Zëvendësimi i rrënjës së aortës duke kursyer valvulën aortale – Operacioni David
Teknika David: alternativë fiziologjike ndaj operacionit Bentall të modifikuar
Dr. Kushtrim Shala
Mjek specialist kardiokirurg
tel: +38348587588
e-mail: dr.kushtrimshala@gmail.com
Çfarë është Operacioni David?
Rrënja aortale është zona fillestare e aortës apo enës më të madhe të trupit që lidh aortën me barkushen (ventrikulin) e majtë, dhomën kryesore të pompimit të zemrës, dhe brendësi përmban valvulën aortale. Valvula aortale kontrollon rrjedhën e gjakut nga ventrikuli i majtë në aortë. Operacioni/procedura David, konsiston në rindërtimin rrënjës së sëmurë të aortës duke ruajtur valvulën aortale native të pacientit. Është një prej teknikave të zëvendësimit të rrënjës së aortës duke ruajtur valvulën aortale (VSRR), e njohur ndryshe edhe si teknika e reimplantimit. Gjatë operacionit David valvula aortale native reimplantohet brenda një tubi/grafti Dacron i madhësisë së përshtatshme me të cilin rivendoset gjeometria normale e rrënjës së aortës dhe përforcohet unaza apo anulusi aortal. Në rastet kur duhet të zëvendësohet rrënja e aortës pjesë e së cilës është edhe valvula aortale e cila në të shumtën e rasteve mund të jetë e shëndoshë, pra e padëmtuar rekomandohet që ajo të ruhet duke zëvendësuar vetëm rrënjën e aortës. Përparësia e këtij operimi është se riparimi i rrënjës së aortës dhe regurgitimit aortal që e shoqëron pa e zëvendësuar valvulën me një protezë (mekanike ose biologjike – operacioni Bentall i modifikuar) me çka shmanget përdorimi i antikoagulantëve gjatë gjithë jetës dhe ndërlikimet që lidhen me valvulat prostetike.
Cilët pacientë mund të jenë kandidat për operacionin David?
Pacientët me aneurizma të rrënjës së aortës: Pacientët me zgjerim ose fryrje të rrënjës së aortës janë në rrezik për çarje apo rupturë të aneurizmës.
Njerëzit me sëmundje gjenetike të indit lidhor: Njerëzit me sëmundje gjenetike të indit lidhor si sindroma Marfan, sindroma Loeys-Dietz ose sindroma Ehlers-Danlos janë në rrezik për zgjerim të rrënjës së aortës dhe diseksion të aortës.
Zgjerimi i rrënjës së aortës me insuficiencë të valvulës aortale: Me operacionin David, rrënja e aortës korrigjohet dhe valvula aortale ruhet, duke penguar rrjedhjen e gjakut prapa (insuficiencën aortale).
Pacientët që kanë pësuar diseksion apo çarje të rrënjës së aortës: Diseksioni i aortës është një çarje në murin e aortës që lejon që gjaku të rrjedhë midis shtresave të murit të aortës.
Pacientë më të rinj: me anatomi të përshtatshme të valvulës për të shmangur valvulën prostetike dhe antikoagulimin gjatë gjithë jetës,
Pacientët me valvula bikuspidale: mund të jenë kandidatë nëse cilësia dhe gjeometria e kuspiseve lejojnë riparim të qëndrueshëm – por anatomia bikuspidale kërkon gjykim të kujdesshëm dhe përvojë të kardiokirurgut.
Tek të gjitha patologjitë e mësipërme, valvula aortale e pacientit duhet të përmbushë kushtet e mëposhtme:
Kuspiset/fletëzat valvulare të jenë strukturalisht të shëndosha.
Valvula të jetë duke funksionuar siç duhet ose me insuficiencë sekondare si pasojë e dilatimit të anulusit e që mund të riparohet.
Ka pak ose aspak depozita kalciumi (kalcifikim) në kuspise.
Nuk ka stenozë valvulare.
Avantazhet e procedures David (teknika e reimplantimit) kundrejt operimit Bentall të Modifikuar
1. Ruajtja e fiziologjisë së valvulës native
Kuspiset native ruajnë dinamikën natyrale të rrjedhjes dhe shmangen e problemet e gradientit të valvulave prostetike. Kjo përkthehet në hemodinamikë të shkëlqyer.
2. Pa antikoagulim gjatë gjithë jetës
Shmang rreziqet e antikoagulimit (gjakderdhje, monitorim) të lidhura me valvulat mekanike – një avantazh i qartë për pacientët e rinj dhe aktivë. Kjo gjithashtu përmirëson cilësinë e jetës.
3. Rreziqe më të ulëta që lidhen me valvulat prostetike
Eliminon rreziqet e endokarditit të valvulës prostetike që lidhen drejtpërdrejt me fletëzat e valvulës së implantuar dhe degjenerimin strukturor të valvulës (në valvulat biologjike). Si çdo operim edhe operacion David ka rrezikun e vet të rioperimit, liria e përgjithshme nga ndërlikimet që lidhen me valvulën është më e favorshme.
4. Qëndrueshmëria më e lartë në pacientë të përzgjedhur
Në qendrat me përvojë, mbijetesa afatmesme dhe afatgjatë dhe liria nga ri-operimi janë të shkëlqyera krahasuar me operacionin Bentall në shumë seri; studimet tregojnë shkallë pak më të ulët të ri-operimit, Pashtu shkalla e mbijetesës dhe e eventeve që lidhen me valvulën mbeten të favorshme kur përzgjedhja dhe teknika janë optimale.
Si kryhet operacioni David?
Si edhe operimet tjera kardiake kryhet nën anestezion të përgjithshëm me sternotomi mediane apo ministernotomi. Mirëpo mund të bëhet dhe me qasje minimale invasive me prerje të vogël mes brinjëve nën sqetull. Me këtë metodë, sternumi mbetet i paprekur.
Aorta e zgjeruar hiqet së bashku me sinuset aortale, dhe arteriet koronare përgatiten duke prerë aortën në pikat e tyre të daljes. Valvulat aortale mbeten në vend.
Përgatitet një graft sintetik Dacron i përshtatshëm për gjerësinë e rrënjës së aortës me të cilin rindërtohet rrënja e aortës.
Valvulat aortale, së bashku me indet përreth, implantohen brenda graftit Dacron me qepje të vazhdueshme, poashtu komisurat fiksohen në graft.
Butonet koronare të shkëputura më parë qepen në vrimat e hapura në graftin Dacron dhe zëvendësimi i rrënjës aortale përfundon.
Pjesa distale e graftit Dacron apo rrënjës së re të aortës anastomozohet në indin aortik të paprekur ose përmes një grafti të dytë Dacron, dhe operacioni përfundon.
Procesi pas operacionit
Rehabilitimi postoperativ te pacientët me ndërhyrje kirurgjike në zemër dhe në aortë nuk dallon shumë. Pacientët zakonisht lirohen në shtëpi në ditën e 7 pas operimit. Me ndërhyrjen kirurgjikale tradicionale që përfshin një prerje të sternumit, shumica e pacientëve mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme brenda pak javësh. Megjithatë, shërimi i plotë mund të zgjasë 2-3 muaj. Me ndërhyrjen minimale invazive nën sqetull, pacientët mund të kthehen në aktivitetet e tyre të përditshme dhe të punojnë më shpejt sesa me ndërhyrjen kirurgjikale të hapur. Për më tepër, nuk ekziston nevoja për përdorim të përjetshëm të antikoagulantëve (hollues gjaku), duke minimizuar rrezikun e ndërlikimeve nga valvulat artificiale. Pacientët marrin aspirinë me dozë të ulët për 3-6 muaj pas operacionit.
Sa është e suksesshme ndërhyrja kirurgjike sipas Davidit?
Procedura David është një teknikë kirurgjikale e sigurt dhe efektive për trajtimin e problemeve të valvulës aortale dhe rrënjës së aortës. Ruajtja e valvulës aortale native të pacientit përmirëson cilësinë e jetës së pacientit pas operacionit dhe zvogëlon rrezikun e komplikacioneve afatgjata.
Ndërhyrja riparon me sukses rrënjën dhe valvulën e aortës në më shumë se 95% të rasteve.
Shkalla mbijetesës në ndërhyrjen kardiokirurgjike David është mbi 99 përqind në pacient të zgjedhur.
Në varësi të gjendjes së valvulës, ka të ngjarë që pacienti të mos ketë nevojë për një ndërhyrje tjetër kirurgjikale të valvulës së aortës. Shumica e pacientëve (92% deri në 98%) nuk do të kenë nevojë për një të tillë brenda 10 viteve nga operacioni.
Përafërsisht 95% e pacientëve me anatomi të valvulës aortale trikuspidale ose çrregullime të indit lidhës nuk kanë nevojë për përsëritje të kirurgjisë së valvulës aortale pas 10 vitesh dhe nuk përjetojnë pamjaftueshmëri të rëndë të valvulës aortale.
Sidoqoftë përpara se të marrin në konsideratë ndërhyrjen kirurgjikale, është e rëndësishme që pacientët të konsultohen me një kardiokirurg me përvojë në kirurgjinë zemrës dhe aortës dhe të marrin informacion të detajuar në lidhje me rreziqet dhe përfitimet e procedurës. /Telegrafi/
Referencat:
• 1.Arabkhani B, Klautz RJM, de Heer F, et al. A multicentre, propensity score matched analysis comparing a valve-sparing approach to valve replacement in aortic root aneurysm: Insight from the AVIATOR database. Eur J Cardiothorac Surg 2023;63:ezac514. 10.1093/ejcts/ezac514
• 2.Isselbacher EM, Preventza O, Hamilton Black J, 3rd, et al. 2022 ACC/AHA Guideline for the Diagnosis and Management of Aortic Disease: A Report of the American Heart Association/American College of Cardiology Joint Committee on Clinical Practice Guidelines. Circulation 2022;146:e334-482. 10.1161/CIR.0000000000001106
• 3.Mastrobuoni S, Govers PJ, Veen KM, Jahanyar J, van Saane S, Segreto A, Zanella L, de Kerchove L, Takkenberg JJM, Arabkhani B. Valve-sparing aortic root replacement using the reimplantation (David) technique: a systematic review and meta-analysis on survival and clinical outcome. Ann Cardiothorac Surg. 2023 May 31;12(3):149-158. doi: 10.21037/acs-2023-avs1-0038. PMID: 37304702; PMCID: PMC10248907.
• 4. Cardiac Surgery Operative technique 2nd edition 2012
The post Zëvendësimi i rrënjës së aortës duke kursyer valvulën aortale – Operacioni David appeared first on Telegrafi.