Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 16 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Lezha festoi “Ditën e Shtegtarit”, këngë dhe valle në sheshin e qytetit

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Në Lezhë u përmbyll mbrëmjen e djeshme rrugëtimi i Fest N’Shpi, që për 15 net me radhë mbushi qytetin me muzikë dhe energji pozitive.

Ky aktivitet u përmbyll me “Ditën e Shtegtarit”, një festë kushtuar emigrantëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës, e kthyer tashmë në traditë të përvitshme.

Sheshi “Gjergj Kastrioti” u mbush me qytetarë të shumtë mbrëmjen e djeshme, ku pjesa më e madhe ishin emigrantë të ardhur për të kaluar pushimet verore pranë familjarëve të tyre.

Atmosfera festive u shoqërua me muzikë dhe aktivitete kulturore, ndërsa të pranishmit e konsideruan këtë festë si një nga mënyrat më të bukura për t’u bashkuar dhe për të ruajtur lidhjet me vendlindjen.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, u shpreh se “”Dita e Shtegtarit” është një ndër festat më të rëndësishme për qytetin, e cila vjen pas 15 netëve me aktivitete artistike e kulturore në sheshin qendror”.

“Kjo është një ndër ditët më të rëndësishme të këtij qyteti, pasi kulmon dita e qytetarëve me atë të emigrantëve që kthehen me pushime. Kemi 15 ditë që e kemi mbushur këtë shesh me aktivitete të ndryshme. Pjesëmarrësit shtohen çdo vit”, theksoi Ndreu.

Festa zgjati deri në mesnatë, ndërsa për dy ditë me radhë emigrantë të shumtë u pritën edhe nga kryebashkiaku Ndreu, duke e kthyer këtë ngjarje në një urë të fortë komunikimi mes diasporës dhe vendlindjes.

Kryebashkiaku Ndreu falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që iu bashkuan këtyre netëve duke e kthyer sheshin qendror të qytetit në një skenë të mbushur me emocione.

/k.s/r.e/

The post Lezha festoi “Ditën e Shtegtarit”, këngë dhe valle në sheshin e qytetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Liderët evropianë: Presioni mbi Moskën derisa në Ukrainë të mos vdesin më njerëz

16 August 2025 at 16:51

BRUKSEL, 16 gusht, /ATSH-ANSA/ – Për sa kohë që vrasjet në Ukrainë vazhdojnë, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të ushtrojmë presion mbi Rusinë, deklaruan dhëheqësit evropianë në deklaratën e tyre pas takimit Putin- Trump.

”Ne do të vazhdojmë të forcojmë sanksionet dhe masat më të gjera ekonomike për të ushtruar presion mbi ekonominë e luftës së Rusisë derisa të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, theksojnë ata.

“Ukraina mund të mbështetet në solidaritetin tonë të palëkundur ndërsa punojmë për një paqe që mbron interesat jetësore të sigurisë së Ukrainës dhe Evropës. Mbështetja jonë për Ukrainën do të vazhdojë”, theksojnë ata. /os/

The post FOKUS – Liderët evropianë: Presioni mbi Moskën derisa në Ukrainë të mos vdesin më njerëz appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – Guterres: Izraeli të ndalojë planin për vendbanimet që synon të ndajë Bregun Perëndimor

16 August 2025 at 16:11

NJU JORK, 16 gusht /TSH-AA/ – Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres i bëri thirrje qeverisë izraelite të ndalojë menjëherë planin e saj për të ndarë në dy pjesë Bregun Perëndimor të pushtuar.

Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric e ndau thirrjen e Guterresit me publikun në një deklaratë me shkrim.

“Pozicioni ynë është i qartë: vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor dhe regjimin e lidhur me to, janë krijuar dhe vazhdojnë të shkelin të drejtën ndërkombëtare”, ka thënë Guterres në deklaratën e tij.

Duke theksuar se vendbanime të tilla të paligjshme do të “shtojnë më tej pushtimin dhe do të nxisnin tensionet”, Guterres thotë se një veprim i tillë do të “ezaurojë më tej qëndrueshmërinë e shtetit të Palestinës si pjesë e zgjidhjes me dy shtete”.

Kreu i OKB-së ka thënë se “Ndërtimi në zonën ‘E1’ do të ndajë veriun dhe jugun e Bregut Perëndimor dhe do të dëmtojë seriozisht mundësinë e krijimit të një shteti të qëndrueshëm të Palestinës”.

Guterres u bëri thirrje autoriteteve izraelite ta ndalojnë menjëherë avancimin e këtij procesi.

Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich tha se për të eliminuar idenë e një shteti palestinez do të miratojë projektin “E1”, i cili do të zgjerojë vendbanimet që u janë grabitur palestinezëve në Kudsin Lindor të pushtuar.

Projekti parashikon ndërtimin e 3.401 shtëpive midis Kudsit Lindor të pushtuar dhe vendbanimit Ma’ale Adumim, të ngritur në tokën që u është sekuestruar palestinezëve në Bregun Perëndimor.  /os/

The post NJU JORK – Guterres: Izraeli të ndalojë planin për vendbanimet që synon të ndajë Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet: Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Në të gjithë vendin vazhdon puna për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në kryeqytet, që kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.

“Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohet lirimi i hapësirave në Rrugën e Kosovarëve, në Tiranë.

Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Aksioni ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/k.s/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Rama ndan pamjet: Pa ndalim deri në çlirimin e çdo trotuari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skema Kombëtare e Investimeve 2025, Kristo: Mbështetje modernizimit të fermave dhe rritjes së prodhimit

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Roland Kristo dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi zhvilluan një takim sot me fermerë të qarkut Vlorë, ku prezantuan mundësitë që sjell për ta Skema Kombëtare e Investimeve 2025.

Kjo skemë, përmes granteve dhe instrumenteve financiare, mbështet modernizimin e fermave dhe rritjen e prodhimit.

Gjatë takimit fermerët u informuan mbi procedurat e aplikimit dhe masat mbështetëse, ku përmes kombinimit të 50% grant nga skema me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane për 70% të kolateralit, fermerët kanë mundësinë të sigurojnë financim të plotë për realizimin e investimeve të tyre.

Aplikimet për këtë mbështetje duhet të dorëzohen pranë zyrave qendrore të AZHBR deri më 30 shtator. Skema përfshin gjithsej nëntë masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur disa ditë më parë se në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, ofrohet një grant prej 50% të vlerës totale të faturave tatimore për çdo subjekt, me një kufi maksimal prej 7,5 milionë lekësh.

/k.s/r.e/

The post Skema Kombëtare e Investimeve 2025, Kristo: Mbështetje modernizimit të fermave dhe rritjes së prodhimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Kallas: Moska do ta përfundojë luftën kur nuk mund ta vazhdojë më atë

16 August 2025 at 15:23

BRUKSEL, 16 gusht, /ATSH-ANSA/ – Vendosmëria e Trump për një marrëveshje paqeje “është thelbësore. Realiteti i hidhur është se Rusia nuk ka ndërmend ta përfundojë këtë luftë së shpejti, deklaroi përfaqësuesja e Lartë e BE-së Kaja Kallas në një deklaratë.

”Ndërsa delegacionet po takoheshin, Rusia nisi sulme të reja kundër Ukrainës. Putini vazhdon t’i zvarrisë negociatat dhe shpreson t’ia dalë mbanë. Ai u largua nga Anchorage pa u zotuar t’i japë fund masakrave”, theksoi Kallas.

”SHBA-të kanë fuqinë ta detyrojnë Rusinë të negociojë seriozisht. Moska nuk do ta përfundojë luftën derisa të kuptojë se nuk mund të vazhdojë”, theksoi Kallas. /os/

The post BRUKSEL – Kallas: Moska do ta përfundojë luftën kur nuk mund ta vazhdojë më atë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata nga zjarret në vend, MM: 13 vatra zjarri, 10 aktive dhe 3 në monitorim

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Situata nga zjarret në vend paraqitet e stabilizuar në shumë prej zonave që ishin më parë problematike, pas një angazhimi të gjerë të forcave të emergjencës.

Ministria e Mbrojtjes informoi sot se aktualisht kemi 13 vatra zjarri, nga të cilat 10 janë aktive dhe 3 në monitorim.

Në fshatin Tërnovë, njësia administrative Zerqan, zjarri vazhdon të zhvillohet në kurorë me pyje të dendura nga qafa e malit në drejtim të qytetit të Vjetër Bulqizë. Në operacion sot janë angazhuar 8 efektivë të MZSH Bulqizë, 7 forca bashkiake, 8 forca të pyjores dhe 30 forca ushtarake të FA. Zjarri zhvillohet në pyje të larta dhe bimësi të dendur duke marrë drejtim nga fshati Valikardhë.

Prezenca e tymit është e lartë dhe intensiteti i flakëve mbetet i fortë. Banesat nuk rrezikohen, ndërsa në vendngjarje ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Vatra e zjarrit në Bulqizë ka rënë më 14 gusht në Malin me Gropa, në afërsi të fshatit Val, vijon të jetë aktive. Sot janë angazhuar për monitorim 5 forca bashkiake dhe 8 forca vullnetare. Digjen shkurre dhe barishte të thata në një zonë të vështirë dhe të rrezikshme për ndërhyrje tokësore.

Në bashkinë Fushë-Arrëz në fshatin Xeth, njësia administrative Blerim, vijon puna për shuarjen e zjarrit. Në operacion janë angazhuar: 12 zjarrfikës me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë policie me 2 automjete, 40 forca bashkiake, 13 forca të shërbimit pyjor dhe 80 forca ushtarake. Zjarri është i aktivizuar në 3 vatra të ndara, ndërsa në zonën e Kunorë Dardhës drejt lumit Truen flakët kanë hyrë në një sipërfaqe me pisha të dendura. Ka operuar edhe një helikopter i Forcës Ajrore.

Në bashkinë Mirditë në fshatin Velë, njësia administrative Rubik, vijon zjarri në një masiv me pisha. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 7 efektivë të MZSH, 17 forca bashkiake, 10 vullnetarë, 7 forca pyjore dhe 4 forca policore. Terreni është i thepisur dhe ndërhyrja nga toka mbetet shumë e vështirë.

Në bashkinë Tiranë, në Malin e Bërzhitës, fshati Ibë, zjarri i rënë më 10.08.2025 ka kaluar në fshatin Durisht. Në terren janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë të MZSH Tiranë, 5 forca të APR dhe forca policore. Vatra është vendosur nën kontroll, por terreni mbetet sfidues.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Damjan-Fortuzaj dhe Isufaj, njësia administrative Vaqarr, zjarri është vendosur nën kontroll. Janë angazhuar 3 automjete zjarrfikëse me 16 efektivë të MZSH, 5 forca të APR dhe forca policore.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe ka kaluar në fshatin Priskë e Vogël. Situata është në kontroll dhe nuk ka rrezik për banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake.

Në bashkinë Tiranë, në zonën Zgure, njësia administrative Zall-Bastar, zjarri vijon me intensitet të ulët dhe nuk rrezikon banesat. Monitorohet nga MZSH Tiranë dhe forcat bashkiake.

Në bashkinë Tiranë në fshatin Pezë-Helmës, zjarri i rënë më 13.08.2025 ka marrë përmasa të mëdha dhe rrezikon pyllin me pisha të dendura të Pezës. Në terren ndodhen 42 forca të MZSH Tiranë, të mbështetura nga forca bashkiake, vullnetarë dhe Policia e Shtetit. Ka operuar edhe një helikopter i EBA.

Në bashkinë Kolonjë, në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zjarri është neutralizuar, por për shkak të erës dhe temperaturës ka pasur riaktivizime të vogla të cilat janë eliminuar. Sot janë angazhuar 3 mjete zjarrfikëse me 13 efektivë të MZSH Kolonjë, 20 forca bashkiake, 6 forca policore dhe 4 vullnetarë.

Ndërsa në bashkinë Gramsh, në fshatrat Kullollas, Kodovjat dhe Ermenj, njësia administrative Skënderbegas, janë riaktivizuar vatra zjarri. Në Kullollas, në vendin e quajtur Mulliri, po ndërhyjnë punonjës bashkiakë dhe vullnetarë, ndërsa në fshatin Bletëz po operon 1 mjet zjarrfikës i MZSH Gramsh me 3 efektivë.

Në bashkinë Gramsh, në njësinë administrative Kukur, në Teqen e Dushkut, herë pas here aktivizohen vatra të vogla. Sot kanë operuar deri në orën 12:00 një mjet zjarrfikës me 5 efektivë të MZSH Gramsh, 2 forca pyjore dhe 10 banorë. Vështirësitë janë për shkak të trashësisë së humusit.

Në bashkinë Elbasan, në njësinë administrative Zavalinë, në Malin e Shirokës, vijon aktive vatra e zjarrit. Në terren janë angazhuar 6 efektivë të MZSH Elbasan, 9 punonjës të ndërmarrjes pyjore dhe 6 forca bashkiake.

/k.s/r.e/

The post Situata nga zjarret në vend, MM: 13 vatra zjarri, 10 aktive dhe 3 në monitorim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rrezikonin mbytjen tek Uji i Ftohtë, Policia u shkon në ndihmë tre pushuesve

TIRANË, 16 gusht /ATSH/ Strukturat e policisë në mbarë vendin janë angazhuar për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit gjatë sezonit veror, por nuk kanë munguar rastet kur u kanë ardhur në ndihmë pushuesve të ndryshëm të cilëve iu është rrezikuar jeta.

Policia Kufitare Vlorë u shkoi sot në ndihmë tre pushuesve që rrezikoheshin në det, në afërsi të plazhit të Ujit të Ftohtë.

Salla e DRKM Vlorë mori njoftim se një shtetase po lundronte me kanoe, por kërkonte ndihmë pasi ndodhej rreth 1 milje larg bregut dhe kishte të pamundur kthimin.

Dy pushues të tjerë kishin hyrë në det me not për t’i ardhur në ndihmë shtetases, por për shkak të distancës së largët nga bregu u rrezikuan edhe ata.

Menjëherë, mjeti lundrues i Policisë Kufitare u nis drejt vendit të raportuar dhe bëri të mundur marrjen në bord të tre pushuesve. Falë reagimit në kohë të Policisë Kufitare, tre shtetasit u nxorën në breg të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia Kufitare Vlorë mbetet e angazhuar 24/7 për garantimin e sigurisë së pushuesve dhe fton qytetarët që në çdo rast emergjence të kontaktojnë menjëherë në numrin 112.

The post Rrezikonin mbytjen tek Uji i Ftohtë, Policia u shkon në ndihmë tre pushuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejtori i QSUNT-së: Njësia e Radioterapisë e Onkologjikut brenda vitit pajiset me akseleratorin e tretë

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Njësia e Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të pajiset brenda këtij viti me akseleratorin e tretë.

Ky investim do të ulë ndjeshëm kohën e pritjes, do të rrisë kapacitetin e trajtimit dhe do të mundësojë përdorimin e teknologjive më moderne të radioterapisë.

Drejtori i përgjithshëm i QSUNT, Florenc Spaho, i shoqëruar nga drejtoresha e Shërbimit Onkologjik Silvana Çeliku, vizitoi sot ambientet e Shërbimit Onkologjik ku u takua edhe me qytetarët duke u njohur më nga afër me problematikat e tyre.

Ai kërkoi nga stafi mjekësor që të kenë prioritet pacientët nga rrethet dhe të mos presin në radhë.

“Unë kam 6 vjet që kurohem në këtë spital. Gatishmëria e mjekëve ka qenë në mënyrë superiore që nga Drejtoresha. Jam shumë i kënaqur. 6 vjet unë kam rrojtur me këtë shërbim që më kanë bërë. Ilaçet janë të fundit që nuk e imagjinoja të merrja ilaçe që kushtojnë 3 milionë lekë në muaj”, u shpreh një pacient gjatë bashkëbisedimit me drejtorin e Përgjithshëm të QSUNT-së.

Një tjetër pacient në bashkëbisedim me Spahon u shpreh se “jam shumë i kënaqur, në të gjitha drejtimet”.

Drejtori i QSUNT-së tha se kur pacientët na falënderojnë na motivojnë të punojmë akoma edhe më fort pasi fokusi dhe prioriteti i punës së tyre është trajtimi me dinjitet i pacientëve. “Na intereson shërbimi për pacientët pastaj edhe për të mbështetur stafin dhe për të mos ndenjur peng i fjalëve nëpër banaqe të paqena”, deklaroi ai.

“Përmirësimi i shërbimit nuk qëndron vetëm tek pajisjet – ai vjen edhe nga zëri i pacientëve dhe familjarëve të tyre. Duke i dëgjuar nga afër, bëjmë të mundur që mbështetja të jetë e drejtuar dhe e plotë. Besimi dhe mirënjohja që ata tregojnë çdo ditë ndaj stafit mjekësor, është përgjegjësi për ne që zëri i tyre të dëgjohet gjithmonë”, ka theksuar Spaho.

Gjatë vizitës në Shërbimin Onkologjik, drejtori i QSUNT-së pa nga afër edhe ambientin ku do të instalohet akseleratori i tretë. “Është një nga akseleratorët që është fjala e fundit e teknologjisë”, theksoi ai.

Përgjegjësi i njësisë së Radioterapisë në Shërbimin Onkologjik pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, mjeku Orges Spahiu, tha se “me dy akeleratorët marrin shërbim 140 pacientë në ditë”.

Akseleratori i tretë do të rrisë kapacitetet dhe trajtimin e pacientëve që kanë gjithashtu teknika më të avancuara.

Drejtori i ri i QSUNT-së, Spaho që prej marrjes së detyrës ka theksuar se fokusi i shërbimit është pacienti dhe trajtimi dinjitoz i tij.

Vitet e fundit janë bërë investime në aparatura me teknologji moderne për kurimin dhe ndërhyrjet kirurgjikale në Spitalin Onkologjik.

Spitali Onkologjik disponon dy akseleratorë linearë, nëpërmjet të cilëve trajtohen me radioterapi pjesa më e madhe e tumoreve solide që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi me teknika precize të avancuara, gjerësisht të përdorura në vendet e zhvilluara: 3DcRT, IMRT, IGRT dhe VMAT.

/k.s/r.e/

The post Drejtori i QSUNT-së: Njësia e Radioterapisë e Onkologjikut brenda vitit pajiset me akseleratorin e tretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PIZA – Vdes Marah Abu Zuhri, një nga qindra viktimat e urisë në Gaza

16 August 2025 at 14:53

PIZA, 16 gusht /ATSH/ – Palestinezja 20 vjeëare Marah Abu Zuhri, tashmë është një nga qindra viktimat e urisë në Gaza, shkruan skytg24.it.

Fatëkeqësish e reja ndroi jetë dje në qytetin italian. Zuhuri mbërriti në Itali vetëm 24 orë më parë për arsye humanitare.

Ajo mbërriti në Itali si pjesë e operacionit humanitar të qeverisë italiane për të ofruar kujdes të shtuar mjekësor për civilët palestinezë të prekur nga konflikti.

Ajo ishte në një gjendje të rëndë kequshqyerjeje. 20-vjeçarja zbarkoi natën midis 13 dhe 14 gushtit nga një aeroplan C130J i Forcave Ajrore Italiane që nisej nga Eilat me pacientë të tjerë palestinezë dhe familjet e tyre.

E dërguar në Spitalin Cisanello, vajza a e re u shtrua me urgjencë, por gjendja e saj u duk menjëherë shumë kritike. /os/

The post PIZA – Vdes Marah Abu Zuhri, një nga qindra viktimat e urisë në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Thethi mirëpret vizitorë nga e gjithë bota me hapësirat publike të rikthyera në identitet

16 August 2025 at 14:06

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Thethi, perla e Alpeve Shqiptare, po mirëpret vizitorë nga e gjithë bota me hapësirat e rikthyera publike në identitet e në harmoni me peizazhin.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale përshtypjet e disa prej tyreve, të cilët shprehen të mahnitur me pamjet përrallore, mikpritjen tradicionale, me ujin e kristaltë e me ajrin e pastër që të falin qetësi dhe energji pozitive.

Një turiste australiane tregoi se si e magjepsur nga Thethi është rikthyer disa herë këtu.

“Të zgjohesh në një ditë me diell, me qiell të kaltër, të rrethuar me malet, në një fshat të bukur si Thethi. Si mund të mos jetë një ditë e mirë? Jam nga Australia dhe e dua Thethin aq shumë sa kam ardhur në Shqipëri 8 javë më parë dhe në total kam kaluar gati një muaj këtu në Theth, duke u larguar dhe kthyer përsëri, sepse e dua aq shumë”, tha ajo.

Turistja e huaj e rekomandon Thethin për shtëpitë e pritjes të cilat sipas saj, janë thjesht të bukura.

“Atmosfera, ndjesia këtu është magjike. Është mistike, të jep një ngrohtësi. Ti vjen në Theth eksploron ujëvarën, del në ecje tek Syri i Kaltër, noton në ujin e ftohtë, shkon në male, ha ushqime tradicionale të mira, pi me miqtë e tu. Të vendos ty në një lloj vendi të magjisë dhe të përfshin brenda”, tha ajo.

Një tjetër turist nga Austria u shpreh se përshtypja e parë për Thethin ishte e mrekullueshme. “Nuk e prisnim këtë lloj lëndine në mes të maleve. Është më thjesht, më reklaksuese këtu se sa në Austri”, tha ai.

Një tjetër turiste e huaj u shpreh se gjithçka është e mrekullueshme. “Ne e shijuam shumë të vinim këtu me motoçikleta dhe u ndjemë shumë të relaksuar”, tha ajo.

“Vend shumë i bukur, ushqimi shumë i mirë. Kemi ardhur edhe herë të tjera na pëlqen shumë”, u shprehën disa vizitorë të tjerë.

Një tjetër turiste e huaj vlerësoi njerëzit dhe mikpritjen. “Janë shumë të këndshëm dhe të ndihmojnë shumë me çdo gjë”, tha ajo.

“Jemi nga Austria. Ne na pëlqen natyra dhe vendosëm të vinim në Theth sepse kërkuam një vend më të largët. Shkuam tek Syri i Kaltër, natyrë shumë e bukur që e rekomandoj. Është fantastike këtu na pëlqeu shumë. Është shumë impresionuese me kaq male, thjesht shumë bukur”, tha një tjetër.

Dy pushuese nga Zelanda e Re thanë se po e shijojnë shumë  qëndrimin e këndshëm në Theth. “Duket pak si malet Dalmat, na pëlqen kisha”, thanë ato.

“Jam nga Franca. Po kërkoja për një vend ku të bëja hiking në malet këtu. Pashë këtë. Disa njerëz ma rekomanduan nga Tirana, por më pëlqen shumë, është shumë bukur”, tha një turist francez.

Një tjetër turist skocez tha se e zgjodhi Thethin nga Majat e Ballkanit. “Përshtypja e parë është shumë e këndshme. Ushqim i mirë, biseda të këndshme dhe bujtina shumë të këndshme. Mund ta rekomandoj vërtetë. Është një vend shumë i mirë në Shqipëri. Është ndryshe nga Tirana ku ishim më parë”, tha ai.

Ndërkohë për turistët që zgjedhin Thethin ofrohen edhe sportet e aventurës.

“Zipline është atraksion. Shtimi i Zipline e bën më interesante për turistët e huaj. Turistë ka nga gjithë bota. Shumica janë holandezë, gjermanë nga Izraeli, nga Arabia Saudite”, shtoi një operator vendas.

“Jemi nga Australia. Vendosëm të vinim në Theth nga pamja e maleve. Është këndshëm të relaksohesh”, tha një tjetër.

/m.m/ /a.g/

The post Rama: Thethi mirëpret vizitorë nga e gjithë bota me hapësirat publike të rikthyera në identitet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HISTORI – 16 gusht, muzika amerikane humbet dy legjenda

16 August 2025 at 14:01

NJU JORK, 16 gusht /ATSH/- Ngjarjet kryesore historike që kanë ndodhur gjatë viteve më 16 gusht përfshijnë:

• Më 16 gusht 1977, Elvis Presley vdiq në pronën e tij në Greisland në Memfis, Tenesi, në moshën 42-vjeçare;

• 41 vjet më vonë, në vitin 2018, këngëtarja Aretha Franklin, e njohur si Mbretëresha e muzikës “Soul”, vdiq në Detroit në moshën 76-vjeçare.

• Gjithashtu në këtë datë, në vitin 1777, forcat amerikane fituan Betejën e Beningtonit në atë që u konsiderua si një pikë kthese e Luftës Revolucionare.

• Në vitin 1812, Detroiti ra në duart e forcave britanike dhe amerikane vendase në Luftën e vitit 1812.

• Në vitin 1861, presidenti Abraham Lincoln lëshoi Proklamatën 86, e cila u ndaloi shteteve të Unionit të angazhoheshin në tregti me shtetet që ishin në rebelim – d.m.th., Konfederatën.

• Në vitin 1896, u zbulua ari në Territorin Yukon të Kanadasë, duke shkaktuar “Ethet Klondike” që do të tërhiqnin dhjetëra mijëra njerëz në rajon në kërkim të fatit.

• Në vitin 1948, legjenda e bejsbollit Babe Ruth vdiq në Nju Jork në moshën 53-vjeçare.

• Në vitin 1954, u publikua numri i parë i revistës “Sports Illustrated”.

• Në vitin 1962, “Beatles” larguan bateristin e tyre origjinal, Pete Best, duke e zëvendësuar atë me Ringo Starr.

• Në vitin 1978, James Earl Ray, vrasësi i dënuar i Dr. Martin Luther King Jr., tha në seancën dëgjimore në Capitol Hill – se nuk e kishte kryer krimin, duke thënë se ishte mashtruar nga një njeri misterioz i quajtur “Raoul”.

• Në vitin 1987, njerëzit në mbarë botën filluan një festim dyditor të “Konvergjencës Harmonike” – e cila paralajmëroi atë që besimtarët e quanin – fillimi i një epoke të re dhe më të pastër të njerëzimit.

• Në vitin 2014, guvernatori i Misurit, Jay Nixon, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe vendosi një shtetrrethim, në periferi të Fergusonit në Saint Louis – ku policia dhe protestuesit u përleshën vazhdimisht gjatë javës – pasi një 18-vjeçar me ngjyrë, Michael Brown, u qëllua për vdekje nga një oficer policie i bardhë.

• Në vitin 2020, rrufeja shkaktoi zjarret e mëdha në kompleksin e gushtit në Kaliforni. Mbi 1,600 milje katrorë hektare – një sipërfaqe më e madhe se Rhode Island – do të digjeshin gjatë tre muajve në vijim, sipas AP.  //a.i/

The post HISTORI – 16 gusht, muzika amerikane humbet dy legjenda appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Veterinerët në terren pas zjarreve, mbi 300 krerë kafshë dhe 110 bletë të groposura në Elbasan

16 August 2025 at 13:11

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Veterinerët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve vijojnë intensivisht punën në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vatrat e zjarreve, të cilat kanë prekur rëndë fermat në disa zona të vendit.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, në fshatrat më të prekur si Skënderbegas, Shemberdhenj, Zenelash, Bletëz, Harunash dhe Kullollas, janë groposur 13 krerë të imta, 50 koshere bletë dhe 15 shpendë.

Ndërkohë, në të gjithë qarkun e Elbasanit, bilanci i deritanishëm i dëmeve të shkaktuara në blegtori përfshin 9 krerë gjedh, 212 krerë të imta, 6 njëthundrakë, një derr, 60 koshere bletë dhe 90 shpendë të groposura.

Të gjitha zonat ku janë regjistruar ngordhje janë dezinfektuar menjëherë për të garantuar sigurinë shëndetësore të njerëzve dhe të kafshëve të tjera.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë bën të ditur se ekipet në terren do të vijojnë të monitorojnë situatën dhe të menaxhojnë çdo rast të ri në bashkëpunim me autoritetet vendore dhe komunitetin e fermerëve.

Fermerët e prekur nga zjarret mund të raportojnë rastet në numrin e gjelbër 0800 33 66 për të marrë mbështetjen e nevojshme. /a.gj/ /a.g/

1 nga 3

The post Veterinerët në terren pas zjarreve, mbi 300 krerë kafshë dhe 110 bletë të groposura në Elbasan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fluks i lartë në Portin e Durrësit, mbi 117 mijë udhëtarë në 15 ditë

16 August 2025 at 13:10

TIRANË, 16 gusht/ATSH/  Porti i Durrësit po përjeton një nga periudhat me fluksin më të lartë të udhëtarëve për këtë sezon veror.

Që nga orët e para të mëngjesit dhe deri në mbrëmje, terminali i pasagjerëve është i mbushur me qytetarë që hyjnë dhe dalin nga vendi, duke e bërë këtë nyje kryesore detare një nga pikat më të frekuentuara të qarkullimit ndërkombëtar.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy javët e para të muajit gusht, përmes Portit të Durrësit kanë lëvizur gjithsej 117 006 udhëtarë dhe 31 602 automjete, shifra që konfirmojnë intensitetin e qarkullimit dhe rolin kyç të këtij porti në lëvizjen sezonale të qytetarëve, sidomos atyre që kthehen nga emigracioni për pushime në atdhe.

Për të përballuar këtë volum të lartë, Administrata Doganore Shqiptare ka angazhuar kapacitete të plota dhe mbetet në gatishmëri, duke punuar me turne të zgjeruara për të menaxhuar fluksin në mënyrë të organizuar, efikase dhe të sigurt. /a.gj/ /a.g/

The post Fluks i lartë në Portin e Durrësit, mbi 117 mijë udhëtarë në 15 ditë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Trump heq dorë nga qëllimi i armëpushimit të menjëhershëm: “Të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje”

16 August 2025 at 12:52

UASHINGTON, 16 gusht /ATSH-DPA/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka hequr dorë nga qëllimi i armëpushimit të menjëhershëm në Ukrainë – përpara bisedimeve me Zelensky në SHBA.

Pas përfundimit të samitit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë, presidenti amerikan informoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë rreth diskutimeve.

“Zelensky do të udhëtojë në Uashington të hënën për bisedime me Trump”, sipas një njoftimi nga të dy udhëheqësit.

“Një ditë e shkëlqyer dhe shumë e suksesshme në Alaskë! Takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin shkoi shumë mirë, si dhe një telefonatë në mbrëmje vonë – me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe udhëheqës të ndryshëm evropianë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm – shumë të respektuar – të NATO-s, Mark Rutte”, tha Trump.

“U vendos nga të gjithë, se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme – midis Rusisë dhe Ukrainës – është të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje – e cila do t’i jepte fund luftës, dhe jo thjesht një Marrëveshje Armëpushimi, e cila shpesh herë nuk është e qëndrueshme”, theksoi presidenti amerikan në “Truth Social”.

“Presidenti Zelensky do të vijë në Uashington, në Zyrën Ovale, të hënën pasdite. Nëse gjithçka shkon mirë, atëherë do të caktojmë një takim edhe me presidentin Putin”, tha Trump.

Gjithashtu, Zelensky postoi në anglisht në X se po shkonte në Uashington për të diskutuar të gjitha detajet në lidhje me përfundimin e luftës.

“Të hënën do të takohem me presidentin Trump në Uashington, për të diskutuar të gjitha detajet në lidhje me përfundimin e luftës. Jam mirënjohës për ftesën”, postoi Zelensky në anglisht në X.

Ai tha se mbështet propozimin e Trump për një takim tripalësh me presidentin rus Vladimir Putin.

“Ukraina thekson se çështjet kryesore mund të diskutohen në nivelin e udhëheqësve dhe një format tripalësh është i përshtatshëm për këtë”, tha Zelensky.

Zelensky mbështeti përfshirjen e përfaqësuesve evropianë, veçanërisht për çështjen e garancive të sigurisë për vendin e tij.

Pas përfundimit të takimit SHBA-Rusi, Trump informoi Zelensky dhe liderët evropianë për pikat kryesore të diskutimit me Putinin.

Zelensky dhe Trump zhvilluan dje në mbrëmje një bisedë telefonike që zgjati rreth një orë.

Udhëheqësit evropianë iu bashkuan më pas bisedës, e cila zgjati më shumë se një orë e gjysmë në total.

Sipas Komisionit Evropian, bisedimet me Trump dhe Zelensky përfshinë kancelarin gjerman Friedrich Merz; presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen; presidentin francez Emmanuel Macron; kryeministrin britanik Keir Starmer; kryeministren italiane, Giorgia Meloni; presidentin finlandez Alexander Stubb; presidentin polak Karol Nawrocki; sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte – si dhe sekretarin amerikan të shtetit Marco Rubio dhe të dërguarin special të SHBA-së Steve Witkoff.

Konsultime të mëtejshme u pasuan midis udhëheqësve evropianë. Ambasadorët e BE-së të shteteve anëtare do të takohen sot për një takim të jashtëzakonshëm për t’u informuar rreth takimit të Alaskës.

Kremlini hodhi poshtë mundësinë e një takimi tripalësh.

“Një samit i tillë nuk është diskutuar deri më tani në përpjekjet e përbashkëta për të zgjidhur konfliktin në Ukrainë”, tha sot këshilltari i politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov.

“Data për takimin e ardhshëm midis Putinit dhe Trump gjithashtu nuk dihet ende”, tha Ushakov.

“Putini e ftoi Trump në Moskë gjatë një konference të përbashkët për shtyp, në samitin e djeshëm në qytetin Anchorage të Alaskës”, shtoi ai.

Gjatë takimit të tyre afërsisht treorësh – Putini dhe Trump diskutuan mënyrat për t’i dhënë fund luftës – tani në vitin e saj të katërt.

Nuk u njoftuan rezultate konkrete. Putini dhe Trump thanë se do të kishte bisedime të mëtejshme, pa specifikuar datën dhe vendndodhjen.

Trump foli për marrëveshje mbi pika të rëndësishme, por nuk dha detaje. Putini përmendi gjithashtu marrëveshjet – që ai tha se mund të jenë një pikënisje – për një zgjidhje të konfliktit të Ukrainës. //a.i/

 

The post KOMENT – Trump heq dorë nga qëllimi i armëpushimit të menjëhershëm: “Të shkohet drejtpërdrejt në një Marrëveshje Paqeje” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Moska dhe Kievi vazhdojnë sulmet ajrore pavarësisht bisedimeve në Alaskë për t’i dhënë fund luftës

16 August 2025 at 12:21

KIEV, 16 gusht /ATSH-DPA/- Rusia dhe Ukraina nisën sulme të tjera ajrore reciproke gjatë natës, pavarësisht bisedimeve SHBA-Rusi në Alaska për t’i dhënë fund luftës 3,5-vjeçare, thanë sot zyrtarët.

Sipas Forcave Ajrore Ukrainase, ushtria ruse vendosi 85 dronë luftarakë dhe një raketë balistike kundër objektivave në brendësi të Ukrainës.

“Edhe pse shumica e dronëve u interceptuan, pati 24 sulme me dronë dhe një sulm me raketa në 12 vende”, tha ushtria ukrainase.

Sulme ukrainase me dronë u regjistruan gjithashtu nga pala ruse. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, u rrëzuan 29 dronë.

“Shumica e operacioneve të mbrojtjes ajrore u zhvilluan mbi territoret jugore ruse dhe Detin e Azovit”, tha ministria ruse.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin u takuan dje në Alaskë – për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Fillimisht, nuk u njoftuan rezultate konkrete, megjithëse udhëheqësit e përshkruan samitin si produktiv. //a.i/

The post FOKUS – Moska dhe Kievi vazhdojnë sulmet ajrore pavarësisht bisedimeve në Alaskë për t’i dhënë fund luftës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HUNGARI – Orban mirëpret rezultatin e takimit Trump-Putin

16 August 2025 at 12:04

BUDAPEST, 16 gusht /ATSH-DPA/- Kryeministri hungarez Viktor Orban ka mirëpritur rezultatin e takimit të djeshëm mes presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin në Alaskë.

“Për vite me radhë, ne pamë ndërsa dy fuqitë më të mëdha bërthamore çmontuan themelet e bashkëpunimit të tyre… Kjo tani ka mbaruar”, shkroi ai në faqen e tij në “Facebook”.

“Bota është një vend më i sigurt sot sesa ishte dje”, tha Orban në përgjigje të samitit, i cili nuk dha rezultate të menjëhershme të prekshme.

Trump dhe Putin e përfunduan takimin e tyre pa komentuar mbi një armëpushim të mundshëm në luftën e Ukrainës.

Orban, i cili ka qeverisur Hungarinë për më shumë se 15 vjet, konsiderohet një mbështetës besnik i Trump dhe politikave të tij. //a.i/

 

The post HUNGARI – Orban mirëpret rezultatin e takimit Trump-Putin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Një udhëtim në Qeparo, midis blusë së Jonit dhe gjelbërimit

16 August 2025 at 11:53

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Qendra historike e fshatit Qeparo, ndodhet në bregdetin e Himarës dhe është një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Ajo pasqyron një harmoni të rrallë mes arkitekturës dhe peizazhit natyror. E vendosur mbi kodra me pamje mahnitëse mbi detin Jon, ajo ruan kujtimet e një jete të thjeshtë mesdhetare dhe trashëgiminë e pasur kulturore të zonës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon promovuese të Pandeli Cecos, pjesëmarrës në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Video Reels “Wanderlust in Albania 2” të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

“Një udhëtim në Qeparo, midis blusë së Jonit dhe gjelbërimit, me ftesën për një ecje nëpër rrugicat me kalldrëm të fshatit të vjetër, ku guri ruan kujtimet e shekujve, ndërsa aroma e agrumeve të përqafon me freskinë e saj”, u shpreh Rama, krahas pamjeve.

Qendra historike e fshatit Qeparo ruan një shtrirje urbane dhe ansambël karakteristik banesash të shekujve XVIII-XIX, të cilat pasqyrojnë mënyrën tradicionale të ndërtimit në zonat bregdetare.

Një karakteristikë e qendrës historike të Qeparoit është rrjeti rrugor me kalldrëm. Rrugicat pasqyrojnë mënyrën e organizimit shoqëror dhe ekonomik të qytetit.

Qeparoi është nga fshatrat më të vjetër të bregdetit shqiptar dhe ofron dëshmi të jetës dhe kulturës së banorëve vendas, ndër shekuj. Qendra historike e këtij fshati përfshin disa monumente kulture të shpallura, mes tyre banesa tradicionale dhe objekte fetare.

/m.m/ /a.g/

The post Rama: Një udhëtim në Qeparo, midis blusë së Jonit dhe gjelbërimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: 14770 punonjës më shumë të deklaruar në qershor

16 August 2025 at 11:51

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Tregu i punës në Shqipëri po reflekton shenja të qarta të rritjes ekonomike dhe përmirësimit të formalizimit, sipas të dhënave të bëra publike sot nga Ministri i Financave, Petrit Malaj.

Ai deklaroi se në muajin qershor të vitit 2025 janë regjistruar 14770 punonjës më shumë të deklaruar, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, një rritje domethënëse që vjen si rezultat i një kombinimi të politikave aktive për nxitjen e punësimit dhe përforcimit të kontrolleve për informalitetin.

Ministri Malaj vlerësoi këtë progres si një tregues të qartë të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të ndërtuar një treg pune më të drejtë dhe më të rregulluar.

“Falënderojmë bizneset që po kontribuojnë me përgjegjësi në këtë proces, duke respektuar ligjin dhe duke siguruar të drejtat e punonjësve të tyre”, u shpreh ministri.

Trendi në rritje i deklarimit të punonjësve ka ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm në sigurimin e të ardhurave të buxhetit të shtetit, por edhe në garantimin e të drejtave sociale për qindra mijëra qytetarë, përmes kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. /a.gj/ /a.g/

The post Malaj: 14770 punonjës më shumë të deklaruar në qershor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndezi zjarr në tokën e tij, arrestohet 65-vjeçari në Berat

16 August 2025 at 11:51

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat bënë të mundur ndalimin e shtetasit V. R., 65 vjeç, banues në fshatin Rabijak, i cili dyshohet se ditën e djeshme ka ndezur zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të tij.

Flakët dolën jashtë kontrollit dhe rrezikuan banesa si dhe toka të mbjella me pemë frutore.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat përsërit apelin për të gjithë qytetarët që të shmangin ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura, veprim i cili jo vetëm që përbën rrezik serioz për jetën dhe pronën, por është i dënueshëm sipas ligjit.

Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë menjëherë çdo rast zjarrvënieje apo veprimtarie të paligjshme, duke telefonuar në numrin pa pagesë 112.

Garantohen anonimat i plotë dhe reagim i shpejtë dhe profesional nga strukturat përkatëse.

The post Ndezi zjarr në tokën e tij, arrestohet 65-vjeçari në Berat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌