BSH mban normën bazë në 2.5%, Sejko: Inflacioni ishte më i ulët se pritjet tona
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.
Në fjalën e tij pas mbledhjes së sotme, Guvernatori, Gent Sejko, tha se niveli i inflacionit këtë vit rezultoi disi më i ulët se parashikimet e Bankës së Shqipërisë, si pasojë e reduktimit të marzheve të fitimit të bizneseve, e vijimit të goditjeve pozitive të ofertës, si dhe e rënies më të shpejtë se pritjet të inflacionit në Eurozonë.
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi nivelin mesatar 2.3% në tremujorin e dytë të vitit, duke regjistruar një rritje të lehtë dhe të pritur krahasuar me tremujorin e parë. Megjithatë, edhe pas kësaj rritjeje, norma e inflacionit vijon të qëndrojë nën objektivin prej 3% të Bankës së Shqipërisë.
Banka e Shqipërisë vëren se rritja e inflacionit u diktua nga rritja më e shpejtë e çmimeve të ushqimeve dhe të qirave, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte relativisht i qëndrueshëm.
Banka e Shqipërisë vlerëson se, informacioni indirekt mbi zhvillimet ekonomike sugjeron se rritja ekonomike për tremujorin e dytë ka qenë në nivele të ngjashme me rritjen prej 3.4% të tremujorit të parë.
“Rritja ekonomike e gjysmës së parë të vitit është mbështetur nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve, si dhe i eksportit të shërbimeve.
Ky profil kërkese agregate ka nxitur zgjerimin e sektorëve të ndërtimit e të shërbimeve, ndërkohë që sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren gjatë tremujorit të parë.
Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi pozitiv për të ardhmen i familjeve dhe bizneseve, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit,” tha Sejko.
Sipas tij, politika e kujdesshme monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një rol parësor në përmirësimin e kushteve të financimit.
Lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare gjatë katër tremujorëve të fundit ka ulur kostot e financimit të sektorit bankar dhe yield-in e bonove 12-mujore të thesarit, i cili shërben si referencë për normat e interesit të kredive.
Paralelisht me të, normalizimi i pritjeve për inflacionin ka ndihmuar në kontrollin e segmentit afatgjatë të kurbës së normave të interesit dhe ka nxitur funksionimin normal të tregjeve financiare.
Së fundi, sipas Guvernatorit, rritja e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun e brendshëm valutor ka ndihmuar në absorbimin e presioneve forcuese të kursit të këmbimit, duke mundësuar një nivel më të qëndrueshëm të tij.
Për rrjedhojë, Banka e Shqipërisë gjykon se tregjet financiare vijojnë të karakterizohen nga likuiditet i bollshëm, prime të reduktuara rreziku, bilance të shëndosha të sektorit bankar, si dhe një përqasje pozitive të tij ndaj kreditimit.
Kredia për sektorin privat vijoi të rritet më tej gjatë tremujorit të dytë. Ritmi i rritjes së portofolit të kredisë shënoi nivelin 15.4%, me një ngadalësim të lehtë krahasuar me tremujorin e parë, por, sipas Bankës së Shqipërisë, duke qenë më se i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat për fonde të bizneseve e familjeve.
Në veçanti, kreditimi i sektorit privat vijon të mbetet i fokusuar në mbulimin e nevojave të bizneseve për investime, si dhe të familjeve për konsum e blerje banesash.
Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme solide dhe pranë potencialit. Rritja ekonomike do të nxitet nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.
Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Kjo ecuri do të ndihmohet nga një balancim më i mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, nga stabilizimi i inflacionit në tregjet ndërkombëtare, nga një ecuri më e qëndrueshme e kursit të këmbimit, si dhe nga ankorimi më i mirë i pritjeve për inflacionin.
Megjithatë, Guvernatori theksoi përsëri se panorama e rreziqeve për të ardhmen mbetet komplekse.
Në veçanti, rritja e barrierave tregtare në tregjet e huaja dhe rritja e tensioneve gjeopolitike mbeten faktorë të rëndësishëm pasigurie në parashikimet ekonomike. Materializimi i skenarëve më negativë të rrezikut do të kishte pasoja potenciale negative në ecurinë ekonomike dhe nivelin e çmimeve në vend.
The post BSH mban normën bazë në 2.5%, Sejko: Inflacioni ishte më i ulët se pritjet tona appeared first on Revista Monitor.