Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 25 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Protesta kundër projektit të planifikuar në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 56-të.

Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më tej përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e Qeverisë.

Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësuan kastë e vjetër politike.

Një i moshuar, pjesëmarrës në protestë u shpreh se “kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë”.

“Nuk ka zbatuar të drejtat e njeriut. E kanë shkelur që me tokat. Në pushtetin lokal kërkon të drejtë nuk zbatohet, çfarë dreq qeverie është kjo kur nuk zbaton të drejtat themelore të njeriut”, tha ai.

Një tjetër i ri, pohoi nga protesta së “Shqipëria është e korruptuar me banda”, ndërsa u ndal te takimi i Kryeministrit Rama pak ditë më parë në Theth, ku tha se “vetëm 20 persona ishin të pranishëm”.

“Rama në mbledhje kishte 20 veta dhe nuk ishte në Theth, ishte thjesht propagandë. Shqipëria është e korruptuar me banda. 6 çuna i kanë futur në byrektore dhe i kanë rrahur. Mua nuk më kanë prekur se kam nënshtetësi britanike”, tha ai.

Në fjalimet e mbajtura para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre për krijimin e një qeverie tranzitore, ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese, si dhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Në përfundim, pjesëmarrësit vijuan marshimin në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.

Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë, foto: Florian Abazaj
1 nga 19

 

The post Protesta e 56-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Zona e Lumit të Shalës do të lidhet me Tropojën, gati kantieri i aksit rrugor

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kantieri për ndërtimin e rrugës Shalë–Tropojë, një nga investimet e rëndësishme infrastrukturore në veri të vendit, është gati në pritje të nisjes së punimeve për aksin që shënon hap të rëndësishëm për lidhjen e zonës së Dukagjinit me Kurorën e Alpeve Shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kantieri, duke e cilësuar projektin si një investim strategjik që do të lidhë Shalën me Tropojën përmes Qafës së Ndërmajës.

Ky investim do të krijojë një korridor të ri lidhës mes zonave alpine, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve dhe vizitorëve, si edhe duke rritur potencialin për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.

Realizimi i këtij projekti pritet të rrisë aksesueshmërinë në një prej destinacioneve më të veçanta të turizmit malor në vend, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve lokale dhe në promovimin e Alpeve Shqiptare si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

/e.i/j.p/

The post Zona e Lumit të Shalës do të lidhet me Tropojën, gati kantieri i aksit rrugor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayAgjencia Telegrafike Shqiptare

Peleshi: Transkripti i seancave plenare në Kuvend me inteligjencë artificiale

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, bëri një bilanc të punës parlamentare gjatë dy sesioneve të para të kësaj legjislature.

Në fokus të fjalës së tij ishte edhe zhvillimi teknologjik i Kuvendit, ku kryeparlamentari evidentoi implementimin e inteligjencës artificiale për transkriptimin automatik të mbledhjeve parlamentare e cila synon të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në veprimtarinë e Kuvendit.

Sipas Peleshit, sistemi ka hyrë prej disa muajsh në funksion dhe po vijon trajnimin dhe vetëpërmirësimin.

“Që nga mbledhja e parë e transkriptuar janë transkriptuar me sukses 287 mbledhje të komisioneve parlamentarë me rreth 486 orë material i përpunuar. Aktualisht të gjitha seancat plenare transkriptohen dhe transmetohen drejtpërdrejt me titra në kanalin e Kuvendit në Youtube”, tha Niko Peleshi.

Sipas Peleshit, transkriptimi automatik është një sistem i zhvilluar posaçërisht për Kuvendin e Shqipërisë, i cili shndërron në kohë reale fjalimet e deputetëve në tekst të shkruar. Në qendër të tij qëndron një model i inteligjencës artificiale i trajnuar enkas mbi gjuhën shqipe dhe terminologjinë parlamentare, çka i mundëson sistemit të njohë me saktësi të lartë emrat, institucionet dhe fjalorin specifik të përdorur në seancat e Kuvendit.

Peleshi nënvizoi se “një ndër risitë kryesore është fakti që i gjithë sistemi funksionon brenda infrastrukturës së Kuvendit, pa u mbështetur te shërbime të jashtme, duke garantuar sigurinë dhe sovranitetin e të dhënave. Përveç transkriptimit, sistemi ofron edhe identifikimin automatik të folësve dhe një mjedis bashkëpunues online, ku personeli i Kuvendit mund të rishikojë dhe të përmirësojë tekstin me shpejtësi, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e publikimit të procesverbaleve zyrtare”.

“Titrat në kohë reale gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta e bëjnë veprimtarinë e Kuvendit më të aksesueshme për të gjithë qytetarët, përfshirë personat me vështirësi në dëgjim. Ndërkohë, çdo seancë e transkriptuar ruhet në një arkiv dixhital të kërkueshëm, duke i mundësuar publikut, gazetarëve dhe studiuesve të gjejnë brenda pak sekondash çdo fjalë të thënë në sallën e Kuvendit”, vijoi ai.

Me këtë nismë, Kuvendi i Shqipërisë renditet ndër parlamentet e para në rajon që përdorin inteligjencën artificiale për transkriptimin e seancave, duke e kthyer teknologjinë në një instrument konkret në shërbim të transparencës dhe të afrimit të institucionit me qytetarët.

/e.i/j.p/

The post Peleshi: Transkripti i seancave plenare në Kuvend me inteligjencë artificiale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Goditën policinë me sende të forta dhe mjete piroteknike, arrestohen 2 protestues

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit bën me dijse, se ka identifikuar 32 shtetas që hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të punonjësve të Policisë, gjatë tubimit të djeshëm të protestës para Kuvendit.

Policia informon se janë arrestuar në flagrancë dy prej tyre, ndërsa u proceduan në gjendje të lirë 30 të tjerët, ndërsa gjatë tubimit u dëmtuan 6 punonjës policie.

Gjatë tubimit, sipas informacionit të policisë, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur në drejtim të tyre, sende të forta, mjete piroteknike dhe sende të tjera.

Sipas Policisë, u arrestuan në flagrancë shtetasit O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”;

Po ashtu nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit P. D., A. M., E. K., E. K., V. H., K. P., A. P., D. D., J. A., E. K., Y. T., M. R., V. M., A. B., S. D., E. I., A. S., E. H., E. S., I. D., E. P., C. M., D. T., E. L., F. A., A. Ç., A. Zh., F. S., A. B. dhe I. M., për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kapsolla të cilat u gjetën në një qese plastmasi që e mbante shtetasja e arrestuar A. I.

Gjashtë punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.

/e.i/j.p/

The post Goditën policinë me sende të forta dhe mjete piroteknike, arrestohen 2 protestues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Protesta, pasqyrë për të qeverisur Shqipërinë e fazës së re të pritshmërive

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherazi Kryeministër Edi Rama deklaroi sot se qeverisja ka hyrë në një fazë të re, ku qytetarët nuk gjykojnë më mbi bazën e mungesave të së kaluarës, por mbi pritshmëritë për cilësi më të lartë të jetës dhe shërbimeve.

Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u ndal te nevoja për një qasje të re në komunikimin me qytetarët, duke theksuar se faktet dhe arritjet e qeverisë nuk mjaftojnë më për t’iu përgjigjur pritshmërive të shoqërisë.

“Kemi një arsenal faktesh për t’iu përgjigjur gënjeshtrave, shpifjeve dhe akuzave, por faktet tona nuk mjaftojnë më”, u shpreh Rama.

“Prandaj, mësimi i parë që dua të ndaj me ju është se faktet tona nuk mjaftojnë më. Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më as me kënaqësinë e ndryshimeve që ndodhin, as me inkurajimin e gjërave që ndërtohen. Siç ndodhte deri dje, kur prisnin me besim se, pas shkollës, rrugës apo lulishtes që u ndërtua në lagjen tjetër, t’i vinte radha rrugës, shkollës apo lulishtes së lagjes së tyre. Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’iu përgjigjur”, tha ai.

Rama u ndal te protesta në bulevardin e flamingove, siç e etiketoi ai, duke e cilësuar jo si një protestë, por si një pasqyrë të shoqërisë që duhet të shërbejë për reflektim.

“Kjo ishte një pasqyrë që shoqëria na e vuri përpara për të parë veten dhe për të kuptuar nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për të qeverisur Shqipërinë e kësaj faze të re”, u shpreh Rama.

Rama tha se në atë pasqyrë ai sheh fundin e epokës së mungesave dhe fillimin e epokës së pritshmërive.

Sipas kreut të Qeverisë, në të kaluarën ndërtimi i një rruge, një shkolle apo një lulishteje përjetohej si një fitore kolektive, ndërsa sot këto konsiderohen standarde që qytetarët i presin si të mirëqena.

“Në epokën e pritshmërive, rruga e re është standard, jo fitore. Shërbimi i mirë merret si i mirëqenë dhe çdo mangësi tolerohet gjithnjë e më pak”, tha Rama.

Kryeministri Rama iu referua studiuesit Alexis de Tocqueville, duke kujtuar paralajmërimin e tij se momenti më i rrezikshëm për një qeveri është pikërisht kur ajo nis të ndryshojë gjërat.

Sipas Ramës, ky është realiteti me të cilin përballet sot qeverisja, ndërsa vendi vijon procesin e zhvillimit dhe transformimit në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

/e.i/j.p/

The post Rama: Protesta, pasqyrë për të qeverisur Shqipërinë e fazës së re të pritshmërive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Peleshi: Kjo është legjislatura e integrimit evropian, miratuam 131 ligje

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në bilancin e punës në dy sesionet e para të kësaj legjislature parlamentare e cilësoi legjislaturën si atë të integrimit evropian, për shkak të rolit të Parlamentit në mbështetjen e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Në takimin e zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së, ku i pranishëm është edhe Kryeministri, njëherësh kryetari i PS-së Edi Rama, Peleshi u shpreh se në dy sesionet e deritanishme Kuvendi ka ushtruar tre funksionet e tij themelore të përcaktuara nga Kushtetuta, si funksionin legjislativ, mbikëqyrës dhe zgjedhës.

Sipas tij, Kuvendi ka qenë institucioni ku janë materializuar reformat më të rëndësishme të kësaj periudhe.

Peleshi bëri të ditur se gjatë dy sesioneve të para janë miratuar 131 ligje, rreth 40 më shumë krahasuar me dy sesionet e fundit të legjislaturës së kaluar.

“Janë miratuar me konsensus ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, duke modernizuar procedurat parlamentare dhe duke rikonfiguruar komisionet e përhershme parlamentare”, tha ai.

Në fjalën e tij, Peleshi renditi edhe një sërë reformash ligjore të ndërmarra gjatë kësaj periudhe, mes të cilave ndryshimet në Kodin Penal dhe Kodin Civil, përmirësimin e kuadrit ligjor për konfliktin e interesit, lobimin, komisionet hetimore, organet e drejtësisë, pronësinë intelektuale, mbrojtjen e mjedisit, bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Duke u ndalur te procesi i integrimit evropian, Peleshi tha se puna e Kuvendit nuk ka qenë asnjëherë më parë kaq e lidhur ngushtë me negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Po ta përkufizonim me një fjalë këtë legjislaturë, ajo do të ishte legjislatura e integrimit evropian”, u shpreh ai.

Sipas Peleshit, në kuadër të procesit të negociatave janë miratuar 157 amendamente shtesë, janë shqyrtuar pozicionet negociuese të Shqipërisë, është monitoruar vazhdimisht ecuria e negociatave dhe janë zhvilluar dhjetëra seanca dëgjimore me ministrat dhe ekipet negociatore.

1 nga 4

/e.i/

The post Peleshi: Kjo është legjislatura e integrimit evropian, miratuam 131 ligje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aparate digjitale në Poliklinikën e Specialiteteve Elbasan, rritje e cilësisë së diagnostikimit

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Poliklinika e Specialiteteve në Elbasan është pajisur me një aparat të ri plotësisht dixhital për radiografi dhe fluoroskopi, investim që synon përmirësimin e cilësisë së diagnostikimit dhe rritjen e standardeve të shërbimit shëndetësor për qytetarët.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale njofton se aparatura e re mundëson realizimin e imazheve me rezolucion të lartë, diagnostikim më të saktë, si edhe kryerjen e procedurave në një kohë më të shkurtër, duke rritur efikasitetin e shërbimit dhe cilësinë e kujdesit për pacientët.

Sipas MSHMS-së, investimi është pjesë e përpjekjeve për modernizimin e infrastrukturës dhe pajisjeve mjekësore në institucionet shëndetësore publike, me synim ofrimin e shërbimeve gjithnjë e më cilësore dhe bashkëkohore për qytetarët.

Pajisja me teknologji të avancuar diagnostikuese pritet të lehtësojë punën e personelit mjekësor, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e saktësisë së ekzaminimeve dhe përmirësimin e përvojës së pacientëve në marrjen e shërbimit.

Poliklinika e Specialiteteve është e organizuar në 40 kabinete, me akses të shpejtë dhe shërbime cilësore në 18 specialitete të ndryshme të sëmundjeve të brendshme dhe ekzaminime ambulatore e laboratorike.

/e.i/j.p/

The post Aparate digjitale në Poliklinikën e Specialiteteve Elbasan, rritje e cilësisë së diagnostikimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Roskovec, 35-vjeçari vret ish-vjehrrin me armë gjahu

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Fier njoftoi sot se rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Sipas Policisë, nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

/e.i/j.p/

The post Roskovec, 35-vjeçari vret ish-vjehrrin me armë gjahu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kanioni i Kirit, peizazhe përrallore dhe ujëra të kristaltë

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kanioni i Kirit, vetëm 13 kilometra larg Shkodrës është një nga mrekullitë natyrore më të bukura të qytetit në veri të vendit.

Rreth 8 kilometra i gjatë, ky kanion fillon nga Ura e Shenjtë dhe përfundon në Prekal, ndërsa përgjatë tij gjenden shkëmbinj të mëdhenj, vaska natyrore, pellgje me ujë të kristalë dhe gjire.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kanioni i Kirit, që tashmë është kthyer në një destinacion të preferuar për turistë të shumtë vendas, dhe të huaj.

Me relievin e veçantë, luginën piktoreske dhe ujërat e kthjellëta që gjarpërojnë mes shkëmbinjve, kanionet e Kirit përfaqësojnë një atraksion natyror që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve.

Ndërthurja harmonike e maleve, gjelbërimit dhe ujit krijon një peizazh unik, duke e kthyer zonën në një destinacion të preferuar për adhuruesit e natyrës dhe turizmit të aventurës.

Për të gjithë ata që janë në kërkim të një aventure mes ujit të kristaltë, natyrës së egër dhe pamjeve fantastike, kanioni i Kirit është destinacioni që nuk duhet humbur.


/e.i/j.p/

The post Kanioni i Kirit, peizazhe përrallore dhe ujëra të kristaltë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MSHMS: 17 protestues po marrin shërbim shëndetësor, jashtë rrezikut për jetën

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot se aktualisht në strukturat e shëndetit publik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe në Spitalin Universitar të Traumës (SUT), po marrin shërbim mjekësor gjithsej 17 pacientë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në njoftimin e MSHMS-së, thuhet se në QSUT janë paraqitur 10 protestues. Prej tyre, 3 pacientë kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë larguar nga spitali, sipas këshillës së mjekut.

“Aktualisht, 4 pacientë po marrin trajtim në Urgjencën e QSUT-së, nën kujdesin e ekipit mjekësor, ndërsa 3 pacientë po trajtohen në shërbimin e Toksikologjisë. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.

Sipas MSHMS-së, në Spitalin Universitar të Traumës, po marrin shërbim mjekësor 6 efektivë policie dhe 1 protestues, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm nga ekipet mjekësore.

/e.i/j.p/

The post MSHMS: 17 protestues po marrin shërbim shëndetësor, jashtë rrezikut për jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ismaili: Qytetarëve iu ofrohet shërbim sipas standardeve evropiane

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, reagoi sot në Kuvend ndaj akuzave të opozitës, duke i cilësuar debatet procedurale si të politizuara.

Ismaili tha gjatë seancës plenare, se opozita nuk mund të flasë për protesta, drejtësi apo korrupsion, duke iu referuar ngjarjeve të 21 Janarit dhe shpërthimit të Gërdecit, për të cilat, sipas saj, ende nuk është vendosur drejtësi.

“Flisni ju, që vratë 4 protestues në mes të Bulevardit! Flisni për drejtësi ju, që ende do të duhej të ishte bërë drejtësi për Gërdecin. Flisni ju për arsimin, që asnjë lek nuk hodhët në rikonstruksionin e shkollave (jo të flasim më për ndërtimin e shkollave të reja). Flisni për arsimin ju, që diplomat i jepnit rrugëve nga universiteti Vitrina & Co”, tha ajo.

Në fushën e administratës fiskale, Ismaili deklaroi se doganat dhe tatimet dikur karakterizoheshin nga korrupsioni, ndërsa sot, falë digjitalizimit të shërbimeve dhe procedurave, është reduktuar ndjeshëm perceptimi për korrupsion në këto institucione.

Duke folur për sektorin e shëndetësisë, Ismaili tha se para vitit 2013 nuk ishin kryer investime serioze në spitale dhe qendra shëndetësore, ndërsa në turizëm, sipas saj, mungonin politikat mbështetëse për zhvillimin e sektorit, në një kohë kur vendi priste rreth dy milionë vizitorë në vit.

Ismaili shtoi se Qeveria ka ndërmarrë programe të rëndësishme në mbështetje të biznesit.

“Ju biznesin nuk e mbështetët kurrë me asnjë program. Sot flasim për një nga programet më serioze që mbështet biznesin. Flisni për energjinë, që në vitin 2013 ishte një nga sektorët më problematikë, për të mos folur për gjobat nga 1 milion e gjysmë që u vinit abonentëve pa pasur fare dijeni”, vijoi ajo.

Në përfundim, ministrja Ismaili u shpreh se qeveria përballet ende me sfida të rëndësishme, por theksoi se ato kanë kaluar nga garantimi i shërbimeve bazë te ofrimi i shërbimeve sipas standardeve evropiane.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha
1 nga 4

/e.i/

The post Ismaili: Qytetarëve iu ofrohet shërbim sipas standardeve evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transformimi i shërbimit onkologjik, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Instituti Kombëtar i Tumoreve në Milano (Istituto Nazionale dei Tumori – INT) nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në transformimin e shërbimit onkologjik shqiptar. Ky partneritet me një nga qendrat më të njohura europiane të ekselencës në fushën e onkologjisë synon forcimin e kapaciteteve klinike, shkencore dhe organizative, si dhe afrimin e praktikave të kujdesit për pacientët shqiptarë me standardet më të avancuara europiane.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në ndërtimin e një sistemi shëndetësor modern, europian dhe të orientuar drejt pacientit.

“Përmes këtij bashkëpunimi do të fuqizojmë kapacitetet profesionale, do të standardizojmë protokollet sipas praktikave më të mira europiane dhe do të integrojmë teknologjitë më të avancuara, nga inteligjenca artificiale dhe diagnostika digjitale, te telemjekësia dhe sistemet moderne të vendimmarrjes klinike”, tha ajo.

Ministrja Sala theksoi se marrëveshja vendos themelet e një partneriteti strategjik dhe afatgjatë ndërmjet QSUT dhe Institutit Kombëtar të Tumoreve në Milano, i cili do të mbështesë ngritjen e Qendrës së Studimeve Klinike (Clinical Trial Center) pranë QSUT, duke i dhënë Shqipërisë mundësinë të bëhet pjesë aktive e kërkimit shkencor ndërkombëtar dhe duke u ofruar pacientëve shqiptarë akses më të hershëm në terapitë inovative.

Marrëveshja parashikon gjithashtu standardizimin e protokolleve diagnostiko-terapeutike dhe harmonizimin e praktikave klinike sipas standardeve më të mira europiane, zhvillimin e diagnostikës molekulare, si dhe integrimin e teknologjive të avancuara, përfshirë inteligjencën artificiale, diagnostikën digjitale, telepatologjinë dhe telekonsultën, me synim rritjen e cilësisë, efikasitetit dhe aksesit në shërbimet onkologjike.

Një tjetër shtyllë e rëndësishme e marrëveshjes është mbështetja për krijimin e Rrjetit Kombëtar Onkologjik Shqiptar, me QSUNT si qendër kombëtare referimi (hub), duke garantuar standarde të unifikuara të kujdesit dhe akses të barabartë në shërbimet onkologjike për pacientët në të gjithë vendin.

Bashkëpunimi do të shërbejë gjithashtu për transferimin e ekspertizës në fushën e Health Technology Assessment (HTA), Value-Based Medicine dhe menaxhimit shëndetësor, duke forcuar kapacitetet kombëtare për vlerësimin e teknologjive shëndetësore, analizat kosto-përfitim dhe hartimin e politikave të bazuara në evidencë.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, ministrja Sala falenderoi partnerët në Milano dhe theksoi se ky partneritet pasqyron vizionin e reformave që po ndërmerren për modernizimin e sistemit shëndetësor shqiptar.

“Ky është vizioni ynë për shëndetësinë: më shumë investim në dije, më shumë inovacion, më shumë cilësi dhe më shumë mundësi për pacientët shqiptarë. Reformat që po ndërmarrim nuk synojnë vetëm të përmirësojnë shërbimet, por ta afrojnë Shqipërinë me sistemet më të avancuara shëndetësore të Europës”, u shpreh ministrja Sala.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Evis Sala gjatë nënshkrimit në Milano të marrëv...
1 nga 10

/e.i/j.p/

The post Transformimi i shërbimit onkologjik, nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit me Institutin Kombëtar të Tumoreve në Milano appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro apel prindërve: Kryeni regjistrimin e fëmijëve në shkolla përmes e-Albania

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka bërë apel prindërve të kryejnë brenda 31 korrikut regjistrimin e fëmijëve që nisin për herë të parë shkollën në klasën e parë dhe klasën e dhjetë, përmes portalit e-Albania.

“Deri më datë 31 korrik kemi afatin për ta kryer regjistrimin, është shumë e rëndësishme që ju ta ndiqni të gjithë udhëzimin me kujdes për të parë cilat janë shkollat më afër vendbanimit tuaj dhe që ju shfaqen në sistem. Kjo na ndihmon të gjithëve nëse e bëjmë në kohë, të planifikojmë më mirë dhe të organizohemi më mirë, për orët dhe mësuesit që do t’u japin mësim fëmijëve tuaj në shkollat tona nga veriu në jug. Prandaj ju uroj proces të mbarë, mos e lini për ditën e fundit”, tha Kumbaro në një videomesazh drejtuar prindërve.

Prindërit duhet të ndjekin me kujdes udhëzimet në platformën e-Albania, ku do t’u shfaqen shkollat më pranë vendbanimit të tyre. Sipas ministres Kumbaro, përfundimi i regjistrimeve brenda afatit u mundëson institucioneve arsimore të planifikojnë në kohë organizimin e vitit të ri shkollor, shpërndarjen e nxënësve, hartimin e orareve mësimore, si edhe angazhimin e mësuesve në të gjitha shkollat e vendit.

Sitemi është i hapur dhe prindërit që nuk e kanë bërë regjistimin e fëmijëve të tyre duhet ta kryejnë regjistriin online në mënyrë që  të mos e lënë për ditët e fundit, në mënyrë që procesi të zhvillohet pa vonesa dhe të mundësohet një organizim sa më i mirë për nisjen e vitit të ri shkollor.

Ndërkohë që regjistrimet vijojnë, po vazhdon edhe puna për përmirësimin e infrastrukturës arsimore, në bashkëpunim me pushtetin vendor. Në vitin e ri shkollor do të hapin dyert 42 shkolla të reja, të pajisura me laboratorë, terrene sportive dhe ambiente moderne për mësimdhënie.

/e.i/j.p/

The post Kumbaro apel prindërve: Kryeni regjistrimin e fëmijëve në shkolla përmes e-Albania appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni zonat ku zhvillohet protesta

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëroi sot qytetarët amerikanë, lidhur me protestën që po mbahet përpara Kuvendit.

Sipas njoftimit, protesta po zhvillohet përpara ndërtesës së Kuvendit, në rrugën George W. Bush.

Kjo protestë sipas ambasadës së SHBA-ve, lidhet me protestat e natës që vazhdojnë përpara ndërtesës së Kryeministrisë, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërmjet sheshit “Nënë Tereza” dhe sheshit “Skënderbej”.

“Protesta të tjera mund të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protestat mund të shtrihen edhe në zona përreth, përfshirë ndërtesa të tjera qeveritare. Prania e shtuar e policisë, mbyllja e rrugëve, devijimet e qarkullimit dhe ndërprerjet në trafik priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestave. Personeli i qeverisë së Shteteve të Bashkuara këshillohet të shmangë zonat ku zhvillohen protestat”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Qytetarëve amerikanë u rekomandohet të shmangin zonat ku zhvillohen demonstratat dhe të jenë të vëmendshëm ndaj mjedisit përreth, të ndjekin mediet lokale dhe udhëzimet e autoriteteve.

“Nëse ndodheni në një qytet ku ka një protestë, ju lutemi qëndroni vigjilentë dhe i jepni përparësi sigurisë suaj personale. Monitoroni median lokale dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionet më të fundit.

Forconi qëndrimin tuaj të sigurisë duke praktikuar zakonet e mëposhtme: Qytetarëve amerikanë u këshillohet të shmangin demonstratat. Jini të vetëdijshëm për mjedisin përreth. Kufizoni shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në publik. Monitoroni median lokale. Gjithmonë keni një plan emergjence ose strategji daljeje. Mbani një profil të ulët”, njoftoi ambasada e SHBA.

/e.i/j.p/

The post Ambasada e SHBA-së thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangni zonat ku zhvillohet protesta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mallakastra, ku sitet arkeologjike dëshmojnë pasurinë e traditës ndër shekuj

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Mallakastra, qyteti në jugperëndim të Shqipërisë, po konsolidohet si një prej destinacioneve turistike që ndërthur historinë, trashëgiminë kulturore dhe bukuritë natyrore, duke tërhequr vizitorë vendas e të huaj në kërkim të përvojave autentike.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një videokartolinë me ftesën për të gjithë që ta vizitojnë Mallakastrën.

E njohur për kishat mesjetare, kështjellat dhe peizazhet karakteristike rurale, Mallakastra ofron një udhëtim në histori, ku monumentet dhe sitet arkeologjike dëshmojnë vlerat e pasura të këtij rajoni ndër shekuj.

Krahas trashëgimisë kulturore, vizitorët kanë mundësi të shijojnë edhe gastronominë tradicionale të zonës, të bazuar në produkte vendase dhe receta të trashëguara brez pas brezi. Festat dhe aktivitetet kulturore të organizuara gjatë vitit promovojnë traditat lokale dhe i japin një tjetër dimension ofertës turistike të bashkisë.

Për adhuruesit e natyrës dhe turizmit aktiv, Mallakastra ka shtigje për ecje në kodra e male, çiklizëm malor, piknikë pranë lumenjve, si dhe mundësi për të eksploruar peizazhet e gjelbra dhe fshatrat piktoreske të zonës.

Me ndërthurjen e historisë, natyrës, traditës dhe mikpritjes karakteristike, Mallakastra përfaqëson një destinacion që pasuron hartën turistike të Shqipërisë, duke u ofruar vizitorëve një eksperiencë të veçantë gjatë çdo stine.

/e.i/j.p/

The post Mallakastra, ku sitet arkeologjike dëshmojnë pasurinë e traditës ndër shekuj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qeveria miraton paketën e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot paketën e re të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, një masë e cila hyn në fuqi nga data 1 korrik 2026.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, vendimet e miratuara parashikojnë dyfishimin e masës së pagesës për 10,240 fëmijë me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 750 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit. Kjo masë hyn në fuqi me efekte financiare duke filluar nga 1 korriku 2026.

“Mbështetja e shtuar financiare do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke mundësuar ndërhyrje të hershme, zhvillimin e aftësive, përfshirjen sociale dhe lehtësimin e barrës financiare për familjet e tyre. Njëkohësisht, ajo krijon kushte për zhvillim më të qëndrueshëm dhe rrit mundësitë për një jetë më të pavarur në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e MSHMS-së.

MSHMS, cilëson se “një tjetër lehtësim i rëndësishëm është heqja e detyrimit për paraqitjen çdo vit të dokumentacionit mjekësor pranë komisioneve të vlerësimit, për rastet kur afati i përfitimit është disa vjeçar”.

Sipas MSHMS-së, kjo masë redukton ndjeshëm procedurat administrative dhe shmang kostot e panevojshme për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.

Paketa parashikon gjithashtu njohjen e periudhave kontributive për 14,657 ndihmës personalë të personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar shtesë prej 674 milionë lekësh në Buxhetin e Shtetit, duke filluar nga 1 shtatori 2026.

MSHMS thekson se “kjo masë garanton trajtim të barabartë për ndihmësit personalë, duke njohur periudhën e shërbimit të tyre si periudhë kontributive për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Njëkohësisht, ajo forcon mbështetjen për kujdesin në familje, duke u mundësuar personave me aftësi të kufizuara të jetojnë pranë njerëzve të tyre dhe duke reduktuar nevojën për institucionalizim”.

Kjo paketë përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e politikave sociale të qeverisë, me fokus mbështetjen e kategorive më në nevojë, garantimin e dinjitetit, barazisë dhe përfshirjes sociale, si dhe ndërtimin e një sistemi mbrojtjeje sociale më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.

/e.i/j.p/

The post Qeveria miraton paketën e mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Sarandës, kontrolle në Ksamil për nivelin e zhurmave

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Policia e Shtetit informoi sot se vijon intensivisht zbatimi i detyrave të parashikuara në planin e masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit turistik veror.

Sipas Policisë, krahas kontrolleve dhe verifikimeve, janë organizuar takime me pronarë, administratorë subjektesh në Ksamil, aktivitetet e të cilave gjenerojnë zhurmë nga muzika.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, gjatë këtyre ditëve, sipas hartëzimit të zonave me risk për ndotje akustike, kanë organizuar grupe kontrolli në terren, të cilët kanë testuar me matës të zhurmës, disa ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, në zonën turistike të Ksamilit në Sarandë.

Matjet e realizuara, sipas kushteve të përcaktuara në procedurën standarde për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Krahas matjes së nivelit të zhurmës, strukturat përgjegjëse kanë kryer kontrolle dhe për respektimin e orarit të lejuar për aktivitetet me muzikë, në ambiente të hapura dhe në qendra të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Sarandës mbetet e angazhuar dhe e vendosur për të garantuar një mjedis të qetë dhe të sigurt për qytetarët, vizitorët dhe pushuesit.

/e.i/j.p/

The post Policia e Sarandës, kontrolle në Ksamil për nivelin e zhurmave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fushat me livandë, kartolinë vjollcë nga Gramshi

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Gramshi është një ndër zonat ku spikat kultivimi masiv i livandës, bimës aromatike dhe kurative që përveç bukurisë, është edhe një burim i rëndësishëm të ardhurash për banorët.

Parcelat e mbjella me livandë në Kushovë të Gramshit, janë tashmë dhe vend tërheqës për turizmin. Ato krijojnë një peizazh piktoresk mes ngjyrës vjollcë dhe aromës karakteristike të tyre, duke u kthyer në ndalesën e preferuar të shumë vizitorëve dhe fotografëve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga fushat me livandë në Gramsh, duke e etiketuar si një “kartolinë vjollcë”.

Në Shqipëri ka mbi 7 mijë lloje bimësh, të cilat formojnë thuajse 32 % të të gjithë florës së Evropës.

Produktet më të rëndësishme të eksportit janë sherbela, rigoni, trumza, etj.

/e.i/j.p/

The post Fushat me livandë, kartolinë vjollcë nga Gramshi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra shëndetësore verore në Currila, shërbim profesional për pushuesit

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Qendra shëndetësore verore në Currila, Durrës vijon të ofrojë shërbim mjekësor për pushuesit dhe vizitorët, duke garantuar kujdes shëndetësor të shpejtë dhe cilësor pranë zonave më të frekuentuara të qytetit.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, informon se në këtë qendër, ekipet mjekësore janë në shërbim 24/7 për t’u kujdesur për shëndetin e pushuesve vendas, të huaj dhe banorëve të zonës.

Një prej mjekëve të kësaj qendre shëndetësore, shprehet se qëllimi është ofrimi i një shërbimi cilësor dhe profesional si për pushuesit vendas dhe të huaj, por edhe për banorët e zonës.

“Risi për këtë vit është aplikimi i tarifave të unifikuara për pushuesit e huaj, ndërsa ne jemi në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë kohës”, tha ajo.

Ndërsa, disa pacientë shprehen të kënaqur për shërbimin e marrë në këtë qendër shëndetësore verore.

“Stafi mjekësor është shumë i gatshëm, i papërtueshëm. Jemi shumë të kënaqur”, shprehen ata.

Në zonat turistike të vendit janë hapur 29 qendra shëndetësore, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë këtë sezon veror.

Barnat dhe materialet mjekësore në këto qendra janë të garantuara, ndërkohë që qytetarët mund të telefonojnë edhe Urgjencën Kombëtare (127) për çdo emergjencë shëndetësore.

Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.

Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri.

/e.i/j.p/

The post Qendra shëndetësore verore në Currila, shërbim profesional për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Norma maksimale e interesit për kreditë e vogla konsumatore ulet në 51,37%

TIRANË, 22 korrik /ATSH/ Banka e Shqipërisë ka vijuar lehtësimin e kostos së huamarrjes për kreditë e vogla konsumatore, duke ulur sërish normën efektive maksimale të interesit (NEI) për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2026.

Sipas vendimit të publikuar nga Banka e Shqipërisë, për kreditë konsumatore me vlerë deri në 200 mijë lekë, norma efektive maksimale e interesit është përcaktuar në 51,37%, nga 54,8% në gjashtëmujorin e parë të vitit dhe 62,2% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë ka përcaktuar gjithashtu që për overdraftet deri në 200 mijë lekë, norma efektive maksimale e interesit të ulet në 18,07%, nga 18,27% në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Për kreditë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, tavani i interesit është rritur në 37,4%, ndërsa për kreditë me vlerë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë është ulur në 14,46%.

Vendosja e kufijve maksimalë për normat e interesit të kredive konsumatore ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2022, si një masë për forcimin e mbrojtjes së konsumatorëve dhe kufizimin e praktikave me kosto të lartë në tregun e kreditimit, veçanërisht nga institucionet financiare jobanka.

Që nga zbatimi i kësaj mase, norma maksimale për kreditë deri në 200 mijë lekë ka pësuar një rënie të ndjeshme, nga 171,41% në fillim të vitit 2022 në 51,37% për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2026.

/e.xh/j.p/

The post Norma maksimale e interesit për kreditë e vogla konsumatore ulet në 51,37% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌