Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 August 2025Main stream

NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, 5% për të tjerat. Tatimi 15% nxit informalitetin

20 August 2025 at 20:22

Nga Gazeta ‘SI’- Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë, NAREA i ka kërkuar qeverisë që tatimi për banesat në rivlerësim të vendoset në masën 3% dhe për çdo tipologji tjetër pasurie në masën 5%.

Projektligji i propozuar nga qeveria parashikon nivelin 5% për të gjitha pronat

Në emër të mbi 115 Zyrave të Real Estate, NAREA argumenton se tatimi 15% i ka shkaktuar shtetit shqiptar më shumë humbje se sa fitim, si pasojë e informalitetit.

“Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, në vitet 2020-21-22 kur tatimi ka qenë në nivelet 3%, në buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura në vit nga rishitja pasurive të paluajtshme. Kjo shifër është 60% me tepër në krahasim me vitet kur tatimi ka qenë 15%. Një e barrë fiskale kaq e lartë ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore, me të paktën 40 milionë euro në vit si edhe nxit informalitetin”.

Propozohet që periudha e Rivlerësimit të jetë të paktën 12-mujore dhe jo 9-mujore, siç e ka projektligji. NAREA thotë se nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250 mijë pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën.

“Duke marrë në konsideratë eksperiencën në 3 periudhat e rivlerësimit, kur janë procesuar mesatarisht 30 mijë -33 mijë aplikime në vit, periudha 9 mujore e propozuar në projektligj vlerësohet si shumë e shkurtër dhe që nuk do arrij efektet e synuara”, shprehet shoqata në fjalë.

NAREA propozon gjithashtu “që të përfshihen si objekt i këtij ligji edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces, nëpërmjet kontratave të porosive, të cilat janë depozituar dhe regjistruar në ASHK në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

The post NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, 5% për të tjerat. Tatimi 15% nxit informalitetin appeared first on Gazeta Si.

‘Më kanë arrestuar’, familjarët denoncojnë zhdukjen e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t

20 August 2025 at 19:50

Nga Gazeta ‘SI’ – Zhduket ish-zv/drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare dhe Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Daniel Shima.

Kanë qenë familjarët e tij që kanë denoncuar në polici humbjen e të afërmit që prej mesditës.

Më saktësisht, e ëma ka shkuar në komisariatin numër 1 të kryeqytetit për të kallëzuar zhdukjen e djalit.

“Më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në Komisariatin e Policisë Nr. 1 është paraqitur shtetasja M. Shima, e cila ka kallëzuar se ditën e sotme ka humbur kontaktet me djalin e saj, shtetasin Danie Shima, 34 vjeç”, njoftoi policia.

Përpara se të humbte kontaktet, Shima është shprehur se po e arrestonin në Tiranë. Ka qenë e dashura e tij, ajo që ka dëshmuar një gjë të tillë në polici.

“Më tha se po e shoqëronin në polici”, është shprehur ajo.

Deri më tani nuk dihet asnjë informacion për vendndodhjen e ish-zv/drejtorit të AKSHI-t. Policia ka nisur kërkimet për gjetjen e tij.

The post ‘Më kanë arrestuar’, familjarët denoncojnë zhdukjen e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t appeared first on Gazeta Si.

Punime në rrjet, reduktohet furnizimi me ujë në disa zona në kryeqytet

20 August 2025 at 15:49

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë njoftoi sot abonentët se për shkak të punimeve në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm do të ketë reduktim të përkohshëm të furnizimit në disa zona në kryeqytet.

Konkretisht reduktim të përkohshëm të furnizimit me ujë të pijshëm do të ketë në zonën “Kodra e Diellit” dhe në zonën “Komuna e Parisit”.

UKT siguron qytetarët se ekipet e saj janë në terren për të përfunduar punimet sa më shpejt.

/m.m//a.f/

The post Punime në rrjet, reduktohet furnizimi me ujë në disa zona në kryeqytet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Ecim

20 August 2025 at 14:50


TIRANË, 20 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike, një nismë që i paraprin vizionit të qeverisë për Rilindjen Urbane 2.0, po vijon në të gjitha bashkitë e vendit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në Durrës, ndërhyrje që synojnë të rrisin cilësinë e jetës komunitare dhe përmasën e gjelbër të qyteteve.

” Durrës, ecim”, shkruan Rama krahas pamjeve të çmontimit të strukturave të ndryshme të vendosura në shkelje nga subjektet private.

Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin prej muajit korrik.

Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.

Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.

Ky aksion ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.

/m.m//a.f/

The post Lirimi i hapësirave publike në Durrës, Rama: Ecim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FDA ngre alarmin, karkalecat e paketuar të dyshuar për kontaminim radioaktiv

20 August 2025 at 15:30

Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së (FDA) ka paralajmëruar qytetarët amerikanë të mos konsumojnë disa produkte karkalecash të ngrirë të markës Great Value, të shitur në rrjetin e supermarketeve Walmart, për shkak të dyshimeve për kontaminim me Cesium-137, një izotop radioaktiv.

FDA bëri të ditur se kushdo që ka blerë produktet duhet t’i hedhë menjëherë dhe të mos i konsumojë. Paralajmërimi erdhi pasi Dogana dhe Mbrojtja e Kufijve e SHBA-së (CBP) zbuloi praninë e Cs-137 në disa kontejnerë transporti në katër porte amerikane – Los Angeles, Houston, Savannah dhe Miami. Kontejnerët e prekur janë bllokuar dhe nuk janë lejuar të hyjnë në vend.

Hetimi dhe shqetësimet e FDA-së

Agjencia tha se po “heton në mënyrë aktive” rastin e kontaminimit me Cs-137 në ngarkesat e ardhura nga Indonezia. Deri tani, nuk ka prova që ndonjë produkt i kontaminuar të ketë hyrë në tregun amerikan, por FDA thekson se karkalecat mund të jenë “përgatitur, paketuar ose ruajtur në kushte të pasigurta higjienike” që i ekspozuan ndaj rrezikut.

“Nëse keni blerë karkaleca të papërpunuar të ngrirë në Walmart që përputhen me këtë përshkrim, mos i konsumoni. Hidhini menjëherë,” – theksoi FDA në njoftimin zyrtar.

Agjencia shtoi se edhe ekspozimi i kufizuar ndaj Cs-137 rrit rrezikun për zhvillimin e kancerit, pasi izotopi dëmton ADN-në e qelizave të gjalla. Sasitë e gjetura janë nën nivelin e shqetësimit për ushqimet e importuara, por FDA thekson se kujdesi lidhet me “ekspozimin e përsëritur dhe afatgjatë në doza të vogla.”

Reagimi i Walmart

Walmart ka konfirmuar tërheqjen e produkteve dhe njoftoi se klientët që i kanë blerë mund t’i kthejnë për rimbursim të plotë.
“Shëndeti dhe siguria e klientëve tanë është prioriteti kryesor,” – tha një zëdhënës i kompanisë për TIME. “Ne kemi bllokuar menjëherë shitjen dhe kemi hequr produktin nga dyqanet e prekura, ndërkohë që po bashkëpunojmë me furnitorin për të hetuar rastin.”

Çfarë është Cesium-137?

Sipas Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA), Cs-137 është izotopi radioaktiv më i zakonshëm i Cesium-it. Ai prodhohet përmes fisionit bërthamor dhe përdoret në pajisje mjekësore, instrumente matëse dhe në terapinë me rrezatim për trajtimin e kancerit.

Megjithatë, Cs-137 është edhe një nënprodukt i mbetjeve nga reaktorët bërthamorë dhe shpesh është zbuluar në zonat pranë aksidenteve bërthamore. Në tokë mund të qëndrojë për dekada, duke hyrë në ciklin ushqimor. Ekspozimi i zakonshëm ndodh në nivele shumë të ulëta, të padëmshme për shëndetin, por FDA paralajmëron se edhe këto nivele, nëse grumbullohen me kohën, përbëjnë rrezik.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), sasi më të larta të Cs-137 mund të shkaktojnë djegie, sëmundje nga rrezatimi dhe në raste ekstreme edhe vdekje.

The post FDA ngre alarmin, karkalecat e paketuar të dyshuar për kontaminim radioaktiv appeared first on Revista Monitor.

NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, lehtësi të përhershme tatimore për shtëpinë e parë

20 August 2025 at 15:19

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) ka dalë me disa propozime zyrtare për projektligjin për rivlerësimin e Pasurive të Paluajtshme dhe për trajtimin fiskal të të ardhurave nga shitja e pronave.

NAREA propozon që tatimi për banesat të vendoset në masën 3% dhe për çdo tipologji tjetër pasurie në masën 5%. Projektligji i propozuar nga qeveria parashikon nivelin 5% për të gjitha pronat. Sipas NAREA-s, ky lehtësim për banesat do të ndihmonte në uljen e barrës fiskale për kategorinë e pronave për strehim duke e bërë atë më të përballueshëm. Gjithashtu, një lehtësim i tillë do të inkurajonte shtimin e ofertës në treg dhe lehtësonte transaksionet me synim strehimin.

periudha e Rivlerësimit të jetë të paktën 12-mujore dhe jo 9-mujore, siç propozohet në projektligj. NAREA shprehet se nga 4.5 milionë pasuri të paluajtshme, vlerësohet se vetëm 250 mijë pasuri kanë arritur të rivlerësohen në të shkuarën.

Duke marrë në konsideratë eksperiencën në 3 periudhat e rivlerësimit, kur janë procesuar mesatarisht 30 mijë -33 mijë aplikime në vit, periudha 9 mujore e propozuar në projektligj vlerësohet si shumë e shkurtër dhe që nuk do arrij efektet e synuara.

Mbështetur në të dhënat e INSTAT, CENSI 2023, 2/3 e banesave në përdorim në Shqipëri janë mbi 25 vite të vjetra dhe vetëm 12.3% janë më të reja se 10 vite. NAREA mbi këtë bazë vlerëson se rreth 500 mijë banesa janë potencialisht për t’u rivlerësuar.

NAREA propozon gjithashtu që të përfshihen si objekt i këtij ligji edhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme që janë në proces, nëpërmjet kontratave të porosive, të cilat janë depozituar dhe

regjistruar në ASHK në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu, NAREA propozon edhe ndryshime në legjislacionin tatimor, për të mundësuar lehtësi të përhershme lidhur me të ardhurat nga shitja e shtëpisë së parë.

Në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse pasuria në transaksion ka shërbyer

si vendbanim kryesor për të paktën tre vite nga momenti i marrjes në pronësi, ose nëse

provohet që ka shërbyer si banesë e parë për të paktën 50% të kohës së zotërimit, NAREA propozon që transaksioni me këtë pasuri të përjashtohet nga tatimi mbi fitimin kapital të

realizuar.

Gjithashtu, propozohet që në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse ka fitim kapital të tatueshëm, baza e tatueshme (çmimi i shitjes – çmimi i blerjes/marrjes në pronësi) të korrigjohet me normën e inflacionit vjetor, për çdo vit nga momenti i blerjes deri në atë të shitjes, si dhe

me kostot financiare të gjeneruara në momentin e marrjes në pronësi apo dhe gjatë zotërimit (kostot e financimit të blerjes, interesat e huave bankare hipotekare, ato të restaurimeve etj). Nëse rezulton kapital i realizuar, pasi baza e tatueshme është korrigjuar si me sipër, ky kapitali i realizuar të tatohet me jo më tepër se 3%.

The post NAREA: Rivlerësim me 3% për banesat, lehtësi të përhershme tatimore për shtëpinë e parë appeared first on Revista Monitor.

Depozitat në Bankën Qendrore të Kosovës arrin në 1.58 miliardë euro

20 August 2025 at 15:00

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se depozitat në BQK, deri më 31 korrik 2025 ishin 1.58 miliard euro, duke shënuar rritje prej 64.69 milionë euro nga periudha paraprake.

Prej tyre, 636.33 milionë euro janë nga Buxheti i Republikës së Kosovës, 616.99 milionë euro nga bankat komerciale, 186.95 milionë euro nga AKP dhe 135.64 milionë euro nga burimet tjerat.

“Asetet e BQK-së – në fund të muajit korrik 2025 arritën vlerën prej 1.86 miliard euro, duke shënuar rritje prej 68.71 milionë euro krahasuar me muajin qershor 2025. Kjo rritje ishte kryesisht si rezultat i rritjes së depozitave të Buxhetit të Republikës së Kosovës (Llogaria e Thesarit), Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Fondeve pensionale dhe Fondi për Sigurimin e Depozitave”.

Sipas raportit, nga gjithsej asetet vlera e investimeve në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit më 31 korrik 2025 ishte 1.39 miliard euro.

“Krahasuar me muajin paraprak investimet e BQK-së jashtë vendit në formë të depozitave dhe letrave me vlerë janë rritur për 70.64 milionë euro, prej të cilave investimet në depozita janë rritur 101.39  milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë janë zvogëluar për 30.76 milionë euro”.

BQK njofton se kapitali i BQK-së deri më 31 korrik 2025 ishte 118.77 milionë euro.

“Asetet e Rezervës ndërkombëtarenë fund të muajit korrik shënuan vlerën 1.46 miliard euro, duke shënuar një rritje prej 50.4 milionë euro krahasuar me muajin paraprak. Kjo ka ardhur kryesisht nga rritja e depozitave për 77.4 milionë euro dhe zvogëlimi i investimeve në letra me vlerë për 28.6 milionë euro”.

The post Depozitat në Bankën Qendrore të Kosovës arrin në 1.58 miliardë euro appeared first on Revista Monitor.

Metodologjia e EUROSAT: Çmimet u rriten 2.4% në korrik, ushqimet me ndikimin më të madh

20 August 2025 at 14:34

Rritja mesatare e çmimeve sipas metodologjisë së Eurostat ishte 2.4 % në korrik, një vlerë e ngjashme me inflacionin mesatar të vendeve të BE-së në këtë muaj.

Sipas ndryshimit vjetor të matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin Korrik 2025  Rritja më e madhe e çmimeve prej 12,0 % vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,3 % secili. Grupi  “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” u rrit me 2,7 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8 %, “Shërbimi arsimor” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,6 % secili, “Komunikimi” me 1,4 %, “Shëndeti” me 1,0 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,4 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0,8 %.

Ndërsa ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është -0,2 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3 %, “Veshje dhe këpucë”, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “Shëndeti” me 0,2 % secili, “Transporti” me 0,1 % .

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u rritën me 1,7 %, pasuar nga grupet dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,2 %.

Rumania u përball me rritjen më të madhe te çmimeve me 6.7% në korrik, e ndjekur nga Estonia dhe Slovakia, ndërsa Zvicra dhe Qipro kishin rritjen më të ulët me pak se 0.3%.

Ndryshe nga ICK, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) mat ndryshimin e nivelit të çmimeve me pakicë të mallrave dhe shërbimeve nga pikëpamja e strukturës së shpenzimeve të cilat konsumatori (vendas dhe i huaj) synojnë për konsumin final në territorin e Shqipërisë. IHÇK përdoret për monitorimin e lëvizjes së çmimeve me pakicë në vendet Evropiane, duke krahasuar përqindjen e inflacionit ndërmjet vendeve të Evropës dhe si inflacion zyrtar i Bankës Qendrore Evropiane duke siguruar stabilitetin e çmimeve në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

Burim: INSTAT

 

The post Metodologjia e EUROSAT: Çmimet u rriten 2.4% në korrik, ushqimet me ndikimin më të madh appeared first on Revista Monitor.

Prodhuesi i këpucëve paralajmëron zhvendosje në Kukës pas shtrenjtimit të energjisë në Kosovë

20 August 2025 at 14:00

Gjendja e prodhuesve në Kosovë është bërë tepër e rëndë. Disa kompani tashmë kanë filluar të reduktojnë prodhimin, ndërsa disa të tjera po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes jashtë vendit.

Prodhuesi i njohur i këpucëve “Solid Shoes”, me bazë në Suharekë, po paralajmëron zhvendosjen e një pjese të prodhimit në Kukës, Shqipëri, për shkak të krizës së vazhdueshme me furnizimin me energji elektrike në Kosovë. Ky zhvillim ngre shqetësime për ndikimin e mundshëm në tregun e punës dhe në kapacitetet eksportuese të vendit.

Pronari i kompanisë, Ahmet Kuçi, deklaron se ndërprerjet e shpeshta dhe kostot e papritura e kanë bërë situatën “shumë të vështirë”. Ai kujton se kompania ka paditur operatorin e shpërndarjes së energjisë KEDS, por procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar.

Sipas tij, KEK i ka kërkuar një garanci prej 15 mijë eurosh, pa ndonjë shpjegim të qartë, ndërkohë që fatura e fundit ishte 2,200 euro më e lartë se zakonisht. Kuçi dyshon se këto kërkesa po përdoren si bazë për rritje artificiale të çmimit të energjisë.

“Solid Shoes”, që operon prej dy dekadash dhe eksporton mbi 76% të prodhimit të saj në tregjet evropiane, është nën presion të madh për të përmbushur kontratat afatgjata me partnerë ndërkombëtarë. “Ne nuk mund të ndalemi. Prodhimi ynë është i lidhur ngushtë me partnerë evropianë dhe duhet të vazhdojmë pavarësisht kostove shtesë,” – theksoi ai.

Kompania ka mbi 20 vite përvojë dhe punëson qindra punëtorë në Kosovë, ndërkohë që operon edhe me një degë prodhimi në Serbi, respektivisht në Preshevë, ku siguron vende pune për dhjetëra punëtorë lokalë. Paralajmërimi për zhvendosje në Kukës shihet si një sinjal alarmi për stabilitetin e industrisë prodhuese në Kosovë, ku energjia e pasigurt mbetet ndër pengesat kryesore për investime.

Humbja e një pjese të kapaciteteve prodhuese të “Solid Shoes” në Kosovë do të kishte ndikim jo vetëm në punësim, por edhe në bilancin e eksporteve të vendit, pasi kjo kompani renditet ndër kontribuuesit më të qëndrueshëm të sektorit të këpucarisë në tregjet ndërkombëtare.

Drejtori i Odës së Afarizmit të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, ka ngritur shqetësime lidhur me humbjet që po pësojnë bizneset pas daljes në tregun e lirë të energjisë.
Ai tha se ende nuk ka të dhëna të sakta për shkallën e humbjeve, pasi çdo biznes ka specifikat e veta.
“Ende nuk dihet saktë se sa janë humbjet, sepse secili biznes është ndryshe nga tjetri. Të shtunën iu kanë shkuar me polici, në mënyrë të dhunshme, thuajse po kapnin një hajdut të rrymës e jo një biznes që e ka paguar vazhdimisht,” – u shpreh Ahmeti.

Ai gjithashtu ngriti çështjen e mungesës së përgjegjësisë për dëmet e shkaktuara.
“Për të bërë rikyçjen duhet të paguhet një kosto shtesë dhe bëhet kur të dojë KEDS. Disa biznese janë në pritje të përgjigjes së Gjykatës Komerciale, por kush do t’i mbulojë dëmet që po u shkaktohen?”

Edhe Lidhja e Bizneseve të Kosovës është shprehur e shqetësuar për gjendjen e krijuar.
“Një situatë e tillë, përveçse shkatërron prodhimin vendor, ndikon drejtpërdrejt edhe në mirëqenien e qytetarëve tanë. Mbyllja ose dobësimi i bizneseve prodhuese nuk është vetëm problem i ndërmarrësve, por problem kombëtar që cenon ekonominë e vendit dhe të ardhmen e mijëra familjeve që jetojnë nga puna në sektorin e prodhimit.”

Shoqata e Prodhueseve në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës ka shprehur gjithashtu shqetësim për këtë situatë të rëndë.
“Ne kërkojmë nga institucionet e vendit që të reflektojnë urgjentisht, të ndalojnë presionin e panevojshëm ndaj prodhuesve dhe të ndërmarrin masa konkrete për të mbrojtur dhe përkrahur prodhimin vendor, si shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës.”

Gjatë ditës së djeshme, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se ka dorëzuar padi në Gjykatën Supreme kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për detyrimin e bizneseve që të dalin menjëherë në tregun e lirë të energjisë.

OEK, në një postim në Facebook, ka publikuar dokumentin e padisë. Sipas saj, kjo kërkesëpadi është ushtruar me qëllim mbrojtjen e bizneseve, ekonomisë së Kosovës dhe konsumatorëve, kundër vendimit të padrejtë të ZRrE-së.

Më 31 korrik, të gjitha bizneset në Kosovë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë lidhur kontratë me ndonjë furnizues të licencuar të energjisë, do të mbesin pa rrymë. Kjo do të thotë se ato do të kalojnë në furnizim me çmime që përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

Deri më tani, më shumë se 1,300 kompani me mbi 9,367 njësi matëse elektrike janë përfshirë në tregun e hapur. Një kompani mund të ketë më shumë se një njësi matëse elektrike.

Nuk dihet ende numri i saktë i kompanive që kanë lidhur kontrata me furnizues të licencuar komercialë, por në ZRrE thonë se janë 2,198 njësi matëse të tilla.

Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për Energjinë Elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme. Ndërkohë, në vendet e Bashkimit Evropian, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë ka nisur në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët.

The post Prodhuesi i këpucëve paralajmëron zhvendosje në Kukës pas shtrenjtimit të energjisë në Kosovë appeared first on Revista Monitor.

Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin

20 August 2025 at 14:48


TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë ku marrin shërbim fëmijët pa kujdes prindëror të grupmoshës nga 6-14 vjeç do të transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komuniteti.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Sarandë, Olti Caci dhe drejtuesi i FSHZH-së, Dritan Agolli inspektoi punimet për rikonstruksionin e godinës e cila përfshin rehabilitim dhe zgjerim të ambienteve.

Ministrja theksoi se kjo qendër “nuk do të shërbejë vetëm si një qendër rezidenciale, është një qendër e cila tashmë me vizionin dhe më objektivat që qeveria shqiptare i ka vënë vetes ka marr përsipër ta transformojë jo vetëm në një qendër rezidenciale por dhe në një qendër që ofron shërbime me bazë komunitare”.

Koçiu vuri në dukje se qendra, si pjesë e reformës së deinstitucionalizimit, do të shërbejë si pikë referimi për kujdesin rezidencial e ditor, përgatitjen për jetesë të pavarur dhe zhvillimin e aftësive të fëmijëve në një mjedis më gjithëpërfshirës.

“Objektivi kryesor i qeverisë shqiptare është deinstitucionalizimi i fëmijëve që marrin shërbime në qendra rezidenciale duke i zhvendosur ato nga qëndrimi permanent në të tilla qendra dhe kalimi në familje të cilat ofrojnë kujdes të përhershëm pranë ambientit familjar”, theksoi ajo.

Më tej, ministrja Koçiu nënvizoi se po punohet jo vetëm për të përmirësuar infrastrukturën e kësaj qendre, por edhe për ta kthyer në një model të ri që i shërben jo vetëm fëmijëve rezidentë, por edhe komunitetit përreth.

“E rëndësishme është që kryesisht familjet vulnerabël që kanë nevojë edhe për kualifikime të nevojshme për t’u integruar më pas edhe në jetë, edhe në mjediset sociale, është e nevojshme që të marrin dhe shërbime të tjera si edukative, sociale, shërbime edhe të aftësimit me njohuritë që tregu i punës kërkon me qëllim që të kenë mundësinë edhe të integrohen ashtu siç duhen”, shtoi ministrja.

“Këtu afër kemi edhe një kopësht i cili funksionin për fëmijët e zonës dhe lidhja e këtij kopshti së bashku me këtë qendër që jemi duke rikonstruktuar do të bëjë të mundur që edhe fëmijët të bashkohen me njëri-tjetrin, të socializohen, të jetojnë në komunitet edhe pse jo patjetër, edhe fëmijët e tjerë të vijnë të marrin shërbime sociale, të argëtohen pasi këtu do të ketë edhe ambiente argëtuese dhe edukative”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Investimi në Shtëpinë e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë parashikon rehabilitimin dhe zgjerimin e godinës, ambiente për mësim, art dhe zhvillim aftësish, kopësht edukativ, kënde lojërash dhe terrene sportive si dhe hapësira komunitare për kurse, trajnime dhe shërbime sociale.

1 nga 5

/m.m/

The post Nis rikonstruksioni i Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, Koçiu: Do transformohet në një Qendër të Shërbimeve të Integruara për komunitetin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërthurje e traditave dhe kulturës së Mesdheut, Shqipëria prezantohet në “Festival du Périgord Noir” në Francë

20 August 2025 at 13:46

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shqipëria u prezantua në Festival du Périgord Noir, një nga festivalet muzikore më të njohura në Francë, ku muzika ndërthuri traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut.

Festivali u organizua në datat 3 deri më 17 gusht dhe artistë të shquar shqiptarë përcollën tinguj që bashkuan breza dhe hapësira.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e konsideroi këtë një udhëtim i paharrueshëm përmes muzikës, ku Shqipëria jo vetëm u dëgjua, por edhe u ndje me emocion, nostalgji dhe gëzim

“Flaka Goranci dhe Togha Quartet sollën “Meloditë Shqiptare”, duke rikthyer në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore. Miksi, Yara Kasti dhe Tsanta ndezën atmosferën me një koncert të hapur nën qiellin e Terrasson-Lavilledieu, duke ndërthurur muzikë nga Shqipëria në Siri, Liban, Francë e Iran”, u shpreh Gonxhja.

Po ashtu, artistët e mirënjohur Tedi Papavrami dhe Maki Okada dhuruan një udhëtim virtuoz që kaloi përmes Shqipërisë, Italisë, Spanjës e Polonisë me pasion dhe mjeshtëri të rrallë.

Ndërsa pianistja Marie-Ange Nguci fali një recital plot ndjenja në piano në një nga netët më magjike të festivalit.

/m.m//a.f/

The post Ndërthurje e traditave dhe kulturës së Mesdheut, Shqipëria prezantohet në “Festival du Périgord Noir” në Francë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kukës, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës arsimore

20 August 2025 at 13:24

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Në bashkinë e Kukësit po vijojnë ndërhyrjet për përmirësimin e infrastrukturës arsimore para fillimit të vitit të ri shkollor.

Drejtoria e Shërbimeve Komunitare ka nisur zbatimin e një plani të detajuar pune për mirëmbajtjen e objekteve arsimore dhe institucioneve të edukimit parashkollor me synimin për të garantuar kushte optimale në prag të vitit të ri shkollor.

Në qytetin e Kukësit, ndërhyrjet për riparimin, lyerjen dhe sistemimin e klasave, kopshteve dhe çerdheve tashmë kanë përfunduar.

Aktualisht puna po vijon në shkollat e njësive administrative. Këto ndërhyrje përfshijnë lyerje, sistemim hapësirash të brendshme e të jashtme, si dhe punime mirëmbajtjeje të domosdoshme, në mënyrë që çdo institucion të ofrojë një mjedis të pastër, funksional dhe mikpritës.

“Synimi është që në shtator, çdo shkollë, kopsht dhe çerdhe të jetë gati për të pritur fëmijët, nxënësit dhe stafet pedagogjike në kushte dinjitoze, duke respektuar standardet e higjienës, sigurisë dhe cilësisë”, thuhet në njoftimin e bashkisë Kukës.

/m.m/

The post Kukës, ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit

20 August 2025 at 12:40

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Partia e Lirisë deklaroi sot se duhet mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet duke ulur koston e jetesës dhe duke mbështetur financiarisht dhe me strehim familjet e reja, si masë për ndaljen e shpopullimit.

Zv. Sekretarja e Përgjithshme e Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu në një deklaratë për mediet e cilësoi shpopullimin si sfidën më të madhe që qeveria dhe e gjithë politika do të ketë në vitet e ardhshme.

“Emigrimi masiv, rënia e lindshmërisë, plakja e popullsisë sjellin me vete probleme të mëdha ekonomike dhe sociale. Plakja e vrullshme e popullsisë sjell një raport shumë të ulët të forcës punëtore me pensionistët, duke falimentuar skemën e pensioneve. Nevojitet më shumë shërbim shëndetësor për moshat e treta, ndërkohë që shëndetësia është në ditët e saj më të zeza”, u shpreh Haxhiu.

Ndaj Haxhiu nënvizoi rëndësinë e realizimit të politikave të integrimit në tregun e punës për të rinjtë dhe profesionistët, mbi bazë meritokracie dhe jo lidhjesh nepotike.

Sipas saj, “nevojiten lehtësime fiskale për të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse dhe mbrojtje reale të biznesit të vogël”.

Po ashtu, Haxhiu theksoi se duhen investime reale në arsimin dhe shëndetësinë publike, për të siguruar të ardhmen e fëmijëve dhe familjeve.

“Nevojitet një plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit, duke siguruar mundësi dhe shpresë reale”, shtoi ajo.

/m.m//a.f/

The post PL: Nevojitet plan kombëtar për rikthimin e të rinjve dhe frenimin e shpopullimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Siguria ushqimore/ Qeveria ‘shkrin’ AKU dhe krijon 3 autoritete të reja për kontrollin e kompanive dhe kafshëve

20 August 2025 at 13:14

Nga Gazeta ‘SI’ – Skandalet e vazhdueshme me kontrollin ushqimor në Shqipëri kanë detyruar ministrinë e Bujqësisë të ndryshojë formulën e menaxhimit.

Sipas një drafti në konsultim, parashikohet krijimi i 3 institucioneve të reja që do të kryejnë kontrollet e e produkteve në çdo fazë të procesit.

Autoriteti kompetent për kryerjen e kontrollit zyrtar është institucioni përgjegjës për kryerjen e kontrollit zyrtar, IKPZ, kontrollet në pikat kufitare do t’i kryejë IPKPKK, ndërsa IPAT do të jetë përgjegjës për kryerjen e aktiviteteve të tjera.

Autoritetet do të jenë të fokusuara në identifikimin e rreziqeve që lidhen me kafshët, përdorimin e substancave që ndikojnë në sigurinë ushqimore, OMGJ-të, mbrojtjen e bimëve si dhe do të kontrollojnë operatorët dhe veprimtaritë e tyre.

Kontrollet zyrtare kryhen pa njoftim paraprak, përveç rasteve kur njoftimi paraprak është i nevojshëm dhe i justifikuar. Ato fokusohen në çdo proces të biznesit, si  gjurmueshmëria, etiketimi, prezantimi, reklamimi dhe materialet përkatëse të paketimit, duke përfshirë materialet që janë të destinuara të vijnë në kontakt me ushqimin.

Projektligji i ri parashikon gjoba nga 100-300 mijë lekë për operatorët që nuk kanë kushtet e duhura për prodhim apo transport të produkteve dhe 1-2 mln lekë gjobë, në rastet kur subjekti kryen aktivitetin në njësi të paregjistruar ose të pamiratuar.

The post Siguria ushqimore/ Qeveria ‘shkrin’ AKU dhe krijon 3 autoritete të reja për kontrollin e kompanive dhe kafshëve appeared first on Gazeta Si.

Sistemi i ri i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore, shpallet fituesi i kontratës 9.2 mln euro

20 August 2025 at 13:02

Sistemi i ri i menaxhimit të çështjeve gjyqësore do të ndërtohet për 9.24 milionë euro. Të paktën kjo është oferta e shpallur fituese nga Këshilli i Lartë Gjyqësor për kontratën “Sistemi i Integruar i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ICMIS)”. Sipas shpalljes së bërë këtë të mërkurë në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, kompania fituese është KREATX. Procedura në fjalë u çel në shkurt të këtij viti dhe synon të unifikojë në një të vetëm dy sisteme të ndryshëm.

Në dokumente thuhet se që nga viti 2005, në gjykatat shqiptare funksionojnë dy sisteme të ndryshme elektronike të menaxhimit të çështjeve (ArklT dhe ICMIS). Aktualisht rezulton se nga 38 gjykata në territorin shqiptar, 36 prej tyre përdorin sistemin ICMIS. Ndërsa vetëm dy gjykata, përkatësisht Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përdorin sistemin ArklT.

“Të dy programet kompjuterike nuk bazohen në proceset e biznesit dhe për shumicën e konfigurimeve ose ndryshimeve në ndërfaqe dhe funksionalitet, ato duhet të programohen dhe kodi duhet të shkruhet nga zhvilluesit e softuerit. Arkitektura aktuale nuk është e centralizuar dhe secila prej gjykatave ka një instalim lokal në infrastrukturën e tyre. Të dy programet janë të bazuara në web dhe aksesohen nga brenda rrjetit të secilës gjykatë. Bazat e tyre të të dhënave, që janë lokale për secilën nga gjykatat, replikohen çdo ditë në një server qendror” – thuhet në dokument.

Programet, edhe pse të përmirësuara dhe të mirëmbajtura, sërish kanë kufizimet e tyre, ndërkohë që arkitektura që kanë nuk lejon dixhitalizimin e mëtejshëm të proceseve të punës që zhvillojnë gjykatat në vend. “Vlen të theksohet se programet aktuale në përdorim nuk ofrojnë mundësinë për një sistem, ku të mundësohet ndërveprimi në mënyrë të unifikuar i sistemeve të tjerë, si dhe i gjithë aktorëve të jashtëm të sistemit të drejtësisë, që janë të domosdoshëm në statusin ekzistues të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu, është shumë e kufizuar mundësia për të krijuar dhe gjeneruar raporte statistike të integruara e të unifikuara mbi volumin dhe efikasitetin e funksionimit të gjykatave nga sistemi aktual” – theksohet në dokument.

KLGJ vlerëson se sistemi i ri i menaxhimit të çështjeve gjyqësore ICMIS do të jetë një zgjidhje dhe sistem që do të integrohet me të gjitha institucionet e drejtësisë, jo vetëm për gjykatat, si dhe do të aksesohet direkt ose nëpërmjet ndërveprimit nga palët/individët e autorizuar.

The post Sistemi i ri i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore, shpallet fituesi i kontratës 9.2 mln euro appeared first on Revista Monitor.

FMN: Zbatimi efikas i reformave mund të rrisë me 9% PBB -në e Shqipërisë në periudhën afatmesme

20 August 2025 at 12:00

Efikasiteti i zbatimit të reformave do të rrisë ekonominë e Shqipërisë dhe në përgjithësi atë të Ballkanit Perëndimor me rreth 9 për qind në periudhën afatmesme, sipas vlerësimeve të FMN-së, në një dokument të fundit mbi prioritetet e reformave strukturore në Evropë.

Duke analizuar prioritetet e reformave strukturore për Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, FMN vuri dukje se vendi ynë se po përballet me sfida të thella në tregun e punës, kapitalin njerëzor, rregulloret e biznesit, efikasitetin e qeverisjes dhe sundimin e ligjit.

Fondi vuri në dukje se Shqipëria duhet të rrisë më tej efikasitetin e shpenzimeve publike dhe forcimin e menaxhimit të investimeve. Përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve shtetërore dhe transparenca fiskale janë pjesë e reformave të domosdoshme.

Të dhënat e brendshme tregojnë se, qeveria shqiptare po shfaq dobësi në realizimin e shpenzimeve buxhetore sipas planit. Vendi ynë ka nevoja të mëdha për investime në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, por nga ana tjetër mosrealizimi në kohë i planeve buxhetore për investime në këto fusha i heq vendit shanset për një ritme më të lartë të rritjes ekonomike. Në 2024 rreth 420 mln euro nuk u shpenzuan nga plani buxhetor i vitit. Gjysma e kësaj shumë ishte pjesë e fondit të pagave dhe shpërblimit të pensionistëve, ndërsa pjesa tjetër u kursye për interesat e borxhit dhe investime.

Shqipëria përballet me emigracion të lartë dhe mungesë fuqie punëtore të kualifikuar. FMN sugjeron politika që nxisin pjesëmarrjen në tregun e punës, sidomos për të rinjtë, gratë dhe punëtorët më të moshuar. Njëkohësisht, është e nevojshme rritja e cilësisë së arsimit dhe programeve të trajnimit profesional. Shqipëria ka bërë hapa pas në arritjet mësimore në testin Global PISA ndërmjet 2018-2022 në një kohë që numri i nxënësve në shkolla po bie me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigrimi i moshave të reja. Rritja e cilësisë se arsimit shihet si mjet kryesor për të kaluar në një model ekonomik me produktivitet më të lartë nga ai që  kemi aktualisht që bazohet kryesisht në krahun e lirë të punës.

Sipërmarrësit në Shqipëri përballen ende me pengesa nga burokracitë dhe procedurat komplekse. FMN rekomandon thjeshtimin e rregulloreve, lehtësimin e procedurave të licencimit dhe përmirësimin e kushteve për hyrjen dhe daljen e bizneseve në treg.

Forcimi i institucioneve dhe kontrolli i korrupsionit janë thelbësore për Shqipërinë sipas FMN-së. Në Shqipëri, reforma në drejtësi dhe përmirësimi i klimës së investimeve konsiderohen kusht për të tërhequr kapital të huaj dhe për të rritur besimin e biznesit. Pa këto reforma, efektet e çdo politike tjetër ekonomike mbeten të kufizuara.

FMN vlerëson se për Shqipërinë sfidat mbeten të mëdha, sidomos në fushën e qeverisjes dhe në rritjen e produktivitetit, por potenciali për fitime ekonomike është i konsiderueshëm nëse reformat kryhen./B.Hoxha

 

The post FMN: Zbatimi efikas i reformave mund të rrisë me 9% PBB -në e Shqipërisë në periudhën afatmesme appeared first on Revista Monitor.

Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër

20 August 2025 at 11:21

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë me një projekt modern që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me mësuesit e kësaj shkolle.

“Në prag të çeljes së vitit të ri shkollor, me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër ndamë lajmin e mirë se kjo shkollë shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me një projekt modern, që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore të kësaj shkolle me traditë në kryeqendrën e veriut”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Shkolla “Ismali Qemali” është një nga shkollat 9-vjeçare më të mëdha të bashkisë Shkodër me një numër të lartë nxënësish, rreth 850, ndërsa në ambientet e saj është edhe kopshti me mbi 20 fëmijë.

Ndërtesa aktualisht është e amortizuar dhe jashtë standardeve për efikasitet e siguri, me ndriçim te papërshtatshëm e kushte jo të mira të infrastrukturës në katër katet e saj.

Rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali” synon krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.

Përmes zbatimit të këtij projekti do të ketë ndërhyrje në të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme të shkollës, përmirësim të kushteve infrastrukturore, që do të ndikojnë pozitivisht në procesin mësimor dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë.

Projekti i rikonstruksionit të shkollës ka për qëllim krijimin e një hapësire funksionale dhe tërheqëse që jo vetëm përmirëson mjedisin arsimor, por edhe kontribuon në forcimin e lidhjeve sociale dhe komunitare përmes krijimit të hapësirave të përshtatshme për edukim dhe aktivitete arsimore, krijimin e klasave moderne ku mund të përshtaten për metoda mësimdhënieje të ndryshme, hapësira për takime komunitare dhe integrim social, etj.

Në kuadër të thirrjes së hapur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 bashkia Shkodër ka aplikuar me tetë projekte, prej të cilave është shpallur fituese e katër propozimeve në vlerën rreth 4 milionë euro.

/m.m/

The post Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare

20 August 2025 at 11:04

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot shembujt e suksesit në skenën ndërkombëtare të disa prej tyre.

“Fotografët shqiptarë në skenën ndërkombëtare! Nga Roland Tasho me karrierë të gjatë e çmime prestigjioze, te Ilir Tsouko me tregime vizuale bashkëkohore; nga Burim Myftiu me festivalin ndërkombëtar FOTOIST, te Jetmir Idrizi me vepra të publikuara e vlerësuara në mbarë botën”, tha Gonxhja.

Ndërsa ndau informacion mbi eksperiencën profesionale të këtyre fotografëve, ministri Gonxhja vlerësoi se “artistët shqiptarë na nderojnë ndërkombëtarisht”.

“Ndiqni CulturAlb për të njohur më nga afër fotografët shqiptarë që po lënë gjurmë në galeritë, ekspozitat, shfaqjet dhe festivalet më të rëndësishme”, u shpreh ministri Gonxhja.

“Culturalb” është projekti më i ri për promovimin e kulturës shqiptare në botë. Trashëgimia dhe krijimtaria bashkëkohore shqiptare përmes këtij projekti bëhen pjesë e dialogut kulturor ndërkombëtar.

“Culturalb” është nisma zyrtare e qeverisë shqiptare që synon ta bëjë këtë realitet, përmes një kalendari të pasur me ekspozita, shfaqje, diskutime dhe ngjarje kulturore në qytete të ndryshme të botës. Me Culturalb, kultura shqiptare udhëton, bashkëbisedon dhe ndërvepron pa kufij.

/m.m//a.f/

The post Gonxhja: Fotografët shqiptarë po lënë gjurmë në skenën ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies

20 August 2025 at 10:46

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka hapur procesin e konsultimit publik për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, si pjesë e Reformës në Administratën Publike.

Qëllimi i këtij projektligji është përmirësimi i organizimit, funksionimit dhe llogaridhënies në administratën publike shqiptare.

Në relacionin shoqërues të këtij projektligji bëhet e ditur se objektiv është krijimi i një kuadri efektiv dhe modern të llogaridhënies për institucionet e varësisë.

Po ashtu synohet mirëpërcaktimi i tipologjisë së institucioneve të varësisë bazuar në tipologjinë e funksioneve që ato kryejnë, si dhe kufizimi i shkëputjes së strukturave të brendshme ministrore të vogla (drejtori/drejtori të përgjithshme) dhe organizimit të tyre si institucione varësie me vete.

Kjo nismë ligjore synon lehtësimin e Qendrës së qeverisjes nga institucionet në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit që duhet ose mund të kalojnë në varësi të ministrive përgjegjëse.

Po ashtu synohet transferimi i vendimmarrjes në nivelin menaxherial të mesëm të institucionit, shoqëruar me rritjen e përgjegjësisë menaxherie dhe lehtësimin e barrës së shtuar mbi pozicionet e ministrit apo sekretarit të përgjithshëm.

Sipas projektligjit, numri i tipologjive të institucioneve joministrore do të reduktohet nga 3 në 2, në funksion të qartësimit të rolit dhe përgjegjësive të tyre.

Në këtë drejtim, propozohet bashkimi i Institucioneve të Varësisë dhe Agjencitë Autonome në një kategori të vetme, ndërsa Autoritetet Rregullatore do të rikonceptohen si një lloj i veçantë me autonomi funksionale të garantuar sipas standardeve evropiane.

Legjislacioni në fuqi parashikon tre lloje të trupave joministrore: Institucionet e Varësisë (IV), Agjencitë Autonome (AA), të dyja në varësi të ministrive dhe që kryejnë të njëjtat funksione të zbatimit të politikave, por me regjime të ndryshme juridike të organizimit dhe funksionimit, dhe Autoritetet apo Entet Rregullatore (ARr) që janë krijuar me ligje të veçanta, dhe që i raportojnë Kuvendit dhe kryejnë gjithashtu funksione të zbatimit të politikave, por specifikisht të natyrës rregullatore (tregjeve dhe industrive).

“Dallimi aktual midis institucioneve të varësisë dhe agjencive autonome nuk bazohet në kritere të dallimit funksional. Gjithashtu, mbajtja e autoriteteve rregullatore jashtë mbikëqyrjes së qeverisë, sjell problematika në zbatimin e parimit të ndarjes së pushteteve, fragmentarizmin e aftësisë/përgjegjësisë së qeverisë për hartimin dhe zbatimin e politikave shtetërore dhe vakum në sistemin e përgjegjësisë e llogaridhënies qeveritare”, citohet në relacion.

Projektligji propozon ekzistencën e vetëm dy llojeve të trupave joministrore/ekzekutive, pra mbajtjen e institucioneve klasike të varësisë (IV) ku sipas këtij propozimi do të përfshihen edhe agjencitë aktuale autonome, dhe ri-konceptimi tërësor i Agjencive Autonome për të akomoduar tipologjinë aktuale të Autoriteteve Rregullatore, duke rregulluar regjimin e tyre juridik të organizimit dhe funksionimit të aftë për të garantuar një autonomi funksionale të plotë në kryerjen e funksioneve rregullatore, siç kërkohet nga legjislacioni evropian për secilin nga rregullatorët.

Në projektligj gjithashtu sillet në vëmendje edhe situata problematike me institucionet e vogla në varësi të ministrive, duke nënvizuar nevojën për rregullimin e funksionimit të tyre.

“Nga një analizë e situatës, rezulton se për shkak të mungesave në ligjin 90, ka një tendence të shkëputjes së njësive të brendshme administrative të ministrive (drejtorive/drejtorive të përgjithshme) nga aparati i ministrive duke u krijuar si institucione vartësie më vete. Kjo mungesë ka pas sjellë në disa raste krijimin e trupave/institucioneve të varësisë shumë të vogla, që nuk kanë realisht kapacitete për funksionimin e tyre ndarazi jashtë ministrisë mëmë. Projektligji propozon vendosjen e një pragu minimal të punonjësve që justifikojnë krijimin e një institucioni varësie, dhe njohjen e një lloji të ri drejtorie me status të posaçëm brenda aparatit të ministrisë, pa personalitet juridik por me autonomi të rritur në bazë të delegimit të ministrit”, thuhet në relacion.

Po ashtu edhe sistemi i mbikëqyrjes apo llogaridhënies së institucioneve për trupat jo ministrore rezulton se nuk është i uniformizuar. Projektligji, propozon gjithashtu krijimin e një sistemi të detyrueshëm, të uniformizuar të mbikëqyrjes/llogaridhënies së trupave joministrore bazuar në rezultatet e institucionit.

Ndërsa për institucionet në varësi të Kryeministrit legjislacioni aktual nuk ka dispozita apo kufizime për to, duke i trajtuar ato njësoj si institucionet në varësi të ministrive. Në relacion theksohet se me kalimin e viteve kjo ka krijuar një mbingarkesë në funksionimin normal të qendrës së qeverisjes si pasojë e një numri të konsiderueshëm institucionesh në varësi të kryeministrit.

Projektligji propozon shtimin e disa dispozitave për krijimin e institucioneve në varësi të Kryeministrit. Dispozitat parashikojnë kritere pozitive dhe negative.

Projektligji propozon edhe dy ndërhyrje specifike sipas të cilave: i) “Drejtoria” bëhet niveli thelbësor i vendimmarrjes ekskluzive në një ministri dhe titullari i drejtorisë (drejtori) është ekskluzivisht përgjegjës për të gjithë vendimmarrjen brenda fushës së kompetencave të drejtorisë përkatëse, me përjashtim, sigurisht, të asaj vendimmarrjeje që i ngarkohet në mënyrë eksplicite me legjislacion menaxherëve të tjerë më të lartë (nëpunësve civilë të kategorisë të lartë drejtuese) ose vetë ministrit, dhe ii) përcaktohen një set rregullash të thjeshta që lejojnë delegimin brenda varësisë së një tipologjie vendimmarrjeje apo një vendimmarrjeje konkrete.

Ndër të tjera në draft propozohen rregulla të reja për kontroll më të fortë të ndryshimeve institucionale, duke kërkuar analiza të detajuara nga ministritë para krijimit të institucioneve të reja dhe duke i besuar Departamentit të Administratës Publike rolin kryesor në këtë proces.

/m.m//a.f/

The post Në konsultim publik projektligj i ri për Administratën Publike, synon forcimin e llogaridhënies appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

‘Rrezik për deformim të tregut dhe pastrim parash’/ Profesionistët e lirë kërkojnë rishikim të çmimeve të referencës

20 August 2025 at 11:05

Nga Gazeta ‘SI’ – Profesonistët e lirë i kanë dërguar një letër ministrisë së Financave, duke shprehur shqetësimet për çmimet e reja të referencës, shpallur nga qeveria.

Aleanca e Profesionsitëve, APL, thotë se drafti ka nëj metodologji jo transparente dhe nuk pranon transaksionet poshtë vlerës së caktuar, duke nxitur rritje artificiale të të çmimeve të apartamenteve.

Në letrën drejtuar ministrit të Financave theksohet se projektvendimi nuk garanton filtrimin e transaksioneve të fryra apo të lidhura me veprimtari të dyshimta, si pastrimi i parave, të cilat mund të shtrembërojnë më tej çmimet mesatare të tregut. Sipas APL, përdorimi i projekteve të ardhshme të zhvillimit urban si indikatorë për rritjen e çmimeve referuese, pa u bazuar në të dhëna reale të tregut të sotëm, përbën një tjetër rrezik për deformimin e tregut.

Një tjetër problematikë e ngritur lidhet me përfshirjen e ndërtimeve pa leje ose në proces legalizimi në bazën e vlerësimit fiskal, çka sipas profesionistëve krijon precedent të rrezikshëm dhe cenon përpjekjet për formalizimin e sektorit të ndërtimit.

APL thekson se metodologjia aktuale e propozuar i hap rrugë arbitraritetit administrativ dhe rrezikon të përfundojë si një instrument për rritjen e të ardhurave fiskale, dhe jo si një mekanizëm për pasqyrimin real të ofertës dhe kërkesës në tregun e banesave.

Profesionistët kërkojnë rishikim të këtij drafti për të garantuar siguri juridike, transparencë dhe neutralitet fiskal, për të mos e bërë tregun imobiliar një viktimë të ndërhyrjeve administrative.  

Në reagimin e saj, Aleanca rikujton se i është drejtuar më herët ministrit të Financave me kërkesën që banesa e parë e qytetarëve të përjashtohet nga taksa e ndërtesës, pasi ndryshime të tilla ndikojnë drejtpërdrejt shtresat e mesme dhe familjet që zotërojnë vetëm një pronë për banim.

The post ‘Rrezik për deformim të tregut dhe pastrim parash’/ Profesionistët e lirë kërkojnë rishikim të çmimeve të referencës appeared first on Gazeta Si.

❌
❌