Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 August 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

Arbi Bamllari, udhëheqësi i rrugëtimit të dronit të parë shqiptar

26 August 2025 at 12:47

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Arbi Bamllari, themelues i Skaitech, po udhëheq rrugëtimin e dronit të parë shqiptar, një hap i madh për robotikën dhe inteligjencën artificiale në vend

Ministrja e Shtetit për për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale se, ky është rasti kur një ide guximtare kthehet në realitet teknologjik.

Ibrahimaj shtoi se falë “Grant 2025”, vizioni i tyre po shndërrohet në shërbime të reja si drone delivery, VR dhe modele inovative “Made in Albania” që synojnë tregjet botërore.

Ministrja nënvizoi se, ky është një shembull se si startup-et shqiptare mund të thyejnë kufijtë dhe të krijojnë histori suksesi globale

Bamllari thekson se ajo që e motivoi për projektin inovativ ishte, mungesa e teknologjive inovative si robotika, inteligjenca artificiale dhe dronëve në Shqipëri dhe aplikimet e tyre.

“Këto ishin shtysa kryesore për të nisur Skaitech. Por mbi të gjitha, pasioni për teknologjinë dhe robotikën”, theksoi ai.

Ai theksoi se “përmes “Grant 2025”, synojmë të sjellim disa shërbime të reja në gamën tonë, si shërbimi i drone delivery, batimetria, VR, si dhe ndërtimi i një modeli të ri të dronëve “Made in Albania”.

Sa i përket vështirësive më të mëdha që kanë hasur, Bamllari tha se, “vështirësitë më të mëdha lidhen me tregun e limituar në Shqipëri dhe edukimin e tij si një teknologji e re, përfshirë edhe mungesën e mbështetjes nga institucionet shtetërore, mungesën e profesionistëve, të rinjve dhe investimeve”.

Sa i përket përkufizimit të suksesit, ai theksoi se, “suksesi për mua është krijimi dhe ndërtimi i produkteve shqiptare dhe eksporti i tyre në tregje ndërkombëtare -në këtë rast, të dronëve apo robotikës. Përveç kësaj, edhe krijimi i një brandi shqiptar në nivel ndërkombëtar nga një skuadër vendase”.

1 nga 5

/gj.m/j.p/

The post Arbi Bamllari, udhëheqësi i rrugëtimit të dronit të parë shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

”The Sun”: Durrësi, qyteti ku rezervimet janë rritur me shifrën marramendëse prej 224% krahasuar me 2024-n

26 August 2025 at 12:46

LONDËR, 26 gusht /ATSH – Një qytet bregdetar për të cilin ndoshta nuk keni dëgjuar, por që po përjeton një rritje të madhe të kërkesës nga turistët britanikë, shkruan Cyann FIelding për tabloidin më të njohur britanik ”The Sun”.

I vendosur në bregdetin e Adriatikut, Durrësi është një perlë pak e njohur, por që është shumë më e lirë se pushimet tuaja mesatare evropiane.

Të dhënat e reja nga ”Love Holidays” sugjerojnë se qyteti është një destinacion në zhvillim, me rezervime që janë rritur me një shifër marramendëse prej 224% krahasuar me vitin e kaluar.

Megjithatë, qyteti portual idilik mbetet më pak i mbushur me njerëz dhe më i përballueshëm se disa vende të nxehta evropiane.

I quajtur “qyteti i përjetshëm në bregdetin e Adriatikut” nga Agjencia Kombëtare e Turizmit e Shqipërisë, Durrësi përfiton nga një klimë mesdhetare dhe ofron një numër gjiresh të izoluara me ujëra bruz dhe rërë të artë.

Një nga vendet më të njohura në qytet është plazhi i Durresit, i cili shtrihet mbi tetë kilometra duke e bërë atë më të madhin në Shqipëri.

Të shpërndara përgjatë shëtitores janë bare, kafene dhe restorante të shumta për t’u eksploruar.

Restoranti “Cosmo”, i cili ndodhet në skajin perëndimor të plazhit, është vlerësuar si më i miri në qytet dhe shërben pjata me ushqime deti.

Në shëtitore ka edhe një numër hotelesh, shumë prej të cilave kanë qasje të drejtpërdrejtë në plazh.

Mysafirët gjithashtu mund të marrin me qira dy shezlongje dhe një ombrellë në plazh për një çmim midis 4,33 dhe 21,63 paund.

Nëse nuk ju pëlqen të uleni në plazh, atëherë shkoni në “Hawaii Beach Club” në skelë dhe merrni një koktej për ta shijuar në një nga shezlongjet e klubit me pamje nga deti.

Nëpër baret dhe restorantet në Durres, një birrë ka të ngjarë t’ju kushtojë nga 2,05 deri në rreth 2,40 paund, dhe një gotë verë do të kushtojë rreth vetëm 1,73 deri në 3,03 paund.

Për diçka më aktive, ka një numër aktivitetesh sportive ujore që mund të bëni edhe nga plazhi, të tilla si ski me ujë dhe ”peshq fluturues”.

Qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë ka një mori vendesh të ndryshme historike dhe kulturore për t’u eksploruar.

Një vend janë rrënojat e Kalasë së Durrësit, e cila u ndërtua fillimisht në shekullin V, dhe Kulla Veneciane e cila u ndërtua në shekullin XV dhe u përdor për të mbrojtur qytetin nga sulmet.

Nëse shkoni në majë të kullës nëntë metra të lartë, do të shihni pamje mahnitëse të qytetit dhe detit.

Xhamia e Durresit, e cila ndodhet në qendër të qytetit, është gjithashtu falas për t’u vizituar.

U hap fillimisht në vitin 1938, por që atëherë ka pasur një mori përdorimesh të ndryshme, duke përfshirë, në një moment, si qendër rinore.

Sot, është një qendër fetare dhe një vend aktiv adhurimi – prandaj sigurohuni që të visheni siç duhet dhe të hiqni këpucët nëse e vizitoni.

Një tjetër vend kyç për t’u eksploruar është amfiteatri romak i perandorit Hadrian, i cili ka rreth 15 000 vende dhe është amfiteatri i dytë më i madh në të gjithë Ballkanin.

Amfiteatri u ndërtua në fillim të shekullit II dhe u përdor për të pritur tubime shoqërore dhe gara gladiatorësh me kafshë të egra.

Megjithatë, në shekullin IV, luftimet e gladiatorëve u ndaluan dhe një faltore e krishterë u ndërtua në qendër të amfiteatrit.

U zbulua më vonë në vitet 1960, pasi qëndroi e varrosur për qindra vjet për shkak të një numri tërmetesh.

Kushton rreth 2,60 paund për të hyrë në amfiteatër.

Pak jashtë qendrës së qytetit është vreshtaria ”Abaia”, ku vizitorët mund të bëjnë një turne dhe të shohin verëra të ndryshme që prodhohen në vend.

Kjo përvojë është gjëja më e vlerësuar për të bërë në Durrës, me shumë vizitorë që shijojnë vizitën në kantinë dhe restorantin që shërben ushqim vendas për të shoqëruar verërat.

Ka hotele të shumta në të gjithë qytetin, shumica e të cilave janë shumë të përballueshme.

Për shembull, mund të qëndroni në hotel ”Epidamn Boutique & Spa”, i cili ka një restorant, bar dhe kopsht, për 69 paund nata për dy të rritur. Ose, sipas ”Love Holidays”, mund të merrni një paketë shtatënetëshe të minutës së fundit për dy persona, për rreth 138 paund për person, për natë këtë verë./  /Ad.Ab./

The post ”The Sun”: Durrësi, qyteti ku rezervimet janë rritur me shifrën marramendëse prej 224% krahasuar me 2024-n appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Maleve të Pastra, aksione pastrimi në zonat e mbrojtura

26 August 2025 at 12:42

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Dita Botërore e Maleve të Pastra është një nismë që synon sensibilizimin për ruajtjen e ekosistemeve malore dhe mbajtjen pastër të tyre.

Me këtë rast, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka ndërmarrë një seri aksionesh pastrimi në zonat e mbrojtura, si parqet kombëtare apo natyrore.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot mesazhin e një prej punonjësve të AKZM-së në Korçë, i cili shprehet se ka nisur një aksion pastrimi në portën hyrëse të Prespës. Kumbaro tha se “kjo ditë i gjen skuadrat e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura në terren me punë konkrete, për një mjedis më të pastër dhe komunitete të ndërgjegjësuara”.

“Në kuadër të nismës Male të Pastra e iniciuar nga AKZM-ja, bashkë me administratën e Korçës, bashkinë Pustec dhe aktorë të tjerë lokalë ka filluar pastrimi në hyrje të Prespës, ku turistë të shumtë frekuentojë këtë Park Kombëtar. Mesazhi i kësaj dite është që duhet të kujdesemi të gjithë për këtë thesar natyror, të jashtëzakonshëm, të japim kontributin tonë për ta mbajtur sa më pastër dhe më mirë me qëllim që brezat që vijnë të kenë një trashëgimi sa më dinjitoze natyrore siç është Parku Kombëtar i Prespës”, shprehet punonjësi i AKMZ-së.

Gjithashtu, një tjetër aksion pastrimi është ndërmarrë sot nga AKZM-ja në Novosej të Parkut Natyror “Korab-Koritnik”, ku skuadrat e punës janë në terren për të dhënë kontributin e tyre për një mjedis sa më të pastër.

/e.i/j.p/

The post Dita Botërore e Maleve të Pastra, aksione pastrimi në zonat e mbrojtura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dimal Basha në krye të Kuvendit të Kosovës, Spiropali: Rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali uroi sot kryetarin e ri të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Bashën.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, kryeparlamentarja përgëzoi gjithashtu Kuvendin e Kosovës “për çeljen e rrugës për ndërtimin e institucioneve të reja demokratike pas zgjedhjeve”.

“Mezi pres të rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit tē Kosovës, për të mirën e qytetarëve tanë, për mbështetjen e integrimit euroatlantik të dy vendeve tona, dhe garantimin e mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon”, shkruan Spiropali.

Kuvendi i Kosovës zgjodhi sot deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha për kryetar të Kuvendit.

Në përpjekjen e 58-të për konstituimin e Kuvendit, propozimi i Vetëvendosjes u miratua me 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenim.

Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të PDK-së, AAK-së dhe një pjese të pakicave. LDK dhe Lista Serbe votuan kundër.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për zgjidhjen e ngërçit të krijuar, kjo ishte seanca e katërt e zhvilluar ku deputetët dhanë dakordësi për emrin e Dimal Bashës si kreu i ri i Kuvendit të Kosovës.

/m.q/j.p/

The post Dimal Basha në krye të Kuvendit të Kosovës, Spiropali: Rifillojmë bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Basha në fjalimin e parë si kryeparlamentar: Pres përballje politike me synimin e përbashkët për Kosovë më të fortë

26 August 2025 at 12:35

PRISHTINË, 26 gusht/ATSH/ Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, në fjalimin e tij të parë para deputetëve ka përcjellë mesazhe të bashkëpunimit dhe unifikimit.

Ai tha se në legjislaturën e nëntë priten përballje politike, mirëpo me synimin për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe të zhvilluar.

Sipas tij, pavarësisht sfidave në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit tash e gjashtë muaj, e njëjta i ka kontribuar demokracisë dhe emancipimit si shoqëri.

“Të nderuar kolegë, ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e kemi parë më herët. Por, me të gjitha betejat, unë besoj se ka qenë një shkollë që i ka kontribuar demokracisë, por edhe vetë emancipimit tonë si shoqëri. Këto ballafaqime gjenden edhe tek vendet më të zhvilluara, prandaj me rëndësi është që gjithçka ka ndodhur brenda konturave të debatit demokratik. Kjo është dëshmi se shoqëria jonë është e emancipuar për t’u përballur me sfida të tilla. Në emër të kryetarit të Kuvendit, ju bëj thirrje për bashkëpunim dhe unifikim. Është koha të dëshmojmë se, pavarësisht dallimeve politike, ne kemi guximin dhe mençurinë të punojmë së bashku për të ardhmen e vendit tonë, Republikës sonë për të cilën u sakrifikuan gjenerata të tëra… Në këtë Kuvend pres debat të hapur, por edhe respekt për njëri-tjetrin. Dua të shoh kritika, por edhe alternativa. Dua të shoh përballje politike, por me synimin e përbashkët për një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe më të zhvilluar. Të nderuar deputetë, kemi dallime, por Kosovën e kemi bashkë”, tha ai.

Basha, para deputetëve, duke kërkuar unifikim, përmendi heroin Skënderbeun, komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, si dhe presidentin historik, Ibrahim Rugova.

“Në çastet më të vështira, ky popull ka dëshmuar se di t’i lërë anash dallimet dhe të ngrihet për kauza kombëtare. Kemi udhërrëfyesin, Gjergj Kastriot Skënderbeun, shembullin e pavdekshëm të guximit dhe të mbrojtjes së atdheut. Kemi shembullin e udhëheqësit të urtë, presidentit historik Ibrahim Rugova, që dinte t’i bashkonte të tjerët. Ky popull u bashkua edhe rreth UÇK-së dhe komandantit të saj, Adem Jashari, për të luftuar gjenocidin fashist. Lufta e Adem Jasharit dhe e të gjithëve ishte për liri dhe për të mbrojtur pragun e shtëpisë dhe për të luftuar terrorin që po ushtrohej ndaj popullit tonë”, shtoi Basha.

Krahas kësaj, Basha theksoi rëndësinë e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të BE-së.

Në anën tjetër, Basha përmendi edhe shtrirjen e sovranitetit në veri, që sipas tij është bërë me vullnetin e pathyeshëm të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. /KosovaPress/

The post Basha në fjalimin e parë si kryeparlamentar: Pres përballje politike me synimin e përbashkët për Kosovë më të fortë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Të rikthejmë bujqësinë si prioritet kombëtar

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Partia e Lirisë, përmes një deklarate nga zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli u shpreh sot se Shqipëria e vitit 2024 është vendi me popullsinë më të kequshqyer në Europë.

Sipas saj “nga viti 2022 deri në vitin 2024, Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë ushqim të mjaftueshëm për qytetarët e saj. 5.4% e popullsisë është e nënushqyer, ndërkohë që në vendet e rajonit ky tregues është thuajse i zhdukur”.

Memelli theksoi se ky është një turp kombëtar, por mbi të gjitha një krim social.

“Në Shqipëri nuk mungon toka pjellore, nuk mungon potenciali prodhues, por mungon politika e ndershme, mungon vizioni dhe mungon përgjegjësia”, nënvizoi Memelli.

Sipas Memellit, nuk mund të ketë zhvillim me qytetarë që vuajnë për ushqim.

Memelli tha se “Partia e Lirisë ka një program të qartë dhe më se të realizueshëm, 5 prioritete për katër milionë shqiptarë plus, ku fokusi kryesor është të garantohet siguria ushqimore për çdo familje shqiptare me programe emergjente mbështetëse për shtresat më të varfra”.

“Të rikthejë bujqësinë si prioritet kombëtar, duke e bërë Shqipërinë të vetëmjaftueshme në prodhimin e ushqimit bazë, por jo vetëm edhe shndërrimin e saj në fuqi eksportuese. Të ulë koston e jetesës përmes politikave fiskale të drejta dhe subvencioneve reale për prodhuesit vendas”, u shpreh Memelli.

/m.q/j.p/

The post PL: Të rikthejmë bujqësinë si prioritet kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çelet kësti i pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë

26 August 2025 at 12:27

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Ministria e Financave ka çelur këstin e pestë për kategorinë e subjekteve përfituese joparësore (trashëgimtarë), të ish-të dënuarve politikë dhe ka filluar procedurën e pagesës së këtij kësti.

Kjo procedurë bëhet në zbatim të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist ”, të ndryshuar si dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e afateve dhe të skemës së shpërndarjes së fondeve të dëmshpërblimit për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar.

Për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, që bëjnë pjesë në kategorinë joparësore, dokumentet që duhet të dërgojnë janë dëshmi trashëgimie ligjore për të dënuarin politik, origjinale ose kopje e njësuar e noterizuar, certifikatë vdekjeje origjinale për ish- të dënuarin politik dhe për çdo trashëgimtar të radhës së parë që nuk jeton më, certifikatë të trungut familjar origjinal si dhe numrat e llogarisë.

Personat, të cilët nuk dëmshpërblehen, për shkak të mosplotësimit të dokumenteve, gëzojnë të drejtën për të marrë këstin e kësaj pagese në fazën tjetër, por jo më vonë se tre vjet pas publikimit të emrit për herë të parë në faqen zyrtare.

Për shpërndarjen e kësteve të tjera, pagesa e këstit vijues, do të kryhet mbi bazë të dokumentacionit  të dërguar  më parë, kur nuk ka kontestim, nga rrethi i familjarëve ose të trashëgimtarëve, ndryshime të statusit të ish- të dënuarit politik ose të trashëgimtarëve që jetojnë, revokim të prokurës së posaçme.

Në vijim të çeljes së fondit për këstin e pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë, Ministria e Financave ka publikuar edhe listën e parë të dosjeve në radhë për përfitimin e këstit të pestë.

Në mbështetje të dokumentacionit të depozituar pranë Ministrisë përgjegjëse për financat, Drejtoria përgjegjëse për pagesat, në zbatim ligjit në fuqi për dëmshpërblimet e ish të dënuarve politikë, të Vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe të Udhëzimit të Ministrit të Financave, realizon shpërndarjen e pagesave të këstit të radhës, duke bërë kontrollin e dokumentacionit të depozituar për çdo dosje individuale të ish të dënuarve politikë, pranë kësaj drejtorie dhe duke ndjekur radhën e pagesave të paguara ndër vite.

/gj.m/j.p/

The post Çelet kësti i pestë për trashëgimtarët e ish-të dënuarve politikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Financimi në mbjellje të reja, Denaj: Fermerët, afat deri në 30 shtator për të aplikuar

26 August 2025 at 12:25

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Fermerët kanë afat deri në 30 shtator për të aplikuar në Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, për mbështetje në mbjellje të reja, në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj e cila u shpreh se mbështetja do të jepet për mbjelljet e reja në pemë frutore, agrume, ullishte dhe vreshta në sipërfaqe 0.5 ha deri në 10 ha.

Denaj informoi se mbështetja financiare do të jetë deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore.

Sipas ministres Denaj, mbështetja financiare për mbjelljet e reja do të jetë jo më shumë se 800 000 lekë për hektarë dhe pagesë shtesë deri në 250,000 lekë për hektarë për sistemin e ujitjes me pika.

“Përmes përfitimit të 50% grant nga skema dhe kombinimit me Kredinë e Butë me interes vetëm 2% dhe garanci sovrane prej 70% të kolateralit, siguroni financim të plotë për të gjithë investimin”, u shpreh Denaj në një postim në rrjetet sociale.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bën thirrje për të gjithë fermerët dhe agropërpunuesit që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofrohen nga Skema Kombëtare e Investimeve 2025 për të realizuar investime të qëndrueshme dhe për të kontribuar në zhvillimin e sektorit të bujqësisë në Shqipëri.

Mbështetja me grante në masën 50 % do të shoqërohet për gjatë gjithë vitit me asistencë të drejtpërdrejtë për disbursimin e masës së parë prej 30 %, brenda dhjetorit.

/e.i/j.p/

The post Financimi në mbjellje të reja, Denaj: Fermerët, afat deri në 30 shtator për të aplikuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEDIA – 69 vjet nga krijimi i Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA)

26 August 2025 at 12:21

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ – Gjashtëdhjetë e nëntë vite më parë, më 21 gusht 1956, u krijua Aleanca Evropiane e Agjencive të Lajmeve (EANA), anëtare me të drejta të plota e së cilës është edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare.

EANA u krijua me misionin për të bashkuar organizatat e pavarura të lajmeve në të gjithë Evropën dhe për të forcuar rrjedhën e lirë të informacionit të besueshëm.

Ajo që filloi si një vizion bashkëpunimi është rritur në një komunitet të fortë agjencish të përkushtuara ndaj standardeve më të larta të gazetarisë.

Pothuajse shtatë dekada më vonë, sfidat me të cilat përballet gazetaria janë më të mëdha se kurrë.

Në një epokë dezinformimi, presioni politik dhe ndryshimi të shpejtë teknologjik, agjencitë e lajmeve vazhdojnë të shërbejnë si shtylla të besueshme të jetës publike.

Puna e tyre mbështet demokracinë duke ofruar lajme të sakta, të paanshme dhe në kohë që kalojnë kufijtë dhe lidhin shoqëritë.

Forca e EANA-s nuk qëndron vetëm në historinë e saj, por edhe në frymën e qëndrueshme të bashkëpunimit të anëtarëve të saj dhe përkushtimin e tyre ndaj së vërtetës.

“Ndërsa i afrohet 70-vjetorit të saj, EANA përballet me sfida të shumta: sulme shumëplanëshe ndaj profesionit të gazetarisë, mbrojtja e fakteve në një epokë polarizimi dhe dezinformimi masiv, mbrojtja dhe promovimi i pronës intelektuale dhe ndjekja e ekuilibrit financiar ndërsa klientët e medias janë nën presion të madh. Ndarja dhe bashkëpunimi, të cilat qëndrojnë në zemër të frymës që udhëhoqi themelimin e EANA-s, janë më të rëndësishme se kurrë”, tha Fabrice Fries, president i EANA-s dhe president i Agence France Presse (AFP).

“EANA qëndron si një shtyllë e pavarësisë editoriale dhe solidaritetit profesional. Në një periudhë të shënuar nga pasiguria dhe transformimet e përshpejtuara, agjencitë e lajmeve demonstrojnë se përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm, mbështetjes së pakushtëzuar dhe respektit si për informacionin e dhënë ashtu edhe për audiencën, gazetaria e agjencisë mbetet një shtyllë jetësore e shoqërisë demokratike. Uniteti i gazetarëve dhe respekti për profesionin janë ato që mund ta çojnë përpara këtë zanat, të paprekur dhe të panjollosur, në një luftë të vazhdueshme kundër të ashtuquajturave lajme të promovuara nga platformat e mediave sociale”, shtoi Claudia Nicolae, anëtare e bordit të EANA-s dhe drejtoreshë e përgjithshme e AGERPRES.

“Jam krenar që shërbej në bordin e EANA-s, së bashku me kolegët që ndajnë bindjen se lajmet e pavarura dhe të besueshme janë thelbësore për shoqëritë tona. Në ANSA, ne i përqafojmë plotësisht vlerat që përfaqëson EANA – bashkëpunimin, integritetin dhe pavarësinë editoriale – dhe i shohim ato si themelin e besimit në gazetari. Në Ditën e Themelimit të EANA-s, ne festojmë jo vetëm historinë e Aleancës, por edhe rolin e saj të vazhdueshëm në forcimin e agjencive të lajmeve në të gjithë Evropën”, tha Stefano de Alessandri, drejtor ekzekutiv i ANSA-s dhe anëtar i bordit të EANA-s.

“Si drejtor ekzekutiv i Belga-s, jam i nderuar që kontribuoj në punën e EANA-s, një Aleancë që ka provuar vlerën e saj për gati shtatë dekada. Në një kohë kur gazetaria vihet në provë nga dezinformimi, presioni financiar dhe polarizimi politik, agjencitë e lajmeve mbeten një gur themeli i shoqërive demokratike – duke ofruar fakte, kontekst dhe besim. EANA mishëron frymën e solidaritetit dhe bashkëpunimit që na lejon t’i përballojmë këto sfida së bashku. Në këtë Ditë Themelimi, ne festojmë jo vetëm historinë e Aleancës, por edhe rolin e saj të vazhdueshëm në sigurimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për gazetarinë e agjencive në të gjithë Evropën”, tha Patrick Lacroix, drejtor ekzekutiv i Belga-s dhe anëtar i Bordit të EANA-s.

“Dita e Themelimit të EANA-s është një datë shumë e rëndësishme në historinë e agjencive evropiane të lajmeve — është një kujtesë për rëndësinë e unitetit, të koordinimit dhe të krijimit të rrjeteve me kolegët. Agjencitë e lajmeve kanë pasur të njëjtin mision që nga fillimet e tyre: në një botë që shumë shpesh zhvendoset drejt zhurmës dhe pasigurisë, agjencitë e lajmeve duhet të ofrojnë fakte. Jam krenar që i shërbej një Aleance që, vit pas viti, vërteton qëndrueshmërinë dhe rëndësinë e gazetarisë së agjencive, me rëndësi në rritje në mjedisin global të palëve të interesuara të medias”, tha Alexandru Giboi, sekretar i përgjithshëm i EANA-s./  a.jor.

The post MEDIA – 69 vjet nga krijimi i Aleancës Evropiane të Agjencive të Lajmeve (EANA) appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

APD: Në 7 muaj, 135 jahte turistike në portin e Durrësit

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Autoriteti Portual Durrës njoftoi sot se gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025, në kalatat e Portit të Durrësit janë akostuar 1,709 mjete lundruese, mes tyre 135 jahte turistike.

Sipas APD Ky numër reflekton jo vetëm rritjen e lëvizjes turistike, por edhe rolin e rëndësishëm të portit në shërbimin ndaj shkëmbimeve tregtare.

“Kjo dëshmon për cilësinë e shërbimeve portuale që ofron Porti i Durrësit”, nënvizoi APD përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

The post APD: Në 7 muaj, 135 jahte turistike në portin e Durrësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Për herë të parë, mësuesit do të kenë planet mësimore në sistemin SMIP

26 August 2025 at 10:59

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi sot se për herë të parë këtë vit, mësuesit do të kenë planet e tyre mësimore në platformën SMIP.

Ministrja Manastirliu e konsideroi këtë hap, si një tjetër mundësi për përdorimin e hapësirës digjitale, që pritet të sjellë më shumë lehtësi për mësuesit dhe më shumë garanci për verifikimin e cilësisë së mësimdhënies në shkollat tona.

Manastirliu u shpreh më herët se përmes sistemit SMIP, këtë vit janë dërguar mbi 16 mijë letra informuese për prindërit, në lidhje me prirjet dhe arritjet e fëmijëve, si pjesë e një procesi gjithëpërfshirës të orientimit në karrierë.

Ministrja Manastirliu tha se “identifikimi i prirjeve dhe talenteve fillon me takimet në grup, me vizitat në institucione, me vizitat në biznese, me vetë profesionistët që vijnë në shkollë dhe flasin”.

Këtë vit, me përfundimin e vitit shkollor, janë më shumë se 16 mijë letra informuese që u kanë vajtur prindërve përmes sistemit SMIP nga mësuesit koordinatorë për orientimin e karrierës, mësuesit kujdestarë, të cilët kanë informuar prindërit për nxënësit, për prirjet e tyre, për talentet e shfaqura, për arritjet e tyre.

“Nëse ne duam një gjeneratë të përgatitur që i përgjigjet sfidave të shekullit 21, na duhet që në këtë mision për arsimin, mësuesit koordinatorë të orientimit të karrierës të marrin një rol edhe më të fuqishëm”, shtoi ajo.

/e.i/j.p/

The post Manastirliu: Për herë të parë, mësuesit do të kenë planet mësimore në sistemin SMIP appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

26 gushti, Dita Ndërkombëtare e Qenve

26 August 2025 at 10:58

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ 26 gushti është Dita Ndërkombëtare e Qenve, e cila u krijua nga Fondacioni Kombëtar i Ditës së Qenve, në një mision për të promovuar adoptimin e tyre, shpëtimin nga rruga dhe mbështetjen e strehave të kafshëve.

Që nga viti 2004, fondacioni ka shpëtuar jetët e më shumë se 100.000 qenve dhe sot, duke e kthyer këtë ditë në një festë në mbarë botën.

Përveç dashurisë dhe shoqërisë që ata japin, mbrojnë shtëpitë tona, trajnohen për të ndihmuar të verbërit, veprojnë në kohë lufte dhe ndihmojnë në misionet e kërkim-shpëtimit.

Disa fakte interesante në Ditën Ndërkombëtare të Qenve:

Raca e qenve “french poodles” nuk e ka origjinën prej Francës, por në Gjermani.

Raca më e përhapur në Kanada, SHBA dhe Britani të Madhe është “labrador retriever”.

Shenja e hundës së qenve është po aq dalluese për një qen sa dhe shenjat e gishtërinjve për njeriun. Nuk ka dy lloje të njëjta dhe mund të shërbejnë për t’i identifikuar ata.

Emrat më të përdorur për qentë meshkuj janë Max dhe Buddy. Ndërsa për femrat janë Bella dhe Molly.

/gj.m/j.p/

The post 26 gushti, Dita Ndërkombëtare e Qenve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Shenjtorja Terezë dhe poeti Migjen na ndezin krenarinë

26 August 2025 at 10:44

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, me anë të një postimi në rrjetet sociale ka përkujtuar figurën e Nënë Terezës dhe Migjenit.

“Shën Tereza lindi më 26 gusht 1910. Migjeni u largua nga kjo botë pikërisht më 26 gusht 1938. Dy të përunjurit e mëdhenj, luftëtarët e paepur në mbrojtje të vegjëlisë, i lidhte pazgjidhshmërisht zinxhiri mahnitës lindje-vdekje si shkak-pasojë”, shkruan Spiropali.

“Lutjet e Shën Terezës dhe kujat poetike të Migjenit, ishin e njëjta klithmë shpirtrash të mëdhenj nga Shqipëria e vogël drejtuar padrejtësive të botës. Njëra nga Lindja, tjetri nga Vdekja, Shën Tereza dhe Migjeni vijnë bashkë çdo 26 gusht për të na kujtuar se kudo ku ka dëshpërim dhe dhimbje, ka ngushëllim dhe shpresë”, thekson Spiropali.

“Shenjtorja Terezë dhe Poeti Migjen na ndezin krenarinë për të mëdhenjtë tanë që ia kemi dhënë edhe botës”, nënvizon Spiropali.

 

The post Spiropali: Shenjtorja Terezë dhe poeti Migjen na ndezin krenarinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet për qarkullim ura e re mbi Ibër në Mitrovicë

26 August 2025 at 10:39

PRISHTINË, 26 gusht/ATSH/ Sot, është lëshuar në qarkullim ura e re mbi lumin Ibër, që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të veriut, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”, ka shkruar Sveçla në rrjetet sociale derisa në fotografinë e postuar nga ai shihen vetura e qytetarë duke lëvizur mbi urë.

Edhe zëvëndësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka publikuar një video për hapjen e kësaj ure.

“Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, ka shkruar ai.

Vlera totale për ndërtimin e tyre është rreth 3 milionë euro. Por, pak pas fillimit të këtyre punimeve, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për kontratën nën dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.

Institucionet përkatëse kosovare i filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë reagimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kundërshtimet nga serbët në veri.

/Kosovapress/

The post Hapet për qarkullim ura e re mbi Ibër në Mitrovicë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump shkarkon guvernatoren e FED, Lisa Cook

26 August 2025 at 10:31

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka shkarkuar guvernatoren e Rezervës Federale (FED) Lisa Cook nga posti i saj, duke cituar deklarata të dyshuara të rreme në një ose më shumë marrëveshje hipotekare.

Kishte “arsye të mjaftueshme për të besuar” se guvernatorja kishte bërë deklarata të rreme, tha Trump në një letër drejtuar Cook, të cilën e ndau mbrëmë në Truth Social.

Sipas ligjit amerikan, një president mund të shkarkojë guvernatorët e FED vetëm për shkak të një arsyeje, duke ngritur mundësinë që vendimi i Trump të përballet me sfida ligjore.

Trump i kishte treguar qëllimet e tij ditë më parë, duke u thënë gazetarëve se “do ta shkarkoj nëse ajo nuk jep dorëheqjen”.

Cook kohët e fundit ishte përballur me shqyrtim të hollësishëm për parregullsi të dyshuara në aplikimet për hipoteka, të cilat u raportuan në një letër nga drejtoresha e Agjencisë Federale të Financimit të Strehimit drejtuar Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi.

Për muaj të tërë, Trump ka ushtruar presion mbi Rezervën Federale për të ulur normat e interesit, një kërkesë që nuk është përmbushur pasi politikëbërësit mbeten të shqetësuar për inflacionin, pjesërisht të nxitur nga tarifat e importit të Trump./   /Ad.Ab./

 

The post SHBA – Trump shkarkon guvernatoren e FED, Lisa Cook appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KANBERRA – Australia dëbon ambasadorin iranian, pas sulmeve antisemite

26 August 2025 at 10:05

SIDNEJ, 26 gusht  /ATSH-DPA/  – Kryeministri australian Anthony Albanese that sot  se qeveria iraniane orkestroi sulme antisemite në tokën australiane dhe ka njoftuar dëbimin e ambasadorit iranian.

Duke folur para gazetarëve, Albanese tha se Organizata Australiane e Inteligjencës së Sigurisë (ASIO) kishte konfirmuar përfshirjen e Teheranit në sulmet që synonin komunitetin hebre të Australisë, duke përfshirë sinagogën ”Adass Israel” të Melburnit.

“Këto ishin akte të jashtëzakonshme dhe të rrezikshme agresioni të orkestruara nga një komb i huaj në tokën australiane”, tha kryeministri.

“Ato ishin përpjekje për të minuar kohezionin shoqëror dhe për të mbjellë përçarje në komunitetin tonë”, shtoi ai.

Ministrja e Jashtme, Penny Wong tha se kjo shënon herën e parë që nga Lufta e Dytë Botërore që Kanberra ka dëbuar një ambasador.

Përveç ambasadorit Ahmad Sadeghi, tre diplomatë të tjerë iranianë janë shpallur persona ”non grata” dhe duhet të largohen nga Australia brenda shtatë ditësh.

”Ambasada australiane në Teheran pezulloi operacionet e saj”, tha Wong, me të gjithë stafin të zhvendosur në mënyrë të sigurt në një vend të tretë.

Ajo u bëri thirrje australianëve në Iran të largohen menjëherë nëse është e sigurt ta bëjnë këtë./   /Ad.Ab./

The post KANBERRA – Australia dëbon ambasadorin iranian, pas sulmeve antisemite appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vatra e zjarrit në Akërni të Vlorës ende aktive, ndërhyrje nga ajri dhe toka

26 August 2025 at 09:33

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Zjarri i rënë në pyllin me pisha në zonën e hidrovorit në fshatin Akërni të Vlorës vijon ende aktiv edhe këtë mëngjes.

Që prej orës 05:00, forcat zjarrfikëse dhe ato të Forcave të Armatosura janë rikthyer në terren për të luftuar flakët, të cilat kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Një ditë më parë, situata u përshkallëzua në nivel kritik, pasi erërat e forta favorizuan përhapjen e zjarrit në zona të gjera, duke e bërë të pamundur ndërhyrjen vetëm me mjete tokësore.

Edhe terreni i vështirë i zonës ka penguar hyrjen e mjeteve zjarrfikëse, duke e rënduar situatën.

Për herë të parë në këtë vatër u angazhua edhe ndërhyrja ajrore. Në vendngjarje mbërritën katër helikopterë, dy të Forcave të Armatosura shqiptare dhe dy të tjerë të dërguar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët asistuan në përpjekjet për shuarjen e flakëve nga ajri.

Autoritetet janë ende në terren dhe theksojnë se mbajtja nën kontroll e zjarrit është prioritet, ndërsa rreziku për përhapje të mëtejshme mbetet i lartë për shkak të sipërfaqes së madhe të pyllit dhe kushteve atmosferike.

/gj.m/j.p/

The post Vatra e zjarrit në Akërni të Vlorës ende aktive, ndërhyrje nga ajri dhe toka appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërkon dënim me burg për djegien e flamurit amerikan

26 August 2025 at 09:31

UASHINGTON, 26 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që kushdo që djeg flamurin amerikan të dënohet me burg.

“Nëse djeg një flamur, merr një vit burg, asnjë dalje të parakohshme, asgjë”, tha dje Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se djegia e flamurit do të ndalohet.

Trump nënshkroi një dekret të titulluar “Ndjekja penale e djegies së flamurit amerikan”.

Megjithatë, kjo nuk përfshin dënimin me një vit burg të propozuar nga Trump.

Në vend të kësaj, thuhet se ndjekja penale duhet të ketë përparësi në raste të caktuara.

“Flamuri ynë i madh amerikan është simboli më i shenjtë dhe i çmuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i lirisë, identitetit dhe forcës amerikane”, thuhet në dekret duke shtuar se përdhosja e flamurit është “në mënyrë unike fyese dhe provokuese”.

”Nëse të huajt janë të përfshirë në djegie, në rrethana të caktuara, viza e tyre mund të revokohet gjithashtu”, thuhet në dekret./  a.jor.

The post SHBA – Trump kërkon dënim me burg për djegien e flamurit amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Denaj: Mbi 13 mijë certifikata fitosanitare për eksportin e produkteve bimore

26 August 2025 at 09:28

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Certifikata fitosanitare është garanci për cilësinë dhe sigurinë e eksporteve të bimëve dhe produkteve me origjinë bimore drejt BE-së dhe vendeve të tjera të botës.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bëri të ditur sot, se gjatë periudhës janar-qershor 2025 janë lëshuar mbi 13 mijë certifikata fitosanitare për dërgesat e bimëve, produkteve bimore dhe produkte të tjera për eksport.

Sipas ministres Denaj, kjo shifër krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë është 19% më e lartë, duke treguar përkushtimin e fermerëve dhe përpunuesve në përmbushjen e standardeve fitosanitare sipas legjislacionit të BE-së.

Tashmë, pajisja me certifikatë fitosanitare ofrohet online, proces ky që lehtëson biznesin eksportues, redukton kohën e pritjes dhe ndikon në ruajtjen e standardeve të prodhimeve bujqësore në eksporte.

Plotësimi i certifikatës fitosanitare me dorë si dhe realizimi i monitorimit kërkon mesatarisht 1-1,5 orë punë. Ndërkohë, procesi online për të gjithë operatorët ekonomikë që do të kryejnë eksporte, nuk zgjat më shumë se 10 minuta.

/e.i/j.p/

The post Denaj: Mbi 13 mijë certifikata fitosanitare për eksportin e produkteve bimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, Rama: Hapësirë moderne me laborator krijimtarie për fëmijë dhe të rinj

TIRANË, 26 gusht/ATSH/- Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do jetë një ndërtesë dinjitoze, pol kulturor multifunksional plot hapësira për fëmijët dhe të rinjtë, të cilët do të mund të zbulojnë dhe kultivojnë talentet e tyre në shumë fusha.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga  punimet që po vijojnë në kantierin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë.

Rama thekson se kjo Qendër “po rilind si një hapësirë moderne pranë Parkut të Madh të Liqenit në Tiranë, me një skenë të dyfishtë brenda godinës”.

Një nga elementët më të rëndësishëm të këtij investimi është krijimi i një skene të dyfishtë, që do të mund të përdoret si brenda godinës dhe jashtë saj, në formën e një amfiteatri të hapur në natyrë.

Kreu i Ekzekutivit shton se edhe nga jashtë godina do ketë formën e “një amfiteatri në natyrë, auditore e klasa për artet dhe inovacionin”.

Kryeministri shprehet se Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë do të kthehet në një laborator krijimtarie për fëmijë e të rinj, si një qendër unike në rajon.

Ky investim është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan dhe do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të rinj dhe edukimi i artit për fëmijët.

Gjithashtu është parashikuar ndërtimi i një punishteje të madhe, ku do të prodhohen kukulla dhe rekuzita për shfaqje, si dhe do të mund të shfrytëzohet nga të rinjtë dhe studentët e Akademisë së Arteve.

Kjo qendër do të ofrojë mundësi për zhvillimin e kurseve të ndryshme për artet skenike, përfshirë aktrim, balet, muzikë dhe shumë aktivitete të tjera, duke i mundësuar të rinjve të shfaqin dhe zhvillojnë talentet e tyre.

 

The post Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, Rama: Hapësirë moderne me laborator krijimtarie për fëmijë dhe të rinj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌