Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 July 2025Main stream

Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Qeveria do të ofrojë një paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara në fushën e bujqësisë, banesave apo nevojave të tjera që kanë lindur si pasojë e vatrave të zjarrit.

Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, gjatë një takimi koordinues, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, tha se ky takim bëhet për dy qëllime: vlerësimin e gatishmërisë operacionale për Emergjencat Civile dhe vlerësimin e dëmeve dhe përgjigjes që duhet të marrin banorët e prekur, veçanërisht në sektorin e blegtorisë.

Vengu tha se “gjatë muajit korrik kemi pasur 59 zjarre masive dhe një mori zjarresh më të vogla në zonat e banuara apo rurale. Në total, mbi 29 mijë sipërfaqe hektarë e djegur”.

“Na rezulton që qarqet më të prekura janë Vlora me 17 500 hektarë, pasuar nga Dibra me 4524 hektarë, Tirana 2400 hektarë dhe Berati 1500 hektarë. Pavarësisht se në të kaluarën mund të kemi pasur vite me më shumë sipërfaqe të djegura, rekordi historik për Shqipërinë është në vitin 2007 me 127 mijë hektarë të djegur. Deri në vitin 2024 sezonet verore kishin 6 zjarre në javë, ndërsa këtë vit ka pasur 13 zjarre në javë”, tha Vengu.

Ministri Vengu bëri me dije se në operacionet për shuarjen e zjarreve në të gjithë vendin janë angazhuar në total 14 200 vetë, dy mijë mjete të specializuara dhe 63 operacione nga ajri, në të cilat janë përfshirë 4 helikopterë nga forcat shqiptare, dy nga forcat hungareze, dy Canader nga Italia, dy nga Greqia dhe një nga Kroacia.

“Nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë mjete ajrore në dispozicion dhe ne do vijojmë të investojmë në rinovimin e flotës tokësore dhe ajrore. Janë evituar fatkeqësitë në jetë njerëzish dhe dëmet e tjera. Na rezultojnë të prekura 12 banesa, 3 stane, një objekt kulti dhe një nënstacion energjie”, vijoi ai.

Vengu tha se bashkitë e prekura nga pasojat e zjarreve në vend duhet të vijojnë sa më shpejt me vlerësimin e dëmeve, sa rrënjë ullinj, sa kullota, sa dëme ka pasur në zonat e mbrojtura, etj.

Ministri Vengu u ndal edhe te rëndësia e bashkërendimit mes forcave të reagimit vendor dhe atyre qendror siç janë Forcat e Armatosura, batalioni mbështetës i Emergjencave Civile dhe dy regjimentet, ai i veriut dhe i jugut.

“Në të kaluarën kishim konstatuar një lloj varësie ekstreme të bashkive ndaj reagimit të kapaciteteve qendrore. Pasi rakorduam me Komitetin Kombëtar të Emergjencave Civile, udhëzuam prefektët dhe bashkitë që të rrisnin gatishmërinë vendore dhe të rezervonin angazhimin e Forcave të Armatosura në zonat e banuara, infrastrukturën kritike dhe zonat e mbrojtura”, pohoi Vengu.

“Mekanizmi evropian që mobilizuam na dha një mbështetje edhe në kufizimin e vatrave në Zonat e Mbrojtura si në Lurë dhe Llogora. Ky bashkërendim dhe reagim gjakftohtë në qarqe si Shkodra, Lezha, Korça, Fieri, Gjirokastra na dha mundësinë që Forcat e Armatosura të përqendroheshin në Dibër, Berat, dhe Vlorë, që të evitonim situata më dramatike”, vijoi ai.

Ministri i Mbrojtjes e cilësoi këtë si një leksion të vyer të muajit korrik, që duhet vazhduar me të njëjtën vigjilencë edhe gjatë muajit gusht.

Vengu tha se po vijon puna për forcimin e zinxhirit të reagimit në Emergjencat Civile, ndërsa shtoi se po investohet në ngritjen e katër qendrave rajonale për t’i dhënë mundësi bashkive që të përqendrohen në elementët zjarrfikës urbanë dhe periurbanë.

“Këto qendra rajonale do të marrin përsipër mbulimin në zonat rurale, pyjore dhe malore ku kemi rrezikshmëri më të lartë. Kemi evidentuar dy zona, Bushatin që do mbulojë zonën e nën Shkodrës, Shëngjinin, Velipojën, Lezhën dhe për jugun, zonën e Kranesë në Finiq. Investimi ka filluar dhe do të jetësohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa do të ketë edhe rinovim të flotës së dedikuar në këto qendra rajonale”, tha Vengu.

“Do jenë qendra me kapacitet për të ulur helikopterët, për t’i furnizuar ato, ndërsa po punojmë edhe për të evidentuar dy ish-reparte për ngritjen e dy qendrave të tjera për një mbulim rajonal të lindjes dhe juglindjes së vendit”, pohoi Vengu, ndërsa theksoi se këto investime janë të buxhetuara dhe në proces.

Ministri Vengu u shpreh se do të ketë një rinovim edhe të flotës zjarrfikëse në mbarë vendin.

“Një leksion tjetër i korrikut janë edhe Llogoraja dhe Dukati, ku kishte një monitorim me kamera termike 24 orë, një rrjet kamerash që duhet ta shtrijmë në të gjitha pikat me rrezikshmëri të lartë nga zjarret në vend”, cilësoi Vengu.

Vengu u ndal edhe te rëndësia e kapaciteteve njerëzore, vullnetarët, teksa shtoi se banorët e zonave të prekura janë të parët që kanë elementin e reagimit të shpejtë duke ndihmuar zjarrfikësit vendorë apo qendrore në operacionet e tyre për shuarjen e vatrave të zjarrit.

Ministri Vengu u shpreh se ky rrjet vullnetarësh duhet të sanksionohet dhe strukturohet që të ketë shtrirje në mbarë vendin.

/e.i/r.e/

The post Qeveria, paketë mbështetëse për dëmet e shkaktuara nga zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendrat e Vizitorëve në Vjosë, Rama: Hapësira dedikuar njohjes së vlerave të lumit të fundit të egër në Europë

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Në Tepelenë dhe në Përmet ka nisur zbatimi i projekteve për ndërtimin e Qendrave Multifunksionale që do tu shërbejnë vizitorëve, turistëve të huaj, por edhe studiuesve dhe të pasionuarve pas natyrës.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot, në një postim në rrjetet sociale, se “po marrin jetë Qendrat Multifunksionale në Tepelenë dhe në Përmet, si dy hapësira dedikuar njohjes së vlerave të lumit të fundit të egër në Evropë”.

Kreu i qeverisë nënvizoi se përmes informacioneve shkencore, muzeve, itinerareve dhe hapësirave të edukimit, këto qendra do të kthehen në pole shumëdimensionale që do t’u shërbejnë edhe studiuesve dhe të pasionuarve të natyrës, ndërsa pohoi se “ka nisur punën zyra e dedikuar për administrimin e këtij parku unik në kontinentin tonë që shtrihet në mbi 12 mijë hektarë”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizitoi nga afër kantierin e punimeve për  ndërtimin e Qendrës Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosa” në Tepelenë dhe Përmet. Ky projekt është produkt i një konkursi ndërkombëtar, ndërsa koncepti i tij shfrytëzon përdorimin e materialeve vendase dhe një shkrirje të qendrave të vizitorëve brenda konceptit të peizazhit.

Ndërsa u njoh me punën në terren, ministrja Kumbaro njoftoi se me miratimin e planit kombëtar të menaxhimit të parkut kombëtar, do të bëhen ndërhyrje për rehabilitimin e disa problematikave në zonën e Vjosës.

“Jemi këtu për të ndjekur punimet e një kantieri të madh që do të ketë tre vendndodhje. Qendra më e madhe është gjithashtu edhe muzeu natyror, do të jenë edhe ambientet e edukimit mjedisor, por edhe mjedise shërbimesh për turistët dhe vizitorët, ndërsa do të ketë mjedise në dispozicion edhe për studiuesit, bashkë me laboratorin si dhe mjediset e administratës. Do të ndodhen këtu. Një pjesë e këtij projekti, lidhet edhe me projektin e menaxhimit të integruar të mbetjeve. Pak më tutje ka qenë një vendpozitim aspak i pëlqyeshëm i mbetjeve të bashkisë Tepelenë i cili zhvendoset krejtësisht dhe integrohet në pjesën tjetër të projektit të menaxhimit të mbetjeve për t’i lënë vend këtu një hapësire prej rreth 3.500 metra katrorë në shërbim të vizitorëve, administratës, turistëve e studiuesve, ekspertëve të mjedisit, sidomos atyre të dashuruar me Vjosën që kanë kontribuar në pozicione të ndryshme në 10 vitet e fundit, deri sot që është Park Kombëtar. Me miratimin e planit kombëtar të menaxhimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa, do të kemi edhe ndërhyrje për rehabilitimet e disa pikave të cilat i kemi trashëgimi të një të kaluare ku aktivitete industriale që sot janë në stade pasive, do të kenë një plan rehabilitimi gradual bashkë me qendrën e Vjosës”.

Gjatë fjalës së saj ministrja theksoi se në Vjosë nuk ka aktivitete të reja që impaktojnë parkun, por ka nisur puna për rehabilitimin që mbron lumin e fundit të egër në Evropë nga efektet e aktiviteteve njerëzore të së shkuarës.

“Vjosa këtu ka qenë prej shekujsh dhe ka bashkëjetuar edhe me ndërhyrjet e aktiviteteve njerëzore, qoftë atyre tradicionale si bujqësia, blegtoria dhe peshkimi, por edhe me aktivitete të tjera siç është përdorimi i inerteve, siç mund të jenë vendpozitimet e naftës në zonat e Fierit, apo burimet ujore. Të gjitha këto bëjnë pjesë tek historiku i Vjosës. Dhe arsyeja pse e shpallëm park kombëtar, pas një kohe shumë të gjatë dhe sensibilizimi forcash, ishte për t’i dhënë një të ardhme të re Luginës së Vjosës si lumi i fundit i egër në Evropë. Prandaj gjithë historiku është ndalur, janë bllokuar dhe anuluar kontratat e mëparshme për HEC-e të ndryshme. Kjo është arsyeja pse këtë vit ka nisur paralelisht zbatimi i disa projekteve të mëdha si plani i menaxhimit të integruar të mbetjeve në gjithë qarkun e Gjirokastrës, projekti që kemi me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të ndotura në Vjosë. Po kështu, po punojmë ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit dhe Albpetrol për një tjetër projekt të rehabilitimit të territorit që s’kanë të bëjnë me Vjosën, por prekin edhe Vjosën, siç janë vendpozitimet e vjetra të naftës, sepse nuk ka aktivitete të reja naftënxjerrëse aty, të cilat në një mënyrë ose tjetër impaktojnë edhe parkun tonë. Shpallja Park Kombëtar nuk ka të bëjë vetëm me vullnetin dhe vendimmarrjen, por ka përgjegjësi dhe kosto shumë të mëdha, që kërkon bllokim të disa aktiviteteve ekonomike, por edhe një edukim të madh për banorët”, tha Kumbaro.

Më tej ministrja Kumbaro, vizitoi edhe stacionin e dytë të qendrës së vizitorëve, që po ndërtohet në Përmet, ku një pjesë e projektit parashikon edhe rivitalizimin e vendstrehimit të gurit të qytetit, një monument natyror dhe kulturor duke e bërë një pjesë integrale të projektit që do të shërbejë si muze natyror. Aty, ministrja Kumbaro u takua edhe me stafin e Zyrës së Administrimit të Parkut Kombëtar Lumi Vjosa, ndërsa qendra e tretë e këtij projekti do të ndërtohet në Vlorë.

Parku Kombëtar i Lumit Vjosa, i cili përfshin edhe tre degëzimet: Drino, Bënçë dhe Shushicë, përfshin një sipërfaqe prej 12 727 hektarë, në një vijë lumore prej 480 kilometrash në katër qarqe të vendit. Për këtë arsye, me Vendim të Këshillit të Ministrave është krijuar një Zyrë e dedikuar për Administrimin e Parkut Kombëtar të Vjosës, ndërsa ka hyrë në fuqi edhe plani i menaxhimit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në kantieret e Qendra Multifunksionale në Vjo...
1 nga 4

/e.i//r.e/

The post Qendrat e Vizitorëve në Vjosë, Rama: Hapësira dedikuar njohjes së vlerave të lumit të fundit të egër në Europë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu prezanton katër nënkryetarët e rinj të Bashkisë së Tiranës

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Drejtuesja politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu prezantoi ditën e sotme, katër nënkryetarët e rinj të Bashkisë Tiranë.

Sipas medieve, katër nënkryetarët e rinj të bashkisë janë Ilir Mengra, Blendi Sula, Gentian Keri dhe Vasilika Vjero.

Ata zëvendësojnë katër nënkryetarët e mëparshëm, Frida Pashakon, Andi Seferin, Keti Luarasin dhe Jonida Halilin, të cilët dhanë dorëheqjen pas kërkesës së kreut të ekzekutivit, Edi Rama.

Mësohet se detyrat që ata do të mbajnë në Bashkinë e kryeqytetit janë: Ilir Mengra për punët publike, Vasilika Vjero për financat e zhvillimin ekonomik, Blendi Sula për territorin dhe menaxhimin dhe zhvillimin rural dhe Gentian Keri në administratën e Bashkisë Tiranë.

/e.i/r.e/

The post Manastirliu prezanton katër nënkryetarët e rinj të Bashkisë së Tiranës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë, Manastirliu: Hap dyert në shtator, kushte bashkëkohore

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë është një tjetër institucion arsimor me standarde bashkëkohore për mësuesit dhe nxënësit që i shtohet “zinxhirit” të shkollave të reja që po transformohen në të gjithë vendin, përmes investimeve nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ndau sot foto nga ambientet e reja të kësaj shkolle, e cila do të hapë dyert në shtator me kushte bashkëkohore falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Kuçovës.

Manastirliu nënvizoi faktin se po investohet për transformimin e shkollave nga veriu në jug, me të njëjtin standard, për të garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim për nxënësit dhe stafet mësimore.

Më herët, ministrja Manastirliu është shprehur se sezoni i verës është vënë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës arsimore.

“Kemi të gjithë fokusin te mirëmbajtja e rrjetit të shkollave ekzistuese dhe te investimet e reja që duam t’i finalizojmë. Vetëm për ciklin 2025-2026, janë mbi 4 miliardë lekë të planifikuara në buxhetin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për kantiere të reja të shkollave dhe objekteve sportive. Janë 22 objekte arsimore në të gjithë vendin dhe 18 objekte për sportin, pra 40 objekte në total në të cilat po investohet duke filluar nga ky vit, ndërkohë që përmbyllim edhe 40 të tjera të nisura vitin e shkuar, për të bërë të mundur që të kemi një infrastrukturë dinjitoze për më shumë cilësi në arsim”, u shpreh Manastirliu.

Nëpërmjet një programi të integruar ndërtimi dhe rehabilitimi, Ministria e Arsimit dhe Sportit synon të garantojë kushte bashkëkohore mësimore për nxënësit dhe mësuesit në të gjithë vendin.

Nga viti 2025 e në vijim, fokusi mbetet te cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore.

Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë e rikonstruktuar
1 nga 7

/e.i/r.e/

The post Shkolla 9-vjeçare “Gaqi Karakashi” në Kuçovë, Manastirliu: Hap dyert në shtator, kushte bashkëkohore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmirësimi i kushteve të banesave, Bashkia Tiranë hap aplikimet për qytetarët në vështirësi ekonomike

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Bashkia Tiranë ka hapur aplikimet për qytetarët në vështirësi ekonomike për përmirësimin e kushteve të banesave.

Ky program, i cili është pjesë e iniciativave të Bashkisë për përmirësimin e kushteve të strehimit për ata qytetarë që ndodhen në vështirësi ekonomike, u mundëson qytetarëve të aplikojnë për mbështetje financiare për rregullime dhe riparime në shtëpitë e tyre.

Aplikimi mund të realizohet online, përmes platformës e-Albania, në shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”.

Për të plotësuar kërkesën, aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, dhe për këtë, mund të kërkojnë asistencë nga punonjësit e njësisë administrative të Bashkisë Tiranë.

Programi është një mundësi për ata që duan të përmirësojnë cilësinë e jetesës dhe të sigurojnë kushte më të mira për familjet e tyre.

/e.i/

The post Përmirësimi i kushteve të banesave, Bashkia Tiranë hap aplikimet për qytetarët në vështirësi ekonomike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 30 July 2025Main stream

FSHF: Vijojnë punimet për tribunën e re qendrore në stadiumin e Vorës

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se punimet për ndërtimin e tribunës së re qendrore në stadiumin e qytetit të Vorës po vijojnë me ritme të larta.

Sipas FSHF-së, ndërhyrjet parashikojnë rikonstruksionin e dhomave të zhveshjes për lojtarët, ambientet për stafet teknike, si edhe hapësira të tjera funksionale, të domosdoshme për garantimin e standardeve bashkëkohore të funksionimit të impiantit.

“Aktualisht janë hedhur themelet e strukturës, ndërsa në ditët në vijim pritet të nisë faza e betonimit të plintave”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Ky është një investim i përbashkët mes Federatës së Futbollit dhe Bashkisë Vorë që synon të transformojë plotësisht infrastrukturën e stadiumit dhe t’i japë një pamje të re dhe moderne në prag të edicionit të ri futbollistik.

/e.i/r.e/

The post FSHF: Vijojnë punimet për tribunën e re qendrore në stadiumin e Vorës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike, Ristani: Lulishtja pas Muzeut Historik Kombëtar iu rikthye komunitetit

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Anuela Ristani (@anuela.ristani)

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani njoftoi se lulishtja pranë sheshit “Harry Truman”, pas Muzeut Historik Kombëtar, i është rikthyer komunitetit pas ndërhyrjes së ndërmarrë nga strukturat përgjegjëse.

Pas lirimit të hapësirës janë mbjellë pemë dhe janë vendosur stola për të pushuar.

“Një hapësirë e re për të gjithë! Kjo lulishte e vogël ndodhet tek Rruga “Ded Gjo Luli”, pranë sheshit “Harry Truman”, pas Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Mbushëm me dhe, mbollëm pemë, ullinj dhe shkurre dekorative. Mbollëm bar të ri dhe vendosëm edhe stola për të pushuar”, shkruan Ristani.

Sipas Ristanit, kjo hapësirë publike më parë ishte zaptuar nga lokalet, ndërsa tani është rikthyer për komunitetin si një vend i gjelbër, i qetë dhe i hapur për të gjithë.

/e.i/r.e/

The post Lirimi i hapësirave publike, Ristani: Lulishtja pas Muzeut Historik Kombëtar iu rikthye komunitetit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Nga 1 gushti hyn në fuqi receta e re mjekësore e unifikuar

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Nga 1 gushti, receta mjekësore në formatin e ri unik, hyn në fuqi në të gjithë sistemin shëndetësor, publik dhe privat.

Lajmin e bëri me dije sot, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, e cila tha se ky model i ri i recetës, lehtëson ndjeshëm punën e farmacistëve, ofron më shumë siguri për qytetarët dhe përmirëson ndjekjen e trajtimeve sipas rekomandimeve të mjekut.

Ministrja Koçiu, teksa vizitoi sot dy farmaci në Tiranë, zhvilloi edhe bashkëbisedime me dy farmaciste, të cilat ndanë përvojën e tyre dhe vlerësimin lidhur me modelin e ri të recetës së unifikuar.

“Receta e re mjekësore, krahas standardeve dhe informacioneve bazë, ka të domosdoshme vendosjen e diagnozës. Kjo ju lehtëson juve që të jeni më të qartë lidhur me ato barna të cilat do t’i jepni pacientit që vjen në farmaci, dhe kjo është një garanci më shumë që pacienti po merr medikamentet e duhura nga profesionistë të shëndetësisë”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu theksoi se nga 1 gushti, ky format i recetës mjekësore do të jetë i detyrueshëm për t’u përdorur jo vetëm nga institucionet publike, por edhe ato private shëndetësore.

“Kemi vendosur edhe tipin e recetës, për pacientët që kanë sëmundje akute apo ata që vuajnë nga problematika afatgjata”, pohoi Koçiu.

Ministrja Koçiu e cilësoi recetën e re mjekësore, si një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët.

Gjithashtu, farmacistja Elda Tomçini i shprehu ministres Koçiu vlerësimin lidhur me këtë nismë, duke e cilësuar ideale dhe një zgjedhje shumë të mirë, sidomos për pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike.

“Deri në gjashtë muaj vlefshmëri është një periudhë ideale, sidomos për pacientët kronikë, por edhe për moshat e treta që e kanë shumë të vështirë vizitën te mjeku çdo muaj. Edhe mënyra si është ekzekutuar, që nga data e recetës, emri i farmacistit, vula e farmacisë, të gjitha këto japin një siguri më të madhe për pacientët”, tha Tomçini.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu deklaroi se me formatin e ri, mjekët do të kenë mundësinë të lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet kur pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë, si dhe me përmbajtjen dhe të dhënat e kërkuara për plotësim, rritet me tej siguria e pacientëve në marrjen e barnave.

Formati i ri i recetës mjekësore ka edhe elementë të tjerë teknikë të rëndësishëm, si vendosja e emrit gjenerik të barit, tipi i recetës për pacientët me sëmundje akute apo kronike, si dhe vendosja e emrit dhe vulës së farmacistit.

Receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë takimit me dy farmaciste në ...
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Nga 1 gushti hyn në fuqi receta e re mjekësore e unifikuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: Revista “Escapade” e paraqet Shqipërinë si yllin e ri të turizmit të qëndrueshëm

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Revista prestigjioze franceze e udhëtimeve, “Escapade” i ka kushtuar një artikull të veçantë Shqipërisë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro përcolli sot, artikullin e revistës franceze, që e cilëson Shqipërinë si një destinacion të ri në qendër të hartës së turizmit të qëndrueshëm.

Sipas Kumbaros, revista “Escapade” e paraqet Shqipërinë, si yllin e ri të turizmit të qëndrueshëm, mes natyrës së paprekur, kulturës autentike dhe mikpritjes tradicionale.

“Një tjetër dëshmi se këto vlera po e kthejnë Shqipërinë në destinacionin që po frymëzon udhëtarët, e sidomos ata francezë, të cilët janë ndër grupet me rritjen më të lartë”, tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit theksoi se 107 mijë vizitorë nga Franca janë mirëpritur 6 muajt e parë të vitit 2025, ose rritje me 44% krahasuar me vitin e kaluar.

Gjatë muajit qershor 2025, u shënua një rritje e ndjeshme e lëvizjeve së shtetasve shqiptarë dhe të huaj, duke reflektuar një sezon turistik të gjallëruar dhe një interes të shtuar për vendin.

Sipas të dhënave zyrtare, në territorin shqiptar kanë hyrë gjithsej 2.062.775 shtetas, një rritje prej 7,6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kjo rritje është ndikuar nga një numër i lartë i turistëve të huaj, por edhe nga lëvizjet e shtetasve shqiptarë, të cilët në masë janë rikthyer për pushime apo vizita familjare.

Nga kjo shifër, 733.571 janë shtetas shqiptarë që kanë hyrë në vend, një numër që përfaqëson një rritje prej 8,5% krahasuar me qershorin e vitit 2024. Kjo lëvizje pritet të jetë ndikuar nga sezoni veror dhe kthimi i emigrantëve për të kaluar pushimet pranë familjeve të tyre.

Nga ana tjetër, hyrjet e shtetasve të huaj në Shqipëri kanë arritur në 1.329.204, me një rritje prej 7,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke konfirmuar tendencën e rritjes së Shqipërisë si një destinacion i preferuar turistik në rajon.

Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se 94% e të huajve vijnë nga kontinenti evropian. Brenda këtij kontingjenti, Evropa Jugore zë vendin kryesor me 70% të hyrjeve, duke u ndjekur nga Evropa Perëndimore dhe ajo Qendrore/Lindore, secila me nga 11%.

Revista prestigjioze franceze e udhëtimeve, “Escapade”, artikull të veçantë Shqipërisë.
1 nga 4

/e.i/r.e/

The post Kumbaro: Revista “Escapade” e paraqet Shqipërinë si yllin e ri të turizmit të qëndrueshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, pikë referimi për arsimin e lartë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi sot një diskutim në EduLab, me rektorin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi dhe tri studente të ciklit master.

Ministrja Manastirliu tha se Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit po kthehet në një pikë referimi për arsimin e lartë, duke u fokusuar në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës dhe në ndërtimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit mes studentëve dhe sipërmarrjes”.

Manastirliu u ndal edhe te një prej programeve të hapura në bashkëpunim me Universitetin “La Sapienza” të Romës, ndërsa foli edhe për risitë që sjell ky vit akademik me hapjen e programeve të reja bachelor dhe master në fushat e biznesit, turizmit dhe teknologjisë digjitale, në bashkëpunim me universitete prestigjioze evropiane.

“Universiteti “Aleksandër Moisiu” është një universitet ku studentët kanë ardhur në rritje, ndërsa interesi është shtuar. Edhe ju jeni adaptuar duke riorganizuar me programet e reja falë një bashkëpunimi me Universitetin “La Sapienza” në Romë”, u shpreh Manastirliu.

Gjithashtu, rektori i këtij universiteti, prof. dr. Shkëlqim Fortuzi tha se institucioni arsimor që ai drejton është fokusuar që studentët t’i afrojë sa më shumë me tregun e punës.

“Një mundësi e shkëlqyer për studentët, jo vetëm që një pjesë të studimeve të tyre të ciklit master ta zhvillojnë në “La Sapienza”, por çdo ditë e më shumë ne kemi programe të përbashkëta studimi me universitete evropiane. Po punojmë fort që të nxisim mobilitetet nëpërmjet programeve Erasmus+, për të motivuar stafin akademik, kërkuesit shkencorë, studentët tanë për të qenë pjesë e programeve Horizont Evropa”, vijoi Manastirliu.

Tri studentet e ciklit master pranë këtij universiteti, ndanë gjithashtu vlerësimet e tyre duke e konsideruar një risi qasjen e diplomave të dyfishta në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, ndërsa thanë se një pjesë të studimeve të tyre i kanë zhvilluar në “La Sapienza” në Romë.

/e.i/r.e/

The post Manastirliu: Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, pikë referimi për arsimin e lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AMA zhvillon tryezën e fundit të konsultimit publik, Krasniqi: Të vendosur në luftën kundër piraterisë

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Autoriteti i Mediave Audiovizive zhvilloi në Pogradec, tryezën e fundit të Konsultimit Publik për ndryshimet që ka propozuar në rregulloren: “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së autorizimeve”.

Kryetarja e AMA-s u shpreh se është marrë dakordësia e mbi 70% operatorëve të autorizuar nga AMA, me të cilët janë realizuar konsultime gjatë këtyre javëve, në gjithë Shqipërinë, për këto ndryshime.

Krasniqi tha se janë propozuar ndryshime që kanë të bëjnë me shtimin e masave përforcuese të respektimit të ligjit.

“Të gjithë subjektet audiovizivë që shesin produkt audioviziv duhet t’i përmbahen vetëm produktit për të cilin janë të licencuar; ky licencim nuk ka lidhje me qasjen në kanalet e hapura për qytetarët”, vijoi Krasniqi.

Kryetarja e AMA-s, theksoi se “është e rëndësishme të kuptohet se, aktiviteti që disa subjekte kanë zgjedhur të bëjnë, duke shitur kanalet e lira bashkë me produktin për të cilin janë të autorizuar, është devijim nga ligji dhe shfrytëzim i hapësirave, që deri tani kanë ekzistuar në rregulloren e autorizimeve”.

“Ky abuzim nuk mund të vazhdojë më! Kjo masë përforcuese e ligjshmërisë nuk është frenim i teknologjisë, por frenim i abuzimit të ndodhur deri më sot nga subjekte që, atë çfarë është pa pagesë, e kanë shitur me gjoja arsyen se po i shërbejnë publikut”, pohoi Krasniqi.

“Për këto arsye të gjithë subjektet duhet të përgatiten që të modulojnë dekoderat dhe të zbatojnë ligjin. Nuk ka asnjë arsye që kanalet e lira për publikun të përfshihen brenda paketave të subjekteve ritransmetuese, pa pasur marrëveshje me prodhuesit e produktit”, nënvizoi Krasniqi, duke theksuar se AMA mbetet e palëkundur në luftën e saj dhe se paligjshmëria duhet dhe do të marrë fund.

Autoriteti i Mediave Audiovizive në Pogradec gjatë tryezës së fundit të Konsultimit Publik
1 nga 5

/e.i/r.e/

The post AMA zhvillon tryezën e fundit të konsultimit publik, Krasniqi: Të vendosur në luftën kundër piraterisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan pamje nga bregu i Bunës në Dajç

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Bregu i Bunës në zonën e Dajçit (Shkodër) është një tjetër atraksion turistik që po tërheq pushues të shumtë vendas, por edhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bregu i Bunës në Dajç, aty ku ujërat e pastra të lumit Buna dhe pemët e larta janë bërë njësh me natyrën e bukur të kësaj zone, duke e kthyer në një atraksion gjithnjë e më të kërkuar për vizitorët vendas dhe të huaj.

I rrethuar nga gjelbërimi dhe ujërat e lumit Buna, kjo zonë ofron çlodhje larg zhurmës dhe temperaturave përvëluese të qytetit.

Një gji i qetë dhe i mbrojtur, ku pushuesit gjejnë kombinimin perfekt mes natyrës së virgjër dhe mikpritjes lokale, plazhi i vogël në Dajç po fiton një vend të veçantë në hartën e destinacioneve alternative të turizmit në Shqipëri.

Foto nga bregu i Bunës në zonën e Dajçit të Shkodrës
1 nga 3

/e.i/r.e/

The post Rama ndan pamje nga bregu i Bunës në Dajç appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Turneu i futbollit në Luginën e Preshevës u mbyll mbrëmjen e djeshme, duke finalizuar me sukses një aktivitet të mbështetur plotësisht nga Federata Shqiptare e Futbollit. Takimet finale u ndoqën nga afër edhe nga presidenti i Federatës, Armand Duka, i cili zhvilloi edhe një bisedë shumë miqësore me fëmijët pjesëmarrës në turne.

Pas ceremonisë së ndarjes së medaljeve dhe kupave për fituesit, Duka mbajti një prononcim të shkurtër për mediet e pranishme në këtë turne.

Presidenti i FSHF tregoi se vizita e parë në Luginën e Preshevës ishte mjaft emocionuese dhe se qëllimi i këtij turneu ishte promovimi i futbollit dhe motivimi i fëmijëve që të luajnë futboll.

Ai falënderoi organizatorët për bashkëpunimin si edhe kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës, ndërsa tha se në të ardhmen mund të ketë edhe projekte të reja.

Për mua është kënaqësi dhe emocion që jam sot këtu. Qëllimi i FSHF-së, objektivi i saj është motivimi i fëmijëve kudo që ato jetojnë për të luajtur futboll. Ky turne është jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, ka specifikat e veta, por nuk ka asnjë qëllim politik përveç se të promovojë futbollin”, tha Duka.

Sipas tij, “futbolli ka vetëm një gjuhë, atë sportive, të topit, të golit dhe respektin për shokët, kundërshtarin, për lojën dhe për veten. Nëpërmjet lojës ne duam të  krijojmë ura komunikimi, mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi dhe të edukojmë sa më mirë fëmijët tanë kudo që ata jetojnë”.

“Dua të falënderoj iniciatorët dhe organizatorët, stafin e FSHF që ka bashkëpunuar për ta bërë sa më mirë, kryetarët e komunave të Bujanocit dhe Preshevës për angazhimin dhe mbështetjen. Mund ta konsideroj fillimin e një organizimi të ri.

Në bisedat që kemi bërë me të gjithë aktorët e futbollit në Luginë, do të krijojmë projekte të reja bashkëpunimi për të qenë sa më afër fëmijëve, talenteve dhe për ta bërë sa më të mirë jetën e tyre sportive”, pohoi Duka.

Ai shtoi se pritet të ndërtohen projekte të qëndrueshme për të ardhmen, ndërsa u ndal edhe te kërkesat e fëmijëve.

“Dihen dëshirat, të kenë një infrastrukturë më të mirë. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i mbështetur? Besoj se do të krijojmë një marrëdhënie të qëndrueshme me komunitetin sportiv këtu jo vetëm për infrastrukturë, por edhe për të edukuar trajnerë, për mbështetje me uniforma sportive dhe topa”, tha presidenti i FSHF, Armand Duka.

Presidenti i FSHF-së gjatë turneut të futbollit në Luginën e Preshevës
1 nga 8

/e.i/r.e/

The post Turneu i futbollit në Preshevë, Duka: Qëllimi ynë, të promovojmë futbollin e të motivojmë fëmijët të luajnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro me Komitetet e Mbrojtjes Civile të Përmetit dhe Këlcyrës: Të mos ulim vigjilencën ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Pas Gjirokastrës, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilloi sot një tjetër takim me Komitetet e Mbrojtjes Civile të bashkive Përmet dhe Këlcyrë.

Së bashku me gjithë institucionet që koordinojnë punën në terren për të mbrojtur territorin nga dashakeqësit dhe zjarret, Kumbaro kërkoi që të mos ulet në asnjë moment vigjilenca ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore, teksa shënohet gjysma e sezonit veror.

“Përmeti e Këlcyra janë bashki të cilat kanë nën administrim sipërfaqe të mëdha pyjesh, ku kemi kaluar sfida të vështira, por që vetëm përmes komunikimit dhe koordinimit do të arrijmë të menaxhojmë me sukses edhe këtë periudhë, ndërsa Policinë e Shtetit e kemi në krah për të neutralizuar çdo përpjekje të të paudhëve që luajnë me zjarret”, u shpreh Kumbaro.

Ndërsa u shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve, si edhe banorëve të zonave të prekura që kanë qenë krah në këtë proces, Kumbaro theksoi më herët se do të ketë ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë e përbashkëta natyrore.

Sipas Kumbaros, nisur nga informacionet që jep Policia e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit, në shumicën e rasteve zjarrvëniet kanë qenë nga dora e njeriut. Kumbaro u shpreh se “rreziku që zjarri të marrë vetë është aty ku ka depozitime mbetjesh, ku për shkak të dekompozimit të mbetjeve organike lëshohet gazi metan”.

“Përgjithësisht janë zjarrvënie me keqdashje që është kriminale, ose nga pakujdesia që nuk është më pak kriminale që do ndëshkohet njësoj”, pohoi Kumbaro.

/e.i/r.e/

The post Kumbaro me Komitetet e Mbrojtjes Civile të Përmetit dhe Këlcyrës: Të mos ulim vigjilencën ndaj zjarreve dhe rreziqeve natyrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Laboratorët e teknologjisë në UPT, Manastirliu: Fuqizojmë urat e bashkëpunimit akademi-biznes

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Investimet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në laboratorët e teknologjisë së avancuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, kanë krijuar kushte të reja për kërkimin shkencor për studentët dhe stafet akademike të këtij universiteti.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një nga laboratorët e teknologjisë, e shoqëruar edhe nga rektori i UPT-së, Akli Fundo, stafi akademik si edhe përfaqësues të industrisë së teknologjisë së informacionit, panë nga afër laboratorët e teknologjisë në këtë universitet.

Ministrja Manastirliu tha se ky investim është një tjetër qasje për të “fuqizuar urat e bashkëpunimit akademi-biznes”.

“Ky është një hap drejt zgjerimit të bashkëpunimit, me qëllim krijimin e zgjidhjeve të reja SMART për industrinë, duke krijuar partneritete të qëndrueshme për të rritur kapacitetet në pjesëmarrjen e projekteve për inovacionin të Bashkimit Evropian”, tha Manastirliu.

Më herët, Manastirliu nënvizoi rëndësinë e laboratorëve për zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve.

“Ne duhet të kemi mundësi që të zhvillohemi edhe për sa i përket aspekteve akademike dhe kërkimit shkencor duke krijuar mundësinë e ndërkombëtarizmit. Shqipëria ka mundësi që të zhvillohet në fushën e inovacionit dhe këtu rol të rëndësishëm luajnë universitetet si dhe bashkëpunimi që universitet kanë më institucionet ndërkombëtare partnere”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu gjatë një vizite në një nga laboratorët e t...
1 nga 20

/e.i/r.e/

The post Laboratorët e teknologjisë në UPT, Manastirliu: Fuqizojmë urat e bashkëpunimit akademi-biznes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turneu i futbollit për fëmijë, Duka vizitë zyrtare në Bujanoc e Preshevë

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një vizitë historike në komunën e Bujanocit, në kuadër të turneut të futbollit për fëmijë që po zhvillohet në Luginën e Preshevës me mbështetjen e FSHF-së.

Në këtë vizitë, presidenti Duka u shoqërua nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, dhe ambasadori i Shqipërisë në Serbi, Bardhyl Canaj. Ata u pritën në një takim miqësor nga kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të klubeve shqiptare “Tërnoci” dhe “Besa”, si dhe përfaqësues të medias lokale.

Gjatë takimit, presidenti Duka u njoh nga afër me situatën aktuale të futbollit në këtë zonë, si dhe me nevojat për zhvillimin e mëtejshëm të tij. U kërkua mbështetje nga FSHF për rritjen e kapaciteteve në formimin e trajnerëve dhe furnizimin me bazë materiale për klubet, ndërsa një nga temat kryesore ishte përmirësimi i infrastrukturës sportive në këtë komunitet.

Presidenti Duka konfirmoi angazhimin e FSHF-së për të vijuar me mbështetjen ndaj turneve të ngjashme në të ardhmen, duke theksuar rëndësinë që kanë këto nisma për aktivizimin e fëmijëve dhe zhvillimin e futbollit në nivel komunitar.

Nga ana e tij, kryetari i komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, falënderoi FSHF-në për kontributin konkret në organizimin e këtij aktiviteti, duke e cilësuar si një nismë me vlera të mëdha sportive dhe shoqërore që forcon bashkëpunimin dhe frymën e unitetit përmes sportit.

Në takim u përmend edhe figura e kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, me origjinë nga Tërnoci, i cili është një shembull frymëzimi për fëmijët e Luginës së Preshevës që ëndërrojnë të ndjekin rrugën e sportit.

Gjithashtu, presidenti i FSHF-së zhvilloi edhe një takim zyrtar me kryetaren e komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

Në fokus të takimit ishin projektet për përmirësimin e infrastrukturës sportive, përfshirja e fëmijëve dhe të rinjve, vajza dhe djem në aktivitete të organizuara dhe bashkëpunimi i mëtejshëm institucional në të gjitha nivelet.

Kryetarja Sinani vlerësoi mbështetjen e FSHF-së në organizimin e turneut të futbollit për fëmijë, që për pesë ditë me radhë ka përfshirë mbi 300 fëmijë nga Presheva, Bujanoci dhe diaspora shqiptare në grup-moshat U-7, U-9, U-11 dhe U-13.

Presidenti Duka, nga ana e tij, nënvizoi se ky turne është vetëm fillimi i një angazhimi të qëndrueshëm të FSHF-së në Preshevë, dhe se do të ndiqen hapa konkretë në mbështetje të zhvillimit të futbollit në këtë zonë me potencial të madh sportiv.

Në fund të takimeve zyrtare, Duka tha se “ndjej ngrohtësinë e fëmijëve që luajnë futboll dhe shoh interesimin e madh të medias për Turneun e Luginës së Preshevës, për të cilin Federata e Futbollit nuk u kursye në asnjë aspekt që të bëhej i mundur”.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në vizitat zyrtare në Bujanoc e Preshevë
1 nga 8

/e.i/r.e/

The post Turneu i futbollit për fëmijë, Duka vizitë zyrtare në Bujanoc e Preshevë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile në Gjirokastër, Kumbaro: Ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë natyrore

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Në Gjirokastër u mblodh sot Komiteti i Mbrojtjes Civile, së bashku me stafin e Bashkisë Gjirokastër, Prefekturën, Policinë e Shtetit dhe Forcat Zjarrfikëse, Administratën Rajonale të Zonave të Mbrojtura, Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Shoqërinë e Ujësjellës Kanalizimeve.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri me dije se kjo mbledhje u realizua në vazhdim të një pune të vështirë dhe të përditshme kundër zjarreve.

Kumbaro tha se “Gjirokastra përballet me një terren të vështirë, por asgjë s’ka qenë e pamundur për stafet e përkushtuara që me vetëmohim kanë luftuar kundër zjarreve gjatë këtyre ditëve”.

Ndërsa u shprehu mirënjohjen të gjithë punonjësve të angazhuar në shuarjen e zjarreve, si edhe banorëve të zonave të prekura që kanë qenë krah në këtë proces, Kumbaro theksoi se do të ketë ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë e përbashkëta natyrore.

“Kemi një pjesë të vogël të Forcave të Armatosura dhe të Mbrojtjes Civile këtu, por dua t’i përcillni gjithë mirënjohjen forcave të Policisë dhe banorëve që u gjendën të parët aty. Ne bëjmë detyrën tonë, por ata janë guximtarë, sepse ishin të parët që qëndruan aty deri sa mbërritën edhe forcat”, tha Kumbaro.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit tha se rreziku më i madh ka kaluar, por jemi vetëm në mes të sezonit, ndërsa ende nuk dihet se me çfarë temperaturash do të përballemi.

“Kaluam dy nga ditët me temperaturat më të larta të gjithë vitit, por askush nuk na siguron që do të përsëritet prapë, që do të thotë që na duhet të jemi në alarm maksimal. Të gjithë ne që jemi këtu në momentin që nuk kemi një emergjencë jemi në vendet tona të punës, por ka një detyrë shumë të rëndësishme për administratorët dhe kryepleqtë. Pra, rrjeti që ju keni me kryepleqtë nëpër fshatra, me blegtorët, me fermerët të cilët kullosin bagëtitë në këto kullota duhet të jetë një rrjet që duhet mbajtur në kontakt çdo ditë me telefon”, vijoi Kumbaro.

Sipas Kumbaros, nisur nga informacionet që jep Policia e Shtetit, në të gjithë territorin e vendit, në shumicën e rasteve zjarrvëniet kanë qenë nga dora e njeriut. Kumbaro u shpreh se “rreziku që zjarri të marrë vetë është aty ku ka depozitime mbetjesh, ku për shkak të dekompozimit të mbetjeve organike lëshohet gazi metan.

“Përgjithësisht janë zjarrvënie me keqdashje që është kriminale, ose nga pakujdesia që nuk është më pak kriminale që do ndëshkohet njësoj”, pohoi Kumbaro.

“E theksoj këtë sepse duhet sensibilizuar popullsia. Përveç zjarrit, jemi në kohë temperaturash të larta dhe thatësirash. Ka abuzim edhe me ujin, pasi uji i pijshëm nuk mund të konsumohet pa hesap për vaditje në fshatra. Kemi arritur të shmangim probleme shumë të mëdha. Por, ia kemi dalë vetëm me vëmendje. Përdoreni komunikimin me të gjithë banorët njësoj siç përdorim instrumentet ligjore apo fizike që ne kemi në duar”, përfundoi Kumbaro.

/e.i/r.e/

The post Mblidhet Komiteti i Mbrojtjes Civile në Gjirokastër, Kumbaro: Ndëshkime maksimale për piromanët që shkatërrojnë pasuritë natyrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu: Paketa për trajtimin e stomës falas, 100 milionë lekë rimbursim për 800 qytetarë

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në qershor të këtij viti për shtimin e paketave të trajtimit të stomës, të cilat do të rimbursohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot në rrjetet sociale opinionet e pacientëve që marrin mbështetje për trajtimin e stomës.

Ministrja Koçiu tha se “tashmë, trajtimi i stomës është falas për pacientët që e kanë të nevojshëm. Fondi i rimbursimit ka hyrë në zbatim dhe qytetarët kanë nisur të marrin produktet e stomës pa pagesë në farmaci”.

Sipas Koçiut, “mbështetja buxhetore me 100 milionë lekë për vitin 2025, është një ndihmë konkrete për mbi 800 qytetarë që përballen çdo ditë me këtë sëmundje”.

Një paciente në Qendrën Shëndetësore Nr. 1 në Durrës thotë se prej 14 vitesh vuan nga sëmundja e stomës dhe të gjitha aparatet e nevojshme për trajtimin e diagnozës së saj ka qenë e detyruar t’i blejë vetë.

“Falënderoj MSHMS që erdhi momenti të na rimbursojë këto materiale që i kemi jetike. Unë pa ato nuk kam asnjë ditë jetë”, thotë ajo.

“Kam një vit e gjysmë që i blej me lekët e mia, ndërsa nga sot i marrë falas. Falënderoj MSHMS për këtë ndihmë që po na bën”, shprehet një tjetër pacient.

Gjithashtu, mjekja e Qendrës Shëndetësore Nr. 1 në Durrës, teksa kryen kontrollin rutinë në banesë për pacientin Vasil Petro, thotë se ka ardhur njëherësh për t’i dhënë lajmin pacientit të saj që nga sot e në vazhdim të gjitha aparatet dhe pajiset e stomës do t’i marrë falas.

“I kam pas blerë në farmaci, kishte raste edhe tre mijë lekë copa. Falënderoj MSHMS që arrita ditën që t’i marrë falas”, u shpreh pacienti, që ka nevojë për vendosjen e stomës.

Stoma është një hapje në bark që lidhet me sistemin tretës ose urinar për të lejuar që mbetjet (urina ose feçet) të devijohen nga trupi. Mbi pjesën e sipërme të stomës mund të vendoset një qese, e cila mund të mbyllet ose të ketë një hapje në fund.

Ka shumë arsye pse disa njerëz kanë nevojë për një stoma. Arsyet e zakonshme përfshijnë kancerin e zorrëve, kancerin e fshikëzës, sëmundjen inflamatore të zorrëve, etj.

Stoma mund të jetë e përkohshme ose e përhershme në varësi të shkakut që po përdoret.

Ekzistojnë tre lloje kryesore të stomës dhe ato janë: kolostomia, urostomia dhe ileostomia.

/e.i/r.e/

The post Koçiu: Paketa për trajtimin e stomës falas, 100 milionë lekë rimbursim për 800 qytetarë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dita Botërore e Hepatiteve, Koçiu: Shqipëria, sukses domethënës në luftën kundër hepatitit B

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Në Ditën Botërore të Hepatiteve, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “falë programit të vaksinimit universal, Shqipëria ka arritur suksese domethënëse në luftën kundër hepatitit B”.

Koçiu shprehet se “një studim kombëtar i realizuar në vitin 2025 nga ISHP, me mbështetjen e OBSH/Evropa dhe Institutit Robert Koch, konfirmoi se asnjë nga mbi 2000 fëmijët 6–7 vjeç të përfshirë nuk rezultoi pozitiv për hepatit B”.

Ministrja Koçiu nënvizoi se “vaksinimi në lindje dhe mbulimi me dozën e tretë është shumë i lartë, ndërsa Shqipëria ka arritur objektivat e kontrollit dhe eliminimit të hepatitit B tek fëmijët”.

“Një hap i rëndësishëm drejt eliminimit të hepatitit B deri në vitin 2030 dhe sigurimit të një brezi te ardhshëm pa hepatit B”, tha Koçiu në një postim në rrjetet sociale.

Motoja e fushatës ndërgjegjësuese për këtë vit është: “T’i thyejmë barrierat!”.

Hepatiti prek njerëzit më të rrezikuar. Mbi 90% e rasteve të reja me hepatit B ndodhin nga transmetimi nga nëna tek fëmija, si dhe gjatë fëmijërisë së hershme.

Grupe të tjera janë gjithashtu në rrezik të lartë nga hepatiti B dhe C, përfshirë njerëzit që injektojnë drogë, njerëzit që bëjnë tatuazhe, partnerët e atyre që janë me hepatit B, si dhe stafi shëndetësor.

/e.i/r.e/

The post Dita Botërore e Hepatiteve, Koçiu: Shqipëria, sukses domethënës në luftën kundër hepatitit B appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Situata e zjarreve, Vengu: Vazhdojnë ndërhyrjet në qarqet Vlorë, Dibër e Korçë

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bëri me dije të dhënat e përditësuara lidhur me situatën e zjarreve në të gjitha qarqet e vendit.

Ministri Vengu tha se “në 24 orët e fundit, strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar për përballimin e zjarreve në pyje dhe kullota”.

Ministri Vengu theksoi se “ndërhyrjet janë fokusuar në qarqet Vlorë, Dibër dhe Korçë, ku rreziku mbetet i lartë”, ndërsa bëri thirrje për kujdes maksimal dhe ndalim të zjarrvënieve në natyrë.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Vengu njoftoi se në qarkun Dibër janë angazhuar 64 forca dhe 7 mjete për shuarjen e zjarreve. Në qarkun Korçë janë angazhuar për shuarjen e zjarreve 25 forca dhe 2 mjete, ndërsa në Vlorë janë përfshirë 59 forca, 3 mjete, 6 zjarrfikëse, 2 autoambulanca dhe 1 helikopter i FA.

Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes ndau edhe të dhënat lidhur me zjarret e shuara në disa qarqe si më poshtë: Qarku Pogradec; Qarku Gjirokastër; Fshati Duraj, Njësia Administrative Luftinije, bashkia Memaliaj; Qarku Shkodër, fshati Barbullush, Njësia Administrative Bushat, bashkia Vau i Dejës; Qarku Berat, fshati Zgërbonjë, Njësia Administrative Vërtop, bashkia Poliçan.

/e.i/r.e/

The post Situata e zjarreve, Vengu: Vazhdojnë ndërhyrjet në qarqet Vlorë, Dibër e Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌