Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës

TIRANË, 12 korrik /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, i cili po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut 2025, përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit, ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Evropës.

Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë, përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën, ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje, janë domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë, është kontribuese. Nuk presim, po ecim përpara”, theksoi Hasani.

Ministri Hasani nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grup-kapituj negociues, përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Ai paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin.

“Evropa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane”, tha ministri Hasani.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani në Forumin e Dubrovnikut 20...
1 nga 4

/e.i//r.e/

The post Forumi i Dubrovnikut, Hasani: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje, por pjesë e thelbit strategjik të Evropës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PE pro integrimit/ Begaj: Raporti, mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar

By: xhir jeta
9 July 2025 at 15:42

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian pas miratimit të rezolutës mbi ecurinë e progresit të Shqipërisë për vitet 2023 – 2024.

Në një postim në profilin e tij zyrtar në platformën X dhe në Facebook, Presidenti Begaj e vlerëson këtë rezolutë si mbështetje ndaj procesit të reformave që Shqipëria ka ndërmarrë për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

“Konfirmimi dhe mbështetja e Parlamentit Evropian i jep Shqipërisë me rezolutën e fundit energji për procesin e reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Mirënjohja duhet të shprehet me punë dhe bashkëpunim parlamentar në të gjitha drejtimet dhe për çdo aspekt të rezolutës”, – shprehet Presidenti Begaj.

BIRN: Draft-raportet nga Brukseli ekspozojnë “fasadën e qeverisë” ndaj integrimit

By: user 6
19 June 2025 at 20:30

Përmes dy dokumenteve jozyrtare dërguar qeverisë shqiptare, Komisioni Evropian skanon një gjendje shqetësuese mbi sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve, luftën antikorrupsion dhe situatën e medias në Shqipëri në kohën kur janë hapur grup-kapitujt themelorë në negociatat për anëtarësim.

Edhe pse janë ende dokumente pune jozyrtare, raportet shprehin shqetësim për një sulm të mundshëm të mazhorancës mbi institucionet e reja të drejtësisë, për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese apo për shkeljen e parimeve të BE-së në negociimin e drejtpërdrejtë të tenderave publikë.

Shqetësimet e Brukselit lexohen nga përfaqësues të opozitës dhe ekspertë të integrimit si një tërheqje vëmendjeje ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendit për një angazhim real ndaj procesit të integrimit.

Kryetarja e Komisionit për Çështjet Evropianë në parlament, Jorida Tabaku, i tha BIRN-it se të dy dokumentet që i janë dërguar qeverisë shqiptare për ‘Themeloret” tregojnë se sa pas është Shqipëria për të arritur kriteret dhe objektivat për grupkapitullin e parë.

Ky draft-raport ngre shqetësime për 3 elementë kryesorë, ku Tabaku veçon atë që lidhet me rolin e Kuvendit dhe detyrat e tij.

“Kuvendi është institucioni që ka më shumë detyra për të kryer, por nga ana tjetër është institucioni që i ka shkelur të gjitha standardet që duhet të ketë një parlament normal, që nga procesi legjislativ, konsultimi i nismave të deputetëve që janë kthyer në një problem për procesin, duke anashkaluar procedurën ligjore normale, tek zgjedhja e krerëve të isntitucioneve të pavarua, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe duke kulmuar me komisionin e posaçëm ‘Xhafaj’, thotë Tabaku.

Sipas Tabakut, ky komision suprimon punën e komisionit për çështjet evropiane, mbivendoset mbi punën e komisioneve të tjera parlamentare dhe merr përgjegjësi që nuk i takojnë.

Draft raporti i KE-së vlerësohet si një dokument realist që evidencon qartë problematikat serioze të lidhura me kapitujt themelorë edhe nga Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Ekonomike.

“Në vlerësimin tim, e përbashkëta e kësaj analize pune është vënia e theksit në nevojën për konsolidimin e arritjeve të shënuara duke u parë këtë të lidhur ngushtë si me vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit te organizuar, pasi fjala ‘korrupsion’ përsëritet 31 herë e ndjekur nga fjala ‘Parlament’ me 20 herë,” tha Preçi, duke përmendur gjithashtu probleme të tjera të lidhura me shtetin e së drejtës, menaxhimin e emigracionit apo lirinë e medias.

Pavarësisht se dokumenti vlerëson arritjet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK , sipas Preçit, “për BE-në ka rëndësi parandalimi i korrupsionit, që nga ana e tij lidhet ngushtësisht me vullnetin politik të qeverisë dhe veprimtarinë e agjencive të tjera shtetërore, shumica në vartësi të saj”.

Preçi mendon se qeveria përdor një fasadë ndaj procesit të integrimit me strategjitë dhe nismat ligjore të miratura, pa pasur ndërkohë mjetet financiare, kapacitetet njerëzore dhe ndonjëherë as vullnetin politik për t’i zbatuar ato.

“Nga një këndvështrim i ngjashëm, dokumenti ndalet në strategjinë anti-korrupsion të qeverisë, duke vënë theksin në nevojën për një zbatim efektiv me fokus në rezultate, në mekanizmat e fortë të monitorimit dhe në koordinimi institucional për suksesin e kësaj reforme,” shton ai.

Preçi beson se raporti zyrtar i Komisionit Evropian që pritet të vijë dhe zyrtarisht në fillim të korrikut do të shërbejë për programin politiko-qeverisës të maxhorancës pas marrjes së mandatit të ri. Natyrisht, shton ai, “nëse do të ketë vullnet politik të mjaftueshëm për të ndërmarrë hapa qeverisës në dobi të një Shqipërie të jetueshme”.

Për deputeten Jorida Tabaku është me rëndësi që qeveria të tregohet serioze në angazhimet që lidhen me anti-korrupsionin, duke u ndalur tek analiza që dokumentet e hartuara në Bruksel i bëjnë ligjeve që lidhen me prokurimet publike.

“Aty ku ka korrupsion më të lartë dhe ndonjëherë korrupsioni bëhet dhe me ligje në procedurat që ndiqen e që lejojnë shkeljen e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, si në rastin e Aeropotit të Vlorës, Porti i Durrësit,” thotë ajo.

Tabaku quan gjithashtu me rëndësi në ecurinë e procesit të negociatave plotësimin e kritereve në në grupin e kapitujve që lidhen me gjyqësorin dhe problemet që ka reforma në drejtësi.

“Ka ardhur koha të bëjmë një analizë pas 8 vitesh, a i arriti qëllimet fillestare, a ka më pak influencë politike në sistem, a u shkurtua numri i dosjeve”- thotë ajo, duke sugjeruar se raporti ngre alarmin për këto kapituj që lidhen me drejtësinë.

Në këtë kontekst, Tabaku thekson se media dhe zgjedhjet janë çështje të cilat sipas raporteve që vijnë nga institucionet e BE-së tregojnë se kanë mungesë të qënësishme rezultatesh dhe janë fusha ku vendi ka bërë hapa pas.

Për Tabakun, plotësimi i objektivave që lidhen me kapitujt themelorë është vendimtar për ecurinë në procesin e negociatave.

Në fund të vitit që shkoi qeveria shqiptare u mbajt tryeza e dytë ndërqeveritare me BE-në ku u hapën 5 kapitujt themelorë për të cilët kërkohet çelja e negociatave.

Angazhimet e qeverisë shqiptare lidhen me; 1) Funksioni i Institucioneve Demokratike; 2) Reforma në Administratën Publike, 3) Kapitulli 23, Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore; 4) Kapitulli 24, Drejtësia, Liria dhe Siguria dhe 5) Kapitulli 5, Prokurimet Publike. /Marrë nga Reporter.al

The post BIRN: Draft-raportet nga Brukseli ekspozojnë “fasadën e qeverisë” ndaj integrimit appeared first on Lapsi.al.

34-vjetori i PS, Rama: Forca jonë qendron te burimet njerëzore

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Në selinë e Partisë Socialiste u organizuar sot një takim festiv me rastin e 34-vjetorit të themelimit të kësaj force politike.

Në fjalën e tij kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, u ndal te procesi i integrimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

Rama u shpreh se ky proces kërkon angazhim në të gjitha nivelet, duke përfshirë të gjitha njësitë administrative, teksa theksoi se vlera kryesore e skuadrës mbështetëse të PS-së është te burimet e veta njerëzore.

“Unë besoj që si rezultat i mirorganizimit në të gjithë territorin dhe një beteje të bërë me shumë përkushtim në gjithë territorin, kemi po ashtu edhe një skuadër mbështetëse jashtëzakonisht premtuese në të gjitha njësitë administrative dhe në të gjitha zonat ku Partia Socialiste është angazhuar gjatë gjithë këtyre muajve, në mbështetjen të grupeve të kandidatëve për deputetë. Vlera kryesore e kësaj skuadre mbështetëse janë burimet e veta njerëzore, ku ne do të duhet të qëmtojmë më kujdes për të identifikuar më të mirët e mundshëm dhe për t’i ngarkuar me përgjegjësi në një proces, që kërkon angazhim në të gjitha nivelet”, tha Rama.

Rama tha se shumë nga detyrat që ka procesi i integrimit mbeten për t’u adresuar, por që të adresohen si duhet duan kapital njerëzor cilësor.

“Procesi i anëtarësimit nuk është thjeshtë proces i qeverisë apo i parlamentit, por është një proces i shtrirë në të gjithë territorin, ku përfshihen edhe njësitë e pushtetit vendor dhe shumë nga detyrat që ka ky proces, mbeten për t’u adresuar, por që të adresohen si duhet, duan një kapital njerëzor goxha cilësor. Kam besim se nëse ne do ta adresojmë këtë si një prioritet kombëtar të Partisë Socialiste, do të jemi në gjendje t’i japim një forcë të madhe Partisë Socialiste në territor duke u mbështetur te njerëzit më të talentuar, më të përgatitur dhe më të përkushtuar”, tha Rama.

Në 34-vjetorin e Partisë Socialiste fjalën hapëse e nisi sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Blendi Klosi. Klosi falenderoi socialistët e diasporës dhe tha se kjo organizatë politike i ka shërbyer me patriotizëm Shqipërisë.

“Mirë se keni ardhur në 34-vjetorin e PS, e cila ia ka dalë në këto 34 vite të jetë partia më e madhe në vend. T’i shërbej Shqipërisë me patriotizëm dhe sot që jemi edhe pranë integrimit të BE. Shumë faleminderit partisë tonë të madhe, faleminderit çdo socialisti dhe faleminderit atyre që dhanë kontributin për herë të parë nga diaspora. Faleminderit kryetarit tonë Edi Rama”, tha Klosi.

PS feston 34-vjetorin, Foto: Andrin Hoxha
1 nga 16

/m.q/r.e/a.f/

The post 34-vjetori i PS, Rama: Forca jonë qendron te burimet njerëzore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministeriali i Taorminës në Itali, Hasani: Zgjerimi i BE-së, zgjedhje strategjike për paqen

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Ky vit shënon përvjetorin e 70-të të Konferencës historike të Mesinës dhe Taorminës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të rrugëtimit evropian, ku u hodhën hapa thelbësorë drejt integrimit të mëtejshëm të kontinentit, që kulmuan me krijimin e BE-së.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani mori pjesë në ministerialin e organizuar në kuadër të këtij përvjetori, ku bashkë me homologë nga vende anëtare dhe kandidate për BE diskutoi rreth trajektores së BE-së, si dhe sfidave dhe perspektivave në një kontekst të ri gjeopolitik.

Në fjalën e tij, ministri Igli Hasani nënvizoi se kjo datë nuk duhet vetëm rikujtuar, por duhet rigjallëruar me ambicien e saj.

“Uroj që kjo përvjetor i 70-të të jetë më shumë sesa një përkujtim. Duhet të jetë një thirrje për guxim. Duhet të na kujtojë se BE nuk ka përfunduar, është ende duke u formuar. Dhe se zgjerimi nuk është një barrë, është një premtim. Një premtim për paqe, për dinjitet, për një kontinent që refuzon të ndahet midis qendrave dhe periferive, midis anëtarëve të kaluar dhe atyre të ardhshëm. Se zgjerimi nuk është një proces administrativ, por një zgjedhje strategjike për paqen. Dhe se Evropa nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek rrugëtimi i Shqipërisë drejt familjes evropiane, ministri Hasani vlerësoi se “për ne, rruga drejt Evropës nuk është një çështje komoditeti”.

“Është një thirrje kombëtare, e rrënjosur në besimin se vendi ynë nga historia, gjeografia dhe vlerat është brenda familjes evropiane. Kemi bërë hapa të rëndësishëm përpara, duke hapur 4 grup-kapituj për negociata, ndërsa presim brenda vitit të hapim edhe dy të tjerat. Objektivi është i qartë: mbyllja e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimi në BE deri në fund të dekadës”, tha Hasani.

Ai deklaroi se rrugëtimi i Shqipërisë është i lidhur me atë të rajonit tonë, teksa vendi ynë vazhdon të luajë një rol konstruktiv duke promovuar dialogun, duke mbështetur iniciativa rajonale dhe qëndruar fuqishëm pas vlerave evropiane.  “Angazhimi i Shqipërisë ndaj BE-së është i palëkundur. Por edhe angazhimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor duhet të jetë gjithashtu i besueshëm”, shtoi ministri Hasani.

Konferenca e Mesinës dhe Taorminës në vitin 1955 u bë gur themeli për krijimin e Traktateve të Romës dhe më pas të vetë Bashkimit Evropian. Në këtë 70-vjetor, kjo konferencë përfaqëson një moment kyç për të vlerësuar të kaluarën dhe për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët evropiane.

/e.i/j.p/

The post Ministeriali i Taorminës në Itali, Hasani: Zgjerimi i BE-së, zgjedhje strategjike për paqen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Draft-raportet nga Brukseli ekspozojnë “fasadën e qeverisë” ndaj integrimit

By: Oldi
19 June 2025 at 08:35

Nga Blerina Gjoka Përmes dy dokumenteve jozyrtare dërguar qeverisë shqiptare, Komisioni Evropian skanon një gjendje shqetësuese mbi sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve, luftën antikorrupsion dhe situatën e medias në Shqipëri në kohën kur janë hapur grup-kapitujt themelorë në negociatat për anëtarësim. Edhe pse janë ende dokumente pune jozyrtare, raportet shprehin shqetësim për një sulm […]

The post Draft-raportet nga Brukseli ekspozojnë “fasadën e qeverisë” ndaj integrimit appeared first on BoldNews.al.

Draftraporti i KE për Shqipërinë: SPAK, rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit

TIRANË, 17 qershor /ATSH/ Komisioni Evropian ka hartuar një draftraport për Sundimin e Ligjit në Shqipëri në të cilin analizohet ecuria e reformës në drejtësi në Shqipëri, përfshi dhe sfidat me luftën ndaj korrupsionit.

Në draftraportin e KE-së theksohet se “Shqipëria vazhdoi zbatimin e reformës gjyqësore duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe pavarësinë e prokurorisë”.

“Procesi i verifikimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve u finalizua në shkallën e parë duke forcuar më tej llogaridhënien”, thuhet në draftraport.

Duke analizuar përpjekjet antikorrupsion të qeverisë në draftraportin e Komisionit Evropian thuhet se “Strategjia Kundër Korrupsionit për vitet 2024-2030 është miratuar. Korniza ligjore për të luftuar korrupsionin është gjerësisht në fuqi, por legjislacioni për parandalimin e korrupsionit duhet të plotësohet”.

Në draftraportin e KE-së është analizuar edhe puna e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila është vlerësuar për rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit.

“Struktura Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) konsolidoi më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe bëri përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë në luftën kundër korrupsionit”, thuhet në draftraport.

Sa i përket përpjekjeve të Ministrisë së Drejtësisë në digjitalizimin e menaxhimit të dosjeve gjyqësore, draftraporti thotë se “buxheti i mjaftueshëm u nda për sistemin modern të integruar elektronik të menaxhimit të çështjeve, por krijimi i tij parashikohet vetëm për vitin 2030. Mangësitë mbeten në lidhje me cilësinë e drejtësisë, duke përfshirë aksesin në drejtësi, trajnimin gjyqësor, burimet financiare dhe njerëzore”.

Draftraporti analizon edhe metodologjinë e Komisionit të Posaçëm parlamentar Antikorrupsion, drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

“Sfidat në lidhje me cilësinë e procesit legjislativ, duke përfshirë efektivitetin e kufizuar të konsultimeve publike, mbeten. Ekzistojnë mangësi në lidhje me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit parlamentar ad hoc për thellimin e reformave për qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit”, thuhet në draftraport.

Sa i takon Gjykatës Kushtetuese, sipas draftraportit të Komisionin Europian, vijon që të funksionojë në mënyrë efektive, ndërsa moszbatimi i vazhdueshëm nga ana e Kuvendit i disa prej vendimeve të saj dhe pasiguria ligjore mbi kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të saj përbëjnë një shqetësim.

“Gjykata Kushtetuese vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive, ndërsa ka shqetësime në lidhje me dështimin e vazhdueshëm të Parlamentit për t’iu përmbajtur disa prej vendimeve të tij dhe pasiguri ligjore në lidhje me kohëzgjatjen e saktë të mandatit të anëtarëve të tij”, thuhet në draftraport.

Më tej nënvizohet se “organizatat e shoqërisë civile mbeten përgjithësisht të lira për të vepruar, por mbeten sfida, duke përfshirë kërkesat e regjistrimit dhe financimin e kufizuar publik”.

Pjesë nga draftraporti i Komisionit Evropian

Shqipëria vazhdoi zbatimin e reformës gjyqësore duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe pavarësinë e prokurorisë. Procesi i verifikimit të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve u finalizua në shkallën e parë duke forcuar më tej llogaridhënien. Sfidat mbeten në lidhje me vlerësimet në kohë dhe ato cilësore, si dhe emërimet e anëtarëve jomagjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë është funksional, por numri i lartë i vendeve të lira të magjistratëve-inspektorëve ndikon në funksionimin e tij efektiv. Ndërsa qëndrueshmëria e gjyqësorit u përmirësua, përpjekjet për ndikim të tepruar në sistemin gjyqësor nga zyrtarët publikë ose politikanët u përkeqësuan. Buxheti i mjaftueshëm u nda për sistemin modern të integruar elektronik të menaxhimit të çështjeve, por krijimi i tij parashikohet vetëm për vitin 2030. Mangësitë mbeten në lidhje me cilësinë e drejtësisë, duke përfshirë aksesin në drejtësi, trajnimin gjyqësor, burimet financiare dhe njerëzore. Sfidat në lidhje me kohëzgjatjen e procedurave dhe ngarkesën e çështjeve të prapambetura janë rritur, ndërsa masat vendimtare për të rritur efikasitetin ende nuk janë zbatuar.

Strategjia Kundër Korrupsionit për vitet 2024-2030 është miratuar. Korniza ligjore për të luftuar korrupsionin është gjerësisht në fuqi, por legjislacioni për parandalimin e korrupsionit duhet të plotësohet. Struktura Speciale Kundër Korrupsionit (SPAK) konsolidoi më tej rezultatet e saj pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe bëri përparim të prekshëm drejt një rekordi të fortë në luftën kundër korrupsionit. Korniza institucionale për parandalimin vazhdon të ketë një ndikim të kufizuar dhe koordinimi me zbatimin e ligjit mbetet i dobët. Policia e shtetit mbetet e ndjeshme ndaj korrupsionit. Mangësitë mbeten në lidhje me transparencën dhe me efektivitetin se si Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Auditimin e Pasurive dhe Konfliktit të Interesit kontrollon deklaratat e pasurive dhe interesave.

Pavarësia e Autoritetit Rregullator Audio-Vizuale mbetet një çështje shqetësuese. Shqetësimet në lidhje me pavarësinë e transmetuesit publik janë rritur. Përqendrimi i lartë i pronësisë së medias vazhdon të ndikojë negativisht në pavarësinë e medias. Depërtimi në tregun mediatik nga grupe biznesi të profilit të lartë me lidhje politike mbetet gjithashtu një shqetësim serioz. Mangësitë në aspektin e ndarjes së drejtë të reklamave shtetërore dhe burimeve të tjera shtetërore, si dhe të drejtës për akses në informacion mbeten. Sulmet verbale dhe fizike, fushatat e shpifjes dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike që synojnë gazetarët janë një shkak i vazhdueshëm shqetësimi dhe vetërregullimi mbetet i dobët.

Sfidat në lidhje me cilësinë e procesit legjislativ, duke përfshirë efektivitetin e kufizuar të konsultimeve publike, mbeten. Ekzistojnë mangësi në lidhje me punën, metodologjinë dhe ndikimin e komisionit parlamentar ad hoc për thellimin e reformave për qeverisje të mirë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Gjykata Kushtetuese vazhdon të funksionojë në mënyrë efektive, ndërsa ka shqetësime në lidhje me dështimin e vazhdueshëm të Parlamentit për t’iu përmbajtur disa prej vendimeve të tij dhe pasiguri ligjore në lidhje me kohëzgjatjen e saktë të mandatit të anëtarëve të tij. Mandatet e Avokatit të Popullit dhe Komisionerit kundër Diskriminimit ende duhet të rinovohen dhe disa pengesa për punën e tyre efektive mbeten. Organizatat e shoqërisë civile mbeten përgjithësisht të lira për të vepruar, por mbeten sfida, duke përfshirë kërkesat e regjistrimit dhe financimin e kufizuar publik.

Draftraporti-i-Komisionit-Europian

/m.q/r.e/

The post Draftraporti i KE për Shqipërinë: SPAK, rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Integrimi të përkthehet në ndryshime konkrete për qytetarët

TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Gjatë seancës së sotme plenare, kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku, vuri në dukje sipas saj mungesën e vullnetit real të qeverisë për të çuar përpara procesin e integrimit europian.

Tabaku tha se rruga drejt Bashkimit Europian po trajtohet më shumë si një ushtrim formal, sesa si një reformë që prek jetën e përditshme të qytetarëve.

“Integrimi nuk mund të jetë thjesht një listë kriteresh apo një proces në letër. Ai duhet të përkthehet në ndryshime konkrete për qytetarët, në ekonomi më të fortë, drejtësi të pavarur dhe institucione që funksionojnë,” u shpreh Tabaku.

Tabaku tha se procesi i integrimit duhet të jetë për shqiptarët dhe jo për fasadë politike.

Ajo bëri thirrje që Kuvendi të diskutojë seriozisht raportin e fundit të Parlamentit Europian dhe të ndërmarrë hapa konkretë për të adresuar mungesën e standardeve, me zgjedhjet si një prej pikave kyçe që, sipas saj, po pengon realisht rrugën europiane të vendit.

Tabaku u ndal edhe te gjendja ekonomike e vendit, duke theksuar se sipas të dhënave të OECD-së, Shqipëria renditet e fundit në rajon në shumicën e treguesve kryesorë.

“Të ardhurat e qytetarëve shqiptarë janë vetëm 37% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa prodhimi i brendshëm bruto për frymë nuk kalon 20% të vendeve të BE-së,” tha Tabaku.

Tabaku foli edhe për investimet në infrastrukturë, ku sipas saj Shqipëria mbetet e fundit në rajon përsa i përket standardeve infrastrukturore.

“Rrugët tona janë më të kushtueshme dhe më pak funksionale, ndërkohë që vendi vazhdon të mos ketë një rrjet të përfunduar që e lidh me fqinjët dhe më tej me rrjetin europian,” shtoi ajo.

/m.q/ /a.g/

The post Tabaku: Integrimi të përkthehet në ndryshime konkrete për qytetarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasadori suedez Ström: Shqipëria, nga vendet më të përgatitura për t’u anëtarësuar në BE

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Ambasadori suedez në Tiranë, Niklas Ström, u shpreh sot në një intervistë televizive se Shqipëria është vendi që po ecën më shpejt në negociatat me Bashkimin Evropian, duke iu referuar kapitujve kryesorë të hapur deri tani.

Ambasadori Ström tha se “Suedia e konsideron Shqipërinë si një nga vendet më të përgatitura për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, duke vlerësuar progresin e arritur deri më tani dhe duke e mbështetur fuqimisht në këtë rrugëtim”

“Shqipëria ka hapur tashmë katër nga gjashtë kapitujt kryesorë të negociatave dhe është realiste që të hapen të gjitha brenda këtij viti, në përputhje me objektivat e qeverisë shqiptare. Suedia është e gatshme të ndihmojë në çdo hap të mëtejshëm, jo vetëm për anëtarësimin në BE, por për të sjellë reforma të dobishme për vetë qytetarët shqiptarë”, pohoi ai.

“Suedia është shumë e angazhuar në Shqipëri. Jemi shumë të përkushtuar ndaj procesit tuaj drejt BE-së. Kemi një bashkëpunim zhvillimor këtu, një pjesë e të cilit përqendrohet në zhvillimin ekonomik në sektorin e bujqësisë, në plane industriale dhe automatizimi. Po ashtu, ne po mbështesim një sektor shumë interesant të startup-eve. Po zbatojmë një projekt të BE-së që ndihmon zhvillimin e kompanive shqiptare, i ndihmon të lidhin kontakte me kompani të tjera jashtë vendit, dhe të marrin trajnim e mentorim”, tha ai.

Ambasadori cilësoi se “Suedia e sheh Shqipërinë si vend pararojë për momentin, së bashku me Malin e Zi”.

“Shqipëria ka bërë më shumë progres gjatë vitit të fundit në negociatat me BE-në. Tani, duhet të hapni negociatat nga gjashtë fushat, katër janë hapur tashmë. Mendoj se është realiste që të hapen të gjitha brenda këtij viti, siç është edhe objektivi i qeverisë. Pastaj, sa kohë do të zgjasë procesi, kjo varet shumë nga vetë Shqipëria. Nga ana jonë, ne jemi të gatshëm kur ju të jeni gati. Dhe dua të theksoj: këto reforma nuk i bëni vetëm për BE-në, i bëni për Shqipërinë. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, vijoi Ström.

Ambasadori theksoi gjatë intervistës edhe rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, të drejtësisë dhe përmirësimit të klimës së biznesit si kushte kyçe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Ajo që është më e rëndësishme është që Shqipëria të vazhdojë të përmirësojë klimën e biznesit. Sipas meje, më e rëndësishmja është të kesh një terren të barabartë për të gjitha kompanitë. Kompanitë kërkojnë qëndrueshmëri, të dinë në çfarë rrethanash po veprojnë, duan sundim të ligjit që funksionon dhe duan të kenë të qarta të drejtat e pronësisë mbi tokën. Pra, nëse më kërkoni një këshillë për Shqipërinë: përqendrohuni në stabilitet, drejtësi dhe qartësi ligjore”, pohoi ambasadori suedez.

Ambasadori u ndal tek Java Kulturore Suedeze që do të zhvillohet së afërmi.

“Normalisht, përpiqemi të tregojmë që Suedia është më shumë sesa ABBA apo Volvo. Kemi shumë më tepër për të ofruar. Duam të tregojmë një panoramë të gjerë të kulturës suedeze. Duam të tregojmë që kemi artistë cilësorë, muzikantë, dhe madje edhe gjëra si çiklizmi, që e konsiderojmë gjithashtu pjesë të kulturës suedeze. Pra, është një pamje më e gjerë e Suedisë ajo që duam të paraqesim. Por sigurisht, do të kemi edhe pak “pop”, do të kemi edhe pak muzikë më të lehtë, por të sjellë në një nivel tjetër”, u shpreh ai.  /e.i/j.p/

The post Ambasadori suedez Ström: Shqipëria, nga vendet më të përgatitura për t’u anëtarësuar në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gati negociatat me BE/ Kuvendi miraton pozicionin e Shqipërisë për grupkapitullin e katërt

By: xhir jeta
13 June 2025 at 15:30

Shqipëria është gati për mbajtjen e konferencës së gjashtë ndërqeritare me Bashkimin Europian brenda muajit qershor.

Komisioni për Cështjet Europiane diskutoi këtë të martë projekt pozicionin negociues për grupkapitullin “Agjenda e Gjelbërt dhe Lidhja e Qëndrueshme.”

Përshkak të konfidencialitetit, mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura por, kryetarja Jorida Tabaku i shfrytëzoi minutat për të folur për standartet e zgjedhjeve, edhe pse ndryshe nga kryetari i saj, që flet kunder integrimit në Bruksel, Tabaku foli për votë pro të ligjeve që kanë të bëjne me anëtarësimin.

“PD e ka shprehur qe do jete pjese e integrimit dhe do miratoi ligje qe kane te bejne me integrimin dhe kete e kemi treguar me fakte. Por kjo nuk do te thote qe ngritja e shqetesimeve qofte per drejtesine qofte per zgjedhjet qofte per standartet e shkelura neve te na beje  qe te veprojme symbyllazi edhe ta shofim ate si nje proces te mbyll se ai nk eshte i tille”

Por deputetja socialiste, Mimi Kodheli, tha se kjo tryeze duhet të shfrytëzohet për të cuar përpara procesin dhe jo për politikë të ditës.

Ndërsa deputeti, Kreshnik Collaku, bëri thirrje për dialog politik.

Grupkapitulli i “Agjenda e Gjelbërt dhe Lidhja e Qëndrueshme.”përfshin politikën e transportit, sektorin e energjisë, mbrojtjen e mjedisit,, rrjetet transeuropiane dhe nderlidhjen infrastrukturore te Shqiperise me vendete BE, si pjese e rendesishme e korridoreve europiane./abcnews.al

 

Berisha: Raporti i PE për Shqipërinë tha se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet komentoi sot Raportin për Shqipërinë të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili analizon situatën dhe progresin tonë në rrugën drejt integrimit europian, për vitet 2023 dhe 2024.

Sipas kryetarit të opozitës raporti “i referohet pikë për pikë paragrafit të parë të raportit të OSBE/ODIHR, delegacionit të Parlamentit Europian, delegacionit të Këshillit të Europës, në të cilin thuhet se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta”.

“Barazia në fushatë elektorale është kriteri i të gjitha kritereve për zgjedhje të drejta apo zgjedhje që respektojnë parimet ndërkombëtare”, tha Berisha.

Sipas Berishës raporti i PE-së “thotë se u përdorën gjerësisht burimet e shtetit për fushatë elektorale nga partia në pushtet”.

Berisha shtoi se “raporti akuzon qeverinë se ka krijuar shtetin elektoral, kusht themelor kjo për shndërrimin e procesit zgjedhor në farsë elektorale”.

Duke ju referuar deklaratave të kryetares së parlamentit Elisa Spiropali se “humbësit po përdhosin emrin e shqiptarëve”, Berisha tha se “Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian konfirmojnë se opozita mbështet plotësisht integrimin”.

“Theksohet disa herë se ndarja e pushteteve është një parim themelor që nuk respektohet në Shqipëri, konkretisht nga parlamenti”, tha Berisha.

Kreu i PD-së tha më tej se “Brukseli shpreh shqetësim të madh për ndërhyrjet e vazhdueshme politike dhe presionet në sistemin juridik”.

“Ka defekte të mëdha në emërime të anëtarëve jomagjistratë nga famozja KLGJ dhe KLP si dhe integriteti i tyre. Pra, Brukseli konstaton se ka probleme me integritetin e të emëruarve”, u shpreh Berisha.

Berisha tha gjithashtu gjatë fjalës së tij se “është kërcënuar misionin OSBE-ODIHR dhe unë këto i kam denoncuar në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe publikisht”.

“Mashtrimi publik shtetëror është një akt i shëmtuar shtetëror që nuk mund të mos denoncohej publikisht dhe me forcën më të madhe”, tha kreu i PD-së.

/m.q//af/

The post Berisha: Raporti i PE për Shqipërinë tha se zgjedhjet u zhvilluan në kushte të pabarabarta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria një hap më afër BE-së, përvijohet rruga e hapjes së negociatave për grup-kapitullin 4

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Shqipëria tashmë është edhe një hap tjetër para në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sot, më 11 qershor, pasi ka konstatuar se Shqipëria është mjaftueshëm e përgatitur për të hapur negociatat, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në grup-kapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”.

Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila do të organizohet në një datë që do të shpallet së shpejti nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kapitujt e grup-kapitullit 4 përfshijnë fusha shumë të rëndësishme për ekonominë, biznesin dhe që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve dhe janë faktor transformimi për zhvillimin afatgjatë të vendit.

Kapitulli 14, i cili trajton politikën e transportit, synon përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurisë rrugore e hekurudhore;

Kapitulli 15 lidhet me sektorin e energjisë dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji;

Kapitulli 21 fokusohet te rrjetet trans-evropiane dhe ndërlidhjen infrastrukturore të Shqipërisë me vendet e BE-së, si pjesë e rëndësishme e Korridoreve Evropiane;

ndërsa Kapitulli 27 vlerëson mbrojtjen e mjedisit dhe përballimin e ndryshimeve klimatike, përmes standardeve të larta të BE-së.

Përmes negociatave të këtyre kapitujve, Shqipëria pritet të bëjë hapa konkretë drejt ndërtimit të rrugëve më të sigurta dhe moderne, përmirësimit të ndërlidhjes rajonale dhe evropiane, garantimit të furnizimit me energji të pastër dhe të përballueshme, si dhe mbrojtjes së mjedisit për gjeneratat e ardhshme.

Ky është një investim i drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës së qytetarëve shqiptarë dhe transformimin e pandalshëm të ekonomisë shqiptare në rrugën drejt familjes evropiane.

Ky vendim i Bashkimit Evropian konfirmon ecurinë e suksesshme të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit.

Ai është një tregues i qartë i përparimit të prekshëm në përmbushjen e reformave ekonomike, i përgatitjes dhe aftësive të të gjitha institucioneve shqiptare dhe aktorëve ekonomik, si dhe Ekipit Kombëtar të Negociatave për anëtarësim, por njëkohësisht përforcon besimin se Bashkimi Evropian mbështet një proces zgjerimi të drejtë dhe të besueshëm, të bazuar në rezultate konkrete, të matshme dhe përmbushje të standardeve evropiane. /j.p/

The post Shqipëria një hap më afër BE-së, përvijohet rruga e hapjes së negociatave për grup-kapitullin 4 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi në BE, Shqipëria drejt hapjes së negociatave për grupkapitullin e katërt

By: redi
11 June 2025 at 17:00

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, autorizoi Presidencën e BE-së dhe Presidenca Polake i dërgoi sot letrën Shqipërisë ku i kërkon të paraqesë pozicionin e saj negociues mbi katër kapitujt e përfshirë në Grupkapitullin 4 “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Pozicioni negociues do t’i paraqitet Konferencës së Gjashtë Ndërqeveritare me…

Source

“Berisha po justifikon veten para demokratëve”, gazetari: Pretendon pa prova e fakte për vjedhje votash

5 June 2025 at 23:51

Edhe pse Partia Demokratike mori një rezultat të thellë humbës në zgjedhjet e zhvilluara në vend, ish-kryeministri Sali Berisha në daljet e tij, vijon të pretendojë për vjedhje votash.

Në një intervistë në “Edicioni i Fundit”, në ABC News, gazetari Fatos Mahmutaj u shpreh se rezultati ka dalë dhe Shqipëria e ka marrë rrugën e saj.

Ndërsa për kreun  e PD Sali Berisha, Mahmutaj tha se është drejt vdekjes politike dhe se më 11 maj mori goditjen e fundit nga shqiptarët.

“Berisha do të justifikohet përpara ndjekësve të tij duke pretenduar që është abuzuar me votat. Ai ka treguar në 35 vite që ka bërë politikë antishqiptare. Berisha vazhdon me gënjeshtrat dhe mashtrimet që besoj as vetë nuk i besoj thjesht për t’u thënë ndjekësve të tij që ne po punojmë.

Më tej gjatë intervistës theksoi se Berisha sado që është treguar antishqiptar, nuk e ndalon dot integrimin e vendit.

“Berishën e mundi Taulant Balla, Zegjineja e Fierit, të gjithë këta dhe realisht mund të themi që Berisha ka gënjyer gjatë gjithë kësaj kohë. Sa për mbrojtjen e votës së lirë, Berisha ka dhënë shembullin e tij prej horri dhe të një njeriu që gënjen e mashtron.  Këta janë të bindur edhe vetë që nuk kanë fituar por thjesht duan të hedhin tymnajë dhe për t’i thënë ndjekësve të tyre që socialistët kanë vjedhur vota”, tha mes të tjerash ai.

/abcnews.al/

Abilekaj: Nuk mund të na tallin, BE-ja po luan me dy standarde në Shqipëri

By: Mirgen
5 June 2025 at 22:34

Gazetari Enton Abilekaj, komentoi zhvillimet e fundit politike duke kritikuar ashpër qasjen e Perëndimit ndaj Shqipërisë dhe rolin e qeverisë Rama. Ai u shpreh se opozita nuk duhet të lërë hapësira bosh, por përkundrazi të veprojë dhe të denoncojë me forcë ato që i cilësoi si sjellje të papranueshme. “S’duhet lënë hapësira, unë jam që […]

The post Abilekaj: Nuk mund të na tallin, BE-ja po luan me dy standarde në Shqipëri appeared first on BoldNews.al.

Tabaku: E majta në Shqipëri e ka treguar me fakte që është kundër integrimit

By: Ardit
5 June 2025 at 22:29

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka komentuar dhe deklarata e sotme të elementëve të qeverisë, që akuzonin opozitën se po hidhnin baltë ndaj Shqipërisë në Bruksel. Tabaku u shpreh se, në Shqipëri e majta që është aktualisht në pushtet, e ka treguar me fakte se, është kundër integrimit të vendit drejt BE-së. “Nuk kam […]

The post Tabaku: E majta në Shqipëri e ka treguar me fakte që është kundër integrimit appeared first on BoldNews.al.

‘Procesi i integrimit nuk është marketing politik’, Tabaku: Kërkon punë dhe angazhim, zgjedhjet e 11 majit treguan…

4 June 2025 at 21:49

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Bruksel për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke komentuar rezolutat e Parlamentit Europian mbi zgjedhjet e 11 majit.

Në një intervistë, Tabaku theksoi se Parlamenti Europian është i shqetësuar për mënyrën si u zhvilluan këto zgjedhje, të cilat ishin të parat që zhvillohen me kapitujt e negociatave të hapura me BE-në. Ajo nënvizoi se tashmë nuk ka më vend për tolerime në raport me standardet demokratike.

Sipas saj, problematikat e denoncuara për zgjedhjet përfshijnë presionin mbi administratën publike, përdorimin e burimeve shtetërore, si dhe lidhjen e korrupsionit me krimin e organizuar. Të gjitha këto, shtoi ajo, janë pjesë e kapitullit të parë të negociatave që përfshin çështjet themelore.

Tabaku u shpreh se integrimi në BE nuk është thjesht një çështje propagande politike apo premtimesh për data, por një proces që kërkon punë të vazhdueshme, angazhim dhe vullnet politik. Ajo theksoi se mungesa e këtij vullneti u pa qartë në mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet e fundit.

“Procesi i integrimit nuk është marketing politik. As shqiptarëve, as ne, as Parlamentit Europian nuk i duhet një integrim në letër, por standarde që zbatohen në praktikë… Me zgjedhjet u tregua që ky vullnet politik nuk ekziston”, tha Tabaku.

The post ‘Procesi i integrimit nuk është marketing politik’, Tabaku: Kërkon punë dhe angazhim, zgjedhjet e 11 majit treguan… appeared first on Sot News | Lajme.

Hasani: Për shqiptarët integrimi evropian është një lloj “feje”  

TIRANË, 3 qershor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani gjatë vizitës në Athinë, ishte i ftuar gjithashtu në një takim me anëtarë të Institutit “ELIAMEP” – një ndër institucionet më të njohura në Greqi për çështjet e politikës së jashtme dhe evropiane – ku paraqiti progresin e deritanishëm të rrugëtimit evropian të Shqipërisë.

Hasani theksoi se, “për shqiptarët, integrimi evropian është një lloj “feje” dhe ku reformat e ndërmarra nuk janë vetëm për BE-në, por mbi të gjitha janë për ne”.

“Jemi në momentin më të mirë historik tonin në këtë rrugëtim, me objektiv të qartë mbylljen e negociatave deri në 2027-tën dhe anëtarësimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane deri në fund të kësaj dekade”, nënvizoi më tej Hasani.

/a.f/

The post Hasani: Për shqiptarët integrimi evropian është një lloj “feje”   appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kërcënim apo mbrojtje? Qëndrimet e Ramës ndaj SPAK ngjallin kontradikta

31 May 2025 at 13:36

“Mbrojtja publike’ që Rama i ofron SPAK-ut shihet si deklarative dhe kontradiktore nga profesorët e shkencave politike, ndërsa mazhoranca e madhe qeverisëse shihet si rreziku i vetëm ndaj pavarësisë dhe punës së drejtësisë. Duke kremtuar fitoren e zgjedhjeve te 11 majit që i dhanë atij mandatin e katërt qeverisës, kryeministri Edi Rama e veçoi mbrojtjen […]

The post Kërcënim apo mbrojtje? Qëndrimet e Ramës ndaj SPAK ngjallin kontradikta appeared first on BoldNews.al.

FOKUS – Kos: Shqipëria mundësi reale për anëtarësim në BE brenda 2030-s

TIRANË, 27 maj /ATSH/ Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, në një intervistë për televizionin gjerman, WELT TV, foli për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ku theksoi se tashmë për Komisionin Evropian ai përbën një përparësi.

Duke nënvizuar mbështetjen e BE-së për anëtarësimin e Ukrainës, Kos u pyet edhe për përshpejtimin e anëtarësimit të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se ka mundësi reale që Shqipëria të mbyllë negociatat brenda vitit 2027 dhe të anëtarësohet deri në vitin 2030.

WELT: Duke pasur parasysh zhgënjimin e disa shteteve të Ballkanit Perëndimor në lidhje me këtë afrim relativisht të shpejtë me Ukrainën. Si mendoni të siguroheni që vende si Bosnjë-Hercegovina ose Maqedonia e Veriut të mos ndihen të lëna pas dore?

KOS: Mund ta kuptoj shumë mirë zhgënjimin, pasi edhe unë vij nga kjo zonë. Dhe vetëm për t’ju dhënë një ide, nëse Ukraina do të duhej të priste aq gjatë sa Maqedonia e Veriut, ne do të fillonim negociatat me Ukrainën në vitin 2045. Dhe kjo nuk mund të ndodhë. Kjo vlen edhe për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ato duhet të zbatojnë reformat. Dhe ka një element tjetër të rëndësishëm në të kaluarën. Në vitet e fundit, zgjerimi nuk ka qenë aq i rëndësishëm për Komisionin Evropian. Nuk ishte një përparësi. Tani është prioritet. Edhe shtetet anëtare e thonë këtë. Kemi Malin e Zi dhe Shqipërinë, për shembull. Ato po punojnë shumë mirë. Ato po bëjnë reformat. Ato po e kuptojnë procesin e zgjerimit si një transformim të ekonomisë së tyre, duke përfshirë edhe zona të tjera në vend. Dhe, për shembull, nëse gjërat vazhdojnë të shkojnë mirë, ne mund të përfundojmë të gjitha negociatat me Malin e Zi deri në fund të vitit 2026 dhe më pas me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Kjo do të thotë se ka mundësi realiste që të dy vendet të bëhen anëtarët tanë të rinj deri në vitin 2030.

Kos vlerëson propozimin gjermano-slloven për heqjen e unanimitetit për vendimmarrjen në pranimin në BE të vendeve të reja.

”Mundësitë janë të ndryshme. Vendimet më pas i takojnë Këshillit Evropian. Por Gjermania, së bashku me Slloveninë, ka bërë një propozim për të thjeshtuar rregullat me shumicë të kualifikuar. Dhe tani u takon shteteve anëtare të vendosin se si të vazhdojnë. Por është e rëndësishme që ne ta dorëzojmë. Pse? Ne u kemi premtuar vendeve kandidate dhe i mbështesim ato se një ditë do të bëhen anëtare. Ata i japin gjërat e duhura dhe kur ata i japin gjërat e duhura, edhe ne duhet t’i japim gjërat e duhura dhe të tregojmë se jemi seriozë”, tha Kos./ /r.e/a.f/

The post FOKUS – Kos: Shqipëria mundësi reale për anëtarësim në BE brenda 2030-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌