Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 July 2025Abc News

“Procesi në Hagë, farsë e ndyrë juridike,” avokati Beqiri: Krerët e UÇK-së po gjykohen mbi bazën e shpifjes

16 July 2025 at 23:45

TIRANË- Haga nuk i hap rrugë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Trupi gjykues i Gjykatës Speciale e rrëzoi parashtrimin e përbashkët të mbrojtjes së Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit për t’i hequr nga aktakuza të gjitha ngjarjet që sipas mbrojtjes nuk kane ndodhur gjate periudhës së konfliktit të armatosur.

Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.

12 qershori ka qenë afati i fundit kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi kanë mundur të dorëzojnë mocionin për rrëzimin e akuzave.

Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së e ka konsideruar rastin e prokurorisë të dobët si dhe ka deklaruar se presin rezultat pozitiv në fund të këtij procesi gjyqësor, edhe pse diçka e tillë nuk ndodhi.

Avokati i njohur, Idajet Beqiri, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News u shpreh se gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka motive të pastra politike dhe se nuk ka asnjë provë që i bën ata përgjegjës për krime lufte.

Sipas tij, ish-krerët e UÇK-së po gjykohen mbi shpifje dhe intriga, që janë fabrikuar nga shërbimi sekret serb.

“Është një gjyq për motive politike. Ata bënë një luftë të drejtë dhe luftuan për çlirimin e Kosovës dhe ia arritën. Ata që ndihmuan shumë dhe ishin fakte nga më të rëndësishmet, sepse ishin pushkët e UÇK, që e çuan NATO të futej në Kosovë dhe ta çlironte atë.

Futja e NATO ishte rrjedhojë e UÇK-së. Vendimi i sotëm jo vetëm është një farsë, por është një farsë e ndyrë juridike. Kanë dalë prova dhe fakte që kanë rrëzuar akuzat. Ata po gjykohen mbi shpifjen dhe intrigat e shërbimit serb. Ata [serbët] duan të shfajësohen duke pretenduar se ato janë viktimat dhe jo agresorët”, theksoi ai.

Avokati u shpreh se qëndrimin i kryeministrit Albin Kurti ndaj ish-krerëve të UÇK-së është i dyshimtë.

Sipas tij, kjo qeveri duhet të bënte gjithçka për të liruar njerëzit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse nuk ka asnjë provë që i bën ata fajtorë për krime lufte.

“Qeveria Kurti, sa i përket qëndrimit që po mban me krerët e UÇK dhe luftën, po mban qëndrim të dyshimtë dhe nuk i ka hije”, tha ai. /abcnews.al

Franca tërhiqet nga plani i NATO-s për të financuar armët amerikane për Ukrainën

16 July 2025 at 23:16

Franca thuhet se nuk planifikon të bashkohet me një iniciativë të mbështetur nga NATO, që vendet evropiane të financojnë dërgesat e armëve amerikane në Ukrainë.

Presidenti Emmanuel Macron ka shtyrë Evropën të forcojë industrinë e saj të mbrojtjes duke u përqendruar në prodhimin vendas të armëve, sipas një raporti që citon dy zyrtarë francezë.

Sipas Politico, qëndrimi i Macron është një arsye kryesore pas refuzimit të Parisit për t’u bashkuar me planin, i cili synon të përshpejtojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën duke shfrytëzuar rezervat ekzistuese të NATO-s, dhe më pas duke i mbushur inventarët e tyre të reduktuar duke blerë zëvendësime amerikane.

Franca gjithashtu po përpiqet të rrisë shpenzimet e saj të mbrojtjes, për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme për të ulur buxhetin kombëtar dhe për të ulur borxhin e saj.

Gjermania është shfaqur si një mbështetëse kryesore e planit. Kancelari Friedrich Merz i tha kohët e fundit presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se Berlini do të luante një “rol vendimtar” në dërgesa.

Qeveria gjermane e sheh blerjen e armëve amerikane si një nga mënyrat e pakta të shpejta për të pajisur Ukrainën, duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të prodhimit të Evropës, shkruan Politico.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili mbërriti në Uashington të hënën për t’u takuar me Sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, theksoi angazhimin e Gjermanisë për përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen evropiane, duke deklaruar: “Ne jemi të vendosur të marrim përsipër përgjegjësi më të madhe për frenimin dhe mbrojtjen e Evropës, duke pranuar njëkohësisht se kontributi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbetet i domosdoshëm për sigurinë tonë kolektive”.

Ai zbuloi gjithashtu se Gjermania i është drejtuar SHBA-së për një blerje të mundshme të raketave me rreze të gjatë veprimi Typhoon, të cilat mund të ofrojnë një zgjidhje më të shpejtë për Ukrainën, ndërsa ajo kërkon të zmbrapsë sulmet e vazhdueshme të Rusisë.

Kjo vjen pasi Gjermania tashmë ka ofruar të financojë dy sisteme shtesë Patriot për Ukrainën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka përmendur Mbretërinë e Bashkuar, Holandën dhe katër vende nordike të NATO-s midis mbështetësve të iniciativës.

Më 14 korrik, Trump njoftoi se SHBA-të dhe aleatët e saj në NATO kishin rënë dakord për një marrëveshje sipas së cilës armët amerikane do të dërgoheshin në Ukrainë, me anëtarët e aleancës që mbulonin koston.

Të nesërmen, ai tha se raketat për sistemet Patriot të Ukrainës tashmë po dërgoheshin nga Gjermania.

“Ato tashmë po dërgohen nga Gjermania dhe më pas po zëvendësohen nga Gjermania. Dhe në të gjitha rastet, Shtetet e Bashkuara do të paguhen plotësisht”, shtoi ai.

Trump theksoi se Evropa dhe NATO do t’i rimbursonin plotësisht SHBA-të për të gjitha shpenzimet, duke deklaruar: “Ne gjithmonë do t’i marrim paratë tona mbrapsht plotësisht. Pra, nuk do të kemi më investime për të bërë. Po i marrim paratë tona mbrapsht plotësisht”.

Netanyahu asnjë fjalë për humbjen e shumicës në parlament, merret me Sirinë

16 July 2025 at 23:04

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka reaguar në lidhje me përshkallëzimin e situatës në jugperëndim të Sirisë, veçanërisht në rajonin e Suwayda, ku jeton një komunitet i madh druz gjersa nuk ka folur asnjë fjalë për largimin e partnerit të koalicionit, partisë Shas, e cila e ka lënë atë pa shumicën prej 61 deputetëve.

Në një deklaratë publike, lideri izraelit iu drejtua drejtpërdrejt qytetarëve druz të Izraelit, duke theksuar seriozitetin e situatës dhe rolin e ushtrisë izraelite në terren.

“Vëllezërit e mi, qytetarë druze të Izraelit, situata në Suwayda është shumë serioze. Ushtria izraelite, forcat ajrore dhe njësi të tjera janë në veprim. Po punojmë për të shpëtuar vëllezërit tanë druze dhe për të eliminuar bandat e regjimit,” u shpreh ai.

Megjithatë, 75-vjeçari lëshoi edhe një thirrje të qartë për përmbajtje, duke i kërkuar qytetarëve të shmangin kalimin e kufirit në territorin sirian.

“Ju jeni qytetarë të Izraelit. Mos e kaloni kufirin. Po rrezikoni jetën tuaj; mund të vriteni, mund të rrëmbeheni dhe njëkohësisht po pengoni përpjekjet e ushtrisë. Ju lutem, kthehuni në shtëpi dhe lëreni IDF-në të veprojë,” theksoi kryeministri.

Ndryshe, situata në Sirinë jugore është tensionuar ndjeshëm ditët e fundit, duke ngritur shqetësime për përfshirje të drejtpërdrejtë të grupeve etnike përtej kufijve zyrtarë.

Yesterday — 16 July 2025Abc News

Bombardimi rus në një qendër tregtare në Ukrainë, raportohet për viktima dhe të plagosur

16 July 2025 at 22:34

Forcat ruse kanë bombarduar një qendër tregtare dhe një treg në Donetsk të Ukrainës Lindore.

Dy persona kanë humbur jetën dhe të paktën 26 të tjerë janë plagosur.

Guvernatori i Donetskut Vadim Fylashkin ka thënë se rusët kanë shënjestruar sërish një zonë me shumë civilë, një qendër tregtare në zemër të qytetit.

Nga ana e tij presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky e ka cilësuar sulmin “një terrorizëm të tmerrshëm”, ndërsa ka nënvizuar se Rusia thjesht po përpiqet që të shkaktojë më shumë vdekje”.

/abcnews.al/

Studimi: Të luash një instrument mban trurin të ri

16 July 2025 at 22:29

Të luash një instrument muzikor e mban trurin të ri dhe ngadalëson rënien e perceptimit të të folurit që zakonisht ndodh me moshën. Kjo demonstrohet nga një studim i botuar në revistën PLOS Biology nga Akademia Baycrest për Kërkim dhe Edukim (Kanada) dhe Akademia Kineze e Shkencave.

Studiuesit përdorën imazhe me rezonancë magnetike funksionale për të matur aktivitetin e trurit të 25 muzikantëve të moshuar, 25 të moshuarve që nuk luanin një instrument dhe 24 të rinjve jo-muzikantë, të cilëve iu kërkua të dëgjonin dhe të identifikonin rrokjet e maskuara nga tinguj të zhurmshëm.

Rezultatet tregojnë se muzikantët e moshuar kanë më pak vështirësi me njohjen e të folurit sesa bashkëmoshatarët e tyre jo-muzikantë, truri i të cilëve është i mbingarkuar për të kompensuar rënien njohëse të lidhur me moshën.

Në përgjithësi, muzikantët e moshuar treguan aktivitet dhe lidhshmëri në zona të trurit të ngjashme me atë të të rinjve jo-muzikantë.

Në përgjithësi, gjetjet mbështesin hipotezën se praktika muzikore rrit rezervën njohëse, duke kompensuar rënien e lidhur me moshën dhe duke ruajtur integritetin dhe arkitekturën funksionale të rrjeteve nervore.

“Një stil jetese pozitiv i ndihmon të moshuarit të përballojnë më mirë plakjen njohëse dhe nuk është kurrë vonë për të filluar dhe për të ruajtur një hobi të kënaqshëm si të mësuarit për të luajtur një instrument,” komenton Lei Zhang i Akademisë Baycrest për Kërkim dhe Edukim.

“Ashtu si një instrument i akorduar mirë nuk ka nevojë të luhet më fort për t’u dëgjuar, truri i muzikantëve të moshuar mbetet i akorduar në mënyrë të përsosur falë viteve të trajnimit,” shton Yi Du i Akademisë Kineze të Shkencave.

“Studimi ynë tregon se kjo përvojë muzikore forcon rezervën konjitive, duke ndihmuar trurin të shmangë lodhjen e zakonshme të lidhur me moshën tipike të atyre që përpiqen të kuptojnë të folurit në mjedise të zhurmshme”, shton ai.

Zjarri në Drenovë pranë një pusi nafte e nënstacioni elektrik, përhapen me shpejtësi flakët, ndërhyjnë zjarrfikësit

16 July 2025 at 22:15

Shërbimet zjarrfikëse në Drenovë kanë ndërhyrë për të neutralizuar zjarrit që është përhapur në zonë.

Sipas informacioneve, mësohet se zjarri po i afrohet një pusi nafte, një magazine dhe një nënstacioni elektrik. Raportohet se vatra e zjarrit është shfaqur tre kilometra në vijë ajrore larg vatrës e cila u shua mbrëmë.

Në zonë ka puse nafte aktive, ndërsa burime nga ekipet zjarrfikëse thanë për ABC News se situata është nën kontroll. Ndërsa kanë mbërritur në ndihmë të repartit edhe zjarrfikës të Mallakastrës,

/abcnews.al/

 

Atentati ndaj 23-vjeçarit/ Gazetari: Zanafilla e konfliktit në Gjermani! Karamuço: Kanë marrë pjesë shumë persona

16 July 2025 at 21:26

“Tirana Live” në ABC News, i ftuar gazetari Ervin Leka dhe eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuco folën për vrasjen e 23-vjeçarit në Shkopet, Renis Dobra.

Gjatë intervistës, gazetari Leka ka bërë një pasqyrim të ngjarjes së rëndë, duke dhënë detaje edhe në lidhje me zanafillën e këtij krimi të rëndë. Leka tha se dyshohet që konflikti ta ketë zanafillën në Gjermani.

“Katër persona të përfshirë në këtë ngjarje janë deklaruar nga ana e policisë, por ka dyshime se ka edhe persona të tjerë të përfshirë. Tre vëllezërit e arrestuar dhe miku i tyre janë persona të skeduar me precedentë kriminalë”, tha Leka.

Ndërsa shtoi se gjithashtu ka dyshime për persona të tjerë të përfshirë.

“Vrasje me paramendim në bashkëpunim”, kështu e ka cilësuar eksperti i Kriminalistikës Ervin Karamuço.

Gjatë intervistës, ai tha se kanë marrë pjesë shumë persona në këtë ngjarje që kanë lënë edhe gjurmë.

“Sa më shumë persona të marrin pjesë është mundësia më e madhe për të lënë gjurmë. Në atentat kanë marrë pjesë shumë persona. Dy të tjerë janë ende në arrati dhe mendohet që janë autorët kryesorë”, tha mes të tjerash ai.

/abcnews.al/

SHBA thirrje Damaskut: Tërhiqni trupat nga Sweida

16 July 2025 at 21:12

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje Damaskut të tërheqë trupat e tij nga Swedia me qëllim qetësimin e situatës.

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Tammy Bruce, pas përplasjes së trupave qeveritare dhe luftëtarëve vendas dhe Druze në qytet.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë siriane të tërheqë ushtrinë e saj, në mënyrë që të lejojë të gjitha palët të ç’tensionojnë situatën”, ka thënë Bruce.

/abcnews.al/

Gjermania vazhdon eksportet ushtarake drejt Izraelit përkundër kritikave në rritje

16 July 2025 at 21:10

Sipas shifrave zyrtare të publikuara, Gjermania ka vazhduar eksportet e saj ushtarake drejt Izraelit në muajt e fundit pavarësisht shenjave shqetësuese të gjenocidit në Gaza.

Qeveria gjermane konfirmoi se ka miratuar pajisje ushtarake dhe armë me vlerë 250,5 milionë euro për Izraelin midis 1 janarit 2024 dhe 26 qershorit 2025. Sipas shifrave zyrtare, licencat e miratuara të eksportit kanë arritur në 161,1 milionë euro në vitin 2024 dhe 28 milionë euro në tremujorin e parë të vitit 2025.

Qeveria i publikoi këto shifra në përgjigje të një pyetjeje parlamentare nga Partia e Majtë e opozitës, e cila bën thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të eksporteve të armëve për Izraelin.

Gjermania ka qenë prej kohësh mbështetëse e fortë e Izraelit, me udhëheqës politikë që vazhdimisht përmendin përgjegjësinë historike të vendit ndaj Izraelit të rrënjosur në të kaluarën naziste të Gjermanisë dhe Holokaustin.

Eksportet e armëve në Izrael u pezulluan për një kohë të shkurtër vitin e kaluar kur Nikaragua ngriti padi kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), duke akuzuar Gjermaninë për bashkëpunim në gjenocidin në Gaza.

Zyrtarët gjermanë më vonë rifilluan eksportet duke argumentuar se kishin marrë garanci me shkrim nga Izraeli në lidhje me pajtueshmërinë me ligjin ndërkombëtar. Ata gjithashtu përmendën kërcënimin e paraqitur nga Irani si justifikim tjetër për rifillimin e dërgesave të armëve.

Që kur Izraeli nisi fushatën e tij ushtarake në Gaza në vitin 2023, më shumë se 58.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 100.000 të tjerë janë plagosur, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Izraeli aktualisht përballet me një padi për gjenocid në GJND për veprimet e tij në Gaza, ku të paktën 1,9 milion palestinezë mbeten të zhvendosur dhe vuajnë nga mungesa të mëdha ushqimi, furnizimesh mjekësore dhe artikujsh të tjerë thelbësorë.

VIDEO/ Skena e festivalit të “Tomorrwland” në Belgjikë përfshihet nga flakët

16 July 2025 at 20:43

Një zjarr ka përfshirë skenën e festivalit muzikor Tomorrowland në Belgjikë. Në vendngjarje sipas raportimeve kishte rreth 1 000 punonjës, por nuk kishte spektaktor, apo organizim festiv.

Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të mbyllin dritaret dhe të tregohen të kujdesshëm në zonat përreth pas tymi i madh ka “pushtuar” zonën.

Ndërkohë festivali do të niste të premten.

Greqia përgatitet për temperatura ekstreme, termometri pritet të arrijë në 43 gradë Celsius

16 July 2025 at 20:28

Greqia po përgatitet për një valë të re dhe më intensive të të nxehtit, e cila pritet të sjellë temperatura ekstreme dhe rrezik të shtuar nga zjarret.

Sipas gazetës ditore ‘To Vima’, parashikimet tregojnë se temperaturat nga e diela deri të paktën të martën mund të arrijnë deri në 43 gradë Celsius, me mundësi të zgjatjes deri të mërkurën.

Meteorologu Giorgos Tsatrafilia tha se temperaturat prej 39-40 gradë Celsius priten në ditët para fundjavës, para se vala e të nxehtit të arrijë kulmin.

Ai gjithashtu paralajmëroi se popullatat vulnerabël, veçanërisht në zonat urbane me ventilim të dobët dhe mungesë të mjeteve për freskim, mund të përjetojnë vështirësi të mëdha gjatë kësaj vale e të nxehtit ekstrem.

Dënohet Imamoglu/ Rivali i Erdogan akuzohet për fyerje dhe kërcënime të zyrtarëve

16 July 2025 at 20:16

Ish kryenashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu u dënua me një vit e 8 muaj burg nga një gjykatë turke, e cila nuk vendosi asnjë kufizim në aktivitetin e tij politik.

Rivali i presidentit turk Recep Tajip Erdogan do të vuajë një dënim një vit, 5 muaj e 15 ditë burg për “fyerje publike të një zyrtari publik” dhe dy muaj e 15 ditë për “kërcënime”.

Megjithatë Gjykata rrëzoi akuzën për shënjestërimin e individëve që kanë shërbyer në luftën kundër terrorizmit.

Imamolgu përballej me një dënim maksimal me burgim prej 7 vitesh e katër muajsh.

Hetimi i prokurorisë kundër tij në këtë rast u urdhërua më 20 janar për deklaratat që ai bëri në një intervistë televizive në lidhje me kreun e Prokurorisë Publike të Stambollit, Akin Gürlek, dhe familjen e tij.

Gurlek, 43 vjeç, fillimisht si gjyqtar dhe më pas si prokuror, luajti një rol të rëndësishëm në gjyqe të mëdha që përfshinin ndjekje penale të figurave të opozitës, përfshirë dënimin e bashkëkryetarit të Partisë së Drejtësisë Popullore dhe ndjekjet penale të kryetarëve të bashkive të partisë opozitare. Ai më parë kishte shërbyer si zëvendësministër i drejtësisë.

Imamoglu i ka mohuar akuzat duke e quajtur procesin një ndëshkim dhe jo drejtësi, dhe ka akuzuar gjykatën se vepron nën presionin e qeverisë. / abcnews.al

Tiranë/ Gjendet i vdekur brenda automjetit 29-vjeçari

16 July 2025 at 20:12

Tiranë- Një 29-vjeçar është gjetur pa shenja jete. I riu është gjetur nga familjarët e tij në parkimin e pallatit ku banonte, në Astir.

Nga këqyrja e jashtme paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të humbjes së jetës.

/abcnews.al/

Thirrje për sanksione ndaj Izraelit/ Raportuesja për Gazën në OKB: SHBA bashkëpunëtore e Tel Avivit

16 July 2025 at 19:59

Teksa palestinezët e dëshpëruar janë në kërkim të ushqimit, thirjet ndërkombëtare për sanksione ndaj Izraelit janë rritur.

Raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për Gazën dhe Bregun Perëndimor Francesca Albanese tha se është koha që kombet në mbarë botën të ndërmarrin veprime konkrete për të ndaluar atë që ajo e quajti gjenocid në Gaza.

Ajo theksoi se ccdo shtet duhet të rishikojë dhe pezullojë menjëherë të gjitha lidhjet me Shtetin e Izraelit, duke filluar nga marrëdhëniet ushtarake, diplomatike dhe ato ekonomike.

Albanese shprehu bindjen e saj se Shtetet e Bashkuara janë plotësisht bashkëpunëtore në atë që po bën Izraeli, duke furnizuar me armë.

Ministrja e jashtme sllovene Tanja Fajon u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mbështesin sanksione më të ashpra kundër Izraelit për shkak të situatës humanitare në Gaza.

Fajon tha se unioni duhet të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të ushtruar presion mbi Izraelin dhe për të parandaluar vdekjet e civilëve.

Sllovenia ka qenë ndër kritikët më të fortë të Izraelit që nga fillimi i luftës në Gaza, duke u bërë thirrje anëtarëve të tjerë të BE të bashkojnë forcat në sanksionet tregtare dhe të vendosin një embargo armësh.

Ndërkohë kryeministri britanik Keir Starmer tha se ishte i tmerruar nga raportet për civilë të vrarë në Gaza, ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë humanitare.

“Izraeli duhet të marrë masa që mbrojnë siç duhet civilët në përputhje me ligjin ndërkombëtar. Ne gjithashtu duam të shohim, një armëpushim të menjëhershëm”, tha Starmer.

Më shumë se 2 milionë palestinezë të Gazës po jetojnë një krizë katastrofike humanitare. Që prej fillimit të luftës 21 mujore, Izraeli ka bombarduar dhe rrethuar Rripin e Gazës, duke e lënë enklavën në prag të urisë.

Itali, mbi tetë milionë persona nuk presin të shkojnë me pushime

16 July 2025 at 19:54

Këtë verë, 8.4 milionë italianë do të anashkalojnë pushimet, dhe 69% e tyre po zgjedhin ta bëjnë këtë për arsye ekonomike, shkruan fanityfair.it.

Çmimet marramendëse, inflacioni dhe vështirësia për të kursyer janë shkaqet kryesore të këtij vendim, sipas një sondazhi të porositur nga facile.it dhe Emg Different.

Të dhënat pasqyrojnë ato të një studimi më të gjerë nga ETUC, Konfederata Evropiane e Sindikatave, bazuar në të dhënat e Eurostat.

I kryer duke përdorur të dhënat e vitit 2023, ai nxori në pah se si numri i punëtorëve evropianë që nuk mund të përballojnë pushimet është rritur në 41 milionë (një milion më shumë se një vit më parë), përfshirë 7 milionë italianë.

“Kjo është rritja e tretë radhazi e fenomenit të ‘varfërisë së pushimeve’, dhe do të thotë se sot 15% e të gjithë punëtorëve në Evropë po heqin dorë nga koha e lirë me familjet e tyre, ndërsa drejtuesit ekzekutivë, të cilët fitojnë mbi 100 herë më shumë se paga mesatare , po pushojnë në vendpushime luksoze”, thekson konfederata e sindikatave.

‘Në kërkim’ të sendeve të ndaluara dhe celularëve/ Tiranë, kontrolle ‘Blic’ në burgjet 313 dhe 302

16 July 2025 at 19:47

Policia e Burgjeve ka ndërmarrë një aksion të gjerë kontrolli në institucionet e vuajtjes së dënimit 313 dhe 302 në Tiranë.

Burime zyrtare bëjnë me dije se kontrollet janë zhvilluar në mënyrë të befasishme (blic), me qëllim identifikimin dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara, përfshirë telefonat celularë, që mund të jenë futur në mënyrë të paligjshme në ambientet e burgjeve. / abcnews.al

❌
❌