Tani ka shumë prova shkencore që tregojnë se kufizimi i disa proteinave që konsumojmë, veçanërisht mishi mund të jetë shumë i rëndësishëm për plakjen e shëndetshme. Dhe arsyeja për këtë është e habitshme: duke reduktuar mishin, indet detyrohen të prodhojnë sulfur hidrogjeni (H2S), një gaz, toksik kur thithet, që mban erë si vezë të prishura, por nxit shëndetin brenda trupit!
Kufizimet dietike që rrisin jetëgjatësinë
Në eksperimentet laboratorike (me kërpudha, krimba dhe majmunë), kur shkencëtarët i vunë organizmat në dieta të ekuilibruara, por me pak kalori, këta organizma ua zgjasin jetëgjatësinë. Tek minjtë, dieta të tilla zvogëlojnë rrezikun e kancerit, forcojnë sistemin imunitar dhe përmirësojnë funksionin njohës.
Megjithatë, për shkak se plakja dhe jetëgjatësia janë procese komplekse, është e vështirë për studiuesit të përcaktojnë me saktësi mekanizmat e tyre të veprimit. Studimet e fundit kanë hedhur dritë mbi këtë fushë, duke sugjeruar që H2S luan një rol kritik.
Studimet që nga vitet 1990 kanë treguar se zvogëlimi i marrjes së disa aminoacideve që përmbajnë squfur, blloqet ndërtuese të proteinave, mund të rrisë jetëgjatësinë tek minjtë me rreth 30%. Kohët e fundit, një bashkëpunim shkencëtarësh të udhëhequr nga Universiteti i Harvardit kreu një seri studimesh mbi kafshët në të cilat ata kufizuan marrjen e dy aminoacideve që përmbajnë squfur – cisteinën dhe metioninën – për të studiuar efektin pasues.
Rezultati ishte një rritje në prodhimin e H2S në indet e kafshëve, gjë që shkaktoi një mori efektesh të dobishme, të tilla si rritja e prodhimit të enëve të reja të gjakut – një fenomen që përmirëson shëndetin kardiovaskular – dhe rezistencë më të mirë ndaj stresit oksidativ në mëlçi, i cili është i lidhur me sëmundjet e mëlçisë.
Pyetja, pra, ishte nëse efekte të ngjashme mund të vëreheshin tek njerëzit . Një studim i kohëve të fundit duke përdorur të dhëna nga 11,576 të rritur nga Sondazhi Kombëtar i Ushqyerjes i Amerikës dha prova se kjo është e mundur. Në mënyrë specifike, u zbulua se marrja e reduktuar dietike e këtyre aminoacideve që përmbajnë squfur shoqërohej me më pak faktorë rreziku kardiometabolik, duke përfshirë nivele më të ulëta të kolesterolit dhe glukozës në gjak.
Më pak mish, jetëgjatësi më e madhe
Përfundimi i këtij hulumtimi është se kufizimi i marrjes së ushqimeve që përmbajnë nivele të larta të aminoacideve të squfurit mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kronike si diabeti dhe sëmundjet e zemrës dhe të nxisë plakjen e shëndetshme. Në vendet perëndimore, konsumi mesatar ditor i aminoacideve të squfurit mund të tejkalojë nevojat ditore të trupit deri në 2.5 herë, pasi këto aminoacide gjenden në ushqime të tilla si mishi, produktet e qumështit dhe vezët , të cilat zënë një vend të spikatur në dietën moderne.
Mishi i kuq, në veçanti, është i pasur me aminoacide që përmbajnë squfur, por edhe peshku dhe shpendët janë mjaft të pasur me to, kështu që kalimi në proteina me bazë bimore mund të ndihmojë në kufizimin e marrjes së tyre. Fasulet, thjerrëzat dhe bishtajoret janë burime të mira proteinash dhe kanë pak aminoacide që përmbajnë squfur.
Për më tepër, është treguar se sulfidi i hidrogjenit ndihmon në uljen e inflamacionit, duke hapur një derë për trajtime të reja të mundshme për artritin ose për përdorimin e tij potencial si qetësues dhimbjesh.
The post Çfarë duhet të hani më pak për të jetuar 30% më gjatë pa sëmundje appeared first on iconstyle.al.