Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Karakaçi: Projekti Milot-Balldren përfshin tunel, ura dhe mirëmbajtje 35-vjeçare

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, reagoi sot ndaj atyre që i cilësoi si dezinformata lidhur me koston e projektit të autostradës Milot–Balldren, duke theksuar se vlerësimi i një vepre të tillë nuk mund të bëhet vetëm mbi bazën e gjatësisë së saj.

Në një deklaratë, Karakaçi tha se krahasimet që mbështeten vetëm te kostoja për kilometër janë të pasakta, pasi çdo projekt infrastrukture ndryshon në varësi të karakteristikave të terrenit, kushteve gjeologjike dhe veprave inxhinierike që përfshin.

Ministri sqaroi se vlera totale prej 364,7 milionë eurosh i referohet kontratës koncesionare 35-vjeçare, e cila përfshin projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen rutinë dhe periodike, sistemin elektronik të monitorimit dhe tarifimit, si dhe riveshjen e autostradës gjatë periudhës së kontratës.

Sipas tij, kostoja e ndërtimit të vetë autostradës është 182 milionë euro.

Karakaçi bëri të ditur se projekti përfshin një tunel me dy tuba prej 850 metrash, një urë 620 metra mbi lumin Mat, një urë 223 metra mbi lumin Drin, pesë nyje në disnivel, rreth 9,5 kilometra rrugë dytësore, si dhe sistemet elektronike të monitorimit dhe tarifimit.

Ai theksoi se aksi kalon në një zonë aluvionale pranë bregdetit Adriatik, çka kërkon punime shtesë për stabilizimin e terrenit, drenazhimin dhe masa të tjera inxhinierike.

Ministri e cilësoi autostradën Milot–Balldren një projekt me rëndësi strategjike, pjesë të rrjetit evropian të transportit, që lidh Shqipërinë me Malin e Zi dhe më tej me rrjetin TEN-T, duke shtuar se qeveria mbetet e angazhuar për realizimin e saj sa më shpejt./ /gj.m/ a.jor.

The post Karakaçi: Projekti Milot-Balldren përfshin tunel, ura dhe mirëmbajtje 35-vjeçare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Prioritet lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita ka një paketë masash për përballimin e rritjes së çmimeve, rritjen e pagave dhe mbështetjen e sektorit të turizmit.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se rritja e kostos së jetesës lidhet, sipas tij, me politikat ekonomike të qeverisë, ndërsa prezantoi tre masa që PD synon të ndërmarrë.

Sipas Berishës, këto masa janë vendosja e minimumit jetik në nivelin 200 euro për çdo qytetar, heqja e TVSH-së ose ulja e saj në 6% për produktet ushqimore, si dhe dyfishimi i pagave dhe pensioneve përmes një politike agresive të rritjes së tyre.

Duke folur për sektorin e turizmit, kreu i PD-së deklaroi se ky sektor është goditur, sipas tij, nga zhvillimet ekonomike dhe largimi i fuqisë punëtore, ndërsa paraqiti tre hapa që, sipas tij, do të ndihmonin në rimëkëmbjen e tij.

Berisha tha se prioritet do të ishte lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi, rishikimi i sistemit të taksave për hotelet dhe krijimi i një skeme mbështetëse për punonjësit sezonalë gjatë gjithë vitit, me bashkëkontributin e shtetit.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e TVSH-së për ushqimet, duke deklaruar se heqja e kësaj takse është e domosdoshme për të ulur barrën e shpenzimeve për qytetarët./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Prioritet lufta kundër trafiqeve dhe ndikimit të krimit në ekonomi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turistët shijojnë bukurinë e blusë së thellë të lumit të Shalës

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Lumi i Shalës është kthyer vitet e fundit në një nga destinacionet më tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj.

Natyra e paeksploruar, lumi i kaltër dhe mundësitë e shumta të sporteve të aventurës bëjnë që ky destinacion të jetë në listën e vendeve kryesore për të vizituar gjatë periudhës qershor-gusht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lumi i Shalës, ku turistët shijojnë një nga eksperiencat më magjike të pushimeve në Shqipëri.

Lumi i Shalës buron rrëzë Alpeve dhe ka një gjatësi prej 37 kilometrash prej burimit në majën e Radohinës e deri në Drin.

Lumi i Shalës dallohet për ujin e tij të veçantë ngjyrë blu të thellë.

Ai është i pasur me një shumëllojshmëri peshqish, por më e përhapura është trofta, që rritet vetëm në ujërat e ëmbla.

Ngjyra e kaltër dhe e ftohtë e ujit është karakteristike e këtij lumi, shkëmbinjtë e thepisur që e rrethojnë, duken sikur prekin qiellin./ /gj.m/ a.jor.

The post Turistët shijojnë bukurinë e blusë së thellë të lumit të Shalës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Lezhës nuk konstaton asnjë shkelje për zhurmat në Shëngjin

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Policia e Lezhës vijon kontrollet për respektimin e normave të lejuara të zhurmës në zonën turistike të Shëngjinit, në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike gjatë sezonit veror.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, kanë vijuar monitorimet në terren në zonat e identifikuara me risk për ndotje akustike.

Gjatë kontrolleve janë përdorur pajisje matëse të nivelit të zhurmës për verifikimin e ambienteve të hapura dhe të mbyllura, me qëllim respektimin e kufijve të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për administrimin e zhurmës në mjedis.

Nga matjet e kryera rezultoi se nivelet e zhurmës kanë qenë brenda kufijve të lejuar dhe nuk është evidentuar asnjë shkelje që të kërkonte masa administrative.

Kontrollet kanë përfshirë edhe respektimin e orarit të lejuar për zhvillimin e aktiviteteve muzikore në ambiente të hapura në zona të banuara, nga ora 11:00 deri në orën 24:00.

Policia e Lezhës bëri të ditur se do të vijojë monitorimin gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim garantimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për banorët dhe vizitorët, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast shkeljeje./ /gj.m/ a.jor.

The post Policia e Lezhës nuk konstaton asnjë shkelje për zhurmat në Shëngjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

206 raste me shpejtësi deri në 212 km/h brenda një nate – Lamallari: Automjeti nuk është armë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një statusi në rrjetet sociale ndaj shkeljeve të rënda të rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se ”drejtimi i automjeteve me shpejtësi ekstreme rrezikon jetën e drejtuesve dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”.

Duke publikuar të dhëna nga kontrollet e orëve të fundit të Policisë së Shtetit, ai bën me dije se vetëm gjatë natës së kaluar pajisjet inteligjente kanë regjistruar 206 raste të automjeteve që lëviznin me shpejtësi nga 150 deri në 212 km/h në segmentet rrugore nga Lezha në Fier, ku kufiri maksimal i lejuar është 90 km/h.

Lamallari e cilëson këtë sjellje si të papranueshme dhe një kërcënim serioz për sigurinë rrugore, duke theksuar se automjeti nuk duhet të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse ndaj vetes dhe të tjerëve.

Ai paralajmëron se ndaj drejtuesve që i trajtojnë rrugët si pista garash nuk do të ketë asnjë tolerancë, duke nënvizuar se teknologjia moderne e Policisë identifikon çdo shkelje dhe se masat administrative e ligjore do të zbatohen pa kompromis.

“Rrugët nuk do t’ua lëmë në dorë atyre që sillen si kamikazë në timon”, thekson  Lamallari në reagimin e tij./ /gj.m/ a.jor.

The post 206 raste me shpejtësi deri në 212 km/h brenda një nate – Lamallari: Automjeti nuk është armë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama po vepron njëanshmërisht për reformën territoriale

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po vepron në mënyrë të njëanshme për reformën territoriale, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të protestojnë për këtë çështje.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se opozita e mbajti të bllokuar për disa orë seancën parlamentare, duke e përqendruar debatin te reforma territoriale dhe kërkesat e protestuesve.

Sipas Berishës, Partia Demokratike mori pjesë në komisionin për reformën territoriale për të mbrojtur interesat e qytetarëve, duke paraqitur një projekt alternativ që parashikonte rritjen e numrit të bashkive dhe krijimin e njësive të reja vendore në përputhje me ndryshimet demografike.

Berisha pretendoi se kryeministri Rama u tërhoq nga procesi i konsultimit dhe miratoi në mënyrë të njëanshme raportin për reformën territoriale, duke e cilësuar këtë veprim si të kundërligjshëm.

Kreu i PD-së u bëri thirrje qytetarëve që të mos e lënë reformën territoriale “në duart e Edi Ramës”, por të bashkohen në protestat e opozitës.

“Ai bën gjithçka për një konfrontim dhe unë ftoj qytetarët që këtë reformë kaq të rëndësishme për ata, për komunitetet e tyre, për zonën e tyre, të mos e lënë në duart e Edi Ramës, por të bashkohen me kryengritjen e përgjithshme popullore në Tiranë gjer në largimin e tij”, tha Berisha./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Rama po vepron njëanshmërisht për reformën territoriale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” mundësi të reja financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Programi ”Dyfisho sipërmarrjen tënde” mbështet sipërmarrjet shqiptare, tha sot drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Taulant Balla, gjatë një vizite në kantinën “Belba” në Kavajë, një sipërmarrje e krijuar nga dy vëllezër që sollën në Shqipëri përvojën e fituar në Itali duke e ndërthurur me traditën vendase të prodhimit të verës.

Gjatë vizitës, Balla u njoh nga afër me aktivitetin e kantinës dhe procesin e prodhimit të verës “Belba”, e cila sot konsiderohet ndër verërat më cilësore “Made in Albania”.

Ai theksoi rëndësinë e mbështetjes së sipërmarrjeve që investojnë në cilësi, inovacion dhe zhvillimin e ekonomisë vendase, duke nënvizuar se programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” krijon mundësi të reja financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Sipas Ballës, ”përmes këtij programi bizneset mund të përfitojnë kredi me normë interesi preferenciale dhe Garanci Sovrane, duke lehtësuar investimet, zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së sipërmarrjeve shqiptare”.

Kantina “Belba” është një shembull konkret i mbështetjes për bizneset që promovojnë produktet shqiptare dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.

/gj.m/ a.jor.

The post Balla: Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” mundësi të reja financimi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Rama injoroi kërkesat e protestuesve

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se kryeministri Edi Rama ka injoruar kërkesat e protestuesve, ndërsa pretendoi se lëvizja qytetare “jo vetëm që nuk po shuhet, por po bëhet gjithnjë e më tronditëse për regjimin e tij”.

Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se java që lamë pas u karakterizua nga zhvillime politike dhe parlamentare, duke akuzuar mazhorancën se miratoi ligje dhe ndryshime ligjore që, sipas tij, favorizojnë interesa të caktuara.

“Këtë javë, Edi Rama përdori forcën e kartonave të tij të krimit për të votuar në parlament ligje dhe amendime të Kodit Civil, të Kodit Detar, me të cilat ai mbështet fuqishëm oligarkët dhe interesat e tij kriminale. Edi Rama përdori kartonat e tij të krimit për të votuar në parlament dhuratën e parave që u grabiti pensionistëve shqiptarë, qytetarëve shqiptarë dhe për t’ua dhuruar ato miliarderit Kanye West”, tha Berisha.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përdorimin e forcës ndaj protestuesve gjatë protestave të fundit, duke pretenduar se ndaj tyre janë përdorur lëndë kimike dhe mjete të tjera për shpërndarjen e turmës.

“Ai përdori dhunën më të egër, lëndët helmuese, djegëse, kimike njëlloj si ato që përdoren në llogoret e luftës kundër armiqve, i përdori ndaj protestuesve paqësorë”, tha Berisha.

Sipas kreut të PD-së, kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, të cilin ai e cilësoi si jolegjitim, duke përsëritur akuzat e opozitës për procesin zgjedhor dhe qeverisjen.

Në deklaratën e tij, Berisha kritikoi edhe qëndrimet e kryeministrit lidhur me luftën kundër korrupsionit, duke pretenduar se Rama ka injoruar rastet e dënimeve të zyrtarëve të lartë në Shqipëri./ /gj.m/ a.jor.

The post Berisha: Rama injoroi kërkesat e protestuesve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja dhe ambasadori i ri i Meksikës diskutojnë bashkëpunimin në kulturë, turizëm dhe sport

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Meksikës në Shqipëri, Genaro Fausto Lozano Valencia, me të cilin diskutoi mbi forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e kulturës, turizmit dhe sportit.

Gjatë takimit, një vëmendje e veçantë iu kushtua organizimit të Javës Kulturore të Meksikës në Shqipëri, me synimin për t’i prezantuar publikut shqiptar trashëgiminë e pasur kulturore, artistike dhe tradicionale meksikane, si dhe për të forcuar lidhjet e miqësisë dhe partneritetit mes dy vendeve përmes diplomacisë kulturore dhe shkëmbimeve krijuese.

Po ashtu, bashkëbiseduesit u ndalën te potenciali i investimeve meksikane në sektorët e hotelerisë dhe turizmit, promovimi i Shqipërisë në panairet ndërkombëtare të turizmit, si dhe rëndësia e krijimit të një linje ajrore direkte mes Shqipërisë dhe Meksikës.

Ministri Gonxhja e cilësoi takimin si një hap të rëndësishëm për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët.

/gj.m/

The post Gonxhja dhe ambasadori i ri i Meksikës diskutojnë bashkëpunimin në kulturë, turizëm dhe sport appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” – Koçiu: Bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro në kuadër të programit mbështetës të qeverisë për bizneset ”Dyfisho sipërmarrjen tënde”, tha sot zëvendëskryeministrja Albana Koçiu.

Ajo vizitoi sot një sipërmarrje në Spitallë të Durrësit, ku prezantoi përfitimet dhe mundësitë që ky program u ofron bizneseve të vogla dhe të mesme.

Koçiu theksoi se programi u hartua për t’u dhënë më shumë qartësi bizneseve mbi rrugëtimin dhe zhvillimin e aktivitetit të tyre, duke i ndihmuar të sigurojnë financim dhe të rrisin kapacitetet.

“Sot ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë 98% të sipërmarrjeve që operojnë në vend, ndërsa vetëm rreth një e katërta e tyre arrijnë të marrin kredi nga institucionet financiare. Pikërisht për këtë arsye menduam se programi ‘Dyfisho sipërmarrjen tënde’ është instrumenti i duhur për t’u dhënë mundësinë këtyre bizneseve të rriten dhe të zhvillohen. Përveç mbështetjes financiare, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të ofrojë ekspertizë për hartimin e planeve të biznesit, në mënyrë që aplikimet të jenë sa më të plota dhe më të pranueshme nga bankat”, tha Koçiu.

Ajo sqaroi se programi është hartuar në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, Shoqatën Shqiptare të Bankave dhe bankat e nivelit të dytë. Në kuadër të tij, qeveria garanton 70% të kolateralit përmes garancisë sovrane.

Përmes këtij programi, bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro, me norma interesi të ulëta, nga 2% deri në 3%, dhe me afat shlyerjeje deri në 10 vjet.

“Qëllimi ynë është që kushdo që ka një ide të qartë për zhvillimin e biznesit të tij të ketë mundësinë të aplikojë. Ministria e Ekonomisë ka marrë të gjitha masat për të ofruar asistencën e nevojshme në hartimin e planeve të biznesit, duke lehtësuar edhe procedurat e vlerësimit nga institucionet bankare”, shtoi Koçiu.

Nga ana e tij, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, bëri të ditur se aplikimet për programin do të qëndrojnë të hapura deri në vitin 2027.

Edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e vlerësoi programin si një mbështetje tërëndësishme për bizneset e vogla dhe të mesme.

“Mendojmë se do të jetë një ndihmë shumë e madhe. Që në momentin kur nisi të flitej për këtë program, kam marrë disa telefonata nga biznese të vogla, që kanë pyetur se si do të funksionojë dhe kur do të kenë mundësinë të aplikojnë. Për këtë arsye, fushata informuese është shumë e nevojshme në të gjithë territorin, në mënyrë që bizneset të njihen me procedurat dhe të kenë kohën e nevojshme për të përgatitur dokumentacionin e kërkuar për aplikim”, u shpreh Sako./ /gj.m/ a.jor.

 

The post Programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” – Koçiu: Bizneset mund të përfitojnë kredi deri në dy milionë euro appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA mbështet certifikimin e dy ekzaminuesve të rinj të poligrafit në Shqipëri

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka diplomuar dy ekzaminues të rinj të certifikuar të poligrafit, në kuadër të mbështetjes së ofruar nga Programi ICITAP i Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Byroja INL e Departamentit të Shtetit.

Sipas ambasadës, ”dy ekspertët përfunduan me sukses një kurs intensiv 10-javor për trajnim bazë dhe metodologji të poligrafit në Akademinë Ndërkombëtare të Poligrafit në Fort Lauderdale, Florida”.

Gjatë programit, ata zhvilluan mbi 400 orë trajnim në testime shkencore, vlerësimin e besueshmërisë, metodologjinë e intervistimit dhe etikën profesionale, duke fituar aftësinë për të kryer ekzaminime si në gjuhën shqipe ashtu edhe në anglisht.

Ambasada e SHBA-së vlerësoi se aftësitë e reja të ekzaminuesve do të mbështesin procesin e verifikimit të integritetit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për strukturat e zbatimit të ligjit, duke forcuar kapacitetet institucionale dhe duke e bërë Shqipërinë një partner më të besueshëm në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

/gj.m/

The post SHBA mbështet certifikimin e dy ekzaminuesve të rinj të poligrafit në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Tiranës arreston pronarin e një servisi automjetesh me dyshimin për mashtrim

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, i dyshuar për mashtrim ndaj klientëve, ndërsa ka dokumentuar gjashtë raste të kësaj veprimtarie kriminale.

Sipas njoftimit të Policisë, ”operacioni i koduar ‘Skema’, i zhvilluar nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u finalizua pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilët pretenduan se automjetet e tyre nuk ishin riparuar, pavarësisht se kishin kryer pagesat përkatëse”.

Në kuadër të operacionit u arrestua shtetasi me inicialet M. H., 37 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Mashtrim”.

Nga hetimet paraprake rezulton se, përveç moskryerjes së riparimeve, ai dyshohet se në disa raste ka tentuar të shesë automjetet që klientët i kishin lënë në servis.

Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi pesë automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre./ /gj.m/ a.jor.

 

The post Policia e Tiranës arreston pronarin e një servisi automjetesh me dyshimin për mashtrim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Ligji për investimet strategjike u kthye në një mekanizëm për favorizime

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ – Ligji për investimet strategjike, i miratuar në vitin 2015, është kthyer nga një instrument i përkohshëm për nxitjen e investimeve në një mekanizëm për dhënien e favoreve për subjekte të caktuara, sipas deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

Në postimin e saj “Këndi i fundjavës”, Tabaku rindërtoi kronologjinë e ligjit nga miratimi i tij deri te zgjatjet e njëpasnjëshme dhe debatet aktuale për shfuqizimin e tij.

Sipas Tabakut, ligji fillimisht u prezantua si një masë e përkohshme që synonte të tërhiqte investitorë të huaj dhe të nxiste zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë, por pas një dekade zbatimi ai është përdorur, sipas saj, për shpërndarjen pa garë të aseteve dhe pronave publike.

“Pa iu tharë ende boja ligjit, qeveria solli kërkesën e parë për shtyrjen e afatit në vitin 2018. Nëntë herë është ndryshuar ligji, gjashtë prej të cilave vetëm për t’i shtyrë afatin”, thotë ajo.

Tabaku kujtoi se që në vitin 2015 kishte propozuar amendamente që synonin mbrojtjen e pronës private dhe kufizimin e ndërhyrjes së shtetit në marrëdhëniet mes pronarëve privatë, por këto propozime nuk u miratuan nga mazhoranca socialiste.

Tabaku u ndal edhe te nisma e saj e vitit 2022 për ndërprerjen e efekteve të ligjit duke thënë se propozimi u rrëzua me argumentin se kuadri ekzistues kishte qenë i dobishëm dhe se po punohej për një ligj të ri për investimet.

Sipas saj, ligji i ri nuk u miratua, ndërsa afati i ligjit për investimet strategjike vijoi të shtyhej, duke arritur deri më 31 dhjetor 2026 pas ndryshimeve të miratuara para zgjedhjeve të vitit 2025.

Deputetja e PD-së lidhi këtë çështje edhe me ndryshimet në ligjin për portet turistike, për të cilat pretendoi se u krijojnë investitorëve strategjikë mundësi zhvillimi jashtë procedurave të zakonshme konkurruese.

Ajo përmendi si shembull projektin “Durrës Marina”, duke e cilësuar si një rast ku asetet publike janë vënë në dispozicion pa një proces të mirëfilltë konkurrimi.

Tabaku kritikoi gjithashtu dokumentin e prezantuar nga kryeministri Rama me emrin “Besa”, duke deklaruar se qeveria nuk mund të kërkojë besimin e qytetarëve për ndryshime të reja, pasi ka qenë vetë ajo që ka krijuar dhe zgjatur këtë sistem.

“Sa mund t’u besohet atyre që e kanë ngritur këtë sistem se do ta zhbëjnë atë?”, deklaroi Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, shfuqizimi i ligjit për investimet strategjike do të ishte një hap i rëndësishëm për ndryshimin e modelit të favoreve dhe rikthimin e konkurrencës në ekonomi./ /gj.m/ a.jor.

The post Tabaku: Ligji për investimet strategjike u kthye në një mekanizëm për favorizime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Kantina ”Enol” në Prezë, shembull i agroturizmit dhe prodhimeve ”Made in Albania”

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga kantina ”Enol” në Prezë duke e cilësuar si një nga agroturizmet e para të certifikuara në vend.

Në postimin e tij, Salla thekson se kjo sipërmarrje është mbështetur edhe nga Skema Kombëtare dhe ka ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi me fermerët e zonës, nga të cilët siguron një pjesë të prodhimeve cilësore shqiptare.

“Kantina Enol në Prezë, një nga agroturizmet e para të certifikuara, e mbështetur edhe nga Skema Kombëtare, ka ndërtuar një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi me fermerët e zonës, prej të cilëve siguron një pjesë të prodhimeve cilësore Made in Albania”, shkruan ministri.

Salla thekson se kantina u ofron vizitorëve vendas dhe të huaj një eksperiencë autentike përmes verërave shqiptare të prodhuara nga kultivarë autoktonë duke kontribuar në promovimin e turizmit rural dhe produkteve vendase./ /gj.m/ a.jor.

The post Salla: Kantina ”Enol” në Prezë, shembull i agroturizmit dhe prodhimeve ”Made in Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Restaurimi i ujësjellësit historik të Vranishtit – Rama: Po ruajmë një vepër të vyer të trashëgimisë

TIRANË, 25 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga punimet restauruese në ujësjellësin historik të Vranishtit, që gjendet në bashkinë e Himarës.

“Me këto pamje nga Ujësjellësi Historik i Vranishtit, në Bashkinë Himarë, ku po vijojnë punimet restauruese për të ruajtur një nga veprat më të vyera të trashëgimisë sonë kulturore dhe inxhinierike, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij.

Ujësjellësi historik i Vranishtit po i nënshtrohet ndërhyrjeve restauruese me qëllim ruajtjen e vlerave historike dhe arkitekturore të kësaj vepre.

Punimet kanë përfshirë pastrimin dhe konsolidimin e muraturës historike, restaurimin e elementëve të dëmtuar, fugatimin me materiale tradicionale, hidroizolimin e kanalit, rehabilitimin e harqeve dhe parapeteve, si dhe ndërhyrje të tjera për garantimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të monumentit.

Çdo fazë e restaurimit është realizuar nën mbikëqyrje teknike dhe në përputhje me standardet e restaurimit të trashëgimisë kulturore, duke synuar ruajtjen e autenticitetit dhe vlerave historike të kësaj vepre të rrallë inxhinierike./ /gj.m/ a.jor.

The post Restaurimi i ujësjellësit historik të Vranishtit – Rama: Po ruajmë një vepër të vyer të trashëgimisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: 212 km/h në rrugën Lushnjë-Fier nuk është gabim, por kërcënim për jetën

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas evidentimit të një automjeti që lëvizte me shpejtësi 212 km/h në aksin rrugor Lushnjë-Fier, ku kufiri i lejuar është 90 km/h.

Lamallari e cilësoi këtë sjellje si një rrezik serioz për sigurinë rrugore, duke theksuar se tejkalimi ekstrem i shpejtësisë nuk është thjesht një gabim, por një kërcënim për jetën e drejtuesve të tjerë të mjeteve dhe qytetarëve.

“Me 212 km/h në rrugën Lushnjë-Fier, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/h, nuk është thjesht një ‘gabim’, por një atentat ndaj jetës dhe kërcënim për përdoruesit e tjerë të rrugës”, u shpreh ministri.

Ai bëri të ditur se mjetet inteligjente të Policisë së Shtetit janë të shtrira në akset rrugore për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet e rënda të rregullave të qarkullimit.

“Syrin e pagabueshëm të teknologjisë nuk mund ta shmangni”, theksoi Lamallari, duke bërë apel për respektimin e rregullave të qarkullimit dhe për një sjellje më të përgjegjshme në rrugë.

/gj.m/

The post Lamallari: 212 km/h në rrugën Lushnjë-Fier nuk është gabim, por kërcënim për jetën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 24 July 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rama publikon analizën me inteligjencë artficiale për “Paketën e Maleve”: Ligji synon banorët e zonave malore, jo oligarkët

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një analizë  mbi “Paketën e Maleve” sipas ChatGPT, duke reaguar ndaj kritikave dhe akuzave se kjo nismë ligjore është hartuar për t’u shërbyer investitorëve të mëdhenj apo oligarkëve.

Në postimin e tij, Rama sjell një shpjegim të dispozitave të ligjit, duke argumentuar se qëllimi i tij është t’u japë mundësi familjeve që jetojnë në zonat malore të formalizojnë dhe zhvillojnë pasuritë e trashëguara, të cilat për shkak të historisë së pronësisë në Shqipëri nuk kanë pasur dokumentacion të plotë.

LIGJI I “PAKETËS SË MALEVE” SIPAS CHATGBT, THJESHT E QARTË FARE

Shumica e kritikave për “Paketën e Maleve” nisen nga ideja se ligji u krijua për investitorë të mëdhenj, të huaj ose “oligarkë”. Nëse lexohet ligji, këto teza nuk qëndrojnë.

1. “Është bërë për oligarkët.”

Kjo është ndoshta kritika më e përhapur, por edhe më e vështira për t’u mbështetur juridikisht.

Një oligark nuk ka nevojë për një ligj që kërkon të provosh posedimin faktik të tokës për të paktën 10 vjet siç thotë shprehimisht ky ligj. Paketa e Maleve nuk u krijon një rrugë të re investitorëve të mëdhenj; ajo krijon një rrugë për njerëzit që prej dekadash jetojnë mbi një truall të trashëguar pa mundur ta formalizojnë atë.

Nëse një familje në Theth, Vermosh, Zagori, Lunxhëri apo Mokër ka punuar tokën e trashëguar prej brezash, por nuk ka një titull pronësie për shkak të historisë së ndërlikuar të regjimit komunist, tranzicionit dhe legjislacionit ekzistues të tokës, atëherë ky ligj i jep një mekanizëm për ta zhvilluar atë pronë.

Ky është subjekti real i ligjit

2. “Është bërë për të huajt.”

As kjo nuk rezulton nga ligji. Ligji nuk krijon një kategori të privilegjuar për shtetasit e huaj.

Madje, kushti më i rëndësishëm i tij – posedimi faktik shumëvjeçar i tokës – është pikërisht ai që shumica dërrmuese e investitorëve të huaj nuk mund ta plotësojnë.

Një investitor i huaj që vjen sot në Shqipëri nuk mund të deklarojë se ka poseduar tokën për dhjetë vjet.

Pra ai nuk hyn fare në mekanizmin kryesor të Paketës së Maleve.

3. “Është bërë për të pasurit.”

Edhe kjo tezë ka një problem logjik.

Nëse një person ka kapital të madh, ai mund të investojë edhe pa Paketën e Maleve.

Ligji nuk i krijon një privilegj të ri.

Ndërsa një familje që ka një kullë malesh, një stan, një fermë ose një truall të trashëguar, por nuk ka mundur kurrë ta formalizojë, pa këtë ligj nuk mund të marrë kredi, nuk mund të ndërtojë ligjërisht, nuk mund të zhvillojë agroturizëm dhe shpesh as nuk mund t’ua lërë fëmijëve të sigurt juridikisht.

Paketa synon pikërisht të zhbllokojë këtë situatë.

4. “Po pse 1 euro?”

Sepse shteti nuk po shet tokë për të mbledhur para, por po ia jep me kontratë ligjore tokën shtetërore poseduesit. Pasi ai realizon ndërtimin hipotekon edhe pronën.

Ky është një instrument i përdorur edhe në vende të tjera për të zhvilluar zona të braktisura.

5. “Po ua fal tokën.”

Jo.

Ligji nuk thotë se kush aplikon bëhet automatikisht pronar.

Duhet:

të provohet posedimi;

të verifikohet ligjshmëria;

të miratohet projekti;

të përmbushen kushtet kontraktore;

të realizohet investimi.

Nëse këto nuk ndodhin, mekanizmat ligjorë parashikojnë pasoja sipas kontratës dhe legjislacionit përkatës dhe toka mbetet shtet.

6. “Po favorizohen vetëm resortet.”

Kjo bie ndesh me vetë filozofinë e ligjit.

Projektet që synohen janë shumë më të gjera:

agroturizëm;

bujtina;

ferma;

punishte artizanale;

përpunim produktesh vendase;

aktivitete sportive e natyrore;

turizëm familjar.

Pra modeli është ekonomia lokale, jo vetëm investimi i madh.

7. “Po u merret prona pronarëve.”

Ligji nuk shpronëson pronën private të regjistruar.

Ai operon mbi prona shtetërore me posedues faktik ose mbi situata ku nuk ekziston një titull i formalizuar pronësie dhe ku legjislacioni i mëparshëm nuk ka dhënë zgjidhje për trashëgimtarët. Çdo konflikt pronësie vazhdon të trajtohet sipas mekanizmave ligjorë përkatës.

Në thelb, çfarë është Paketa e Maleve?

Nëse dikush thotë se është ligj për oligarkët, pyetja e thjeshtë është:

Cili oligark ka pritur dhjetëra vite duke jetuar në një stan, në një kullë mali apo në një pemëtore të trashëguar pa certifikatë pronësie?

Sepse ky është personi që ligji ka në mendje.

Paketa e Maleve nuk është një ligj për ata që kanë shumë kapital. Është një ligj për ata që kanë pasur tokë, kujtime, punë dhe rrënjë, por nuk kanë titull juridik pronësie. Ajo përpiqet ta kthejë atë kapital të fjetur në ekonomi reale: në bujtina, ferma, punishte, shtigje turistike, vende pune dhe jetë të rikthyer në zonat malore.

/gj.m/a.f/

The post Rama publikon analizën me inteligjencë artficiale për “Paketën e Maleve”: Ligji synon banorët e zonave malore, jo oligarkët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët në ditën e 55-t të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 24 korrik /ATSH/– Ka vijuar këtë të premte në Tiranë protesta e 55-të kundër investimit në zonën e Zvërnecit.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku mbajtën pankarta dhe parulla me kërkesa politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Më pas, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin.

Në fjalën e rastit, protestuesit i’u përgjigjën Kryeministrit Rama lidhur me dokumentin e hartuar prej tij, të emërtuar “Besa”, me fokus përmirësimin e qeverisjes së vendit.

“Nuk ka besë për ty kryeministër pasi vetëm dje i preve në besë qytetarët që po protestojnë për 55 ditë…Rama po përpiqet ta zbusë dhe kërkon që pasi të japë dorëheqjen t’i shpëtojë drejtësisë, por pas dorëhqjes e pret drejtësia”.

Ndër të tjera, protestuesit përsëritën kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore, me argumentin se kjo do të mundësonte, sipas tyre, rikthimin e funksionimit demokratik të institucioneve

“Kërkesa e dytë për një qevreri tranzitore që sistemi të marrë oksigjen dhe të mundësojë demokracinë që mungon dhe që është marrë peng nga sistemi i inkriminuar”, tha një protestues

Kërkesat e protestuesve mbeten ndryshimi i ligjit zgjedhor, shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë, kundërshtimi i Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve që lidhen me zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Pas fjalimeve të rastit, protestuesit zhvilluan marshimin e tyre të përnatshme.

Protesta është organizuar prej 55 ditësh, me fokus kryesor kundërshtimin e investimeve të planifikuara në zonën e Zvërnecit.

/gj.m/a.f/

The post Qytetarët në ditën e 55-t të protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria prezanton progresin për trashëgiminë botërore në Sesionin e 48-të të Komitetit të UNESCO-s

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Shqipëria mori pjesë në Sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, zhvilluar në Busan, Republika e Koresë, ku prezantoi progresin e arritur në mbrojtjen dhe menaxhimin e pasurive të trashëgimisë botërore.

Në këtë forum, i cili mblodhi mbi 3 mijë delegatë dhe ekspertë nga 196 Shtete Palë të Konventës së Trashëgimisë Botërore, u diskutuan politikat dhe masat për ruajtjen e pasurive kulturore dhe natyrore me Vlerë Universale të Jashtëzakonshme.

Gjatë punimeve, delegacioni shqiptar prezantoi masat e ndërmarra për Parkun Kombëtar të Butrintit, ku Komiteti vlerësoi pozitivisht dokumentet teknike dhe strategjike, bashkëpunimin me komunitetin lokal dhe angazhimin për një menaxhim të qëndrueshëm sipas standardeve të UNESCO-s.

Vlerësim mori edhe puna për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, me përparimin në Planin e Integruar të Menaxhimit, koordinimin institucional dhe masat për ruajtjen afatgjatë të këtyre pasurive.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte Rajoni i Liqenit të Ohrit, ku Shqipëria prezantoi masat për mbrojtjen e kësaj pasurie ndërkufitare, përfshirë shpalljen e Gadishullit të Linit si Ansambël Arkitektonik Urban, forcimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimin me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe UNESCO-n.

Pjesëmarrja në këtë sesion, sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, riafirmon angazhimin e vendit për zbatimin e standardeve të UNESCO-s, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore për brezat e ardhshëm.

/gj.m/a.f/

The post Shqipëria prezanton progresin për trashëgiminë botërore në Sesionin e 48-të të Komitetit të UNESCO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mersini: Zjarri në Parkun Kombëtar të Llogarasë është shuar, vijon monitorimi

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se zjarri në Parkun Kombëtar të Llogarasë është shuar dhe vatrat e fundit të tymit janë neutralizuar.

Ajo falënderoi angazhimin e efektivëve të Forcave të Armatosura, strukturave të MZSH-së, punonjësve të Njësisë Administrative dhe strukturave të Zonave të Mbrojtura për ndërhyrjen dhe punën në terren.

Mersini theksoi se rreziku nga zjarret mbetet i vazhdueshëm dhe kërkoi kujdes maksimal nga banorët dhe vizitorët, si dhe njoftim të menjëhershëm të autoriteteve për çdo vatër zjarri apo shenjë tymi.

“Mos ndizni zjarr në ambiente të hapura, mos hidhni bishta cigaresh. Mbrojtja e Llogarasë dhe e çdo pasurie natyrore është përgjegjësi e përbashkët”, apeloi kryebashkiakja.

/gj.m/a.f/

The post Mersini: Zjarri në Parkun Kombëtar të Llogarasë është shuar, vijon monitorimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌