-të nuk kanë ambasador në Kopenhagë, ndaj Rasmussen ka thirrur Mark Stroh, i cili si i ngarkuar me punë është diplomati më i lartë në kryeqytetin danez.

Rasmussen e ka thirrur tashmë ambasadorin amerikan në Danimarkë edhe më herët këtë vit, pas një raporti të veçantë në maj që sugjeronte se agjencitë amerikane të spiunazhit ishin udhëzuar të përqendronin përpjekjet e tyre në Groenlandë.

Raporti i DR-së të mërkurën dha detaje për një vizitë të një amerikani në kryeqytetin e Groenlandës, Nuuk, ku ai kërkonte të hartonte një listë të groenlandezëve që mbështesnin përpjekjet amerikane për të marrë ishullin. Qëllimi, sipas DR-së, ishte rekrutimi i tyre për një lëvizje shkëputjeje.

Raporti i mëparshëm i majit nga Wall Street Journal përmendte gjithashtu mbledhjen e informacionit mbi lëvizjen për pavarësinë e Groenlandës, si dhe qëndrimet ndaj shfrytëzimit të mineraleve nga amerikanët.

Në atë kohë, Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, nuk e mohoi raportin, por akuzoi Wall Street Journal për “shkelje të ligjit dhe minimin e sigurisë dhe demokracisë së vendit tonë”.

Ndalohet autoboti me karburant kontrabandë/ Fier, arrestohen dy persona, në kërkim një tjetër

Policia e Fierit ka vënë në pranga dy persona dhe ka shpallur një të tretë në kërkim për tregtim kontrabandë të hidrokarbureve.

Në aksin rrugor Fier-Mbrostar, punonjësit e policisë kanë ndaluar drejtuesin e autobotit, një 49 vjeçar Blertian Dulaj i cili po transportonte lëndë hidrokarbure, të pashoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Sipas hetimeve paraprake, karburanti kontrabandë ishte në pronësi të një 58 vjeçari Mario Margilaj dhe do të magazinohej në ambientet e një shtetasi tjetër, banues në Fier.

Në prangat e policisë ranë drejtuesi i autobotit dhe poseduesi i sasisë së karburantit, ndërkohë në kërkim është shpallur pronari i magazinës ku do të ‘fshihej’ lënda.

Autoboti dhe lënda hidrokarbure u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

/abcnews.al /

Skafi ‘pa motor’ bllokohet në det gjatë natës/ Himarë, Policia Kufitare shpëton tre turistët

Naten e kaluar Kapiteneria e Portit Vlore, ne bashkepunim me QNOD-ne dhe Policine Kufitare Vlore ka kryer operacionin e shpetimit te nje mjeti lundrues tip skaf me flamur Shqiptar me 3 persona ne bord i cili ishte nisur nga Himara nje nate me perpara per destinacion Durrës ku kishte pesuar avari ne motor dhe ishte duke futur uje ne motor ne afersi te gjirit te Grames

Drejtuesi i mjetit lundrues mbasi i ka ndodhur difekti ka kontaktuar me Kapitenerine e Portit Vlore dhe ka kerkuar asistence teknike dhe  rimorkimin e mjetit lundrues pasi ishte ne kushte “pa motor” dhe nuk mund te lundronte me.

Me pas mjeti lundrues eshte rimorkiuar per ne portin e Himares, ku sipas burimeve mjeti lundrues ka pesuar vetem deme materiale.

Personat qe ndodheshin ne bord jane ne gjendje te mire shendetesore. / abcnews.al /

Kriset qeveria e Albin Kurtit/ Liburn Aliu jep dorëheqjen pas zgjedhjes së Dimal Bashës kryeparlamentar

Ministri i Infrastrukutës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në Kosovë, Liburn Aliu ka dhënë dorëheqje sot nga detyra. Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se dorëheqja e tij vjen pasi Dimal Basha, është zgjedhur dje si kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Aliu ka thënë se sot ia ka dorëzuar letrën e dorëheqjes Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, i njëjti pohoi se dje vetëm se e kishte njoftuar të parin e ekzekutivit për vendimin e tij.

“Dua t’ju njoftoj që sapo e dorezova te Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, letrën e dorëheqjes sime nga detyra e Ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim”.

“Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësihë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, tha Aliu.

VIDEO/ Riaktivizohet vatra e zjarrit në pyllin e Poros

Edhe pse gjatë gjithë natës vatrat e zjarrit në pyllin e Poros, pranë hidrovorit, janë mbajtur nën monitorim, rreth orës 11:30 të kësaj të mërkure flakët janë riaktivizuar sërish.

Gazetari i ABC News, Elton Nika raporton se në terren ndodhen forca të shumta zjarrfikëse, si dhe 40 trupa të Forcave të Armatosura që po asistojnë në monitorimin dhe shuarjen e zjarrit.

Deri më tani, flakët kanë qëndruar të ndezura për gati 48 orë, duke shkrumbuar një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha. Shefi i zjarrfikësve Luan Kapaj shprehet  për situatën dhe monitorimin, pasi nga momenti në moment mund të ketë riaktivizim të vatrave për shkak të erës.

Ndërkohë, pjesa tjetër e pyllit vijon të mbahet në vëzhgim të rreptë, pasi ekziston rreziku që flakët të kalojnë kanalin e hidrovorit dhe të përhapen në zonën tjetër të pyllit, e cila është e dendur dhe e vështirë për ndërhyrje./abcnews.al

“Ndihma nga jashtë s’është fenomen shqiptar”, Rama: Zjarret, kemi një kapital njerëzor që nuk e lë Shqipërinë në baltë

Rama: Na nevojitet, parandalim më të mencur, pastrim pyjesh, krijim koridoresh natyrore, më shumë dronë në përdorim me kamera termike. Dhe futjen e dronëve për mbjelljet e reja, një funksionim më i mirë falë investimeve që do bëjmë më tej të qendrave të kontrollit për reagim më të shpejtë.

Kërkohet edukim e ndërgjegjësim, gjë që kërkon që cdo shkollë të ndërgjegjësoje nxënësit dhe një solidaritet më i madh ndërkombëtar. Falë rrjetit të solidaritetit ia kemi dalë më së mirë të evitojmë më të keqen. Kroacia, Italia, Suedia, Greqia meritojnë një falenderim të posacëm.

Ardhja e mjeteve nga jashtë nuk është një fenomen shqiptar, apo e bën vetëm Shqipëria se nuk ka, i marrin edhe vende të tjera dhe reciprokisht këmbejnë mjetet.
Falenderim të vecantë për Emiratet e Bashkuara, që me shpejtësi dërguan helikopterë edhe avionë. Sot nderojmë Shqipërinë që tregoi se po, kemi të meta, kemi shumë për të investuar ne mjete inteligjente. Nuk mund të dilnim nga kjo verë pa plagë, por kemi një kapital njerëzor që nuk e lë Shqipërinë në baltë, Shqipëria tregon forcë të madhe propocionale, sa më e madhe sfida aq më e fortë ndjenja e përkushtimit.

Le ta përmirësojmë më tej punën së bashku duke futur më shumë teknologji, duke u përgatitur si me një ndeshje të radhës me një përbindëshm që sa vjen e do bëhet edhe më i egër. Rrisim mbështetjen financiare. Me përulësi i japim përgjigur pozitivisht propozimeve nga ministritë për medaljet, si një shenjë simbolike mirënjohje dhe mesazh për një trupë që meriton gjithë nderimin e posacëm. Respekt për të gjithë ju dhe sa herë më duhet të flas me njerëz me uniformë, shpreh mirënjohjen për familjet tuaja që e dinë më mirë se kushdo sa e vështirë është puna juaj dhe jetojnë me ndjesinë e rrezikut./abcnews.al

Beteja me zjarret/ Rama: Së shpejti do të kemi flotën tonë, me dy avionë zjarrfikës

Në një ceremoni të zhvilluar me rastin e Mirënjohjes Kombëtare për forcat e angazhuara në përballimin e zjarreve masive gjatë verës, kryeministri Edi Rama vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e shërbimeve emergjente shqiptare.

Ai theksoi se, ndërkohë që vendet e Mesdheut si Franca, Greqia, Italia, Portugalia dhe Turqia u përballën me dëme të mëdha dhe viktima për shkak të flakëve, Shqipëria arriti të reagojë me efikasitet falë angazhimit të forcave në terren dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë.

Rama nënvizoi se avionët zjarrfikës janë ndihmës të rëndësishëm, por se forca kryesore mbetet ajo në tokë. Më tej kreu i qeverisë tha se së shpejti Shqipëria do të disponojë flotën e saj ajrore për përballimin e emergjencave natyrore.

“Ndërkohë që i gjithë Mesdheu ishte në flakë si asnjëherë më parë, në Francë, Portugali, Greqi e Itali. U dogjën qindra mijëra hektarë tokë, kurse Turqia numëroi dhe viktima. Parafytyroni që BE del nga kjo verë me mijëra hektarë tokë të bëra shkrumb e hi. Prandaj kur dëgjojmë që shajnë Shqipërinë, duhet të kenë parasysh që avionët nuk janë magjistarë, por ndihmës të cilët nuk na kanë munguar nga mbështetja e BE, ku Shqipëria bën pjesë me të drejta të plota. Avionët janë një krah i fuqishëm, ku ne do të kemi së shpejti flotën tonë, e cila do të jetë me dy avionë zjarrfikës. Por, kryesorja jonë është forca në tokë”, tha kryeministri Rama./abcnews.al

Vetoja e presidentit polak kundër ndihmave për refugjatët ukrainas shkakton stuhi politike

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, e ka përdorur veton kundër një projektligji për ndihma për refugjatët ukrainas, duke shkaktuar stuhi politike në këtë vend të Evropës Qendrore, i cili është një nga aleatët më të afërt të Kievit në luftën kundër pushtuesit rus.

Nawrocki, i cili shpesh ka ngritur çështje të ndërlikuara historike midis Varshavës dhe Kievit, e përdori të martën veton ndaj një projektligji që, duke filluar nga 1 tetori, do t’ua mohonte refugjatëve ukrainas në Poloni të drejtën për të punuar.

Sipas kritikëve, ky veprim i tij do të bëjë që refugjatët të bëjnë punë të padeklaruar dhe Qeveria polake do të humbë të ardhura nga taksat si pasojë. Të hënën, Nawrocki paraqiti gjithashtu plane për ta kufizuar qasjen e refugjatëve ukrainas në përfitimet për fëmijë dhe kujdesin shëndetësor.

I zgjedhur pas një fushate që pasqyronte disa prej politikave të presidentit amerikan, Donald Trump, Nawrocki ka premtuar një politikë “Polonia e Para”, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve për të drejtat e të huajve në vendin që është anëtar i BE-së dhe NATO-s.

Politikani konservator u zgjodh pasi mposhti ngushtësisht në rundin e dytë kryetarin liberal të Varshavës, Rafal Trzaskowski, në zgjedhjet e 1 qershorit.

Rezultati i zgjedhjeve përbënte një goditje të rëndë për kryeministrin Donald Tusk, i cili është aleat i ngushtë i Trzaskowskit dhe mbështetës i zëshëm i Ukrainës.

Edhe vetë Nawrocki ka shprehur mbështetje për Ukrainën në luftën kundër forcave pushtuese ruse. Por, ai ka thënë se i është kundër anëtarësimit të Ukrainës në NATO, një qëndrim që duket se polakë po e ndajnë gjithnjë e më shumë.

Megjithëse në përgjithësi e mbështesin betejën e Kievit kundër Rusisë, shumë polakëve u ka humbur durimi me fluksin e rreth 1.5 milionë refugjatëve të luftës nga Ukraina dhe kostot e lidhura me ta.

Vendimet e Nawrockit kanë nxitur kritika nga mbështetësit e Ukrainës brenda Qeverisë polake.

“Vendimi i tij minon stabilitetin e ekonomisë, kohezionin social, detyrimet ndërkombëtare të Polonisë dhe sigurinë e të gjithë vendit”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Polonisë.

Ministria shtoi se vendimi për të vënë veton ndaj projektligjit për ndihmën për refugjatët ukrainas mund të krijojë shpenzime shtesë prej 2.18 miliardë dollarësh, duke ushtruar trysni shtesë mbi një buxhet tashmë të tendosur.

“Askujt nuk do t’i sjellë përfitim kjo veto. Të ardhurat e buxhetit do të jenë më të ulëta dhe shpenzimet më të larta se tani”, thuhet më tej në deklaratë.

Zëvendëskryeministri Krzysztof Gawkowski shkroi në X se “në Rusi janë të lumtur me përpjekjet e presidentit Nawrocki për ta bllokuar mbështetjen për Ukrainën!”

“Nuk na është dashur të presim gjatë për veprimet e presidentit të ri që mbështesin imperializmin rus”, shtoi ai.

‘Mendova se ishte fundi i jetës sime’/ Të mbijetuarit e sulmit izraelit tregojnë orët e tmerrit në burgun Evin në Iran

“Për mua, ferri nuk ishte momenti kur Izraeli sulmoi; ferri ishte momenti kur ata nuk do të hapnin derën e qelisë për ne”, kujton Motahareh Goonei në një intervistë ekskluzive me BBC-në.
Një aktiviste politike, Goonei ishte në izolim në burgun famëkeq Evin të Iranit kur u godit në një sulm nga Izraeli më 23 qershor.

Imazhet satelitore, rrëfimet e dëshmitarëve dhe pamjet e verifikuara të marra nga BBC News Persian zbulojnë detaje të reja të sulmit në orët e fundit të luftës Izrael-Iran dhe të atyre që vdiqën.
Kompleksi i sigurisë së lartë, i vendosur në skajin verior të Teheranit, ka mbajtur mijëra të burgosur politikë gjatë gjysmës së shekullit të kaluar. Atë ditë, burgu u bë vendi i sulmit më vdekjeprurës izraelit në tokën iraniane për sa i përket viktimave civile.

Autoritetet iraniane thonë se 80 persona u vranë – midis tyre stafi i burgut, të burgosur, punonjës mjekësorë, vizitorë dhe banorë të lagjeve të afërta. Në një raport të publikuar më 14 gusht, Human Rights Watch tha se sulmet ajrore izraelite ndaj burgut ishin të paligjshme dhe përbënin dukshëm një krim lufte. Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se arsyeja e sulmit ishte se objekti po “përdorej për operacione inteligjence kundër Izraelit”.

‘Pa rrugëdalje’
Duke përshkruar momentin kur shpërthimet përshkuan kompleksin, Goonei tha: “Kur dëgjova shpërthimin e tretë, isha i sigurt se nuk kishte rrugëdalje. Thjesht godita derën me gjithë forcën time, por nuk hapej. Mendova ‘ky është fundi i jetës sime – thuaj lamtumirë’.” E liruar nga qelia e saj nga një i burgosur tjetër, Goonei hasi në tym të dendur dhe gati po mbytej. Ajo thotë se rojet fillimisht u përpoqën t’i pengonin të burgosurat të arratiseshin, dhe disa hetues të burgut madje i kërcënuan.

Megjithatë, në skenat që ajo i përshkroi si “të tmerrshme, por humanizuese”, të burgosurat nxituan të ndihmonin rojet e plagosura, duke qetësuar një oficere nw panik dhe duke i fashuar plagët një hetuesi që qante.

Të burgosura të tjera nga një repart tjetër nxituan të ndihmonin mjekët dhe infermierët e bllokuar në klinikën e burgut. Saeedeh Makarem, një mjeke që u plagos rëndë në sulm, më vonë shkroi në Instagram: “Pikërisht të burgosurat që trajtova dikur më shpëtuan jetën”.

Një grua tjetër e mbajtur në Evin, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të frikës për sigurinë e saj, e ka përshkruar momentin e sulmit për BBC-në. “Në fillim pati disa shpërthime me radhë dhe zhurma vazhdoi për rreth dy minuta. Ne qëndruam në shtretërit tanë në fillim sepse dritaret ishin thyer, pastaj u veshëm dhe të gjithë ndihmuam për të zbritur gratë e moshuara poshtë. Askush nga burgu nuk na ndihmoi – na e mbyllën derën dhe na thanë se nuk mund të dilnim.’

Shkalla e sulmit
Analiza e BBC tregon se Izraeli e sulmoi Evinin me të paktën gjashtë predha, duke dëmtuar të paktën 28 ndërtesa brenda kompleksit. IDF thotë se kishte kryer një “sulm të synuar” ndaj “një simboli të shtypjes kundër popullit iranian” dhe pretendoi se u morën masa për të minimizuar dëmin ndaj civilëve.

Por një i afërm i një të burgosuri politik që mbërriti për vizitë vetëm pak minuta pas shpërthimeve tha se “ata që dilnin nga burgu thoshin se kishte trupa kudo. Disa të burgosur kishin dalë, asnjëri prej tyre nuk po përpiqej të arratisej – thjesht të shtangur”. Autoritetet iraniane thonë se 75 të burgosur ikën gjatë kaosit. Disa u kapën më vonë ose u kthyen vullnetarisht.

Pse të synohej Evin?
Izraeli pretendoi se burgu po përdorej për “operacione inteligjence kundër tij, përfshirë kundërspiunazhin”. Nuk u është përgjigjur pyetjeve nga BBC në lidhje me objektivat e saktë ose armët e përdorura, ose nëse parashikonte vdekjen e civilëve. Një muaj pas sulmit, Amnesty International publikoi një raport mbi incidentin.

“Drejtimi i sulmeve ndaj objekteve civile është rreptësisht i ndaluar sipas ligjit ndërkombëtar humanitar. Kryerja e sulmeve të tilla me vetëdije dhe qëllimisht përbën një krim lufte”, tha Erika Guevara Rosas, Drejtore e Lartë për Kërkime, Avokim, Politika dhe Fushata në Amnesty. Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut deklaroi se Evin “nuk ishte një objektiv ushtarak” dhe sulmi shkeli ligjin ndërkombëtar humanitar./abcnews.al

Sulm izraelit me dron në Siri, të paktën 3 ushtarë të vrarë

Të paktën tre ushtarë sirianë u vranë gjatë një sulmi izraelit ndaj instalacioneve ushtarake pranë kryeqytetit Damask, njoftoi një zyrtar i ministrisë së Mbrojtjes.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me seli në Mbretërinë e Bashkuar, por me burime të gjera në Siri, raportoi më pas se numri i viktimave ishte gjashtë ushtarë, përfshirë një komandant, një shifër që nuk është konfirmuar nga burime zyrtare.

Që nga koha kur një koalicion islamist rrëzoi Bashar al-Assadin në dhjetor 2024, Izraeli ka kryer qindra sulme ndaj Sirisë, me të cilën ndodhet teknikisht në gjendje lufte, duke nisur paralelisht një dialog me autoritetet e reja. / abcnews.al /

VIDEO/ IKMT “zbarkon” në Dhërmi, në fokus shembja e një objekti që kishte dalë nga leja e ndërtimit

IKMT ka “zbarkuar” mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e Drimadhës në Dhërmi. Në fokus të këtij aksioni është shembja e një objekti me konstruksion metalik.

Objekti sipas IKMT ka dale jashtë lejes së ndërtimit . Shembja e objektit do të kryhet me mjetet e IKMT dhe jo me shpërthim.

Aksioni i IKMT vijon prej disa ditësh ndërsa në fokus shembja e objekteve që nuk janë klasifikuar nga legalizimi ose nuk kane leje ndërtimi./abcnews.al

Gati mandati i katërt/ Rama kthehet në zyrë për emrat e qeverisë dhe parlamentit

Kryeministri Rama ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të mazhorancës dhe grupit parlamentar si një angazhim i tij në nisje të sesionit të ri parlamentar.

Gazetarja Greta Bullari raporton se këto takime do të vijojnë deri në fundjavë ku më pas Rama do të niset në Slloveni në 1-2 shtator në një forum.

Sa i takon ndryshimeve pritet një ristrukturim i komisioneve, nga 8 në 11 komisione në përmbushje të angazhimeve për integrimin në BE.

Komisioni për veprimtaritë prodhuese do të shkrihet në 3 komisione atë të energjisë, infrastrukturës dhe mjedisit, si dhe bujqësisë. Korrupsioni për antikorrupsionit i drejtuar nga Fatmir Xhafaj do të jetë një komision i përhershëm.

Ende nuk ka një indicie për emrat që do të bashkëdrejtojë, pritet të vendoset në asamblenë kombëtare ku po diskutohet data 11 ku do të mbahet asambleja e kësaj partie për të zyrtarizuar formacioni ‘Rama 4’. Ajo javë cilësohet e rëndësishme sepse do të nis dhe sesioni i ri. Neser komisioni rregullator do të certifikojë zgjedhjet, dhe do t’i hapet rruga dhe presidentit për të thirrur seancën e parë plenare. / abcnews.al /

Qëlluan me armë zjarri në drejtim të policisë/ Gjykata e Durrësit lë në burg Ardit Domin dhe Leonard Çalin

U përfshinë në një përplasje të dhunshme me policinë, lihen në burg, Ardit Domi dhe Leonard Çali. Gjykata e Durrësit ka vendosur si masë sigurie “arrest në burg” për dy të rinjtë, të cilët qëlluan me armë zjarri në drejtim të forcave te policisë, teksa këta të fundit u ishin vënë në ndjekje.

Kur policia tentoi të ndalonte mjetin, Domi dhe Çali refuzuan t’i bindeshin urdhrit duke u larguar me shpejtësi. Në Vorë, automjeti doli nga rruga, por dy të rinjtë vijuan rezistencën, duke hapur zjarr, dyshohet me kallashnikov në drejtim të efektivëve.

Përballë kësaj situate, policia u kundërpërgjigj me armë. Si rezultat, Ardit Domi mbeti i plagosur, ndërsa Çali u neutralizua dhe përfundoi në pranga.

Ata u paraqitën të dy para togave te zeza në gjykatën e Durrësit, edhe pse Ardit Domi me plagë të rënda që pësoi gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Ai ka marrë një plumb në qafë./abcnews.al

Situata e zjarreve në vend/ Gjatë orëve të fundit 14 vatra zjarri, 2 ende aktive

Strukturat e Mbrojtjes Civile, të ndihmuar edhe nga Forcat e Armatosura po vijojnë intensivisht punën në terren për përballimin e situatës së zjarreve në disa qarqe të vendit.

Gjatë orëve të fundit janë evidentuar 14 vatra zjarri, nga të cilat: 11 vatra janë shuar plotësisht, 2 vatra janë ende aktive dhe 1 vatër është nën monitorim të vazhdueshëm

Vatrat aktive janë në zonat:  Zona e Akërnisë (Delisuf, Novoselë), Bashkia Vlorë. Aktualisht, situata në zonën e Akërnisë është nën kontroll dhe e qetë. Operacionet në terren po vijojnë që në orët e para të mëngjesit me angazhimin e 2 automjeteve zjarrfikëse me 10 efektivë nga MZSH Vlorë, 21 forca bashkiake, 3 punonjës të Shërbimit Pyjor, 4 përfaqësues nga AdZM, 3 automjete zjarrfikëse me 20 efektivë dhe 40 trupa nga FA. Helikopteri i Emirateve të Bashkuara Arabe është aktualisht në operim.

Momentalisht nuk vlerësohet i nevojshëm ndërhyrja me skrepa apo avionë Canadair. Vatra është përqendruar në zonën e kënetës Godull dhe pjesërisht në zonën e ish- fazanerisë. Vatra ka tym të shtuar për shkak të djegies së trungjeve dhe pishave në terren.

Zona e Bogovës, Bashkia Skrapar. Edhe pse intensiteti i zjarrit ka qenë më i ulët, nuk është arritur izolimi i plotë gjatë natës së kaluar. Sot vatra është në monitorim të punonjësve zjarrfikës Skrapar dhe Shërbimit Pyjor. Deri tani janë djegur rreth 18 hektarë pyll. Nuk ka rrezik për banesa.

Zona e Pezë Helmësit, Bashkia Tiranë. Vatrat janë të izoluara dhe të minimizuara, pa përbërë aktualisht rrezik të shtuar.

Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë për çdo zhvillim./abcnews.al

 

Situata me zjarret/ Mbetet aktive vatra në pyllin e Poros, vijon ndërhyrja nga ajri për neutralizimin

Vlorë- Vijon të mbetet aktiv zjarri në pyllin e Poros pranë hidrovorit në Vlorë.

Edhe pse situata u normalizua disi në orët e mëngjesit, sërish po punohet nga toka dhe ajri me një helikopter për shkak të riaktivizimit të vatrave dhe mos lejuar avancimin e zjarrit. / abcnews.al /

‘Fshesa Rama’ në Elbasan/ Emërohen administratorët e rinj në 17 njësitë e bashkisë

Pas shpalljes se vakances dhe rivleresimit ne njesite administrative dhe njesite e Bashkise Elbasan, u zhvilluan testime dhe konsultime të vazhdueshme per pergjedhjen e administratratoreve te rinj. Është vënë re një interes i madh, sidomos nga të rinjtë, për tu bërë pjesë e këtij procesi i cili u zhvillua me korrektësi dhe transparencë ku të gjithë aplikantët u testuan me shkrim, por edhe në aftësitë e tyre komunikuese dhe punën në ekip.

Pas përfundimit të procesit Bashkia e Elbasanit ka përzgjedhur administratorët e 17 Njësive Administrative, me përjashtim të Rajonit nr. 4 në qytet ku ende nuk ka rezultuar asnjë fitues, në të gjithë njësitë e tjera janë shpallur administratorët e rinj, apo ata që u rizgjodhën.

Sa më sipër, në Rajonin nr. 1 te Qytetit është riemëruar Andromeda Poloska e cila prej pak kohësh ishte vendosur në këtë detyrë dhe u bë pjesë e konkursit për të riqëndruar.

Në Rajonin nr. 2 largohet Elsid Zyma dhe në vend të tij është emëruar znj. Eltjona Kolla.

Në Rajonin nr. 3  është rizgjedhur Fatjon Hasalla.

Në njësinë nr. 5 largohet Dritan Pisha dhe në vend të tij emërohet Agron Lulaj.

Në njësinë nr. 6 largohet Gëzim Keci dhe emërohet Luan Rama.

Në Funar Oltion Haka largohet ndërsa vendin e tij, për t’u shërbyer banorëve dhe për të nxitur zhvillimin e mëtejshëm turistik, e merr Fisnik Bozha.

Në Gracen largohet Fadil Salla ndërsa emërohet Detin Haka.

Pas një pune disa vjeçare me përkushtim në shërbim të komunitetit, pavarësisht sfidave të mëdha, në Bradashesh largohet Andi Lici dhe emërohet Edmond Muça.

Gjergjani dhe Shirgjani janë dy zonat më të mëdha bujqësore të cilat kanë marrë zhvillim shumë të madh vitet e fundit, falë investimeve të Bashkisë Elbasan, por edhe përçimit të zërit të banorëve nga ana e administratorëve, respektivisht Resul Hoxha dhe Ylli Dushku të cilët largohen dhe në vend të tyre për të vazhduar këtë mision vijnë Alfred Mukja dhe Ibrahim Roçi.

Tregani me natyrën e tij fantastike dhe ujërat termalë është përtej një njësie administrative të Elbasanit, por është shtëpia e mijëra turistëve që e vizitojnë çdo vit. Banorët, e po njësoj turistët, e kësaj zone kanë gjetur përherë të hapur derën e Manjola Rexhepit për çdo problematikë të tyre, dhe me të njëjtin përkushtim këtë detyrë do ta vijojë Mërkur Kaçi.

Në Shushicë largohet Gëzim Ruda dhe emërohet Sokol Sinani i cili angazhohet të punojë më fort për zhvillimin turistik të kësaj zone, pa lënë pas dore problematikat e komunitetit.

Në njesinë administrative Labinot Fushë, pas punës së mirë të bere nga Jonuz Qosja ne detyren e administratorit shpallet fitues Islam Kaculi.

Në Papër, Gjinar, Zavalinë dhe Labinot Mal, kanë rezultuar fitues administratorët aktualë të cilët detyrën e kishin marrë prej pak kohësh dhe kërkojnë ende kohë për të plotësuar misionin e tyre.

Përkatësisht në këto zona do të administrojnë Arjan Vrapi, Emanuel Hida, Ervis Dedja, Ylber Kuçi.

Gjatë një takimi me kryetarin e Bashkisë Z. Gledian Llatja, administratorët edhe një herë morën porosi për të qenë në shërbim të komunitetit, zëri i çdo banori në zgjidhjen e problematikave aty ku është e mundur dhe adresimi në raste të tjera.

Sipas Z. Llatja, administratorët janë 18 sy e veshë më shumë për të qenë pranë çdo zone ashtu si komuniteti meriton të trajtohet, me përkushtim dhe dinjitet.

Llatja edhe një herë kujtoi administratorët e rinj se zyrat e njësive duhet të qëndrojnë hapur dhe të asistojnë çdo qytetar në aksesin në portalin qeveritar e-albania. Po ashtu, në fshatra fokus duhet ketë gjithashtu asistenca ndaj fermerëve për përfitimin nga fondet e AZHBR. / abcnews.al /

Në kërkim ndërkombëtar për trafikim lëndësh narkotike/ Fier, arrestohen tre shtetas

Policia e Fierit ka arrestuar përmes tre operacioneve të koduara ‘Operacionalja’ tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Këta shtetas ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Riminit, Itali, iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Trafikimi i  narkotikëve”, maksimumi i dënimit: 10 vjet burgim.

Në kuadër të operacionit “Operacionalja 61”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Kledis Shermadhi 24 vjeç;  “Operacionalja 62” u kap dhe u vu në pranga Ardit Mehdiu 29 vjeç; “Operacionalja 63” u kap dhe u vu në pranga shtetasi Emiseldo Fasko 22 vjeç.

Ata akuzohen se gjatë periudhës qershor-dhjetor 2024, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me shtetas të tjerë, kanë blerë sasi të mëdhaja droge, me qëllim shitjen në qytetin e Riminit.

/ abcnews.al /

Përmbytje dhe rrëshqitje dheu në rrugën e pelegrinazhit/ Indi, të paktën 30 viktima

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën pas një rrëshqitjeje dheu që ndodhi të martën pranë shenjtërores së Vaishno Devi, në rajonin verior të Jammut, në Indi, si pasojë e shirave të dendur që kanë përfshirë zonën.

Ndërkohë, përmbytjet kanë detyruar autoritetet të bëjnë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa parashikimet meteorologjike paralajmërojnë reshje të tjera intensive dhe stuhi me erëra të forta në rajonin malor të Ladakh dhe në territorin federal të Jammu dhe Kashmir.

Kryeministri Omar Abdullah, deklaroi se autoritetet po përballen me vështirësi për të rikthyer shërbimet e telekomunikacionit, pasi komunikimi është “gati i pamundur”.

Rrëshqitja e dherave pranë rrugës së pelegrinazhit ishte një tjetër tragjedi në një seri fatkeqësish të shkaktuara nga moti ekstrem në Himalaje. Javën e kaluar, në Kishtëar, në Kashmirin Indian, humbën jetën 60 persona dhe rreth 200 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Në qytetin e Jammut, autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha institucioneve arsimore, pasi vetëm të martën janë regjistruar 368 mm shi, një sasi jashtëzakonisht e lartë.

Ndërkohë, edhe Pakistani fqinj, i cili përballet me shirat musonike të javëve të fundit, ka shpallur rrezik shumë të lartë për përmbytje në provincën lindore të Punjab, për shkak të reshjeve të dendura dhe vendimit të Indisë për të lëshuar ujë nga dy diga.

Sipas autoriteteve pakistaneze, mbi 150,000 persona janë zhvendosur, përfshirë rreth 35,000 banorë që u larguan vullnetarisht pas paralajmërimeve për përmbytje që nga 14 gushti. / abcnews.al /

❌