Franca tërheq nga tregu djathërat e butë pas helmimit të 21 personave
Franca është përballur me një shpërthim të rasteve të listeriozës, me 21 persona të infektuar, të moshës nga 34 deri në 95 vjeç, sipas Agjencisë Franceze të Shëndetit Publik. Dy prej të prekurve kanë ndërruar jetë, ndërsa autoritetet po hetojnë burimin e infeksionit, i cili dyshohet të jetë i lidhur me konsumin e djathërave të prodhuar nga kompania Chavegrand, që përdor qumësht të pasterizuar.
Zyrtarët e shëndetësisë franceze kanë ndërmarrë masa emergjente për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produkteve të kësaj kompanie, ndërkohë që paralajmërojnë për rrezikun që paraqesin produktet e kontaminuara. Djathërat janë shpërndarë jo vetëm në supermarkete të mëdha brenda Francës, por edhe në rreth 30 vende të tjera, përfshirë Shqipërinë, Mbretërinë e Bashkuar, Norvegjinë, Belgjikën, Danimarkën, dhe shumë shtete të tjera.
Listerioza është veçanërisht e rrezikshme për gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sistem imunitar të dobësuar. Simptomat mund të përfshijnë ethe, dhimbje muskujsh, të përziera dhe, në raste të rënda, meningjit. Autoritetet franceze të shëndetësisë u bënë thirrje njerëzve të mos konsumojnë djathrat e tërhequr nga tregu dhe të monitorojnë nga afër shëndetin e tyre nëse i kanë konsumuar kohët e fundit.