Më 16 qershor, në dhjetë shkolla publike në Tiranë, Kamëz dhe Durrës nisi zbatimin projekti pilot “Shkolla Verore” – një program i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me organizatën World Vision Albania. Projekti do të zgjasë dy javë dhe do të përfshijë 1000 nxënës të arsimit fillor, por dhjetra mijëra nxënës të tjerë […]
“Kur kisha nënën tek Trauma, veç lekë kërkonin dhe të drejtonin: shko merr këtë aty. I linin njerëzit derisa na drejtonin për të blerë protezë dhe të gjitha gjërat e nevojshme për ndërhyrjen. Nuk ia mban kujt të ankohet, sepse nuk të kapin me dorë”. Kjo është vetëm një nga dëshmitë e familjarëve për përvojën […]
Në gusht të vitit 2024, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi një plan të ri për ndryshimin e kurrikulave arsimore në Shqipëri. Mësues dhe prindër kanë ngritur shqetësimin lidhur me cilësinë e teksteve shkollore ekzistuese. Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se alterteksti nuk ishte gjë tjetër veçse një biznes që dëmtoi cilësinë e kurrikulës.
Në gusht të vitit 2024, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu njoftoi se do të ketë ndryshime në kurrikulën arsimore.
“Jemi duke punuar dhe duke analizuar të gjithë tekstet aktuale. Do punojmë deri në muajin dhjetor për programet e reja mësimore në kurrikulat e ndryshme. Jemi duke analizuar përmirësimin në masën 20% të kurrikulave që lidhen kryesisht me shkencat e degët shoqërore. Jemi duke vlerësuar edhe një modernizim të gjuhës shqipe dhe matematikës”, deklaroi Manastirliu.
Zyrtarisht MAS bën të ditur se ka parashikuar një përditësim dhe rishikim të teksteve shkollore. Institucioni thekson se tekstet e përditësuara do të shpërndahen nga shtatori i 2026 dhe do të përfshijnë fillimisht vetëm 3 klasa. Mirëpo, institucioni nuk jep të dhëna sa do të kushtojë përditësimi dhe rishikimi i teksteve shkollore
“Tekstet e përditësuara do të hyjnë në përdorim duke filluar nga shtatori i vitit 2026, me një zbatim gradual që do të shtrihet deri në vitin 2029. Fillimisht, do të përfshihen klasat 1, 6 dhe 10, ndërsa vitet pasardhëse do të vijojnë me klasat e tjera sipas një plani të paracaktuar.
Ky përditësim synon të pasqyrojë nevojat e reja arsimore, duke u fokusuar në zhvillimin e kompetencave kyçe të nxënësve, veçanërisht në gjuhë, matematikë dhe aspekte digjitale. Përveç kësaj, do të sigurohen kushte më të mira për të nxitur të menduarit kritik, krijues dhe zgjidhjen e problemeve, si dhe të rritet mundësia për zgjedhjen e programeve të thelluara STEM në arsimin e mesëm të lartë”, argumenton MAS në përgjigjen zyrtare.
MAS thekson se për të siguruar një zbatim sa më efikas të ndryshimeve, kanë hartuar një plan veprimi që përfshin zhvillimin profesional për mësuesit me trajnime, seminare, workshop.
“Ky plan trajnimi do të jetë i vazhdueshëm dhe i shtrirë në disa vite, duke u siguruar që mësuesit të jenë të përgatitur për të zbatuar programet e reja kurrikulare në mënyrë efektive”, nënvizon Ministria e Arsimit.
Nevoja për ndryshimin e teksteve shkollore
Në një pyetësor të zhvilluar më herët nga Faktoje.al, rezultoi se 63% e prindërve që kanë plotësuar pyetësorin dhe 61% e mësuesve janë të pakënaqur me cilësinë e teksteve shkollore në Shqipëri.
“Shumica e teksteve janë përkthime”, u shpreh Suela, prind i një fëmije në klasën e 3-të. “Kanë probleme pafund, duke filluar që nga gabimet drejtshkrimore, e gabime në përmbajtje,” shtoi ajo, ndërsa bëri thirrje për rishikimin e tyre.
Ekspertja e Arsimit, Majlinda Keta, tha për Faktoje.al se është i domosdoshëm rishikimi i kurrikulave arsimore në vendin tonë, por thekson se duhet të jetë një lëvizje e mirëmenduar.
“Shqipëria është në momentin e duhur për të bërë një ndërhyrje, e cila duhet të jetë shumë cilësore, e mirëmenduar për cilësinë e kurrikulës kombëtare. Kur pranoj që Shqipëria e ka një emergjencë rishikimin, rinovimin e kurrikulës, kam parasysh që në sistem ne duhet të luajmë rrënjësisht konceptin tonë mbi kurrikulën e planifikuar, praktikat tona në kurrikulën e zbatuar, por nga ana tjetër, duhet të vlerësojmë, konsiderojmë dhe atë që quhet kurrikulimi i përjetuar”, argumenton Keta.
Mirëpo, ajo theksoi se Shqipëria nuk ka nevojë që të ketë shumë alternativa të teksteve, por duhet të ketë cilësinë më të mirë të mundshme.
“Me të drejtë shqetësimet tuaja, sikurse edhe studimet tuaja, kanë nxjerrë me të drejtë, problematikat e teksteve. Në këtë politikë të kurrikulës dhe të politikës së teksteve, mbase ka ardhur koha e rishikimit të atij që u quajt si reforma më e madhe e altertekstit. Për mua nuk ka qenë gjë tjetër veçse alter-biznesi i politikës së radhës, e cila degjeneroi cilësinë e asaj që quhet kurrikul e zbatuar, sepse në fund të fundit, mësuesit ndjekin dhe vijojnë të ndjekin librin si materialin e vet kryesor”, theksoi ekspertja e arsimit, Majlinda Keta.
Pretendimi: Ish-sekretari amerikan Blinken po hetohet për anulimin e zgjedhjeve në Rumani
Verdikti: E paprovuar
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se ish-sekretari amerikan, Antony Blinken po hetohet nga ShBA për ndërhyrje në anulimin e zgjedhjeve në Rumani.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Për këtë informacion, përdoruesit e rrjeteve sociale i referohen një publikimi nga një faqe e quajtur “Daily Romania”. Në lidhje me këtë informacion të shpërndarë, ne fillmisht bëmë një kërkim në mediat ndërkombëtare, por nuk gjetëm asnjë të dhënë mbi pretendimet se kishte nisur një hetim ndaj Blinken.
Faqja që e ka shpërndarë këtë informacion në rrjetin X nuk është gjë tjetër veçse një profil nacionalist rumun. Në profilin e saj në X, shihet se “Daily Romania” ka më shumë se 111 mijë ndjekës.
Në të njëjtën linjë fajësimi të ndërhyrjes së huaj, janë ndarë ditët e fundit postime se garimi i kandidatit të ekstremit të djathtë Calin Georgescu u ndalua nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, ishte autoriteti qendror zgjedhor i Rumanisë që, më 9 mars 2025, mori vendimin për të ndaluar rikandidimin e Georgescu në zgjedhjet e majit. Autoriteti, i cili përfshin, pesë gjyqtarë dhe përfaqësues të grupeve politike në parlamentin e Rumanisë, votoi 10-4 në favor të ndalimit.
Dokumentet e deklasifikuara nga Këshilli i Sigurisë i Romanisë më 4 dhjetor tregojnë se vendi ishte objekt i një “veprimi agresiv hibrid rus” gjatë fushatave të fundit zgjedhore, përfshirë fitoren befasuese të një kandidati të ekstremit të djathtë pro-rus.
Këshilli Suprem i Mbrojtjes Kombëtare deklasifikoi dokumentet, duke thënë se ato tregonin se Rumania ishte objekt i veprimeve të ndryshme të koordinuara në periudhën para raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 24 nëntor, të fituara nga Calin Georgescu.
Ishte raportuar më parë se TikTok-u u përdor për të gjeneruar mbështetje për Georgescun dhe për ta lidhur atë me një audiencë rumune prej miliona njerëzish. Por dokumentet e deklasifikuara tregojnë se shërbimi i inteligjencës së Romanisë beson se Georgescu u promovua masivisht në TikTok me mbështetje nga Rusia përmes disa metodash, duke përfshirë llogari të koordinuara, algoritme për të rritur praninë e tij në platformë dhe promovim të paguar.
Pretendimi: Studimi i Universitetit të Yale konfirmon se vaksinat anti-Covid shkaktuan probleme biologjike
Verdikti: Mungon konteksti
Publikimi nga një grup studiuesish javën e kaluar të një dokumenti paraprak që teorizon se vaksinat Covid-19 mund të lidhen në raste të rralla me një grup simptomash të vazhdueshme jo të ndryshme nga ato që lidhen me Covid-in e gjatë, ka ushqyer rrjetin me akuza të reja ndaj vaksinave. Një pjesë e mirë e artikujve të përkthyer edhe në shqip, kanë interpretuar këtë hipotezë shkencore si një studim të publikuar nga Universiteti i Yale në ShBA, duke krijuar më shumë konfuzion tek publiku.
Artikujt e shpërndarë në portale
Paper-i (dokumenti paraprak) u publikua në 18 shkurt në medRxiv, një i ashtuquajtur server paraprint ku studimet e pabotuara mund të ndahen përpara se të kalojnë në rishikimin e kolegëve, proces me të cilin shkencëtarë të tjerë analizojnë në mënyrë efektive, për të ndihmuar revistat të vendosin nëse kërkimi i paraqitur meriton apo jo të botohet.
Autorët e punimit, imunologia Akiko Iwasaki dhe kardiologu Harlan Krumholz, të dy shkencëtarë seriozë, ishin të qartë në deklaratën për shtyp që ata lëshuan se këto janë gjetje paraprake që kërkojnë shumë më tepër studim.
Për të përforcuar më tej këtë dyshim të autorëve mjafton fakti se kampionimi i mostrave të gjakut përbëhej nga të paktën 42 individë me sindromën pas vaksinimit (PVS) dhe 22 individë pa të, një kampion tepër i ulët në një studim të mirëfilltë.
Megjithëse nuk dihet ende nëse të gjithë njerëzit e studiuar vuajnë nga e njëjta gjendje, dukej se kishte të paktën një lidhje të përkohshme midis vaksinimit dhe shfaqjes së simptomave si intoleranca ndaj ushtrimeve, lodhja e tepërt, tringëllimë në veshë (tinnitus) dhe mjegullimi i trurit, ndër të tjera.
Shumica e njerëzve që ankoheshin për simptomat i zhvilluan ato pas vaksinës së parë ose të dytë të Covid-it, megjithëse disa e përjetuan fillimin pas një doze të tretë, dhe në disa raste, një doze të katërt të vaksinës. Ka pasur raste mes njerëzve që kanë marrë shumicën e vaksinave të përdorura në SHBA – Pfizer’s, Moderna’s dhe një vaksinë Johnson & Johnson, e cila ishte e disponueshme për pak kohë, por u tërhoq nga kompania në 2023.
E gjendur përpara këtij diskutimi publik anti-vaksinë, imunologia Iwasaki është kujdesur të nënvizoje se ky është një studim i vogël dhe se gjetjet fillestare kërkojnë konfirmim të mëtejshëm.
“Kjo punë është ende në fazat e saj të hershme, dhe ne duhet t’i verifikojmë këto gjetje”, argumentoi bashkautorja kryesore e studimit të publikuar.
Më tej ajo shtoi: “Por kjo na jep disa shpresa se mund të ketë diçka që mund ta përdorim për diagnostikimin dhe trajtimin e PVS në të ardhmen”.
Studiuesit bënë të ditur se në të ardhmen duan t’i verifikojnë më tej këto gjetje në një grup më të madh njerëzish. “Megjithatë, disa individë kanë raportuar simptoma kronike që janë shfaqur shpejt pas marrjes së vaksinës së COVID-19, kjo gjendje e pakuptuar mirë, e qëndrueshme, e quajtur sindromi pas-vaksinimit (PVS), ende nuk është njohur nga autoritetet mjekësore dhe dihet pak për bazat e saj biologjike”- thuhet ndër të tjera në studim.
Pretendimi: Nënshkrimet automatike të ish-presidenti Biden provojnë se ai ishte zëvendësuar nga aktorë
Verdikti: E paprovuar
Zbulimi se ish-presidenti Joe Biden përdori një autopen – një pajisje mekanike që përsërit nënshkrimet – për të nënshkruar disa dokumente zyrtare të Shtëpisë së Bardhë është pritur me zemërim nga mbështetësit e Trump në të gjithë botën.
Në postime të ndryshme në rrjet pretendohet se ky zbulim do të bëjë të pavlefshme vendimet e marra para largimit nga Biden, por edhe që kjo është një provë se presidenti ishte zëvendësuar nga një aktor apo sozi. Një teori kjo e hasur prej vitesh pas kritikave për moshën e madhe të Biden dhe pamundësinë e tij për një vijim në detyrë.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Por, çfarë është ‘autopen’?
‘Autopen’ është një pajisje mekanike që përdoret për të riprodhuar nënshkrimin autentik të një personi. Një stilolaps ose mjet tjetër shkrimi mbahet nga një krah i makinerisë, i cili riprodhon një nënshkrim pasi i është dhënë një model shkrimi. ‘Autopen’ nuk janë të njëjta me një vulë të vjetër me bojë ose nënshkrimet elektronike të përdorura në dokumentet PDF.
Monitorimi që ka shkaktuar kaq shumë zemërim është pjesë e Projektit të Mbikëqyrjes, një programi të institutit konservator “Heritage Foundation”. Autorët e studimit deklaruan se analizuan mijëra dokumente që mbanin nënshkrimin e Biden dhe shumica e tyre ishin me autopen, përfshirë faljet presidenciale të nënshkruara me nxitim ditën e fundit në detyrë.
Mirëpo, ekspertët ligjorë thonë se Kushtetuta nuk kërkon që faljet të nënshkruhen me dorë nga presidenti dhe se përdorimi i një nënshkrimi mekanik nuk është i ndaluar. Presidentët, përfshirë Trump i kanë përdorur ato për dekada. Ky argumentim rrëzon pretendimin se vendimet e Biden nuk kanë më vlerë juridike.
Gjithashtu, nënshkrimi i dokumenteve me autopen nuk është një tregues që Biden është zëvendësuar me aktorë, siç pretendohet online. Edhe në artikujt të mëparshëm, Faktoje.al ka verifikuar se aludimet se ish-presidenti është zëvendësuar janë të pabaza dhe thjesht teori konspirative.
Pretendimi: Ushtria serbe përdori armë zanore kundër protestuesve të mbledhur në Beograd
Verdikti: E paprovuar
Në artikuj të shpërndarë në mediat online në vendin tonë thuhet se forcat e sigurisë serbe përdorën një armë zanore të nivelit ushtarak për të shpërndarë dhe trembur protestuesit në një tubim të madh antiqeveritar që u mbajt më 15 mars në Beograd.
“Ja momenti kur shpërthen ‘topi zanor’ në Beograd”- shkruajnë mediat online.
Postimet e shpërndara online
Pamjet e publikuara tregojnë një grup protestuesish që po kishin bllokuar një nga rrugët kryesore në Beograd. Në momentin që po mbahej një minutë heshtje për viktimat e stacionit të treni në Novi Sad, që është edhe arsyeja e këtyre protestave, turmën e kapi paniku dhe të gjithë largohen nga rruga duke parë nga pas me frikë. Audio e videos nuk zbulon një zhurmë të fortë pavarësisht se në ato momente po mbahej heshtje. Ndërkohë, largimi i turmës duket si një proçes zinxhir i nxitur nga ikja e pjesës së fundit të turmës dhe të tjerët që e ndoqën në panik.
Gjatë protestave të javëve të fundit janë regjistruar të paktën dy raste të mjeteve civile që kanë sfiduar bllokimet e rrugëve dhe kanë përplasur protestuesit duke krijuar pasiguri ndaj studentëve dhe protestuesve të tjerë për sulme të ngjashme.
Mirëpo, deri më tani nuk ka asnjë informacion nëse kemi të bëjmë me një “top zanor”, siç pretendohet në artikujt e shpërndarë online.
Zyrtarët serbë mohuan të dielën se forcat e sigurisë përdorën një armë akustike të gradës ushtarake për të shpërndarë dhe frikësuar protestuesit në protestën kundër qeverisë në Beograd.
Kjo është mohuar në një deklaratë edhe nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç. “Është një gënjeshtër e shëmtuar”- tha ai në një fjalim drejtuar kombit.
Më tej, lideri serb shtoi: “Kam pasur mundësinë të shoh këtë armë jashtë shtetit dhe ajo lëshon një tingull të fortë dhe shqetësues. Ky tingull nuk u dëgjua në rrugët e Beogradit të shtunën në mbrëmje. Duhet gjithashtu të ndiqen penalisht ata që e publikuan një gënjeshtër kaq të turpshme”.
Zyrtarët e opozitës dhe grupet e të drejtave të njeriut në Serbi denoncuan përdorimin e kësaj arme akustike bazuar mbi zhurmën e dëgjuar nga turma e protestuesve. Ata thanë se do të paraqesin akuza në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe në gjykatat vendase kundër atyre që urdhëruan sulmin.
Sipas ekspertëve, përdorimi i një arme të tillë është i paligjshëm, referuar ligjit të policisë serbe.
Më shumë se 100,000 njerëz u mblodhën në Beograd të shtunën në një protestë masive, e cila u pa si kulmi i protestave disa mujore kundër presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij. Protesta ishte pjesë e një lëvizjeje kombëtare kundër korrupsionit, që shpërtheu pas shembjes së një strukture betoni në një stacion treni në Novi Sad në nëntor, ku humbën jetën 15 persona.
Pretendimi: Dibranët e pritën Ramën duke gatuar fli në brendësi të tunelit të Murrizit
Verdikti: E pavërtetë
Përurimi i tunelit të Murrizit në rrugën e Arbërit ishte një ngjarje e shumëpritur, e cila u transmetua në 14 mars në disa prej televizioneve kryesore. Megjithatë një prej momenteve që u kthye viral në rrjetet sociale ishte pritja e kryeministrit Rama nga një grup grash të veshura me kostume popullore të Dibrës në brendësi të tunelit. Sipas disa prej portaleve (link, link, link, link) një prej prej zonjave dibrane po gatuante fli, një gatim tradicional i veriut, në brendësi të tunelit. Nuk mungojnë edhe komentet në video që evokojnë traditën e Dibrës dhe Veriut të vendit.
Postimet e shpërndara në mediat online
Në videon e publikuar në rrjetet sociale shihet teksa kryeministri Edi Rama ecën brenda tunelit të Murrizit shoqëruar nga zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe një sërë zyrtarësh të tjerë publikë. Gjithashtu, pjesë e ceremonisë inauguruese ishin edhe qytetarë të shumtë, të cilët shoqëronin kryeministrin Rama gjatë inaugurimit të tunelit.
Gjithashtu, në videon e shpërndarë shihen edhe një grup valltaresh, duke i rënë dajreve. Në disa momente, një prej valltareve shihet teksa ngroh dajren dhe më pas nis t’i bjerë sërish. Dajrja është një vegël muzikore e lëkurë të regjur kafshësh, e cila duhet të ngrohet, për të kumbuar më mirë.
Ky mesa duket është edhe momenti që keqintepretohet online si një gatim I flisë në brendësi të tunelit. Flia është një ushqim tradicional shqiptar. Flija gatuhet më shumë në zonat e veriut të Shqipërisë dhe piqet në saç.
Pas 6 vitesh punime, më 14 mars u hap Tuneli i Murrizit. Me dhjetëra qytetarë u mblodhën për të festuar hapjen e Tunelit të Murrizit, duke e cilësuar atë si ditë historike për dibranët.
Problemi i menaxhimit të mbetjeve është një nga shqetësimet e banorëve të Durrësit, sidomos në zonat rurale. Një pyetësor i kryer nga Faktoje.al tregon se banorë të qytetit bregdetar janë të shqetësuar për mungesën e infrastrukturës dhe djegien e mbetjeve. Bashkia e Durrësit e mohon këtë fenomen. Ekspertët e mjedisit thonë se fondet e destinuara për pastrimin e qyteteve nuk përdoren siç duhet.
Çështja e menaxhimit të mbetjeve është një nga problemet kryesore për banorët e Durrësit. Përmes një pyetësori të publikuar përmes platformës ECR, Faktoje.al komunikoi me dhjetëra qytetarë, ku 31% e tyre që shfaqnin shqetësime në lidhje me mbetjet jetonin në Durrës.
Banorët e Durrësit, kryesisht zonës së Sukthit theksojnë se situata është shqetësuese në disa aspekte, që nga djegia e mbetjeve, mungesa e koshave e deri te mbeturinat përreth koshave.
“Mbeturinat nuk hiqen rregullisht, nuk ka kosha mjaftueshëm, vijnë erë të keqe, ndotin ambientin, ka kafshë përreth tyre”, tregon Moza.
Sipas qytetarëve mbetjet digjen kryesisht gjatë pasdites ose në darkë vonë.
“Këtu në Sukth digjen pas orës 7 pasdite”, shton ajo.
Drita, një tjetër banore e Sukthit shkruan në pyetësorin e Faktoje.al se rrugët në fshatin e saj janë të mbuluara nga mbetjet. Më tej, ajo thotë se në zonën ku jeton digjen mbetjet dhe kjo ndodh rreth mesnatës.
“Nëpër rrugët e lagjeve dhe pranë koshave të mbeturinave gjenden mbeturina në të dy anët e rrugëve. Nuk e kuptoj pse kjo ndodh në fshatin tonë e më tej? Ka patur raste që i ndiznin pas darke, nga ora 11 e natës”, tregon Drita.
E njëjta situatë edhe në Hamallaj ku banorët thonë se plehrat digjen pasi errësohet rreth orës 18.30.
Mirëpo, ndryshe nga çfarë deklarojnë banorët, Bashkia e Durrësit e mohon që mbetjet digjen në territorin e kësaj Bashkie.
“Nuk ekziston djegie e mbetjeve urbane në territorin që mbulon Bashkia e Durrësit”, thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni.
I pyetur nga Faktoje.al, eksperti i mjedisit, Rodion Gjoka thotë se problemet më të theksuara me mbetjet shfaqen në qytete si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Fieri dhe Elbasani.
“Mirëpo, të mos harrojmë se abuzimet më të mëdha në këtë sektor kryhen nga bashki të vogla si Koplik, Laç, Pukë, Dimal etj”, thekson Gjoka.
Ai shton se situata e mbetjeve në Shqipëri është tepër problematike, pavarësisht reformave të shpallura dhe strategjive të prezantuara në 3 dekadat e fundit nga institucionet shtetërore apo ato lokale.
“Në shumë raste, mbetjet hidhen në mënyrë të pakontrolluar në lumenj, natyrë apo zona të hapura, duke krijuar jo vetëm ndotje të mjedisit, por edhe rreziqe serioze për shëndetin publik”, nënvizon Gjoka.
Eksperti rendit edhe shkaqet kryesore që ndikojnë në një situatë të dobët me menaxhimin e mbetjeve.
“Mungesa e investimeve dhe infrastrukturës, shumë bashki nuk kanë impiante të duhura për trajtimin dhe përpunimin e mbetjeve; Keqmenaxhimi dhe korrupsioni; Mungesa e një sistemi të riciklimit; Turizmi masiv: Në qytetet bregdetare, sidomos gjatë sezonit veror, fluksi i lartë i vizitorëve rrit ndjeshëm sasinë e mbetjeve; Mungesa e kontrollit; Mungesa e pastrimit të rregullt; Vend-depozitimet e paligjshme dhe ndotja; Infrastruktura e dobët për grumbullimin e mbetjeve; Korrupsioni dhe keqmenaxhimi – Fondet e destinuara për pastrimin e qyteteve nuk përdoren siç duhet, dhe mungesa e transparencës bën që problematika të mos adresohet seriozisht”, argumenton eksperti i mjedisit.
Bashkia e Durrësit bën të ditur zyrtarisht për Faktoje.al se mbetjet e qytetit bregdetar depozitohen në Landfillin e Sharrës.
“Çmimi për njësi është 3,518.86 Lek /ton pa TVSH. Sasitë e evadimit të mbetjeve përgjatë cdo muaji, për të cilët kryen pagesat janë të ndryshueshme në varësi të evadimit të mbetjeve urbane çdo muaj. Sasia e mbetjeve urbane te gjeneruara gjatë vitit 2024 si Bashki, të depozituara në Landfillin e Sharrës Tiranë është 67 564.60 ton/vit”, thekson Bashkia e Durrësit.
Situata në Landfillin e Sharrës
Në një artikull të publikuar në fund të muajit janarit të këtij viti, Faktoje.al raportoi se Landfilli i Sharrës është ezauruar tërësisht në kapacitetin e tij përpunues të mbetjeve, duke ngritur shqetësimin zyrtarisht tek institucionet lokale dhe qendrore, specifikisht në Bashkinë Tiranë dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit.
Mirëpo, e pyetur në lidhje me këtë situatë, Bashkia e Tiranës nuk i është përgjigjur ende kërkesës sonë për informacion.
Ndërkohë, Bashkia e Durrës sqaron se: “Nuk kemi pasur shqetësime për depozitimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës, as nuk kemi dijeni se Landfilli është duke u mbushur për mungesë kapaciteti mbajtës. Nuk kemi pasur raste të refuzimit të mbetjeve nga koncesionari, mbasi kemi qenë korrekt me likujdimin e situacioneve, sipas Akt-Marrveshjes së lidhur midis palëve”.
Faktoje.al nga burime brenda impiantit të trajtimit të mbetjeve në Sharrë mësoi se sasia e mbetjeve që vijnë nga bashkitë Tiranë, Vorë dhe Kavajë është e madhe, rreth 700 ton në ditë, dhe u është dashur t’i mbajnë disa ditë mbetjet në terren të hapur, deri në momentin që kanë krijuar zona të tjera.
Të njëjtat burime konfirmojnë se prej tre muajsh po operohet me mbivendosje të mbetjeve. Sipas tyre, kjo nënkupton se zonat e konsideruara “tampon” (të mbyllura), rihapen sërish dhe groposen mbetjet organike, pasi është bërë më parë trajtimi i mbetjeve bruto, duke ndarë materialet e riciklueshme, kryesisht plastikë.
Kompania është në emergjencë të plotë për shkak se vaskat e trajtimit të mbetjeve janë ezauruar duke ulur kapacitetin përpunues për shkak të mungesës së ambienteve. Vetë impianti është ndërtuar në atë mënyrë që trajtimi në këtë formë (ndarje e mbetjeve të riciklueshme dhe më pas groposje në vaska) të vijojë për një periudhë gjashtë vjeçare, sepse më pas presupozohej se do të vihej në funksion “inceneratori i ri”, i cili nuk ekziston.
Raporti i KLSH-së: 30% e buxhetit të Bashkisë Durrës shkon për menaxhimin e mbetjeve
Ndërkohë, një raport i KLSH për periudhën 2020-2023, publikuar në gusht të 2024 thekson se: “Bashkia Durrës gjatë menaxhimit të mbetjeve urbane nuk garanton qëndrueshmëri financiare të këtij procesi, pasi të ardhurat e krijuara për këtë qëllim nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Kjo situatë vjen si rrjedhojë e faktit se, Bashkia Durrës nuk ka arritur të mbledhë të gjitha të ardhurat e planifikuara nga tarifa e pastrimit”
Më tej, në këtë raport thuhet se 30% e buxhetit të Bashkisë Durrës shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane.
“Megjithatë edhe nëse do të arrihej mbledhja e tyre në nivelin 100 %, përsëri nuk do të mund të mbuloheshin shpenzimet totale për menaxhimin e mbetjeve urbane në këtë bashki. Arsyeja kryesore e mos mbulimit të shpenzimeve është ndryshimi i venddepozitimit të tyre në landifillin e Sharrës. Kjo gjë ka rritur ndjeshëm peshën që zë menaxhimi i mbetjeve në buxhetin total të bashkisë. Rreth 1/3 ose rreth 30 % e buxhetit të Bashkisë së Durrësit shkon për menaxhimin e mbetjeve urbane, ndërkohë që referuar Kombeve të Bashkuara ky tregues duhet të jetë në nivelet 3-15 %”, nënvizon raporti.
Qeveria vendosi të mbyllë përkohësisht aplikacionin TikTok, si masë për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë. Ky vendim shkaktoi reagim të fortë nga kreu i PD, Sali Berisha, i cili bëri thirrje për bojkot të orës së parë të mësimit ditën e hënë më 10 mars. Shumica e prindërve nuk iu përgjigjën thirrjes.
Më datë 6 mars, qeveria mori vendimin për mbylljen e aplikacionit TikTok për një periudhë prej 12 muajsh.
“Duke marrë të gjitha faktet dhe elementet që lidhen direkt me sigurinë e fëmijëve, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit për TikTok për 12 muaj”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ky vendim i qeverisë u prit me kundërshtime nga kreu demokrat, Sali Berisha.
Gjatë një komunikimi me mediat më 7 mars, Berisha kërkoi nga prindërit dhe nxënësit që të bojkotojnë orën e parë të mësimit ditën e hënë, më 10 mars, si shenjë proteste ndaj këtij vendimi të qeverisë.
“Ju keni të drejtë të filloni grevat dhe greva juaj është të bojkotoni mësimet. Ditën e hënë përshembull, orën e parë, do të ishte gjë madhështore që të mungoni sa më shumë. U bëj thirrje prindërve të mos i dërgojnë ditën e hënë fëmijët e tyre në shkollë, orën e parë”, apeloi Berisha.
Ai theksoi se asnjë kryeministër s’ka të drejtë të privojë qytetarët nga një mjet komunikimi.
“Ne protestojmë kundër censurës, pasi kurrë një kryeministër nuk ka të drejtë të privojë qytetarët e vet nga një mjet komunikimi”, shtoi kryedemokrati.
Por, prindërit nuk iu përgjigjën kësaj thirrjeje të kryedemokratit për bojkot. Faktoje.al bëri një verifikim dhe pyeti disa prindër në shkollën “Emin Duraku”, “Edith Durham” dhe shkollën “Kosova”. Prindërit e pyetur thanë se nuk ishin të dijeni të kësaj thirrjeje të kreut demokrat, duke theksuar se janë plotësisht dakord me mbylljen e TikTok.
“Kjo është një platformë që kësaj moshe (13 vjeç) as nuk i nevojitet, përveç se harxhojnë kohën në mënyrë të gabuar, ngarkohen me negativitet. TikTok nuk ka asnjë shembull pozitiv dhe kësaj moshe as nuk i duhet fare”, thotë Sonila, nënë e një djali në shkollën “Emin Duraku”.
Të njëjtin mendim ndan edhe Fjori, vajza e së cilës studion po në këtë shkollë.
“As nuk e mendoj të bojkotojmë mësimin se do mbyllet TikTok. Të mbyllet TikTok, pa u menduar fare”, shprehet Fjori, nënë e një vajze në klasën e gjashtë.
Eliza, nënë e një vajze 12-vjeçare në shkollën “Edith Durham” shpreson që mbyllja e kësaj platforme të ketë ndikimim pozitiv për të rinjtë.
“Plotësisht dakord për mbylljen e TikTok, vendim i duhur. Nuk besoj se zgjidh të gjitha problemet e shoqërisë sonë, por mendoj dhe uroj të ketë ndikim pozitiv në rritjen dhe edukimin e fëmijëve tanë”, shprehet Eliza.
Madje, Marsela, prind i një vajze në shkollën “Kosova” kërkon që kjo platformë të mbyllet plotësisht, jo thjesht që të ketë kufizim të përkohshëm.
“Vendim më të mirë nuk kishte ku të shkonte më. Jam shumë dakord për mbylljen fare të TikTok, jo më kufizim, por ta mbyllin fare”, thotë Marsela.
“Të mbyllet, çfarë të mirë po u sjell adoleshentëve?! Do ishte mirë të mos ishte hapur fare”, thotë e shqetësuar Eri, nënë e një djali në klasën e 8-të.
Kur do të mbyllet TikTok?
Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu deklaroi më 6 mars se platforma do të mbyllej brenda disa ditëve në Shqipëri, por nuk dha një datë të caktuar.
“Do të jetë Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike, e cila me entet përkatëse do të punojë dhe brenda një periudhe të shkurtër kohore, që mund të jetë disa ditë, apo një javë e pak do të mundet që të realizojë këtë ndërprerje të përkohshme të aksesit në platformën e Tik Tok”, bëri të ditur Manastirliu.
Më tej ajo theksoi edhe njëherë se mbyllja e këtij rrjeti social do të jetë e përkohshme.
“Është mbyllje e përkohshme e aksesit në platformën TikTok. Një mbyllje e përkohshme do të thotë që i kemi dhënë vetes 12 muaj kohë, deri në 12 muaj, për të bërë të mundur që në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës së TikTok të mundemi që të marrim të gjitha masat e nevojshme për të vendosur kushtet dhe kriteret e duhura në mënyrë që aksesi në TikTok të mos dëmtojë fëmijët dhe të rinjtë”, argumentoi ministrja e Arsimit.
Në fund të muajit dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama deklaroi se platforma sociale TikTok do të mbyllej brenda 6-8 javëve në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, kjo masë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, pas një sherri që dyshohet se kishte si pikënisje një postim në TikTok.
“Do të na duhen 6-8 javë, për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vetë TikTok. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, shpata, revole, euro, dollarë, nuk sheh në TikTok e Kinës”, deklaroi kryeministri Rama më 21 dhjetor 2024.
Në një artikull të publikuar nga Faktoje.al më 21 shkurt, raportuam se TikTok nuk u mbyll për 8 javë siç deklaroi Rama.
Pretendimi: SPAK kërkoi heqjen e imunitetit të deputetit Taulant Balla
Verdikti: E pavërtetë
————–
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit, njëherësh Ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Ballës.
“SPAK i kërkon Parlamentit heqjen e imunitetit të Taulant Ballës. Gati për arrestim?”- shkruhet në një postim të portalit të lajmeve “Shqip” që më pas është ndarë nga përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Mirëpo, këto informacione nuk rezultojnë të verteta deri në momentet e publikimi të këtij shkrimi. Nuk ka ende një njoftim nga SPAK se ka kërkuar heqjen e imunitetit të zotit Balla. Veç kësaj, në asnjë prej mediave të rëndësishme në vend nuk ka ndonjë informacion mbi një kërkesë të tillë.
Në një reagim për emisionin “Opinion” në 6 mars, SPAK dhe Kuvendi i Shqipërisë mohuan informacionet që qarkulluan për heqjen e imunitetit të Ballës.
“Qarkullonte lajmi se SPAK-u ka dërguar kërkesën për heqjen e mandateve, pra po e quaj të imunitetit të dy deputetëve, një të PD-së dhe një të PS-së në parlamentin shqiptar. Stafi im është interesuar zyrtarisht dhe SPAK mohon që të ketë dërguar kërkesë. Gjithashtu Kuvendi thotë që nuk na ka mbërritur asnjë kërkesë nga SPAK deri tani”, thuhej në përgjigjen e institucioneve që Blendi Fevziu lexoi në studio gjatë emisionit.
Deri më tani, nuk ka asnjë informacion zyrtar që SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit për zotin Balla, siç aludohet në rrjetet sociale.
Në qershor të vitit 2024, Ministria e Arsimit miratoi rritjen e pagave për mësuesit, mesatarisht 18 mijë lekë të reja në muaj. Por ka pasur kundërshti nga sindikatat dhe ekspertët e arsimit, për disa kategori mësuesish. Sipas tyre, janë rreth 6 mijë mësues që (nga rritja) u është ulur ajo që quhet “paga e grupit”, deri në 5 mijë lekë në muaj.
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho shprehu shqetësimin se 6500 mësues paguhen më pak se kolegët e tyre. Sipas saj, paga e tyre është ulur me 10 mijë lekë të reja në muaj.
“Siç e kam denoncuar prej muajsh, të paktën 6500 mësues në të gjithë vendin paguhen më pak se kolegët e tyre, për shkak të një VKM të qeverisë që arsimin nuk e ka pasur kurrë prioritet. VKM për pagën e grupit penalizon mësuesit që japin mësim në klasat fillore. Jo vetëm që nuk u është rritur paga, por u është ulur me 10 mijë lekë të reja”, tha Xhixho.
Por, çfarë ka ndodhur realisht me pagat e mësuesve? Në qershor të vitit 2024, me anë të një VKM u përcaktua rritja e pagave për mësuesit. Kjo rritje nisi prej 1 korrikut të vitit që lamë pas. Nëpërmjet vendimit nr. 425, datë 16.6.2024 u përcaktua edhe struktura e pagës për punonjësit e arsimit parauniversitar. Struktura me ndryshimet përbëhet nga: “Paga e grupit e cila parashikon katër nivele, përkatësisht: Diplomat e arsimit të mesëm të çdo niveli 8,000 lekë; Bachelor është 10,000 lekë; Master Profesional ose të barasvlershme 12,000 lekë; Master i Shkencave ose Profesional me 120 kredite, 14,000 lekë”.
Por sa ishte paga e grupit para se ky vendim të hynte në fuqi?
M.D. mësuese e arsimit 9-vjeçar në Durrës prej më shumë se 25 vitesh thotë për Faktoje.al se paga e saj u rrit me 20 mijë lekë në muaj në korrik të 2024.
Mësuesja thekson se më parë merrte 63 mijë lekë në muaj dhe pas rritjes së pagave, ajo merr rreth 84 mijë lekë. Mirëpo sot, ajo thekson se kolegë të saj, të të njëjtin profil marrin diku të 5 mijë lekë më shumë.
Pse ka ndodhur kjo?
Sindikatat
I pyetur nga Faktoje.al, Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevrus Kaptelli, argumentoi se ka pasur rritje të pagave për të gjithë mësuesit, por ka ndryshuar vlera financiare e kategorisë së diplomës që ka mësuesi e cila përfshihet tek paga e grupit.
“Nuk janë ulur pagat. Pagat me vendimin e qershorit të vitit 2024 janë rritur për të gjithë mësuesit, por për një kategori mësuesish ku janë rreth 6 mijë mësues në të gjithë Shqipërinë, i është ulur njëri element i pagës, është ulur paga e grupit, paga që jepet për diplomën. Ajo ka qenë 14 mijë lekë të reja dhe në VKM e re ka shkuar për ata që janë në parashkollor me Bachelor ka shkuar 10 mijë lekë nga 14 mijë lekë dhe për një kategori tjetër të mësuesve, sipas nivelit të diplomave që kanë mbaruar master profesional, është bërë 12 mijë lekë.
Është ulur kjo, se pagat janë rritur për të gjithë. Por këta që ishin trajtuar për shumë vite me pagë të barabartë me kolegët e tjerë dhe që ishin vlerësuar njëlloj diplomat, me 14 mijë lekë paga e grupit, tashmë paguhen një kategori prej 6 mijë mësuesish me 12 mijë lekë paga e grupit, ajo që vlerëson diplomën dhe një kategori tjetër paguhet me 10 mijë lekë”, sqaron Kaptelli.
Më tej ai shton se: “Nëse përshembull merrnin 50 mijë lekë pagë në muaj, u bë 60 mijë. Por, disa mësues marrin diku te 5 mijë lekë më shumë, për shkak të vlerësimit të diplomës”.
6000 apo 6500 mësues?
Presidenti i Sindikatës, Nevruz Kaptelli, sqaroi se nga ky ndryshim preken rreth 6 mijë mësues në të gjithë Shipërinë edhe pse ka raportime për më shumë, deri në 6500. Nga Ministria e Arsimit nuk ka një përgjigje konkrete sa është numri që preket, por Kaptelli sqaroi se të dhënat për këtë shifër (6 mijë) i kanë marrë nga komunikimi me Zyrat Vendore Arsimore.
Ekspertët
Ndërsa, eksperti i arsimit, Ndriçim Mehmeti shprehet se më këtë ndryshim të bërë, mësuesve ua morën edhe atë shtesë që u bënë në korrik të vitit të shkuar.
“Kur u bë VKM, këta ripërcaktuan grupet, pagën e grupit. U bënë VKM që u rriti pagat mësuesve, këta ua dhanë me të majtën dhe ua morën me të djathtën. Ligji e thotë qartë, nga klasa 6-9 duhet të ketë Master shkencor. Ky është problemi i atyre që kanë përfunduar ciklin 3-vjeçar. Pra, kanë qenë shumë që kanë përfunduar cikël 3-vjeçar dhe ata që kanë përfunduar këtë cikël llogariten me 100 mijë lekë, por nuk kanë bërë masterin, prandaj po bëjnë masterin tani ata”, thotë Mehmeti.
Në ligjin 80/2015, “Për arsimin e lartë” përcaktohet se diplomat e programeve të studimit që kanë zgjatur 3 vite (6 semestra), janë ekuivalente me diplomat “Bachelor”. Ndërsa diplomat e programeve të studimit, që kanë zgjatur së paku 4 vite akademike (8 semestra) janë ekuivalente me diplomat “Master i shkencave”.
Mehmeti shton se: “Penalizohen ata që kanë mbaruar në Gjirokastër, Elbasan, Shkodër dhe më pas edhe në Vlorë dhe Korçë 3-vjeçarin, këta penalizohen. Sepse këta nuk kanë faj, diploma këtyre u thotë mësues i arsimit parashkollor”.
Isa Halili nga Sindikata e Arsimit thekson se fillimisht u mendua si një lapsus nga ana e institucioneve, por edhe pas disa takimeve të bëra, mësuesit nuk janë paguar.
“Kjo ka ndodhur që në korrik 2024, ne në fillim e quajtëm lapsus. Kemi bërë disa takime, por mësuesit nuk i kanë marrë lekët. Kemi kërkuar që mësuesit të trajtohen te paga e grupit siç janë trajtuar deri në qershor”, thotë ai.
Por pse ky ndryshim? “Mendoj se kjo ka ardhur për efekt ekonomik. Buxheti për arsimin është i ulët, 2.4%”, shprehet Halili.
Nga ana tjetër, presidenti i Sindikatës së Arsimit, Nevrus Kaptelli, thotë se kanë bërë dy takime me Ministrinë e Arsimit për këtë cështje, por nuk kanë marrë zgjidhje.
“Ne jemi marrë vazhdimisht me zgjidhjen e këtij problemi dhe kemi bërë dy takime me MAS. Në takimin e dytë të zhvilluar në fund të muajit nëntor 2024, të gjithë ramë dakord se do ta rregullojmë këtë. Ende nuk është rregulluar problemi dhe në takimin që kemi bërë para pak ditësh na është thënë që ky problem nuk mund të zgjidhet tani, sepse bie ndesh me ligjin zgjedhor, por kjo nuk është në fakt e vërtetë, sepse rregullon një padrejtësi që u është bërë mësuesve. Po presim të kalojë dhe kjo periudhë”, bën të ditur Kaptelli.
MAS
Të kontaktuar nga Faktoje.al, burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit deklarojnë se nuk ka ulje page për asnjë mësues, por nuk dhanë përgjigje për ndryshimet që janë bërë në atë që quhet “paga e grupit”
“Ka vetëm rritje me +180 mijë lekë në muaj mesatarisht”, thanë burime në MAS.
Përfundim
Nisur nga informacionet e grumbulluara dhe verifikimet e kryera, vendosëm që deklaratën e zonjës Xhixho ta kategorizojmë pjesërisht të vërtetë. Është e vërtetë që një kategori mësuesish paguhen më pak se kolegët e tyre, por paga e tyre nuk është ulur nga sa merrin para së të hynte në fuqi vendimi i qershorit e aq më shumë me 10 mijë lekë të reja, siç deklaron deputetja e Partisë së Lirisë.
Pretendimi: Pas fitores, lideri i CDU pranoi se kishte gënjyer për mbylljen e kufijve për t’i marrë vota AfD
Verdikti: E pavërtetë
Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se kancelari gjerman, Friedrich Merz ka përdorur çështjen e emigrantëve gjatë fushatës, me qëllim që t’i marrë votat partisë së ekstremit të djathë.
“Sapo u shpall fitorja e CDU-së, pa kaluar as 24 orë, Merz mashtroi publikisht votusit kur u pyet nga një gazetare: ‘kufinjtë e Gjermanisë do qëndrojnë të hapur, ne e bëmë këtë premtim elektoral të rremë që të mos fitonte partia e ‘ekstremit’ të djathtë AFD.”- shkruhet në postimin që shoqëron një pjesë të konferencës së parë për shtyp të Merz pas fitores.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në videon me titra në spanjisht, Merz thotë: “Dua të sqaroj edhe njëherë se asnjë nga ne nuk flet për të mbyllur kufijtë. Askush nga ne nuk do të mbyllë kufijtë”.
Mirëpo, pretendimet se Merz mashtroi gjermanët janë të rreme. Video e publikuar është një fragment nga konferenca për shtyp e mbajtur më 24 shkurt 2025 nga lideri i CDU-së, Friedrich Merz, i cili foli pas rezultateve të zgjedhjeve. Në videon e plotë, në minutën 46:25, pas një pyetjeje rreth koalicioneve të planifikuara për qeverinë që po vjen, lideri i CDU-së thotë: “Asnjë prej nesh nuk ka qëllim të mbyllë kufijtë.”
Merz thekson nevojën “për të mbrojtur më mirë kufijtë kombëtar duke fituar kontroll mbi ata që hyjnë në vendin tonë”. Në asnjë moment gjatë konferencës, lideri i CDU-së nuk thotë se partia e tij premtoi gjatë fushatës mbylljen e kufijve vetëm për të marrë vota nga AfD.
Në të vërtetë, Merz sugjeroi gjatë diskutimeve publike në fushatën zgjedhore se politika e jashtme dhe e sigurisë, por edhe politika e zhvillimit duhet të jetë e orientuar në të ardhmen drejt interesave gjermane. Për sa i përket politikës së azilit, duhet të zbatohet si vijon: “Një vend që nuk i merr mbrapsht shtetasit e tij në rast të dëbimit nga Gjermania, nuk mund të marrë më ndihmë zhvillimore në të ardhmen. E njëjta gjë vlen edhe për vendet që “kanë një qëndrim të dyshimtë ndaj terrorizmit”.
Gjithashtu, në fund të muajit janar Merz tha se në rast të fitores së tij, do të ketë dukshëm më shumë dëbime dhe një “ndalim de facto të hyrjeve” në të gjithë kufijtë për njerëzit pa dokumente të vlefshme udhëtimi, përfshirë edhe ata që kanë ardhur në Gjermani për të kërkuar mbrojtje. Futja e këtij rregulli do të ishte kusht për partitë tjera për bashkëpunimin në koalicion.
Partia e tij paraqiti në Bundestag propozime për të shtrënguar politikën e migracionit. Kritikët vunë në dukje se propozimet e Merz bien ndesh me politikën evropiane të azilit dhe nuk janë ligjërisht të zbatueshme sipas ligjit evropian.
Partia e Merz hodhi poshtë këto akuza, duke theksuar se qëllimi nuk ishte bashkëpunimi me AfD, por duke theksuar se CDU nuk do të ishte kundër nëse propozimi kalonte me mbështetje nga partia e ekstremit të djathtë (gjë që ndodhi kur plani i Merz u miratua).
2024 ishte viti i pestë që Faktoje monitoroi performancën transparencës dhe mbajtjen e premtimeve në 10 institucione të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Bashkitë e monitoruara janë ajo e Shkodrës, Lezhës, Elbasanit, Korçës, Dibrës, Durrësit, Vlorës, Fierit, Kavajës dhe Sarandës.
Monitorimi i kryer nga gazetarët dhe aktivistët e shoqërisë civile ka për qëllim matjen e nivelit të transparencës në institucionet e pushtetit vendor në Shqipëri, nxitjen e ndarjes së informacionit me publikun dhe rritjen e llogaridhënies lidhur me proceset e vendimmarrjes dhe menaxhimin e punës së këtyre institucioneve.
Gjatë pesë viteve të fundit, bashkitë në Shqipëri kanë bërë hapa përpara në rritjen e transparencës, duke publikuar programet dhe duke ndarë më shumë informacion me qytetarët. Megjithatë, puna çalon kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve të kryebashkiakëve pas fushatave elektorale.
Analiza ka treguar se nga 40 premtime të verifikuara për këto 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura.
Premtimet janë monitoruar duke përdorur një metodologji që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik dhe vëzhgimet në terren.
Bashkitë me performancën më të lartë për transparencën në vitin 2024 janë Shkodra dhe Lezha, të cilat kanë arritur 100% në përmbushjen e kërkesave ligjore për transparencën. Dibra dhe Durrësi janë afruar me një rezultat prej 93.75%. Nga ana tjetër, Bashkia e Elbasanit dhe Kavajës kanë shënuar performancën më të ulët, me një nivel transparence prej 50%.
Disa nga indikatorët kryesorë të transparencës janë: programi i transparencës, konsultimi publik dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.
Raporti vë në dukje se 8 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë realizuar konsultime publike për hartimin e buxhetit dhe kanë publikuar buxhetin vjetor. Performanca është më e dobët në lidhje me konsultimet publike për paketën e taksave dhe tarifave vendore, me vetëm 6 bashki që kanë zhvilluar konsultime të tilla. Po ashtu, transparenca mbetet e ulët në lidhje me publikimin e vendimeve dhe urdhrave të kryetarëve të bashkive; vetëm 4 nga 10 bashkitë e monitoruara kanë publikuar këto dokumente.
Për periudhën 2019-2024, qendra Faktoje ka verifikuar 135 premtime të bëra nga kryebashkiakët nga veriu në jug të vendit. Analiza tregon se 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.
Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në vite për përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt. Monitorimi ka treguar se kryebashkiakët e këtyre bashkive kanë dështuar në përmbushjen e një numri të konsiderueshëm premtimesh, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe shërbimet publike.
***
Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).
Pretendimi: Ivermectina dhe Fenbendazol mund të trajtojnë kancerin
Verdikti: E paprovuar
Deri më tani nuk ka asnjë provë shkencore që të provojë se barnat Ivermectinë dhe Fenbendazol trajtojnë kancerin, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook publicisti Alfred Cako pretendon se dy medikamente, të quajtura Ivermectinë dhe Fenbendazol bëjnë “mrekullinë” kundër kancerit. Madje ai shprehet i gatshëm t’i sigurojë për këdo që kanë nevojë për to.
“Lufta kundër kancerit. Trajtimet me Ivermectinë dhe Fenbendazol për kancerin po bëhen të njohura! Industria e madhe farmaceutike nuk është e lumtur. Kush dëshiron ndihmë për medikamentet të më shkruajë në personal. Ja u gjej unë”-shkruan Cako.
Postimi i shpërndarë nga Cako në Facebook
Por, për çfarë përdoren këto medikamente?
Ivermectina përdoret për të trajtuar strongyloidiazën (krimbat e hollë; infeksion me një lloj krimbi të rrumbullakët që hyn në trup përmes lëkurës, kalon përmes rrugëve të frymëmarrjes dhe jeton në zorrë). Ivermektina gjithashtu përdoret për të kontrolluar onkocerkozën (infeksion me një lloj krimbi të rrumbullakët që mund të shkaktojë skuqje, kokrra nën lëkurë dhe probleme me shikimin, duke përfshirë humbjen e shikimit ose verbërinë).
Ivermectina është në një klasë medikamentesh të quajtur anthelmintikë. Ajo trajton strongyloidozën duke vrarë krimbat në zorrë. Ajo trajton onkocerkozën duke vrarë krimbat në zhvillim. Ivermektina nuk vret krimbat e rritur që shkaktojnë onkocerkozën dhe për këtë arsye, nuk do ta shërojë këtë lloj infeksioni.
Fenbendazoli është një benzimidazol që ka një efekt anthelmintic (për të vrarë parazitët) me spektër të gjerë. Përdoret kundër një numri parazitësh gastrointestinalë. Fenbendazoli është i miratuar për t’u administruar nën kujdesin veterinar te delet, lopët, kuaj, peshqit, qentë, macet, lepujt dhe fokat.
Mirëpo, pretendimet se këto barna antiparazitarë shërojnë kancerin te njerëzit nuk janë të bazuar në prova shkencore. Siç e theksuam edhe më sipër, aktualisht, Ivermectina është e miratuar vetëm për përdorim te njerëzit për trajtimin e infeksioneve parazitare, ndërsa Fenbendazoli është i miratuar vetëm për përdorim veterinar.
Të dyja medikamentet, si Ivermectina dhe Fenbendazoli, kanë treguar efekte premtuese kundër kancerit në kushte laboratorike. Megjithatë, mungojnë të dhënat klinike për njerëzit. Nuk mund të dimë ende me siguri nëse këto barna janë të sigurta apo jo për përdorim kundër kancerit te njerëzit. Për shkak të kësaj, këto barna nuk mund të rekomandohen aktualisht si trajtime kundër kancerit.
Shkak për këto aludime u bë një intervistë e aktorit Mel Gibson në podcastin e Joe Rogan. Gibson tha gjatë intervistës se tre nga miqtë e tij kishin kancer të stadin e 4 dhe u shëruan duke marrë Ivermectin.
Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e AFP, të cilët kanë provuar se pretendimet se këto barna trajtojnë kancerin, nuk kanë asnjë bazë shkencore deri më tani.
“Barnat e përmendura në podcast janë duke u studiuar, por nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar efektivitetin dhe sigurinë e tyre para se të mund të përshkruhen në receta për njerëzit me kancer”- tha drejtoresha e politikave shëndetësore në Shoqatën Kanadeze të Kancerit, Elizabeth Holmes në një email në AFP.
Më herët, Ivermectin është rekomanduar si një kurë për të parandaluar dhe trajtuar Covid-19, por nuk pati asnjë efekt. Ndaj, mos u besoni sugjerimeve të VIP-ave në lidhje me terapitë mjekësore, por drejtohuni te mjekët specialistë.
Pretendimi: Raporti zbulon se 47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri mezi shkruan dhe lexon
Rate: Mungon konteksti
Lajmi i publikuar masivisht në mediat online në vendin tonë ku pretendohet se rreth gjysma e shqiptarëve mezi shkruajnë dhe lexojnë, është i nxjerrë nga konteksti.
“47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri mezi shkruan dhe lexon”-shkruajnë mediat online.
Artikujt e shpërndarë në mediat online
Për këto të dhëna, portalet raportojnë se i referohen të dhënave statistikore të Fondit Europian të Trajnimeve (ETF).
“Afërsisht 47% e popullsisë mbi 15 vjeç në Shqipëri ka arritje të ulëta arsimore dhe një pjesë tjetër 35.2% vlerësohet se kishte njohuri mesatare në vitin 2023, evidentojnë të dhënat statistikore të Fondit Europian të Trajnimeve (ETF) një njësi që operon me financime të KE-së për politika që kanë të bëjnë me kapitalin njerëzor në vendet europiane që nuk janë ende pjesë e BE-së”-thuhet më tej në brendësi të shkrimit.
Mirëpo, ekspertët theksojnë se studimi i publikuar ka një tjetër qasje dhe mediat kanë nxjerrë nga konteksti këtë raport ndërkombëtar.
E kontaktuar nga Faktoje.al, ekspertja Migena Kapllanaj argumenton se në raportin e ETF nuk ka asnjë të dhënë për Shqipërinë që tregon për aftësinë për të shkruar dhe lexuar të popullsisë 15 vjeç e më shumë.
Sipas Kapllanaj, raporti i ETF 2024 (që i referohet të dhënave të vitit 2023) nuk mat aftësitë e të lexuarit apo të shkrimit të popullsisë, por nivelin më të lartë arsimor të arritur.
“Të dhënat e përdorura nga media shqiptare për të treguar që 47% e shqiptarëve 15 vjeç+ mezi shkruajnë e lexojnë, nuk janë referuar saktë, pasi 47% është përqindja e personave që kanë nivelin më të lartë arsimor 9-vjeçar ose të mesëm. (Të dhënat i referohen treguesit “Educational attainment of total population (aged 15+)”, që mat shpërndarjen e popullsisë sipas nivelit të përfunduar të arsimit”, sqaron ekspertja Kapllanaj.
Në faqen 25, pika 8 e këtij raporti, theksohet: “Arritjet arsimore të popullsisë totale (mosha 15+) (%);
Arritja arsimore i referohet nivelit më të lartë arsimor të arritur nga individët, i shprehur si një përqindje e të gjithë personave në atë grupmoshë. Kjo zakonisht matet në funksion të programit më të lartë arsimor të përfunduar me sukses, i cili zakonisht certifikohet me një kualifikim të njohur. Kualifikimet ndërmjetëse të njohura klasifikohen në një nivel më të ulët se programi vetë”.
Pjesë nga raporti
Edhe në një reagimin në rrjetet sociale, ekspertja e çështjeve të arsimit argumenton se rezultatet e raportit flasin për një ndryshim gradual në strukturën arsimore të popullsisë gjatë viteve 2015-2023.
“Përqindja e personave me arsim fillor dhe nëntëvjeçar ka rënë nga 51.4% në 46.7%, duke treguar një rritje të arsimimit të mëtejshëm. Përqindja e personave me arsim të mesëm dhe profesional ka mbetur pothuajse e pandryshuar, nga 34.4% në 35.2%. Përqindja e personave me arsim të lartë dhe më shumë është rritur, pavarësisht një tendence të lehtë rënieje gjatë vitit 2023, nga 14.2% në 18.1% (ndërkohë që në 2022 ishte 19%)”-thekson ajo.
Sipas Kapllanajt, ky nuk është rasti i vetëm kur statistikat keqinterpretohen dhe krijojnë perceptime të gabuara.
“Jo shumë kohë më parë, një tjetër lajm bëri xhiron e mediave, duke pretenduar se 88.1% e familjeve shqiptare jetojnë në familje me shumë breza. Në të vërtetë, shifra i referohej familjeve tradicionale sipas përkufizimit të censusit”, sqaron ajo.
Sqarimi i ekspertes në rrjetet sociale
Migena Kapllanaj ka një përvojë shumëvjeçare në fushën e arsimit të lartë si pedagoge. Gjithashtu është e angazhuar në fushën e kërkimit shkencor dhe vlerësimit të cilësisë në arsimin e lartë.
Problemi i menaxhimit të mbetjeve vazhdon të jetë një shqetësim serioz në shumë qytete të Shqipërisë, si pasojë e keqmenaxhimit, korrupsionit dhe mungesës së një sistemi efikas riciklimi.
Në lagjet e reja të Durrësit, në periferi të Tiranës dhe në rrugicat e Sukthit, pirgjet me mbeturina grumbullohen si dëshmi të një problemi që askush nuk duket i gatshëm ta zgjidhë.
Kosha të tejmbushur, qese plastike që fluturojnë nga era dhe një re tymi që shpërndahet në ajër pasditeve – kjo është panorama e përditshme për shumë banorë.
“Mbeturinat nuk hiqen rregullisht, nuk ka kosha të mjaftueshëm, vijnë erë të keqe, ndotin ambientin dhe ka kafshë përreth tyre,” thotë Moza, një grua në të pesëdhjetat, e cila jeton në një lagje të Durrësit.
Në Sukth, Drita, një grua e moshuar, ka vënë re një ritual të përsëritur: pas orës pesë të pasdites, dikush ndez një zjarr. Mbetjet digjen, duke krijuar një tym të zi që mbush qiellin mbi shtëpitë njëkatëshe.
Më në veri, në periferi të Tiranës, Shpëtimi, i cili prej vitesh ka parë lumin që rrjedh pranë shtëpisë së tij të mbushet me shishe plastike dhe mbeturina të tjera, ka një shpjegim të thjeshtë: “Duke qenë se jetojmë në zonë rurale, jo e gjithë zona është e mbuluar me kosha mbeturinash,” thotë ai, ndërsa shton se “kjo bën që një pjesë e banorëve t’i hedhin mbetjet në lumë, përrenj dhe venddepozitime të tjera të paligjshme.”
Problemi i mbetjeve në Shqipëri nuk është vetëm estetik. Ai është një përzierje e mungesës së infrastrukturës, indiferencës institucionale dhe praktikave të papërshtatshme të menaxhimit të mbetjeve.
“Menaxhimi i mbetjeve karakterizohet nga mungesa e një sistemi efikas të ndarjes në burim, riciklimit, venddepozitimeve të mbingarkuara – shumica prej tyre jashtë çdo kriteri apo standardi operimi, si edhe një situatë higjeno-sanitare tepër shqetësuese,” shprehet eksperti i mjedisit Redion Gjoka. “Pa harruar edhe mungesën e transparencës në mënyrën se si trajtohen mbetjet urbane dhe industriale,” shton ai.
Pavarësisht ankesave të qytetarëve të ardhura në Faktoje.al për çështjen e djegies së mbetjeve, Bashkia e Durrësit tha në një përgjigje me shkrim se depozitimi i mbetjeve në landfillin e Sharrës vazhdonte normalisht.
“Bashkia e Durrësit, pas grumbullimit, i transporton mbetjet drejt Landfillit të Sharrës në Tiranë. Nuk kemi pasur shqetësime për depozitimin e mbetjeve në Landfillin e Sharrës, as nuk kemi dijeni nëse landfilli është duke u mbushur për mungesë kapaciteti mbajtës. Nuk kemi pasur raste të refuzimit të mbetjeve nga koncesionari, pasi kemi qenë korrektë me likuidimin e situacioneve, sipas Akt-Marrëveshjes së lidhur midis palëve,” argumentoi Bashkia e Durrësit.
Një kërkesë për koment drejtuar Bashkisë së Tiranës nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Sipas INSTAT, në Shqipëri çdo vit gjenerohen më shumë se 800 mijë tonë mbetje urbane. Përmes një pyetësori të publikuar përmes platformës ECR, Faktoje.al komunikoi me dhjetëra qytetarë, ku 87% e tyre e vlerësojnë negativisht situatën me mbetjet në zonën ku jetojnë. Të dhënat e anketës tregojnë se 57% e qytetarëve listojnë si problem kryesor mbeturinat rreth kontenierëve të mbetjeve.
“Mungesa e koshave të mbeturinave që të përballojnë fluksin e të gjithë lagjes sjell tejmbushjen e koshave që ndodhen pranë pallatit tonë dhe hedhjen e mbeturinave përreth koshit,” shprehet Arjeta nga Tirana, ndërsa shton se hedhja e mbetjeve ushqimore nga restorantet që ndodhen afër pallatit e bën situatën edhe më të papranueshme.
“Kur makina e plehrave vjen të marrë mbeturinat, pjesa më e madhe e tyre bie në tokë dhe mbetjet e lëngshme mbeten në rrugë, duke krijuar një erë të padurueshme,” thekson ajo.
Eksperti i mjedisit, Lavdosh Ferruni, shprehet se kriza e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri vjen si pasojë e politikave të gabuara.
“Situata e rënduar e mbetjeve është rezultat i politikës së trajtimit të tyre nëpërmjet incenerimit në Shqipëri, gjë që bëri të braktisej praktika e nisur e riciklimit të mbetjeve,” tha ai. “Kjo automatikisht shton vëllimin e mbetjeve në landfillet e pakta që ka vendi me standarde të pranueshme, duke çuar në një krizë të mprehtë të menaxhimit të mbetjeve në pak vite,” shtoi Ferruni.
Edhe pse problemet më të theksuara me menaxhimin e mbetjeve shfaqen në qytete të mëdha si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Fieri dhe Elbasani, eksperti Redion Gjoka thekson se abuzimet më të mëdha në këtë sektor ndodhin në qytete të vogla.
Gjoka nënvizon një listë të gjatë problemesh, si mungesa e investimeve dhe infrastrukturës, keqmenaxhimi dhe korrupsioni, mungesa e një sistemi riciklimi, turizmi masiv, mungesa e kontrollit, mungesa e pastrimit të rregullt, venddepozitimet e paligjshme dhe ndotja.
“Rastet e inceneratorëve janë vetëm maja e ajsbergut,” tha ai, ndërsa shtoi se “në të gjitha bashkitë, pa përjashtim, menaxhimi i mbetjeve është një nga proceset ku mbi-faturohet, ndërkohë që nuk ka asnjë kontroll dhe përmirësim të cilësisë”.
“Politikat e viteve të fundit janë bazuar në fushata, të cilat kanë efekte të përkohshme dhe nuk ndikojnë në një ndryshim cilësor të situatës,” shtoi Gjoka.
Sipas 65% të të anketuarve që plotësuan pyetësorin e Faktoje.al, bashkitë nuk po bëjnë mjaftueshëm për heqjen e mbeturinave.
“Duhet ndërhyrje e menjëhershme për të investuar në menaxhimin e mbetjeve dhe për të inkurajuar përsëri riciklimin dhe elementët e tjerë parësorë të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve, si parandalimi dhe ripërdorimi,” shprehet Lavdosh Ferruni.
Ndërsa eksperti Redion Gjoka propozon një sërë masash, duke nisur nga ndarja në burim e mbetjeve dhe më pas riciklimi, përfshirë politika për reduktimin e mbetjeve nga produktet që importojmë, monitorimin dhe transparencën në shërbimet e pastrimit, mbylljen e venddepozitimeve dhe përshtatjen e tyre në stacione transferimi, ku mbetjet e refuzuara përpunohen për të prodhuar lëndë djegëse alternative.
Pretendimi: Kjo video provon se udhëtimi në Hënë u regjistrua nga NASA në shkretëtirën e Nevadës
Verdikti: E pavërtetë
“Provat” se provojnë teorinë se njeriu nuk ka udhëtuar asnjëherë në Hënë gjejnë gjithmonë vend në rrjetet sociale. Një prej këtyre dëshmive se udhëtimi i NASA në satelitin e Tokës është i rremë pretendohet se është publikuar si pjesë e dokumentave sekretë të rrjetit WikiLeaks.
Një video e publikuar në 19 shkurt në Facebook, e cila tregon disa skena bardhezi të astronautëve duke ecur në një terren të ashpër ranor, shoqërohen me tekstin: “WikiLeaks ka publikuar skena të fshira të uljes në Hënë të filmuara në shkretëtirën e Nevadës”.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në lidhje me këto pretendime, ne bëmë fillimsht një kërkim në faqen e internetit të Wikileaks, duke përdorur fjalët kyçe, ‘Hënë’, ‘ulje’, ‘Nevada’, por nuk kishte asnjë rezultat.
Duke analizuar videon nëpërmjet mjeteve të verifikimit të pamjeve, rezultoi se në fakt skenat janë shkëputur nga prapaskenat e filmit “Capricorn One“, një film fiction i vitit 1977. Skenari i filmit ndërtohet mbi një mashtrim të publikut pas dështimit të fluturimit në planetin Mars. Autoritetet në ankth duhet të përpiqen të shpëtojnë fytyrën dhe të ruajnë fondet e tyre – dhe kështu krijohet një komplot i paimagjinueshëm për të falsifikuar misionin.
Foto nga xhirimet e filmit Capricorn One (1977)
Referuar të dhënave nga “IMDb”, vendet e xhirimeve ishin shkretëtirat Mojave në Kaliforni dhe Yuma, në Arizona. Aty nuk përmendet Nevada.
Në dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama njoftoi se TikTok do të ndalohej në Shqipëri brenda 6-8 javësh. Ai e argumentoi këtë vendim me shqetësimet për përmbajtjet e dhunshme dhe gjuhën e urrejtjes. Megjithatë, edhe pas kalimit të afatit të dhënë, platforma vazhdon të funksionojë normalisht. Në një takim me studentët më 28 janar 2025, Rama sqaroi se qeveria është në dialog me TikTok dhe pret propozime nga kompania për të adresuar këto shqetësime. Nga ana tjetër, ekspertët theksojnë se Shqipëria kryeson në rajon për nivelin e gjuhës së urrejtjes në platformat sociale, duke e lidhur këtë fenomen me rritjen e agresivitetit dhe presionin social te të rinjtë.
Në fund të muajit dhjetor 2024, kryeministri Edi Rama deklaroi se platforma sociale TikTok do të mbyllej brenda 6-8 javëve në Shqipëri. Sipas kreut të qeverisë, kjo masë vjen pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, nxënës i shkollës “Fan Noli” nga bashkëmoshatari i tij, pas një sherri që dyshohet se kishte si pikënisje një postim në TikTok.
“Do të na duhen 6-8 javë, për 1 vit ne do ta mbyllim plotësisht. TikTok në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë. Gjatë atij viti do të shikojmë si do të veprojnë vendet e tjera, si do të reagojë vetë TikTok. Rrugaçërira, perversitete, dhunë, bullizëm, krim, thika, shpata, revole, euro, dollarë, nuk sheh në TikTok e Kinës”, deklaroi kryeministri Rama më 21 dhjetor 2024.
Më 30 dhjetor 2024, Rama foli sërish në lidhje me mbylljen e kësaj platforme sociale, duke theksuar: “Kemi një situatë që ju e njihni lidhur në TikTok. Ne nuk lëvizim nga vendimi që kemi marrë dhe siç e kam paralajmëruar, është një vendim për implementimin e të cilit do të na duhet 6 deri në 8 javë, sepse teknologjikisht është shumë e rëndësishme kjo kohë”
Mirëpo, kur ka kaluar më shumë se 8 javë nga ky zotim i kryeministrit, platforma sociale TikTok vazhdon të jetë funksionale në vendin tonë.
Në një kërkim në këtë rrjet social shihet se çdo gjë funksionon normalisht, ku përdoruesit kanë mundësi të postojnë dhe të komentojnë në përmbajtje të ndryshme. Pra, aktualisht nuk është vënë në zbatim ndalimi i kësaj platforme në Shqipëri.
Postime të ndryshme të shpërndara në TikTok
Gjatë një podcast-i me studentët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit më 28 janar 2025, Rama nuk dha më afate për mbylljen e kësaj platforme, por u shpreh se janë në pritje të propozimeve nga TikTok.
“Mendoj se për momentin nuk kemi një zgjidhje tjetër. Jemi në dialog me TikTok, kemi parashtruar shqetësimet tona. E mira është që ata nuk kanë qenë refraktarë ndaj këtyre shqetësimeve. Dhe kemi rënë dakord në një kohë të arsyeshme kur ata të jenë gati, do të na paraqesin disa propozime për t’i adresuar këto shqetësime”, tha Rama.
Mbyllja e TikTok në Shqipëri dhe reagimi i kompanisë
Pas njoftimit të kryeministrit Rama për mbylljen e TikTok reagoi edhe kompania më 22 dhjetor 2024. Ata kërkuan sqarime urgjente nga qeveria shqiptare duke shtuar se: “Nuk kishin gjetur asnjë provë që autori ose viktima kishin llogari në TikTok dhe raportime të shumta kanë konfirmuar se në fakt videot që çuan në këtë incident ishin postuar në një platformë tjetër, jo në TikTok”
Ndërsa, më 22 janar 2025, kreu i qeverisë zhvilloi një takim në Davos me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTok-ut për Europën. Ai ritheksoi nevojën për ta mbyllur sa më parë platformën TikTok.
“Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”, shkroi Rama në Facebook.
Në reagime të dhëna më herët për Faktoje.al, ekspertët kanë theksuar se Shqipëria është vendi i parë në rajon për gjuhën e urrejtjes.
“Me fillimin e përdorimit të TikTok është rritur ndjeshëm niveli i agresivitetit, duke parë edhe një garë, ku të rinjtë sot janë të ekspozuar ndaj vizibilitetit, një lloj kompeticioni në rrethet miqësore të adoleshentëve dhe të rinjve se personat që kanë më shumë vizibilitet janë më shumë të pëlqyeshëm dhe kjo çon në imitimin e personave që kanë vizibilitet,” deklaroi kryetari i Urdhrit të Punonjësve Socialë, Mirgit Vata.
Pretendimi: Emanuel Macron nuk i dha dorën kryeministrit indian Narendra Modi, gjatë samitit për Inteligjencën Artificiale në Paris.
Verdikti: Mungon konteksti
Presidenti francez, Emmanuel Macron nuk e injoroi kryeministrin Indian, Narendra Modi gjatë takimit për Inteligjencën Artificiale të mbajtur në Paris.
Në video të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendohet se presidenti francez, Emmanuel Macron ka injoruar kryeministrin indian Narendra Modi, gjatë samitit për Inteligjencën Artificiale të zhvilluar në Paris.
“Macron injoron Modi në samitin e AI që organizohej nga Franca dhe India”, raporton ABC News.
Në videon e shpërndarë shihet Macron duke përshëndetur një sërë figurash politike, përfshirë zëvendëspresidentin e SHBA JD Vance, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Pranë tyre qëndronte i ulur edhe kryeministri Indian Narendra Modi. Mirëpo, në video shihet që Macron nuk e zgjat dorën për ta përshëndetur atë.
Por, cila është e vërteta e këtyre pamjeve?
Më 10-11 shkurt 2025, Franca priti Samitin për Inteligjencën Artificiale (AI), i cili mblodhi bashkë më shumë se një mijë pjesëmarrës, duke përfshirë liderë nga rreth 100 vende, për të diskutuar çështje që lidhen me zhvillimin e drejtë dhe etik të AI. Samiti u bashkëkryesua nga kryeministri indian Narendra Modi, i cili mbërriti së bashku me Emmanuel Macron në konferencë.
Para mbërritjes së dy liderëve, në të djathtë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shihen dy karrige bosh, të rezervuara për Modi dhe Macron. Me të mbërritur në konferencë, Modi ulet para Macron, i cili përshëndet të ftuarit e pranishëm në sallë. Mirëpo, para këtij momenti, Macron dhe Modi ishin së bashku dhe në të majtë të kryeministrit indian është një karrige e rezervuar për Macron. Video e shpërndarë në rrjetet sociale jep vetëm këtë pamje, duke mos treguar momentin kur dy politikanët mbërrijnë së bashku në konferencë.
Në videot e tjera të konferencës, por edhe në disa foto të shpërndara nga vetë Modi në llogarinë e tij X, dy liderët janë përshëndetur disa herë duke shtrënguar duart dhe duke u përqafuar me njëri-tjetrin gjatë samitit.
Këto pretendime janë verifikuar edhe nga kolegët e Facta News.