RIJAD, 29 korrik /ATSH-AA/ – Klubi i Arabisë Saudite, Al-Nassr ka përfshirë në skuadrën e saj futbollistin portugez Joao Felix duke e transferuar atë nga Chelsea me një kontratë dyvjeçare.
Al-Nassr përmes një postimi nga media sociale njoftoi transferimin e 25-vjeçarit Felix.
Në mediat britanike pretendohet se transferimi është realizuar për 30 milionë euro, me një tarifë transferimi që mund të rritet në 50 milionë euro me bonuse.
Duke e filluar karrierën e tij te Benfica, Felix më parë iu bashkua Atletico Madridit për 126 milionë euro. Më pas ai kaloi në Chelsea për 52 milionë euro.
Sulmuesi portugez luajti 21 ndeshje dhe shënoi tre gola për Milanin, ku ishte i huazuar sezonin e kaluar. /os/
PRISHTINË, 29 korrik/ATSH/ Është gjetur sot pasdite trupi i pajetë i 33-vjeçarit që të dielën u zhduk në ujërat e Liqenit të Ujmanit, pas hedhjes nga ura. Për këtë ka reaguar kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili ka falënderuar të gjithë ata që u angazhuan në aksionin e kërkim shpëtimit, duke i përgëzuar për punën profesionale e përkushtimin e jashtëzakonshëm.
“Falënderoj Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça” dhe KFOR-in për punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit në liqenin e Ujmanit”, shkruan Kurti në rrjetet sociale.
Ai më tej i shprehu ngushëllime familjes Latifi. Ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe”, shkruan Kurti.
Mërgimtari 33-vjeç, të dielën kishte kërcyer nga ura në Liqenin e Ujmanit, por që nuk arriti dalë nga uji. Gjatë trui ditëve të kërkimeve intensive nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, nuk pati rezultat, derisa sot në mëngjes në këtë operacion zbarkoi Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK). /KosovaPress/
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në Tiranë u zhvillua sot ceremonia e diplomimit të 90 studentëve të Akademisë së Forcave të Armatosura, 5 prej të cilëve nga Republika e Kosovës.
Në ceremoninë e diplomimit ishte i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, si dhe ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci,.
Ministri Vengu e cilësoi diplomimin e kadetëve të rinj, një moment krenarie për të diplomuarit dhe familjet e tyre, që nisin një kapitull të ri në shërbim të atdheut.
“Diploma që ju do të mbani në duart tuaja nuk është një pikë mbërritjeje, por një pikënisje. Është një rrugë që shpesh është e vetmuar, por gjithmonë e drejtë. Nuk ofron lehtësi, por ofron kuptim. Aty ku disiplina bëhet virtyt dhe sakrifica merr domethënie. Në një botë që relativizon çdo gjë, profesioni juaj mbetet i pakontestueshëm në vlerat e tij. Ju nuk përfaqësoni thjesht shtetin, por i jepni atij formë, drejtim dhe qëndrueshmëri”, u shpreh ministri Vengu
Komandanti i Shkollës së Bashkuar, Bardhyl Nuredinaj tha se betimi ushtarak para flamurit kombëtar nuk është thjeshtë një tekst por një angazhim moral, ligjor e atdhetar, një zotim për të qenë gjithmonë në shërbim të kombit, ruajtur e mbrojtur integritetin e sovranitetin e vendit, rendin kushtetues dhe për të kontribuar në paqen e sigurinë kolektive. /j.p/
ROMË, 29 korrik /ATSH-ANSA/- Ylli i muzikës italiane dhe ndërkombëtare, Livio Macchia, kitaristi i grupit “I Camaleonti”, vdiq sot në moshën 83-vjeçare.
Pavarësisht sëmundjes me të cilën luftonte prej disa vitesh, më 30 qershor në Roca Nuova, ai arriti të performonte në një koncert madhështor – si pjesë e “BluFestival”, eventit veror të organizuar nga Bashkia e Melendugno-s – me rastin e 60-vjetorit të grupit muzikor “I Camaleonti”.
Livio Macchia lindi më 9 nëntor të vitit 1941, në Acquaviva delle Fonti, në provincën e Barit.
Duke u rritur midis Pulias dhe Lombardisë, ai zbuloi pasionin për basin dhe vokalin që në fëmijëri, duke filluar performancat e tij të para në fillim të viteve 1960.
Më pas ai u transferua në Milano, ku themeloi grupin muzikor te Pop-it “I Camaleonti” me Paolo De Ceglie dhe Riki Maiocchi.
Grupi regjistroi hite të famshme si “L’ora dell’amore”, “Applausi”, “Eternità”, “Viso d’angelo” dhe “Perché ti amo”.
“I Camaleonti” u formuan në vitin 1963, në Milano.
Grupi përfshinte Livio Macchia (kitarë), Antonino Cripezzi (tastierë), Paolo de Ceglie (bateri) dhe Gerardo Manzoli (bas).
Në vitin 1965, grupi u plotësua me ardhjen e Riki Maiocchi në vokal dhe kitarë.
Hiti i parë i grupit ishte “Sha-La-La-La (La-La-La-La)”.
Në vitin 1966, vokalisti dhe kitaristi Riki Maiocchi u largua nga grupi për të ndjekur një karrierë solo dhe u zëvendësua nga Mario Lavezzi.
Me ardhjen e Lavezzi, grupi filloi gradualisht të kalonte në një tingull më melodik Pop, duke arritur sukses me “Portami tante rose” në vitin 1935 – e kompozuar nga Cesare Andrea Bixio dhe Michele Galdieri.
Midis viteve 1968 dhe 1973, “I Camaleonti” patën katër këngë që kryesuan në top listat italiane, duke përfshirë “Applausi”, “Io per lei” dhe “L’ora dell’amore”.
Midis viteve 1970 dhe 1993, ata morën pjesë në Festivalin e Muzikës Sanremo pesë herë (herën e fundit së bashku me Dik Dik dhe këngëtarin kryesor të “Equipe 84”, Maurizio Vandelli), duke u renditur të tretët në vitin 1979 me “Quell’attimo in più”.
Pavarësisht ndryshimeve të shumta në formacion, grupi është ende aktiv deri më sot. //a.i/
BRUKSEL, 29 korrik /ATSH/ – Rusia tani “po prodhon tre herë më shumë municion brenda tre muajsh sesa e gjithë NATO-ja gjatë një viti”, deklaroi së fundi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për New York Times.
”Conflict Intelligence Team” (CIT), analizoi prodhimin e armëve ruse dhe perëndimore për të vlerësuar nëse Rusia vërtet ka një epërsi kaq të madhe të prodhimit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tij – dhe në cilat kategori armësh – artileri, municion, tanke, aeroplanë, raketa, dronë dhe mbrojtje ajrore – secila palë ka epërsi.
Fakt apo ekzagjerim? Prodhimi i municioneve për artileri të NATO-s dhe Rusisë
Nuk është hera e parë që Rutte pretendon se Rusia po e tejkalon NATO-n sa i përket prodhimit të artilerisë. Në prill, gjatë një interviste për CBS, ai tha se Rusia “po prodhon katër herë më shumë municion sesa e gjithë NATO-ja prodhon për një vit”.
Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë vlerësojnë se Rusia kishte prodhuar rreth 2-2.3 milionë municione për artileri më 2024, një rritje krahasuar me rreth 1.25 milionë të prodhuara më 2022, teksa Moska po investon shumë në zgjerimin e kapaciteteve të saj prodhuese.
Ndërkaq, SHBA-ja planifikon të rrisë prodhimin e predhave 155-milimetërshe në 1.2 milion në vit deri në fund të vitit 2025, teksa Evropa prodhon pothuajse të njëjtin numër – vetëm në fabrikën Rheinmetall në Gjermani planifikohen të prodhohen deri në 700.000 në vit – sipas vlerësimeve konservatore.
Prodhimi aktual në SHBA i predhave është 40.000 në muaj, apo pak më pak se gjysmë milioni në vit, që do të thotë se në total, SHBA-ja dhe BE-ja kanë prodhuar rreth 1.7 milion predha këtë vit.
Për të prodhuar tri herë më shumë brenda tre muajve, ashtu siç tha Rutte, fabrikat e Rusisë do të duhej të prodhonin një sasi masive prej 20.5 milionë predhash këtë vit.
Sipas analizës së CIT-it, zgjerimet e fabrikave në Bijsk, Kazan dhe vende të tjera mund t’i lejojnë Rusisë të prodhojë rreth 4 milionë predha 152-milimetrëshe dhe 122-milimetrëshe në vit.
Predhat kanë nevojë për armë
Rusia vazhdon të mbështetet shumë në rezervat e saj të sistemeve të artilerisë të epokës sovjetike për predhat që prodhon, ndërsa numri i obusëve që ka prodhuar ka rënë nga rreth 12.000 më 2022 në mbi 6.000 në mesin e vitit 2024. Sipas analistëve të CIT-it, Rusia prodhon më pak se 100 obusë vetëlëvizës në vit të llojeve Msta-S, Giatsint-K dhe Malva.
NATO ka epërsi të qartë në këtë aspekt: Franca planifikon të prodhojë 144 sisteme të artilerisë CAESAR në vitin 2025, ndërsa Polonia do të dyfishojë prodhimin e AHS Krab në 100 njësi në vit. Sllovakia pritet të prodhojë 40 obusë Zuzana, ndërsa SHBA-ja prodhon çdo vit 216 tuba topash për armët M777.
Prodhimi vjetor i sistemeve të artilerisë
Rusia
2S19 Msta-S
më pak se 50
Rusia
2S44 Giacint-K, 2S43 Malva
disa dhjetëra
Rusia
Total
më pak se 100
Franca
CAESAR
144
Gjermania
PzH2000
6
Suedia
Archer
12
Polonia
Krab
24
Sllovakia
Zuzana
40
Shtetet e Bashkuara
M109
60
BE, SHBA
Total
286
Armët e rënda
Një aspekt ku Rusia me gjasë ka epërsi janë tanket.
Sikurse artileria, shumica e prodhimit të saj të tankeve vjen nga riparimi dhe modernizimi i tankeve sovjetike që ka në stoqe. Kjo përbën shumicën e rreth 1.500 tankeve që, sipas Christopher Cavoli, ish-komandant i lartë i NATO-s për Evropën, pritet që Rusia t’ia japë ushtrisë së saj më 2025.
Megjithatë, Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin “nga e para” të tankut të saj modern T-90M, duke prodhuar rreth 280 në vit.
Shumica e shteteve në Evropë, ndërkaq, prodhojnë shumë pak tanke. Franca nuk ka prodhuar asnjë tank Leclerc që më shumë se një dekadë, ndërsa Britania ka porositur 148 tanke të reja Challenger 3, që pritet t’i dorëzohen deri në vitin 2030. Gjermania bën përjashtim, pasi prodhon 50 tanke Leopard 2A8 në vit.
SHBA-ja 109 tanke M1A2 Abrams në vit – ushtria thotë se kjo shifër mund të rritet deri në 420 nëse është e nevojshme – dhe po ashtu modernizon deri në 200 modele më të vjetra.
Prodhimi vjetor i tankeve
Rusia
T-90M
280
Rusia
Total
280
Gjermania
Leopard 2A8
50
Shtetet e Bashkuara
M1A2 Abrams
109
BE, SHBA
Total
159
Epërsia ajrore
Përderisa Rusia prodhon më shumë tanke, SHBA-ja dhe BE-ja ia kalojnë të paktën për katër herë Moskës sa i përket prodhimit të aeroplanëve luftarakë. Rusia vlerësohet se mund të prodhojë 50-60 aeroplanë luftarakë në vit, përfshirë aeroplanë që mund të përdoren për qëllime të ndryshme sikurse Su-57 dhe bombardues strategjikë sikurse Tu-160M2. Pavarësisht sanksioneve, shteti po prodhon më shumë aeroplanë se para se të niste pushtimin e Ukrainës – në vitin 2018, ushtria ruse kishte pranuar vetëm 36 aeroplanë të rinj luftarakë.
Megjithatë, prodhimi i NATO-s është shumë më i lartë. Kompania amerikane Lockheed Martin do të dorëzojë mbi 170 aeroplanë luftarakë F-35 këtë vit, përveç dhjetëra aeroplanëve Rafale (Franca), Eurofighter Typhoon (konsorciumi evropian) dhe Gripen (Suedia) që prodhohen nga vendet e BE-së dhe aleatët e tjerë të NATO-s.
Prodhimi vjetor i aeroplanëve luftarakë
Rusia
Su-57
10-12
Rusia
Su-35S
15
Rusia
Su-34M
12-18
Rusia
Su-30SM2
10
Rusia
Total
47-55
Bashkimi Evropian
Eurofighter Typhoon
6-14
Franca
Dassault Rafale
21-36
Shtetet e Bashkuara
F-35
110-190
Shtetet e Bashkuara
F-16
36
Shtetet e Bashkuara
F-15EX
36
Shtetet e Bashkuara
F/A-18
18
BE, SHBA
Total
227-320
Lufta e dronëve
Sipas Ukrainës, Rusia prodhon çdo muaj afër 5.000 dronë me rreze të gjatë veprimi të llojeve të ndryshme, apo 60.000 në vit. Këtu përfshihen dronët sulmues Geran-2 (versioni rus i dronëve Shahed të Iranit) dhe Gerbera, një dron që nuk ka municion dhe përdoret si dron mashtrues me qëllim që të mbingarkojë sistemet ukrainase të mbrojtjes ajrore.
NATO-ja aktualisht nuk prodhon asnjë dron të krahasueshëm me këta dronë të lirë kamikazë, ndërkaq SHBA-ja ka zgjedhur që të përdorë fluturake pa pilot shumë më të kushtueshëm, sikurse Reaper dhe Global Hawk.
Rusia po ashtu prodhon mbi 200 raketa lundruese dhe balistike në muaj, sipas agjencisë së inteligjencës ushtarake të Ukrainës, duke bërë që prodhimi vjetor të arrijë nga 2.400 deri në 3.000 raketa. SHBA-ja, ndërkaq, vlerësohet se prodhon 700 raketa lundruese të llojit JASSM dhe 500 raketa balistike ATACMS në vit, shkruan REL. /os/
UASHINGTON, 29 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha sot se ai dhe kryeministri britanik Keir Starmer nuk kishin diskutuar rreth planit të Londrës për të njohur shtetin palestinez, në rast se Izraeli nuk ndërmerrte një numër hapash për të përmirësuar jetën e palestinezëve, sipas “Reuters”.
Starmer tha sot se Britania e Madhe ishte e përgatitur të njihte shtetin palestinez në shtator, në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në përgjigje të zemërimit në rritje të publikut për krizën e urisë në Gazë.
“Ne nuk e diskutuam kurrë këtë”, u tha Trump gazetarëve në bordin e “Air Force One”, ndërsa udhëtonte për në SHBA, pasi u takua me Starmer në Skoci.
“Njohja e shtetit palestinez do të shpërblente grupin militant palestinez, Hamas”, tha Trump.
“Ju do të shpërbleni Hamasin nëse e bëni këtë. Nuk mendoj se ata duhet të shpërblehen”, tha ai.
“SHBA-ja ka dërguar para për ndihmat ushqimore për palestinezët në Gazë. Dua të sigurohemi që paratë të shpenzohen me mençuri dhe me gjykim të drejtë, dhe që ushqimi të shpërndahet në mënyrën e duhur”, tha Trump. //a.i/
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Pas vendimit për ndërprerjen e kontratës së aktorit Simon Shkrela dhe një tjetër anëtari të trupës së teatrit “Migjeni”, kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një deklaratë për mediet, bëri të ditur se kjo masë është pjesë e një procesi riorganizimi të brendshëm, i cili vjen në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri artistik dhe synon rritjen e cilësisë së aktivitetit artistik dhe organizativ të institucionit.
Beci sqaroi se analiza e performancës individuale të aktorëve gjatë tre viteve të fundit tregoi mungesë produktiviteti dhe angazhimi nga disa prej tyre. Ai tha se nuk bëhet fjalë për shkarkime të motivuara politikisht, por për masa konkrete për të garantuar që paratë e taksapaguesve shkodranë të mos përdoren për të mbështetur paga të pamerituara.
“Në një trupë artistike, ashtu si në çdo sektor tjetër të administratës, ekzistojnë detyrime kontraktuale që kur nuk përmbushen për një periudhë të gjatë, siç është rasti me tre vite rresht, sjellin ndërprerjen e marrëdhënies së punës”, theksoi kryebashkiaku.
Reagimi i Becit vjen pas valës së reagimeve dhe kundërshtimeve publike, të cilat, sipas tij, janë përdorur për qëllime politike nga faktorë të ndryshëm të spektrit të djathtë në Shkodër dhe Tiranë.
“Por siç ndodh shpesh në një shoqëri të polarizuar si e jona në raste të tilla shfaqen pakënaqësitë, kundërshtimet dhe përdorimi politik i individëve. Furtuna në gotë kësaj radhe përfshiu gjithë skalionet politike të së djathtës në aksin Shkodër – Tiranë, paçka se gota ishte tërësisht e boshatisur. Por e vërteta është krejt e ndryshme nga ky përdorim politik tipik. Sepse faktet janë në tetarin e shfaqjeve sipas viteve, aty ku shihet se sa ka shkelur në skenën e teatrit secili aktor i “Migjenit””, deklaroi Beci.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se Bashkia nuk ka asnjë qëllim të denigrojë individë, por nuk do të fshehë paaftësitë e atyre që, sipas saj, nuk kanë kontribuar në skenën teatrore për një kohë të gjatë.
Kreu i bashkisë siguroi publikun se sezoni i ri artistik nuk do të preket nga këto ndryshime, përkundrazi, pritet të sjellë një nivel të ri të cilësisë artistike dhe organizative.
“Sezoni i ardhshëm do të jetë pa dyshim një sukses i vërtetë për Teatrin “Migjeni” dhe trupën e tij artistike, ashtu siç Shkodra e meriton”, tha Beci. /j.p/
TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, merr pjesë në konferencën e gjashtë të kryetarëve të parlamenteve të Unionit Ndërparlamentar, e cila po mbahet në datat 29-31 korrik në Gjenevë dhe i kushtohet bashkëpunimit parlamentar, multilateralizmit për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Spiropali u takua sot pasdite me Presidenten e Bundestagut Gjerman, Julia Klöckner.
Kryetarja Spiropali diskutoi me presidenten Klöckner mbi forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, bashkëpunimin e suksesshëm mes Kuvendit dhe Budestagut dhe mbështetjen e Gjermanisë për objektivin strategjik të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“Shqipëria dhe Gjermania po zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera, një parteritet të fuqishëm e dinamik, shkëmbime të vazhdueshme të nivelit të lartë dhe bashkëpunim të sukseshëm në mjaft sektorë si drejtësia, siguria, punët e bredshme, energjia, arsimi, turizmi, etj. Mbështetja e Gjermanisë, si një ndër aleatët më të rëndësishëm politik, është thelbësore për avancimin e reformave, integrimin europian të Shqipërisë dhe zhvillimin, stabilitetin e paqen në rajon. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit dhe Budestagut për thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore do të vijojë në mbështetjen e Kuvendit për realizimin e objektivit kombëtar për përfundimin e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda 2030. Ne vlerësojmë vizionin dhe kontributin e veçantë të Gjermanisë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera”, u shpreh Spiropali.
Presidentja e Bundestagut, Klöckner, vlerësoi bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve dhe nënvizoi se mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të vijojë dhe Bundestagu do të bashkëpunojë e ndihmojë Kuvendin në lidershipin e procesit të integrimit europian.
Pasditen e sotme Spiropali u takua edhe me kryetarin e Knesset të Izraelit, Amir Ohana, me të cilin diskutuan mbi partneritetin politik, bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat i kanë rrënjët në miqësinë e thellë historike dhe aktin unik të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë ditëve të errëta të Holokaustit.
“Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm kundër antisemitizmit, pjesë e kontributit për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, kundër padrejtësive dhe diskriminimit të çdo lloji”, u shpreh Spiropali.
Kuvendi dhe Knesset do të intensifikojnë ndërveprimin për të mbështetur marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe miqësinë e fortë mes dy popujve tanë. /j.p/
UASHINGTON, 29 korrik /ATSH-ANSA/ – Evropa do të paguajë 100% për armët që ne u ofrojmë atyre dhe më pas do t’i dërgojë ato në Ukrainë, deklaroi presidenti amerikan Donald Trump.
Trump iu referua një marrëveshjeje të arritur më parë këtë muaj me partnerët evropianë gjatë një samiti të jashtëzakonshëm të NATO-s.
Përveç luftës në Ukrainë një luftë tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duket se është shmangur, por BE-ja ka dalë e dëmtuar dhe marrëdhëniet transatlantike mbeten të paparashikueshme. Këto janë përfundimet kryesore pas arritjes së marrëveshjes për një kornizë tregtare ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, në Skoci, më 27 korrik.
Mund të thuhet se ka një ndjesi lehtësimi, por jo festë të vërtetë, pas marrëveshjes mes dy ekonomive më të mëdha në botë – një partneritet që gjeneron mbi 1,7 trilion dollarë tregti në vit.
Tarifat e gjera prej 30% që SHBA-ja kishte planifikuar të vendoste mbi të gjitha produktet e BE-së duke filluar nga 1 gushti, janë hequr nga tryeza, po ashtu edhe paketa hakmarrëse e BE-së prej 93 miliardë eurosh që pritej të zbatohej një javë më pas. /os/
STOKHOLM, 29 korrik /ATSH/- Negociatorët tregtarë kinezë dhe amerikanë përfunduan sot takimin e tyre dyditor në Stokholm – pa një rezolutë për të parandaluar rritjen e tarifave në nivele ultra të larta që formuan një bllokadë efektive në tregtinë midis dy ekonomive më të mëdha në botë, sipas CNN.
Por këshilltarët tregtarë të Trump dhe homologët e tyre kinezë shprehën një notë optimiste.
Pa një marrëveshje, SHBA-ja dhe Kina janë gati të vendosin sërish tarifa historike ndaj importeve të njëra-tjetrës duke filluar nga 12 gushti.
Megjithatë, duke folur me gazetarët nga Stokholmi, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent dhe ambasadori amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer thanë se takimi dyditor ishte “konstruktiv” dhe sugjeruan se një marrëveshje për të zgjatur pauzën 90-ditore te tarifave të arritur në mesin e majit, ishte e mundshme.
“Vetëm për të zbutur retorikën, takimet ishin shumë produktive”, tha Bessent.
Ata thanë se ende nuk është marrë një vendim nëse do të zgjatet pauza e tarifave të jashtëzakonshme të secilit vend, sepse presidenti Donald Trump duhet ta marrë këtë vendim.
“Lidhur me një pauzë të mundshme, ne do të kthehemi në Uashington, do të flasim me presidentin Trump, nëse kjo është diçka që ai dëshiron të bëjë”, tha Greer.
“Sigurisht, që është në diskutim e sipër”, shtoi ai.
“Sapo zhvillova një bisedë telefonike me Scott Bessent. Ai pati një takim shumë të mirë me negociatorët e Kinës”, tha sot Trump duke folur me gazetarët.
“Dhe duket se ata do të më informojnë nesër, dhe ne ose do ta miratojmë ose jo, por ai u ndje shumë mirë në takim”, shtoi Trump.
Ai tha gjithashtu se planifikon të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping deri në fund të këtij viti.
Li Chenggang, përfaqësuesi i Tregtisë Ndërkombëtare për Ministrinë Kineze të Tregtisë, u tha sot gazetarëve pas përfundimit të bisedimeve – se të dyja palët do të vazhdonin përpjekjet për zgjatjen e pauzës tarifore.
Bessent tha se deklarata e Li nuk duhet të merret si një konfirmin i një marrëveshjeje për zgjatjen e tarifave.
“Zëvendësministri kinez tha se ne kishim rënë dakord për një pauzë. Nuk kemi rënë dakord. Asgjë nuk është rënë dakord derisa të flasim me presidentin Trump”, tha Bessent, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse kishte një marrëveshje për të zgjatur afatin e 12 gushtit.
“Presidenti ka diskrecionin për të ndryshuar normën në varësi të rrethanave që kemi”, tha Greer.
Në maj, Kina ra dakord të ulë tarifat për mallrat amerikane nga 125% në 10%, ndërsa SHBA-ja ra dakord të ulë tarifat për mallrat kineze nga 145% në 30%.
Greer tha se tarifat ndaj mallrave kineze të dërguara në SHBA mund të rriten me rreth 34% shtesë – nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 12 gusht – nën nivelin maksimal prej 145%.
“Vetëm pse takimi përfundoi pa një marrëveshje, nuk do të thoshte se nuk do të arrihet një marrëveshje para afatit të 12 gushtit”, theksoi Bessent. //a.i/
00000000000000
Zyrtarët amerikanë dhe kinezë përfunduan sot bisedimet dyditore në Stokholm – që synonin trajtimin e mosmarrëveshjeve ekonomike afatgjata dhe tërheqjen nga një luftë tregtare në përshkallëzim midis dy ekonomive më të mëdha në botë, sipas “Reuters”.
Ndërsa nuk u njoftoi ndonjë progres, negociatori kryesor tregtar i Kinës, Li Chenggang tha se të dy palët ranë dakord për një marrëveshje për të zgjatur pauzën e tarifave – një pezullim 90-ditor të tarifave – të arritur në mesin e majit, pa specifikuar se kur dhe për sa kohë mund të hyjë në fuqi një zgjatje e tillë.
Zëvendësministri kinez i Tregtisë, Li Chenggang tha se vendi i tij dëshiron që marrëveshja e vazhdueshme e tarifave midis dy palëve, e cila parashikon tarifa prej 30% për mallrat e dërguara nga Kina në SHBA, të vazhdojë. //a.i/
Më shumë se 1,000 bare, pube dhe restorante në Mbretërinë e Bashkuar do të organizojnë ngjarje muzikore si pjesë e një festivali të ri kombëtar, të quajtur Seed Sounds Weekender, që do të mbahet në shtator. Kjo nismë ka mbështetjen e Matty Healy, këngëtarit të grupit The 1975, i cili ka paralajmëruar për shuarjen e hapësirave të vogla muzikore, vendet ku lindin yjet e së ardhmes.
“Vendet lokale nuk janë thjesht vende ku bandat e reja nisin karrierën, ato janë themeli i çdo kulture të vërtetë,” tha Healy në një deklaratë. “Pa to, nuk do të kishim The Smiths, Amy Winehouse apo The 1975. Do të kishim heshtje.”
Festivali synon të mbështesë hapësirat që quhen “seed venues”, vendet e para ku artistët e rinj bëjnë debutimin e tyre. Shembuj të këtyre hapësirave përfshijnë Grapes pub në Sheffield ku debutuan Arctic Monkeys, Rayner’s Hotel në Londër ku këndoi për herë të parë Amy Winehouse, dhe The Castle Hotel në Manchester, një nga skenat e para të The 1975.
Sipas organizatorëve, këto hapësira po përballen me sfida të jashtëzakonshme ekonomike. Sektori i mikpritjes në Mbretërinë e Bashkuar është në rënie, dhe mbi 370 pub-e pritet të mbyllen vetëm gjatë vitit 2025, sipas Shoqatës Britanike të Birrës dhe Pub-eve, që fajëson taksat dhe kostot e larta.
Kit Muir-Rogers, bashkëthemelues i platformës së muzikës live GigPig, tha se ky festival është “një moment për të bashkuar dhe për të festuar hapin më të rëndësishëm në rrugëtimin e një artisti”.
Sipas tij, ky lloj muzike tani po njihet gjerësisht si “seed music” dhe këto hapësira si “seed venues”, vende që mbjellin talentin që një ditë do të ngjitet në skenat më të mëdha si ajo e Glastonbury.
Matty Healy, ambasadori i këtij festivali, shtoi se rrënimi i financimeve për këto hapësira është simptomë e një tendence më të gjerë për të shkatërruar infrastrukturën demokratike që mundëson artin. “Në vend të saj, mbetet një ekonomi kulturore ku vetëm të privilegjuarit kanë mundësi të krijojnë, dhe ku mbijeton vetëm arti që sjell fitime të menjëhershme,” tha ai.
Seed Sounds Weekender do të mbahet nga data 26 deri më 28 shtator, në shumë lokacione në të gjithë Britaninë – për të kujtuar se muzika e vërtetë lind në bodrume, në lokale të vogla, dhe jo në zyra korporatash apo arena të mëdha./BBC/KultPlus.com
Festivali i sivjetmë “Sunnyhill Festival” përpos emrave tani të njohur pjesëmarrës do të mirëpresë edhe figura tjera të njohura të industrisë muzikore ndërkombëtare, ndër të cilët spikat Paul Tollet, promotori i shquar amerikan me bazë në Los Angeles. I njohur si bashkëthemelues i festivalit legjendar Coachella më 1999, së bashku me Rick Van Santenin, Tollet konsiderohet një nga zërat më me ndikim në skenën globale të muzikës live, mëson KultPlus.
Në mesin e të ftuarve është edhe Robert Kyncl, udhëheqës i “Creative Artists Agency”, një prej agjencive më të fuqishme në botë, si dhe themelues i “Warner Music Group”, kompania e mirënjohur me seli në New York nga ku kanë dalë disa nga artistët më të njohur të skenës botërore.
Pjesë e këtij edicioni do të jetë edhe Christofer Huber, drejtues i Europan Festival Association, i njohur për kontributin e tij në rrjetëzimin dhe zhvillimin e festivaleve evropiane.
Ashtu si në edicionet e kaluara, nuk do të mungojë as David Bradley, agjenti i pop-yllit Dua Lipa që e ka ndjekur dhe përfaqësuar që prej fillimeve të karrierës së saj. Një tjetër emër me peshë që do të jetë i pranishëm është Maha Dakhill, një nga agjentet më të kërkuara dhe një ndër zbulueset më të mëdha të talenteve në botën e artit dhe argëtimit.
Pjesëmarrja e këtyre emrave jo vetëm që e ngrit nivelin e festivalit në Kosovë, por gjithashtu krijon mundësi të reja për bashkëpunime ndërkombëtare dhe për afirmimin e skenës lokale në arenën globale./KultPlus.com
ByteDance raportohet se po zhvillon një version të ri të aplikacionit TikTok vetëm për SHBA-në që do ta lançojë më 5 Shtator. Sipas The Information, kompania po ecën përpara me këtë plan për të qenë në përputhje me ligjin që kërkon shitjen e biznesit të TikTok në SHBA ose përndryshe rrezikon dëbimin nga vendi.
Raportoi sugjeron se përdoruesit në SHBA duhet të përdorin një aplikacion të ri nëse duan të kenë qasje në rrjetin social TikTok. Thuhet se ByteDance do të heqë aplikacionin ekzistues të TikTok nga dyqanet e aplikacioneve në SHBA në momentin që i riu debution.
Besohet se versioni ekszitues i aplikacionit do të ndalojë së funksionuari në Mars dhe pse afatet mund të ndryshojnë.
Ky është zhvillimi më i fundit në sagën e TikTok ndërsa e ardhmja e tij është e paqartë pasi presidenti Amerikan Joe Biden nënshkroi një ligj që i jepte afat deri më 19 Janar të këtij viti të shiste biznesin Amerikan ose mund të dëbohej.
Por presidenti Trump vendosi ta shtyjë dy herë këtë afat përmes një urdhri ekzekutiv. Tashmë besohet se një marrëveshje është pranë ndërsa pritet miratimi i qeverisë Kineze./KultPlus.com
Jean Smart kishte shkrimin e duhur kur bëhej fjalë për kërkesën unike të një fanseje për tatuazh.
Një video e publikuar në Instagram tregoi yllin e serialit “Hacks” duke përshëndetur fansat jashtë teatrit ku po luan në shfaqjen e saj në Broadway, “Call Me Izzy”. Një fanse iu afrua asaj me një kërkesë të pazakontë, të nënshkruante krahun e saj me emrin Deborah Vance. Vance, natyrisht, është personazhi karizmatik dhe i drejtpërdrejtë i Smart në serialin komedik të HBO, “Hacks”.
Smart u duk e habitur kur fansja i tregoi se kishte ndër mend ta kthente nënshkrimin në tatuazh.
“Do të bësh çfarë?” – e pyet ajo e hutuar. “E ke seriozisht?”
Fansja e siguroi se po, ishte krejtësisht serioze, ndërsa Smart u shqetësua se mos e bënte gabim nënshkrimin.
“Deborah Vance nuk gabon,” dëgjohet fansja t’i thotë në video.
Aktorja fituese e çmimeve Emmy e pa me një vështrim dhe e pranoi me humor: “Kjo është e vërtetë. Faleminderit që ma kujtove.”
Smart, e cila deri atëherë ishte ulur, u ngrit dhe me një dozë nervozizmi shkroi nënshkrimin në krahun e fanses. Videoja e postuar në rrjetet sociale përfshinte edhe një fotografi të tatuazhit të përfunduar me firmën e Deborah Vance.
Vitin e kaluar, Jean Smart fitoi Emmy-n e saj të tretë për portretizimin e legjendës së stand-up-it nga Las Vegasi në komedinë popullore të HBO-së, dhe këtë shtator është sërish e nominuar për të njëjtin çmim./CNN/KultPlus.com
Të paktën 18 emigrantë humbën jetën në një anije të mbytur pranë qytetit lindor libian Tobruk gjatë fundjavës dhe 50 të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, tha sot Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), duke cituar raporte.
Deri më tani, janë gjetur dhjetë të mbijetuar, sipas njoftimit.
“Kjo tragjedi e fundit është një kujtesë e fortë e rreziqeve vdekjeprurëse që njerëzit detyrohen të marrin përsipër në kërkim të sigurisë dhe mundësive”, tha IOM.
Reuters raporton se Libia mbetet një pikë kryesore tranziti për emigrantët dhe refugjatët , shumë prej të cilëve përballen me shfrytëzim, abuzim dhe udhëtime kërcënuese për jetën.
Tobruku është një qytet bregdetar pranë kufirit me Egjiptin.
Që nga rrëzimi i ish-presidentit Muamar Gadafi në një kryengritje të mbështetur nga NATO në vitin 2011, Libia është bërë një vend tranziti për emigrantët që ikin nga konflikti dhe varfëria drejt Evropës përmes shkretëtirës dhe Detit Mesdhe. m.p.
Inaki Williams i është rikthyer edhe një herë tjetër “telenovelës” së verës, ku protagonistë ishin vëllai i tij, Nico Williams dhe Barcelona.
Për të dytën verë rresht, Barcelona tentoi transferimin e Nico Williams, po ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit, mungoi në fund firma. Madje, sulmuesi anësori vendosi të rinovoi me një kontratë afatgjatë me klubin aktual, Athletic Bilbao. Inaki Williams ka mbrojtur publikisht vëllain e tij, duke sulmuar rrethin e klubit katalanas për mënyrën se si është trajtuar çështja në media.
“Ata donin të ushtronin presion me fushatën e tyre mediatike, i kanë turbulluar shumë gjërat, shumë nga gjërat që u thanë në mediat sociale ose që u publikuan ishin gënjeshtra, vëllai im e kishte vendosur tashmë”, tregon Inaki Williams.
Me këto fjalë, Iñaki la të kuptohej se interesi nga Barcelona nuk ishte aq transparent dhe i vërtetë sa u sërvir nga mediat. Deri tani nuk ka asnjë reagim nga kampi i Barcelonës për këtë deklratë të Inaki Williams. m.p.
Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dënon ashpër përpjekjet për politizimin e operacionit të kërkim-shpëtimit në liqenin e Ujmanit. Në një reagim ajo u shpreh thellësisht e shqetësuar ndërsa akuzoi qeverinë në detyrë, për promovimin e narrativës mashtruese.
“Humbja tragjike e jetës së një të riu duhet të jetë moment i pikëllimit kolektiv dhe jo rast për të fituar pikë politike”, ka thënë Ambasada gjermane.
Sipas saj, deklaratat e aktorëve politikë se ky mision i FSK-së është “i pari në veri të Kosovës”, vetëm sa e keqinterpretojnë qëllimin e angazhimit.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë mashtruese. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Ambasada ka thënë se mbështet plotësisht misionin e KFOR-it dhe vlerëson përpjekjet e këtij misioni, si dhe të FSK-së, për kërkim-shpëtim. m.p.
Shqipëria është vendi ku pabarazia të godet në çdo moment dhe të prek ngado. Goditjet e viteve të fundit të SPAK-ut dhe sekuestrimet e shumave të mëdha të parave janë vetëm një dritare, ku ne shohim të materializuar pabarazinë skajore në vend. Pasuri të frikshme të krimit (pjesa më e madhe ardhur nga hiçi) dhe të zyrtarëve, të cilat nuk justifikohen dot as me moshën, rrogat, përfitimet e as me tagrin shtetëror dhe as me punët e nivelin intelektual, na përplasen para syve për çdo ditë. Të kërkosh barazinë e mundësive në Shqipëri është po kaq paradoksale saç ndodhi me pak individë nga klasat e të pasurve që kërkonin mirëkuptim nga regjimi komunist i pas Luftës së Dytë Botërore.
Drejtorokracia që e goditi kryeministri me një hyrje alla Ramë ishte një aspekt se ku arrin sot papërgjegjshmëria por edhe të shtang papërgjegjshmëria dhe pasuria e ofiqarëve të administratës. Kësaj i shtohet luksi fals i vajzave dhe njerëzve të shoë dhe i çdo lloj turboje tjetër që na e përshfaq pabarazinë në një aspekt tjetër, ku krimi jeton me hilen, shfaqjen kallpe në media dhe kinse pasurinë e vajzave që na presin rrugën çdo ditë në kryeqytet me super makinat. Kjo e fundit është modeli më i ndyrë (fryrë dhe nga kolegë), kur mendon përkorja e shoqërisë shqiptare dhe sakrificën e madhe të brezave të tërë shqiptarësh për një lloj barazie dhe demokracie. Në fakt, studiuesi Piketty e pranon se është rrugë e gjatë për vendosjen e barazisë, por ndërsa në vende ku kapitali është zot kërkon aksione të mëdha emancipuese nga pushteti dhe përpjekje të vazhdueshme nga poshtë prej popullit, tek ne po triumfon anarkia dhe mungesa e çdo lloj morali dhe mungesa e angazhimeve. Padrejtësia është kudo. Barazia pakkund.
“Kërkimi i demokracisë ideale, që nuk është gjë tjetër veçse prirje drejt barazisë politike, prirje drejt barazisë në të gjithë format e saj (sociale, ekonomike, arsimore, kulturore, politike) është një proces ende në vazhdim dhe i papërfunduar”, shkruan tek “Histori e shkurtër e Barazisë”, Thomas Piketty.
Shqetësimi për vendin, ku po jetojmë, lidhet me mënyrën sesi po ndahet pasuria por edhe pse jeta e njerëzve të thjeshtë dhe e klasës së mesme po bëhet kaq e vështirë. Ndaj largimi në masë është vetëm një aspekt, kurse apatia e përgjithshme dhe humbja e shpresës e bëjnë një nga kombet më vitalë dhe ish-rinorë si Shqipëria tashmë të kërruset krejt nga dhimbja. Ekonomistët e vendosin thelbin te sistemi fiskal, politikanët te reformat ndaj informalitetit dhe ndihmës për turizmin dhe infrastrukturën, që çdo vit po zhgënjejnë. Për këtë të fundit të mjafton realiteti i shkuarjes në Shkodër të kuptosh paradokset, por Rama dhe të tijët vazhdojnë me ëndrrën evropiane të vitit 2030, kurse opozita është dorëzuar tashmë edhe në narrativë. Cinizmin e dorëzimit e gjen tek deputetët e saj në parlamentin e ri që e shprehin hapur, madje edhe me një sintaksë të mjerë rrugësh.
Paradoksalisht, ekonomia rritet ndërsa pabarazia po ashtu. Statisticienët e dinë mirë se PBB-ja s’është tregues absolut për zhvillimin. Të dhënat e fundit nga Eurostat e ngrenë edhe më shumë alarmin: Shqipëria rreshtohet në vendin e parë në Evropë për përqindjen e popullsisë në rrezik varfërie dhe përjashtimin e thellë social. Rreth 42% e popullsisë shqiptare (referim i vitit 2023), “pothuaj mbi 1 milion qytetarë jetojnë në kushte të varfërisë së rëndë, të paaftë për të përballuar të paktën 7 nga 13 tregues të privimit ekonomik dhe social, si pagesat e qirasë apo kredive, pushimet minimale vjetore, ushqimi bazë, ngrohja, ose ndërrimi i mobilieve të vjetra”, referon Altax.al. Në të njëjtin vlerësim, situata është tejet e vështirë për ne krahasuar me vendet e tjera në Ballkan: Mali i Zi (34.1%), Maqedonia e Veriut (32.6%), Serbia (30%) – shifra që tregojnë se Shqipëria e ka imediate rikonceptimin rrënjësor të politikave ekonomike dhe fiskale.
Po ashtu, vendi ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe jo si më sot me pa barazi të theksuar, me mungesë reformash dhe me një sistem fiskal që shpërndan jo drejt, mendojnë specialistët. Këta të fundit theksojnë se: vendi ynë mbetet një shembull domethënës i një sistemi fiskal që, në vend t’i zbusë pabarazitë, shpesh i përforcon. Referuar raportit “Barra Tatimore në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor 2024”, vendi ynë ka një nga strukturat më regresive të taksimit në rajon, me një ndikim modest në uljen e pabarazisë dhe varfërisë. Kësaj i shtohet informaliteti në çdo gjë dhe pasiguria në tregun e punës.
Të mendosh se edhe në institucione shtetërore, punonjësi nuk merr pagesat siç duhet (Referimet për Air Albania mes të tjerave) konform kontratave, atëherë kupton se pabarazia në Shqipëri është tashmë një normalitet. Dhe, kësaj i bashkohet kaosi sesi po menaxhohet vendi ynë ose mungesa e prioriteteve: Nuk merr fund problemi i ujit të pijshëm në vend që me ngrohjen globale do përcjellë edhe më shumë vështirësi për popullatën, veçanërisht atë të varfrën. Betonizimi i madh i kryeqytetit dhe i disa qyteteve kryesore po zhduk çdo individualitet të Tiranës & Co; kurse zvogëlimi i hapësirave të gjelbra po manifestohet në shëndetin e jetës së përditshme; kanalizimet dhe përpunimi biologjik i ujërave të zeza mbeten më shumë se shqetësim; ndotja e ajrit në Tiranë dhe qytetet kryesore ka kuota alarmante; kurse ndotja akustike në Tiranë ka kapur nivele të paimagjinueshme, madje edhe në orët e shenjta të prehjes biologjike (natën se dreka nuk llogaritet më); shtojmë mbrojtjen e lumenjve nga inertet dhe derdhjen e tyre në Adriatik; e shtuar edhe akset kryesore të vendit të amortizuara frikshëm…Të gjitha (ka edhe më) si faktorë peshojnë në këtë pabarazi të madhe.
Pabarazia e të ardhurave në vendet e Evropës Lindore është kudo e dukshme, por ndryshon me vende si Shqipëria dhe Kosova që e përjetojnë këtë në nivele më të larta se të tjerat. Starti demokratik pas komunizmit nuk ishte i njëllojtë, kurse kudo u pa një rritje e pabarazisë së të ardhurave ndërsa ekonomitë e tregut u zhvilluan. Qeverisja e atëhershme e PD-së ka lënë ende pasoja që qeverisjet socialiste i shumëfishuan. Ndërkohë është e habitshme se vende me elita politike shoqërore, që kanë treguar probleme, siç është rasti i Bullgarisë dhe Rumanisë kanë pabarazi më të lartë, krahasuar me vende të tjera më të kujdesshme si Sllovakia dhe Çekia, të cilat ruajnë nivele relativisht më të ulëta pabarazie. Literatura rreshton një sërë faktorësh të tillë si: zhvillimi ekonomik, globalizimi dhe forca e shteteve të mirëqenies sociale që ndikojnë në këto trende.
Në të gjithë qerthullin shqetësuese mbetet mënyra sesi po sillet elita jonë politiko-sociale, ku për 35 vite u soll shumë keq me rishpërndarjen e pronës, një proces kompleks i ndikuar dhe nga momenti historik, manovrimet politike, të cilat kanë lënë me gisht në gojë shumë nga pronarët realë. Pasojat mijëra të vrarë. Ndërkohë që një sërë nga kinse elitat tona shfrytëzuan paqartësitë dhe boshllëqet ligjore për të mbrojtur asetet e tyre ekzistuese ose për të fituar të reja gjatë privatizimit, shpesh në kurriz të përfitimeve më të gjera shoqërore. I kemi pasur para syve sesi, manovra strategjike dhe ndikimi politik shpesh çuan në korrupsion dhe nepotizëm, ku shumë nga “elitat” përfituan dukshëm në kurriz të publikut. Ndërkohë, Shqipëria vazhdon ende deri me problemet me regjistrimin e pronës, pretendimet e mbivendosjes të tokës dhe mospërputhjet midis bazave të të dhënave të tokës. Por zgjidhja shpesh komplikohet, kurse trashëgimia e kësaj rezistence të elitës së sotme vazhdon ta formësojë peizazhin socio-ekonomik të rajonit, në një trend që e gjen në literaturë edhe për vende të tjera të Ballkanit.
Shqipëria politike (dhe prej më pak se 20 vitesh dhe Kosova) duhet ta lerë argumentimin bosh të politikanëve dhe të rrugëtojnë drejt barazisë, po për këtë i duhet shteti social dhe taksimi progresiv, bash gjëra që klasa politike “bën sikur nuk i di”. Ndërkohë, duhet të jetë pak më e kujdesshme me kinse pasunarët, të cilët po përfundojnë në SPAK dhe sidomos indiferencën ndaj barazisë. Atë që na shfaq një klasë të pamëshirë ndaj dy klasave të tjera dhe rezistencën e një kinse elite që ka mbërthyer gjithçka në vend. m.p.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka treguar angazhimin e qeverisë së tij mbi një bashkëpunim të mundshëm me Rusinë lidhur me çarmatimin bërthamor të këtij të fundit.
Referuar Agjencisë Ruse të Lajmëve TASS, Trump iu përgjigj një pyetje për shanset që Uashingtoni dhe Moska kanë për të arrirë një marrëveshje për të zëvendësuar Masat për Reduktimin dhe Kufizimin e Mëtejshëm të Armëve Strategjike Ofensive, një traktat i njohur edhe si një fillim i ri.
“Kjo nuk është një marrëveshje që ju dëshironi të skadojë. Ne po fillojmë të punojmë për këtë,” u tha ai gazetarëve jashtë Shtëpisë së Bardhë.
“Është një problem për botën”, tha presidenti, duke iu referuar skadimit të afërt të traktatit të Ri START. “Kur heq kufizimet bërthamore, ky është një problem i madh.”
Kur iu tha se më parë kishte bërë thirrje që SHBA-të dhe Rusia të shkurtonin rezervat e tyre të armëve bërthamore, Trump tha se do të donte ta shihte këtë të ndodhte. m.p.