Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 18 July 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Trump kërkon tarifa minimale deri në 20% ndaj BE-së

18 July 2025 at 22:48

UASHINGTON, 18 korrik /ATSH/- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump po kërkon një tarifë minimale prej 15%-20% për importet nga Bashkimi Evropian, raportoi sot “Financial Times”.

Sipas tre personave të informuar për bisedimet tregtare midis SHBA-së dhe bllokut, Trump ka përshkallëzuar kërkesat e tij pas disa javësh negociatash mbi një marrëveshje të mundshme kornizë.

Me më pak se dy javë deri në afatin e 1 gushtit të Trump, bisedimet midis dy fuqive duket se kanë ngecur.

BE-ja shpresonte për një marrëveshje të ngjashme me atë të Britanisë së Madhe – e cila mbajti një tarifë bazë prej 10% me disa përjashtime në disa sektorë.

Trump shpesh është ankuar për suficitin tregtar prej 198 miliardë eurosh (231 miliardë dollarë) të SHBA-së me BE-në.

Nga ana e tyre, zyrtarët e Bashkimit Evropian thanë se tregtia është shumë më e balancuar kur merren parasysh shërbimet dhe investimet. Ata gjithashtu janë zotuar të rrisin blerjet e naftës dhe gazit për të ngushtuar hendekun tregtar. //a.i/

 

The post SHBA – Trump kërkon tarifa minimale deri në 20% ndaj BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Eurostat: Evropianët punojnë mesatarisht 37,2 vjet gjatë jetës së tyre

BRUKSEL, 18 korrik /ATSH-AA/ – Një person në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) punon mesatarisht 37,2 vjet, sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat) për vitin 2024

Të dhënat përfshijnë individët mbi moshën 15 vjeç dhe tregojnë se kohëzgjatja mesatare e jetës së punës në BE është rritur me 2,4 vjet në dekadën e fundit.

Ndër vendet anëtare, Holanda ka periudhën më të gjatë të punës, ku një individ punon mesatarisht 43,8 vjet. Pas saj renditen Suedia me 43 vjet, Danimarka me 42,5 vjet, Estonia me 41,4 vjet, Irlanda me 40,4 vjet, Gjermania me 40 vjet dhe Finlanda me 39,8 vjet.

Ndërkohë, kohëzgjatja më e shkurtër e punës është regjistruar në Rumani me 32.7 vjet, Itali me 32,8 vjet, dhe Kroaci, Greqi e Bullgari me nga 34,8 vjet. Në Belgjikë, kjo periudhë është 35 vjet.

Për meshkujt në BE, periudha mesatare e punës është 39,2 vjet. Në Holandë, meshkujt punojnë 45,7 vjet, në Danimarkë 44,2 vjet dhe në Suedi 40 vjet. Nga ana tjetër, meshkujt në Rumani punojnë 35,9 vjet, ndërsa në Kroaci dhe Bullgari 36 vjet.

Për femrat, mesatarja në BE është 35 vjet. Ato punojnë më gjatë në Estoni me 42,2 vjet, në Suedi me 42 vjet dhe në Holandë me 41,8 vjet. Koha më e shkurtër e punës për femrat është në Itali me 28,2 vjet, në Rumani me 29,2 vjet dhe në Greqi me 31,1 vjet.

Sipas Eurostatit, në Turqi një individ punon mesatarisht 30,2 vjet, një vlerë më e ulët se mesatarja e BE-së. Meshkujt në Turqi punojnë mesatarisht 39,3 vjet, ndërsa femrat 20,7   vjet.  /os/

The post BRUKSEL – Eurostat: Evropianët punojnë mesatarisht 37,2 vjet gjatë jetës së tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, gjatë një interviste sot në media, shprehu besim të plotë në suksesin e “Paketës së Maleve”, duke e cilësuar atë si një nga nismat më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonave të thella malore.

Sipas Denaj, kjo paketë nuk kufizohet vetëm në lehtësimin e dokumentacionit të pronësisë, por përfaqëson një hap strategjik për rigjallërimin e ekonomisë rurale nëpërmjet nisjes së 500 bizneseve të para që do të përfitojnë përjashtim nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

“Jam shumë shpresëplotë tek ‘Paketa e Maleve’. Nuk është thjesht për dokumentin e pronësisë, ai është vetëm hapi i parë. Nëse kjo shoqërohet me 500 biznese me zero taksa për 10 vite, dhe këto biznese janë në përputhje me madhësinë reale të fermave në Shqipëri, atëherë ne mund të rrisim reputacionin, vlerën dhe punësimin në zonat malore”, u shpreh Denaj.

Ministrja theksoi se procesi i integrimit në Bashkimin Europian është shtylla kryesore e mandatit qeverisës, ndërsa përafrimi i legjislacionit me standardet e BE-së kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe një administratë të përgatitur.

“Bujqësia është pjesë e rëndësishme e negociatave me BE-në. Meraku ynë më i madh është përmbushja në kohë e të gjitha ligjeve të kërkuara nga ky proces”, deklaroi ajo.

Një ndër pengesat më të mëdha, sipas Denajt, është mungesa e burimeve njerëzore të specializuara, për shkak edhe të largimit në pension të specialistëve me përvojë shumëvjeçare.

Ajo propozon përfshirjen aktive të studentëve të vitit të fundit në praktika profesionale, si një mundësi për të rritur kapacitetet dhe për të siguruar brez të ri profesionistësh.

“Kemi vendosur kuota të qarta, të paktën 100 deri në 150 studentë të viteve të fundit të angazhohen për praktika në ministri, me qëllim punësimin e tyre të mëvonshëm”, theksoi Denaj.

Ministrja theksoi se vetëm me një qasje të kombinuar midis politikave zhvillimore, përkrahjes financiare dhe investimit te kapitali njerëzor, mund të përmbyllen me sukses objektivat e “Paketës së Maleve” dhe të përafrimit me Bashkimin Europian.

/r.e//a.f/

The post Denaj: “Paketa e Maleve”, çelësi për zhvillimin rural, 500 biznese me zero taksa appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Të gjithë inspektorët e AKU-së në “filtër”, është ngritur komisioni

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi sot se inspektimet në fushën e sigurisë ushqimore do të pësojnë një ristrukturim të thellë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe ligjin e ri “Për inspektoratin”, i cili ka hyrë në fuqi më 13 maj 2024.

Në një intervistë në medie, ministrja theksoi se kontrollet në subjekte nuk do të kryhen më në mënyrë të papritur apo të njëanshme, por vetëm mbi bazë risku, duke u mbështetur në të dhëna të verifikueshme në sistem.

“Nuk mund të shkojë asnjë inspektor nëse të dhënat në sistem nuk tregojnë rrezik. Kontrolli duhet të bëhet me paralajmërim, me komunikim dhe me dinjitet. Vetëm nëse nuk merren masa, atëherë vendosen gjoba”, tha Denaj.

Ministrja nënvizoi se Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) nuk do të mbyllet menjëherë, por funksionet e saj do të përthithen gradualisht nga Inspektorati Qendror i Ministrisë së Bujqësisë, një strukturë e re që do të integrojë kontrollet për analizat e produktit final në treg, inspektimet veterinare, kontrollin e bimëve dhe sigurinë në sektorin e peshkimit.

“Ne kemi pasur ankesa për sjelljen e inspektorëve dhe jo gjithmonë ka pasur standarde të duhura. Ka ardhur koha për një riorganizim tërësor”, shtoi ajo.

Ministrja Denaj bëri të ditur se është ngritur tashmë një Komision i Posaçëm Vlerësimi, i cili do të analizojë profilin e çdo punonjësi të AKU-së. Komisioni përbëhet nga tre përfaqësues të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) dhe dy përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë.

“Komisioni do të analizojë formimin, performancën, përvojën dhe do të japë rekomandime konkrete mbi riorganizimin e strukturave ekzistuese në frymën e re të Inspektoratit Qendror. Kjo është një reformë në shërbim të sigurisë ushqimore dhe qytetarëve”, theksoi Denaj.

Ajo konfirmoi se deri në fund të vitit 2024 është detyrim ligjor që të përmbyllet procesi i reformimit të inspektimeve në të gjithë territorin, në linjë me praktikat më të mira evropiane dhe me synimin për të rritur besueshmërinë dhe efektivitetin e kontrolleve në sektorin ushqimor.

/a.f//r.e/

The post Denaj: Të gjithë inspektorët e AKU-së në “filtër”, është ngritur komisioni appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet thirrja për përzgjedhjen e filmit që do të garojë në “International Feature Film” në Oscars 2026

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Qendra Kombëtare e Kinematografisë (QKK) shpalli zyrtarisht thirrjen për paraqitjen e kandidaturave shqiptare në kategorinë “International Feature Film”, për edicionin e 98-të të çmimeve OSCAR, që do të zhvillohet në vitin 2026.

QKK fton të gjitha shtëpitë kinematografike dhe producentët shqiptarë që të dorëzojnë filmat e tyre pranë institucionit, si pjesë e procesit të përzgjedhjes së përfaqësuesit zyrtar të Shqipërisë për këtë kategori prestigjioze.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve është data 1 gusht 2025, dhe aplikimi duhet të bëhet pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, sipas kritereve dhe dokumentacionit të parashikuar.

/a.f//r.e//a.f/

The post Hapet thirrja për përzgjedhjen e filmit që do të garojë në “International Feature Film” në Oscars 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mazniku: Zhvillimi i Thethit duhet të vijë nga banorët lokalë, në përputhje me rregullat

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë një interviste në media sot, foli rreth situatës së fundit në zonën e Thethit, ku janë ndërmarrë aksione për shembjen e ndërtimeve pa leje.

Mazniku theksoi se shumica e ndërtimeve të paligjshme janë ngritur gjatë muajve të fundit, duke nënvizuar se legalizimet dhe faljet e gjobave nuk duhen interpretuar si leje për të ndërtuar në mënyrë të pakontrolluar.

“300 e kusur ndërtesa në Theth janë legalizuar me iniciativën e kryeministrit. Por kjo nuk është arsye që të ndërtohet në çdo hapësirë të mundshme. Premtimi për faljen e gjobave ka qenë i qartë, për një periudhë të caktuar, jo për vazhdimësi të paligjshmërisë”, tha Mazniku.

Ministri bëri të ditur se qeveria po zhvillon një plan specifik për Thethin, që synon ta kthejë atë në një destinacion turistik të standardeve të larta, pjesë e strategjisë më të gjerë të “Paketës së Maleve”, që mbulon të gjitha zonat malore të vendit.

“Synimi ynë nuk duhet të jetë të bëjmë 100 gjëra më shumë në Theth, por të krijojmë 100 Thethe të tjera në zona të ndryshme malore në Shqipëri. Kjo do të ndihmojë në shpërndarjen e turizmit dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, deklaroi Mazniku.

I pyetur nëse ka investitorë të huaj të përfshirë në ndërtimet në Theth, Mazniku u shpreh se nuk ka informacion për këtë dhe theksoi se prioritet i qeverisë është që zhvillimi duhet të vijë nga vetë banorët lokalë, të cilët duhet të përfitojnë drejtpërdrejt.

“Qëllimi ynë është që banorët të jenë përfituesit kryesorë të zhvillimit. Por ky zhvillim duhet të bëhet në përputhje me planet urbanistike, infrastrukturën, rrjetet e ujësjellësit dhe standardet mjedisore”, theksoi ministri.

Mazniku nënvizoi se institucionet do të vijojnë të jenë të kujdesshme për të garantuar që zhvillimi në zonat me vlerë të lartë natyrore të mos shkojë në kurriz të ligjshmërisë dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

/r.e//a.f/

The post Mazniku: Zhvillimi i Thethit duhet të vijë nga banorët lokalë, në përputhje me rregullat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hidhet shorti i kampionatit “Abissnet Superiore 2025/2026”, zbardhet kalendari i plotë i ndeshjeve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” është hedhur sot shorti për kalendarin e kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin 2025/2026.

Të pranishëm në hedhjen e shortit ishin përfaqësuesit e klubeve të kampionatit “Abissnet Superiore” dhe përfaqësues të medias.

Ceremonia e shortit u drejtua nga shefi i Departamentit të Garave në FSHF, Marjus Sulejmani, dhe java e parë premton menjëherë emocione, pasi goglat rezervuan përballjen finale të sezonit të kaluar në “Abissnet Superiore”.

Java e parë e kampionatit “Abissnet Superiore”, sezoni 2025–2026:

Partizani – Vora
Teuta – Dinamo City
Vllaznia – Egnatia
AF Elbasani – Flamurtari
Bylis – Tirana

Kampionati “Abissnet Superiore” do të ngrejë siparin më 23 gusht.

Më poshtë gjeni kalendarin e plotë me të gjitha sfidat:

Kalendari i kampionatit Abissnet Superiore sezoni 2025-2026

The post Hidhet shorti i kampionatit “Abissnet Superiore 2025/2026”, zbardhet kalendari i plotë i ndeshjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani takon Limajn në prag të seancës së re për konstituim të Kuvendit

PRISHTINË, 18 korrik/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar të premten takim me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pak para seancës parlamentare të së shtunës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Deri më tani, 48 përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.

“Ky takim vjen në prag të përfundimit të afatit kushtetues të përcaktuar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, i cili obligon deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve, konkretisht deri më 26 korrik”, është thënë në një komunikatë të lëshuar nga Presidenca.

Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, por ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.

Presidentja Osmani është cituar të ketë thënë se zbatimi i këtij aktgjykimi është detyrim i qartë kushtetues dhe e ka potencuar rëndësinë që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të veprojnë në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, me qëllim të arritjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për konstituimin e Kuvendit.

Palët janë takuar një ditë pasi deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka thënë se pret që kryetari i partisë, Fatmir Limaj, të takohet me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për një marrëveshje të mundshme në fundjavë.

“Presim që në fundjavë të ketë një epilog pozitiv, pra shpresojmë se këto bisedime që kanë vazhduar me muaj të tërë, të prodhojnë rezultat dhe Kosova të ketë institucione”, ka thënë Izmaku për gazetarë.

Sipas saj, temë e bisedimeve është që Limaj të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, duke shtuar se “më në fund dikush po del mbi egot personale dhe partiake, e ky duket që do të jetë zoti Limaj pra, sepse nga fillimi e ka ndryshuar diskursin në këtë vend”.

Në Kuvendin e Kosovës me 120 ulëse, nevojiten 61 vota për të votuar me sukses emrin e ri të kryetarit të Parlamentit.

Lëvizja Vetëvendosje, si fituesja e më së shumti votave në zgjedhjet e 9 shkurtit, i ka 48 ulëse në Kuvend, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 24, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9 dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.

Vetëm Nisma Socialdemokrate i ka tre deputetë në Kuvend. Përveç Limajt kjo parti përfaqësohet nga Xhevahire Izmaku dhe Arbëreshë Kryeziu.

Ministri në detyrë i Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetari i Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, ka sinjalizuar më parë se shtatë deputetë të pakicave joserbe do të votonin pro konstitutimit të Kuvendit të ri dhe një qeverie të re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në një skenar kur Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e Nismës dhe shtatë të pakicave do të votonin për konstituim të Kuvendit, do të duheshin edhe tri vota për finalizim të procesit me sukses.

Deri më tani, deputetët e pakicave, Duda Balje, Veton Berisha dhe Adem Hoxha janë deklaruar se nuk ofrojnë mbështetje pa u plotësuar kushtet e tyre.

Rreziku i një situate të paprecedentë në Kosovë pas afatit të 26 korrikut

Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në javën e ardhshme, nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohet brenda këtyre ditëve.

Situata është bllokuar pasi Partia Demoratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës , Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe nuk pranojnë të propozojnë nga një kandidat për formim të një komisioni për votim të fshehtë, me arsyetimin se mënyra e ndryshimit të votimit nga kryesuesi i seancës Avni Dehari është jokushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon që për Albulena Haxhiun – të propozuar për kryeparlamentare – të votohet vetëm një herë përmes votimit të fshehtë dhe nëse nuk i siguron 61 votat e nevojshme, ajo do të tërhiqet nga gara.

Ajo nuk i ka siguruar votat e nevojshme në disa seanca radhazi që janë mbajtur me votim të hapur. Për disa parti, ajo është figurë përçarëse dhe e papranueshme.

Pjesëtarë të shoqërisë civile kanë protestuar disa herë para ndërtesës së Kuvendit duke i thirrur deputetët në përgjegjësi.

/REL/

The post Osmani takon Limajn në prag të seancës së re për konstituim të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Ngarkesa tropikale me efekte… jo natyrale!

KOPENHAGEN, 18 korrik /ATSH-AA/ – Një sasi e konsiderueshme kokaine është zbuluar në dërgesat e bananeve në shumë supermarkete daneze.

Sipas raportit nga transmetuesi publik DR, punonjësit në 12 dyqane me pakicë të kompanisë “Coop” zbuluan drogën e fshehur midis tufave të bananeve në fillim të kësaj jave.

Njësia Kombëtare për Krime Speciale (NSK) e Danimarkës ka nisur një hetim për të përcaktuar se si kokaina përfundoi në dërgesat e rregullta të supermarketeve.

Profesori dhe kriminologu i Universitetit të Kopenhagenit, Henrik Cigh, tha se përdorimi i bananeve për kontrabandën e kokainës është pjesë e një trendi në rritje.

Për shkak të natyrës së prishjes së frutave, kontejnerët me banane shpesh kalojnë shpejt nëpër dogana, duke i bërë ato një mbulesë tërheqëse për trafikantët.

Raporti theksoi se incidente të ngjashme së fundmi kanë ndodhur edhe në Gjermani dhe Norvegji. Vitin e kaluar, 95 kilogramë u gjetën në banane në Gjermani, ndërsa në dhjetor të vitit 2023 u sekuestruan 134 kilogramë në Norvegji.

Në kuadër të hetimit aktual, një punonjës 37-vjeçar i supermarketeve “Coop” u mor në paraburgim pasi një kilogram kokainë u gjet në makinën e tij. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse rasti është i lidhur drejtpërdrejtë me sekuestrimet në supermarkete.   /os/

The post SOFT NEWS – Ngarkesa tropikale me efekte… jo natyrale! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Garancia Sovrane, mundësi financimi për bizneset në bujqësi me norma interesi të ulëta

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, në një intervistë për mediet sot, analizoi paketën e garancisë sovrane të ofruar nga qeveria shqiptare për sektorin e bujqësisë, duke theksuar se ajo krijon kushte reale për akses të bizneseve të vogla dhe të mesme në financime me norma interesi të favorshme.

“Kemi prezantuar kredinë e butë, një risi për Shqipërinë, e cila mundësohet për herë të parë nga bankat e nivelit të dytë, në një shumë prej 250 milionë eurosh. Kjo i kontribuon drejtpërdrejt rritjes së aksesit në financë për bizneset e vogla dhe të mesme, që prej 15 janarit të këtij viti”, u shpreh ministrja Denaj.

Sipas saj, kredia e butë ofrohet me një normë interesi që varion nga 2% deri në 3,5%, ndjeshëm më e ulët se norma mesatare e tregut të kredive në vend.

“Kjo është një mbështetje reale për ata që nuk kanë pasur mundësi të financohen më parë në kushte të pranueshme”, theksoi ministrja.

Ministrja Denaj vlerësoi gjithashtu përkushtimin e qeverisë në vendosjen e aksesit në financë si një prioritet, sidomos për sektorin e bujqësisë. “Fermerët kanë pasur vështirësi për të marrë financime, por kjo paketë e re ndryshon ndjeshëm situatën dhe i jep hov zhvillimit rural dhe bujqësor të vendit”, deklaroi ajo.

/r.e//a.f/

The post Denaj: Garancia Sovrane, mundësi financimi për bizneset në bujqësi me norma interesi të ulëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Shqipëria e Bukur”, Rama ndan pamje nga Bjeshkët e Oroshit


TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga Bjeshkët e Oroshit, Kryezi dhe Fushë-Arrëz, në kuadër të rubrikës së përditshme “Shqipëria e Bukur”, që synon të promovojë vlerat natyrore dhe turistike të vendit.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri ka publikuar video që pasqyrojnë peizazhet mahnitëse të kësaj zone malore, të njohur për natyrën e virgjër, pasuritë pyjore dhe bukurinë e saj të rrallë.

Rubrika “Shqipëria e Bukur” vijon të sjellë çdo ditë për qytetarët dhe vizitorët imazhe nga zona të ndryshme të vendit, me qëllim rritjen e promovimit të potencialit turistik shqiptar.

/a.f//r.e/

The post “Shqipëria e Bukur”, Rama ndan pamje nga Bjeshkët e Oroshit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla përgëzon Muharrem Salihun për zgjedhjen si president i Confimprese Venezia

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Emërimi i dr. Muharrem Salihut si president i Confimprese Venezia përfaqëson një arritje të rëndësishme për diasporën shqiptare në fushën e sipërmarrjes ndërkombëtare.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, përgëzoi arritjen e tij si dëshmi e kontributit të pazëvendësueshëm të shqiptarëve jashtë vendit.

“Urime sipërmarrësit shqiptar dhe mikut tim të shkëlqyer Muharrem Salihu për zgjedhjen si President i Confimprese Venezia”, u shpreh Balla, teksa vuri në dukje krenarinë që përfaqëson diaspora shqiptare në skenën ndërkombëtare të biznesit.

I diplomuar në Ekonomi dhe Financa në Universitetin e Zugut, në Zvicër, dr. Salihu ka themeluar një grup prej gjashtë kompanish që veprojnë në fushat e prodhimit, shërbimeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai njihet për vizionin e tij sipërmarrës, që vë në plan të parë zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe krijimin e vendeve të punës.

“Qasja e tij sipërmarrëse vë theksin te rritja e qëndrueshme, inovacioni dhe krijimi i vendeve të reja të punës, duke gjeneruar ndikime pozitive si për ekonominë italiane, ashtu edhe për marrëdhëniet ekonomike euro-ballkanike. Urime, vëlla! Shumë krenar për diasporën tonë,” u shpreh ministri Balla, duke e cilësuar Salihun si një model frymëzues të suksesit shqiptar në botë.

Ky emërim nuk është vetëm një vlerësim personal për Salihun, por edhe një dëshmi e qartë e potencialit që diaspora shqiptare ka për të forcuar marrëdhëniet ekonomike në nivel ndërkombëtar.

/a.f//r.e/

The post Balla përgëzon Muharrem Salihun për zgjedhjen si president i Confimprese Venezia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një rrugë e gjatë

18 July 2025 at 20:01

BERLIN, 18 korrik /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shuar edhe një herë shpresat e Ukrainës për një anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian, duke paralajmëruar se procesi mund të zgjasë me vite.

“Prioriteti ynë kryesor, tani është të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i dhënë fund kësaj lufte”, tha ai në një takim sot me presidentin rumun, Nicusor Dan, në Berlin.

“Pas kësaj, do të fillojnë bisedimet për rindërtimin e Ukrainës. Ky do të jetë një proces që në fund të fundit mund të çojë në anëtarësimin e Ukrainës në BE, por kjo do të zgjasë disa vite”, shtoi Merz.

Ukraina ka qenë kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2022 dhe kërkon të pranohet shpejt në BE.

“Për sa kohë që Ukraina është nën sulm dhe në gjendje lufte, pranimi në Bashkimin Evropian sigurisht që do të jetë praktikisht i pamundur’, tha kancelari gjerman.

“Megjithatë, qëllimi është ta afrojmë vendin sa më afër BE-së dhe ta lidhim Ukrainën me komunitetin”, tha Merz.

Ukraina ka më shumë se tre vjet që po mbrohet nga pushtimi rus në shkallë të plotë. //a.i/

The post BERLIN – Merz: Anëtarësimi i Ukrainës në BE është një rrugë e gjatë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Në shtator, start up-et e shqiptarëve do të ndryshojnë botën e arkitekturës

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Në përmbyllje të një takimi maratonë me aktorët kryesorë të sektorit të teknologjisë, inovacionit dhe ekosistemit të start up-eve në vend, u ndanë konkluzionet kyçe mbi rrugën e deritanishme, sfidat dhe mundësitë që e presin Shqipërinë në kuadër të vizionit Shqipëria 2030 dhe integrimit europian.

Kryeministri Rama ndër të tjera theksoi se “në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitektëve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht”.

Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama

Shumë faleminderit për këtë ditë, shumë intensive por njëkohësisht edhe plot me gjëra të reja dhe frymëzuese për pjesën tonë, që i përkasin botës reale, jo kësaj botës së re digjitale dhe nga ana tjetër, shumë faleminderit dhe një publicitet 30 sekonda për mikpritësin tonë, kantinën Pupa, që u përpoq sot të tregonte sa të lehtë e ka dorën e që na ofroi gjithë këto faciliteti, ndërkohë që duke qenë se jemi dhe në sezonin turistik, do të përfitoj nga rasati t’ju them të gjithë dashamirësve apo kuriozëve që shtohen dita ditës, të verës shqiptare, se vetëm nga kjo kantinë kanë kaluar 30 mijë degustatorë dhe ndërkohë kjo zonë, Kuçova dhe Berati janë bërë një destinacion i shumë më tepër vizitorëve vetëm për rrugën e kantinave të verës. Publiciteti mbaroi, kthehemi të japim lajmet.

Në radhë të parë dua të them që realisht sot ka pasur shumë brumë në tryezë dhe që realisht nëse do arrijmë të vendosim piketat që kemi diskutuar dhe pastaj bashkërisht të ndjekim një hartë veprimesh, do të arrijmë të krijojmë më të mirën duke u bazuar tek kapaciteti i progresit eksponencial që na ka sjell bota e re e teknologjisë për ta çuar vendin në një nivel krejt tjetër.

Ka qenë kënaqësi edhe për të njohur nga afër disa inovatorë, siç u bë një diskutim midis fjalës inovator dhe novator edhe më prezantuan edhe një dokument të vjetër që ishte shumë tërheqës për qendrën e mendimit novator dhe ka qenë shumë impresionuese të njihesha me disa prej jush në aspektin e aktivitetit aktual, gjëra shumë interesante dhe si rrjedhojë kanë prodhuar një sërë eventesh të tjera që ne do të realizojmë, qoftë për të prezantuar inovacionet tuaja me sektorin e investitorëve, në sektorin e investimeve në ndërtim, në turizëm, qoftë për të pasur një ballafaqim me bankat e nivelit të dytë dhe me Bankën e Shqipërisë për të përcjellë mesazhin tek bankat që janë në kushtet e një prapambetjeje që po e kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër një prapambetje tërësisht e pajustifikuar po të kemi parasysh se tanimë gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar. Të gjitha instrumentet nga ana e sektorit janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por dëmton në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare.

Nga ana tjetër është po kaq e rëndësishme që në Tiranë, në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitekteve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht.

Nuk janë pak këto ashtu sikundër me shume gëzim dhe me shumë përgjegjësi unë do të angazhohem personalisht, natyrisht edhe me strukturat përkatëse për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri me këtë teknologji të re të propozuar nga start-upi në fjalë, muzeun e parë tërësisht me inteligjencën artificiale.

Thënë të gjitha këto, besoj që është e udhës që nga tryezat të bëhen referimet e përmbledhura të temave që u diskutuan. Unë po e nis me tryezën ku mora pjesë, por jo si referenti, por si një nga dëgjuesit dhe natyrisht duke pasur parasysh pjesën që na takon ne si qeveri. Së pari, kemi parë me shumë kënaqësi që ky sektor po bën një përpjekje që mungon ndjeshëm në sektorin privat në tërësi që është përpjekja për ta kuptuar në brendësi dhe për të përfituar në brendësi nga afrimi me BE dhe nga anëtarësimi në BE.

Organizata e krijuar brenda sektorit me një numër të konsiderueshëm anëtarësh po bën një punë domethënëse për të marrë ekspertizën e duhur në mënyrë që t’i krijojë sektorit mundësi përfitimi nga fondet e BE duke paraqitur projekte dhe aplikime të besueshme. Ky është një shembull fantastik për të gjithë sektorin privat që është po aq i prapambetur sa bankat kur vjen puna tek raporti me BE, bankat tek raporti me digjitalizimin dhe sektori privat në raport me BE.

Tjetra që kemi rënë dakord është që do të kemi një Kuvend të përbashkët, një forum të përbashkët, të paktën një herë në katër muaj, për të gjitha problematikat, jo vetëm për problematikat por edhe për risitë e sektorit edhe për të gjitha piketat që duhen vizituar dhe duhen ndryshuar apo duhen shtuar në rrugën e mëtejshme. Duke thënë këtë dua që të them se nga ana jonë e, ministria e Shtetit për Sipërmarrjen, ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin si dhe ministrja e Arsimit do të angazhohen me ju për të hartuar marrëveshjen kuadër mes qeverisë dhe sektorit tuaj pasi unë besoj shumë që duhet të hapim një kapitull të ri në sensin që juve duhet të keni akses në gjithë strukturat e qeverisë për të pasur të mundur që të keni bazën e nevojshme të të gjitha të dhënave për të ndërtuar proceset që pastaj do të na sjellin modelet e Inteligjencës Artificiale që do të na shërbejnë ne për ti shërbyer publikut dhe do tju shërbejnë patjetër edhe juve në punën tuaj, e pastaj dhe do të na shërbejnë bashkërisht për të bërë atë që u propozua këtu në pjesën e parë, duke promovuar produktet tona.

Jemi në kushtet kur nuk është aspak mungesë modestie që ne të pretendojmë të krijojmë dhe të promovojmë produkte edhe përtej kufijve të vendit, duke pasur parasysh se çfarë brumi është krijuar dhe çfarë talentesh kemi në dispozicion dhe pastaj një sërë gjërash të tjera janë diskutuar. Unë nuk do të zgjatem më tutje, por do them vetëm që i kam kërkuar pjesëmarrësve në atë tryezë ku ishte edhe një kandidat potencial për president i shoqatës duke qenë edhe IT në moshën më të thyer dhe e kam si dëshmitar aty, dëshmitar dhe bashkëmoshatar. Po të paktën unë nuk i përkas asaj bote kështu që nuk jam aq i pashpresë sa je ti, se aty dukesh edhe dy herë më i vjetër se ç’je.

Ramë dakord që edhe unë kam, unë kam atë aty si agjentin tim, ramë dakord që me koordinimin e shoqatës, si thoni ju, të organizatës, të aktit, të gjithë ju që jeni këtu dhe të gjithë ata që janë në sektor dhe që duan të japin kontributin e tyre të na ofrojnë draft sipas tyre, draft programin e “AI Albania 2030”, ku do të jetë Shqipëria, Inteligjenca Artificiale në 2030-ën, për të na e prezantuar, për ta diskutuar, për ta miratuar dhe pastaj ne për ta marrë dhe për ta çuar në Parlament si pjesë të programit të qeverisë dhe për ta kthyer në një program pune të qeverisë në bashkëpunim me ju.

Shtoj këtu se Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj, nëse do arrini dot të krijoni një model të Inteligjencës Artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejtë momentit historik, kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra dhe me kryeministër AI, aty pastaj do kalojmë në nivel tjetër, se do punojë AI edhe të gjithë ne të tjerët do bëjmë muhabet për politikën, pa pas mundësi që të marrim asnjë vendim.

Këto ishin pak a shumë nga ana ime dhe po ia kaloj Delinës për të moderuar pjesën tjetër, duke iu dhënë fjalën secilit sipas tryezës, secilit ose secilës. Kam njohur edhe një protagoniste shumë interesante që ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara që ka lënë një nga kompanitë më të mëdha të botës për të ardhur për tu bashkuar këtu në një kompani relativisht të vogël, por shumë premtuese, edhe nuk e dëgjova si flet anglisht, po shqipen e fliste si një AI i pa kolauduar, edhe i paautorizuar për të dalë në treg akoma.

Unë nuk hyra në disa nga propozimet që ishin pak më në detaje po themi sepse besoj se ato do t’i trajtoni ju dhe do ti hidhni në atë dokumentin programatik, por një gjë që do ta sjell këtu për ata që na ndjekin dhe posaçërisht për sektorin privat ishte një propozim për të imponuar me ligj që çdo kompani shqiptare me 100 punonjës të ketë një bërthamë R&D, kërkim dhe zhvillim. Dhe besoj që është një propozim shumë largpamës, me një kosto tërësisht të papërfillshme në raport me benefitet dhe patjetër që ne do ta mirëpresim këtë dhe disa propozime të tjera që u bënë në rast se do të vijnë nga ju përmes atij dokumentit pak më të artikuluar.

Kështu që e bëra këtë ndërhyrje më shumë për të dëgjuar sektori privat domosdoshmërinë e hapjes së mendjes dhe hapjes së syve ndaj teknologjisë edhe jo më thjeshte ndaj teknologjisë digjitale, po ndaj Inteligjencës Artificiale që siç është shumë e qartë nga të gjithë që dëgjova unë sot dhe siç është e qartë nga gjithçka që lexojmë dhe dëgjojmë përditë, është një mundësi e artë historike që ne të bëjmë një kapërcim shumë të madh nëse do të jemi të zotë, natyrisht dhe të vendosur për ta bërë.

***

Në fund fare pak, shumë pak gjëra, duke pasur parasysh çfarë u tha nga pjesa tjetër që unë nuk e dëgjova në kohë reale, për sa i përket asaj që u tha për harmonizimin e legjislacionit, keni parasysh që ne kemi një model shumë efikas për AI për harmonizimin e legjislacionit tonë me legjislacionin e BE, e përmendi dhe Linda në hyrje të takimit dhe nëse është nevoja mund të përdoret pa asnjë problem. Përsa i përket çështjes së ndërveprimit, ajo që ne na takon, është të strukturojmë si duhet një proces kanalizimi të të gjithë nevojave të dyanshme në mënyrë që të mos ketë barrierë midis shtetit dhe sektorit në kuptimin e aksesit në institucione dhe të aksesit në proceset e institucioneve sepse përndryshe kjo nuk është e mundur dhe për këtë duhet që të kalojmë në një nivel tjetër Agjencinë e Inovacionit dhe të Ekselencës, ku të gjitha ato nuklet që janë krijuar për çdo sektor, të kthehen nga nukle të mbyllura në nukle të hapura dhe të jenë të gatshme që të integrojnë sipas nevojës në kohë, të gjithë ata nga sektori që duan të hyjnë dhe të punojnë me proceset e asaj fushe të caktuar dhe këtu besoj që kemi dakordësi të plotë.

Ajo që mbeti pa u thënë me sa unë pashë, është që ne kemi edhe një ambicie tjetër, që deri në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë “cashless”, pra që i gjithë ndërveprimi dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Për këtë na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim, teknologjia nuk mungon, ka nevojë për të tu “upskill”-ur, por nuk mungon dhe besoj që nëse do të dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës që do të ecim, kjo është plotësisht e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme.

Dhe e fundit që kam, është që do t’ju lutesha shumë që në atë dokumentin që do përgatisni të jeni sa më të lirë dhe sa më kreativë, pra nuk do vendosur limit. Në fund të ditës ja ku na keni ne për t’i vënë kufijtë, për të thënë ‘’kjo s’bëhet; këtë s’na lë ky, këtë s’na lë ai; këtu Europa, këtu Kombet e Bashkuara”, etj, por është shumë e rëndësishme që ju të shkrini gjithë telat e fantazisë tuaj duke patur parasysh natyrisht dhe eksperienca të cilat i keni njohur në ndërveprimet  tuaja me botën jashtë, duke pasur parasysh dhe çfarë mund të bëni në pikëpamje të “research”-it në tema të caktuara edhe pastaj ne do ulemi, do diskutojmë bashkërisht dhe do jemi  shumë të drejtpërdrejtë për t’ju thënë; “këtu mund të ecim me këtë shpejtësi, këtu duhet të jemi realistë që nuk ecim dot për momentin e kështu me radhë”, por ama ta kemi një program ambicioz për  Shqipërinë 2030 në aspektin e AI sepse siç ramë të gjithë dakord, aty është edhe si të thuash “goli” në këtë lojë.

Shumë, shumë faleminderit. Më vjen shumë mirë që biseda ishte goxha intensive dhe e larmishme. Besoj që u shkrinë të gjithë akujt, besoj që tani portalet e humbën influencën kështu që ndihuni plotësisht të lirë që edhe në këtë periudhë të na drejtoheni me çfarëdolloj nevoje dhe shqetësimi ndërkohë që siç e thashë, të paktën tre evenimente i kemi në plan.

Evenimentin me  ndërtuesit e infrastrukturave të mikpritjes, hoteleve, rezorte për të prezantuar qasjen komplet të re lidhur me financimin e tyre;

Me Bankën e Shqipërisë dhe bankat e nivelit të dytë për të diskutuar si duhet lidhur me zbatimin si duhet të ligjit;

Me start up-et e arkitekturës që shpresoj të jemi në gjendje të organizojmë një event ndërkombëtar në Tiranë.

E patjetër që qershia mbi tortë është që deri në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit, të mund të firmosim marrëveshjen kuadër me qeverinë për bashkëpunimin mes nesh.

Nuk besoj se u harrua ndonjë gjë, por edhe nëse u harrua, dikush me siguri e mban mend dhe do na e kujtojë.

Për çdo gjë tjetër, ju lutem, nëpërmjet “kandidatit për president nderi të shoqatës” mund të më çoni fjalë.

Faleminderit!

The post Rama: Në shtator, start up-et e shqiptarëve do të ndryshojnë botën e arkitekturës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Nga Gaza, Damasku e deri në Iran, Trump përpiqet të frenojë Netanyahun

ROME, 18 korrik /ATSH-ANSA/ – Si një tren i pandalshëm, lufta e përgjithshme e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të qëndruar në pushtet, ndërkohë që mbrohet edhe nga problemet ligjore, po përhapet në të gjithë Lindjen e Mesme, nga Irani në Mesdhe, duke tërhequr dënime dhe kritika nga e gjithë bota

Po ashtu ai ka detyruar “mikun” e tij Donald Trump dhe të dërguarit e tij të posaçëm të punojnë jashtë orarit për të provuar të përmbajnë përshkallëzimin dhe zgjerimin e konfliktit.

Nëse sulmet ndaj Kishës Katolike në Gaza duket se kanë tronditur disa qeveri evropiane nga letargjia e tyre në lidhje me masakrën e vazhdueshme në Rrip – një gjykatë belge ndalon dërgesën e armëve në Izrael.

Po ashtu Sllovenia ndalon hyrjen e ministrave të ekstremit të djathtë izraelitë.

Po ashtu sulmet ajrore sensacionale izraelite në qendrat e fuqisë ushtarake në Damask kanë sjellë qortime në tavolinën e Netanyahut nga Rusia, Kina dhe Emiratet: të gjitha vende me shkallë të ndryshme lidhjesh të ngushta me shtetin hebre.

Presidenti i vetëshpallur sirian Ahmad Sharaa, i cili mori pushtetin dhjetorin e kaluar pasi shërbeu gjatë si një udhëheqës i milicisë i frymëzuar nga Al-Kaeda, e ka akuzuar Izraelin për “mbjellje të përçarjeve” në rajon dhe “shkaktim të tensionit dhe kaosit”.

Vetë Sharaa, i cili së fundmi është deklasifikuar si “terrorist” nga Shtetet e Bashkuara, është në kontakt me Netanyahun nëpërmjet Uashingtonit.

Shtëpia e Bardhë synon që të dyja palët të arrijnë një marrëveshje normalizimi, e cila do të ishte e pashembullt duke pasur parasysh gjendjen e armiqësisë që ka ekzistuar midis dy vendeve që nga themelimi i tyre si shtete zyrtarisht të pavarura gati 80 vjet më parë.

Izraeli ka pushtuar Lartësitë siriane të Golanit që nga viti 1967 dhe e ka aneksuar atë në vitin 1981, një veprim që deri më tani është pranuar vetëm gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë në vitin 2019.

Edhe të dërguarit specialë amerikanë në Lindjen e Mesme, nga Steve Witkoff te Thomas Barack, kanë luftuar në orët e fundit për të frenuar tërbimin ushtarak të Izraelit në Siri.

Megjithatë, kryeministri izraelit, i cili kishte dhënë tashmë urdhrin për të bombarduar Damaskun në pranverën e vitit 2024 (sulm ndaj konsullatës iraniane), përsëriti qëllimin e tij për të vazhduar me strategjinë e tij.

“Ne do të vazhdojmë të përdorim mjete ushtarake për të zbatuar vijat tona të kuqe: të çmilitarizojmë zonën në jug të Damaskut, nga Lartësitë e Golanit deri në Malet Druze, dhe të mbrojmë vëllezërit tanë, Druzët”, tha kryeministri, duke iu referuar komunitetit Druze që po bëhet gjithnjë e më me ndikim në Galilenë e Izraelit.

Druzët e Galilesë shërbejnë në ushtrinë izraelite dhe disa oficerë të lartë Druze janë në vijën e frontit në Siri. /os/

The post FOKUS – Nga Gaza, Damasku e deri në Iran, Trump përpiqet të frenojë Netanyahun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Italia dhe Ballkani bashkojnë forcat për një platformë të përbashkët turistike


TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Forumi i parë ministror ndërmjet Italisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor u zhvillua me sukses, duke afirmuar rolin e Shqipërisë si një urë lidhëse mes kulturave, historisë dhe vlerave njerëzore në rajon.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cilësoi këtë forum si shumë të frytshëm, jo vetëm për shkëmbimin e ideve, por edhe për krijimin e një platforme të përbashkët në fushën e turizmit, si një motor ekonomik dhe një shtyllë e emancipimit social.

Nisma e këtij forumi erdhi nga Ministria italiane e Turizmit, si pjesë e një angazhimi të ministres italiane Daniela Santanchè për të krijuar ura më të forta bashkëpunimi me vendet e Ballkanit.

Sipas ministres Kumbaro, rajoni i Ballkanit përfaqëson një pjesë të rëndësishme të hartës turistike të Mesdheut, ku Shqipëria shfaqet si një portë hyrëse përmes Adriatikut dhe Jonit, dete që ndahen mes Shqipërisë dhe Greqisë, Italisë e Malit të Zi.

Në forum morën pjesë ministrat e Turizmit të rajonit, të cilët ndanë ide dhe përvoja mbi ofertat turistike të vendeve të tyre.

“Secili vend ka specifikat e veta. Këto nuk janë sfida, por mundësi për t’u zhvilluar”, u shpreh Kumbaro.

Ajo theksoi gjithashtu se turizmi në Shqipëri është një ndër industritë më të rëndësishme dhe se vendi ynë u promovua si një model suksesi, jo vetëm nga kolegët rajonalë, por edhe nga përfaqësues të botës së biznesit që morën pjesë në pjesën e dytë të forumit.

“Shqipëria dhe Italia nuk ndajnë vetëm miqësi dhe histori të përbashkët politike, por edhe tregje të integruara turistike”, theksoi ministrja Kumbaro, teksa theksoi se bashkëpunimi me Italinë është një shembull i qartë i përpjekjeve për ta pozicionuar rajonin si një destinacion unik mesdhetar.

/a.f//r.e/

The post Italia dhe Ballkani bashkojnë forcat për një platformë të përbashkët turistike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Bankat, prapambetjeje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot përpjekjet e sektorit të inovacionit në Shqipëri si një model frymëzues për të gjithë sektorin privat, sidomos në raport me përgatitjen për integrimin në Bashkimin Europian dhe shfrytëzimin e fondeve të tij.

Gjatë një takimi në Berat me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe startup-eve shqiptare, Rama vuri theksin mbi nevojën për një ndërveprim më të ngushtë mes këtij sektori dhe institucioneve financiare, duke kritikuar qëndrimin e bankave të nivelit të dytë, të cilat sipas tij, po tregojnë një prapambetje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale dhe progresit që kërkohet.

“Ka qenë shumë impresionuese të njihesha me disa prej jush në aspektin e aktivitetit aktual, gjëra shumë interesante dhe si rrjedhojë kanë prodhuar një sërë eventesh të tjera që ne do të realizojmë, qoftë për të prezantuar inovacionet tuaja me sektorin e investitorëve, në sektorin e investimeve në ndërtim, në turizëm, qoftë për të pasur një ballafaqim me bankat e nivelit të dytë dhe me Bankën e Shqipërisë për të përcjellë mesazhin tek bankat që janë në kushtet e një prapambetjeje që po e kërcënon progresin e sektorit dhe për më tepër një prapambetje tërësisht e pajustifikuar po të kemi parasysh se tanimë gjithë legjislacioni i nevojshëm është i miratuar. Të gjitha instrumentet nga ana e sektorit janë në dispozicion dhe këmbëngulja e bankave për të mos lëvizur me të njëjtin ritëm jo vetëm dëmton sektorin, por dëmton në tërësi interesat e shoqërisë duke penguar lehtësimin e mëtejshëm të gjitha ndërveprimeve që lidhen me transaksionet financiare”, deklaroi Rama.

/a.f/

The post Rama: Bankat, prapambetjeje të pajustifikuar ndaj zhvillimeve digjitale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dredha: Angazhim qytetar për pastërtinë dhe rregullin në qytet

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha, ka bërë sot një thirrje publike për të gjithë qytetarët dhe vizitorët, duke theksuar se Vlora është një qytet që u përket të gjithëve dhe kërkon angazhim të përbashkët për ta mbajtur të pastër dhe të rregullt.

Në një reagim publik, Dredha apeloi për ndërgjegjësim qytetar për çështje të tilla si hedhja e mbeturinave jashtë orarit të përcaktuar, parkimet e paligjshme dhe mungesa e kujdesit ndaj hapësirave publike.

“Rregulli, pastërtia dhe qarkullimi nuk janë privilegj, janë detyrim kolektiv dhe kulturë urbane. Për këtë nevojitet edukim dhe disiplinë qytetare, jo thjesht ndëshkim,” u shpreh ai.

Sipas tij, Bashkia do të përcaktojë orare të qarta për hedhjen dhe grumbullimin e mbetjeve, duke i bërë ato publike dhe të detyrueshme për t’u respektuar nga qytetarët, bizneset dhe shërbimet përkatëse.

“Kjo është një thirrje për reflektim dhe bashkëpunim, që të gjithë të japin kontributin e tyre me propozime konkrete në dëgjesa publike dhe të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve,” përfundoi Dredha.

Ai shtoi se qyteti do të jetë ashtu siç sillemi me të, duke e konsideruar Vlorën si shtëpinë e përbashkët të të gjithëve.

/a.f/

The post Dredha: Angazhim qytetar për pastërtinë dhe rregullin në qytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ITALI – Salvini përballet sërish me gjyq për çështjen e emigrantëve

18 July 2025 at 18:40

ROMË, 18 korrik /ATSH-DPA/- Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini do të dalë sërish në gjyq për çështjen e emigrantëve në 2019.

Një anije OJQ-je e quajtur “Open Arms” e cila mbante 147 emigrantë të kapur në brigjet libiane u pengua të ankorohej në ishullin italian, Lampedusa – me urdhër të Salvinit, i cili ishte ministër i Brendshëm në atë kohë.

Zyra e prokurorit publik tha sot se po apelonte kundër vendimit të mëparshëm të lirimit nga akuzat.

Çështja tani do të shkojë direkt në Gjykatën Supreme të Italisë në Romë. Një datë për gjyqin e ri nuk është caktuar ende.

Si ministër i Transportit dhe zëvendëskryeministër – Salvini është një nga figurat qendrore në koalicionin tripartiak të krahut të djathtë në Romë.

Gjatë kohës kur shërbeu si ministër i Brendshëm në një kabinet të mëparshëm, ai bëri emër ndërkombëtarisht me qëndrimin e tij të ashpër ndaj emigrantëve, veçanërisht atyre që vinin me anije nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Udhëheqësi i partisë së krahut të djathtë “Liga” ishte në gjyq në Siçili deri në dhjetor të vitit të kaluar – i akuzuar shpërdorim detyre – pasi refuzoi të lejonte ankorimin e një varke shpëtimi emigrantësh në Itali në vitin 2019, kur ai ishte ministër i Brendshëm.

Gjykata në Palermo e liroi Salvinin nga akuzat për privim lirie dhe shpërdorim detyre.

Anija që i përkiste organizatës spanjolle “Open Arms” ishte pranë ishullit, Lampedusa me mbi 160 emigrantë, por nuk u lejua të hynte në port. Njerëzit u hodhën në ujë dhe u përpoqën të notonin deri në breg.

Ajo u lejua të ankorohej vetëm pas një urdhri të një prokurori publik – kundër dëshirës së ministrit.

Italia është një nga vendet evropiane veçanërisht e prekur nga emigrimi përtej detit.

Salvini e ka përshkruar veten si viktimë të një gjyqësori të politizuar dhe e ka akuzuar atë për persekutim të tij për arsye politike.//a.i/

The post ITALI – Salvini përballet sërish me gjyq për çështjen e emigrantëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Ministrin për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me komunitetin e inovatorëve

TIRANË, 18 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se zgjedhja e ministrit të Shtetit për Inteligjencën Artificiale do të bëhet me pjesëmarrjen e komunitetit të inovatorëve dhe start up-eve.

“Ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj, nëse do arrini dot të krijoni një model të Inteligjencës Artificiale që të zgjedhë ministrin, do të jetë hapi i parë drejtë momentit historik, kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra dhe me kryeministër AI”, deklaroi Rama, gjatë takimit në Berat me aktorë të sektorit të teknologjisë dhe inovacionit.

Ai shtoi se në atë moment, qeverisja do t’i kalonte tërësisht inteligjencës artificiale, ndërsa njerëzit do të mund të diskutonin për politikën pa pasur mundësinë të marrin vendime.

/a.f//r.e/

The post Rama: Ministrin për Inteligjencën Artificiale do ta zgjedhim me komunitetin e inovatorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌