Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

MUZIKË – Elton John: Osbourne ndodhet në panteonin e perëndive të rockut

LONDËR, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Ylli i pop-it britanik, Elton John deklaroi se Ozzy Osbourne ishte një pionier i madh, i cili siguroi vendin e tij në panteonin e perëndive të rockut.

Ai iu bashkua kitaristit të ”Rolling Stones”, Ronnie Wood, dhe të famshmëve të tjerë për t’i bërë homazh këngëtarit të ”Black Sabbath” pas vdekjes së tij.

John postoi në Instagram se “ishte shumë e trishtueshme të dëgjoja lajmin për ndarjen nga jeta të Ozzy Osbourne”.

“Ai ishte një mik i dashur dhe një pionier i madh që siguroi vendin e tij në panteonin e perëndive të rockut – një legjendë e vërtetë. Ai ishte gjithashtu një nga njerëzit më me humor që kam takuar ndonjëherë. Do të më mungojë shumë. Sharon dhe familjes, i dërgoj ngushëllimet dhe dashurinë time. Elton xx”.

Këngëtari Yungblud, i cili këndoi këngën “Changes” të ”Black Sabbath” në koncertin e lamtumirës “Back To The Beginning” më 5 korrik, tha se ishte “zemërthyer” nga lajmi dhe e quajti Osbourne “më të madhin e të gjitha kohërave”.

“Nuk mendoja se do të largoheshe kaq shpejt herën e fundit që u takuam, ishe plot jetë dhe e qeshura jote mbushte dhomën”, shkroi ai në një postim në rrjetet sociale.

Grupi i rokut ”Motorhead” tha se kishin humbur një “mik të dashur” në një postim që kujtonte miqësinë e vokalistit të ndjerë të grupit Lemmy me Osbourne.

“Lemmy dhe Ozzy ishin vëllezër që shijuan shumë aventura së bashku, dhe humbja e tij është sizmike. U prehsh në paqe Ozzy, ne gjithmonë do të të duam”, tha grupi.

AC/DC tha se ”vdekja e Osbourne ishte një humbje e madhe për të gjithë ata që e donin”, ndërsa anëtarët e ”Metallica”, Noah Abrams dhe Ross Halfin, e quajtën atë një “ikonë” dhe “mentor”.

Ndër yjet e tjerë që i bënë homazhe ishin ish-futbollisti David Beckham, Billie Joe Armstrong i ”Green Day”, kitaristi i ”Queen”, Brian May dhe ylli i filmit amerikan Adam Sandler, i cili tha se ndihej “kaq i lumtur” që pati mundësi ta takonte Osbourne.

May tha se koncerti i fundit i Osbourne në fillim të muajit “ishte një mënyrë e mrekullueshme për t’i thënë lamtumirë” vokalistit të ”heavy metal” i cili vdiq më 22 korrik në moshën 76 vjeç.

”Aston Villa”, klubi i futbollit të qytetit të lindjes së Osbourne, tha se ishte “i trishtuar” kur mësoi për ndarjen nga jeta të yllit.

“Duke u rritur në Aston, jo shumë larg ‘Villa Park’, Ozzy gjithmonë kishte një lidhje të veçantë me klubin dhe komunitetin nga vinte”, tha klubi.

Sekretarja e Drejtësisë e Mbretërisë së Bashkuar dhe deputetja e Birmingham Ladywood, Shabana Mahmood, tha se ishte ndër ata që festuan jetën dhe trashëgiminë e Osbourne pak më shumë se dy javë më parë.

Ajo shkroi në X se “u ndjeva e shkatërruar kur dëgjova lajmin për vdekjen e tij. Një nga dhuratat më të mëdha që qyteti im i dha botës”./  a.jor.

The post MUZIKË – Elton John: Osbourne ndodhet në panteonin e perëndive të rockut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bazilika e Linit, Rama: Një nga perlat e historisë dhe turizmit kulturor shqiptar

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Bazilika Paleokristiane e Linit, një monument i shekullit VI po tërheq vëmendjen e turistëve të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve të huaj në këtë bazilikë, një ndër më të vizituarat në Shqipëri.

“Një ditë e zakonshme korriku në Bazilikën e Linit, mes natyrës së qetë, trashëgimisë sonë të çmuar kulturore dhe pamjeve piktoreske që ofron ky fshat buzë liqenit, si një nga perlat e historisë dhe turizmit kulturor shqiptar”, shkruan Rama.

Bazilika Paleokristiane e Linit u shpall Monument Kulture, Kategoria I, më 10 qershor të vitit 1973. Ajo daton prej shekullit V-VI pas Krishtit.

Bazilika paleokristiane e Linit, së bashku me mozaikët që ndodhen në të, gjendet në majën e kodrës së Shën Thanasit, që përbën gadishullin e Linit. Ajo u zbulua për herë të parë në vitin 1967 gjatë një ekspedite hulumtuese të punonjësve të muzeut lokal të Pogradecit, të cilët ndërmorën edhe një fushatë gërmimesh për ta nxjerrë në pah.

Një kërkim më i hollësishëm i ndërmarrë më 1968 nga Instituti i Monumenteve në Tiranë nxori përfundimin se kjo bazilikë ishte një nga më të veçantat e zbuluara ndonjëherë në Shqipëri.

/k.s/

The post Bazilika e Linit, Rama: Një nga perlat e historisë dhe turizmit kulturor shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Policia e Shtetit vijon operacionin policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar D. B., 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

The post Operacioni “The Wanted”, pritet gjatë ditës ekstradimi nga Dubai i të akuzuarit për vrasje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Çadra falas në plazhet publike pas lirimit të Qeparoit nga zaptimet e paligjshme

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Në Qeparo janë shtuar plazhet publike me çadra të vendosura nga bashkia e Himarës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhet publike në Qeparo, pas lirimit të hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme.

“Qeparoi, pas lirimit nga zaptimet e paligjshme, Bashkia Himarë sapo ka vendosur çadrat që do të jenë falas për të gjithë pushuesit”, shkruan Kumbaro.

Pas lirimit të plazhit nga çadrat e vendosura në mënyrë të paligjshme nga sipërmarrës dhe individë, bashkia Himarë ka vendosur aty çadrat e saj, pa pagesë.

Kjo hapësirë i shtohet hapësirave të tjera publike e të sistemuara, duke mundësuar pushime me kosto të ulët për sa më shumë njerëz.

Bashkia e Himarës apelon sërish ndaj pushuesve, duke kërkuar mbrojtjen e mjedisit publik, për të mos dëmtuar çadrat dhe duke e mbajtur pastër plazhin.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Kumbaro: Çadra falas në plazhet publike pas lirimit të Qeparoit nga zaptimet e paligjshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Thesari raporton 100 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat

UASHINGTON, 23 korrik /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur së fundmi gati 100 miliardë dollarë nga tarifat, tha sekretari i Thesarit, Scott Bessent.

“Jemi afër arritjes së 100 miliardë dollarëve. Mendoj se mund të arrijmë në 300 miliardë dollarë në vit”, tha ai në një intervistë me transmetuesin amerikan ”Fox Business”, kur u pyet për nivelin aktual të të ardhurave nga tarifat.

Bessent kishte sugjeruar më parë mundësinë e arritjes së 300 miliardë dollarëve deri në fund të vitit.

Mbetet e paqartë se për çfarë afati kohor specifik po i referohet Bessent me shifrën e tij prej gati 100 miliardë dollarësh.

Sekretari theksoi se të ardhurat nga tarifat u rritën në qershor, pa specifikuar një numër./ a.jor.

The post SHBA – Thesari raporton 100 miliardë dollarë të ardhura nga tarifat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Pastrohen nga mbishkrimet afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës

23 July 2025 at 08:56

 

View this post on Instagram

 

A post shared by DRTK Korçë (@drtkkorce)


TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë publikoi në rrjetet sociale pamje nga pastrimi i afreskeve të Kishës së Shën Kollit në Voskopojë.

Në kuadër të ndërhyrjeve restauruese, specialistët e DRTK Korçë po bëjnë të mundur pastrimin e mbishkrimeve të dëmshme mbi afresket në hajatin e Kishës së Shën Kollit.

“Këto shkrime jo vetëm që kanë cenuar vlerën artistike të afreskeve, por përbëjnë edhe një formë dëmtimi të trashëgimisë sonë të përbashkët”, shkruan DRTK Korçë.

Kisha e Shën Kollit në Voskopojë është nga kishat më të rëndësishme të stilit post-bizantin.

Ajo përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të qytetit të dikurshëm. Kisha ndodhet në qëndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal post-bizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren.

Kisha është ndërtuar nga qershori i vitit 1721 deri në shtator të vitit 1722, ndërsa këmbanarja mendohet të jetë ndërtuar më vonë. Rindërtimi i fundit të saj është bërë rreth vitit 1936. Kisha është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948 për vetë vlerat e saj të mëdha arkitektonike dhe artistike.

The post Pastrohen nga mbishkrimet afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Travel off Path”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane për t’u vizituar këtë verë

23 July 2025 at 07:34

TIRANË, 23 korrik /ATSH/- Nëse planifikoni të shkoni në Evropë këtë verë, por ende nuk keni vendosur plotësisht për një itinerar, ka të ngjarë që të habiteni me kostot shumë të larta – kur vendosni në minutën e fundit, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Nga Costa Brava e Spanjës, duke kaluar Rivierën Franceze, deri në Bregun Amalfi të Italisë dhe deri në Bregun Dalmatian idilik të Kroacisë, nevojitet një buxhet ditor deri në 194 dollarë ose më shumë, për të mos përmendur turmat masive.

Megjithatë, jo çdo destinacion veror evropian është aq i shtrenjtë sa Positano, në Bregun e Amalfit, në Itali.

Në fakt, ekzistojnë katër vende tërheqëse të “Botës së Vjetër” të cilat ofrojnë akomodim dhe ushqim me kosto më të lirë:

1-Vlora, Shqipëri; 2-Liqeni i Ohrit, Shqipëri/ Maqedoni e Veriut; 3-Nessebar, Bullgari; 4- Batumi, Gjeorgji.

Vlorë, Shqipëri

E vendosur midis maleve dhe detit, Vlora është destinacioni kryesor turistik në bregdetin e Shqipërisë, “perla e fshehur” e një vendi që është bërë pika e nxehtë e verës së ardhshme të Evropës.

Vlora është një qytet i qetë me një qendër historike të rinovuar së fundmi, me një trashëgimi të pasur kulturore, dhe një vijë bregdetare mahnitëse – të mbushur me apartamente të larta, bare plazhi të gjalla dhe taverna mikpritëse që shërbejnë ushqime të freskëta deti gjatë gjithë ditës.

Ky qytet i bukur bregdetar do të mundësojë fluturime direkte brenda Evropës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është planifikuar të hapet në vitin 2026.

Çmimet mesatare në Vlorë, Shqipëri

Vakt i Lirë – (Restorant) 8 dollarë

Vakt me 3 pjata për 2 persona – (Restorant i nivelit të mesëm) 28 dollarë

Akomodim i lirë – (Hostel) 14 dollarë

Akomodim i nivelit të mesëm (Hotel/B&B/shtëpi pritjeje me 3 yje) 59–69 dollarë

Hotel me 5 yje (Luksoz gjithëpërfshirës) 184–295 dollarë

Tarifa e taksisë (Për 0, 5 milje) 1,90 dollarë

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit shtrihet në kufirin malor midis pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë lindore. Është një nga liqenet më të thella dhe më të vjetra të Evropës, me një ekosistem unik ujor me rëndësi botërore, me më shumë se 200 specie endemike.

Imagjinoni një varg qytetesh buzë liqenit të kryqëzuara me rrugë me kalldrëm, me anije shumëngjyrëshe të ankoruara pranë porteve të tyre piktoreske, kisha mahnitëse të lashta dhe madje plazhe me guralecë – të shtrira pranë klubeve të lundrimit.

Mos humbisni Qytetin e Ohrit, një nga vendbanimet më të vjetra në Evropë.

I ndërtuar kryesisht midis shekujve VII dhe XIX, ai ka manastirin më të vjetër sllav (Shën Pantelejmonin) dhe më shumë se 800 ikona të stilit bizantin që datojnë nga shekulli XI deri në fund të shekullit të XIV. //a.i/

https://www.traveloffpath.com/4-of-the-cheapest-european-cities-youll-actually-want-to-visit-this-summer/

                                                           

 

 

The post “Travel off Path”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane për t’u vizituar këtë verë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 23/7/2025

STAMBOLL (Turqi) – Bisedime paqeje Rusi-Ukrainë.

HAGË (Holandë) – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) jep mendimin e saj të parë mbi ndryshimet klimatike.

TOKIO (Japoni) – Samiti BE-Japoni.

BERLIN (Gjermani) – Presidenti Emmanuel Macron pritet nga kancelari Friedrich Merz.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Vizitë e kryeministrit indian, Narendra Modi.

ROMË (Itali) – Meloni organizon bisedime midis Italisë dhe Algjerisë me presidentin Abdelmadjid Tebboune.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Trump mban fjalim mbi inteligjencën artificiale.

OKB – Mbledhje e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi konfliktin izraelito-palestinez.

CHARM EL-SHEIKH (Egjipt) – 20-vjetori i një serie sulmesh në vendpushimin bregdetar egjiptian.

ZYRIH – Futboll – Kampionati Evropian i Femrave – Gjysmëfinalja Gjermani-Spanjë./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 23/7/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E mërkurë 23 korrik, mot i nxehtë me temperatura deri në 40°C

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në pjesën më të madhe të territorit dhe orë të plota me diell.

Era do të fryjë me drejtim veriperëndim – jugperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era hera-herës do të fitojë shpejtësi 8-12 m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 23/38 Diell
Kukës 22/39 Diell
Lezhë 23/36 Diell
Dibër 21/37 Diell
Durrës 22/38 Diell
Tiranë 27/39 Diell
Elbasan 22/40 Diell
Berat 23/40 Diell
Vlorë 25/38 Diell
Korçë 21/36 Diell
Gjirokastër 21/40 Diell
Sarandë 24/36 Diell

 

 

The post E mërkurë 23 korrik, mot i nxehtë me temperatura deri në 40°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend

22 July 2025 at 22:43

DAMASK, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Një komision hetimor sirian konfirmoi sot se 1 426 persona, kryesisht civilë, përfshirë shumë anëtarë të komunitetit alavi,  janë vrarë gjatë një vale dhune në provincat bregdetare të vendit, mes datave 6 dhe 9 mars.

Sipas zëdhënësit të komisionit, Yasser al-Farhan, përplasjet filluan kur njësi të grupeve të armatosura të lidhura me diktatorin e rrëzuar Bashar al-Asad ndërmorën sulme të koordinuara kundër forcave qeveritare në Latakia, Tartus dhe Hama, duke vrarë 238 ushtarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.

Ndër viktimat ishin edhe 90 gra, shumica prej tyre civile të paarmatosura, tha komisioni në një konference  shtypi në Damask.

Sulmuesit u përshkruan si grupe të organizuara dhe të paligjshme, besnike ndaj regjimit të përmbysur të Asadit, që tani veprojnë në mënyrë të pavarur dhe kundërshtojnë autoritetet në këtë fazë tranzicioni .

“Këto grupe ndërmorën sulme në shkallë të gjerë kundër objektivave ushtarake dhe të sigurisë, bllokuan rrugë dhe përdorën armë të rënda ”, tha al-Farhan.

Qeveria e re ndërmori një operacion ushtarak për të shtypur dhunën.

Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, një organizatë me bazë në Britani, vlerësoi në atë kohë se mbi 1 600 persona, kryesisht nga pakica alavite, ishin vrarë gjaë trazirave.

Më shumë se gjashtë muaj pas rrëzimit të ish presidentit Asad nga një aleancë rebele e udhëhequr nga elemente islamikë, dhuna vazhdon të tronditë edhe jugun e Sirisë, ku forcat  druze të milicisë po përplasen me grupe fisnore sunite beduine të mbështetura nga Damasku.

Megjithëse Presidenti Ahmad al-Sharaa është zotuar të mbrojë pakicat, kritikët e akuzojnë qeverinë e tij për arrestime simbolike dhe mungesë përgjegjësie. /Ad.Ab./

Bottom of Form

 

The post SIRI – Më shumë se 1 400 të vrarë gjatë dhunës së marsit në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Uashingtoni kërkon zgjatje të negociatave tregtare me Kinën

22 July 2025 at 22:31

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH – DPA/ – Shtetet e Bashkuara duan të diskutojnë një zgjatje të afatit për mosmarrëveshjen tarifore me Kinën, deklaroi sot sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent.

“Do të jem në Stokholm të hënën dhe të martën me homologët e mi kinezë dhe do të punojmë për atë që ka shumë gjasa të jetë një zgjatje. Mendoj se tregtia është në një pozicion shumë të mirë me Kinën”, tha Bessent në një intervistë për transmetuesin amerikan Fox Business.

Afati aktual pritet të skadojë më 12 gusht, pasi tarifat ishin reduktuar për 90 ditë për të lejuar zhvillimin e negociatave mes dy vendeve.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur në disa hapa tarifat ndëshkuese ndaj importeve kineze në SHBA deri në 145%. Pekini, nga ana tjetër, u kundërpërgjigj me tarifa të veta prej 125% dhe vendosi kontrolle eksporti për mineralet e rralla me rëndësi industriale dhe magnetët e prodhuar prej tyre.

Njëkohësisht, Bessent rikonfirmoi afatin e mëparshëm të 1 gushtit për konfliktin tarifor me vendet e tjera, duke deklaruar se SHBA-ja planifikon të vendosë tarifa me nivele të ndryshme për importet nga këto vende. “Ky afat është mjaft i prerë”, tha Bessent.

I pyetur nëse kjo vlen edhe për BE-në, ai konfirmoi se afati zbatohet për të gjitha vendet.

Komisioni Evropian ka qenë duke negociuar me Uashingtonin për çështjen e tarifave prej disa kohësh. Trump kishte paralajmëruar tarifa prej 30% për importet e produkteve nga BE duke filluar nga 1 gushti.

Në rast se SHBA zbaton nivelin e ri të tarifave, BE-ja planifikon të kundërpërgjigjet me tarifa të tjera. /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Uashingtoni kërkon zgjatje të negociatave tregtare me Kinën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjermani – Merz dhe Fiala kërkojnë një zgjidhje evropiane për sigurinë kufitare

22 July 2025 at 22:07

BERLIN, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Gjermania dhe Republika Çeke ranë dakord që kontrollet në kufirin e përbashkët duhet të jenë vetëm të përkohshme, deklaruan kancelari Friedrich Merz dhe kryeministri Petr Fiala pas një takimi sot në Berlin.

“Ne duam një zgjidhje evropiane”, siguroi Merz. “Por përderisa nuk jemi në gjendje të mbrojmë më mirë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, duhet të kryejmë kontrolle në kufijtë e brendshëm evropianë”.

Gjermania dhe Çekia ndajnë një kufi prej më shumë se 800 kilometrash. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, urdhëroi intensifikimin e kontrolleve në këtë kufi vetëm pak orë pasi mori detyrën në fillim të majit.

Për shkak të migracionit të parregullt, Fiala shprehu mirëkuptim për qasjen gjermane. Megjithatë, ai theksoi se në vend të kontrolleve kufitare, duhet të ketë një zgjidhje afatgjatë për kufirin e jashtëm të BE-së.

“Një zgjidhje afatgjatë duhet të jetë një zgjidhje evropiane, në mënyrë që të mund të vazhdojmë të kalojmë lirshëm kufijtë e brendshëm të BE-së”. /Ad.Ab./

The post Gjermani – Merz dhe Fiala kërkojnë një zgjidhje evropiane për sigurinë kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato: Programi “EU4Culture” në mbështetje të artistëve

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato vlerësoi sot se programi “EU4Culture” nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve, por edhe me kremtimin e jetës së artistëve.

I pranishëm në aktivitetin e organizuar nga organizata “Tek Bunkeri” me artistin Lulzim Beqiri, ambasadori Gonzato u shpreh se “të vësh drejtësi për ata që vuajtën brutalitetin e regjimit komunist ka të bëjë me rikthimin e shpresës, rikthimin e njerëzimit, por edhe me rikthimin e kreativitetit”.

“Kur dy nga pikturat, të cilat ishin konfiskuar, iu rikthyen, Lulzim Beqiri gjeti një frymë të re në jetën e tij artistike. Jam krenar që shoh se EU4Culture nuk ka të bëjë vetëm me restaurimin e monumenteve. Ka të bëjë edhe me kremtimin e jetës së artistëve jashtëzakonisht të guximshëm si Lulzimi”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

1 nga 3

/m.m/r.e/

The post Gonzato: Programi “EU4Culture” në mbështetje të artistëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 22 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

UASHINGTON – Trump: SHBA mund të sulmojë sërish vendet bërthamore të Iranit, nëse është e nevojshme

22 July 2025 at 21:58

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH/-  Do të sulmojmë sërish, nëse është e nevojshme, paralajmëroi presidenti i SHBA-së Donald Trump, pasi ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani nuk do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor, sipas Euronews.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të godasin sërish objektet bërthamore të Iranit nëse është e nevojshme.

Reagimi i Trump erdhi pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha për “Fox News” se Teherani nuk mund të hiqte dorë nga programi i pasurimit bërthamor, edhe pse objektet bërthamore ishin dëmtuar nga bombardimet amerikane, muajin e kaluar.

“Programi është ndalur sepse dëmet janë të mëdha dhe të rënda. Por padyshim, ne nuk mund të heqim dorë nga pasurimi sepse është një arritje e shkencëtarëve tanë.Dhe tani, edhe më shumë, është çështje krenarie kombëtare”, tha Araghchi.

“Sigurisht që janë të dëmtuara, dhe ne do ta bëjmë sërish, nëse është e nevojshme”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social” – duke iu referuar deklaratës së Araghchi.

Sulmet amerikane më 22 qershor goditën tre vende të pasurimit bërthamor iranian — Fordow, Natanz dhe Isfahan — gjatë konfliktit 12-ditor të Izraelit me Iranin.

Disa ditë pasi u njoftua një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Trump pretendoi se sulmet e Uashingtonit kishin “shkatërruar plotësisht” vendet bërthamore të Iranit.

Megjithatë, pretendimi i Trump u vu në pikëpyetje kur një raport i mëvonshëm i inteligjencës amerikane zbuloi se programi bërthamor i Iranit ishte shtyrë vetëm disa muaj pas.

Shtëpia e Bardhë e kundërshtoi me vendosmëri vlerësimin, duke e quajtur atë “krejtësisht të gabuar”.

Pas paralajmërimit të Trump në media sociale – Irani njoftoi se do të zhvillonte bisedime të reja të premten me vendet evropiane mbi programin e tij bërthamor.

Takimi në Stamboll do të jetë i pari që nga arritja e armëpushimit Izrael-Iran në fund të muajit të kaluar dhe vjen pas diskutimeve të ngjashme në qytetin turk, në maj.

Bisedimet do të përfshijnë zyrtarë nga Irani, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – të njohura si vendet E3 – dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

“Tema e bisedimeve është e qartë, heqja e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor paqësor të Iranit”, tha dje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 – të hartuar për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit – e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), Teherani ra dakord për kufizime të ashpra në programin e tij bërthamor – në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve ndërkombëtare. //a.i/

The post UASHINGTON – Trump: SHBA mund të sulmojë sërish vendet bërthamore të Iranit, nëse është e nevojshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Efektivët në Korçë shpëtojnë të moshuarin nga zjarri, Proda: Misioni i Policisë në mbrojtje të jetës

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda falënderoi sot punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan një të moshuar që ishte rrethuar nga zjarri dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej, në një lagje periferike të Korçës.

Në një mesazh falënderimi, Proda vlerësoi këtë akt fisnik, që sipas tij, “tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës”.

“Të nderuar kolegë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari. Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar të moshuar, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej”, u shpreh Proda.

Proda siguroi se “shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira”.

“Ju falënderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm që dhatë dhe për nderin që i bëtë uniformës sonë. Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia”, tha Proda.

/m.m/r.e/

The post Efektivët në Korçë shpëtojnë të moshuarin nga zjarri, Proda: Misioni i Policisë në mbrojtje të jetës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet pikë e përkohshme kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, njoftoi sot për hapje për qarkullim të përkohshëm (sezonal) të PKK Strazimir, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit, kjo pikë do të jetë e hapur nga data 25 korrik deri më 25 shtator 2025.

“Pika e Kalimit Kufitar e përcaktuar me këtë Vendim hapet për aktivitet dhe manifestime kulturore, shkencore, profesionale, sportive dhe/apo turistike”, thuhet në vendim.

/KosovaPress/

The post Hapet pikë e përkohshme kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve në Dibër, shpëtohet bariu në Gurë-Lurë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes ka angazhuar forca shtesë në aksionet për shuarjen e zjarreve në Dibër.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një takim në Prefekturën e qarkut Dibër për të folur mbi situatën e zjarreve.

Vengu theksoi se ndërhyrja nga ajri, nga forcat shqiptare dhe ato italiane, ka mundësuar uljen e intensitetit të vatrave, veçanërisht në Lurë dhe në zonën e Zall-Gjoçajt.

“Fatmirësisht nuk ka rrezik për zonat e banuara, por jemi në terren për të ndjekur hap pas hapi çdo situatë”, u shpreh ministri Vengu.

Vengu bëri të ditur se gjatë pasdites, ndërhyrja e shpejtë e Forcave të Armatosura dhe atyre të bashkisë mundësoi lokalizimin dhe shpëtimin e një bariu dhe bagëtive që u rrezikuan nga përhapja e zjarrit në Gurë-Lurë.

Ministri falenderoi shërbimet Zjarrfikëse, trupën e emergjencave civile dhe Forcat e Armatosura që mbeten në front të parë.

“Rritja e temperaturave, kërkon monitorim të shtuar dhe alertim të menjëhershëm, veçanërisht në zonat malore dhe pyjore të ekspozuara”, u shpreh ai.

/m.m/r.e/

The post Vengu: Ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarreve në Dibër, shpëtohet bariu në Gurë-Lurë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit

22 July 2025 at 21:23

LEJPSIG, 22 korrik /ATSH-DPA/ – Dyzetë e tre persona u deportuan sot nga Gjermania drejt Bagdadit, konfirmoi Ministria e Brendshme, duke shënuar fluturimin e parë të tillë që nga muaji shkurt.

Ministri i Brendshëm, Alexander Dobrindt, i cili është shfaqur në mbështetje të një qasjeje më të ashpër ndaj migracionit, deklaroi për gazetën “Bild” se ky fluturim është pjesë e politikave të tij të reja, ndërsa vazhdon të kërkojë më shumë riatdhesime, marrëveshje me vende të tjera dhe një luftë më të fortë kundër trafikantëve të njerëzve.

Sipas autoriteteve në landin e Thuringisë, 43 personat  që ndodheshin në bord kishin detyrim ligjor për të lënë vendin. Të gjithë ishin të pamartuar dhe disa prej tyre kishin dënime penale.

Një fotograf i agjencisë DPA përshkroi përgatitjet e policisë për nisjen e fluturimit, ku pasagjerët u transportuan me automjete policie dhe dy autobusë të mëdhenj të aeroportit. Secili pasagjer u shoqërua veçmas nga një oficer policie deri në avion.

Pas uljes në kryeqytetin irakian, pasagjerët kaluan disa procedura të emigracionit, sipas burimeve nga aeroporti.

Transferimi u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në Irak, megjithatë mbeti e paqartë se ku do të dërgoheshin peesonat pas hyrjes në vend.

Sipas Ministrisë së Brendshme gjermane, vitin e kaluar janë deportuar 816 irakianë. Disa janë dërguar në vende të tjera të BE-së për përpunimin e kërkesave për azil, ndërsa 615 janë dërguar direkt në Irak.

Sipas OKB-së, 1,2 milionë irakianë janë të zhvendosur brenda vendit dhe rreth 3 milionë varen nga ndihma humanitare. Shumë prej të kthyerve kanë vështirësi të përmbushin nevojat bazë për jetesë.

Në një sondazh të kryer nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) në vitin 2023, pothuajse gjysma e migrantëve të kthyer në Irak thanë se dëshironin të largoheshin përsëri nga vendi brenda gjashtë muajve. /Ad.Ab./

The post GJERMANI – Dyzet e tre irakianë deportohen drejt Bagdadit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Sfidat e migracionit të parregullt”, Muzhaqi dhe ambasadori Abbot takim me të rinjtë

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ “Rrënjët e Mia” titullohet Konkursi Kombëtar ku të rinjtë shprehën përmes fotografisë artin e tyre, të cilin e shndërruan në zë për identitetin, komunitetin dhe sfidat e migracionit.️

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Nicholas Abbot dhe drejtoresha e IOM Albania, Alma Jani zhvilluan sot një takim me të rinjtë pjesëmarrës në këtë konkurs.

Në fokus të takimit ishin sfidat e migracionit të parregullt dhe rëndësia e krijimit të mundësive për ta zhvilluar të ardhmen pranë vendit.

Përmes fotografisë të rinjtë shprehën lidhjen me identitetin dhe komunitetin, duke reflektuar mbi sfidat e migracionit të parregullt dhe mundësitë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre.

“Një nismë frymëzuese për përfshirjen rinore, në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve Institucionale Vendore për Migracionin në Shqipëri”, mbështetur nga Qeveria”, u shpreh ministrja Muzhaqi.

/m.m/r.e/

The post “Sfidat e migracionit të parregullt”, Muzhaqi dhe ambasadori Abbot takim me të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU JORK – OKB: Mbi 1000 të vrarë pranë qendrave të ndihmës në Gazë që nga maji

22 July 2025 at 21:03

LONDËR, 22 korrik /ATSH/- Më shumë se 1000 njerëz janë vrarë nga ushtria izraelite ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim në Gazë – që kur sistemi i shpërndarjes së Fondacionit Humanitar të Gazës – i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli filloi në maj, tha OKB-ja, sipas BBC.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se që nga 21 korriku ka regjistruar 1 054 njerëz të vrarë në Gazë – ndërsa përpiqeshin të merrnin ushqim, nga të cilët 766 u vranë “në afërsi” të vendeve të GHF-së, dhe 288 pranë konvojeve të ndihmës së OKB-së dhe organizatave të tjera humanitare.

“Të dhënat tona bazohen në informacione nga burime të shumta të besueshme në terren, duke përfshirë ekipet mjekësore, organizatat humanitare dhe të të drejtave të njeriut. Ato janë duke verifikuar në përputhje me metodologjinë tonë të rreptë”, tha organizata.

Si Izraeli ashtu edhe GHF-ja kanë kontestuar numrin e të vdekurve, dhe si Izraeli ashtu edhe SHBA-ja thonë se sistemi është i nevojshëm për të ndaluar Hamasin që të vjedhë ndihmat.

OKB-ja refuzon të bashkëpunojë me GHF-në, duke e përshkruar krijimin e tij si joetik.

Britania e Madhe dhe 27 vende të tjera kanë bërë thirrje për një përfundim të menjëhershëm të luftës në Gaza.

Sipas deklaratës së përbashkët, modeli i ofrimit të ndihmës nga Izraeli është i rrezikshëm.

Ministria e Jashtme e Izraelit e hodhi poshtë deklaratën e 28 vendeve, duke thënë se ishte ajo e shkëputur nga realiteti dhe se i dërgonte mesazhin e gabuar Hamasit.//a.i/

The post NJU JORK – OKB: Mbi 1000 të vrarë pranë qendrave të ndihmës në Gazë që nga maji appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌