Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Nata e dytë e MIK Festival, në Korçë, solli një mbrëmje të paharrueshme kushtuar një prej zërave më të mëdhenj që ka njohur muzika shqiptare, si Gaqo Çako.

Kreybashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo tha se “në 90-vjetorin e lindjes së Gaqo Çakos, Korça nderoi me dinjitet dhe krenari trashëgiminë e një emri të pavdekshëm të artit lirik”.

Filo u shpreh se nën drejtimin e mjeshtrit Eno Koço, Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura dhe emra të njohur të skenës shqiptare si Tatjana Kora Elmazi, Kastriot Tusha, Gjergji Mani, Xhoiden Dervishi dhe i ftuari special Tchako, sollën emocione të forta për publikun e Teatrit “Andon Zako Çajupi”.

Mbrëmja u moderua me finesë nga sopranoja Inva Mula, duke i dhënë edhe më shumë madhështi këtij homazhi artistik.

Filo u shpreh se “Korça vazhdon të dëshmojë se është dhe do të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të kulturës shqiptare”.

MIK Festival u rikthyer këtë vit në edicionin e tij të 8-të në Korçë.

Bashkimi Evropian mbështeti mbrëmjen e veçantë të MIK Festival, kushtuar artistit të ndjerë.

Nata e dytë e MIK Festival në Korçë
1 nga 10

/e.i//r.e/

The post MIK Festival, mbrëmje kushtuar 90-vjetorit të lindjes së tenorit Gaqo Çako appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prishja e ndërtimeve në Theth, Boçi dhe Spahia: Terror i paprecedentë

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Sot është dita e gjashtë e aksionit të Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit në fshatin turistik të Thethit, aty ku po vazhdon shembja e ndërtimeve pa leje.

Në sheshin ku po zhvillohet aksioni i IKMT-së, të pranishëm sot ishin edhe deputeti i PD-së, Luçiano Boçi dhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia.

Boçi, në një prononcim për mediet, e konsideroi “masakër” atë që po ndodh në Theth këto ditë.

“Jam i revoltuar dhe jo i acaruar. Sepse të acaruar janë drejtuesit e policisë, janë në shkelje të ligjit, janë në një veprim terrori. Është një masakër që drejtohet ndaj qytetarëve të Thethit, por edhe ndaj turizmit familjar. Ndërkohë që janë këta që duhet t’i kishin mbrojtur dhe kanë ndërtuar shtëpiza, që janë në të drejtën e tyre”, tha Boçi.

Boçi u shpreh se Paketa e Maleve është arsyeja se pse, sipas tij, po ushtrohet ky terror te sipërmarrësit në Theth.

“Kjo është kriminale dhe që vjen me urdhër. ‘Kemi urdhër’ dhe nuk paraqesin asnjë lloj shkrese, këtu vepron dhe sundon një njeri”, pohoi ai.

Deputeti i zgjedhur demokrat, Bardh Spahia tha se është pranë banorëve dhe sipërmarrësve për t’i mbrojtur ata.

Është hera e parë që në gjithë këto vite Theth dhe dukagjini përballet me një dhunë të tillë, me një terror të paprecedentë, të paarsyeshëm, të paargumentuar. Pasi u dha fjalën se jo vetëm do t’i lejonte, madje i bëri thirrje të investonin emigrantët e shumtë të kësaj treve në këtë zonë, i dhunon sot dhe i hedh në lumë investimet dhe kursimet e një jete të tërë”, tha Spahia.

IKMT është shprehur e vendosur në zbatimin e ligjshmërisë dhe se do ta vijojë aksionin, me qëllim mbrojtjen e territorit dhe rikthimin e Thethit në gjendjen e tij natyrore, duke goditur çdo ndërtim pa leje.

/e.i//r.e/

The post Prishja e ndërtimeve në Theth, Boçi dhe Spahia: Terror i paprecedentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TENIS – Swiatek mposht Anisimovën duke fituar titullin e parë në Wimbledon

LONDER, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Tenistja polake, Iga Swiatek, fitoi titullin e saj të parë në Wimbledon për femra, duke mposhtur amerikanen, e renditur e 13-ta, Amanda Anisimova, me rezultatin 6-0, 6-0 në finale.

Ajo që duhet të kishte qenë kulmi i karrierës së saj u shndërrua në një makth për 23-vjeçaren Anisimova, por kjo shënon rikthimin e Swiatek në majë.

Ajo gjithashtu bëhet femra e parë polake që fitoi një titull të Wimbledon në njëshe në epokën e Hapur, 13 vjet pasi bashkëkombësja e saj Agnieszka Radwanska humbi ndaj Serena Williams në finale.   /os/

The post TENIS – Swiatek mposht Anisimovën duke fituar titullin e parë në Wimbledon appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Von der Leyen: BE dëshiron të gjejë një zgjidhje miqësore për mosmarrëveshjen tregtare me SHBA

BRKSEL, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Bashkimi Evropian dëshiron të gjejë një zgjidhje miqësore për mosmarrëveshjen tregtare me Shtetet e Bashkuara, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, pasi mori lajmin për vendosjen e planifikuar të tarifave prej 30% për eksportet drejt SHBA-së.

Në një deklaratë, von der Leyen tha se Komisioni Evropian kishte marrë shënim letrën e presidentit të SHBA-së Donald Trump që detajonte normën e re të tarifave që do të vendoset duke filluar nga 1 gushti.

Ajo tha se Komisioni mbetet i përkushtuar për të punuar për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara para afatit.

“Vendosja e tarifave prej 30% për eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët thelbësorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve dhe pacientëve në të dy anët e Atlantikut”, theksoi von der Leyen.

Ajo gjithashtu theksoi se pak vende në botë janë aq të hapura dhe të përkushtuara ndaj praktikave të tregtisë së lirë sa BE-ja.

Megjithatë, ajo përsëriti se Bashkimi Evropian do të vendoste kundërmasa nëse Uashingtoni do të ngurronte të negocionte, duke filluar me tarifa speciale për importet e SHBA-së në BE. /os/

The post BRUKSEL – Von der Leyen: BE dëshiron të gjejë një zgjidhje miqësore për mosmarrëveshjen tregtare me SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – E njëjta ditë, e njëjta ëndërr: diplomohen ..nënë e bijë!

PIZA, 12 korrik /ATSH-ANSA/ – Një nënë dhe vajza e saj, kanë arritur të diplomohen në të njëjtën ditë nëUniversitetin e qytetit të Pizës, Itali, ku të dyja u diplomuan me nota dhe nderime maksimale.

Të sapodiplomuarat ishin Marica Rossi, 57 vjeçe, dhe Marta Manzi, 22 vjeçe.

Nëna, një sipërmarrëse turizmi dhe këshilltare bashkiake në Montopoli, u diplomua me një diplomë në ”Letërsi Evropiane për Botime dhe Prodhim Kulturor”, duke përfunduar kështu një studim që e kishte ndërprerë rreth njëzet vjet më parë ndërsa kishte mbetur shtatzënë.

Vajza mbrojti tezën e saj në pasdite, në artet interpretuese.

“Ishte një ditë e bukur … një festë e vërtetë. Jemi të gjithë vërtet të emocionuar. Jam e lumtur për Martën dhe jam krenare edhe për veten time. Po mbaroj një kurs studimi këtu, të cilin e kisha ndërprerë për punë dhe më pas për shtatzëni. Tani shpresoj të jem edhe një shembull dhe frymëzim për gratë dhe burrat që, për arsye të ndryshme, u detyruan të ndërprisnin studimet e tyre si djem ose vajza”, thekson zonja Rossi.

.Nuk është kurrë vonë”, thekson ajo.

“Jam shumë e lumtur. Diplomimi në të njëjtën ditë me nënën time është një kthesë e mrekullueshme e fatit; nuk ishte planifikuar. Ajo ishte e shqetësuar se diploma e saj do ta errësonte pak timen, por për mua, është thjesht një gëzim i dyfishtë. Për mua dhe për historinë e familjes sime, për gjyshen time, e cila është një grua shumë inteligjente, por që nuk pati mundësinë të studionte edhe pse me siguri do të kishte qenë e aftë”, thekson vajza e saj Marta. /os/

The post SOFT NEWS – E njëjta ditë, e njëjta ëndërr: diplomohen ..nënë e bijë! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Kartolinat e pasdites”, Rama ndan pamje të disa prej siteve kulturore

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Sitet e trashëgimisë kulturore shqiptare janë pjesë e ofertës turistike për turistët e huaj, por edhe për pushuesit vendas.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje të disa prej siteve tona kulturore, ndërsa i cilëson si “kartolinat e pasdites”.

Sitet tona kulturore kanë mirëpritur 569.089 vizitorë gjatë periudhës janar-qershor 2025. Rritja llogaritet në 74% krahasuar me vitin 2023, ndërsa sa i përket të ardhurave, ato janë shtuar me 119% krahasuar po me 2023-shin.

Pjesa më e madhe e turistëve preferojnë të vizitojnë parqet arkeologjike, më pas renditen muzetë kombëtarë dhe kalatë e monumentet e tjera të kulturës.

Pesë destinacionet e preferuara të vizitorëve janë:

– Parku Arkeologjik Butrint, me 105.623 vizitorë;

– Kalaja Gjirokastër, me 92,999 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Shkodër, me 79.885 vizitorë;

– Muzeu “Gjergj Kastrioti” Krujë, me 74.636 vizitorë;

– Parku Arkeologjik Apoloni, me 58.059 vizitorë.

Me nisjen e sezonit turistik, oraret e vizitave janë zgjatur deri në orën 19:00 në të gjitha sitet kulturore.

Disa nga sitet kulturore të Shqipërisë
1 nga 10

/e.i//r.e/

The post “Kartolinat e pasdites”, Rama ndan pamje të disa prej siteve kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Evropianët thellësisht të shqetësuar nga represioni në Gjeorgji

BERLIN, 12 korrik /ATSH-AFP/ – Shtatëmbëdhjetë vende evropiane dhe Bashkimi Evropian shprehën “shqetësimin dhe alarmin e tyre të thellë për përkeqësimin e situatës në Gjeorgji”, ku po shpërthen një valë represioni kundër kundërshtarëve, në një deklaratë të përbashkët, të lëshuar sot.

“Ne nuk do të hezitojmë të përdorim gamën e plotë të mjeteve unilaterale dhe shumëpalëshe në dispozicionin tonë nëse autoritetet gjeorgjiane vazhdojnë të marrin masa që minojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Gjeorgji”, paralajmëruan këto vende, përfshirë Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Të paktën pesë figura të opozitës gjeorgjiane janë dënuar javët e fundit për refuzimin për të dëshmuar para një komisioni parlamentar që heton abuzimet e mundshme të kryera gjatë mbretërimit të presidentit Mikheil Saakashvili (2004-2013), i cili vetë është burgosur që nga viti 2021.

Nënshkruesit e kësaj deklarate janë ministrat e Jashtëm të Belgjikës, Republikës Çeke, Danimarkës, Estonisë, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Islandës, Irlandës, Letonisë, Lituanisë, Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Spanjës, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian.

Sipas tyre, këto dënime janë “të motivuara politikisht (…) qëllimi i qartë i të cilave është të shtypin opozitën politike në Gjeorgji vetëm disa muaj para zgjedhjeve lokale”.

Ky represion “kontribuon në çmontimin e demokracisë në Gjeorgji dhe transformimin e saj të shpejtë në një regjim autoritar”, denoncojnë ata, duke vënë në dukje se tashmë “ka rezultuar në një përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve tona, duke përfshirë një ulje të ndihmës për Gjeorgjinë dhe bashkëpunimin me autoritetet gjeorgjiane”.

Për evropianët, “nuk është tepër vonë për të ndryshuar kursin”.

Për këtë qëllim, autoritetet gjeorgjiane duhet “të lirojnë menjëherë politikanët, gazetarët dhe aktivistët e ndaluar padrejtësisht, të përmbysin legjislacionin e tyre represiv dhe të fillojnë një dialog kombëtar”.

Gjeorgjia ka përjetuar një krizë politike që nga fitorja e partisë “Ëndrra gjeorgjiane”, në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2024, e cila u refuzua nga opozita, e cila e konsideroi votimin të manipuluar.

Në fund të nëntorit 2024, qeveria njoftoi se po pezullonte procesin e pranimit në Bashkimin Evropian, duke shkaktuar demonstrata të mëdha të opozitës që u shtypën me dhunë nga autoritetet, me kërcënime dhe arrestime të aktivistëve dhe demonstruesve./ /os/

The post KOMENT – Evropianët thellësisht të shqetësuar nga represioni në Gjeorgji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Erdogan përshëndet çarmatimin e PKK-së, por hapat e mëtejshëm të paqartë

STAMBOLL, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan përshëndeti sot çarmatimin simbolik të luftëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) si një “faqe të re” për Turqinë, por pa ndonjë reformë konkrete apo masë amnistie.

“Dje, plaga 47-vjeçare e terrorit, me vullnetin e Zotit, ka hyrë në procesin e përfundimit”, u tha Erdogan anëtarëve të partisë së tij në pushtet, AKP, në Ankara.

“Sot është një ditë e re, dyert e një Turqie të madhe dhe të fuqishme janë hapur gjerësisht”, theksoi ai.

Të premten, 30 militantë të PKK-së dogjën pushkë dhe mitralozë në Irakun verior, duke shpallur fundin e luftës së armatosur në përputhje me thirrjet e udhëheqësit të burgosur të PKK-së, Abdullah Ocalan, në Turqi.

Zyrtarët turq e përshkruan ngjarjen si një moment historik, megjithëse mijëra luftëtarë mbeten nën armë.

Erdogan pranoi “gabimet” e shtetit të kaluar dhe aktet “e paligjshme” siç janë zhvendosjet me forcë, djegiet e fshatrave dhe ndalimet e gjuhës kurde.

Megjithatë, ai ia kaloi përgjegjësinë parlamentit, duke njoftuar një komision me AKP-në e tij, aleatin nacionalist MHP dhe Partinë pro kurde DEM për të përcaktuar hapat e ardhshëm në procesin e paqes.

Fusha e veprimit dhe mandati i komisionit mbeten të paqarta.

Ndërsa Erdogan bëri thirrje për dialog, kritikët theksojnë se disa kryetarë bashkie të DEM janë shkarkuar nga postet e tyre për lidhje të dyshuara me terrorizmin dhe politikanë kryesorë kurdë, përfshirë ish-kandidatin presidencial Selahattin Demirtas, mbeten pas hekurave./ /os/

The post TURQI – Erdogan përshëndet çarmatimin e PKK-së, por hapat e mëtejshëm të paqartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut 2025, përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit, ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.

Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën, ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje, janë domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë, është kontribuese. Nuk presim, po ecim përpara”, theksoi Hasani.

Ministri Hasani nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grup-kapituj negociues, përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Ai paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin.

“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane”, tha ministri Hasani.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani në Forumin e Dubrovnikut 20...
1 nga 4

/e.i//r.e/

The post Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Riparohet nga reparti i Xhenios ura e Mnikut

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Reparti i Xhenios ka përfunduar punimet për riparimin e urës së Mnikut, në njësinë administrative Ndroq.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ndau dhe foto nga riparimi i urës.

Ministri Vengu tha se “ura është tashmë plotësisht e aksesueshme për automjete deri në 40 tonë, duke garantuar qarkullim të sigurt dhe të pandërprerë”.

“Gjatë procesit, u morën të gjitha masat e nevojshme për rikonstruksionin e bazamentit të këmbës së urës së Mnikut. Për të mundësuar një punë të plotë dhe të sigurt, u bë bllokimi i përkohshëm i qarkullimit, u ngrit ura dhe u çmontuan rreth 3 metra të saj për të lehtësuar ndërhyrjen”, u shpreh Vengu.

Ministri i Mbrojtjes tha se ura është funksionale dhe e hapur për të gjitha mjetet në standardin e përcaktuar.

Pamje nga ura e Mnikut në Ndroq
1 nga 4

/e.i//r.e/

The post Riparohet nga reparti i Xhenios ura e Mnikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërtoi pa leje në Voskopojë, arrestohet administratori i subjektit, procedohen penalisht dy punonjës të IMT-së

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë së Korçës njoftoi sot se u arrestua në flagrancë shtetasin I. K., 63 vjeç, administrator i një subjekti privat, i cili dyshohet se kishte ndërtuar pa leje disa bazamente betoni në aksin rrugor Korçë–Voskopojë, me qëllim ndërtimin e godinave, pa u pajisur me dokumentacionin përkatës.

Gjithashtu, sipas Policisë, janë proceduar penalisht shtetasit I. L., 54 vjeç dhe E. K., 36 vjeç, me detyrë Kryeinspektor dhe Inspektor në IMT-në e Bashkisë Korçë, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer kontrollet përkatëse dhe duke mos njoftuar Policinë në kohën e duhur.

Policia bën me dije se në vijim të veprimeve, janë pezulluar nga detyra dhe ndaj tyre ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Inspektor A. B., me detyrë ndihmësspecialist i rendit (SPZ) dhe Nënkomisar E. P., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë.

Njëkohësisht ka nisur ecuria e rëndë disiplinore për Nënkomisar P. B., me detyrë koordinator i ndihmësspecialistëve të rendit në zonë.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit po vijon hetimin e thelluar disiplinor për këtë rast.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë u bën thirrje qytetarëve që të mos ndërmarrin ndërtime pa leje dhe për administratorët apo pronarët e bizneseve që të mos zënë në mënyrë të paligjshme hapësirat publike, pasi do të përballen me ligjin.

/e.i//r.e/

The post Ndërtoi pa leje në Voskopojë, arrestohet administratori i subjektit, procedohen penalisht dy punonjës të IMT-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: BE dhe Meksika nga 1 gushti tarifa prej 30% për mallrat e tyre drejt SHBA-së

UASHNGTON, 12 korrik /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se Bashkimi Evropian dhe Meksika do të përballen me një tarifë prej 30% për importet në SHBA që nga 1 gushti.

Ai paralajmëroi se do të vendoste taksa edhe më të larta mbi importet nëse ndonjëri prej partnerëve tregtarë të SHBA-së do të vendoste të hakmerrej.

Trump ka publikuar në rrjetin e tij social Truth në një imazh të letrës së tij që i ka dërguar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbi vendimin.

Në letër, Trump u ankua për deficitin tregtar “afatgjatë, të madh dhe të vazhdueshëm” që Shtetet e Bashkuara kanë me BE-në, duke akuzuar bllokun prej 27 vendesh për politika dhe barriera tregtare të padrejta.

Trump shkroi se administrata e tij do të eliminonte normën e lartë të tarifës nëse “Bashkimi Evropian, ose vendet brenda tij, vendosin të ndërtojnë ose prodhojnë në Shtetet e Bashkuara”.

Këtë javë, Trump u dërgoi një mori letrash udhëheqësve të huaj duke i informuar ata për tarifat e reja të larta që ai synon të vendosë për produktet e tyre duke filluar nga 1 gushti. /os/

The post SHBA – Trump: BE dhe Meksika nga 1 gushti tarifa prej 30% për mallrat e tyre drejt SHBA-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky njofton rifillimin e dërgesave të armëve nga SHBA

KIEV, 12 korrik /ATSH-AA/ – Presidenti Volodymyr Zelenskyy njoftoi të premten se SHBA-ja ka rifilluar dërgesat e ndihmës ushtarake drejt Ukrainës.

“Kemi marrë sinjale politike në nivelin më të lartë – sinjale të mira – përfshirë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga miqtë tanë evropianë. Sipas të gjitha raportimeve, dërgesat e ndihmës janë rikthyer”, tha ai në Telegram.

Zyrtarët ushtarakë ukrainas do të takohen javën e ardhshme me të dërguarin special të SHBA-së, Keith Kellogg, tha Zelenskyy.

“Ne do të vazhdojmë punën tonë javën e ardhshme me palën amerikane në nivel ushtarak. Ushtria jonë do të punojë me gjeneralin Kellogg. Ne gjithashtu po përgatisim paketa të reja evropiane të mbrojtjes”, tha ai.

Ndërkohë, mediat ukrainase raportuan se Kellogg pritet të mbërrijë të hënën në Kiev për një vizitë njëjavore. /os/

The post KIEV – Zelensky njofton rifillimin e dërgesave të armëve nga SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, tre shtetas shqiptarë ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit njoftoi sot finalizimin e procedurave të ekstradimit në Shqipëri të tre shtetasve, rezultat ky i bashkëpunimit të vazhdueshëm të shërbimeve të Interpol Tiranës, me homologët në Athinë, Bruksel dhe Beograd.

Në njoftimin e Policisë thuhet se shtetasi M. H. alias M. P., u kap në Greqi, pasi Gjykata e Beratit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai ka investuar për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe ka transferuar shuma të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të cilat i ka përfituar nga veprimtaria kriminale e shfrytëzimit për prostitucion, për të cilën është dënuar në Itali. Nga dënimi, shtetasit M. H. alias M. P. i duhet të vuajë 3 vjet e 9 muaj burgim.

Sipas Policisë, shtetasi A. G., 40 vjeç, u arrestua në Belgjikë, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kultivoi 140 bimë narkotike Cannabis Sativa, në sipërfaqen e tokës që kishte në pronësi në fshatin Grizë;

Ndërkaq, shtetasi S. O., u kap në Serbi, pasi Gjykata e Kukësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri, 1 automjet tip “Mercedez Benz”, të denoncuar të vjedhur në Francë.

Policia e Shtetit bën të ditur se vijon bashkëpunimin me partnerët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

/e.i//r.e/

The post Të shpallur në kërkim ndërkombëtar, tre shtetas shqiptarë ekstradohen nga Greqia, Belgjika dhe Serbia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbahet në Durrës, edicioni i parë i festivalit të artit performativ

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Amfiteatri i Durrësit u shndërrua mbrëmjen e djeshme në një ambient ku qindra artdashës dhe turistë të huaj, u bashkuan në atmosferën artistike të festivalit “Nga errësira në dritë”.

Performanca nga lëvizja artistike “Tamom”, të gërshetuara me dansin bashkëkohor, krijuan një atmosferë magjike në Amfiteatrin e Durrësit për të gjithë qytetarët dhe artdashësit që morën pjesë.

Kryebashkiakja e Durrësit, Emirana Sako tha se kjo “shfaqje, përgatitur nga lëvizja më e re artistike, “Tamom”, në bashkëpunim artistik me Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, shënon edicionin e parë të asaj, që synohet të bëhet një festival tradicional multidisiplinar i artit performativ në Durrës”.

Lëvizjet Tamom dhe dansi bashkëkohor, erdhën si një performancë e kuruar dhe prodhuar nga Klod Dedja.

Kjo nismë shënon edicionin e parë të asaj që synohet të bëhet një festival vjetor multidisiplinar i artit performativ në Durrës një hapësirë ku lëvizja, prezenca dhe bashkëpunimi artistik bashkohen pa kufij.

Shfaqja solli një udhëtim në lëvizje me tri vepra koreografike nga emra të njohur ndërkombëtarë si Russell Maliphant (Britani e Madhe), Mauro Bigonzetti (Itali) dhe Erion Kruja (Shqipëri).

/e.i//r.e/

The post Mbahet në Durrës, edicioni i parë i festivalit të artit performativ appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moskonstituimi i Kuvendit, Osmani: Do t’i drejtohem sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarim

PRISHTINË, 12 korrik /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim lidhur me pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.

Gjatë një diskutimi të mbajtur në Hudson Institute në Uashington D.C., Osmani u shpreh optimiste se në javët në vijim situata do të mund të ndryshojë, siç tha ajo, të konsituohet Kuvendi dhe do të formohet qeveria e re.

Ajo theksoi se, për shkak të disa paqartësive kushtetuese, Kuvendi ende nuk është konstituuar. Edhe pse Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se ekziston një afat i rreptë 30-ditor për konstituimin e parlamentit, i cili skadon më 26 korrik, siç tha ajo, nuk është përcaktuar se cilat janë pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të këtij afati.

“Kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikonim çdo skenar të mundshëm. Ajo u hartua me një mendim pozitiv, me idenë që ligjvënësit do të bashkëpunonin me njëri-tjetrin, e jo të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Tani, për shkak të disa paqartësive kushtetuese – nëse mund ta quaj kështu – parlamenti nuk është konstituuar ende. Por kemi pasur një rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, dhe gjykata ka dhënë një sqarim. Ekziston një afat i rreptë 30-ditor, i cili skadon më 26 korrik për konstituimin e parlamentit. Por nuk është sqaruar se cilat janë pasojat ligjore nëse nuk respektohet ky afat kushtetues i detyrueshëm. Kështu që duket se do të më duhet t’i drejtohem përsëri gjykatës dhe t’i parashtroj atë pyetje veçmas. Dhe shpresoj që ata do të përgjigjen. Por gjithashtu kam një grimë shprese që gjërat e mira mund të ndodhin gjatë javëve në vijim. Dhe ndoshta do të kemi një qeveri – sado e brishtë – por na duhet një qeveri dhe një parlament i konstituuar për të parandaluar dëme ndaj vendit”, tha Osmani.

Më 26 qershor 2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shpalli aktgjykimin KO124/25, i cili lidhet me procesin e papërfunduar të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ky aktgjykim erdhi pas një kërkese për interpretim kushtetues, pasi seanca konstituive e nisur më 15 prill 2025 nuk kishte përfunduar siç kërkohet me Kushtetutë, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Në aktgjykimin e saj, Gjykata sqaroi se Kuvendi duhet të konstituohet plotësisht brenda një afati prej 30 ditësh nga data e shpalljes së aktgjykimit, pra deri më 26 korrik 2025.

Megjithatë, Gjykata nuk specifikoi qartë se cilat janë pasojat ligjore në rast të mosrespektimit të këtij afati kushtetues.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përgjatë një bashkëbisedimi në Institutin Hudson në Uashington këtë javë, Osmani tha se Kosova është thellësisht e interesuar për bashkëpunim ekonomik me Shtetet e Bashkuara, dhe beson që dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, teknologjisë informative dhe atë të mbrojtjes.

/KosovaPress/

The post Moskonstituimi i Kuvendit, Osmani: Do t’i drejtohem sërish Gjykatës Kushtetuese për sqarim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GAZA – Të paktën 66 të vrarë prej sulmeve ajrore izraelite

GAZA, 12 korrik /ATSH-AA/ – Të paktën 66 palestinezë, përfshirë 27 kërkues ndihmash, u vranë sot në sulmet ajrore izraelite që goditën lokacione të shumta në gjithë Rripin e Gazës, thanë burime mjekësore dhe lokale.

Një sulm ajror në rrugën Jamal Abdel Nasser, përballë Universitetit Islamik në perëndim të Qytetit të Gazës, vrau një nënë dhe tre fëmijët e saj.

Në lagjen lindore Al-Tuffah të qytetit, katër gra u vranë dhe dhjetë civilë të tjerë u plagosën kur një raketë izraelite goditi një shtëpi pranë Shkollës “Yaffa”.

Tre anëtarë të së njëjtës familje u vranë në lagjen Sheikh Radwan të Qytetit të Gazës pasi një sulm ajror shënjestroi një apartament banimi.

Dy palestinezë të tjerë u vranë në një sulm tjetër në një shtëpi në lagjen Al-Rimal të Qytetit të Gazës.

– Gaza qendrore

Në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, një fëmijë u vra dhe të tjerë u plagosën kur një shtëpi pranë Shkollës “Al-Hassaina” në perëndim të kampit të refugjatëve Nuseirat u bombardua.

Burime lokale thanë se një dron izraelit goditi gjithashtu një tendë që strehonte familje të zhvendosura në zonën Al-Mansura të Deir al-Balahut, duke vrarë shtatë palestinezë, përfshirë katër nga e njëjta familje.

Dy gra u vranë gjithashtu kur një sulm ajror izraelit goditi një apartament në pjesën lindore të qytetit.

Pranë Spitalit Al-Aqsa në Deir al-Balah, tre palestinezë u vranë kur një tendë që strehonte persona të zhvendosur u vu në shënjestër.

– Gaza jugore

Në Khan Younis, 11 palestinezë, përfshirë fëmijë dhe një grua, u vranë kur avionët luftarakë izraelitë bombarduan tendat që strehonin familje të zhvendosura pranë Spitalit Kuvajtian në zonën Al-Mawasi.

Veçmas, ekipet e shpëtimit gjetën trupat e dy viktimave të tjera nga lagjja Sheikh Nasser në Khan Younis.

– Kërkues ndihmash humanitare

Të paktën 27 palestinezë u vranë dhe 180 të tjerë u plagosën kur forcat izraelite hapën zjarr ndaj civilëve që prisnin ndihmë humanitare në veri të qytetit Rafah në Gazën jugore, sipas burimeve mjekësore.

Dëshmitarët okularë thanë se trupat izraelite qëlluan drejtpërdrejt mbi turmat e mbledhura pranë pikës së shpërndarjes së ndihmave Al-Shakoush, ku qindra ishin mbledhur me shpresën për të marrë ushqim dhe furnizime bazë mes përkeqësimit të kushteve të urisë në enklavën e rrethuar.

Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka kryer një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, duke vrarë deri më tani mbi 57.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi dhe përhapje sëmundjesh.

Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.   /os/

The post GAZA – Të paktën 66 të vrarë prej sulmeve ajrore izraelite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Plazhi në Lungomare i kthehet qytetarëve, Rama fton profesionistët: Bëhuni pjesë e kësaj përpjekjeje

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Lungomaren e Vlorës ndërsa inkurajoi profesionistët të bëhen pjesë e aplikimeve për detyrat e shpalluara vakante nga bashkia e qytetit bregdetar.

“Në Lungomaren e Vlorës një tjetër sipërfaqe plazhi publik i është rikthyer turistëve dhe qytetarëve, ndërkohë që i inkurajoj të gjithë profesionistët e Vlorës të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke u përfshirë në intervistat e punës”, shkroi Rama.

Bashkia e Vlorës njoftoi sot se gjatë një kontrolli në zonën e Lungomares, u konstatuan parregullsi dhe në orët e para të mëngjesit, Policia dhe strukturat bashkiake ndërhynë dhe hoqën 40 çadra dhe 80 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme.

Hapësira prej rreth 500 metra katrorë do të kthehet tashmë në plazh publik, në shërbim të pushuesve.

Ndërkaq, pas dorëheqjeve të drejtorave të drejtorive, Bashkia Vlorë ka shpallur vakancat për të gjithë ata që besojnë se kanë përvojën, gatishmërinë dhe përgjegjshmërinë e duhur për të kontribuar dhe për t’i shërbyer zhvillimit të qytetit, në të gjitha nivelet.

Në Vlorë sikundër edhe në bashki të tjera të vendit ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komunitetit.

/gj.m/j.p/

The post Plazhi në Lungomare i kthehet qytetarëve, Rama fton profesionistët: Bëhuni pjesë e kësaj përpjekjeje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Arrestohet një person i dënuar me mbi 7 vite burgim për aksident me pasoja fatale

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka vënë në pranga 40-vjeçarin, Klajdi Ruçi, pasi ishte i dënuar me shtatë vite burgim për aksident me pasojë vdekjen e dy personave vitin e kaluar dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të operacionit “Unavoidable” u lokalizua dhe u vu në pranga në zonën e Shkozës në kryeqytet, 40-vjeçari, Klajdi Ruçi.

Sipas Policisë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi të dënuar me burgim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Komisariatin e Qarkullimit Rrugor, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Unavoidable”.

Në njoftimin e Policisë thuhet se, “Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar këtë shtetas me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi në vitin 2024 ka shkaktuar një aksident rrugor me pasojë humbjen e jetës së dy shtetasve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

/e.i//r.e/

The post Arrestohet një person i dënuar me mbi 7 vite burgim për aksident me pasoja fatale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SLLOVAKI – Fico: Synojmë marrëveshje për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus

12 July 2025 at 14:24

PRAGË, 12 korrik /ATSH/Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico deklaroi sot se vendi synon të arrijë deri të martën një marrëveshje me Komisionin Evropian dhe partnerët e BE-së për të siguruar garanci që nuk do të ketë pësoja nga ndërprerja e furnizimit me gaz rus si dhe për paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë, sipas Reuters.

Sllovakia ka bllokuar paketën e 18-të të sanksioneve për shkak të mosmarrëveshjes me një propozim të veçantë të Komisionit që parashikon ndërprerjen e të gjitha importeve të gazit rus nga viti 2028.

Sipas Sllovakisë, kjo mund të shkaktojë mungesa, rritje të çmimeve dhe tarifave të tranzitit si dhe pretendime për dëmshpërblim nga furnizuesi rus ”Gazprom”. /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post SLLOVAKI – Fico: Synojmë marrëveshje për ndërprerjen e furnizimeve me gaz rus appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌