Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayCitizens.al

Toka bujqësore për të huajt, ekspertët paralajmërojnë pabarazi dhe rrezik për ish-pronarët

26 June 2026 at 19:05

Një projektligj i qeverisë, që mund t’u hapë rrugën shtetasve dhe kompanive të huaja të blejnë tokë bujqësore në Shqipëri, ka nxitur debat mes ekspertëve dhe aktivistëve. Ata shprehin shqetësime për krijimin e pabarazive ndaj shtetasve vendas dhe për lënien në hije të procesit të kompensimit të ish-pronarëve.

Drafti u hodh për konsultim publik më 14 maj dhe qëndroi i hapur për 20 ditë pune, deri më 11 qershor 2026. Megjithëse në platformën zyrtare të konsultimit publik është depozituar vetëm një koment, diskutimet jashtë saj kanë qenë më të gjera.

Pse po kundërshtohet projektligji?

Sipas projektligjit, një shtetas i huaj ose një kompani e huaj mund të blejë tokë bujqësore deri në 2ha në një bashki dhe 50 ha në rang vendi, nëse është rezident i përhershëm në Shqipëri për të paktën pesë vite, është i pajisur me leje qëndrimi dhe ka zhvilluar aktivitet bujqësor ose agrobiznes në vend për të paktën tre vite.

Projektligji parashikon gjithashtu raste kur shitja e tokës bujqësore tek të huajt është e ndaluar. Në nenin 5 të draftit përcaktohet se nuk mund të tjetërsohet toka që “është objekt i dosjeve për kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve”, sipas legjislacionit në fuqi.

Megjithatë, relacioni shoqërues përdor një formulim tjetër, duke theksuar se “nuk ka përfunduar ende procesi i kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve në vend”. Kjo diferencë, sipas juristëve, nuk është vetëm gjuhësore, por mund të sjellë pasoja në mënyrën e zbatimit të ligjit.

Avokatja dhe përfaqësuesja e qendrës “Res Publica”, Irena Dule, thotë se dy formulimet nuk kanë të njëjtin kuptim juridik dhe se mes relacionit dhe dispozitës së projektligjit ka një diferencë të rëndësishme.

“Është një gjë të thuash se nuk ka përfunduar procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, siç parashikon ligji aktual për shtetasit shqiptarë. Është krejt tjetër të thuash se nuk do të preket fondi i kthimit dhe kompensimit. Këto nuk janë e njëjta gjë, sepse fondi është dinamik dhe ndryshon me kalimin e kohës, ndërsa procesi vazhdon deri në përfundimin e tij”, shprehet Dule.

Ajo shton se asgjë nuk e ndalon Agjencinë e Trajtimit të Pronave që, në momentin kur krijohet një interes për këto toka, të transferojë një pjesë të këtij fondi nga Ministria e Financave. Sipas saj, kjo ndryshon nga rregulli për shtetasit shqiptarë, ku ligji i vitit 1998 e përcaktonte qartë kufizimin se toka shtetërore mund të tjetërsohej vetëm pas përfundimit të procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave.

Një tjetër shqetësim që ngre avokatja lidhet me mënyrën e përzgjedhjes së përfituesve. Sipas saj, projektligji përcakton kriteret që duhet të plotësojnë shtetasit dhe kompanitë e huaja për të blerë tokë bujqësore, por nuk parashikon një procedurë konkurruese në rast se ka më shumë aplikantë që i përmbushin këto kushte.

“Ky ligj që po diskutojmë sot nuk krijon procedura konkurrimi, por thjesht u jep mundësinë të huajve të blejnë tokë. Po kush vendos se kush e fiton? Varet nga një ministër, një kryebashkiak apo kryeministri? Nëse kriteret i plotësojnë 100 persona, cili prej tyre e merr tokën? A do të ketë një garë mes tyre? Ligji nuk e përcakton këtë”, argumenton Dule.

Në përfundim, avokatja vë në dyshim edhe zbatueshmërinë e detyrimeve që projektligji u vendos pronarëve të huaj pas fitimit të tokës bujqësore. Neni 7 parashikon që toka të përdoret vetëm për bujqësi ose blegtori dhe të mos ndryshojë destinacionin, por sipas saj këto detyrime janë të vështira për t’u monitoruar në praktikë.

“Pasi kalon pronësia, është shumë e vështirë të kontrollosh nëse toka përdoret për bujqësi apo për një aktivitet tjetër. Më pas gjithçka mbetet në varësi të mekanizmave të ligjeve të tjera, të cilat mund të ndryshojnë”, thotë Dule.

Ajo që cilësohet si një nga pikat më të paqarta të projektligjit lidhet me hyrjen në fuqi dhe efektet e tij në kohë. Në nenin 12 parashikohet që ligji, në rast miratimi, të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por t’i shtrijë efektet pas 7 vitesh nga anëtarësimi i Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ekspertët shprehen se kjo formulë krijon paqartësi juridike, pasi në parim hyrja në fuqi e një ligji nënkupton edhe nisjen e efekteve të tij. Sipas tyre, shtyrja e efekteve për një moment të ardhshëm nuk është praktikë e zakonshme dhe mund të sjellë vështirësi në interpretim dhe zbatim.

Aktivistët kundër projektligjit

Një grup aktivistësh protestuan para Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke vendosur pankartën “Shqipëria nuk është në shitje”, në shenjë kundërshtimi ndaj projektligjit për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj.

Sipas tyre, nisma përbën një hap drejt privatizimit të pasurive publike dhe krijon pabarazi në trajtimin e qytetarëve shqiptarë, në një kohë kur çështja e pronës dhe kompensimit të ish-pronarëve mbetet ende e pazgjidhur.

Në deklaratën e tyre publike, aktivistët theksojnë se projektligji nuk është i domosdoshëm për procesin e integrimit evropian, por përfaqëson një mekanizëm që favorizon kapitalin e huaj në dëm të qytetarëve vendas.

Ata e konsiderojnë tokën bujqësore një pasuri strategjike kombëtare që duhet mbrojtur nga shitja dhe spekulimi, duke i bërë thirrje Kuvendit të mos e miratojë nismën dhe të hapë një debat të gjerë publik mbi mënyrën e menaxhimit të tokës bujqësore në Shqipëri.

“Pasuritë publike nuk mund të shiten për interesa të momentit dhe as të trajtohen si mall negociues në emër të një zhvillimi që nuk u shërben qytetarëve”, përmbyllet deklarata.

The post Toka bujqësore për të huajt, ekspertët paralajmërojnë pabarazi dhe rrezik për ish-pronarët appeared first on Citizens.al.

Qeveria përballë protestës: etiketime, akuza dhe tentativa për delegjitimim

25 June 2026 at 17:20

Së fundmi, kryeministri Edi Rama ka intensifikuar një seri reagimesh publike ndaj protestës qytetare, fillimisht ndaj influencerëve, të cilët i ka akuzuar se po e komercializojnë protestën “për ca klikime dhe shpërndarje më shumë”, e më pas ndaj aktivistëve të veçantë, duke i cilësuar si aktivistë të shtirur, mbështetës të Iranit apo të ardhur nga opozita.

Teksa kryeministri i ka përshkruar protestat si produkt të emocioneve që mbërrijnë përpara fakteve dhe të algoritmeve që udhëtojnë më shpejt se e vërteta, mjafton një vështrim në postimet e tij për të kuptuar se debati publik po zhvendoset gjithnjë e më shumë nga kërkesat e protestuesve, te etiketimi i individëve që marrin pjesë në të.

Imazhet nga protesta janë shndërruar edhe në poezi nga vetë kryeministri, i cili u ka kushtuar vargje protestuesve të orëve të para të mëngjesit.

Herë përmes siluetave të paqarta, e herë përmes emrave dhe fytyrave konkrete, Rama e ka zhvendosur fokusin nga argumentet dhe shqetësimet e ngritura në shesh drejt profilit politik, bindjeve apo pretendimeve për “paligjshmëri” të disa prej aktivistëve.

“Kryeministri po e tejkalon masën”

Për Dorian Matliajn, avokat dhe drejtues i qendrës ligjore “Res Publica”, mënyra se si kryeministri po komunikon publikisht për protestues të veçantë ngre shqetësime ligjore dhe etike.

“Po e tejkalon masën në shumë drejtime, qoftë me fyerjen, nxitjen e gjuhës së urrejtjes apo edhe me krijimin e intimidimit te njerëzit që ndihen nën presionin e shtetit, se fundja ai është kryeministri”, tha Matlija për Citizens.al.

Matlija e ilustron këtë me një shembull të thjeshtë: nëse dikush kërkon emrin e një personi publik në motorët e kërkimit, gjen shumë informacione dhe mund të krijojë një ide më të plotë për profilin e tij. Por në rastin e një personi anonim, i cili nuk ka pasur më parë ekspozim publik, situata është ndryshe.

Nëse i vetmi informacion i disponueshëm për atë person është një postim i kryeministrit, atëherë ai postim bëhet burimi kryesor mbi të cilin ndërtohet perceptimi publik. Sipas Matliajt, kjo krijon një disbalancë të madhe pushteti dhe ngre shqetësime për ekspozimin e identitetit të individëve nga zyrtarë të lartë publikë.

“Të targetosh dikë politikisht, sepse të ka targetuar politikisht, është brenda të drejtave të kryeministrit. Në momentin që përdor epitete si ‘patriotë të shtirur’ apo ‘shpirtra të korruptuar’, e ke tejkaluar masën”, argumenton avokati.

Sipas tij, në këto postime mund të identifikohen elementë të mundshëm të disa shkeljeve ligjore, që lidhen me publikimin e paautorizuar të imazhit, shpifjen, fyerjen apo abuzimin me pozicionin publik. Megjithatë, Matlija thekson se këto janë çështje që mund të shqyrtohen vetëm nga institucionet përkatëse, si Prokuroria apo gjykatat civile dhe penale, nëse personat e prekur vendosin të bëjnë kallëzim ose padi.

“Kur krijon histori dhe aludime, duhet të ndahet opinioni nga fakti. Të gjitha këto raste janë duke u dokumentuar nga aktivistët”, përfundon Matlija.

“Po përpiqet t’i krijojë vetë një kokë protestës”

Antropologu dhe studiuesi Nebi Bardhoshi argumenton se, që në fillim, kryeministri Rama është përpjekur t’i japë protestës një drejtim dhe një figurë udhëheqëse, pasi i duhej një person ose grup i identifikueshëm me të cilin të negocionte, ta sulmonte politikisht apo ta delegjitimonte.

Sipas Bardhoshit, kjo nuk ka ndodhur, pasi organizatorët kanë këmbëngulur se janë vetëm koordinatorë dhe jo drejtues apo përfaqësues politikë të lëvizjes.

Përballë mungesës së një lidershipi të identifikueshëm, Bardhoshi thotë se Rama është përpjekur të ndërtojë një profil të protestës si një lëvizje me prirje islamike apo të lidhur me Iranin, duke përfshirë herë pas here referenca ndaj Lëvizjes Vetëvendosje apo shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.

Sipas tij, kjo synon të krijojë perceptimin se protesta është e orkestruar ose e sponsorizuar nga aktorë të jashtëm, përmes një imazhi negativ që e zhvendos vëmendjen nga kërkesat e saj.

“Është fryma e ‘unë jam avangarda, këta janë prapambetja’. Dhe prapambetjen duhet ta gjejë diku. E gjen te Irani, sepse është armik i Amerikës dhe një temë globale, ndaj është më e lehtë ta stigmatizosh. I duhet t’i presë kokën kësaj lëvizjeje dhe, meqë nuk po e gjen, po përpiqet t’ia krijojë vetë një kokë”, tha Bardhoshi për Citizens.al.

Bardhoshi shton se, nëse bëhet fjalë për aktorë të lidhur me lëvizje apo aksione të paligjshme, kryeministri ka pasur 14 vite në pushtet për t’i dërguar provat para drejtësisë.

Sipas tij, publikut po i kërkohet të besojë pretendime që nuk janë provuar juridikisht, ndërkohë që vetë kryeministri ndërton profile politike dhe ideologjike për pjesëmarrësit e protestës.

Bardhoshi thotë se synimi është të krijohet ideja se këta janë drejtuesit e protestës, për ta reduktuar lëvizjen në disa figura të veçanta dhe për të sfumuar përmasën qytetare të saj.

“Është një kurth që i paraqet këto si grupe pro-palestineze, anti-semite, ndërsa protesta realisht është për të shkarkuar kryeministrin për një mijë e një mëkatet e bëra”, thotë ai.

“Realisht po kërkohet një kontratë e re sociale dhe një shtet i së drejtës”, përfundon Bardhoshi.

“Aktivistët tregojnë versionin e tyre”

Në disa raste, aktivistët e përmendur në postimet e kryeministrit apo të përfaqësuesve të mazhorancës kanë dalë publikisht për të kundërshtuar pretendimet ndaj tyre.

Një prej rasteve është ai i aktivistes dhe urbanistes Entela Spahivogli, të cilën kryeministri e akuzoi për një shtesë kati pa leje në një godinë pranë kalasë në Durrës, si dhe e etiketoi si militante të Partisë Demokratike.

Spahivogli thotë për Citizens.al se struktura në fjalë daton që nga viti 1941 dhe se prona i është kthyer familjes së saj vetëm gjatë pesëvjeçarit të fundit, pasi gjatë periudhës komuniste kishte kaluar në pronësi shtetërore. Sipas saj, edhe fotografitë arkivore tregojnë se pjesa e kontestuar ka qenë prej kohësh pjesë e godinës.

Për sa i përket angazhimit politik, Spahivogli thotë se nuk ka qenë kurrë e angazhuar në Partinë Demokratike, as si anëtare dhe as në ndonjë funksion publik brenda saj. Ajo thekson se preferencat politike të çdo qytetari janë personale dhe nuk mund të përdoren për delegjitimimin e pjesëmarrjes në protestë.

Një tjetër rast është ai i aktivistit Arben Kola. Ndryshe nga Spahivogli, e cila u identifikua me foto të qartë, kryeministri publikoi një siluetë të tij, ndërsa deputeti Taulant Balla shpërndau një video ku Kola shprehej se grupe serbe apo greke mund të ishin infiltruar në protestë.

Një ditë më pas, Kola publikoi vetë një video ku sqaroi se, sipas tij, në çdo protestë mund të ketë të infiltruar, por thelbi i asaj që po ndodh është një revoltë qytetare. Ai kundërshtoi tezat e shpërndara nga kryeministri, duke thënë se vëmendja duhet të mbetet te kërkesat e protestës dhe jo te etiketimi i pjesëmarrësve.

Të dy rastet tregojnë se pretendimet e bëra publikisht nga përfaqësues të lartë politikë janë kundërshtuar nga vetë aktivistët e përfshirë, të cilët kanë dhënë versionin e tyre të fakteve.

Në vend që të veçojë dhe etiketojë emra të përveçëm, kryeministri do të duhej t’u përgjigjej kërkesave dhe akuzave të ngritura nga protestuesit, duke u përqendruar te ajo që këto protesta kanë vendosur në qendër të vëmendjes prej më shumë se tre javësh.

Në fund të fundit, debati publik nuk fiton asgjë kur zhvendoset nga përmbajtja e protestës te individët që e artikulojnë atë.

The post Qeveria përballë protestës: etiketime, akuza dhe tentativa për delegjitimim appeared first on Citizens.al.

Pas Zvërnecit, Rrjollit dhe Dardhës, bie edhe gardhi i Kakomesë

21 June 2026 at 17:04

Protesta që nisi fillimisht si revoltë ndaj punimeve në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë vazhdon të nxisë reagime në disa zona të vendit, ku qytetarët po kundërshtojnë rrethimet dhe kufizimin e aksesit në natyrë dhe burime.

Pas rrëzimit të gardheve në Zvërnec, Rrjoll dhe Librazhd, paraditen e së dielës banorë të zonës së Sarandës shembën pjesën e mbetur të gardhit në Kakome, i cili prej më shumë se 20 vitesh kufizonte aksesin e qytetarëve drejt bregdetit.     

“Populli shqiptar ka nisur të ndërtojë Shqipërinë e Re. Shqipërinë ku gangsterët nuk ngrenë dot gardhe me tela me gjemba, nuk kërcënojnë e nuk dhunojnë dot banorët, nuk u grabitin dot pronën me falsifikimet e kadastrës”, u shpreh deputeti Redi Muçi në një reagim në rrjetet sociale për ngjarjen.

Edhe pse dy ditë më parë punonjës të Bashkisë Himarë kishin hequr portën hyrëse të rrethimit, kjo nuk i ndali protestuesit të zhvillonin protestën e paralajmëruar dhe të largonin edhe pjesën tjetër të gardhit. Aksionit iu bashkuan banorë nga Nivica, Vlora dhe zona të tjera përreth.

“Nuk e merrni Kakomenë sa të ketë Nivica djem!”, “Rama në burg, Berisha në burg!”, “Poshtë kusarët!” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës.

“Djersën e gjyshërve tanë po e marrin padrejtësisht, dhe kjo është gjynah i madh. Janë për burg! Berisha, Rama, na hapën rrugët e Greqisë dhe ne u larguam. Pse? Që të pasuroheshin ata”, tha për Citizens.al Marika Jorgji.

Sipas banorëve, protesta lidhet me një konflikt pronësie të pazgjidhur prej më shumë se dy dekadash. Ata pretendojnë se tokat në Kakome janë trashëgimi e familjeve vendase, ndërsa kompania “Riviera”, e cila ka ushtruar aktivitet në zonë, pretendon se i ka fituar ato në mënyrë të ligjshme përmes blerjes. Banorët kanë paralajmëruar se protestat do të vijojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.

“Fatos Nano, Sali Berisha dhe Edi Rama e kanë mbajtur të bllokuar këtë çështje për interesa personale. Turp!”, u shpreh Sofokli Thoma gjatë fjalës së tij, duke shprehur zhgënjimin për mungesën e një zgjidhjeje nga qeveritë dhe forcat politike që kanë qenë në pushtet ndër vite.

Gardhet bien një nga një

Tërheqja zvarrë e një protestuesi në Zvërnec nga punonjës të sigurisë private, ndërsa Policia e Shtetit ishte e pranishme në protestën e 30 majit, u bë shkak për nisjen e protestave në Tiranë, të cilat tashmë vijojnë prej tre javësh.

Ajo që nisi si lëvizje qytetare për mbrojtjen e mjedisit dhe kundërshtimin e projekteve të ndërtimit në Zvërnec, është shndërruar në një valë më të gjerë protestash. Protesta ka kaluar përtej kauzës mjedisore, duke artikuluar hapur kërkesën për dorëheqjen e qeverisë.

Dy javë pas ngjarjes në Zvërnec, më 13 qershor, banorët e Rrjollit, të cilët kanë protestuar prej më shumë se një viti për çështjen e pronave të tyre, rrëzuan gardhin rrethues të vendosur në zonën ku parashikohet ndërtimi i projektit turistik “Baks Bay”.

Gardhi rrethues është vendosur nga kompania “Gener 2”, në pronësi të familjes Ulaj, e cila ka sjellë makineri në zonë. Kompania është pajisur me leje ndërtimi në vitin 2024 dhe projekti parashikon ndërtimin e 35 blloqeve rezidenciale me 1 deri në 10 kate lartësi, në një sipërfaqe prej 147.2 hektarësh.

Banorët pretendojnë se toka i është kaluar investitorit përmes dokumenteve të falsifikuara dhe se për këtë çështje vijojnë procese gjyqësore.

Një ditë më pas, më 14 qershor, banorët e fshatit Dardhë në Bashkinë Librazhd ngritën shqetësimin se burimi i ujit të pijshëm “Gurra e Bardhë”, nga i cili furnizohet komuniteti, ishte rrethuar me gardh nga kompania “Lucente Koncesionare”, që operon hidrocentralin në zonë. Sipas tyre, rrethimi po ua kufizonte aksesin në burimin e ujit.

Të dielën, në shenjë proteste, banorët rrëzuan gardhin me tela, duke kërkuar rikthimin e aksesit të lirë në burimin që e konsiderojnë jetik për fshatin.

Ekspertë të ndryshëm kanë analizuar mënyrën se si qytetarët po kundërshtojnë gjithnjë e më shumë përdorimin e hapësirave publike në funksion të interesave private, duke argumentuar se kjo nuk është thjesht historia e një “gardhi”, por e një modeli qeverisjeje dhe menaxhimi të territorit.

“Ky është ndoshta momenti kur gardhi pushon së qeni një strukturë fizike dhe shndërrohet plotësisht në një instrument pushteti. Sepse nuk përcakton më vetëm kush hyn dhe kush del. Përcakton edhe se kush ka të drejtë të ushtrojë autoritet dhe kush jo”, shkruan urbanistja Doriana Musai në një editorial për Citizens.al.

Lexo më shumë:

The post Pas Zvërnecit, Rrjollit dhe Dardhës, bie edhe gardhi i Kakomesë appeared first on Citizens.al.

Organizatat mjedisore bojkotojnë Ministrinë: Pa shfuqizimin e ligjit, nuk ka konsultime

12 June 2026 at 17:53

Tetëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile mjedisore deklaruan sot se do të bojkotojnë proceset konsultuese të Ministrisë së Mjedisit, deri në shfuqizimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.

Organizatat njoftuan se refuzojnë të legjitimojnë tryezat e konsultimit publik për projekt-aktet e thirrura nga Ministria, përfshirë edhe konsultimin e datës 12 qershor. Ato bëjnë të ditur se nuk do të dorëzojnë komente teknike, me qëllim që të mos bëhen pjesë e një procesi që, sipas tyre, synon të paraqesë një normalitet institucional që nuk ekziston.

Sipas tyre, ndërkohë që diskutohet përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit shqiptar me rregullat dhe standardet e Bashkimit Evropian, në terren po avancojnë projekte të mëdha infrastrukturore dhe turistike brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura. Organizatat argumentojnë se këto zhvillime cenojnë integritetin e ekosistemeve dhe vënë në pikëpyetje angazhimin real të institucioneve ndaj standardeve evropiane për mbrojtjen e natyrës.

Ato e konsiderojnë shfuqizimin e ndryshimeve të miratuara me Ligjin nr. 21/2024, si dhe anulimin ose moslejimin e projektit për ndërtimin e resorteve turistike në Zonën e Mbrojtur “Pishë Poro–Nartë”, si kushte të panegociueshme dhe paraprake për çdo dialog të mëtejshëm institucional mbi çështjet e mjedisit dhe procesin e integrimit evropian.

“Për këtë arsye, Organizatat e Shoqërisë Civile nuk e konsiderojnë relevante pjesëmarrjen në konsultime teknike për akte të reja ligjore dhe nënligjore, për sa kohë që çështja më themelore e mbrojtjes së zonave të mbrojtura mbetet e pazgjidhur”, thuhet në dokumentin e bërë publik më 12 qershor.

Sipas organizatave, kjo kërkesë përputhet edhe me piketat përmbyllëse të Komisionit Evropian për kapitullin 27 të negociatave, të cilat kërkojnë garantimin e mbrojtjes efektive të zonave të mbrojtura dhe përafrimin e plotë me standardet evropiane të biodiversitetit.

Bojkoti, sipas tyre, nuk është një veprim simbolik i izoluar, por një qëndrim parimor që do të vijojë deri në adresimin e kësaj çështjeje.

Mbrojtja e zonave të mbrojtura, theksojnë organizatat, nuk është çështje procedurale, por një provë e vullnetit të shtetit shqiptar për të respektuar Kushtetutën, interesin publik dhe detyrimet ndaj Bashkimit Evropian.

Lexo më shumë:

The post Organizatat mjedisore bojkotojnë Ministrinë: Pa shfuqizimin e ligjit, nuk ka konsultime appeared first on Citizens.al.

96 organizata i kërkojnë Kuvendit të rishikojë ligjin për zonat e mbrojtura

9 June 2026 at 16:42

Nëntëdhjetë e gjashtë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me një kërkesë për rishikimin me prioritet të politikave qeveritare që prekin zonat e mbrojtura, pas zhvillimeve të fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.

Sipas organizatave, shqetësimet e ngritura prej tyre që në vitin 2024, lidhur me ndryshimet në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”, po materializohen. Ato argumentojnë se ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në shkurt të vitit 2024 kanë krijuar hapësirë për zhvillime që cenojnë integritetin e zonave të mbrojtura, duke përmendur si shembull investimin e planifikuar në zonën qendrore të Pishë–Poro–Nartës.

“Qëndrimi ynë paraqitet si një analizë më e gjerë e vendimmarrjes mjedisore, detyrimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe pasojave afatgjata që sjell lejimi i zhvillimeve të reja turistike në zonat e mbrojtura”, citohet në kërkesën e tyre.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, organizatat kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian dhe pezullimin e lejeve të reja për investime turistike e infrastrukturore në këto zona deri në përfundimin e këtij procesi.

Sipas organizatave, këto kërkesa mbështeten në tre shqetësime kryesore: rrezikun që ndryshimet ligjore paraqesin për zonat e mbrojtura dhe procesin e integrimit në BE; pasojat afatgjata të investimeve në këto zona; si dhe mungesën e transparencës, llogaridhënies dhe pjesëmarrjes publike në vendimmarrjen mjedisore.

“Që në vitin 2006, me miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, palët angazhoheshin të zhvillonin bashkëpunimin kundër degradimit mjedisor. Njëzet vite më vonë, zhvillimet e fundit në zonat e mbrojtura tregojnë se vendi ka bërë regres në qeverisjen mjedisore”, thuhet në kërkesë.

Një tjetër pikë e theksuar nga firmëtarët është se zonat e mbrojtura nuk mund të tjetërsohen në heshtje institucionale dhe pa llogaridhënie publike. Sipas tyre, informimi dhe përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje nuk është çështje vullneti politik, por detyrim ligjor.

“Veprimtaritë në zonat e mbrojtura nuk mund të ushtrohen pa u marrë më parë lejet apo miratimet përkatëse mjedisore”, citohet në reagim.

Citizens.al ka dokumentuar se punimet në Pishë–Poro–Nartë kanë nisur ende pa u miratuar leja e zhvillimit për projektin. Ndërkohë, IKMT ka pohuar se punimet po kryhen mbi bazën e një lejeje të dhënë për “përgatitje” në funksion të ndërtimit.

Duke theksuar se Kuvendi ishte nismëtari dhe miratuesi i ndryshimeve ligjore, organizatat kërkojnë që institucioni të marrë përgjegjësi për adresimin e pasojave të tyre dhe të garantojë që menaxhimi i zonave të mbrojtura të jetë në përputhje me standardet e BE-së dhe parimet e Bashkimit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Së fundmi, edhe Komiteti i Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC) ka ngritur shqetësime për menaxhimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke theksuar se ndryshimet e fundit ligjore mund të rrezikojnë përafrimin me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës.

Kërkesa e 96 organizatave vjen në një moment kur protestat kundër ndërtimeve në Pishë–Poro–Nartë vijojnë prej ditësh, ndërsa debati për zonat e mbrojtura është kthyer në një nga çështjet kryesore publike në vend.

Lexo më shumë:

The post 96 organizata i kërkojnë Kuvendit të rishikojë ligjin për zonat e mbrojtura appeared first on Citizens.al.

Tetë ditë protestë: Nga Narta te “Shqipëria e re”

7 June 2026 at 21:32

Sot u mbajt dita e tetë e protestës qytetare, e cila nisi fillimisht kundër ndërtimeve në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, ndërsa tashmë ka marrë karakter më të gjerë kombëtar.

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të marshuar drejt Kryeministrisë. Kërkesat kryesore mbetën të njëjta: anulimi i projektit në zonën e mbrojtur, dorëheqja e qeverisë dhe shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Përmes humorit, ironisë dhe thirrjeve të përsëritura për një “Shqipëri të re”, protestuesit artikuluan jo vetëm kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec, por edhe një pakënaqësi më të gjerë ndaj mënyrës se si qeveriset vendi.

“Ta bëjmë këtë luftë për gjyshërit dhe gjyshet tona. 550 mijë pensionistë shqiptarë marrin më pak se 200 mijë lekë të vjetra në muaj”, tha gazetari Klevi Muka gjatë fjalës së tij.

Protesta u shoqërua vazhdimisht nga thirrja “Shqipëri e re”, e cila është kthyer në një nga sloganet kryesore të ditëve të fundit.

“Një Shqipëri e tillë na ka sjellë në këtë pakënaqësi të përbashkët të gjithëve që jemi këtu, dhe pikërisht për këtë duam një Shqipëri të re”, u shpreh Fatos Lubonja.

Një vend të veçantë në protestë zunë edhe të rinjtë dhe përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në shpërndarjen e mesazheve, videove, meme-ve dhe thirrjeve për pjesëmarrje.

“Ky brez i TikTok-ut, i internetit, i Instagram-it dhe i Snapchat-it, ju kërkojmë falje përulësisht që ju kemi kritikuar deri më sot. Jeni brezi më i mirë që e zgjuat edhe një herë Shqipërinë nga gjumi”, tha Flora Baba.

Paralelisht me Tiranën, protesta dhe organizime në mbështetje të kauzës janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, si Shkodra dhe Korça, si dhe në disa kryeqendra evropiane, përfshirë Vjenën dhe Londrën.

Rama dhe “lufta hibride”

Ndërsa fillimisht bëri thirrje për dialog, kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar retorikën ndaj protestës në ditët e fundit.

Gjatë një takimi me mbështetës të Partisë Socialiste në Elbasan, Rama kritikoi blogerët dhe influencuesit që kanë marrë pjesë në protesta, duke thënë se ata “nuk japin një euro taksë shtetit dhe popullit shqiptar”.

Megjithatë, në shumicën e vendeve evropiane, përfshirë Italinë, influencuesit dhe krijuesit e përmbajtjes që gjenerojnë të ardhura janë të detyruar të deklarojnë fitimet dhe t’i nënshtrohen tatimit si profesionet e tjera të pavarura. Italia, për shembull, nuk ka vendosur një taksë të veçantë për blogerët apo influencuesit, por ka përshtatur legjislacionin ekzistues fiskal për të përfshirë të ardhurat e tyre.

Kritikat e kryeministrit ndaj kësaj kategorie u lexuan në shesh si reagim ndaj rolit që rrjetet sociale kanë pasur në rritjen e protestës dhe shpërndarjen e pamjeve nga terreni. Në thelb, nëse ka mungesë rregullimi apo kontrolli fiskal mbi këtë sektor, përgjegjësia mbetet te shteti, jo te qytetarët që shprehin qëndrimet e tyre politike.

Rama ka kontestuar gjithashtu numrin e protestuesve. Ai deklaroi se pjesëmarrja kishte rënë në rreth 2 mijë qytetarë, ndërsa në ditën më masive, sipas tij, nuk kishte kaluar 8 mijë. Megjithatë, pamjet nga droni dhe fotot nga sheshi tregojnë një pjesëmarrje të lartë dhe të qëndrueshme gjatë ditëve të protestës.

Në retorikën e tij të fundit, kryeministri e ka paraqitur protestën edhe si pjesë të një “lufte hibride”, duke iu referuar ndikimeve të jashtme që, sipas tij, synojnë të ndalojnë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Për mediat e huaja, gjatë Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivar, Rama tha se ajo që po ndodh në Tiranë nuk lidhet vetëm me ambientalistët.

“Armiq të vendit, të cilët i njohim, të gjithë ata që e dinë historinë tonë i njohin ata, iranianët, të cilët janë angazhuar në sulme kibernetike kundër nesh qysh prej një kohe të gjatë dhe që na kanë bërë kaq shumë dëme sa na kanë detyruar që t’i nxirrnim nga vendi, janë pjesë e kësaj për të nxitur narrativën se projekti nuk është ajo që thuhet”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se rritja e llogarive dhe aktivitetit në mjedisin digjital, sipas tij, tregon se bëhet fjalë për një sulm hibrid.

“Së pari duhet të kemi projektin dhe pastaj ta shohim projektin e pastaj ta diskutojmë projektin. Por nuk diskutojmë dot diçka që nuk ekziston”, vijoi Rama.

Kjo retorikë u ironizua sot në protestë me thirrjen: “O Edvin, o idiot, çfarë agjentash jemi sot!”, si përgjigje ndaj përpjekjeve për ta lidhur protestën herë me grekët, herë me iranianët apo me ndikime të tjera të jashtme.

Citizens ka dokumentuar më parë raste kur imazhe dhe video të gjeneruara me inteligjencë artificiale janë shpërndarë në rrjete sociale dhe media tradicionale për të përforcuar narrativa dezinformuese rreth protestës.

Zhvillim apo vendimmarrje pa transparencë?

Teksa mijëra qytetarë prej tetë ditësh kanë mbushur sheshet, kryeministri Rama ka vijuar të mbrojë idenë e zhvillimit turistik në zonë, duke sjellë shembuj nga vende të tjera si Bahamas, Camargue në Francë, Ria Formosa në Portugali apo Katari, ku sipas tij natyra dhe ndërtimi bashkëjetojnë.

Ai e ka cilësuar kundërshtimin e projektit si një “budallallëk që ka mbajtur peng Shqipërinë”.

Por protestuesit dhe përfaqësues të organizatave mjedisore kanë theksuar se nuk janë kundër zhvillimit apo turizmit. Sipas tyre, kundërshtimi lidhet me mungesën e transparencës, nisjen e punimeve pa informacion të plotë publik, mungesën e një projekti të bërë publik dhe paqartësitë mbi vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Shpërthimi i protestave erdhi pas publikimit të videove ku punonjës të sigurisë private dhunuan dhe tërhoqën zvarrë një banor të Zvërnecit, i cili protestonte kundër rrethimit të zonës dhe nisjes së punimeve pa njoftim apo tabelë informuese.

Pas protestave të njëpasnjëshme, gardhi rrethues u hoq, por ende ka pak informacion publik mbi planet zhvillimore për zonën.

Pamja e ditës së tetë tregoi se protesta për Zvërnecin po tejkalon kufijtë e një kauze të vetme mjedisore. Në shesh janë mbledhur histori, shqetësime dhe pakënaqësi të ndryshme, por me një emërues të përbashkët: ndjesinë se zëri i qytetarëve është dëgjuar pak ose aspak në vendimmarrje.

Lexo gjithashtu:

Protesta si pikë bashkimi për kauzat e harruara nga qeveria

Rama e shpërndan zemëratën për Nartën te “armiqtë e huaj”

The post Tetë ditë protestë: Nga Narta te “Shqipëria e re” appeared first on Citizens.al.

Komiteti BE–Shqipëri: Shqipëria të respektojë garancitë për zonat e mbrojtura

5 June 2026 at 17:45

Komiteti i Përbashkët Konsultativ BE–Shqipëri (JCC) ka ngritur shqetësime për menaxhimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri, duke theksuar se ndryshimet e fundit ligjore mund të rrezikojnë standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës.

Në deklaratën e miratuar pas takimit të tretë të JCC-së, një vëmendje e veçantë i kushtohet çështjeve mjedisore, me fokus te ruajtja e zonave të mbrojtura, biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Zhvillimet e fundit në Shqipëri, përfshirë protestat për zonat e mbrojtura dhe situatën në Nartë, janë reflektuar edhe në qëndrimet e këtij takimi.

Takimi bëri bashkë përfaqësues të shoqërisë civile nga Shqipëria dhe Bashkimi Evropian për të diskutuar ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Sipas dokumentit, zonat e mbrojtura janë ndër pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit dhe luajnë rol thelbësor në ruajtjen e biodiversitetit, natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Megjithatë, JCC shpreh shqetësim për ndryshimet e fundit në ligjin për zonat e mbrojtura. Sipas Komitetit, këto ndryshime ngrenë pikëpyetje nëse Shqipëria po respekton standardet e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e natyrës dhe parimet e organizatave ndërkombëtare si Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN).

Deklarata vlerëson se ndryshimet ligjore mund të krijojnë më shumë hapësirë për investime në zona me vlera të larta natyrore, duke rritur rrezikun për biodiversitetin dhe ekosistemet. Sipas dokumentit, ato mund të ndikojnë edhe në mbrojtjen e ardhshme të zonave që synojnë të bëhen pjesë e rrjetit Natura 2000.

“Komiteti shpreh gjithashtu shqetësim për raportimet mbi mungesën e transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje në këtë fushë dhe kërkon respekt të plotë të procedurave ligjore dhe garancive institucionale”, thuhet në dokument.

Përtej çështjeve mjedisore, JCC ngre shqetësime edhe për fusha të tjera kyçe të demokracisë dhe procesit të integrimit evropian.

Komiteti vëren me keqardhje rënien e Shqipërisë në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të “Reporters Without Borders”, duke përmbysur trendin pozitiv të vitit të mëparshëm. Ai u bën thirrje autoriteteve shqiptare të adresojnë urgjentisht kërcënimet ndaj lirisë dhe pavarësisë së medias, të shkaktuara nga konfliktet e interesit dhe presioni ndaj gazetarëve.

Sipas JCC-së, media e lirë është element thelbësor i çdo demokracie funksionale dhe një vlerë themelore evropiane.

Komiteti shpreh shqetësim edhe për rënien e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, ku vendi renditet në vendin e 91-të nga 182 shtete. Ai kërkon përparim të prekshëm në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe korrupsionit në të gjitha nivelet, si dhe forcimin e procesit të konfiskimit dhe rikuperimit të aseteve.

Në deklaratë theksohet gjithashtu se përpjekjet në rritje të zyrtarëve publikë ose politikanëve për të ndikuar apo ushtruar presion mbi sistemin e drejtësisë përbëjnë shqetësim serioz për sundimin e ligjit.

Deklarata e plotë

The post Komiteti BE–Shqipëri: Shqipëria të respektojë garancitë për zonat e mbrojtura appeared first on Citizens.al.

Letër arkitektëve të “Bread & Heart”: Pyesni për Nartën

3 June 2026 at 18:20

Në ditën e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës “Bread & Heart”, përpara nisjes së tij në ambientet e COD-it përpara Kryeministrisë, disa aktivistë shpërndanë fletëpalosje për të ftuarit dhe arkitektët pjesëmarrës, duke bërë thirrje për rikthim të vëmendjes te çështja e Nartës dhe për bojkotimin e aktivitetit. Aksioni simbolik u zhvillua në kuadër të një letre të hapur drejtuar pjesëmarrësve të festivalit.

Para nisjes së edicionit të dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës “Bread & Heart”, një grup aktivistësh, organizatash dhe qytetarësh publikuan një letër të hapur drejtuar arkitektëve vendas dhe ndërkombëtarë pjesëmarrës në festival. Letra e zhvendos vëmendjen te zhvillimet e fundit në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, ku punimet janë pezulluar përkohësisht pas protestave, por projekti vijon të shihet si kërcënim serioz për një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit.

“Ju kërkojmë të mbani përgjegjësi dhe të kërkoni llogari nga autoritetet përkatëse. Ju kërkojmë të mos bëheni bashkëfajtorë. Ju kërkojmë të bojkotoni. Pyesni për Nartën. Publikisht! Flisni për të. Kërkoni të ndalet shkatërrimi dhe të anulohet projekti!”, thuhet në letër.

Në dokument, nënshkruesit argumentojnë se rasti i Pishë–Poro–Nartës nuk lidhet vetëm me një projekt të veçantë ndërtimi, por me pasojat e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura, të miratuara në vitin 2024, të cilat, sipas tyre, kanë hapur rrugën për zhvillime turistike në territore të mbrojtura. Ata ngrenë shqetësime për mungesën e transparencës mbi lejet, studimet mjedisore dhe procesin e konsultimit publik, ndërsa u bëjnë thirrje pjesëmarrësve të festivalit të mbajnë një qëndrim publik dhe kritik ndaj zhvillimeve në Vjosë–Nartë. Autorët e letrës theksojnë se tema e këtij viti e festivalit, “Landscapes of Abundance” (“Peizazhe të Bollëkut”), nuk mund të trajtohet e shkëputur nga ajo që po ndodh në një prej peizazheve më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë. Sipas tyre, Vjosë–Narta duhet të jetë në qendër të debatit mbi raportin mes zhvillimit, mbrojtjes së natyrës dhe interesit publik.

“Ju ftojmë gjithashtu të dilni jashtë hapësirave të festivalit dhe të bashkoheni me ne. Duke vepruar kështu, mund të njihni një anë të Shqipërisë që nuk përjetohet dot pas dyerve të mbyllura”, përmbyllet letra.

Dokumenti është i hapur për firmosje nga qytetarët dhe secili mund të japë mbështetjen e tij për nismën. Deri më tani, letra është firmosur nga më shumë se 350 persona.

Letrën mund ta firmosni këtu.

Lexo gjithashtu:

The post Letër arkitektëve të “Bread & Heart”: Pyesni për Nartën appeared first on Citizens.al.

Nga Tirana në diasporë: mobilizim ndërkombëtar për mbrojtjen e Vjosë–Nartës

3 June 2026 at 15:16

Protesta kundër ndërhyrjeve në zonën e mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, e nisur fillimisht në Tiranë, po merr përhapje të gjerë edhe në diasporë.

Shumë grupe qytetarësh në kryeqendra evropiane dhe më gjerë kanë publikuar data të ndryshme për protesta në mbështetje të qëndresës të nisur rishtazi në Shqipëri.

Me thirrjen “Shpëto Vjosë–Nartën”, në Stokholm është paralajmëruar një protestë më 5 qershor, në orën 18:00. Ndërkohë, në Toronto të Kanadasë, shqiptarët dhe mbështetësit e mbrojtjes së natyrës do të mblidhen më 6 qershor, në orën 18:00.

Protesta e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me moton “Çohu Shqiptar”, është caktuar për të shtunën, më 6 qershor, në orën 14:00. Ndërsa po më 5 qershor, pranë Konsullatës Shqiptare në Mynih, në orën 18:30, do të zhvillohet një tjetër tubim me thirrjen: “Për natyrën, për të drejtën, për Shqipërinë”.

Po më 6 qershor janë paralajmëruar edhe tri protesta të tjera në Evropë: në Firence, në orën 10:30, në Milano, në orën 10:00, dhe në Londër, në orën 11:00. Këto nisma shoqërohen me thirrje për mbrojtjen e natyrës, respektimin e ligjit dhe ruajtjen e një prej zonave më të rëndësishme mjedisore të Shqipërisë.

Organizime janë planifikuar edhe në qytete të ndryshme brenda Shqipërisë. Në Korçë protestuesit do të mblidhen më 5 qershor, në orën 18:00, ndërsa në Durrës protesta është njoftuar për më 3 qershor, në orën 16:00. Në Vlorë, qytetin pranë zonës së mbrojtur që është në qendër të kundërshtimeve, protesta do të zhvillohet më 6 qershor, në orën 11:00.

Ndërkohë, janë paralajmëruar edhe protesta të tjera nga diaspora, më 4 qershor në Madrid të Spanjës në orën 19:30 dhe më 6 qershor në Vjenë të Austrisë në orën 16:00.

Citizens.al kontaktoi njërin prej organizatorëve të aksioneve në diasporë. Elio Shyti, banues në Nurenberg, po punon njëkohësisht për organizimin e protestave në Mynih dhe Berlin.

“Ka nisur në mënyrë spontane. Nuk është parë më herët një dëshirë kaq e madhe. Më shkruajnë vazhdimisht njerëz që kërkojnë të përfshihen në grup”, thotë ai.

“Vetëm në grupin online të Mynihut jemi rreth 300 persona deri tani”, vijon Shyti, duke shtuar se është lidhur edhe me individë dhe aktivistë të angazhuar për të shpërndarë sa më gjerë thirrjet për pjesëmarrje.

“Kemi emigruar për të njëjtat problematika që po artikulohen edhe në shesh. E ndiejmë në të njëjtën mënyrë dhimbjen e qytetarëve shqiptarë: problemet me pronat, vjedhjen dhe shpërndarjen e të mirave publike te një grup i vogël oligarkësh. Ndiejmë se duhet t’i mbështesim dhe të luftojmë keqqeverisjen”, përfundon ai.

Njëkohësisht, në rrjetet sociale është shpërndarë edhe një peticion online me titullin: “Mbroni Vjosë–Nartën: Ndaloni ndërtimet në zonat e mbrojtura natyrore”.

Peticioni është nënshkruar deri më tani nga 47,338 persona.

“Ky peticion nuk është kundër turizmit apo kundër ndonjë investitori të veçantë, por kërkon mbrojtjen e ekosistemit të Vjosë–Nartës dhe transparencë të plotë për ndryshimet ligjore dhe projektet e planifikuara në këtë zonë të mbrojtur”, thuhet në tekstin e peticionit.

Nënshkruesit kërkojnë pezullimin e ndërtimeve në zonat ekologjikisht të ndjeshme deri në kryerjen e vlerësimeve të pavarura mjedisore, si dhe publikimin e të gjitha studimeve shkencore që kanë mbështetur vendimmarrjen. Ata u bëjnë thirrje institucioneve shqiptare dhe ndërkombëtare të garantojnë që çdo zhvillim në Vjosë–Nartë të respektojë standardet më të larta të mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit.

The post Nga Tirana në diasporë: mobilizim ndërkombëtar për mbrojtjen e Vjosë–Nartës appeared first on Citizens.al.

Investitorët strategjikë, ligji që u dha privatëve bregdetin

2 June 2026 at 16:03

Në vitin 2015, Shqipëria miratoi ligjin “Për Investimet Strategjike”, me qëllimin e deklaruar për të tërhequr investime të mëdha, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe për të hapur vende të reja pune.

Ligji u prezantua si i përkohshëm. Por, vit pas viti, ai është shtyrë disa herë dhe aktualisht është lënë në fuqi deri në vitin 2027.

Ajo që nisi si mekanizëm për të lehtësuar investimet, është kthyer në një nga instrumentet më të debatueshme të zhvillimit në Shqipëri. Në teori, ligji synonte të përshpejtonte procedurat administrative për projekte me rëndësi ekonomike. Në praktikë, statusi i “investitorit strategjik” krijoi një sistem privilegjesh që u dha kompanive private akses të veçantë në tokë publike, bregdet, plazhe, zona turistike, ishuj dhe pasuri me interes publik.

Në disa raste, ky status ka përfshirë edhe mundësinë e përdorimit të pronës publike, qira simbolike, shtyrje afatesh, ndryshime kontratash dhe procedura të negociuara drejtpërdrejt me shtetin. Për këtë arsye, ligji ka ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën, konkurrencën e ndershme dhe trajtimin e barabartë para ligjit.

Si lidhet kjo me Zvërnecin?

Ajo që po ndodh sot në Zvërnec nuk mund të lexohet e shkëputur nga mënyra se si është trajtuar territori gjatë viteve të fundit.

Hapat e parë për t’i hapur rrugë projekteve të mëdha në zona të ndjeshme nisën me tkurrjen e zonave të mbrojtura. Në janar 2022, përmes dy vendimeve të Këshillit të Ministrave, qeveria hoqi mijëra hektarë nga rrjeti i zonave të mbrojtura, duke reduktuar me rreth 20% sipërfaqen e tyre.

Pas këtyre ndryshimeve, zona të tëra në bregdet humbën statusin e mëparshëm të mbrojtjes. Kjo i hapi rrugë investimeve në hapësira si zona urbane e Ksamilit, plazhi i Manastirit, Pasqyrat, Pulëbardhat, Gjiri i Hartës, Gjiri i Marinës dhe Gjiri i Pemës së Thatë.

Në vitin 2024, ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura e çuan më tej këtë proces. Nën argumentin e zhvillimit të turizmit, u zgjeruan mundësitë për ndërhyrje dhe ndërtime në territore që më parë konsideroheshin të paprekshme ose me mbrojtje më të fortë.

Ndërlidhja mes ligjit për Investimet Strategjike dhe ligjit për Zonat e Mbrojtura është parë prej vitesh nga ekspertët e mjedisit dhe ekonomisë si një nga pikat më problematike të modelit të zhvillimit. Që në vitin 2021, nga 17 projekte të miratuara si investime strategjike, katër ndodheshin brenda ose pranë zonave të mbrojtura natyrore.

Një prej rasteve ishte Kepi i Stillos, poshtë fushës së Butrintit, ku parashikohej zhvillimi i një resorti luksoz me 636 vila. Një tjetër rast është Gjiri i Manastirit, i cili, ndonëse u minimizua publikisht si “një pikë e vogël”, po kthehet në një zonë të rënduar nga ndërtimi.

Në këtë kuptim, Zvërneci nuk është një rast i izoluar. Ai është pjesë e një modeli më të gjerë ku zonat me vlerë natyrore, publike dhe turistike trajtohen si hapësira të hapura për projekte zhvillimi, shpesh pa transparencë të plotë për publikun.

Mungesa e transparencës

Në vitin 2023, Citizens.al raportoi se ligji për investimet strategjike kishte shërbyer kryesisht për betonizimin e bregdetit, duke u dhënë investitorëve rreth 5.8 milionë metra katrorë tokë në të gjithë vendin.

Vetëm në bregdetin e jugut, rreth 1.6 milionë metra katrorë sipërfaqe u ishin dhënë investitorëve strategjikë përmes këtij ligji. Edhe pse ligji u miratua me argumentin e tërheqjes së investitorëve të huaj, deri në vitin 2023 vetëm 2 nga 44 projektet e miratuara rezultonin investime tërësisht të huaja.

Vitet e fundit, pasuri të rëndësishme natyrore dhe ekonomike, si Porti i Durrësit, Sazani dhe Zvërneci, janë futur në logjikën e investimeve të mëdha strategjike. Por këto procese janë shoqëruar nga mungesë transparence, informim i vonuar publik dhe paqartësi mbi përfitimin real të qytetarëve.

Rasti i Portit të Durrësit është një nga më domethënësit. Publiku nisi të njihej me planet për transformimin e portit vetëm pasi në rrjetet sociale qarkulluan pamje nga restoranti “Nusret” në Dubai, ku shfaqeshin zyrtarë të lartë shqiptarë me biznesmenin Mohamed Alabbar, themeluesin e Eagle Hills.

Në të njëjtën linjë, edhe projektet në Sazan dhe Zvërnec u bënë fillimisht të njohura për publikun përmes mediave ndërkombëtare. Në mars 2024, Bloomberg dhe The New York Times raportuan për planet e Jared Kushner në Shqipëri, përfshirë zhvillime turistike në Sazan dhe në zonën e Zvërnecit.

Edhe sot, paqartësia vazhdon të shoqërojë debatin për Zvërnecin. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se pas projektit qëndron Katari, ndërsa emrat realë të investitorëve mbeten të paqartë për publikun. Zona u rrethua me tela me gjemba, ndërsa autoritetet e paraqitën rrethimin si pjesë të punimeve përgatitore për rrugë dhe infrastrukturë.

Nga njëra anë flitet për investitorë strategjikë dhe negociata. Nga ana tjetër, vetë kryeministri ka pranuar se “nuk ka projekt” të miratuar, duke e përdorur këtë argument për të thënë se nuk mund të pranohet kërkesa e protestuesve për anulimin e tij.

Kjo ngre pyetjen kryesore: si mund të negociohet transformimi i një zone të mbrojtur, kur publiku ende nuk ka parë një projekt të qartë, dokumente të plota dhe vendimmarrje transparente?

Shqetësime për ligjin e investimeve strategjike nuk janë ngritur vetëm nga organizata apo aktivistë në Shqipëri. Kritika kanë ardhur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit ka theksuar se pjesa dërrmuese e projekteve u janë dhënë kompanive vendase që operojnë në sektorin e turizmit. Sipas raportit, kjo ka krijuar perceptimin se përfitues janë kryesisht kompani me lidhje të forta politike, më shumë sesa investitorë të huaj.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka deklaruar se procesi që çon në përzgjedhjen e investitorëve strategjikë është disi jotransparent, veçanërisht në jug të vendit.

Problemi nuk është vetëm te një projekt, një resort apo një gardh. Problemi është te një model ku zhvillimi trajtohet si justifikim për të negociuar tokën publike, bregdetin, zonat e mbrojtura dhe pasuritë natyrore pa transparencë të mjaftueshme.

Lexo gjithashtu:

The post Investitorët strategjikë, ligji që u dha privatëve bregdetin appeared first on Citizens.al.

Zvërneci nën hetim nga SPAK, policia pranon dështimin

1 June 2026 at 15:19

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur hetimet për zhvillimet në Zvërnec. Në fokus të verifikimeve janë procedurat e ndjekura për ndryshimin e statusit të zonës dhe të truallit ku parashikohet të zhvillohet projekti në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.

SPAK konfirmoi se çështja është në hetim, pa dhënë detaje të mëtejshme.

“Çështja është në hetim dhe nuk kemi komente”, bëri me dije zyra e shtypit pranë institucionit në një reagim për mediat.

Sipas informacioneve paraprake, në kuadër të hetimeve janë kryer kontrolle dhe janë ndërmarrë veprime për sekuestrimin e dokumentacionit që lidhet me procedurat administrative dhe vendimmarrjet përkatëse.

Ndërkohë, për zhvillimet në Zvërnec ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Gjatë një konference për mediat në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ku prezantoi drejtuesin e ri të kësaj strukture, Hita tha se ngjarja përbën një mësim për Policinë e Shtetit.

Sipas tij, gjatë protestës policia “u shfaq e fjetur dhe jo profesionale”.

Hita shtoi se ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor për ngjarjet e 30 majit, i cili do të verifikojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës. Ai ka kërkuar gjithashtu që Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit të nisë hetim për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bëri me dije se u është hequr licenca dy subjekteve të sigurisë private, ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”.

Aktualisht, institucionet kanë urdhëruar heqjen e gardhit rrethues, elementi që solli përshkallëzimin e ngjarjeve të së shtunës. Gjatë protestës, kur qytetarët tentuan të kapërcenin rrethimin, një prej tyre u tërhoq zvarrë nga rojet private, në prani të Policisë së Shtetit.

Megjithëse reagimet institucionale erdhën pas dhunës në terren, qytetarët janë mobilizuar kundër tjetërsimit të zonës së Zvërnecit.

Ata protestuan të dielën përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë dhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa një tjetër protestë është paralajmëruar për të hënën, në orën 18:00, në qendër të qytetit.

Lexo gjithashtu:

The post Zvërneci nën hetim nga SPAK, policia pranon dështimin appeared first on Citizens.al.

“Shqipëria nuk shitet”: Dhuna në Zvërnec ndez protestën në Tiranë

31 May 2026 at 21:39

Tërheqja zvarrë e protestuesve në Zvërnec nga forcat e sigurisë private, ndërkohë që Policia e Shtetit ishte e pranishme në protestën e 30 majit, ka nxitur reagim dhe revoltë qytetare.

Të organizuar fillimisht online, qindra qytetarë u mblodhën pasditen e së dielës përpara Drejtorisë së Policisë në Tiranë, për të kundërshtuar dhunën ndaj protestuesit dhe projektin që po zhvillohet në zonën e mbrojtur.

“Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve”, “Nuk shitet”, “S’ka parti që i ndan shqiptarët”, ishin disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët marshuan nëpër qytet, duke u ndalur fillimisht te Ministria e Brendshme dhe duke e përmbyllur protestën përpara Kryeministrisë.

Aktivisti i Lëvizjes Bashkë, Emiljando Kita, tha se falë pamjeve që ai filmoi në momentin kur protestuesi u tërhoq zvarrë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes. Sipas tij, në të kundërt, Policia e Vlorës tentoi të manipulonte opinionin publik, duke pretenduar se aktivisti kishte ndërhyrë me dhunë në kantier.

Pas ngjarjeve të dhunshme në Zvërnec, një prej rojeve private të përfshira në dhunimin e protestuesve është arrestuar. Bëhet fjalë për Genard Bibën, punonjës i kompanisë së sigurisë “Major Security”. Ndërkohë, dy kolegët e tij, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, po hetohen në lidhje me incidentin.

Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Vetë kryeministri Edi Rama është shprehur se të hënën do të flasë për atë që e cilëson “një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë”, ndërsa ka përgëzuar Policinë e Shtetit për reagimin ndaj rojeve private dhe drejtuesve vendorë të Policisë së Vlorës.

“Anulo projektin! Shqipëria e shqiptarëve”

Taulant Bino, drejtues i Shoqatës Ornitologjike Shqiptare (AOS), i cili mori fjalën gjatë protestës, tha se kjo situatë e ka zanafillën shumë më herët, që në vitin 2020, kur qeveria miratoi ndryshime ligjore që lejuan ndërhyrjet në zonat e mbrojtura.

“Përfshirë Velipojë–Rrjollin, Vjosë–Nartën, Butrintin, Orikumin dhe Divjakë–Karavastan, të gjitha duan t’i marrin dhe t’i shesin,” tha Bino.

Genti Progni u shpreh se, sipas tij, shtypja qeveritare nisi fillimisht me patronazhimin, vijoi me përdorimin e të dhënave personale dhe më pas me manipulimin e të dhënave kadastrale, për të mbërritur sot te rastet e Rrjollit, Thethit dhe Zvërnecit, të cilat ai i cilësoi si grabitje pronash.

“U duk si një gjë e vogël manipulimi i të dhënave tona, por sot po na del se është një çështje shumë më e madhe,” u shpreh ai.

Protestës iu bashkuan edhe aktivistë dhe banorë të përfshirë në kauza kundër asaj që ata e cilësojnë si “rrëmbim të tokës” në zona të ndryshme të Shqipërisë, mes tyre edhe banorë të Rrjollit.

“U them shqiptarëve: largojeni frikën. Nuk e kisha besuar se populli shqiptar, pa asnjë forcë politike pas vetes, do të mblidhej kaq shumë sot,” tha Prek Molla.

Në përfundim të tubimit, organizatorët njoftuan se protesta do të vijojë edhe ditën e nesërme. Ata u bënë thirrje qytetarëve të mblidhen sërish pasditen e së hënës, për të vazhduar kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec dhe për të kërkuar mbrojtjen e pronave dhe zonave të mbrojtura.

Çfarë dihet për projektin në Zvërnec?

Protesta në Tiranë lidhet me projektin “Zvërnec Peninsula”, i cili parashikon ndërtime banimi, hotele deri në tetë kate dhe një port në Peizazhin e Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë, një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Emri i kompanisë që po kryen punimet, “Zvërnec South Adriatic Development”, u bë publik nga IKMT vetëm pas presionit mediatik. Sipas institucionit, kompania po kryen punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026. Megjithatë, vendimi i plotë nuk është publikuar për qytetarët, ndërsa IKMT ka sqaruar se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe se punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.

Sipas dokumenteve zyrtare të raportuara më herët nga Citizens.al, pas kompanisë qëndrojnë dy pronarë përfitues me nga 50%: Nikita Maximovich Vinogradov, shtetas holandez i lindur në vitin 1991, dhe Zoya Georgieva Gyurova, shtetase bullgare e lindur në vitin 1988. Pronësia kalon përmes një zinxhiri kompanish të regjistruara në Holandë, përfshirë “Universal Properties Projects B.V”, “Blue Industries Investment Holding B.V” dhe “Dutch Trust Management B.V”, e cila në ekstrakt shënohet si subjekti që “ushtron kontrollin e fundit mbi trust”.

Në të njëjtën zonë, protestuesit dhe banorët kanë denoncuar rrethimin e territorit me tela me gjemba deri në det, mungesën e tabelave informuese dhe mungesën e përfaqësuesve të kompanisë apo institucioneve që të japin sqarime në terren. Citizens.al ka tentuar të kontaktojë kompaninë, por numri i telefonit i vendosur në faqen zyrtare rezultonte i padisponuesh

Lexo edhe:

Nartë: Zona e Mbrojtur rrethohet nga telat me gjemba

“Trusti i Zvërnecit”, ndërtime deri në 8 kate në zonën e mbrojtur

The post “Shqipëria nuk shitet”: Dhuna në Zvërnec ndez protestën në Tiranë appeared first on Citizens.al.

Prek Molla: ”Nuk do të tërhiqemi nga Rrjolli”

29 May 2026 at 14:34

Prek Mollën, një nga protestuesit më të zëshëm të kauzës së Rrjollit, e takoj jashtë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë. Të enjten, më 28 maj, u zhvillua seanca e parë gjyqësore me palën paditëse, kompaninë “Gener 2”, e cila e akuzon për shpifje dhe denigrim. Molla tregon për Citizens se nga gjykata pati një tentativë për marrëveshje midis palëve në dhomën e këshillimit, por pala paditëse nuk u paraqit në seancën e parë, përveç avokatit mbrojtës.

“Kjo është një padi për të më frikësuar, por unë do të shkoj deri në fund, sepse nuk kam shpifur asgjë”, thotë Molla.

Citizens i është drejtuar më herët kompanisë “Gener 2” për t’i marrë një koment se pse kompania ka zgjedhur rrugën e padisë penale jo vetëm ndaj Prek Mollës, por edhe ndaj një banori tjetër, Ndue Pjetra, si dhe ndaj dy përfaqësuesve të Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri, por nuk ka marrë përgjigje.

“Çdo përpjekje për gjobëvënie politike apo ‘mediatike’ do të marrë një përgjigje të vetme dhe të prerë: përballjen me drejtësinë”, është shprehur “Gener 2” nëpërmjet një artikulli informues për situatën në një media të zotëruar nga vetë pronari i kësaj kompanie, A2 CNN.

14 muaj qëndresë

Molla, pas seancës së parë jashtë gjykatës, i rrethuar nga banorë të tjerë që i kanë ardhur për mbështetje, mban një disk në duar ku thotë se ndodhen të gjitha dëgjesat publike.

“Në këtë disk janë bisedat me përfaqësues të dëgjesës publike që ka bërë kompania, por asnjë nga këto persona nuk janë banorë të zonës”, rrëfen Preka.

Ai thekson se e vërteta do të dalë në dritë në fund të procesit dhe njëra nga të dyja palët do të duhet t’i kërkojë falje tjetrës.

Për herë të parë, Citizens ka raportuar për protestën e banorëve të Rrjollit jashtë SPAK në mars të vitit 2024. Prej atëherë, prej 14 muajsh radhazi, banorët nuk janë tërhequr nga kundërshtia e tyre, si në terren me kundërvënie trup më trup me forcat policore, ashtu edhe jashtë institucioneve të drejtësisë në Tiranë.

“Që nga 1 shkurti 2026 kemi qenë çdo ditë aktivë, deri në momentin që Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër vendosi që disa persona kyç të lëvizjes të mos jenë prezentë në objektin që po ndërtohet, duke jua mohuar mundësinë e pjesëmarrjes në protestë”, analizon Molla.

Sipas tij, fillimisht punimet në terren kanë qenë shumë intensive, ku punonjësit e kompanisë “Gener 2” punonin edhe në ditë festash, ndërsa momentalisht po punohet me ritme më të ulëta.

Aktivizimi dhe lufta për mbrojtjen e tokës së tij ka sjellë që Preka të sensibilizohet edhe me komunitete të tjera që po hasen me “grabitjen e pronës”. Ai ka qenë prezent dhe ka mbështetur komunitetin e Durrësit, i cili po kundërshton projektin “TID Durrës”, si dhe protestën për zonën e mbrojtur Pishë Poro-Nartë.

“Nisi në Vlorë dhe më pas në Sarandë, por këto projekte zaptuese do të shtrihen në të gjithë Shqipërinë. Do të vazhdojnë edhe me paketën e maleve, siç e kanë dhënë tani, dhe nuk do t’i lënë askujt asnjë copë tokë”, shton ai.

Pavarësisht dobësimit momental të rezistencës në numër, Molla shprehet i bindur se fitorja është në anën e të drejtëve dhe ai do të jetë në pritje të vendimit përfundimtar të drejtësisë shqiptare.

Për çfarë protestojnë banorët e Rrjollit?

Resorti “Blue Borgo”, një investim i kompanisë “Gener 2” me vlerë rreth 280 milionë euro, parashikon ndërtimin e mbi 30 vilave dhe 3 hoteleve deri në 10 kate, në një sipërfaqe prej 146 hektarësh në zonën e Rrjollit.

Projekti, i konceptuar nga arkitekti Stefano Boeri, mori miratimin nga qeveria në vitin 2024, ndërsa tabela informuese në terren u vendos vetëm në shkurt të këtij viti. Kompania tentoi të nisë punimet edhe në fillim të vitit 2025, por u tërhoq pas protestave të komunitetit lokal.

Sipas dokumenteve mjedisore, konsultimi publik për “Blue Borgo” ishte zhvilluar në shtator 2024 dhe statusi i investitorit strategjik u dha në dhjetor 2024. Megjithatë, banorët thonë se nuk kanë qenë realisht pjesë e procesit dhe e kanë mësuar projektin vetëm kur mbërritën ekskavatorët.

Konflikti mes banorëve dhe investitorit lindi pasi banorët pretendojnë se investitori i ka përfituar pronat përmes dokumentacionit të falsifikuar. Pavarësisht përplasjes, banorët dhe biznesmeni Bashkim Ulaj zhvilluan një takim gjatë vitit 2025, por palët nuk arritën dakordësi lidhur me vlerën e kompensimit të tokës. Sipas banorëve, oferta ekonomike e paraqitur prej investitorit ishte shumë e ulët, aq sa e konsideronin “krejt falë”.

Ndërsa punimet në zonë vijojnë, banorët po riorganizojnë protesta me komunitete të ndërlidhura nga e gjithë Shqipëria për të kundërshtuar këtë lloj zhvillimi, që sipas tyre po kryhet pa transparencë, në dëm të mjedisit dhe pa marrë në konsideratë banorët lokalë.

Lexo më shumë:

The post Prek Molla: ”Nuk do të tërhiqemi nga Rrjolli” appeared first on Citizens.al.

Parada e Krenarisë dhe “parada” e komenteve që e pasoi

26 May 2026 at 16:28

Si çdo vit, edhe këtë 23 maj, Parada e Krenarisë së komunitetit LGBT nuk kaloi pa dezinformim, gjuhë urrejtjeje dhe shënjestrim.

Debati u përqendrua te disa çështje që u ngritën menjëherë pas eventit: pjesëmarrja e qytetarëve të kombësive të huaja, përdorimi i shesheve publike, prania e përfaqësuesve institucionalë dhe më së shumti, përfshirja e fëmijëve në hapësirën e paradës.

Në disa reagime u pretendua se prania e vizitorëve nga jashtë vendit ishte e pazakontë ose e dyshimtë. Në fakt, paradat e krenarisë në shumë vende të botës kanë karakter ndërkombëtar, ku pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme udhëtojnë për të shprehur solidaritet dhe mbështetje për kauza lokale.

Po ashtu, kritikat për përdorimin e shesheve publike rikthyen një debat mbi hapësirën publike dhe të drejtën e grupeve qytetare për të protestuar apo për t’u shprehur. Në parim, sheshet janë hapësira publike që u përkasin qytetarëve dhe historikisht kanë qenë vendi ku artikulohen kërkesat, kauzat dhe debatet që prekin shoqërinë.

Çdo kauzë merr më shumë dukshmëri dhe peshë kur shprehet në hapësirën publike. Sheshet nuk janë vetëm podiume të partive apo platforma të tubimeve elektorale, por edhe vende ku qytetarët shprehin indinjatën, kërkesat dhe vizionin e tyre për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë.

Një tjetër pikë diskutimi ishte prania e zyrtarëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Për disa u pa si e panevojshme, ndërsa për të tjerë si pjesë e angazhimeve publike për të drejtat e njeriut dhe standardet demokratike, veçanërisht në një vend që synon integrimin evropian.

Shoqëria civile dënon instrumentalizimin e fëmijëve

Në fokus të shumë kritikave ishte pyetja se pse ky komunitet duhet të sjellë fëmijë në shesh. Shumë media apo statuse kritike publikuan foton e dy vajzave të mitura, të cilat, edhe pse u shprehën të shqetësuara për fëmijët, nuk u kujdesën të censuronin imazhin e tyre.

Organizatat e shoqërisë civile kanë nënshkruar një deklaratë publike ku dënojnë publikimin, shpërndarjen dhe instrumentalizimin e imazhit të dy fëmijëve të mitur në rrjetet sociale nga Akil Pano, pastor dhe themelues i Koalicionit Pro Familjes dhe Jetës, si dhe Jonathan Pano, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe Drejtor i Institutit për Liri dhe Trashëgimi.

Citizens.al iu drejtua për koment pastorit Akil Pano, i cili tha se nuk ishte në dijeni të deklaratës, por ai i qëndronte versionit të tij zyrtar të publikuar edhe në rrjetet e tij sociale. Sipas këtij postimi, Pano thotë se në lidhje me publikimin e fotove të vajzave “ishte një veprim i nxituar dhe joetik nga ana ime”.

“Nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllim ekspozimi i tyre publik dhe për këtë arsye i mbulova fytyrat me dy zemra. Por kjo nuk e shmang pyetjen kryesore: Kush i vendos fëmijët në këto skena publike dhe pse?” – citon ai në rrjetin e tij social Facebook.

Ndërkohë, nga reagimi i organizatave analizohet qartë se fëmijët kanë të drejtë të marrin pjesë në jetën publike dhe të shprehen për çështje që i prekin, nën përgjegjësinë e prindërve ose kujdestarëve të tyre.

Në deklaratë theksohet se imazhet e fëmijëve janë përdorur pa pëlqimin e prindërve dhe janë vendosur në qendër të një debati publik të ngarkuar me gjuhë diskriminuese dhe nxitje urrejtjeje ndaj familjes së tyre dhe komunitetit LGBT.

Organizatat nënshkruese e cilësojnë këtë praktikë si shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve, duke theksuar se asnjë fëmijë nuk duhet të përdoret si mjet për qëllime politike, ideologjike apo fetare. Sipas tyre, publikimi i imazheve të të miturve pa miratim cenon të drejtën për privatësi, dinjitet dhe mbrojtje ligjore, në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve.

Në përfundim, organizatat theksojnë se mbrojtja e fëmijëve nuk mund të jetë selektive dhe se përdorimi i tyre në debate publike përbën instrumentalizim të papranueshëm.

Lexo më shumë:

The post Parada e Krenarisë dhe “parada” e komenteve që e pasoi appeared first on Citizens.al.

Tirana pa matje për polenet që rëndojnë alergjitë

26 May 2026 at 12:32

Nëse ke alergji, disa rrugë të Tiranës mund ta bëjnë pranverën më të vështirë. Ecja përgjatë Lanës, nga Pallati me Shigjeta deri pranë Bllokut, zona e Brrakës dhe rruga “Mine Peza”, ku ka pemë si rrapi apo panja amerikane, mund të rëndojë alergjitë sezonale.

Ndërsa ankesat e qytetarëve për alergjitë po shtohen, institucionet pranojnë se nuk ka asnjë sistem për monitorimin e poleneve alergjike në ajër. Institucionet nuk matin përqendrimin e tyre dhe nuk ka asnjë klasifikim të standardizuar të specieve të mbjella sipas potencialit alergjik.

Kjo mungesë të dhënash e bën të vështirë të kuptohet se në çfarë mase gjelbërimi urban ndikon në shëndetin e qytetarëve. Ekspertë të mjedisit ngrenë shqetësimin se përzgjedhja e specieve të papërshtatshme për zonat urbane, mund të ndikojë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës në qytet.

Qyteti që nuk mat polenet

Bashkia Tiranë i tha Citizens se nuk realizon një monitorimi të poleneve alergjike dhe ndikimit të tyre në shëndetin publik. Instucioni na ridrejtoi tek strukturat përgjegjëse për monitorimin shëndetësor dhe epidemiologjik, në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP).

Nga ana tjetër, ISHP pohoi, në përgjigje të një kërkese për informacion, se nuk ka detyrim ligjor për monitorimin e poleneve në ajër dhe matjen e përqendrimit të tyre në mjedisin urban.

“Për rrjedhojë, ISHP nuk disponon një sistem të dedikuar monitorimi dhe nuk kryen matje apo raportime të rregullta mbi përqendrimet e poleneve”, thuhet në përgjigje.

Institucioni shtoi se nuk disponon databaza specifike për klasifikimin e poleneve sipas potencialit të tyre alergjik në kontekst urban dhe se çështje të tilla nuk trajtohen aktualisht në formën e një monitorimi të vazhdueshëm institucional.

“Bashkitë dhe institucionet përgjegjëse për gjelbërimin urban mund të disponojnë inventarë lokalë të pemëve dhe hapësirave të gjelbra, por nuk evidentohet një sistem i standardizuar që kategorizon speciet në alergjike dhe joalergjike”, deklaroi një përfaqësuese e Ministrisë së Mjedisit për këtë çështje.

Ndërkohë, Bashkia Tiranë u shpreh se ka hartuar dhe miratuar në Këshillin Bashkiak “Planin e Veprimit për Menaxhimin e Cilësisë së Ajrit”, ku parashikohen masa për zgjedhjen e specieve bimore që shkaktojnë më pak alergji në gjelbërimin urban.

Sipas Bashkisë, plani parashikon zgjerimin e hapësirave të gjelbra me specie më pak alergjike dhe zëvendësimin gradual të specieve që shkaktojnë më shumë alergji, si platani dhe plepi, aty ku është e mundur.

Një hulumtim i mëparshëm i Citizensa.al, ka treguar si premtimet e mëparshme të Bashkisë Tiranë për një pyll orbital me dy milionë pemë nuk janë realizuar.

Nga Lana te Brraka, pemët që rëndojnë alergjitë

Ekspertët në terren konstatojnë se në disa akse kryesore të Tiranës situata mbetet problematike. Biologu Melitjan Nezaj shpjegon se mbjelljet në qytet duhet të orientohen më shumë drejt llojeve që rriten natyrshëm në Shqipëri dhe me të cilat popullsia vendase është përshtatur gjatë kohës.

Sipas tij, disa segmente të Tiranës konsiderohen më problematike për alergjitë sezonale për shkak të përqendrimit të lartë të pemëve si rrapi, panja amerikane, selvia dhe tuja. Nezaj shton se një nga arsyet kryesore të përdorimit të këtyre specieve ka qenë kostoja e ulët dhe rritja e shpejtë, duke i dhënë përparësi sasisë së mbjelljeve më shumë sesa përzgjedhjes së llojit.

“Rrapi është shumë i përqendruar në këtë segment të Lanës, nga Pallati me Shigjeta deri në afërsi të Bllokut, ndërkohë që panja amerikane është më e përqendruar diku te Lagjja e Brrakës, në rrugën Mine Peza”, thekson ai.

Ndërkohë, rruga “Sami Frashëri”, vijon Nezaj, konsiderohet një shembull pozitiv për gjelbërimin urban, pasi aty është përdorur gështenja e kalit, një specie më pak alergjike dhe më e përshtatshme për mjedisin urban.

“Ndër bimët e tjera të këshillueshme për gjelbërim përmenden edhe bliri, lofata dhe oleandri, të cilat kanë ndikim më të ulët në alergjitë sezonale dhe përshtaten më mirë me kushtet urbane”, përmbyll biologu Nezaj.

Sipas Silvi Janos, planifikues urban dhe mjedisor, në Tiranë ekziston një praktikë e përsëritur e mbjelljes së të njëjtës tipologji bime përgjatë gjithë seksioneve të rrugëve. Kjo, sipas tij, nuk ndodh vetëm përgjatë Lanës, por edhe në akse të tjera të qytetit.

Ai thekson se përshkallëzimi i problemeve me alergjitë lidhet edhe me disa faktorë të tjerë urbanë, si thatësia e ajrit, efekti i “ishujve të nxehtë” dhe ndotja e lartë e ajrit në zonat qendrore të Tiranës.

Në mungesë të monitorimit të rregullt dhe studimeve të detajuara, mbetet e vështirë të vlerësohet realisht ndikimi i gjelbërimit urban në shëndetin e qytetarëve.

Problemi, sipas ekspertëve, nuk është vetëm se disa pemë mund të rëndojnë simptomat alergjike, por se qyteti nuk ka ende të dhëna të mjaftueshme për ta kuptuar këtë ndikim. Pa matje të poleneve, pa inventar të klasifikuar të specieve dhe pa koordinim mes institucioneve, gjelbërimi urban rrezikon të planifikohet më shumë si ndërhyrje estetike sesa si politikë për shëndetin publik.

Lexo edhe:

Bashkia Tiranë mbjell pemë dhe gënjeshtra

Pylli Orbital i Tiranës është 200 vite larg

The post Tirana pa matje për polenet që rëndojnë alergjitë appeared first on Citizens.al.

Nartë: Zona e Mbrojtur rrethohet nga telat me gjemba

25 May 2026 at 17:35

Grupi vullnetar “Shpëto Vlorën”, i krijuar rishtazi pas lejeve të ndërtimit që kanë rikthyer presionin mbi zonat e mbrojtura, protestoi të shtunën në Pishë–Poro–Nartë.

Ndryshe nga një javë më parë, kur aktivistët rrëzuan rrethimin dhe arritën të hyjnë në zonën e mbrojtur, këtë herë hyrja u bllokua. Territori ishte rrethuar nga të dyja anët nga një gardh me tela me gjemba, që shtrihej deri në det.

“Është bërë një rrethim gjigant si në kohën e pushtimit gjerman”, thotë për Citizens Gëzim Zile, mësues matematike në Vlorë, tashmë në pension, njëkohësisht edhe ish-kryetar i Bashkisë në fund të viteve ’90.

Banorët: Nuk dimë kush po ndërton

Zile thotë për Citizens se në terren mungon çdo formë transparence. Sipas tij, nuk ka asnjë tabelë informuese, asnjë të dhënë për kompaninë që po kryen punimet dhe asnjë shpjegim për qytetarët.

Ai shton se “është rrethuar edhe deti, i cili nuk është pronë private”.

“Është nga Porto Novo deri te Hidrovori, një perimetër i rrethuar prej rreth 15 km, me një thellësi që varion deri në 100–200 metra dhe rreth 600 hektarë pyll”, thotë ai.

Protestuesit u shprehën se në zonë nuk kishte asnjë përfaqësues të firmës apo të bashkisë që të jepte sqarime. Në terren, sipas tyre, kishte vetëm forca të Policisë së Shtetit.

“Ne ishim rreth 200 veta, po aq ishin edhe forcat policore”, thekson Zile.

Ai e lidh këtë zhvillim me projektet e mëdha turistike të përfolura për zonën e Vlorës dhe Zvërnecit, përfshirë edhe projektin e Jared Kushner për ishullin e Sazanit, i cili është reklamuar dhe mbështetur publikisht nga qeveria shqiptare.

“Tre-katër fshatra që janë përballë Sazanit arrijnë deri në kufijtë e Vlorës, siç tha edhe Ivanka kur erdhi: ‘Po më pëlqekan shumë këto’”, ironizon Zile.

Edhe aktivisti mjedisor Lavdosh Ferruni, i cili ishte pjesë e protestës, thotë për Citizens se kundërshtia e vlonjatëve nuk do të ndalet këtu dhe se protestat do të vijojnë edhe fundjavën e ardhshme.

“Pati kërkesa për të hapur derën e kantierit, por nuk na u lejua hyrja. Të shtunën do t’i bashkohemi organizatës PPNEA. Do të jetë një protestë më e madhe”, tha ai.

Citizens tentoi të kontaktojë kompaninë “Zvërnec South Adriatic Development”, por kontaktet e vendosura në faqen zyrtare nuk rezultojnë funksionale. Numri i telefonit është i padisponueshëm, ndërsa brenda dy javësh kompania ka ndryshuar tre herë adresën e emailit.

Emri i kompanisë u bë publik nga IKMT vetëm pas presionit mediatik. Sipas institucionit, “Zvërnec South Adriatic Development” po kryen punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh, mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.

Megjithatë, vendimi i plotë nuk është zbardhur ende. Vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe se punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”.

Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi, hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Shënjestrimi i aktivistëve dhe gazetarëve

Ndërsa dokumentet e plota për projektin nuk janë bërë publike dhe kompania mbetet e paarritshme, aktivistët dhe gazetarët që po ndjekin çështjen janë përballur me shënjestrim publik dhe presion në terren.

Disa media të shtypit të shkruar i kanë etiketuar aktivistët si “agjentë grekë” që po bllokojnë “investimet e Trump”.

“A është normale që qytetarët që kërkojnë zbatimin e ligjit të etiketohen dhe baltosen, ndërkohë që mungon transparenca dhe llogaridhënia për veprimet që prekin pronën publike?”, shkruan në Facebook Laureta Petoshati, një nga aktivistet e grupimit vullnetar “Shpëto Vlorën”.

Presioni është shfaqur edhe në terren. Protestuesit kanë publikuar video ku persona civilë të paidentifikuar ushtrojnë presion ndaj gazetarëve dhe protestuesve, duke i intimiduar me fjalët: “Po ju evidentojnë një nga një”.

Përveç organizimit të paralajmëruar për fundjavën e ardhshme në Nartë, një tjetër protestë është thirrur më 26 maj nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Protesta do të mbahet në orën 14:00, para Ministrisë së Mjedisit në Tiranë.

“Nuk mund të lejojmë që një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Shqipërisë të shkatërrohet para syve tanë. Mos heshtni përballë shkatërrimit të Vjosë–Nartës”, thuhet në thirrjen e PPNEA.

Lexo gjithashtu:

The post Nartë: Zona e Mbrojtur rrethohet nga telat me gjemba appeared first on Citizens.al.

“Ndjehesh në familje”: Përjetimi i një çifti në Pride

23 May 2026 at 17:10

Adriana Berishën dhe Edlira Meshaun i takojmë paraditen e 23 majit ndërsa po përgatiten për marshimin e “Paradës së Krenarisë”. Edhe pse kanë një audiencën të gjerë në rrjetet sociale, dy vajzat nuk i fshehin emocionet për daljen e tyre të parë bashkë në një aktivitet të tillë.

Historia e tyre ka nisur nga njohja në internet, ndërsa sot ato jetojnë në diasporë dhe udhëtojnë shpesh për të qenë pranë njëra–tjetrës. “Kam dalë me njerëz nga gjithë bota, por kur të thotë dikush ‘të dua’ në shqip është ndryshe”, tregon Edlira.

Ndërsa Adriana tregon se thjeshtësia dhe përulësia e Edlirës si person janë detajet e para që e bënë për vete.

“Një ëndërr e bërë realitet”

Rrugën për tek “Reja”, ku u bë edhe nisja e Paradës, vajzat e bënë së bashku, të përqafuara dhe pa drojë nga vështrimet e kalimtarëve.

Edlira thotë se vitet e fundit ka vënë re një ndryshim të madh në mënyrën se si njerëzit reagojnë ndaj tyre. Sa më shumë është bërë e pranishme në rrjetet sociale, aq më shumë ka ndjerë mbështetje, jo vetëm nga komuniteti “queer”, por edhe nga njerëz heteroseksualë, të cilët shpesh i ndalojnë në rrugë për t’i përgëzuar.

“Mos çani kokën çfarë ju thonë të tjerët, mos dëgjoni komentet negative, ecni përpara, jeni çift i mrekullueshëm, ju përkrahim, kështu na thonë”, – tregon Adriana.

Për Edlirën, reagimi i familjes nuk lidhej me orientimin e saj seksual, por me frikën nga reagimi i shoqërisë. Sipas saj, fakti që ato janë “queer” dhe të lumtura nuk ka qenë kurrë problem për familjen, përkundrazi, lumturia e tyre është pritur me gëzim. Ajo tregon se meraku i vetëm i prindërve ka qenë siguria e tyre dhe frika se mos bëhen objekt urrejtjeje apo dhune.

Në mesin e flamujve shumëngjyrësh dhe thirrjeve për barazi, vajzat tregojnë se ndjesia më e fortë që u lë kjo ditë është ajo e përkatësisë. Një hapësirë ku, siç thonë vetë, ndihen të dëgjuara, të paparagjykuara dhe plotësisht vetvetja.

“Literalisht një ëndërr, një ëndërr e bërë realitet”, thotë Edlira, ndërsa përgjatë gjithë marshimit është e para në rresht, teksa mban në duar flamurin “Bashkë për familjen”.

Vajzat tregojnë se, pavarësisht vështirësive ligjore në Shqipëri, ku martesat e komunitetit LGBT nuk janë të ligjëruara, ëndrra e tyre është një dasmë me tupana e valle.

“Ndjehesh e dëgjuar, nuk ndjehesh e paragjykuar, je vetja, këtu je vetja”, – përfundon Edlira teksa e pyes për ndjesitë gjatë marshimit.

Në fund të ditës, mes muzikës, ngjyrave dhe përqafimeve, ato largohen me të njëjtin mesazh që mbajtën gjatë gjithë ditës: dëshira për t’u pranuar, për të jetuar lirisht dhe për të ndërtuar një të ardhme si çdo çift tjetër.

The post “Ndjehesh në familje”: Përjetimi i një çifti në Pride appeared first on Citizens.al.

Livia Zotrija: 15 vite për të mos u fshehur

22 May 2026 at 16:40

Pak ditë para “Marshimit të Krenarisë 2026”, zyra e Aleancës LGBT është mbushur me flamuj dhe pankarta. Livia Zotrija ndalet te një prej tyre: “Akses në shëndetësi për personat transgjinorë”. Për të, kjo nuk është vetëm një thirrje për paradën e së shtunës, por pjesë e një angazhimi 15-vjeçar që ia ka formësuar jetën personale dhe profesionale.

Livia është një nga aktivistet më të zëshme të komunitetit LGBT në Shqipëri. E veshur zakonisht me të zeza dhe me një paraqitje që në pamje të parë mund të duket e ashpër, që thyet shpejt nga një buzëqeshje të çiltër. Kur e pyes se kush është përtej aktivizmit, përgjigjja e saj tregon se kjo ndarje nuk është më e lehtë. Pas 15 vitesh, thotë ajo, “është shumë e vështirë ta ndash personalen, pra ta ndash veten tënde, nga vetja aktiviste”.

Një rrugëtim mes vetmsiw dhe përmbushjes

Përtej përmbushjes personale që i ka sjellë ky angazhim, Livia thotë se aktivizmi në Shqipëri mbart edhe një kosto emocionale. Shpesh mungon mirëkuptimi dhe respekti për punën e aktivistëve, ndërsa vetë angazhimi të vendos përballë një ndjenje izolimi.

Edhe pse e konsideron veten me fat që ka pranë miq të afërt dhe familje mbështetëse, ajo pranon se aktivizmi e ka bërë më selektive në marrëdhëniet personale. Mbajtja e të njëjtave parime dhe ideale në rrethin shoqëror bëhet e rëndësishme, por jo gjithmonë e lehtë për t’u gjetur në realitetin shqiptar. Kjo, sipas saj, shpesh sjell ndjesinë e vetmisë.

Përveç izolimit, Livia dhe partnerja e saj, një nga çiftet e pakta publike të komunitetit LGBT në Shqipëri, janë përballur shpesh edhe me kosto të tjera të ekspozimit publik, përfshirë sulme dhe komente urrejtjeje. Me kalimin e kohës, ajo duket se është mësuar me këtë realitet, edhe pse shqetësimi më i madh mbetet lëndimi i familjarëve.

Një nga momentet që i ka mbetur në memorie lidhet me intervistën e parë publike të partneres së saj për marrëdhënien e tyre.

“E vetmja gjë që më shkoi ndërmend ishte që t’i merrja në telefon dhe t’i pyesja a ishin online apo jo dhe në fakt ndodhi e kundërta; ishte babi që më mori në telefon dhe ishte duke qarë dhe mu desh që të qetësoja tim atë dhe jo të merresha me veten”, – tregon Livia.

Parada si e drejtë për të qenë të dukshëm

Në lidhje me Paradën e Krenarisë së 23 majit, ajo e përshkruan atë si një mënyrë të domosdoshme dhe të drejtpërdrejtë për ta bërë komunitetin të dukshëm në hapësirën publike.

Sipas saj, nëse shoqëria nuk do të kishte asnjë problem me komunitetin LGBT, atëherë nuk do të kishte as kundërshtim ndaj shfaqjes së tij në një ditë apo javë të caktuar gjatë vitit.

Megjithatë, ajo thekson se arsyeja pse kjo quhet “Parada e Krenarisë” lidhet pikërisht me realitetin në të cilin ekzistenca e personave LGBT shpesh mohohet, veçanërisht në vende si Shqipëria, por edhe më gjerë. Në shumë raste, këta persona jetojnë në izolim dhe nuk kanë mundësi të shprehen në mënyrë autentike.

“Ky nuk është një sulm as për personat heteroseksualë, as për qytetarët e këtij vendi, thjesht një manifestim që duam të tregojmë që ekzistojmë”, – pohon ajo.

Për Livian, të dalësh në një marshim dhe të shfaqesh hapur ashtu si je kërkon jo vetëm guxim, por edhe një ndjenjë të fortë krenarie për veten. Pikërisht për këtë arsye, ajo e sheh këtë ditë si një moment ku ata që kanë këtë forcë duhet të ndihen krenarë për identitetin e tyre.

Pavarësisht ngarkesës dhe kostove personale që ka marrë përsipër gjatë këtij rrugëtimi aktivizmi dhe përballjeje publike, Livia thotë se nuk është penduar për asgjë.

“Për të ardhmen time nuk do bëj diçka që nuk më përmbush shpirtërisht dhe ajo që zgjodha të bëj është diçka që më përmbush shpirtërisht dhe ende vazhdon të më japë kënaqësi, kështu që nuk do kisha ndryshuar asgjë”, – përmbyll ajo.

Lexo gjithashtu:

The post Livia Zotrija: 15 vite për të mos u fshehur appeared first on Citizens.al.

“Kur prindërit nuk zgjedhin turpin, por fëmijën”

22 May 2026 at 15:04

Prindërit e personave LGBT shpesh përfytyrohen si njerëz që heshtin, turpërohen apo refuzojnë fëmijët e tyre. Por jo të gjithë e përjetojnë kështu. Për disa prej tyre, rrugëtimi i fëmijës është kthyer edhe në rrugëtim personal që nis me frikë dhe vijon me pranim dhe krenari. Për Citizens.al, tre prindër rrëfejnë se si përvoja e fëmijëve të tyre ndryshoi mënyrën si e shohin familjen, lirinë dhe shoqërinë.

Anita* dhe Luani* kanë emigruar në Greqi që në vitin 2002. Djali i tyre transgjinor ka lindur në Athinë. Anita tregon se shenjat se fëmija nuk identifikohej me gjininë që i ishte caktuar në lindje ishin shfaqur që në vegjëli, por ajo “s’ka pasur vesh për t’i dëgjuar”.

“Në moshën 10-vjeçare më kërkonte të merrej me futboll, por mua më dukej e çuditshme. Pas shumë këmbënguljesh, nisi boksin në moshën 13–14 vjeç dhe u mor me të për dy vite”, tregon Anita.

Sipas saj, njohja me identitetin gjinor të djalit nuk ndodhi në një moment të vetëm, por ishte një proces.

“Kur djali na tregoi për identitetin e tij gjinor, përjetuam një tronditje që na ndryshoi tërësisht mënyrën si i shihnim këto çështje dhe mendonim se ishim të vetmit që po kalonim një përvojë të tillë”, vijon ajo.

Anita dhe Luani rrëfejnë se grupimi “Prindër Krenarë” në Athinë, i krijuar nga prindër të komunitetit LGBT për informim dhe mbështetje të ndërsjellë, ka qenë burimi i parë i ndihmës për ta.

“Kishim nevojë për mbështetje psikologjike dhe për të njohur njerëz që po kalonin të njëjtën përvojë si ne. Kështu u bëmë pjesë e këtij grupi, të krijuar në vitin 2016, i cili drejtohet nga dy psikologë dhe zhvillon terapi në grup dy herë në muaj.”

Një nga dëshirat e Anitës është krijimi i një grupi të tillë edhe në Shqipëri, për të mbështetur prindërit që gjenden në të njëjtën situatë ku ajo dhe Luani ishin në fillim. Ajo tregon se ka ndjekur edhe trajnime për këtë lloj shërbimi.

“Jemi krenarë për guximin që ka ai në këtë moshë, pasi unë nuk e kam pasur dhe e shohim me admirim ndërgjegjësimin e tij për të ndihmuar grupe të shoqërisë në nevojë, si komuniteti LGBT, romët dhe të tjerë”, thekson Anita.

Luani, bashkëshorti i saj, tregon se në fillim besonte se kjo ishte diçka e përkohshme dhe se një ditë djali do t’i thoshte se “kot e kisha”.

“Ekziston një hipotezë se pjesëtarët e këtij komuniteti shtyhen drejt këtyre zgjedhjeve nga probleme psikologjike, por nga përvoja ime kam kuptuar të kundërtën, janë vështirësitë në menaxhimin e gjendjes së tyre ato që mund të krijojnë probleme psikologjike tek ta”, analizon ai.

Në të njëjtën linjë, bashkëshortja e tij shton se nuk arrin ta kuptojë se si njerëzit e shohin këtë si “modë”.

“Cili është ai person që zgjedh ta bëjë këtë për modë dhe të përballojë një jetë kaq të vështirë, me mllef, sharje nga shoqëria, madje edhe sulme në disa raste”, përmbyll Anita.

Kur pranimi nuk e heq frikën

Anita dhe Luani tregojnë se djali i tyre ka përfunduar në spital, pasi është dhunuar nga forcat e policisë gjatë protestave në mbështetje të Palestinës. Sipas tyre, frika për sigurinë e fëmijëve është një ndjesi e përbashkët për shumë prindër të personave LGBT.

“Kemi pasur vetëm merakun e sulmeve, si unë ashtu edhe bashkëshorti. Kjo është shumë e frikshme në Shqipëri. Jo të gjithë reagojnë me pranueshmëri apo mos-përfillje, disa edhe sulmojnë dhe kjo na shqetëson më shumë”, tregon një tjetër prind, këtë herë banues në Tiranë.

Elda Zotrija rrëfen se është njohur me konceptin e komunitetit LGBT që në vitet e komunizmit. Ajo kujton një episod nga gjimnazi, kur kishte lexuar një vjershë të përkthyer, ku në fund shkruhej “nga një protestë e grave lezbike”.

“Përkthyesi ishte Aurel Plasari, që e kisha në shkollë, dhe e pyeta çfarë do të thotë ‘gra lezbike’. Ai më tha ‘pyet mamin’, sepse u vu në pozitë, pasi ishin terma të panjohur për atë kohë”, shton ajo.

Elda tregon se është përpjekur që në vegjëli t’i rrisë fëmijët me hapje ndaj ndryshimeve të mëdha që po përjetonte shoqëria shqiptare pas viteve ’90. Sipas saj, liria e Livias për ta shprehur jetën private publikisht është një proces që ka nisur edhe nga familja.

Kur Livia u dashurua për herë të parë në adoleshencë, ajo i tha së ëmës: “Do t’i them babit”, pasi në shtëpi kishin një pakt të qartë. Bashkëshorti i Eldës, Ardi, i thoshte: “Ne do jemi të parët për çdo gjë”, ndërsa ajo i përgjigjej: “Të interesojmë ne apo komshinjtë?”

Kur e pyes si ndihet që marrëdhënia e Livias dhe Xhenit është shumë publike, ajo më përgjigjet se vajza e saj është rritur me sinqeritetin për t’i thënë gjërat në familje. Për këtë arsye, tani e ka organike që të mos i fshehë raportet e saj.

“Kryesorja për mua është të ndihet mirë, të shoh fëmijën tim të lumtur! Imagjino, ka gra dhe vajza që jetojnë me partnerë që i dhunojnë apo edhe i vrasin. Pse të mos ndihem mirë kur fëmija im është i lumtur?”, pohon Elda.

Teksa flasim se si jeta e personave LGBT ndryshon në vende më të hapura dhe më të emancipuara, Elda më kundërshton. Ajo mendon se Livia nuk do të kishte domosdoshmërisht një jetë më të mirë jashtë, sepse nuk është e lumtur nëse nuk ka pranë njerëzit që do.

“Ndjehem krenare që ajo e ka bërë publike jetën e saj dhe përballet me sfidat që sjell kauza që ajo ka ngritur dhe këtë e vlerësoj pa masë”, përmbyll Elda.

Në rrëfimet e tyre, këta prindër nuk e paraqesin pranimin si një moment të lehtë apo të menjëhershëm. Për disa ka nisur me tronditje, për të tjerë me frikë, por në fund ajo që mbetet është e njëjta: dëshira që fëmijët e tyre të jetojnë pa u fshehur dhe pa u rrezikuar për atë që janë.

*Emrat Anita dhe Luani janë ndryshuar për të ruajtur anonimitetin e personave të përfshirë në artikull.

The post “Kur prindërit nuk zgjedhin turpin, por fëmijën” appeared first on Citizens.al.

Nartë: Qytetarët rrëzojnë gardhin dhe zbulojnë fadromat në zonën e mbrojtur

18 May 2026 at 14:56

Të shtunën, më 16 maj, dhjetëra aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në Peizazhin e Mbrojtur Vjosë – Nartë. Ndërhyrjet e fundit në zonë nisën në mungesë transparence se nga kush dhe për llogari të kujt po kryhen duke nxitur zemërim jo vetëm te ambientalistët, por edhe te qytetarët që e duan natyrën e Shqipërisë.

Sapo mbërritën në zonë, 6–8 km larg nga Vlora, protestuesit u ndeshën me disa persona të paidentifikuar, pa asnjë logo kompanie, që qëndronin në hyrje të një porte të improvizuar të kantierit të ndërtimit.

“Hape portën që të dalin njerëzit në det!” – u shpreh i revoltuar njëri nga banorët e zonës.

Pasi hynë me forcë, protestuesit dëshmuan atë që kishte ndodhr gjatë këtyrë ditëvë në zonën e mbrotjur: prerje e pyjeve, makineri të rënda, shkatërrim i dunave të rërës dhe zëvendësim i tyre me beton.

“Administrata e Zonave të Mbrojtura nuk është këtu të monitorojë se çfarë po bëhet në zonë të mbrojtur. Të gjitha institucionet e kanë braktisur, nuk janë askund ata që kanë në dorë pasuritë tona natyrore”, tha Zydjon Vorpsi, nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA).

Zona e Pishë–Poro–Nartës është një nga ekosistemet bregdetare më të rëndësishme në jugperëndim të Vlorës, e njohur për biodiversitetin e pasur, lagunën, pyjet me pisha dhe habitatet e shpendëve migratorë, përfshirë flamengot. Aktualisht, Pishë–Poro–Nartë gëzon statusin “Peizazh i Mbrojtur”, i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2022.

“Me të marrë natyrën, si me të marrë pasaportën”

Protesta bëri bashkë akvitistë në mbrojtje të mjedisit me banorët e zonës, të cilët kundërshtuan me forcë marrjen e tokës së tyre.

“Kjo është toka jonë, toka e babait tim. Babai im është peshkatar, i ka duart e çara nga puna. Nuk ia merr dot njeri detin”, tha e revoltuar e reja Brunela Mërtiri.

Mërtiri shtoi se kjo është vijimësi e asaj që po ndodh në Shqipëri: “Siç vodhën Dhërmiun, Palasën tani duan të marrin edhe atë që ka mbetur në Nartë.”

Aktivisti dhe përfaqësuesi i Lëvizjes Bashkë, Ylli Tafaruci, e paralelizoi atë që po ndodhte në Vlorë me atë çfarë ka ndodhur në Durrës para 10–20 viteve.

“A e dini sa pyje apo plazhe të mbrojtura ka sot në Durrës? Asnjë! A e dini sa resorte dhe ndërtime po bëhen sot në Durrës? Po aq sa po bëhen në Vlorë dhe po aq pak akses sa keni ju në ato plazhe, aq pak kemi dhe ne”, theksoi Tafaruci.

Aktivisti Ervin Goci u shpreh se marrja e natyrës është po aq e rëndë sa vjedhja e pasaportës.

“Është të të marrin pasaportën e të qenurit shqiptar. Kur të merr natyrën, kur të merr tokën, territorin, kur të merr peizazhin, kur të merr atë emër me të cilën, ti me çdo njeri që takon të huaj i thua çfarë natyre ka Shqipëria…”, nënvizoi ai.

Ambientalistët e lidhën ngjarjen në Pishë – Poro – Nartë me reformën e zonave të mbrojtura që nisi që në vitin 2018, që i hapi rrugë ndërtimit të aeroportit të Vlorës.

“Ne nuk e kishim menduar kurrë që do bëhej një ligj i ri për zonat e mbrojtura, që është ligji më absurd që mund të ekzistojë, që lejon ndërtimin në ligatinat bregdetare të Shqipërisë”, analizoi Mirjan Topi nga PPNEA.

Çfarë dihet deri më tani?

Dy javë pas denoncimeve të ambientalistëve për ndërhyrjet në zonën e mbrojtur Pishë – Poro – Nartë, institucionet vazhdojnë të japin informacion të kufizuar për projektin. IKMT bëri publik emrin e kompanisë që po kryen punimet, pas presionit mediatik.. “Zvërnec South Adriatic Development”, është firma, e cila sipas institucionit po zhvillon punime përgatitore për rrethim dhe ndërtim rrugësh mbi bazën e një lejeje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit më 29 prill 2026.

Megjithatë, dokumenti i plotë i vendimit nuk është publikuar për qytetarët, ndërsa vetë IKMT sqaron se leja e zhvillimit ende nuk është lëshuar dhe punimet aktuale konsiderohen “përgatitore”. Projekti, i quajtur “Zvërnec Peninsula”, parashikon ndërtime banimi dhe hotele deri në tetë kate dhe një port në një nga zonat më të ndjeshme të bregdetit shqiptar.

Sipas dokumenteve zyrtare, kompania që ka marrë lejen kontrollohet përmes një strukture të ndërlikuar kompanish të regjistruara në Holandë, me dy shtetas të huaj si përfitues fundorë. Ambientalistët dhe qytetarët shprehin shqetësim për mungesën e transparencës, ndërsa punimet në terren kanë nisur pa u bërë publike dokumentet kryesore të projektit.

Lexo gjithashtu:

The post Nartë: Qytetarët rrëzojnë gardhin dhe zbulojnë fadromat në zonën e mbrojtur appeared first on Citizens.al.

❌
❌